Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe tragjike të Bajram Hysen Kovaçit me origjinë nga Fush-Çidhna e Dibrës, i cili pasi kishte dalë partizan që në moshën 14 vjeçare duke marrë pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës, pas mbarimit të Luftës u titullua oficer dhe shërbeu si ndërlidhës personal i Komandantit të Divizionit të Korçës, gjeneral-major, Beqir Ballukut, duke marrë pjesë dhe në Provokacionet e Gushtit ’49, ku krahas detyrës së tij si ushtarak, ai ishte në vijën e parë të frontit të luftimeve, duke mbajtur shënime për gjithçka ndodhte aty, të cilët më pas dërgoheshin në Tiranë, e botoheshin në gazetat “Luftëtari”, “Bashkimi”, “Zëri i Popullit” etj., duke e bërë atë si gazetarin e vetëm që ndoqi luftimet në front.
Karriera e gjatë e Bajram Hysenit si gazetar ushtarak në gazetën “Luftëtari”, ku ai punoi deri në vitin 1956 pas Konferencës së Tiranës, kur në një mbledhje që u zhvillua në Shkollën e Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë, ai i bëri disa pyetje Enver Hoxhës, lidhur me akuzat që i bëheshin Murat Kaloshit si dhe trajtimi që i’u bëhej bashkëfshatarëve të tij të Fush-Çidhnas, për qëndrimin që ata kishin mbajtur gjatë periudhës së Luftës, pyetje të cilat do t’i kushtonin shtrenjtë më pas, duke i ndryshuar të gjithë rrjedhën e jetës.
Çmobilizimi i Bajramit nga Ushtria pas mbledhjes së mbajtur në Kavaleshencën e Ushtarakëve në Plazhin e Durrësit, ku Rita Marko sapo e pa, iu drejtua Kadri Hazbiut duke i thënë: “Po ju, akoma e mbani si ushtarak dhe gazetar, Bajram Hysenin, a e dini se çfarë pyetjesh i ka barë ky shokut Enver…”?!, gjë e cila do sillte më pas arrestimin dhe dënimin e tij me pesë vite burg në “një grup” me dy poetët e tjerë, Pano Taçi dhe Jorgo Bllaci, për t’u rriarestuar përsëri pas lirimit nga burgu i pare, ku ai u akuzua si: “agjent që i jepte sekrete një nëndetëseje që vinte në lumin Drin”, dhe së bashku me vëllanë e tij, e djalin Dashamirin, vuajtën 54 vite burg, duke u liruar vetëm në marrin e vitit 1991.
“Pas diskutimeve kur u erdhi rradha pyetjeve, u ngrita dhe unë e i thashë Enver Hoxhës: A është e drejtë që të akuzohet familja e Murat Kaloshit për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha luftës në Dibër? Si shpjegohet që të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Mbretin Zog, e nuk është kthyer më kurrë?!” Kështu e kujtonte Bajram Hyseni, ish-partizan, shkrimtar e gazetar i organeve të shtypit ushtarak me gradën e majorit, atë mbledhje me Enver Hoxhën ku ai u ngrit dhe bëri disa pyetje “me zarar” të cilat do t’i “paguante shtrenjtë”, pasi I ndryshuan rrjedhën e jetës dhe e detyruan që të vuante plot 24 burg duke u akuzuar si “armik i popullit dhe agjent i anglo-amerikanëve”. Në dëshmitë e tij që na I ka dhënë pak kohë para se të ndërronte jetë, Bajram Hysen Kovaçi na rrëfeu të gjithë tragjedinë e tij familjare, se si së bashku me vëllanë e djalin e tij vuajtën 54-vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës!
14-vjeç, partizan në Luftën e Tiranës
Bajram Hyseni u lind më 29 janar 1929 në fshatin Laçej të komunës së Fushë-Çidhnës të rrethit të Dibrës. Origjina e hershme e familjes Kovaçi është nga fshati Sinë dhe mendohet se të parët e saj janë vendosur në fshatin Laçej që nga viti 1200. Nga burrat më në zë të trungut të asaj familje, ka qenë i njohur Ymer Kovaçi (ka lindur 1815-ën) të cilit turqit ia prenë kokën së bashku me Cen Dikën dhe ia çuan Sulltanit në Stamboll. Po kështu nga ajo familje turqit patën vrarë dhe Bajram Kovaçin, vëllanë e gjyshit të Bajram Hysenit. Duke qenë një nga familjet më të njohura të asaj zone, babanë e Bajramit, Hysenin, për 14-vite me rradhë fshati e kishte zgjedhur si kryeplak. Në vitin 1941 Bajram Hyseni përfundoi shkollën fillore në Internatin “Kastrioti” në qytetin e Peshkopisë ku kishte si mësues shkrimtarin e njohur Qamil Guranjaku, i cili vazhdimisht e mbante afër dhe kujdesej për Bajramin, nga që ai merrej me poezi. Lidhur me aktivitetin e tij gjatë Luftës, Bajrami kujtonte: “Me Lëvizjen Antifashiste mua më afroi mësuesi im Qamil Guranjaku dhe aty nga viti 1943, së bashku me Zenel Zhukën e Elmaz Përgjegjën, ne formuam organizatën e Rinisë Antifashiste të rrethit të Dibrës. Më pas u inkuadrova në Batalionin partizan Dibër-Martanesh që komandohej nga Qemal Beluli, me të cilin mora pjesë në luftimet për çlirimin e Tiranës. Më 2 shkurtin e vitit 1945, u pranova si anëtar i Partisë Komuniste dhe u caktova si oficer në repartin e Ndërlidhjes, ku kryeja detyrën e Përgjegjësit të Rinisë”, kujtonte Bajram Hyseni periudhën e viteve të Luftës ku ai doli partizan në moshën 14-vjeçare.
Gazetar në Provokacionet e Gushtit 1949
Pasi punoi për disa kohë në repartin e Ndërlidhjes, Bajram Hysenin e transferuan për në Divizionin e Korçës, duke e caktuar si radist personal të Beqir Ballukut, Komandantit të atij Divizioni. Për këtë, Bajrami kujtonte: “Duke qenë se kisha një pasion të madh për të shkruar tregime dhe poezi, gjatë asaj kohe që shërbeja si radist i Beqir Ballukut i cili më donte jashtë mase, fillova të shkruaja shkrime të ndryshme të cilat i botoja në gazetën “Luftëtari”, ku kryeredaktor ishte ish-mësuesi im Qamil Guranjaku. Shkrimet e mia u pritën mirë dhe që nga ajo kohë unë u bëra korrespodent i rregullt i asaj gazete. Aty nga vera e vitit 1949, kur filluan “Provokacionet e Gushtit” në kufirin me Greqinë, unë u dërgova në frontin e luftës ku përveç shërbimit që bëja si radist, mbaja shënime në bllok për ata çka ndodhte aty. Ato shënime me anë të korrierit i dërgoja në Tiranë dhe ato botoheshin jo vetëm nga gazeta “Luftëtari”, por edhe nga “Zëri i Popullit”, “Bashkimi” etj. Kështu unë u bëra gazetari i vetëm që përcolla në shtyp të gjitha ngjarjet e betejat që u zhvilluan ndërmjet forcave të ushtrisë sonë dhe atyre greke. Në vitin 1952, më transferuan në Tiranë dhe më caktuan në redaksinë e “Luftëtarit”, ku punova deri në vitin 1956, kur ndodhën ngjarjet e Konferencës së Partisë së Tiranës, ku unë mora pjesë si gazetar”, kujtonte Bajrami fillimet e karrierës së tij si gazetar ushtarak.
