Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon letrën e panjohur të legjendës së Cirkut shqiptar, “Artistit të Popullit” Telat Agolli, drejtuar Enver Hoxhës në vitin 1982. Agolli: “Feçori më thoshte, ti je njeriu ynë, ne si Parti dhe Sigurim kemi nevojë të na ndihmosh dhe të thuash se vëllezërit Haxhihalili janë agjentë të UDB-së, se ata janë dërguar këtu për qëllime të caktuara, se kur ke qënë në Jugosllavi ty të kanë dhënë në zyrat e UDB-së porosi për ata, etj”.
“Pse vendosa të pohoja në hetuesi ato që më kërkonte Feçori”
Në fund vendosa t’i jap fund gjëndjes së krijuar sepse më dukej se po çmëndesha. I thashë Koços se meqë qënka për arshiv dhe për diskretitimin e revizionistëve jugosllavë, do të pranoja të them për vehte çfarëdo që më kërkohej, por në asnjë mënyrë nuk do të pranoj të them gjëra të paqëna për Haxhihalilat dhe për asnjeri tjetër të këtushëm. Për të tjerë, i thashë shkruani çfarë të doni dhe unë po i firmos. Pasi u mundua dhe disa ditë që unë të ndroja mendjen për këtë të fundit, kur e pa se unë nuk hiqja dorë, Koço tërë inat së bashku me Nasho Gjinopullin, filluan të shkruajnë e të përgatisin materialet. Ata më sugjeronin se për çfarë duhet ë flisja dhe unë shpikja nga mëndja marrëzira të cilat gjoja m’i kiishin thënë filan e filan dibran kur unë kisha qënë për vizitë në Dibër të Madhe, ose kur ata kishin ardhur këtu si vizitorë. I dërrmuar psiqikisht i thoja të gjitha ato që më kërkoheshin me bindje të plotë se nevojiteshin për arkiv dhe për diskretitimin e UDB-së pa pasur as dyshimin më të vogël se ky material u duhej atyre për ta përdorur në gjyq. Në Prill 1977, pas 11 muaj hetuesie, u bë gjyqi im i parë. Përpara se të më nxirrnin në gjyq brënda disa minutash më njohën me materialet e akuzës. Kur pashë se pse akuzohesha, për tradhëti me anë të spiunazhit, u indinjova nga mashtrimi që mu bë dhe deklarova se do t’i mohoja të gjitha në gjyq.
“Më akuzonin për spiunazh se kisha dhënë informata për Ballukun”
Akuza e spiunazhit ishte trilluar aq keq pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë saqë gjyqi e hodhi poshtë atë menjiherë si të pabazuar. Se sa qesharake ishte ajo, po them vetëm kaq. Në akuzë ndër të tjera pretendohej se unë kisha bërë spiunazh duke i dhënë informata mbi tradhëtinë e B. Ballukut, të quajturit Gafur Bllata nga Dibra e Madhe, kur ky kishte ardhur për vizitë në Shqipëri. Por gjatë gjykimit u provua se unë me të lartëpërmëndurin kisha pasur në Tiranë vetëm një takim të rastit edhe në praninë e një të treti në muajin Qershor të 1974. Si ishte e mundur që unë t’i jepja atij informata mbi tradhëtinë e B. Ballukut në Qershor kur dihet se kjo gjë u morr vesh vetëm pas Pleniumit të Korrikut 1974?!. Në vënd që të lirohesha pas hedhjes poshtë së spiunazhit, prokurori kërkoi të gjykohesha për agjitacion dhe propagandë. Meqënëse për këtë krim të ri nuk kishte prova, gjykata e ktheu çështjen për plotësim provash. Pas kësaj hetuesia u bë për mua një ferr krejt i padurueshëm. Koço Josifi u tërbua fare. Më thoshte haptazi, Ne pa të dënuar ty nuk të lëmë, madje edhe në burg do të të dënojmë që të ngordhësh atje si qen. Ime shoqe më sillte shpesh ushqime, por ky nuk m’i jepte, sepse më kishte vendosur një regjim të rreptë urie që më katandisi me humbjen e 20 kg të tjera në peshë.
