Nga Nesti Kerenxhi
Pjesa e parë
Memorie.al/“Ndoshta dy vjet më parë, megjithëse kjo nuk ka edhe ndonjë rëndësi të veçantë për çka do të shkruhet me poshtë, në manifestime të ndryshme masive, që zhvilloheshin në vende të ndryshme të Evropës Lindore, me kërkesat për më shumë liri e demokraci, shpalosej madhështore edhe një parullë impresionante: “Proletarë të të gjithë vendeve na falni”! Doemos, lajmet e dhëna në ato vite ishin shpresëdhënëse, tronditëse, veç të tjerash, për këtë parullë të re, tronditëse do të thoja, më bëri shumë përshtypje, e them se për kushtet dhe gjendjen time, ky sllogan i ri, më bëri më shumë kureshtar se çdo lajm tjetër i atyre viteve, për anën e veçantë të tij.
Dëshmitë e Nesti Kerenxhit, për Enverin, Nako Spirun, Koci Xoxen, etj
Më shumë se vetë lajmi për rrëzimin e Murit të Berlinit, dhe kjo, jo sepse Muri i Berlinit ishte në moshë më të re se parulla e famshme e shkruar në mbyllje të Manifestit Komunist; as sepse Muri i Berlinit, ky simbol i shtypjes, i diktaturës, i krimit, i gënjeshtrës dhe i mashtrimit diktatorial nuk ka se si krahasohet me bashkimin e proletariatit, me qëllimet e këtij bashkimi, duke lënë mënjanë të përbashkëtën e tyre, ideologjinë.
As edhe pse rreth 143 vjet mbas Marksit dhe Engelsit, gazeta “Zëri i Popullit”, organi qendror i PPSH-së, mban ende në ballë po atë parullë, ashtu si gjatë gjithë ekzistencës së saj, sepse në kuadrin e vazhdimësisë dhe të rinovimit, ky organ, një mëngjes të bukur, do të dalë me të njëjtin emër, por pa parullën-thirrëse, të njohur si kushtrim të proletariatit botëror.
E pra, përshtypja është më e madhe, sepse më përforcoi bindjen se jo vetëm në vende të tjera, por edhe te ne ishte imperative kërkesa drejtuar popullit që të na falë: “Shqiptarë të të gjitha viseve, na falni!” A nuk do të tingëllonte shumë fisnike kjo thirrje-kërkesë e re!
Dhe të na falë, jo vetëm ne iniciatorët e krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që kemi mbetur ende gjallë nga të “200 petritët” zemërplasur e sakatosur, syrgjynosur e burgosur (përjashto ata të paktë bashkëpunëtorë të ndërtimit të Shqipërisë së re socialiste, sipas mësimeve të “arkitektit të ndritur” Enver Hoxha, por të gjithë të zhgënjyerit e tjerë).
Unë, patjetër, ashtu si shumë shokë të mi, faljen e kam kërkuar heshturazi, në zemër të përsëritur ashtu si rrahjet e saj sa herë më dalin parasysh pasojat e rënda të asaj kohe që, Enver Hoxha e ka quajtur me mburrje “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së Re” dhe që duhet quajtur: kur çeleshin konturet e greminës së re, kur ne, me atë sinqeritetin e kohës, moshës dhe zemrën e çiltër ishim të bindur se punonim e luftonim për lirinë, demokracinë, mirëqenien e, siç thoshim atëherë: për bukë, paqe e liri.
Thirrja “Proletarë të të gjithë vendeve na falni!” i shtoi dhe po i shton radhët e të zhgënjyerve. Me mijëra komunistë e anëtarë partie dorëzojnë sot teserat e Partisë, shumë të tjerë, punëtorë, fshatarë, intelektualë nuk besojnë më në ideologjinë gënjeshtare të PPSH, në demagogjinë e paskrupull të saj, në mashtrimet dhe gënjeshtrat e Enver Hoxhës dhe sahanlëpirësve të tij bashkëfajtorë. Fushata për rinovimin e Partisë së Punës të Shqipërisë, e filluar para Kongresit të saj të 10-të, synonte të ndalonte hemorragjinë e saj të brendshme, shthurjen e saj, por pa dobi.
Parapërgatitja ose më mirë përpunimi i opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për orientimin e Kongresit të 10-të të PPSH-së, lidhur me kërkesën për falje popullit për bëmat e “ndritura” (Intervista e Spiro Dedes), synonte të shpëtohej çka mund të shpëtohej nga ajo që tashmë e ka marrë të tatëpjetën. Nuk mund të merret si një përpjekje e pastër, e të pranohet si falje, njohja në atë masë të të metave, gabimeve, krahas të ashtuquajturit qëndrim kritik të mbajtur ndaj figurës së Enver Hoxhës. Jo! Kurrsesi, jo!
Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë thjesht e vetëm me një mashtrim. Me përpjekjen për vazhdimësi të PPSH-së enveriste, pa Enver Hoxhën, por me Sekretar të Përgjithshëm të PPSH, Ramiz Alinë. Askush më mirë se Kongresi i 10-të i PPSH-së, nuk mund t’i drejtohej popullit dhe partisë për falje, për ndjesë, për një rënie më gjunjë si fëmija miturak përpara nënës.
Vetëm ai i kish të gjitha mundësitë dhe atributet e plota, madje kishte në dispozicion arkivin e KQ të PKSH-së dhe PPSH-së, qoftë edhe atë pjesë të pa zhdukur apo të pa përpunuar (siç thuhet) për të goditur drejtpërsëdrejti, punën shkatërrimtare 47- vjeçare të sistemit diktatorial stalinisto-enverian, për të përcaktuar rolin e figurës së Enver Hoxhës në këtë gjysmë shekulli të sundimit të perandorisë së tij e të lakenjve të tij: të gënjeshtrës, mashtrimit, frikës, tmerrit, shtypjes, krimit, dhunimit, zhdukjes së njerëzve dhe të debatit e të së drejtës së fjalës e të shtypit të lirë, të shkatërrimit sistematik të personalitetit të njeriut e shpërfytyrimit të shoqërisë etj.
Por le të mos keqkuptohemi, askush prej shqiptarëve nuk duhet dhe nuk është për një përgjegjësi kolektive me diktatorin Enver Hoxha, ashtu siç mund ta konceptojnë ose ta dëshirojnë pasonjësit e tij. Vetëm ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alija, i cili zakonisht i lëkundur në shumë çështje, duket se përsëri ashtu i lëkundur, kërkon rrugëdalje pa u lagur dhe kujton se po e gjen atë, me lënien e përcaktimit të figurës së Enver Hoxhës, në dorë të historisë. Me të drejtë pyes: të cilës histori?
Të asaj historie që bën populli me punën, guximin dhe gjakun e tij, apo të historisë që mundohen të bëjnë liderët, pseudoliderat, udhëheqësit, pseudo udhëheqësit, diktatorët, mikrodiktatorët, diktatorucët, të cilët duhen quajtur, pa ngurruar, me emrin e tyre. Ndaj populli, i cili vuajti, vuan dhe do të vuajë edhe për një farë kohe nga bëmat e mbrapshta të Enver Hoxhës, ka ende të gjalla shumë kujtime që nuk po ia lë historisë t’i gërmojë dhe interpretojë, përkundrazi, me çdo mjet po i denoncon sheshit, për ditë nëpër sheshe.
Sa kujtime kemi ne që e kemi njohur Enver Hoxhën pak si shumë nga afër, kur atë ende nuk e njihte vetë e shoqja dhe bashkëfajtorja e tij, Nexhmija. Por a do të mundemi ne vallë, t’i japim me një herë, notën që i takon, vendin e merituar në histori, t’i bëjmë të njohura vetëm me vërtetësi, pa ndikime, fërkime, frikësime e imponime publike nga njerëz ordinerë që do të shfaqen e do të na shiten si martirë të diktaturës, si “demokratë” të kulluar, si njerëzit më të përgjëruar për të vërtetën. Besoj se jo.
