Nga Florenc Bakillari
Pjesa e katërt
-Historia e rrallë e fshatarit nga Kalivaçi i Tepelenës që, pasi u vetë shpall si oficer i Sigurimit, u paraqit si i dërguari special i Kadri Hazbiut, në Degët e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe Durrës-
Memorie.al / Xhaferr Kanani, personazhi i rrallë, në rrëfimin e tij për aventurën tejet të rrezikshme që ai ndërmori në vitin 1960, atë të vetëshpallurit oficer i Sigurimit të Shtetit dhe më pas të prezantimin me “kolegët” në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe atë të Durrësit. Edhe pas gati pesë dekadash nga ajo kohë, ai çuditej për mungesën e vigjilencës atje, pikërisht në strofkën, ku thureshin planet për arrestimet, torturat, persekutimet, burgosjet e internimet e dhjetëra shkodranëve. Xhaferri do të befasohej nga prezantimi dhe pritja e ngrohtë që i bënë drejtuesit më të lartë të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, duke filluar na kryetari, kolonel Feçor Shehun, shefi i Policisë, kolonel Skënder Vinçani, shefi i Sigurimit, nënkolonel Hysen Hoxhati, etj. Pasi u bë i njohur në Shkodër, ai vendosi të vazhdonte lojën e tij të rrezikshme edhe në qytetin e Durrësit. Shkodra do t’i jepte Xhaferr Kananit, majorit të rremë, kënaqësinë e shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili vizitoi qytetin verior, në verën e vitit 1960, ndërsa, Durrësi, shoqërimin e Enver Hoxhës, gjatë përcjelljes që kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, i shoqëruar nga pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike, kishin ardhur në qytetin bregdetar për të përcjellë, Moris Torezin, kreun e Partisë Komuniste të Francës, pas vizitës disa ditore që ai kishte bërë në vendin tonë . Historinë e “inspektimit të tij, si i dërguar special i ministrit Kadri Hazbiu” në Shkodër dhe Durrës, janë përshkruar me detaje dhe hollësira nga vetë personazhi i shkrimit tonë, Xhaferr Kanani, në këtë intervistë të tij të gjatë, që do publikohet në disa numra.
Z. Kanani, përse Kadri Hazbiu, ju kërkoi të mos nxirrni emra oficerësh?
Për mua personalisht Kadri Hazbiu ishte një burrë i zgjuar, psikolog, i pastër në shpirt, pra një njeri i jashtëzakonshëm. Ai e pa mirë qëllimin e aventurës sime dhe në të nuk gjeti dashakeqësi apo lidhje agjenturore, në dëm të vendit tim. Sipas tij, e gjithë kjo histori, lindi nga mungesa e vigjilencës në Degët e Shkodrës dhe të Durrësit. Për mua, të dy drejtuesit e këtyre Degëve, më shumë shihnin fustanet e grave, sesa bënin detyrën, ndaj dhe kishin bërë ndalime e arrestime të njerëzve të pafajshëm. Më kujtohen shumë raste kur, Degët e tyre kishin arrestuar disa njerëz, për gjëra krejt të kota. Madje ata i keqtrajtonin, deri në humbje ndjenjash. Këto gjëra ia kisha thënë edhe Feçorit, edhe Kopi Nikos, madje në ndonjë rast, me këtë të fundit edhe kam replikuar si të isha vërtet i dërguari special i Kadri Hazbiut.
A ka marrë kontakte me ju ndonjë anëtar i Byrosë Politike?
Aventura ime nuk kishte si të mbetej një diskutim vetëm në linjë shtetërore, këtë e dinë shumë bashkëkohës të mi. Dua të shprehem për një takim interesant me Hysni Kapon. Aty nga fundi i tetorit të vitit 1960. Ndërsa qëndroja në birucë, vjen nënkolonel Besim Selita dhe më mori me vete në zyrën e tij. Aty pashë të ishin vendosur përballë njeri-tjetrit dy grupe. Në njërën anë qëndronte Hysni Kapo me të tjerë, funksionare të lartë të PPSH-së, si: Manush Myftiu, Foto Çami, Rrapo Dervishi dhe në krahun tjetër, Kadri Hazbiu me vartësit e tij, si: Mihallaq Ziçishti, Rexhep Kolli, Qazim Kondi, Xhule Çiraku.