“Më nxorrën dëshmitarë të rremë edhe nga Cirku”
Materialet e hetuesisë, për krimin e dytë që po më kurdisej u përgatitën duke mbledhur nga kolektivi im disa dëshmitarë akuze me presion dhe disa me të cilët unë isha grindur për arsye pune kur isha përgjegjës artistik i Cirkut. Në të vërtetë unë me këta kisha biseduar në prizmin kritik për aspekte të ndryshme të jetës në Jugosllavi. Por u morën vetëm fraza të shkëputura nga konteksti i bisedave të cilat shtrembëronin përmbajtjen e tyre të vërtetë. Megjithatë edhe ashtu siç u paraqitën në gjyq këto ishin konstatime qesharake të pamjaftueshme, qoftë edhe për një propagandë formale dhe aspak të padëmshme. (ja psh sipas asja që u tha në hetuesi e në gjyq kundra meje, se si e paskam bërë unë agjitacionin, një dëshmitar deponoi se Telati më tha se në Jugosllavi artistët paguheshin shumë, por nuk tha se në këtë rast unë i thashë atij se prandaj edhe janë borgjezuar ata). Një tjetër deklaroi se Telati më tha se atje qumështin e shpërndanin me shishe nëpër shtëpi, por nuk tha se unë i kisha deklaruar se jo të gjithë blinin qumësht, pasi kushtonte katër herë më shumë se këtu. Dy dëshmitarë të kapur në flagrancë për imoralitet dhe të përjashtuar nga Cirku, deponuan se Telati na ka thënë se në Jugosllavi kërcenin pa të mbathura?! Një tjetër u ankua se unë gjoja e kisha këshilluar ta fejonte vajzën me një jugosllav kurse ky “jugosllavi”, në realitet ishte një rom nga Ohri, i cili kishte vajtur për vizitë vetë dëshmitarit dhe me këtë rast i kishte propozuar t’i merrte të bijën për të birin etj. Për t’i hedhur poshtë këto dhe për të vërtetuar se çfarë qëndrimi kisha mbajtur unë në Jugosllavi dhe pas kthimit, kërkova gjatë gjykimit të dytë i cili u bë pas dy muajsh të tjerë, të pyeteshin 10 dëshmitarë që ishin njerëz seriozë e të njohur.
“Profesor Zejnulla Ballanca më mbrojti në gjyq”
Gjykata thirri vetëm njërin prej tyre, Zejnulla Ballancën, pedagog në Fakultetin e Shkencave Politke-Juridike. Në dëshminë e tij e cila është regjistruar fjalë për fjalë në proçes-verbalin e seancës gjyqësore, midis shumë të tjerave ai tha: “Këtë që po dëshmoj ua kam thënë dy tre vjet përpara shumë vetave. Kur kam qënë për leksione në Kosovë më kanë ardhur disa të rinj nga Dibra, dhe më thanë se kur Telat Agolli kishte vajtur në këtë qytet kishte pasur një grindje të bujshme me përgjegjësin e seksionit politik të UDB-së Edip Markun. Ky i veshur civil dhe pak i pirë e kishte provokuar Telatin që po rrinte në klub me disa të njohur të tij. Telati e kishte kuptuar se cili ishte Edipi, kishte heshtur në fillim por ky i qe çirrur atij se ti je këlysh i Enver Hoxhës, Telati e kishte kapur për fyti e kishte ngritur në hava si leckë dhe i ishte përgjigjur se ti mor i poshtër, je këlysh i Titos ndërsa unë jam bir i Enver Hoxhës. Pas kësaj Telatin e kishin larguar nga Dibra të vetët dhe e kishin nisur menjiherë për në Shqipëri. Ky gjest i Telatit kishte bërë përshtypje shumë të madhe dhe e kishte entuziazmuar pa masë rininë dibrane e cila e urren tradhëtarin Edip Marku. Kërkoj ndjesë shoku Enver që po e përmënd përpara jush këtë dëshmi. E bëj këtë jo për t’u mburrur sepse unë e bëra atë që do të bënte çdo shqiptar i vërtetë për të mbrojtur emrin e udhëheqësit të tij por për të vënë në dukje një gjë tjetër. Kjo dëshmi edhe juridikisht provonte të kundërtën e asaj për të cilën unë akuzohesha. Ajo provonte se duke bërë detyrën time dhe duke ia thyer turinjtë një udb-ashitë qelbur, unë kisha bërë vepër konkrete agjitacion për Partinë dhe udhëheqësin tim të dashur.
