Nga Najada Pendavinji
Memorie.al / Shpresa Baholli Merdani është një nga të persekutuarat e regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës, e cila fëmijërinë e saj e kaloi përmes dhimbjeve dhe varfërisë të tejskajshme, e si grua e nënë, u përball në jetën e saj me sfida të vështira, të krijuara nga regjimi i asaj kohe. Origjina e saj është nga një familje e madhe dhe e shquar korçare, familja Ballolli, e cila u përndoq nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë, deri në pesë breza, duke kaluar një kalvar të gjatë mundimesh dhe vuajtjesh. Shpresa, e bija e Veli Ballollit, ka vuajtur sistemin e luftës së egër të klasave dhe përndjekjes që në vitin 1969, ku internua sëbashku me familjen e saj, në Shtyllë të Vithkuqit, (fshat, ku bora shkrin vetëm në muajin maj), duke jetuar e punuar aty për 21 vite me rradhë, përgjatë të cilave, kaloi gëzimet dhe hidhërimet e jetës. Kalvari i vuajtjeve për të, përfundoi vetëm në vitin në 1990, me shëmbjen e regjimit komunist. Në fillimin e viteve ’90-të, Shpresa u aktivizua me Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë Antikomunist të Shqipërisë, në qytetin e Korçës, duke i shërbyer për gati 25 vite kësaj shtrese. Për më shumë rreth kësaj dhe të gjithë historisë së familjes së saj, në njeh znj. Shpresa në intervistën që i kem i marrë dhe që po e publikojmë të plotë në këtë shkrim.
Znj. Shpresa, a mund të na thoni fillimisht diçka për veten dhe si nisi persekutimi komunist ndaj familjes tuaj? Pse u arrestua dhe u dënua babai juaj?
Unë jam Shpresa Veli Baholli (Merdani), e bija e Veli Bahollit nga fshati Suli i Bilishtit. Babi im u rrit jetim, pasi i vdiq e ëma në moshë të vogël dhe gjyshi nga babai, për ta zhvilluar ekonominë e familjes, për të rritur të birin me një edukatë për punën, e dërgoi në Amerikë, që në moshën 16 vjeçare. Babai im spikaste si punëtor, djalë kokulur dhe përpiqej që çdo gjë që fitonte, ta mblidhte dhe t’ja dërgonte të atit. Ai punoi për 13 vite në hekurudhat e Amerikës, ku thyenin akullin, sa babai tregonte se, aq shumë punonin, jo vetëm atij por, edhe kushërinjve të tjerë që ishin së bashku në Amerikë, i binin mishrat e krahëve nga i ftohti. Babai ishte shumë patriot dhe ato para që fitoi në Amerikë, donte ta investonte këtu në Shqipëri se, pasi ishte shumë i lidhur me familjen e atdheun. Sapo u kthye nga Amerika, fitimin ja dhuroi të atit, ku të dy blenë një tokë prej 500 dynymësh në Llabanicën e Trestenikut, në kufi me Greqinë. Atje babai ndërtoi shtëpi, ndërtoi qilare për bagëti të imta dhe të trasha, plevica për të mbajtur zahire, mulli për të blojtur bereqenë, domethënë krijoi një ekonomi të forte për të mbajtur familjen. Babai ishte shumë mikpritës, kushdo që vinte dhe i trokiste në derë, qofshin këta grekë, maqedonas, ballistë apo partizanë, ai ua hapte derën për t’i strehuar dhe për t’i ushqyer. Mbaj mend kur tregonte babai, se i ndihmonte aq shumë sa, i çonte bereqet partizanëve edhe në fshatin Lavdar të Korçës. Mbaroi lufta…! Ndoshta çlirimtarët e kishin në program se këta njerëz që ishin punëtorë dhe të dëgjuar në atë krahinë, të persekutoheshin për të vënë mësim të tjerët. Një ditë prej ditësh, babain e fusin si anëtar të grupit të Deputetëve të Devollit. Në atë moment ai ishte duke lëruar në Llabanicë, në tokën që na kishin lënë, pasi ne familjarisht na hoqën nga Llabanica dhe na çuan në Trestenik, në një vendbanim tjetër ku, e vetmja gjë që na kishte ngelur ishte kjo tokë. Dhe babai i thotë vëllait, Hiqmetit, që të vinte kur t’i zbriste ai qetë nga puna, dhe t’i kulloste nëpër meshtat në Çiflik. Kështu që vëllai, bashkë me një kushëri, shkoi në Llabanicë, ashtu siç i porositi babai. Kur arritën në një moment ata panë babain në mes të dy ushtarëve me automatik, të cilët nuk i lejuan as të takoheshin me njëri-tjetrin. Por e vetmja gjë që i tha babai, ishte: “Hiqmet, zbrehi qetë nga zgjedha dhe kulloti”. Ky djalë i vogël 10 vjeç ishte, i trembur nga ajo që pa, i thotë: “Baba! Çfarë ke? Pse të kanë marrë ushtarët? Çfarë ke bërë”? Dhe babai vazhdonte t’i thoshte: “Ik Hiqmet, zbrehi qetë”! Dhe ashtu veproi vëllai…!
