Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Plot 36 vjet më parë, në fundin e qershorit dhe fillimin e korrikut 1990, me mijra shtetas shqiptarë, kryesisht nga Tirana, por dhe nga rrethe të ndryshme të vendit, thyen kangjellat dhe muret e ambasadave të huaja dhe u futën brenda rrethimit të tyre, duke kërkuar strehim politik e, me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria. Lidhur me këto ngjarje që tashmë njihen si “Ngjarja e ambasadave të 2 korrikut 1990”, që nga ajo kohë e më pas, për gati 35 vite me rradhë është folur dhe shkruar shumë, si me dëshmi të personave që u futën nëpër ambasada, protagonistë kryesorë të ngjarjeve të atyre ditëve, apo dhe ish-funksionarë të lartë të shtetit të asaj kohe, shefa policie etj., po ashtu dhe me dokumenta arkivore, kryesisht të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, pjesë e fondit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së.
Por edhe pas publikimit të dhjetëra shkrimeve, ende dhe sot nuk janë zbardhur të gjitha ato çka ndodhën ato ditë të nxehta korriku në Tiranë, si p.sh. cilët ishin shtetasit e parë që u futën në ambasada, si nisi përplasja me policinë, cilët ishin personat që u arrestuan, etj. etj. Nisur nga kjo, për të hedhur sadopak dritë mbi ato ngjarje, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme ku janë komunikatat operative sekrete (tashmë të de klasifikuara) ku grupet e drejtimit të Ministrisë së Brendshme, kanë shënuar pothuaj të gjitha ato që kanë ndodhur ato ditë me ambasadat, apo dhe trazirat nëpër kampet dhe burgjet politike, të cilët u solidarizuan me me ngjarjet e 2 korrikut. Këto dokumente publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 22 QERSHOR 1990, PËR TENTATIVËN E DISA SHTETASVE PËR TË HYRË NË AMBASADËN ARABE NË TIRANË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 22.6.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 147
TIRANË
Më datën 22.6.1990, sipas të dhënave paraprake në orën 24.05, nga tarraca e rezidencës së ambasadorit arab, u pa nga polici i shërbimit të ambasadës hungareze, se një person me këmishë të bardhë lëshoi një litar. Në vend shkoi grupi operativ ku ambasadori tha se e sqarojmë nesër.
(Ngjarja të raportohet urgjent. Problemi u sqarua, Fadil Cani. Dt. 23.6.1990).
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
MAKSIM PINCI
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 25 KORRIK 1990, PËR FUTJEN E 6 PERSONAVE NË AMBASADËN ITALIANE ME NJË AUTOMJET “IFA”
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 25.6.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 148
TIRANË
Më datën 23.6.1990, në orën 21.45, në territorin e ambasadës italiane, u futën me forcë 6 persona nëpërmjet një automjeti IFA.
Më datën 24.6.1990, rreth orës 20.30, në ambasadën turke, nëpërmjet murit, janë futur dy shtetas shqiptarë që kërkojnë strehim politik.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
FLORJAN KOLANECI
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 29 QERSHOR 1990, PËR FUTJEN E DY SHTETASVE NË AMBASADËN KUBANEZE NË TIRANË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 29.6.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 152
TIRANË
Më datën 29.6.1990, u ndalua Gëzim Bedri Mullet, vjeç 36, minator dhe Fatos Isak Kadriu, vjeç 36, shofer në Parkun e Udhëtarëve, për arsye se kanë hyrë në ambasadën kubaneze.
Më datën 26.6.1990, u ndalua Alfred Vasil Vasili, ushtar në repartit 9125 Vlorë, për arsye se ka tentuar të futet në ambasadën turke.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
FADIL CANAJ
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 30 QERSHOR 1990, PËR NJË SHPËRTHIM NË MUZEUN “ENVER HOXHA” DHE FUTJEN E 12 SHTETASVE NË AMBASADËN ALGJERIANE
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 30.6.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 153
TIRANË
Më datën 29.6.1990, në pjesën e përparme të Muzeut “Enver Hoxha”, u dëgjua një plasje e fortë. Në vend u gjet një trup metalik me dimensione 6.5 cm. x 2.5 cm., i cili ka plasur në ajër nga drejtimi lindje-perëndim. Nga hetimet del se objekti është sinjal-dhënës që nuk është paisije ushtarake.