Të dyja grupet, sapo hyra, i drejtuan vështrimet nga unë. Pas pak nisen edhe pyetjet. Në krahun e Hysniut, shënimet i mbante Foto Çami, ndërsa nga ana e Kadriut, Llambi Peçini. Hysniu nisi të më pyeste rreth veprimtarisë sime. Ai më tha se do të ndërronim rolet dhe do t’i tregoja për aktivitetin tim, pra do të thosha arsyet, pse isha marrë me Ministrinë e Brendshme se, isha bërë edhe problem i madh. Pyetja e parë ishte se, përse e kisha bërë, sipas tij, gjithë këtë rrëmujë në dy nga Degët e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe në Durrës. I thashë se, e gjitha kishte nisur si një aventurë rinore, pra për një vajzë, pasi ajo më kishte pëlqyer shumë.
Hysniu vijoi me pyetjen tjetër, nëse isha fejuar me vajzën. I’u përgjigja me një po të avashtë, madje i thashë se, fejesën e kisha bërë që në mars. Ai menjëherë më tha se, tani ishte tetor. U ndal te sqarimi i rrethanës së njohjes time me vajzën dhe disa të dhëna rreth saj. Unë gjithnjë jepja përgjigje të sinqertë, ashtu siç edhe kishte ndodhur në të vërtetë. Pasi mësoi rreth kësaj çështjeje, Hysni Kapo, deshi të dinte arsyet pse isha përzier në Degët e Punëve të Brendshme dhe pse kisha ndërhyrë, për të nxjerrë nga burgu të ndaluarit. Pra njeriu me më pushtet partiak në atë kohë, pas Enver Hoxhës, kërkonte të dinte përse unë u kisha dhënë mendim për të liruar persona të panjohur kapterëve dhe oficerëve në Degët e Punëve të Brendshme, në Durrës dhe në Shkodër.
Paske pasur bisedë të gjatë me Hysni Kapon?
Me të bisedova, sigurisht në prani të të tjerëve, rreth 2-3 orë. Pasi mbaroi me këto pyetje, ai më kërkoi të dinte rreth marrëdhënieve të mia me të huajt, që pushonin në Plazhin e Durrësit dhe aludonte për marrëdhënie të ngushta të miat, sidomos me gjermanët. Këtu mbeta ngushtë dhe i thashë se ishim një me zero. “Ku e merr ushtaraku uniformën, kur është bujtës, se e mbajë veten bujtës? Se ti i mësove këto gjëra. Po ti, pse e more në Durrës uniformën”?! – më pyeti përsëri Hysni Kapo.
I thashë Hysniut se, shefin e Prapavijës e kisha gënjyer, duke i thënë se kisha një stof në Tiranë, të cilën do ta qepja për uniformën time. Por deri në qepjen e saj, i kërkova të më jepte një gradë uniforme, dhe ai ma dha. Unë nuk ia çova kurrë copën Basri Bedinit, pasi nuk kisha ku ta gjeja. Kur i sqarova mënyrën se si u justifikova për të marrë uniformën, ai nuk duroi dhe më tha se, ishim bërë dy me zero. E njëjta situatë u krijua edhe kur më pyeti për armatimin. Njësoj, kisha gënjyer edhe për armën. Shefit të armatimit të Degës së Brendshme të Durrësit, i kisha thënë se, zotëroja një pistoletë sovjetike, tejet të rëndë dhe kërkova një më të lehtë.
Ata më dhanë një “Beretë” italiane pa fishekë, të cilën nuk e përdora kurrë. “Dëgjo Xhaferr Kanani, nga trimëria je i fortë. Kjo që ke bërë ti, dy gjëra ka. Sikur ajo që kishe bërë të ishte në funksion të shtetit, do të ishe dy herë hero, ndërsa po të ishe arratisur jashtë Shqipërisë, shërbimet e huaja, kundërshtare me politikën shqiptare, do të më kishin bërë roman dhe film, për mënyrën se si ia kishe hedhur Sigurimit të Shtetit. Ne, këta të Sigurimit, i kemi quajtur sykaltër, por dolën symbyllur. I kemi çuar të studiojnë nga 5 vjet në Bashkimin Sovjetik, ndërsa ti, ua hodhe për pesë minuta. Nuk mund ta quajmë vigjilencë këtë”, më tha Hysni Kapo.
Si përfundoi biseda me Hysni Kapon?