Çfarë ndodhi me ju gjatë kohës që babai juaj ishte në burg?
Babanë e futën në burg dhe e la nënën me gjashtë fëmijë e, gjyshen shtatë. Unë kam qenë e vogël asaj kohe rreth 5 vjeç, por në kujtesën time e kam ende sot, kur qante nëna duke bërtitur: “Ç’të bëj unë e shkreta me 6 fëmijë, në një fshat të huaj”?! Filllimisht, babain e dënuan me vdekje, ndonëse s’kishte bërë asgjë, përkundrazi, siç ju thashë, gjatë Luftës kishte ndihmuar partizanët. Më vonë, i’a ulën dënim me 101 vjet, ku nga 101, bëri 15 vite burg. Që në atë kohë nëna u vesh me të zeza dhe deri në ditën që vdiq, unë nuk e pashë kurrë nënën, të vishte një fustan të çelur, ose të vinte një shami të bardhë, por vetëm me të zeza. Ajo i vuri vetes si qëllim të na rriste, të na shkollonte, të na edukonte ne fëmijët e saj. Gjatë kohës që babai ishte në burg, ne do përpiqeshim të mbijetonim. Vëllain e futën në punë në Vëntrok, (Tren), ishte i vogël dhe iu ndante ujë punëtorëve që punonin atje. Vuajtjet ishin shumë të mëdha, nuk kishim bukë të hanim. Në familjet që i kishim miq apo të afërm, nuk na ndihmonte njeri, pasi edhe ata i trembeshin persekutimit. Ndonjë njeri dashamirës i jepte nënës dhe gjyshes, nga 3 deri në 5 kile, miell misri. Dritëshkurtra nënë, mblidhte barishte (ndredhje ose lëpjeta) i grinte dhe na i bënte qull me mill misri, ne fëmijëve që t’i hanim. Nisur nga kjo situatë e vështirë ku jetonim, nëna detyrohet dhe vjen në Korçë, kërkon punë, ku dikush u ndodh zemërmirë dhe e futi nënën në punë në fermë. Dhe ne vajzat e vogla, motrat e vogla, shkonim pas saj dhe mblidhnim lulëkuqe, maraqka, tartulla, dhe i çonim tek dyqani i bimëve medicinale, të cilat i shisnim, duke fituar në 50 – 60 lekë në ditë, sipas luleve që mblidhnim. Mbas dite, përsëri nuk e kalonim ditën duke luajtur si fëmijët e tjerë, por shkonim në ndërmarrjen artizanale, ku jepnin kashtë prej thekri, dhe ne e thurnim këtë kashtë, për të bërë kapele.
Gjatë kohës që babai juaj ishte në burg, a patët mundësi ta takonit?
