Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/publikon për herë të parë dokumentet e bujshme arkivore me “dosjen e zezë” të marrëdhënieve shqiptaro-kineze të fillimit të viteve ’60-të, ku ambasadori shqiptar Reiz Malile ka informuar rregullisht Komitetin Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhën, Hysni Kapon, etj, lidhur me sjelljet imorale e shtazarake të dhjetra ushtarakëve, kursantëve dhe specialistëve shqiptarë që ishin në qytete dhe provinca të ndryshme të Kinës, të cilët kryenin akte rrugaçërie duke kapur me forcë e duke përdhunuar vajza kineze, kudo që ato ndodheshin, në ara, fabrika, autobus, mbrëmje vallëzimi etj. Dhe kur pala shqiptare donte që t’i procedonte ata për gjyq, pala kineze nuk ishte dakord dhe kërkonte që ata “të bënin autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës….”?!
Pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare të Tiranës me Kremlinin në fundin e vitit 1961 dhe fillimin e ’62-it, Enver Hoxha dhe regjimi komunist i Tiranës u lëshuan “në prehrin” e Mao Ce Dunit, duke lidhur një aleancë të fortë me vendin e madh komunist aziatik, me të cilin kishin filluar “flirtet” ,që nga fillimi i viteve ’50-të, kur kryetari Mao, konsolidoi pushtetin e tij. Kështu që nga fillimi i viteve ’60-të dhe deri në mesin e viteve ’70-të, kur Enver Hoxha do të fillonte ftohjen me “vëllezërit kinezë” pas vizitës së Richard Nixonit në Kinë, Pekini zyrtar do të ishte një nga mbështetësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, jo vetëm në aspektin politik, por dhe në atë ekonomik e ushtarak, duke i akorduar vendit të vogël e të varfër ballkanik, disa dhjetëra milion dollarë ndihma dhe kredi, ku shumica e tyre ishin falas apo me afat të gjatë shlyerje….!
Në ato dy dekada, qeveria shqiptare i mbështeste të gjitha planet e saj pesëvjeçare, vetëm në saj të ndihmave dhe kredive që jepte qeveria kineze dhe në këtë kuadër, përveç industrisë ushtarake si: Uzina e Artilerisë në Tiranë, Kombinati i Armatimeve në Poliçan të Skraparit, aeroportet ushtarake të Gjadrit e Kuçovës, bazave ushtarake detare të Porto-Palermos, Shëngjinit etj., në ato vite u ndërtuan dhe u vunë në shfrytëzim pothuaj të gjitha veprat industriale në Shqipëri, si: Uzina e Naftës dhe e Gazit në Ballsh, Hidrocentralet e Vaut të Dejës, Fierzë dhe Komanit, Kombinati Kimiko Metalurgjik i Laçit, Radio-Televizioni Shqiptar, fabrika e Letrës në Lezhë, Uzina e Telit në Shkodër, etj, uzina e fabrika të vogla në të gjithë Shqipërinë, në të cilat punuan specialistët dhe inxhinierët kinezë me përkushtim dhe korrektesën më të madhe.
Po kështu, për vënien në funksionim të këtyre veprave të mëdha industriale Republika Popullore e Kinës, morri përsipër edhe shkollimin e specializimin e qindra kuadrove shqiptarë, civile dhe ushtarak, në Republikën Popullor të Kinës. Këto tashmë janë të njohura nga brezi që e ka jetuar në atë kohë dhe ato janë të pasqyruara edhe në mjetet e informimit publik dhe propagandës të asaj kohe. Por e gjitha ajo “miqësi e pathyeshme” dhe e ngushtë midis dy “partive motra”, ka pasur edhe anën të errët të saj, e cila është mbajtur e fshehtë dhe nuk është bërë publike në ato vite. Bëhet fjalë për sjelljen imorale dhe qëndrimin e ushtarakëve, kursantëve e specialistëve shqiptarë, kuadro inxhiniero-teknik që asokohe, ishin në Republikën Popullore të Kinës, ku disa prej tyre, janë sjellë në mënyrën më të shëmtuar, duke bërë përdhunime të vajzave dhe grave kineze, kudo ku ato ndodheshin fabrika, kantiere, autobus, stalla lopësh, mbrëmje vallëzimi, ekskursione etj, aq sa një pjesë e tyre, sipas raporteve të “shokëve kinezë” ishin bërë “tmerri i rajoneve…”?!. Të gjitha këto janë të pasqyruara me detaje në dhjetëra raporte e informacione që ambasada shqiptare në Pekin, ia ka dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, me anë të ambasadorit Reiz Malile dhe ato janë parë e firmosur me shënimet përkatëse nga vetë Enver Hoxha, Hysni Kapo etj. Në këtë “dosje të zezë” të marrëdhënieve shqiptaro kineze, e cila ka siglën “Tepër sekret” dhe përmban një korrespodencë të gjatë me raport-informacione të firmosura, nga ambasadori shqiptar në Pekin, Reiz Malile, atasheu ushtarak Elami Hado, drejtori i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të PPSH-së, Pirro Bita, etj, Ku sipas raporteve në fjalë, “vajzat kineze kur përdhunoheshin, nuk bërtisnin, pasi nuk donin që të prishej miqësia shqiptaro-kineze” dhe kur pala shqiptare insistonte, që ata që kishin kryer këto akte të shëmtuara, të procedoheshin penalisht e t’i jepeshin gjyqit, “shokët kinezë” nuk ishin dakord me këtë masë të rëndë, por insistonin që ata “të bënin një autokritikë të thellë dhe të edukoheshin nëpërmjet punës”…?! Lidhur me këtë dhe të tjera nga kjo “dosje e zezë”, na njohin disa prej dokumenteve arkivore sekretet, që po publikojmë.