Hysniu, bisedonte me mua dhe njëkohësisht vështronte me inat nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, që kishte përballë. Kur nuk kishte me pyetje për të bërë, Hysniu i’u drejtua atyre që rrinin në krah të Kadri Hazbiut. “Dëgjoni këtu, të vijë një njeri i thjeshtë si Xhaferr Kanani, të hyjë në Bllok të Udhëheqjes, të mbaje konferenca, të lirojë të burgosur, të urdhërojë ushtarakë, të japë mendime, të mësojë sekrete, nuk është parë në asnjë vend tjetër. Kjo është e gjitha paaftësia e drejtuesve të Degës së Shkodrës dhe Durrësit, të cilët u lanë të mashtroheshin nga një njeri anonim, që nuk kishte asnjë lidhje me Sigurimin e Shtetit.
Imagjinoni sikur Kanani të ishte një njeri i futur nga agjenturat e huaja, për të mësuar sekretet dhe dobësitë tona. Për këtë, do të mbahet përgjegjësi deri më një dhe askush nuk do t’i shpëtojë analizës dhe ndëshkimit”, – tha Hysniu. Pas këtyre fjalëve, u ngrit në këmbë më dha dorën dhe më tha: “Këtu ku je ti, duhet të ishin këta dhe ti, ‘major Xhaferri’, ke vetëm një faj. Pse nuk m’i hodhe në Bunë, Feçor Shehun me shokët e tij, ndërsa në molin e Durrësit Kopi Nikon dhe kompani”?!
A ju solli kjo probleme gjatë kohës që pyeteshit në hetuesi?
Po, më kanë renduar. Gjatë procesit tim hetimor, me një interesim të veçantë për marrëdhëniet e mia, sidomos me gjermanët, të cilat i respektoja si turistë për të dhënë të kuptonin se, vendi ynë dhe njerëzit tanë,ishin mikpritës. Akuzatorët e mi, donin të dinin se pse shoqërohesha, çfarë bisedoja, pasi mendonin se unë kisha bërë në plan për t’u arratisur në Gjermani. Mbaj mend një rast në Durrës, kur kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Kopi Niko, më tha se turistët e huaj, veçanërisht gjermanët, e kishin ekzagjeruar ca me ato veshjet e tyre të shkurtra, çka binte ndesh me realitetin socialist, që kërkonte të impononte regjimin e asaj kohe.
Kolonel Niko, më tha se në disa raste, u kishte thënë policëve që gjatë larjes së rrugëve me ujë, me makinat e ndërmarrjes së Komunales, të spërkatnin me ujë edhe të huajt, veçanërisht femrat. Por unë e kundërshtova menjëherë dhe i thashë ta ndërpriste këtë metodë absurde dhe fëmijërore. Kjo në hetuesi, m’u mor si bazë për ngritjen e akuzës, vënie në shërbim të agjenturave të huaja. Më thoshin se unë, nën keqardhjen për gjermanët, fshija bashkëpunimin me to. Madje, më thoshin se në këtë vazhdë, u dilja kundër edhe eprorëve të Degës së Durrësit, që kishin marrë udhëzime për veprimet që kryenin.
Ruani ndonjë kujtim të veçantë në marrëdhëniet tuaja me të huajt?
Shumë turistë që vinin në Durrës, qëndronin në hotelin “Adriatik”. Më kujtohet se përkthyesi i tyre, quhej Fatmir Belishova. Një ditë, Fatmiri dhe Shaban Kokomanin, më thanë se një mjeke hungareze, kërkonte leje nga Dega e Punëve të Brendshme, për të vizituar e vetme, jo në grup, Gjirokastrën, Sarandën, Pogradecin dhe Shkodrën. Bashkëkohësit e mi, e dinë se turistët i bënin vizitat në grup dhe asnjëherë vetëm, për më tepër kjo e fundit, nuk lejohej. Ekzistonte frika në atë kohë se mes turistëve, mund të kishte agjentë, të cilët kërkonin të merrnin informacione dhe vizitat turistike, ishin rasti më i mirë për të realizuar qëllimet e tyre.