Herën e parë që e kemi takuar babain në burg, unë nuk e mbaj mend, pasi isha shumë e vogël, por dritëshkurtra nënë, më tregoi se kur e sollën babain te Burgu i Madh, këtu në Korçë, ndoshta dhe këtu në kjo ndërtesë ku jemi ne tani, e kemi takuar së bashku. Unë kur isha e vogël kisha një si plagë në kokë që babai ma mjekonte gjithmonë me ilaçet që ai gjente, sigurisht para arrestimit. Gjatë takimit, unë i tregoja babait duke i thënë: baba shiko m’u shërua plaga, kanë filluar të më dalin leshrat! Dhe dritë shkurti baba, qante. Dhe atëherë një nga policët që qëndronte atje gjatë takimit, i thotë nënës: “Hiqeni këtë fëmijë përjashta, se na mallëngjeu të gjithëve”. Unë e fjalosja babain me shumë dashuri, me shumë dhembshuri, i tregoja për motrat, për vëllain. Hera tjetër ka qenë kur babai vuante dënimin në kampin e Rinasit. Edhe pse kishin kaluar vitet dhe babai gjatë kësaj kohe kishte përjetuar edhe kampet e tjera si: kampin e Rrogozhinës, Kanalin Peqin-Kavajë, Levan-Shtyllë të Fierit, etj. Por ne, nuk kishim mundësi ekonomike të shkonim ta takonim në këto kampe. Ndërsa kur e caktuan në kampin e Rinasit, ku është ngritur sot Aeroporti i Rinasit, ne kemi vajtur të pesta motrat, bashkë me vëllain, i cili asokohe ishte ushtar në Qafë-Shtamë të Krujës, por arriti të vinte dhe kështu kemi shkuar të gjashte fëmijët dhe e kemi takuar në Rinas. Atje kemi pritur që nga ora 9:00 e mëngjesit, deri në orën 4:00, kur të burgosurit e linin punën dhe ktheheshin në kamp. E mbaj mend si tani babanë, në një vend të rrethuar me tela me gjemba. Dhe kur mbas shumë vitesh, pasi babai kishte ndërruar jetë, kam shkuar në Rinas, pasi prisnim një të afërmin tonë, mua më dëgjohej sikur më thërriste babai: “Shpresë, ja këtu jam”! Këto janë momente shumë të vështira. Pasi e hoqën nga Rinasi, babai ka punuar edhe në Sanatoriumin e Tiranës, edhe atje e njëjta gjë më ndodhte, sikur babai më fliste: “Kudo që shkel Shpresa, jam këtu”. Kalonin vitet e burgut të babait, dhe gjatë kësaj kohe ai i shkruante nënës: “Hasbie, dua që tre çupat e vogla, t’i dërgosh në shkollë dhe mundësisht të venë në shkollën Pedagogjike, të bëhen mësuese, se mësueset janë vajza të nderuara në të gjithë njerëzit e botës”… dhe ne ia plotësuam dëshirën e tij. Studiuam dy motrat, në shkollën Pedagogjike, ndërsa të voglës, nuk iu dha e drejta e studimit pasi, ashtu ishte atëhere, ishte plotësuar kuadri për arsim, dhe nuk i dhanë të drejtën për në Pedagogjike. Kështu që dolëm vetëm dy mësuese, Fëllëza dhe unë. Punuam me përkushtim, ishim të rregullta, i donim fëmijët, hynim në botën e tyre, na preokuponte çdo gjë e mirë ose e keqe e tyre. Dhe sot që ata janë rritur, ku dikush është bërë mjek, dikush mësues, dikush ka marrë një profesion tjetër, kur na takojnë, na respektojnë. Kjo është një arritje, një sukses i qëllimeve tona fisnike. Jemi dekoruar nga Presidenti i Republikës, me “Urdhrin Naim Frashëri të e klasit të dytë”.
Kur filloi internimi juaj?