Më datën 30.6.1990, ora 01.30, 12 persona (3 femra), kanë hyrë në ambasadën algjeriane, kanë thyer xhamat në katin e dytë. Këta kanë takuar ambasadorin dhe kërkojnë që t’i nxjerrë jashtë shtetit.
Ky i fundit ka hyrë në bisedime dhe u ka thënë që do të bisedojë me qeverinë shqiptare që t’u japë pasaportën sipas ligjit në fuqi, nuk keni vepruar drejt, pasi këtu në Shqipëri jetohet shumë mirë, mos u gënjeni nga televizioni.
Për këtë problem unë do të bisedojmë me shokët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që të dilni nesër nga rezidenca. Në vend ka shkuar grupi i gatishmërisë, për çdo eventualitet.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
BESNIK CANI
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 9 KORRIK 1990, PËR NDALIMIN NGA ANA E POLICISË SË QINDRA SHTETASVE QË TENTONIN TË HYNIN NË AMBASADAT E HUAJA TË AKREDITUARA NË TIRANË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 9.7.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 159
TIRANË
Më datën 7.7.1990, u ndalua Vladimir Olloman Elezi, vjeç 28, për arsye se u kap tek muri i ambasadës italiane, duke komunikuar me ata që ishin brenda,
Më datën 7.7.1990, u shoqëruan për në rajonin e policisë 472 shtetas, kryesisht të moshave të reja, që u kapën në afërsi të ambasadave: Durrësi 152 veta, Shkodra 130, Kruja 24, Elbasani 24, Vlora 20, Fieri 15, dhe pjesa tjetër nga rrethet Berat, Lushnje, Gjirokastër, Korçë dhe Dibër.
Më datën 7.7.1990, u ndalua Pal Marash Delia, vjeç 33, banues në Krujë, gazetar, për arsye se ka kundërshtuar me dhunë punëtorin e policisë.
Më datën 8.7.1990, tek Banka, nën punësi i ambasadës jugosllave, Shapsedin Mustafa, që drejtonte makinën TD 065, përplaset me autobusin me targë TR 00-352. Në vend shkoi grupi operativ.
Më datën 8.7.1990, u ndalua Suzana Riza Trushi, vjeç 31, punëtore, për arsye se ka fyer punonjësit e policisë së ambasadës italiane.
Më datën 8.7.1990, nga shërbimi i organizuar për krehjen e rrugëve, u shoqëruan për në rajon, 412 persona: Shkodra 69, Vlora 45, Mirdita 10, Lezha 12, Puka 4, Librazhdi 2, Lushnja 16, Saranda 4, Erseka dhe Pogradeci nga 1, Elbasani 47, Berati 22. Kruja 50, Korça 40, Tepelena 4, Laçi 50, Fieri 21 dhe Burreli 4.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
RAKIP NELI
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 12 KORRIK 1990, PËR NDALIMIN NGA ANA E POLICISË SË DY SHTETASVE QË KANË FYER PUNËTORËT E POLICISË NË AMBASADËN ITALIANE DHE TURKE
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 12.7.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 162
TIRANË
Më datën 11.7.1990, u ndalua Besnik Elmaz Shameti, vjeç 27, i pa zënë me punë, për arsye se ka fyer para ambasadës turke, udhëheqësin e Partisë dhe të shtetit.
Më datën 11.7.1990, u ndalua Elisabeta Trifon Qirici, vjeç 27, e pa zënë me punë, për arsye se ka fyer punëtorët e policisë para ambasadës italiane.
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
MIÇO NAKO
DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 13 KORRIK 1990, PËR NDALIMIN E DISA SHTETASVE POLAKË QË KISHIN ARDHUR NË AEROPORTIN E RINASIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Tiranë, më 13.7.1990
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 163
TIRANË
Më datën 12.7.1990, me avionin hungarez erdhën në aeroportin e Rinasit 4 polakë. Thonë se janë të Kryqit të Kuq. Me vetë kishin 8 banues me ilaçe, për t’i prurë në ambasadën e tyre në Tiranë. Me porosi të udhëheqjes së Ministrisë, nuk ia dha viza dhe ata qëndruan në aeroport. Po kështu dhe një anglez, i cili thotë se jam gazetar fotograf, dhe 1 turk, po gazetar.
Më datën 31.7.1990, u ndalua Kujtim Bajram Meçe, vjeç 27, për arsye se donte të hynte në ambasadën polake./ Memorie.al
PËRGJEGJËSI I GRUPIT TË DREJTIMIT
ET’HEM SALLA