Atëhere mendova se do të ishte mirë që, të fusja në lojë shefin e pasaportave, kapitenin Izet Gjergjova, i cili vuante nga një sëmundje e stomakut. I thashë këtij të fundit se, hungarezja ishte mjeke dhe mund t’i bënte një vizitë në shkëmbim të lejes nga Dega e Brendshme, për të shkuar në katër qytete e pashoqëruar. Kështu u veprua. E siguruam lejen dhe turistja hungareze mbeti mjaft e kënaqur. Por e gjithë kjo histori mua m’u kthye kundër. Gjatë muajve në hetuesi, m’u drejtuan me dhjetëra pyetje që, synonin të mësonin se përse unë e kisha ndihmuar mjeken hungareze, të shkonte e pashoqëruar në qytetet që dëshironte të vizitonte, kur urdhri thoshte të kundërtën!
Kur turistët e huaj largoheshin, ju i mbanit lidhjet me to?
Çuditërisht, edhe pasi kishin ikur, turistët gjermane, hungarezë dhe polakë më dërgonin letra në hotelin “Adriatik” në adresën time. Unë isha i detyruar t’u ktheja përgjigje, por ngaqë nuk dija gjermanisht, thërrisja gjithmonë përkthyesin, i cili m’i qëndiste bukur. Në letra, u shpjegoja gjithçka që kishte ndodhur pas ikjes se tyre dhe veçanërisht arritjet e vendit tonë. Kur erdhi puna në hetuesi, të gjithë letërkëmbimin, ma quajtën si lidhje agjenturore, me shërbimet e huaja dhe kërkonin emra konkretë, detyrat që më kishin dhënë, si dhe bashkëpunëtorët që kisha në veprimtari.
Si dëshmitarë, ata pyetën përkthyes Nusretin nga Gjirokastra, i cili riprodhoi në mënyrë perfekte të gjitha bisedat që unë kisha bërë në prezencë të tij me të huajt si dhe gjithçka që më kishin shkruar turistët nga vendi i tyre, si dhe përgjigjet që u kisha dërguar unë, nëpërmjet Nusretit. Dëshmia e këtij njeriu, ishte pikënisja për heqjen e akuzës që më bënin, se isha agjent i shërbimeve të huaja.
A e besoi Sigurimi i Shtetit dëshminë e përkthyesit e cila, ju hiqte nga supet një akuzë të rëndë?
Nuk e besuan plotësisht, por kjo shërbeu për të vendosur paraprakisht, rrëzimin e akuzës për tradhti të lartë ndaj atdheut dhe vënie në shërbim të agjenturave të huaja. Sigurimi i Shtetit, për të vërtetuar gjithçka rreth letërkëmbimit tim me gjermanët dhe fotot që kisha bërë me to, dërgoi në Gjermani, gjeneral Zoi Themelin, një oficer madhor i Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe dhe gjeneral Nevzat Haznedarin, një person kyç, në hallkat e Sigurimit të Shtetit.
Ata ndenjën jo pak në Gjermani dhe kur erdhën, u thanë eprorëve të tyre të Ministrisë së Brendshme se, nuk kishin arritur të gjenin asnjë gjurmë të lidhjeve të mia, me shërbimet e huaja, ndaj e shikonin të arsyeshme, të mos akuzohesha në mënyrë krejt të pabazë pasi, kjo do të më kushtonte deri jetën, pasi dënimi ishte vetëm një, pushkatimi.
Historia juaj i detyroi drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, të merrnin masa dhe të ndëshkonin shumë njerëz. A besoni se ju e rrezikuat në një farë mënyre krenarinë e Sigurimit të Shtetit?
Historia ime, ishte një aventure që u shërbeu klaneve në Ministrinë e Brendshme, për të goditur njeri-tjetrin. Unë u përdora vetëm si shembull, për të bërë spastrimet e radhës, sidomos në radhët e njerëzve që kishin ardhur nga Lufta dhe ishte mjaft e vështirë, t’i largoje. Di që, ka pasur një qarkore ku përcaktoheshin masat për rritjen e vigjilencës. Kjo qarkore, u është dërguar të gjitha reparteve, që ishin në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Sy kaltrit e Sigurimit, kishin dështuar me mua dhe unë në një farë mënyre, kisha shërbyer edhe si njësi matëse për të vlerësuar vigjilencën, aq shumë të proklamuar, nga partia e asaj kohe. Madje, mesa mësova më vonë, pasi dola nga burgu, historia ime, ishte kthyer në një leksion të veçantë, për të gjithë ata që do të kryenin shkollën e Ministrisë së Brendshme.