I kërkon Enverit pafajsinë e Kaloshëve
Pasi mori pjesë si gazetar në Konferencën e Partisë së Tiranës në vitin 1956, Bajram Hyseni u dërgua përsëri për të ndjekur një mbledhje në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha me Rita Markon. Lidhur me këtë: “Bajrami na tregonte: “Ajo mbledhje organizohej nga udhëheqja e lartë e Partisë me qëllim që të sqaroheshin studentët e asaj shkolle lidhur me Konferencën e Tiranës. Kur u erdhi rradha e pyetjeve, u ngrita dhe unë e i thashë Enverit: A është e drejtë të akuzohet familja e Murat Kaloshit, për vënie në shërbim të Ballit Kombëtar dhe që i paska sjellë dëme të mëdha Luftës në Dibër? Si është e mundur të akuzohet për këtë gjë Murat Kaloshi, kur ai në atë kohë nuk ka qenë fare në Shqipëri, pasi ka qenë larguar që në 1939-ën së bashku me Zogun e nuk është kthyer më kurrë? Si shpjegohet që për shkak të luftës me forcat e Halil Alisë, u dogjën katërqind shtëpi në Çidhën dhe u pushkatuan me gjyq e pa gjyq rreth 100 persona dhe familjet e tyre edhe sot konsiderohen si armike?” Në ato momente kur unë akoma nuk e kisha mbaruar fjalën, Nasi Zogo, Komandanti i Gardës, që ishte ngjitur me mua, më tha me zë të ulët: Mooos, se na more në qafë veten dhe mua. Që sot e tutje nuk jemi më shok bashkë’. Pas pyetjeve të mia, Enver Hoxha u përgjigj: Për Kaloshët m’i kanë dhënë faktet gabim, prandaj të korigjohet. Përsa i përket shtëpive të djegura e të vrarëve në Çidhën, do të pyes Haxhi Lleshin se sa është shifra e vërtetë, por sido që të jetë, kemi urdhëruar që fshatarëve të mos u regjistrohet armiqësi në biografinë e tyre”, kujton Bajram Hyseni lidhur me pyetjet që ai i bëri Enver Hoxhës në atë mbledhje të zhvilluar në Shkollën e Lartë të Partisë.
Lirimi nga ushtria e arrestimi në 1962-in
Ato pyetje që Bajram Hyseni i bëri Enver Hoxhës në Shkollën e Lartë të Partisë në vitin 1956, ishin mbajtur shënim nga Rita Marko dhe që nga ajo kohë Bajrami u fut “në rreth të kuq” si kontigjent i mundshëm për “armik dhe element antiparti”. Pasi punoi disa kohë në Gjirokastër, Bajramin e transferuan përsëri për në Tiranë dhe i dhanë një apartament ngjitur me Bllok-un e udhëheqjes. Në atë kohë ai filloi të botonte shumë artikuj, tregime dhe poezi, në të gjithë organet e shtypit duke u bërë një emër mjaft i njohur. Në atë kohë Bajrami mbaroi edhe fakultetin Histori-Filologji dhe botoi dhe dy libra të titulluar “Flakët” e “Kodra e kuqe”. Por ajo karrierë e shkëlqyer që kishte nisur, nuk ishte thënë të vazhdonte gjatë, sepse në vitin 1962, kur ai nuk ishte më shumë se 33-vjeç, u nxuarr në lirim. Lidhur me këtë Bajrami tregonte: “Aty nga viti 1962 u bë një mbledhje në Kavaleshencën e Ushtrisë në Durrës, të cilën e drejtonin Rita Marko me Kadri Hazbiun. Aty mora pjesë dhe unë si gazetar i “Luftëtarit”, e teksa isha afruar pranë presidiumit me aparat në dorë duke bërë fotografi, vura re se Rita Marko i tha Kadri Hazbiut: Pse e mbani Bajram Hysenin