“Bëra 6 vjet burg, por se humba kurrë besimin te Partia”
Në kushte normale sidomos pasi hodhi poshtë si të rreme akuzën e spiunazhit kundra meje, gjykata duhej ta merrte parasysh këtë fakt të provuar e jo të më dënonte për agjitacion kundra pushtetit tim të bërë me llafe boshe të trilluara e të paqëna, vetëm sepse dënimin tim e kërkonte me këmbëngulje Feçor Shehu. Megjithë padrejtësitë e mëdha të mësipërme që mu bënë dua t’ju siguroj për një gjë shoku Enver. Unë vuajta 6 vjet privim lirie nga të cilat 13 muaj në qelinë e izolimit të hetuesisë por gjatë gjithë këtyre viteve asnjë ditë asnjë orë asnjë minutë e asnjë sekondë nuk e humba besimin te Partia, nuk e kam ndjerë veten as armik të Partisë dhe as të armiqësuar me Partinë time, pasi një gjë e tillë ishte dhe është e paimagjinueshme për mua. Përkundrazi parrulla ime “Unë jam bir i Partisë dhe Partia do të ma japë një ditë të drejtën që më takon”. Kjo parrullë më frymëzonte në repart ku vuaja dënimin, kur punoja si minator nën tokë, ta realizoja normën për ditë 300%. Ajo më shtynte që unë me ndërgjegje të plotë të bëhesha krah i djathtë i komandës së repartit, për të mbajtur afër dhe për t’i edukuar me fjalën e Partisë me estradën që organizova në repart dhe me forma të tjera, elementët e penduar që mund të riedukoheshin. Ajo pastaj, më jepte forcë që unë t’i demaskoja e t’i shpartalloja duke u ballafaquar me ta burrërisht, elementët armiq të pandreqshëm, megjithëse ata më kërcënonin se do të më vrisnin me hekur dhe s’do të më linin të dilja i gjallë nga burgu.
“Ju lutem shoku Enver, të rishikohet çështja e proçesit tim”
Po të pyesni shoku Enver shokët e Komandës së Spaçit, kanë për t’ju thënë patjetër se Telat Agolli ka jetuar gjithmonë me Partinë dhe për Partinë. Kjo është shoku Enver historia e çështjes sime historia e njeriut të cilin dikur e ka duartrokitur gjithë Shqipëria, e bëri Artist të Popullit, Partia, dhe të cilin e diskretituan dhe e persekutuan pa mëshirë armiqtë e saj. Tani që ju më falët lirinë, unë i jam mirënjohës Partisë përjetë pa asnjë pretendim për çështje pune, rroge, titulli, ose për ndonjë përfitim tjetër. Ju lutem shoku Enver vetëm për një gjë të urdhëroni rishikimin e proçesit tim gjyqësor në rrugën e drejtë të vijës së Partisë e të ligjshmërisë socialiste. Marr guximin ta kërkoj këtë gjë përveç të tjerash edhe për arsyen që vijon. Kam pasur shoku Enver një nënë burrneshë si të gjitha nënat e ndershme shqiptare. Më kishte djalë të vetëm dhe dritën e syve të saj. Mua gjigandin e cirkut, vazhdonte të më thërriste me përkëdheli sikur të isha ende fëmijë “Lati im i vogël” Kur më arrestuan dhe më njollosën në opinion vulën e turpshme të tradhëtarit e të agjentit, në fillim nuk besoi dhe u përpoq të lutej për sqarimin e pozitës sime. Më tregojnë se u bind në fajësinë time duke thënë se; Partia pa faj nuk të dënon dhe më mallkoi. Nuk erdhi as edhe një herë të më shihte në