Studentët mësonin se vigjilenca duhej të ishte mjaft e fortë dhe të mos besoje pa provuar çdo gjë vetë dhe si shembull pedagoget merrnin historinë time. Ata thoshin se, një i ri nga fshati mashtroi, për tetë muaj me radhë, me dhjetëra kuadro dhe oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe të Ministrisë së Brendshme. Me disa nga ata, që mësuan historinë si leksion në shkollën e Ministrisë, u takova në rrethana të rastësishme, në vitet ’90-të dhe më rrëfyen gjithçka.
Përfunduan hetimet dhe i kishte ardhur radha procesit të gjykimit. Si e kujtoni tani, pas gati 60 vjetësh, gjyqin tuaj?
Në fakt, e vetmja gjë që e bën të mbajtshëm mend atë gjyq, ishte fakti që ai u zhvillua me dyer të mbyllura, për të mos dalë gjoja sekreti, i asaj që kishte ndodhur me Sigurimin e Shtetit, por fjala kishte marrë dhenë. Po ashtu edhe mënyra e zhvillimit të këtij procesi, që nuk ishte gjë tjetër, veç një komedie që luhej me personazhe reale, ishte një arsye më shumë për ta mbajtur mend. Gjyqi im, u bë në Durrës, pasi aty gjoja kisha konsumuar edhe veprën penale.
Më morën të prangosur nga dhoma e izolimit të Drejtorisë së Sigurimit të Tiranës dhe më çuan në qytetin bregdetar. Në gjyq, morën pjesë ushtarakët e Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe disa juristë të rinj që, sapo kishin përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës. Ky gjykim ishte intensiv, sepse u mbyll brenda dy ditëve. Gjyqtarët vazhdonin të më pyesnin rreth veprimeve të mia, gjatë kohës që isha vetëshpallur oficer i Sigurimit. Mbaj mend se, kreu i Trupit Gjykues, nuk më thirri asnjëherë i pandehur, por vetëm në emër.
Ai e kuptonte se gjithçka kishte ndodhur si rezultat i mungesës se vigjilencës të oficerëve të Degëve të Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe Durrësit dhe unë, isha thjesht një i ri aventurier, por që kisha luajtur gabimisht, në strofullën e intrigave. Pra ai, nuk kishte çfarë të më bënte, ishte i detyruar të zhvillonte gjykimin tim dhe madje, të më jepte dënimin në bazë të pretencës që kishte dhënë prokurori, dënim i cili, nuk ishte pak. Aty erdhën të dëshmonin edhe disa dëshmitarë, të cilët krijuan nga replikat me mua, një situatë komike, e cila zor se do të harrohet nga pjesëmarrësit në gjyq, por gjithçka mund të lexohet edhe në proces-verbalin e mbajtur gjatë gjykimit.
Gjithmonë në kohën kur më kërkoheshin sqarime, pas dëshmive të “viktimave” të mia, i prisja ato me humor, pasi e dija dhe fundin e gjykimit. Pas seancës së pare, më morën dhe më çuan në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit. Kolonel Skënder Kosova dhe nja dy shoqërues të tjerë, më çuan te birucat që ishin shtruar me dërrasë, pas urdhrit që kisha dhënë kur isha “major” i vetëshpallur. Edhe dita e dytë, ishte një kopjo e së parës dhe në fund, vendimi i gjykatës, ishte dënim me 14 vjet burg. Pas marrjes së vendimit, më sollën në Tiranë. Këtu më futën në burg me të tjerët, por nuk doja të qëndroja aty.
Pse donit të largoheshit nga Burgu i Tiranës?
Të gjithëve u erdhi keq për dënimin që mora. Këtë, ma shprehu pjesa dërrmuese e atyre që më vizituan gjatë hetimit dhe pas tij. Vetë Kadri Hazbiu, kishte ndërhyrë që unë ta vuaja dënimin në Burgun e Artizanatit në Tiranë, për të mos pasur kontakte me të burgosur politikë, por, unë kisha vendosur të shkoja në Burgun e Bulqizës. Kjo nuk ishte vetëm dëshirë, por ka pas një histori.