Pasi mbaroi dënimi i babait ai fillimisht u sistemua me punë në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimeve, në disa ndërtime që bëheshin në qytetin e Korçës, pastaj e dërguan në Pyjore. Ne, disa prej fëmijëve u martuan, vëllai po ashtu, ndërsa unë isha beqare, e pamartuar, isha vajzë në shtëpi. Në vitin 1969, na lajmëruan për të na hequr nga qyteti i Korçës. E thirrën babain në Komitetin Ekzekutiv të qytetit dhe e lajmëruan që të bënte rrobat gati, se do të ikte në fshatin Shtyllë të Vithkuqit, familjarisht. Gjithmonë të bindur ndaj ligjeve të qeverisë, asnjëherë nuk u kundërshtuan nga ne urdhrat e saj. Edhe ne, si një pjesë e mirë e qytetarëve korçarë që u dëbuan nga qyteti, na mori policia dhe na çoi në fshatin Shtyllë. Atje na strehuan në shtëpitë që ishin bosh, pasi një pjesë e tyre, ishin bërë për vullnetarët, por ata nuk i rezistuan dot të ftohtit të atij vendi dhe na shpunë ne. Ishte një shtëpi, ku gjysma e çatisë e mbuluar me kashtë dhe gjysma tjetër kishte pak qeramidhe. Muri nga ana e sipërme, rridhte ujë. Mirëpo siç të thashë, edhe babain e vëllain i kisha shumë punëtor dhe ata e rregulluan atë shtëpi, hapën kanale rreth e qark, që të mund të kullonte uji jashtë dhe e bënë vend për të jetuar, ku ne qëndruam për 21 vjet. Fillimisht puna ishte shumë e vështirë pasi, unë isha mësuese për gati 8 vite dhe tashmë më duhej të punoja në bujqësi. Më vriteshin duart, më bëheshin flluska. Ngrihesha në mëngjes i thoja nënës: “Oj moj nënë, si do punoj unë sot? Unë jam shumë e lodhur! Unë nuk jam çlodhur fare natën”! Dritëshkurtra më thosh: “Bija e nënës, lutju Zotit para se të fillosh punë dhe ai do të japë forcë që ta mbarosh punën edhe sot”. Nganjëherë e ngrohte në sobë bishtin e lopatës ose të ndonjë vegle tjetër dhe më thoshte; Shtrëngoje bishtin e lopatës që të të thahen këto flluskat në duar. Ndihmesa e nënës, kurajoja që na jepte ajo, forca e Zotit, më bënë që ta përballoj për një çerek shekulli punën në atë fshat, që ishte një “Siberi” e Shtyllës.
Si ishte jeta aty në internim?
Nuk më shlyen nga kujtesa ime momentet e vështira që kemi kaluar në internim. Diferencimet që na bëheshin nga njerëzit e partisë. Më caktonin punë më të vështira në bujqësi, pasi unë isha me biografi të keqe dhe duhet të punoja si kafshë edhe në pjesët që nuk më takonin mua. Duke fitur më pak se shoqet. Atje gjeje njerëz të indoktrinuar deri në palcë, të cilët tregonin gjithnjë e më shumë përbuzje dhe mllef ndaj nesh. Mbaj mend një moment kur u vendos të mblidhej Këshilli Popullor i fshatit për mua, pasi sipas tyre, unë po sillja modën nga jashtë, duke bërë qëndisma. Isha e re dhe asaj kohe duhet të përgatisja dhe pajën e nusërisë, kështu që në kohën e lire, unë bëja qëndisje. Mirëpo, punën time e mori si model dhe një vajzë tjetër. Këtë gjë e kuptuan “bajraktarët e kuq” të organizatës së Partisë së fshatit dhe e shtruan si problem, duke më thirrur mua në mbledhje. Unë isha një vajzë e ditur, ku e kuptoja lehtë se deri në çfarë pike qëndronte inteligjenca e tyre dhe kështu që jam ngritur në këmbë duke i thënë: Më shikoni pak, ku qëndron indoktrinimi im i sjelljes së modës nga jashtë dhe përhapja e saj këtu në Shtyllë. Se kam të veshur një palë pantallona të babait me andra, një pallto të gjerë, që më rri e madhe në trup, një palë çizme të grisura, dhe një kapele me vrima. Qëndismat janë pjesë e traditës dhe zakoneve tona, të cilat duhet t’ja përcjellim dhe brezit që po vjen, në mënyrë që të mos humbasin traditat, pasi janë vlera shpirtërore dhe trashëgimi popullore të kombit tonë. Kjo tregon, që ata kishin një frikë paranojake ndaj çdo gjëje. Kujtoj e tronditem edhe sot, kur kthehesha me lot nga puna sepse, më hanin në pjesë nga norma e punës që bëja, as djersën e ballit nuk na jepnin…!
Mund të na thoni, si e kujtoni momentin e ardhjes në jetë të dy fëmijëve tuaj, atje në kamp?