akoma në shtyp, a nuk e dini se ky i ka bërë pyetje të rrezikshme shokut Enver?” Kadriu ndërkaq iu përgjigj: Jo, Bajramin e kemi punëtor të mirë! Aty kuptova se Rita Marko nuk i kishte harruar ato çka i kisha thënë unë Enver Hoxhës dhe hija e atyre pyetjeve të bëra për Kaloshët dhe të pushkatuarit e fshatit të Halil Alisë, dukej se nuk po më shqitej e më ndiqte nga pas si ogur i zi. Mbas dy vitesh kur punoja si Sekretar Kolegjumi në revistën “Në shërbim të popullit”, natën e vitit të ri 1963, shefi i kuadrit i ministrisë, gjeneral Hasan Pulo, më njoftoi se kisha dalë në lirim, pa më thënë asnjë lloj motivacioni. Pas kësaj më çuan si përgjegjës tek konviktet e Institutit të Arteve, ku nuk punova më shumë se gjashtë muaj. Më 22 gusht të vitit 1964, ndërsa isha duke kaluar afër Korpusit Qëndror të Universitetit, tek këmbët më ndaloi një “Gaz” i Policisë dhe personat që ishin brenda më thanë se “në emër të popullit” isha i arrestuar. Pas 11 muaj hetuesie ku më akuzonin se kisha shkruar poezi kundër realizmit socialist, më dënuan me 5-vjet burg së bashku me dy poetët e njohur, Jorgo Bllaci e Pano Taçi”, kujtonte Bajram Hyseni, dënimin e tij të parë me dy poetët e njohur.
Dënimi i dytë me 25 vjet
Pasi u lirua nga burgu më 17 nëntor të vitit 1968, Bajram Hysenin e sistemuan në punë si përgjegjës të puntorëve të Parkut Kombëtar të Tiranës. Ndërsa nuk kishin kaluar më shumë se tre vite nga dita e lirimit, më 10 qershor të vitit 1971, Bajrami u arrestua përsëri. Lidhur me arrestimin e dytë, ai kujtonte: “Atë ditë më thirrën në Prokurorinë e Përgjithshme dhe sapo u futa aty mu hodhën përsipër disa veta e më vunë një batanie në kokë. Një ditë më parë unë sapo kisha mbaruar së shkruari romanin “Notarët e lumejve të nëndheshëm” dhe arrestimi im dukej se ishte i planifikuar që të bëhej, sa të mbaroja atë libër. Pak kohë para meje, Sigurimi i Shtetit kishte arrestuar dhe vëllanë tim Isufin, që kishte qenë oficer me gradën Kapiten i Parë në repartet e Aviacionit. Po kështu ishin dënuar edhe xhaxhai, Osman Kovaçi, me djalin e xhaxhait tjetër, Mahmut Staf Kovaçin, që vuajtën të dy 20 vite, burg politik. Pas arrestimit, Sigurimi i Shtetit më bastisi të gjithë shtëpinë, duke më sekuestruar të gjithë bibliotekën mjaft të pasur që kisha. Ndërkaq gruan me tre fëmijët, m’i internuan në fshatin Vrap të Malësisë së Tiranës. Gjatë hetuesisë, më kërkonin të pranoja se: nëpërmjet një nëndetëseje që kishte ardhur në Vaun e Dejës, unë kisha marrë udhëzime sekrete nga agjenturat e huaja, për t’ia dhënë gjeneral Dali Ndreut. Unë i thashë hetuesit se ajo akuzë ishte krejt qesharake, pasi nëndetësja nuk futej dot nëpër Drin dhe se Dali Ndreu ishte pushkatuar që në 1957-ën. Ai më tha se ajo gjë nuk ishte fort problem, se datat rregulloheshin, por kryesorja ishte që të pranoja akuzat që më bëheshin, për të ndihmuar Partinë. Ngaqë nuk i duroja dot torturat, më 10 korrik 1971, tentova të bëja vetëvrasje, duke i rënë një hekuri me kokë, por njeriu qënka i fortë. Gjyqi im u bë në qytetin e Peshkopisë dhe zgjati pesë ditë me rradhë. Nga Tirana për mua sollën Mustafa Lleshin, që kishte qenë shef i UDB-së për Maqedoninë dhe e pyetën nëse më kishte parë mua në Maqedoni. Ai më mbrojti, duke thënë se nuk më kishte parë kurrë atje. Ndoshta për qëndrimin e tij kishte ndikuar dhe Haxhi Lleshi (djali i xhaxhait të tij) i cili nuk kishte dëshirë që fisi i tij, të implikohej në dënimin tim. Edhe pse unë nuk pranova asnjë akuzë, u dënova me 25-vite burg, ndërsa vëllai im, Isufi u dënua me 18 vite. Një oficer tjetër i “grupit” tonë, Hakik Kuta, u dënua me 20 vite burg. Zanafilla e dënimit tonë, ishte një person që kishte dhënë informata të rreme dhe që u dënua bashkë me ne”, kujtonte Bajrami, dënimin e dytë me 25-vjet burg, i akuzuar për “lidhje me agjenturat e huaja”.
Dënimi i djalit me 20-vite
Ndërsa Bajrami me gjithë të vëllanë Isufin, vuanin dënimin në burgjet e regjimit komunist, bashkëshortja e tij, Ifete Krasniqi, me tre fëmijët: Dashamirin, Arbenin e Teutën, punonin në punët më të rënda në kooperativën bujqësore të fshatit Vrap të Tiranës, nën survejimin e vazhdueshëm të Sigurimit të Shtetit. Katër vite pas dënimit të Bajramit, Sigurimi arrestoi edhe djalin e tij të madh, Dashamirin. Lidhur me këtë, bashkëshortja e Bajramit, Ifetja, na tregonte: “Në vitin 1975 Sigurimi i Shtetit na arrestoi djalin e madh, Dashamirin, i cili ishte duke mësuar për pyetjet e provimeve, pasi në atë kohë ai punonte ditën dhe natën vazhdonte vitin e katërt të Liceut Artistik, për pikturë. Gjatë hetuesisë, atë e torturuan barbarisht dhe i kërkonin të pranonte se kishte dashur të hidhte në erë Komitetin Qëndror, në shenjë hakmarrje për dënimin e babait. Si fillim u tha se ai do dënohej me vdekje, por më pas vendimi i Gjykatës i’u dha me 20 vite burg. Ndërsa Dashi vuante dënimin në burgun e Spaçit, ai u rridënua edhe me 10 vite të tjera, sepse i gjetën disa poezi dhe karikatura që i kishte bërë kundër Enver Hoxhës”, kujtonte bashkëshortja e Bajramit, Ifetja për dënimin e djalit, Dashamirit. Bajrami me vëllanë e tij Isufin dhe djalin Dashamirin, qëndruan në burgjet e Burrelit, Spaçit, Shën-Vasisë, etj.. deri në prillin e vitit 1991, kur u liruan që andej me kontigjentin e fundit të dënuarve politikë. Kur Bajrami vuante ditët e fundit të dënimit në burgun e Shën-Vasisë, i shkuan për herë të parë fëmijët për ta takuar. Djali i madh Dashamiri sapo ishte liruar nga burgu e Bajrami nuk i njohu. Ai iu kthye komandantit të burgut duke i thënë: “Këta nuk janë fëmijët e mi, pse talleni me mua…”?! Në shenjë nderimi për të kaluarën e Bajram Hysenit, Komuna Çidhën e qarkut të Peshkopisë e kishte pagëzuar shkollën 8-vjeçare të fshatit Kastriot, me emrin e tij, edhe pse kjo gjë nuk lejohej me ligj, pasi në atë kohë Bajram Kovaçi ende nuk ishte ndarë nga jeta./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016