Në kohën që isha në hetuesi dhe më morën në pyetje Hysni Kapo e Kadri Hazbiu, me grupin e oficerëve madhorë të Ministrisë së Brendshme, ishte edhe kolonel Hazbi Lamçe, që në atë kohë, ishte drejtor i Burgut të Bulqizës. Ai më kishte thënë, pak pasi ikën të tjerët, se kur të më dënonin, të kërkoja që dënimin ta vuaja në Bulqizë, sepse ai, do të më trajtonte mirë. Ashtu bëra dhe unë, paraqita kërkesën që të më çonin në Bulqizë. Ndërkohë që isha në Burgun e Tiranës, një toger nga Skrapari, më thotë që të çohesha se, më kërkonte në takim, një i madh më pushtet.
Cili ishte ky person me pushtet që ju vizitoi pas dënimit?
Unë u befasova kur togeri, më tha se kishte ardhur për vizitë në Burgun e Artizanatit në Tiranë, kryeministri Mehmet Shehu dhe kishte pyetur për mua. Pas kësaj, autoritetet e burgut urdhëruan të më sillnin në takim me Shehun. E pyeta togerin se; ç’punë kishte kryeministri me mua? Unë isha një nga të dënuarit e atij burgu. Ai më tha se, kishte urdhër të më shoqëronte deri në zyrën ku ishte Mehmet Shehu dhe nuk dinte asgjë më tepër. Shkova tërë kureshtje të mësoja se, çfarë donte të bisedonte me mua një njeri si Mehmet Shehu.
Ai ishte i shoqëruar nga një numër i madh oficerësh, si: Beqir Balluku, gjeneral Halim Xhelo, kolonel Qamil Mane dhe shumë të tjerë. Sapo më pa Qamil Mane, i thotë Mehmetit: “Shoku kryeministër, ka ardhur majori”. Ai iu përgjigj: “Cili major, ai i Kalivaçit”?! “Po”, – ia kthen përgjigjen kolonel Mane. Kryeministri më jep dorën dhe më pyet për shëndetin dhe se si po kaloja në burg. I thashë se, isha mirë. “Po hë, më tha, çfarë i bërë ato gradat tona, majori i Kalivaçit? Paçavure”? “Jo, i thashë, unë i doja, ndaj edhe i vendosa”. “Po mire, të dënuan”? – vazhdoi kryeministri.
“Po”, – ia prita unë. “Po nuk ju erdhi turp?” – ironizoi ai. “Turp të kenë ata që të dënuan, se në vendin tënd, këtu në burg, tani duhet të ishin ata që t’i i mashtrove”. Kryeministri, më tha që të mos mërzitesha dhe më porositi që, të mos ua tregoja të burgosurve të tjerë historinë time, pasi, mes tyre mund të kishte edhe nga ata që ishin armiq të pushtetit dhe mund ta përdornin për keq, atë çka kishte ndodhur me mua. Për fatin tim të keq, të gjithë të burgosurit, e kishin mësuar historinë time. Kryeministri u largua dhe pak kohë më pas edhe unë, më kërkesën time, u transferova në Bulqizë.
Si vijoi fati juaj në Bulqizë? A e mbajti fjalën kolonel Lamçe?
Kur mbërrita në Bulqizë, vura re që të gjithë e dinin se kush isha nga qarkorja që u kishte dërguar Ministria e Brendshme. Mbaj mend se, disa oficerë dhe kapterë, më vinin dhe më kërcënonin me pretekstin se, u kisha marrë më qafë shokët dhe u krijua një situatë e vështirë për mua. Por komandanti i Burgut, Hazbi Lamçe, ndërhyri duke sqaruar edhe një herë problemin tim. Më pas, më lanë në punën time, si kamerier në mensën e të burgosurve, por ata që më kishin inat, filluan ta ngrinin në mbledhjen e partisë, lehtësinë që më ishte bërë mua.
Pas kësaj më çmuan të punoj në galeri, por unë paraqita një ankesë te drejtuesit e lartë të shtetit të asaj kohe. Kështu më kthyen përsëri të punoja mbi tokë. Isha magazinier i ushqimit dhe veshmbathjes në burg, deri në fund të dënimit tim. Gjatë kohës që isha në burg, kam pasur edhe takime të tjera interesante me njerëz me pushtet asaj kohe, të cilët ishin kureshtarë, të dinin historinë time. Po ashtu edhe nga banorë të Bulqizës, kisha kërkesa për takime, pasi ata mësuan gjithçka rreth historisë sime dhe donin të më njihnin nga afër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm