Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
-Historiografia e regjimit komunist, nuk e njohu kurrë atë ndeshje, pasi Kombëtarja jonë e futbollit, përfaqësohej nga ballistë dhe zogistë, të akuzuar si; “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”!
Memorie.al / Në këtë prag ndeshje të ekipit tonë kombëtar të futbollit me përfaqësuesen italiane, e cila do të zhvillohet të shtunën datë 15 qershor në ora 21.00, arenën “Signa Iduna Park”, të Dortmundit, jo vetëm ata qindra e qindra shqiptarë që do kenë fatin ta ndjekin atë nga shkallët e stadiumit, apo dhe qindra mijëra të tjerë nga e gjitha bota nëpërmjet ekranit të televizorit, por edhe shumë nga gazetarët sportivë, studiues, historianë, staticienë, etj., nuk e dinë se; përveç atyre katër takimeve (dy zyrtare dhe dy miqësore), që ka zhvilluar Kombëtarja e Shqipërisë me fqinjën e përtej detit, Italinë, disa herë kampion Bote dhe Evrope gjithashtu, ka pasur edhe një ndeshje tjetër, kur, një ekip Kombëtar i Shqipërisë, ka zhvilluar në stadiumin e Lacios në Romë, plot 79 vite më parë, në gushtin e vitit 1945. Ky fakt, pra ndeshje e një ekipi Kombëtar të Shqipërisë në futboll, kundër një ekipi italian, madje nga më të fortët e kampionatit të Serisë A të asaj kohe, siç ishte Lacio, vjen nëpërmjet dëshmisë së rrallë të një prej protagonistëve kryesorë të asaj ndeshje, Arif Peza, ish-futbollist i ekipit “Shprefeja” të kryeqytetit dhe gjithashtu i Kombëtares Shqiptare, të periudhës së pushtimit të vendit, 1939 – 1944.
Diku nga gushti i vitit 2006, kur u takuam me të, ai ishte i vetmi ish-futbollist i ekipit Kombëtar të Shqipërisë së paraluftës, që jetonte akoma! Madje me një memorie brilante për t’u pasur zili dhe gjithashtu edhe nga gjendja shëndetësore, edhe pse ishte afër të ’90-ave. Arif Peza, me origjinë të hershme nga fshati i njohur i Tiranës, prej nga kishte trashëguar edhe mbiemrin fisi i tij, i cili në fundin e viteve ’30-të, pati studiuar në një nga shkollat ushtarake të Italisë, në fillimin e viteve ’90-të, u kthye në atdhe, në qytetin e tij të lindjes, Tiranë, nga emigracioni të gjatë, prej gati një gjysmëshekulli.
Në vitin 1940, pas kthimit nga Italia, ku ishte i internuar në një kamp në Santa-Fara, për arsye se nuk kishte pranuar të bënte betimin si student ushtarak para flamurit italian, ai u aktivizua më ekipin e njohur të futbollit të Tiranës, të pagëzuar me emrin “Shprefeja”, i cili gjithashtu ishte edhe bërthama e ekipit kombëtar shqiptar, në ato vite të pushtimit fashist të vendit.
Dy vjet më pas, ai u detyrua që të braktiste fushat e blerta dhe gjithashtu pasionin e tij për futbollin, pasi doli në mal me armë në dorë, madje duke qenë komandant i një prej çetave të armatosura të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, që vepronin asokohe në fshatrat në zonën perëndimore të Tiranës, si Pezë, Vorë, Prezë, etj.
Rrethanat politike e detyruan atë që në nëntorin e vitit 1944, të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej në kampet e Italisë, (që sapo kishte hapur UNRRA), së bashku me shumë eksponentë kryesorë nacionalistë të “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”.
Edhe pse në rrethana tepër të vështira jetese aty ne dhe të huaj, si nga ana ekonomike ashtu dhe politike, ai me disa shokë të tjerë, ish-futbollistë të ekipit kombëtar të Shqipërisë së periudhës së Monarkisë dhe asaj të Luftës, (1939-1944) nuk e harruan lehtë pasionin e tyre për futbollin, të cilin e kishin nisur që fëmijë, kur luanin këmbëzbathur rrugicave të Tiranës, ashtu si të gjitha bashkëmoshatarët e tjerë të asaj kohe dhe më pas.