Si të gjitha vajzat e reja, edhe unë kisha ëndrrat e mia. I kisha dhënë fjalën time, Ylber Merdanit, për të lidhur jetën bashkë. Atë e burgosën, ndërsa mua më internuan. Unë ja kisha dhënë fjalën Ylberit se, do ta prisja dhe vërtet e prita. Në vitin 1977, Ylberi lirohet nga burgu dhe u takuam në Shtyllë, ku e përsëritëm edhe njëherë fjalën e dhënë me njëri-tjetrin dhe i dhamë fund asaj historie. Ai është liruar në mars dhe ne në korrik, bëmë martesën. Bëmë një ceremoni të vogël, erdhën ata njerëz që na kishin ndjekur për sebepe të tjera atje në Shtyllë, që e dinin dhe historinë tonë. Ishte një ceremoni e thjeshtë, e bukur dhe ajo me kujtimet e saja, pasi që të gjithë ishim krushq dhe krushka të burgosura e të internuara. Mbas disa ditësh të martesës, Ylberin e caktojnë për të korrur elb. Ylberi nuk dinte as si zihej drapri me dorë jo më të korrte elb. Ndërsa filluam punën, shikoj në krah, Ylberi s’ishte! Thashë me vete, po ç’u bë, kur shikoj se ishte ulur tek shelgu, ku i kishte mbushur sytë me lot dhe po lidhte gishtin, të cilin e kishte prerë me drapër. I them: Çfarë ke kështu? Dhe ai më kthehet: “Po ç’doje që u martove me mua, unë nuk mbaj dot veten dhe jo më të mbaj ty e familjen”! Dhe për ta qetësuar, i thashë se do punoj unë për të dy dhe atë ditë kam bërë dy norma. Dashuria ishte e madhe. Kaluan ditët një nga një, isha shtatzënë me fëmijën e parë, por jo gjithmonë kishte punëra të lehta, unë isha më e madhe në moshë, për të krijuar familje dhe vështirësitë e barrës ishin më të mëdhaja. Domethënë doja një trajtim më njerëzor, kisha ilaçet që më kishin dhënë mjekët, por edhe ushqimin apo punën e doja pak më të mirë e të lehtë, për t’i dhënë mundësi fëmijës, që të zhvillohej në bark. Me vështirësi kaluan muajt, erdhi dita e lindjes së fëmijës, paraqitem tek mamia e fshatit e cila, më thotë që je gati për të lindur, por nuk kemi makinë që të të çojmë në Vithkuq. Ishte 30 marsi, po në Shtyllë kishte akoma dëborë, rruga ishte e mbuluar me akull, makinat nuk vinin. Atëherë detyrohet Ylberi me të vëllanë dhe të kunatën, e më morën në këmbë, për të më çuar në Vithkuq. Vajtëm deri në një farë vendi, ku munda t’i rezistoj dhimbjeve, më tej nuk ecja dot, nuk bëja dot as edhe një çap. Kështu që jam ulur në një gur dhe i them Ylberit: “Unë nuk mundem më, nuk vij dot, do rri këtu, ikni ju”! Atëherë Ylberi, (edhe ai është besimtar te i madhi Zot) më thotë: “Shpresa! Lutju Zotit dhe Zoti do na ndihmojë, do të japë forcë që të arrijmë deri në spital”. Ashtu vepruam. Më morën në një kuvertë së bashku me kunatin dhe më ngritën. Arritëm në spital, e linda vajzën, në sajë të ndihmesës së mamisë, Marika nga Vithkuqi. Lindi vajza, mirëpo ajo, sa vinte dhe binte nga pesha, nuk ma pinte gjinë, duhej me patjetër ta vizitonte doktori. Maminë nuk e linin të vinte në shtëpi, ta vizitonte fëmijën, pasi ishim të deklasuar. Atëherë detyrohem bashkë me kunatën, të shkojmë në spitalin e Vithkuqit, ku Ylberin nuk e lejonin të më shoqëronte, se ishte i dënuar politik. Arritëm në Vithkuq, ku u lajmërua ambulanca dhe më sollën në Pediatrinë e Korçës. Mirëpo mendo, ne ishim të veshura me çizme, me pallto të vjetër, dhe kur na panë mjekët e Pediatrisë në këtë gjendje, po na sillnin vërdallë, jo e shtroj, jo se shtroj, fëmijën. Si përfundim, vjen një mjeke me zemër të mirë, më shtron në spital, mua së bashku me fëmijën. Kam ndenjur disa muaj në spital se, fëmija nuk kishte zhvillim. Pas disa muajve, kam dalë nga spitali, por që kuptohet se fëmija donte trajtim, donte ushqim më të mirë, ndërsa ne na jepnin vetëm 300 gram bukë për familje, kurse ne ishim një familje e madhe e nuk dilte edhe pse ia linim fëmijës. Kur Bardha është bërë 7 muajsh, atëherë filloi një kalvar tjetër i sëmundjeve, që kishte ajo. Ka qene fundi i tetorit, atëherë në Shtyllë në 24 tetor ka rënë mbi 40 cm. dëborë, ku Këshilli Popullor, nuk e lejonte maminë e fshatit të vinte të mjekonte fëmijën. Kështu që detyrohemi të shkojmë në këmbë, duke çarë dëborën, për ta shpënë fëmijën në spital. Arritëm në Vithkuq me një fëmijë pothuajse të mbaruar dhe aty vjen ambulance, por Ylberin, Punëtori Operativ i Sigurimit të zonës, e ndaloi për të më shoqëruar mua! Kështu u detyrova dhe jam nisur vetë për në spitalin e Korçës, ku kam qëndruar një muaj dhe pas kësaj ata më dërguan në Tiranë, për gati 6 muaj, pasi fëmijës nuk i binte temperatura. Sjellja e mjekëve të Tiranës ishte krejt më ndryshe se të Korçës. Ata kujdeseshin edhe për vendin e krevatit të fëmijës, që të mos e kapte era. Kur më sëmurej fëmija dhe humbiste fare ndjenjat, ishte një doktor që e vizitonte, (Sami e kishte emrin), ishte Shefi i Pavjonit. Unë i lutesha me lot në sy duke i thënë: Aman doktor të lutem, ma shpëto fëmijën! Dhe ai më thoshte se: ne do bëjmë të pamundurën, por e ka tjetërkush në dorë, e ka Zoti që do ta shpëtojë apo jo. Mbas tre muajve, ata ia ulën Bardhës temperaturën, nga 39 oC, ja shpunë në 37 e gjysëm, dhe më nxorën nga spitali. Zoti ma fali fëmijën.
Çfarë ndodhi pasi u kthyet nga internimi?
Kam bërë internim, plot 21 vjet. Më 6 gusht të vitit 1969, na internuan nga Korça në Shtyllë të Vithkuqit, po më 20 gusht të ‘90-ës, na vjen lirimi, dhe ishim të lirë të shkonim dhe të banonim në qytetin nga ku ishim internuar, se na i kishin hequr edhe pasaportizimin nga gjendja civile. Gjendjen civile që e kishim më përpara në Korçë, tanimë e kishin vendosur në Vithkuq. Na i dhanë të drejtën të ktheheshim në Korçë, mirëpo as shtëpi, as punë nuk na siguruan. Pra punë dhe shtëpi, duhej të gjenim vetë. Ylberi kishte pasur shok klase, Lulëzim Qerebelin, kryeinxhinierin e Fabrikës së Tullave, dhe shkuam bashkë me Ylberin, për të kërkuar punë. Ai po më shikonte mua me vërejtje, se nuk kishte besim se mund të punonim në punët e rënda që kishte në Fabrikën e Tullave. Dhe unë i drejtohem Lulit, duke i thënë: mos kij merak se, unë jam e zonja të punoj në vende shumë të vështira, qoftë me kazmë, qoftë me lopatë, të ngarkoj dhe të shkarkoj makina, ti ku të kesh punë, do më caktosh një vend që të më jepet mundësia, për të marrë një rrogë sa për të mbajtur familjen. Atëherë ai më futi në punë në Fabrikën e Tullave, ku unë punoja në repartin e dytë, atje ku bluheshe qymyri i djegur. Të gjithë habiteshin me punën që bëja unë në atë repart, por nuk kisha zgjidhje tjetër dhe njeriu duhet të përshtatet gjithmonë me të papriturat e jetës. Si punova një vit në atë fabrikë, që ditët e para të procesve demokratike për ndryshimin e sistemit unë u angazhova dhe u aktivizova me të gjitha forcat si anëtare e Partisë Demokratike, duke marrë pjesë në çdo aktivitet që bënte ajo, si në takimet me qytetarët, qoftë në qytet apo edhe në fshatra. Mbaj mend, që kam vajtur bashkë me Ylberin në fshatin e Podgorie, ku kam qenë mësuese për 5 vjet. Ishte hera e parë që merrnin pjesë gratë në mbledhje, por kur morën vesh se ishte Shpresa Ballolli, mësuesja e internuar e Podgories, nga Korça në Shtyllë, erdhën të gjitha gratë e Podgories në mbledhje, ku votat ja dhanë të gjithë Partisë Demokratike. Pas disa muajve, më kthyen në arsim, meqenëse unë isha diplomuar për Në Pedagogjike dhe kisha punuar 8 vjet mësuese. Kështu punova dhe 3 vjet e gjysëm të tjera në arsim dhe që andej dola në pension.