PARTIA E PUNËS E SHQIPERISE TIRANË MË 27/4/1962
KOMITETI QENDROR
DREJTORIA E JASHTME
I N F O R M A C I O N
MBI DISA SHFAQJE TE HUAJA TE KURSANTEVE DHE USHTARAKEVE QE STUDIOJNË NE REPUBLIKËN POPULLORE TE KINËS
…….Në lidhje me sa më sipër do t’i bëhet një letër shokut Reiz Malile që i ngarkuar me punët e partisë dhe shokë të tjerë të ambasadës të venë vetë në mbledhjet e organizatave ku janë kursantët ta shohin gjendjen në vend, të flasin mbi detyrat që kanë dhe sjelljet jo të mira të disa kursantëve, të njoftojnë hollësisht mbi gjendjen dhe masat e mëtejshme që duhen marrë.
SEKRETAR I K. Q. TE P. P. SH.
HYSNI KAPO
Ta shoh dhe shoku Ramiz
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
PJESE NGA PROCES-VERBALI I MBAJTUR NE KINE NGA AMBASADA SHQIPTARE DHE AUTORITETET KINEZE LIDHUR ME PËRDHUNIMET…
Përfaqësuesi i ambasadës shqiptare: Në fillim të provimeve uzinat e konstatuan vendet e dobëta në praktika dhe e planëzuan ripërsëritjen pas provimeve në bashkëpunim me drejtuesit e grupeve. Por për këtë praktikantët nuk kanë zbatuar të gjitha udhëzimet sipas atyre që biseduam me përgjegjësit e grupeve. Pak praktikantë shkojnë në punë kohët e fundit, sidomos në uzinën nr. 1 punojnë vetëm 6-7 orë dhe vetëm nga grupi i pjesës së dytë nëse do të mbetet. Pjesa e parë që mbaroj provimet nga uzina nr. 1, nuk e respekton disiplinën në punë. Sipas të dhënave të shtatë ditëve të fundit, dy të tretat e praktikantëve nuk u paraqitën në punë, bile dhe ata që u paraqitën punojnë vetëm tre deri në katër orë. Ata që nuk mësojnë, shëtisin nëpër rrugë dhe kjo e metë është konstatuar për dy uzinat. Edhe ata pak praktikantë që paraqiten në punë, rrinë pak dhe ikin prap, bredhin nëpër uzinë dhe shikojnë vajzat.
Faktikisht kjo dhe çështje të tjera që influencojnë indirekt në gjendjen e praktikës.
Çështja e marrëdhënieve me grat dhe respektimi i rregullave tona, mos respektimi i shokëve kinezë. Akoma më keq këta kanë lënë përshtypje të këqija edhe në masë. Neve shqetësohemi shumë për këtë, prandaj do të japim disa materiale.
Marrëdhëniet në mes burrave dhe grave:
Në fillim ka pasur disa thënie të tilla nga ana e ndonjë praktikanti, p. sh.: gjatë kohës që do të qëndroj në Kinë, unë medoemos do të provoj një vajzë kineze. Gjatë qëndrimit një vit këtu në Kinë, duhet të kemi tre gra, se ndryshe nuk jetohet. Këto u janë thënë përkthyeseve kinezë. Këto qëllime nga ana e praktikantëve janë sinjalizuar edhe drejtuesve, duke u dhënë njohuri mbi zakonet kineze që një grua ka vetëm një burrë dhe ky princip nuk çedohet. Por këto përpjekje praktikantët nuk i kuptuan dhe gjendja u keqësua.
Ka disa praktikantë që ndjekin gratë nga pas dhe tallen me to në rrugë. Për shembull, dansi është si një vallëzim normal, por pikërisht në dans ka pasur raste që i kanë kapur dhe tërhequr vajzat kineze për pallto, me shtrëngime dhe puthje dhe gjeste të tjera. Nga kjo gratë janë revoltuar dhe ka pasur raste kur ndonjë prej tyre edhe ka bërë lutje për ndonjë nga burrat. Një ditë është ndalur në rrugë një grua të cilën kanë dashur ta puthin. Një herë tjetër është kur tre praktikantë i kanë ndjekur pas vajzat gjer afër ferrave dhe njëra prej tyre ra në hendek.
Ambasadori: Mundësisht na thoni emrat ju lutem për ata nëse ja vlen të përmenden.