Kështu, në gushtin e 1945-ës, ata organizuan një ndeshje futbolli me ekipin e njohur italian të Lacios, në Romë, gjë të cilën Arif Peza, do të na e rrëfente me detaje, në një intervistë ekskluzive, që po e publikojmë të plotë në këtë shkrim. Po kështu, ai na vuri në dispozicion për botim, edhe disa nga fotot e rralla të atij takimi, që nuk e panë kurrë dritën e botimit para viteve ’90-të, pasi historiografia komuniste, nuk mund të lejonte kurrsesi, që ekipin Kombëtar të futbollit, ta përfaqësonin “kriminelët e luftës” dhe “armiqtë e popullit”, siç i kishte etiketuar ata regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, për gati gjysëm shekulli me radhë.
Z. Arif, në ç’rrethana u gjendët në atë kohë në Itali, që morën pjesë në ndeshjen e futbollit kundër ekipit të Lacios?
Në mesin e nëntorit të vitit 1944, unë së bashku me disa shokë të mi, të cilët gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ishim organizuar dhe vepronim në përbërje të forcave nacionaliste të organizatës politike “Balli Kombëtar” dhe “Legalitetit”, duke luftuar me armë në dorë me çetat e tyre, kundra pushtuesit, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve që po vinin në pushtet, u detyruam që të largoheshim nga Shqipëria.
Ne u ikëm nga atdheu, së bashku me krerët kryesorë të këtyre organizatave nacionaliste, si; Abaz Kupi, Mit’hat Frashëri, Hasan Dosti, etj. Pasi mbërritëm në Itali, me ndihmën e forcave anglo-amerikane, ne emigrantët politikë shqiptarë, fillimisht u sistemuam në kampe të ndryshme në disa qytete dhe provinca të Italisë, që kishte hapur UNRRA, si; Rexhio-Emilia, Santa-Fara, Bari, Santa-Maria di Leuka, etj.
Kush ishte ideatori dhe organizatori i takimit të futbollit që ju zhvilluat me ekipin e Lacios në Romë?
Ideatori kryesor i asaj ndeshje, ishte Halim Begeja, njëri nga krerët kryesorë të organizatës së rinisë nacionaliste të “Ballit Kombëtar” të Tiranës në vitet 1943-’44. Gjatë bisedave të shumta që ne bënim me njëri tjetrin darkave në kampin e Santa-Maria-s, atij i shkoi në mëndje ajo gjë dhe ne të tjerët, e pritëm shumë mirë idenë e tij.
Në ato kampe ne ishim fare të lirë dhe mund të lëviznim nga një vend në tjetrin, pa na penguar njeri. Pas idesë së Halimit, ne filluam të përgatisnim listën e lojtarëve, që do të merrnin pjesë në atë ndeshje, duke bërë dhe lajmërimet përkatëse, për gjithsecilin, sipas mundësive që kishim.
Sa nga futbollistët e “Shprefësë” së Tiranës, gjendeshin asokohe në Itali?
Aty në kampin e Santa-Maria-s, nga lojtarët që ishim aktivizuar dikur me ekipin “Shprefeja” në Tiranë, ndodheshin katër futbollistë; Halim Begeja, Akil Derani, Mexhit Dibra (Xhaferri), dhe unë.
Por, edhe pse kishte dhe disa ish-futbollistë të tjerë, të cilët ndodheshin në disa kampe të tjera të Italisë, ne e kishim shumë të vështirë që t’i lajmëronin ata dhe gjithashtu të përgatisnim një ekip, që do të mund ta përballonte ndeshjen me Lacion, që ne mendonim dhe parashikonim të zhvillonim.
Nisur nga ky fakt, ne u bëmë thirrje dhe disa ish-futbollistëve të tjerë shqiptarë, që ishin aktivizuar dikur me ekipet e kryeqytetit, Shkodrës, etj., të cilët asokohe ndodheshin me studime në Itali, Austri, etj.