Si anëtare e kryesisë së ‘Shoqatës Kombëtare të ish-të Persekutuarve Politikë Antikomunistë të Shqipërisë dhe sekretare e degës Korçë, mund të na thoni peripecitë që kalojnë të burgosurit politik në fitimin e të drejtave të tyre në një kohë ku kujtesa kolektive mbi komunizmin duhet mbajtur gjallë?
Mbas daljes në pension kisha fuqi, kisha dëshirë për të ndihmuar njerëzit që ishin si unë të persekutuar pa të drejtë, ku duhet të fitonin të drejtat e tyre. U aktivizova me Shoqatën e ish-të Persekutuarve Antikomunistë Demokratë të Korçës, ku punova për 25 vjet, duke i shërbyer kësaj shtrese. Qoftë për bërjen e dokumenteve të para që në 93-in, qoftë për dokumentet e tanishme, për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë, gjë që le shumë për të dëshiruar, se trashëgimtarëve të këtyre të burgosurve dhe të pushkatuarve politikë, vetëm tre këste u janë dhënë nga dëmshpërblimi, ku jo të gjithë e kanë marrë këtë këst të tretë. Duke menduar se ata kanë vuajtur barabartë me ish-të burgosurit, se ata ishin nëpër burgje, ndërsa trashëgimtarët e tyre, vuanin përjashta, duke i ndihmuar ekonomikisht ata, punonin që t’i mbanin me ushqime, prindërit ose gjyshërit, apo njerëzit e tyre të afërm që, kishin nëpër burgje. Nuk ishte shumë e largët dita, kur Ylberin e ftuan në kampin famëkeq të Spaçit, (i cili më mori dhe mua si shoqëruese), ku u bë një takim me disa studentë. Atje, m’u dha mundësia për herë të pare, ta shikoja kampin mizor të Spaçit, ku kishte vuajtur dhe Ylberi të gjithë dënimin. Jam befasuar nga ai vend aq i pjerrët, aq i egër, në atë vend aq të vogël, ku kanë jetuar mbi 700-800 të burgosur politikë, sa nuk arrita ta përfytyroja dot dhe i thashë Ylberit: Ti thua që këtu ju ishit 1000 të burgosur…! Si ju ka nxënë ky vend? Ku keni ndenjur?! Ai më tregonte që, në atë pallat ishin krevate me tre kate, që jetonin të burgosurit politikë. Dhe duke dalë nga kampi, ne pamë flamurin pa yll që e kishte vizatuar Mersin Vlashi. Më kujtohet dita kur Mersini ishte i shtruar në Sanatoriumin e Tiranës dhe në Gjykatën e Apelit, kërkonte vërtetimin e burgut dhe nuk e gjente. Dhe akoma më keq sot, thuhet se, do të marrin dëmshpërblimet ata ish-të burgosur që kanë punuar në minierën famëkeqe të Spaçit dhe të Qafë-Barit, por qeveria nuk ua jep vërtetimet, për të marrë këtë shtesë të pensionit. Do të them dhe diçka të fundit që më ka mbetur në mendje dhe mbase Zoti do më japë fuqi që ta realizoj këtë gjë. Të gjitha këto që të tregova, ishin si rrjedhojë e asaj toke që bleu babai në Llabanicen e Trestenikut, dhe sot e kësaj dite, ne kemi marrë vërtetimet që jemi trashëgimtarë të kësaj prone, por nuk kemi marrë asnjë pëllëmbë tokë! Kemi hequr keq, siç heq “gjarpri nën gurë” dhe si përfundim, ne i gëzohemi vetëm atyre kartave me vlerë! Më është bërë qejfi që dëgjova nga Kryetari i Partisë Demokratike, se do të ndryshojë ligji mbi pronat. Ishalla Zoti ua ndryshon mendjen dhe u jepet e drejta pronarëve të atyre tokave. Memorie.al