Do të na duhet edhe shumë kohë ta presim këtë çast. Sepse nuk ka autoritete, personalitete, institucione, nuk ka dëshirë e guxim që të mund ta kryejnë këtë aksion tepër të vështirë. Gjithsesi, do të përpiqem të përmend me vërtetësi shumë fakte për çka është shkruar në të kaluarën dhe të vërtetoj edhe një herë me shumë sinqeritet se kush është Enver Hoxha, cila është fytyra dhe karakteri i tij tinzar”.
Si u ngrit në krye të komunistëve shqiptar Enver Hoxha?
“E kam njohur Enver Hoxhën që në Korçë, kur jepte mësim në Liceun Francez me orë të reduktuara, si pedagog i jashtëm. E kam njohur edhe më luftë, kur ndodhej në Qarkun e Korçës. Kam qenë i pranishëm në servilizmat patologjike të tij ndaj Svetozar Vukmanoviç Tempos në Kucakë, si dhe ndaj Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës në Kucakë e në Vithkuq.
E kam parë në Konferencën e Parë të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare, në Labinot, kur me gjithë këmbënguljen e madhe të Miladin Popoviçit, për ta zgjedhur Enver Hoxhën Sekretar të Përgjithshëm, delegatët e Konferencës e kontestuan propozimin e Miladinit, për zgjedhjen e tij si Sekretar të Përgjithshëm dhe kërkuan që në vend të tij, të zgjidhej Koçi Xoxja, megjithëse ai nuk ishte i pranishëm, sepse ndodhej i burgosur në Burgu e Ri në Tiranë, ku ishte dënuar me vdekje dhe nga ku ai dhe 27 të burgosur të tjerë, u arratisën nga tuneli i nëndheshëm i hapur nga vetë të burgosurit politikë, të drejtuar nga Koçi Xoxja.
Në këtë kohë, “atdhetari i madh” Enver Hoxha, i cili nuk kishte asnjë aktivitet të shquar luftarak personal, çka në kohë lufte ky fakt ishte shumë i rëndësishëm, propozoi shokun Josif Broz Tito, për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH-së, duke lënë gojë hapur të gjithë delegatët me mençurinë dhe në të njëjtën kohë me servilizmin e tij. A nuk flet ky fakt, për atë që Enver Hoxha, nuk kishte asnjë lloj ndjenje atdhetarie.
E kam parë në Panarit, në dimrin e 1943-1944, kur i kishin rënë puplat dhe ngrehosja e vetëkënaqësisë karakteristike të tij, kur Grupi operativ i Shtabit të Përgjithshëm, jo vetëm pa drejtimin e tij nxorën të pa prekura nga rrethimi i madh asgjësues gjerman i Operacionit Armik të Dimrit, kur ai u kthye i turpëruar nga inkursioni “Triumfator i Martaneshit” dhe ku kryesisht për faj të tij, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkëputi të gjitha lidhjet me forcat kryesore të ushtrisë dhe me zor kaloi lumin Shkumbin.
Kjo, në një kohë kur në zonën e Martaneshit, Shpiragut, Arbanës, Shën-Gjergjit e Pezës, kishte dy brigada sulmuese, Grupin e Elbasanit dhe Grupin e Pezës e, nuk mundi të lidhej me to e me ndihmën e tyre të siguronte kalimin në Jug të vendit, por gati sa nuk u asgjësua efektivi kryesore i Shtabit të Përgjithshëm.