Si e pritën ata ftesën tuaj, a pranuan të vinin për atë ndeshje?
Ata e pritën me shumë kënaqësi ftesën tonë dhe u treguan shumë të gatshëm për të ardhur në Romë, ku do të zhvillonim ndeshjen me ekipin e Lacios.
Kështu, pas konfirmimit dhe përgjigjes pozitive të tyre, Halim Begeja, u lidh me disa miq të tijë që jetonin në Romë, si Lin Shkreli, etj., të cilët biseduan me drejtuesit e ekipit të Lacios, lidhur me kërkesën sonë për të zhvilluar një ndeshje me ata.
Drejtuesit e ekipit të Lacios, që në atë kohë ishte një nga ekipet më të forta të Italisë, pranuan menjëherë, dhe caktuan edhe ditën e orën, se kur do të zhvillohej ndeshja miqësore me ekipin tonë, të cilin ne e kishim pagëzuar me emrin; “Ekipi i Studentëve Shqiptarë”.
Këtë emër ne e zgjodhëm për të mos i dhënë ngjyrime politike, pasi në atë kohë në qeverinë italiane të De Gasperit, komunistët e Palmiro Togliattit kishin shumë influencë dhe gjithashtu ndikim në qeverinë e Enver Hoxhës, e cila na kishte shpallur ne si; “kriminelë lufte” dhe “armiq të popullit”, e, na e kishte ndaluar kthimin në Shqipëri.
Cilët ishin ish-futbollistët e tjerë, që pranuan të vinin për të luajtur në atë ndeshje?
Ofertës sonë për të ardhur dhe për të marrë pjesë në atë ndeshje, ju përgjigjën të gjithë, madje me shumë kënaqësi, me përjashtim të Niko Dovanës, (portierit të famshëm me origjinë nga Durrësi), i cili në atë kohe gjendej në Itali për probleme biznesi e tregtie, si dhe Riza Lushtës, i cili asokohe aktivizohej me ekipin Italian, të Aleksandrisë dhe ishte i impenjuar aty.
Ndërsa ish-futbollistët e tjerë që erdhën dhe u aktivizuan në atë ndeshje kundër ekipit të Lacios, ishin; Kol Mani (portier, me origjinë nga Shkodra), Bik Deda (Shkodra), Bik Shestani (Shkodra), Eqerem Arapi (Tirana), Sabaudin Biçaku (Elbasani), Haki Korça (Tirana), Naim Kryeziu (kosovar, me origjinë nga Gjakova) dhe Reshat Biçaku, me origjinë nga Elbasani.
Të gjithë këta futbollistë, bashkë me ne të katërt, që ishim në kampin Santa-Maria, me ndonjë përjashtim të vogël, ishim të gjithë ish-pjesëtarë të ekipit Kombëtar i Shqipërisë.
Cilët ishin apo konsideroheshin si lojtarët më të mirë të ekipit që po formonit ju në atë kohë, për atë ndeshje me Lacion?
Ndër pikat me të forta si futbollistë, të ekipit që formuam ne, që siç theksova më lart, ishim një ekip kombëtar i Shqipërisë, ishin Naim Kryeziu, (i cili në atë kohë aktivizohej me formacionin bazë të ekipit të Romës), Sabaudin Biçaku, (që luante me ekipin V.I.S.A Voghera), si dhe Haki Korça, që ishte aktivizuar me rezervat e ekipit të Lacios, kur aty luante Loro Boriçi.
Pasi u konfirmua pjesëmarrja e të gjithë futbollistëve që përmenda më sipër, ne lamë që të takoheshim në Romë, ku na priste Lin Shkreli, që siç thashë ishte me origjinë nga Shkodra.
Sa ditë para takimit shkuat në Romë, ku u sistemuat dhe a patët mundësi që të stërviteshit ndonjë ditë përpara ndeshjes me Lacion?