burg. Nga turpi dhe pikëllimi i madh që i doli tradhëtar djali i vetëm, u sëmur nga kanceri dhe vdiq. Qëkurse kam dalë nga burgu i falur por jo i pafajshëm, nuk marr dot guximin t’i shkoj në varreza e ta vizitoj. Më jepni mundësi shoku Enver të më hiqet njolla e turpit të pamerituar, t’i bie mbi varr sime mëje, t’i kërkoj ndjesë për të keqen e madhe që i shkaktova e t’i them: “Nënë, falmë, falmë, për të gjitha, jo unë, por ata që ma nxinë jetën mua, dhe ta shkurtuan ty, ata janë tradhëtarët e vërtetë të Popullit e të Partisë. Që të mund të verifikohet me kohë saktësia e përmbajtjes së kësaj letre, dy javë më parë, me anën e Drejtorisë së Brëndshme të Tiranës, i kam dërguar një letër të këtill me hollësi më të mëdha edhe shokut Hekuran Isai. Si gjithnjë me bindje të patundur në drejtësinë e pagabueshme të Partisë mbetem në pritje të marrjes parasysh të lutjes sime.
Përshëndetje revolucionare
Telat Agolli
Tiranë 12.12.1982.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Kush ishte Telat Agolli?
Telat Agolli ishte me origjinë nga Dibra e Madhe por ai ka lindur në Tiranë më 15 shkurt të vitit 1932. Mjeshtri dhe themeluesi i Cirkut shqiptar, i famëshmi Ali Xhixha, e ofroi Telatin e vogël në ambientet e Cirkut që në moshën 13 vjeçare, kur ai ishte në kursin e akrobatëve dhe që nga ajo kohë ai nuk u largua më nga aty. Në vitet që pasuan, krahas punës në Cirk, Telati ndoqi studimet duke u diplomuar në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, në Tiranë dhe gjithashtu u specializua për akrobaci në Kinë në vitet 1960-1961. Ndërsa ndiqte cirkun, ai nuk ia nda kurrë sportit të gjimnastikës dhe ngritjes së peshave. Telati ishte kampion i vendit në gjimnastikë (viti 1954), dhe gjithashtu kampion kombëtar absolut prej 20 vjetësh në ngritje peshe me 99 rekorde kombëtare. Po kështu ai ushtroi edhe rolin e trajnerit të peshëngritjes te Klubit “17 Nëntori” dhe i ekipit kombëtar, ku u shqua për rezultate të larta. Nën drejtimin e tij u stërvitën mjaft të rinj që më pas u bënë kampionë të ardhshëm dhe emra të mëdhenj në peshëngritje, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare, si Ymer Pampurin Kampion Kombëtar dhe Olimpik, Bujar Bodinaku, Mirjam Hakani etj. Telat Agolli është nderuar dhe mban mjaft tituj nderi si: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i merituar i Sportit”, “Nder i Sportit Shqiptar” (nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në vitin 2000). Po kështu atij i është akorduar medalja “Mirënjohje” nga Komiteti Olimpik Shqiptar, si dhe mjaft kupa e medalje të ndryshme. Agolli është nderuar gjithashtu me titujt e lartë “Artist i Merituar” (1969) dhe “Artist i Popullit” (1975), si dhe është nderuar në vitin 2010 me “Mirënjohjen e qytetit të Tiranës” nga Këshilli Bashkiak, me motivacionin: “Për vlera të larta qytetarie dhe intelektuale, të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës”.
Memorie.al