Kam pasur fatin e madh ta shoh në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH-së të Beratit kur, raporti politik i përgatitur nga Sejfulla Maleshova, ia bënte kurrizin më të butë se barkun, por askush nuk kishte synim ta izolonte Enver Hoxhën, përkundrazi, ai pas Beratit, me miratimin e KQ të PKSH-së u shpall Kryeministër, Gjeneral-kolonel, Komandant Suprem, Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, e plot ofiqe të tjera. Pa shikoni ju lutem se çfarë kameleoni tregohet Enver Hoxha, thuajse në të gjitha rastet, kur ai përgatitet për të ngritur kurthe apo komplote makabre pa kursyer askënd.
Propozimi në Plenumin e 8-të të KQ të PKSH-së, që Tito të njihej si Sekretar i Parë
Unë, edhe sot e kësaj dite, nuk arrij ta konceptoj qartë në logjikën time qëndrimin politik, ideologjik, atdhetar, partiak e moral të Enver Hoxhës, si dhe propozimin e shfaqur rishtas nga ana e tij në Plenumin e 8-të të KQ të PKSH-së, që shokun Josif Broz Tito, ne duhej ta konstituonim si Sekretar të Përgjithshëm të K.Q. të Partisë Komuniste Shqiptare, ndërsa atë (Enver Hoxhën), si zëvendës të tij në Shqipëri! Marrëzi dhe poshtërsi më të madhe unë nuk kam dëgjuar kurrë nga goja e ndonjë politikani shqiptar, i çfarëdo spektri politik qoftë!
Kjo është e shkruar siç thotë populli, e zezë mbi të bardhën, në proces–verbalin e mbledhjes së Plenumit të KQ të PKSH-së, në qoftë se nuk më ka lënë kujtesa, e kam mbajtur unë personalisht, veç në qoftë se nuk e kanë zhdukur ose falsifikuar. Dua të theksoj dhe të pyes me këtë rast, për dokumentet themelore të historisë të PKSH-së, PPSH-së, Historisë së Shqipërisë, ku janë dokumentet si: proces-verbali i Mbledhjes Themeluese të PKSH-së? Do të thoni ju, e ka sekuestruar policia sekrete italiane gjatë një aksioni “blic”. Bukur!
Po pse nuk është kërkuar në arkivat italiane? Ku ndodhen materialet origjinale të Konferencës së Parë të Vendit, ku kontestohet zgjedhja e Enver Hoxhës si, Sekretar i Përgjithshëm dhe propozohet për këtë post Koçi Xoxe? Pse nuk botohen origjinalet e tyre apo, për të fshehur gjurmët e punës së dobët të Enver Hoxhës, Miladinit dhe Dushanit? Ku është? Pse nuk gjendet pas kaq vitesh, raporti politik i mbajtur nga Sejfulla Maleshova në Plenumin e Dytë të K.Q. të PKSH-së të Beratit?
Apo mos vallë se ky është raporti më analitik për veprimtarinë negative, fajet dhe gabimet në vijën politike të Enver Hoxhës gjatë Luftës? Ku janë materialet e Plenumit të 8-të të KQ të PKSH-së? Pse nuk janë përfshirë në veprat e Enver Hoxhës të plota, pse janë manipuluar deri në atë farë feje?! Mos vallë për të fshehur gjurmët e servilizmit të tij, krupë ndjellës?! Shembuj të tjerë të kësaj natyre, besoj se nuk është nevoja të rendis të tjerë se ka me dhjetëra.
“Vetëvrasja” e Nako Spirut dhe roli i Hoxhës
Njëri nga problemet shumë seriozë dhe që ka mbetur i mbështjellë me tymnajën e spekulimit politik është vrasja, vetëvrasja apo eliminimi fizik i shokut tonë të mrekullueshëm, Nako Spiru. Kush e vrau Nako Spirun? Veli i mjegullës vazhdon ta mbulojë këtë çështje mjaft të rëndësishme. Nuk e di me saktësi nëse deri më sot, jurisprudenca, pra shkenca e drejtësisë, a ka mundur ta përcaktojë ndarazi teorinë e saj, lidhur me vrasjen dhe vetëvrasjen e detyruar. Sigurisht që ka mundur.