Në Romë ne shkuam një javë përpara datës që do të zhvillonim ndeshjen, (nga fundi i muajit gusht 1945), ku na priti Lin Shkreli. Halim Begeja, Akil Derani, Mexhit Dibra (Xhaferri) dhe unë, që ishim në kampin Santa-Maria, udhëtuam me tren për në Romë, ku u takuam dhe me pjesën tjetër të ekipit, që vinin nga qytete të ndryshme.
Të gjithë ne u vendosëm në kompleksin “Rusikum”, i cili ishte institucion fetar katolik, ku një prift shqiptar, Padër Zef Valentini (studiues dhe historian i njohur), na kishte përgatitur të gjitha kushtet, për të na mbajtur për një javë atje, (pa asnjë shpenzim nga ana jonë), duke na akomoduar me fjetje, ngrënie dhe na kishte siguruar gjithashtu, edhe uniformat kuq e zi të Kombëtares shqiptare.
Për një javë rresht që ne qëndruam në atë institucion fetar në kujdesin e Padër Valentinit, i cili ishte një njeri që po bënte të pamundurën për bashkatdhetarët e tij, ne bëmë stërvitje çdo ditë, në ambientet dhe fushat e stërvitjes që ai na i kishte vënë në dispozicion me të gjithë kushtet e duhura.
Ku u zhvillua ajo ndeshje dhe çfarë kujtoni prej saj?
Takimi midis nesh dhe ekipit të Lacios, u zhvillua në stadiumin e Romës, sipas të gjitha parashikimeve që kishim bërë, pra në ditën dhe orën e caktuar, gjë e cila ishte lajmëruar edhe me afishe nëpër qytet, ashtu siç ndodhte me ndeshjet zyrtare që zhvillonte ai ekip.
Për ta ndjekur ndeshjen, atë ditë në stadium kishin ardhur rreth katër-pesë mijë spektatorë. Në atë takim miqësor kundër nesh, që do të gjykohej nga një treshe arbitrash nga Roma, me ekipin lacial, u aktivizua edhe lojtari i famshëm, Puccineli, i cili luante si alla e majtë dhe ishte një nga pikat më të forta të Kombëtares së Italisë. Përveç tij, ndër pikat më të forta të ekipit lacial, ishin edhe Lombardini dhe De Andreis.
Si u paraqit ekipi juaj, përballë atij ekipi të njohur italian?
Edhe pse ekipi ynë ishte shumë modest dhe pa përgatitjen e stërvitjen e duhur, ne mundëm ta përballonim me dinjitet atë ndeshje, duke zhvilluar një lojë të mirë.
Madje edhe golin e parë, e shënuam ne me anë të Akil Deranit, që në minutat e para të ndeshjes dhe më pas lacialët, kaluan në ofensivë, duke shënuar disa gola në portën tonë, të mbrojtur nga portieri shkodran, Kol Mani, i cili fatkeqësisht, ishte një nga pikat më të dobëta të ekipit tonë.
Cili ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes?
Ndeshja përfundoi me rezultatin e thellë 10 me 1, në favor të Lacios, por duhet thënë se, loja e ekipit tonë, u pëlqye mjaft, si nga tifozeria vendase, që kishte mbushur shkallët e stadiumit, ashtu dhe nga qindra shqiptarë që kishin ardhur atë ditë, për të ndjekur ndeshjen tonë.
Pas përfundimit të ndeshjes, drejtuesit e Lacios dhe gjithë ekipi, na bënë një pritje koktej në ambientet e brendshme të stadiumit, ku mes të tjerash, na falenderuan për vizitën tonë.
Aty ne kaluam disa momente të këndshme nën shoqërinë e ekipit lacial dhe gjithashtu bashkatdhetarëve tanë, që nuk na u ndanë për asnjë çast.
Pas pritjes që ata dhanë për ne, i gjithë ekipi ynë qëndroi edhe tre katër ditë të tjera nën shoqërinë e Padër Zef Valentinit, i cili na shëtiti në disa pika dhe vende turistike të Romës.
Më pas ne u kthyem andej nga kishim ardhur, duke u ndarë me lot në sy, pasi nuk dihej se nëse do të takoheshim më, me njëri tjetrin. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016