Për ata persona që kanë bërë faje më të rënda, do të përmenden emrat.
Sipas raporteve të Degës së Sigurimit më 17 tetor të këtij viti, tre praktikantë morën një vajzë kameriere dhe deshën ta çnderojnë, por kur vajza thirri me të madhe ata ikën dhe polici nuk i konstatoj dot se kush ishin.
Dy praktikantë duke shëtitur natën vonë morën dy gra aktiviste që ishin roje, të cilat u frikësuan dhe shkuan në shtëpi. Emrat e këtyre praktikantëve nuk dihen.
Ka dhe fakte të tjera të sjelljeve që ofendojnë gratë.
Punëtorët e komuntatorit në uzinën nr. 2, mbyllin dyer e penxhere nga frika se i ngacmojnë praktikantët.
Në uzinën nr. 1 ka gjashtë praktikantë që kanë lidhje me gra kineze.
Por siç u mësua më vonë dyshohen se në këtu drejtim janë 11 veta.
Në uzinën nr. 2 janë tre praktikantë që kanë lidhje me femra, bile një burrë ka paraqitur dhe ankesë, dyshohet për marrëdhëniet me femrat, 6 praktikantë. Disa nga praktikantët kanë lidhje, bile edhe me shumë gra. Këto akte janë kryer në rrugë dhe në parqe ku kanë lënë përshtypje të keqe në masë.
Në muajin gusht, një praktikant në mbrëmje hyri në kasollen e derrave me gjithë një vajzë, por i diktoj një djalë i vogël dhe bërtiti. Nga britmat e djalit u mblodhën shumë veta dhe të bërtiturat dëgjoheshin shumë larg. Po t’i kishin kapur do t’i kishin vrarë.
Një praktikant i uzinës nr. 1 po të shoh grua, i qepet nga pas, ka krijuar lidhje me një vajzë, e cila ka mbetur me barrë, Nga drejtoria e ndërmarrjes u kërkua që ajo ta dështojë. Ky praktikant ka pasur lidhje me një grua që është bijë reaksionari, gjithashtu edhe me një grua tjetër që e ka burrin armik.
Për këto akte neve shqetësohemi. Tek ne ka gra të këqija që provokojnë dhe shkojnë me praktikantët, për këtë neve do të marrim masat derri në arrestim të grave.
Nga këto sjellje ka disa bashkëshortë që që janë ndarë dhe të tjerë që janë grindur. Një burrë tha se është gati të shkojë në burg, vetëm që të vrarë një praktikant. Në historinë tonë kemi pasur të tilla raste. Drejtoritë e disa uzinave kanë marrë masa dhe disa nga këto raste janë evituar.
Punëtori Jan Shau Cun, kur e diktoj që gruaja e tij kishte lidhje me Thomain, e goditi me pëllëmbë në fytyrë dhe deshi ta çonte tek përgjegjësi I grupit, shoku Sherko. Ky punëtor duke u prekur rëndë nga ky akt, u bë si i çmendur. Theksohet se revolta e tij është e drejtë. Kur drejtoria e ndërmarrjes e shtroi këtë çështje para përgjegjësve, njëri prej tyre na qortoj neve dhe pyeti nëse vallë ky është burri i asaj gruaje. Disa drejtues kanë pretendime se e gjitha kjo është e organizuar nga shokët kinezë, por kjo është një gënjeshtër.
Punëtorët tanë i respektojnë shumë praktikant shqiptarë. Disa nga praktikantët duke shfrytëzuar këtë respekt, kërkojnë të gënjejnë gra kineze, bile disa thonë se unë jam anëtar i PPSH-së.
Shembulli konkret:
Pandeli M. praktikant në uzinën nr. 2 njëherë deshi të dhunojë një grua të martuar, por nuk ja mbërriti dot qëllimit. Ne mes të shkurtit në mëngjes kur nuk shkonte në punë e zuri rrobalarësen me dy duar për qafe dhe deshi ta puthë, por ajo nuk deshi dhe iku.
Në fund të prillit kur po shëtiste në rrugë ju afrua dy vajzave dhe ju tha; hajdeni të shëtisim. Ato nuk deshën, ky nxori një fletore dhe një laps dhe ua tregoj. Pastaj kur këto vajza nuk u afruan, ai zuri njërën ta puthë me zor. Më 11 qershor, së bashku me Rexhep H. takuan një grua në trap dhe e ftuan të shkojë në kinema, ajo u çudit nga ky guxim, por për të mos prishur miqësinë shqiptaro-kineze, shkoj. Në mes të filmit me pretekst se ishte nxehtë, e nxori nga kinemaja në rrugë dhe e çuan ku nuk kishte njeri. Marini i mbylli gojën dhe desh ta çnderoj me dhunë, por ajo iku. Në 8 qershor rrinte në klub pranë një shtëpiakeje duke shikuar filmin, pastaj e nxori jashtë, i hoqi pantallonat, por për fat vinte një makinë dhe nuk e kreu dot aktin./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016