Nëse e ka përcaktuar drejt raportin apo masën e njësimit apo të barazimit midis vrasjes “proprement dite” (e thënë pastër) siç thotë frëngu dhe vrasjes me vetëvrasje të detyruar!? Nako Spiru vrau veten se e detyruan, kjo tashmë dihet mirëfilli dhe është e vërtetuar qartë, si një e një që bëjnë dy. Atë, Nakon pra, e detyroi udhëheqja e Partisë, Byroja Politike e KQ të PKSH-së (ashtu si funksiononte ajo në atë kohë, e plotë dhe jo, me mbledhje të planifikuara e të paralajmëruara ose jo, me rend-dite të caktuar ose të rastit).
A është rasti këtu për ta mbyllur çështjen, duke përcaktuar vetëm përgjegjësinë kolektive, apo ka vend të nxirret krahas saj dhe përgjegjësia personale? Unë them po. Ka vend. Përgjegjësia personale duhet kërkuar vetëm te personi Enver Hoxha, sepse ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, Kryeministër i padiskutueshëm dhe arsyetimet e mëvonshme të tij, për rolin e Koçi Xoxes në drejtimin e punëve të Partisë, nuk pinë ujë.
Logjika e ftohtë e sendeve thotë: çështja e Nakos, akuzat kundër tij janë thjesht ekonomike. Ç´ka të bëjë Koçi Xoxe këtu?! Nëse Byroja Politike e KQ të PKSH-së, nuk luante rolin e saj që i takonte, siç pretendohet, përsëri faji nuk është i Koçi Xoxes, por është i tij, i Enver Hoxhës, i Sekretarit të Përgjithshëm të KQ të PKSH-së.
Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, nuk do të thotë paprekshmëri, do të thotë përgjegjësi, do të thotë përgjegjësi në shkallën më superiore. Përgjegjësia e tij del qoftë edhe duke gjykuar mbi vetë paraqitjen e çështjes nga ai personalisht, duke arsyetuar mbi bazamentin e çështjes të përgatitur nga dora vetë.
Po ashtu, nga ky shkrim, del edhe ndonjë vlerësim apo përshtypje e veçantë e imja, që ka të bëjë me metodat e ushtrimit të presionit, me koordinimin e masave që nga refuzimi i dhënies së afatit të kërkuar nga vetë Nako Spiru për shqyrtimin e çështjes së tij deri edhe në dhënien e urdhrit për vëzhgimin e Nakos nga organet e posaçme të Sigurimit të Shtetit.
Si mund të shpjegohet ardhja e vetë Enver Hoxhës, bashkë me Koçi Xoxen në sallën e spitalit, ku bëheshin përpjekjet intensive për mjekimin e shpëtimin e tij. Sipas porosisë së Enver Hoxhës, unë qëndrova në spital, deri në fund të mjekimit të pasuksesshëm dhe pas vdekjes së Nako Spirut, kontrollova xhepat e tij, ku gjeta vetëm teserën e Partisë, letër njoftimin dhe një shami, të cilat ja dorëzova të gjitha Enver Hoxhës. Ja, pra, ky është Enver Hoxha.
Të detyron të vetëvritesh e pastaj jep urdhër të kontrollohet edhe i vetëvrari dhe pastaj mblidhuni o burra ta qajmë. Pastaj ta zhvarrosim e ta pështyjmë. Pastaj ta rivarrosim e të tjera. Pyes më insistim, po këto varrime e zhvarrime, Koçi Xoxja i ka bërë, vepër e tij janë këto? Po represioni i dhjetëfishuar ndaj komunistëve dhe masës së gjerë të kuadrove pas pushkatimit të Koçi Xoxes, vepër e kujt janë? A nuk janë të Enver Hoxhës me shokë…?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm