Nga Makensen Bungo
Pjesa e tretë
Memorie.al/ Para një shekulli në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari, u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine, filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë“.
Ja çfarë thonë dy nga shoqet e saj, për jetën e Musinesë nëpër ato burgje varr:
DRITA KOSTURI:
“Xhelatët tërboheshin, nuk e duronin qëndrimin shpirtëror të Musines; e thërrisnin, e merrnin në pyetje, e provokonin, por ajo e qetë e papërfillshme, krenare e me kulturë, nuk u jepte shkas për asgjë”.
NURCE K0CULI:
“Musineja kishte një shpirt human. Kush ishte sëmurë, ajo i vinte menjëherë në ndihmë. Kush ishte e dëshpëruar, ajo ia hiqte vuajtjet dhe i ndihmonte qëndresën. Ajo ishte shëmbëlltyrë e virtytit”.
Qëndroi 16 vjet nëpër burgje dhe bëri jetën e egër të atyre të burgjeve të diktaturës. Por hyri Musine e, doli prej andej prap Musine, Musine Kokalari.
INTERNIMI
Nga burgu u lirua në 8 tetor 1961. Por vuajtjet, nuk iu mbaruan. Sa doli nga burgu, te dera e tij, e priste një “Xhip”-s i Degës Brendshme. E futën në makinë dhe e internuan në Rrëshen, qyteti mes maleve, me shumë dimër e me pranverë të vonë, me borë dhe me shi, me pak gjelbërim e me më pak lule. Vend burrash me kuvende pleqsh. Me shumë pushkë, se sa libra. Çerdhe bese e, sofër bujarie. Në atë qytet e dërguan Musinenë, në atë qytet malor të largët.
Ndër këto male të lartë e, ndër ato fusha moçalishte i dërgonte diktatura kundërshtarët e saj, për të vuajtur mbas dënimeve nëpër burgje. Dënime pa burg, dënime pa pranga. Por me vuajtje të gjata, më të lodhshme, më therëse, më sfilitëse. Urrejtja e diktaturës është e tmerrshme, e egër, vdekjeprurëse Ky ishte dënimi i dytë për kundërshtarët e diktaturës, që mbaronte me një vdekje të ngadalshme të heshtur.
Prandaj Musinenë nuk e dënuan me pushkatim, por e dënuan me njëzet vjet burg, që të vuante tmerrësisht gjithë ato vite, deri në vdekje. E strehuan në një dhomë haur të një shtëpie gjysëm e rrënuar. Përballë dhomës së saj, banonte një psikopat, që vështronte se kush hynte e kush dilte nga dhoma e Musinesë dhe shpejt shkonte e raportonte.Dhe veç këtij njeriu, i vunë edhe dhjetë të tjerë, që të kontrollonin jetën e saj në çdo vend e në çdo kohë. Jetoi vetëm, në një vetmi të madhe në atë dhomë, ku në murin në ballë të saj më vonë, siç ka shkruar, vendosi disa fotografi:
“Në odën time të vogël përballë, kam vënë fotografinë e iluministit të njohur Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e, të Lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit, Aleksandër Xhuvani…! Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjer sa mbyllën sytë…! Unë jam nxënësja e tyre…”!
Nga këto fjalë që ka shkruar Musineja, tregon respektin dhe dashurin për njerëzit që kanë punuar për mëmëdheun dhe duke vështruar fotografitë e tyre, krenohej për veprimtarinë e tyre, harronte vetminë e përhershme në atë odë haur dhe mburrej që ajo ishte nxënësja e atyre burrave, që punuan për Shqipërinë, deri sa mbylli sytë. Një ish i përndjekur politik, më ka treguar se si e ka njohur Musinenë ditët e para në internim.
GJERGJ MARKU:
“Musine Kokalarin, e kam njohur kur isha nxënës në gjimnazin e Rrëshenit. Me njeri tjetrin, pyesnim se ç’kishte bërë që e kishin sjellë në Rrëshen, nga ishte, ku i kishte njerëzit?! Kur mësuam se cila ishte, filluam të ndjenim dashuri e respekt për atë. Banonte në shtëpinë më të keqe të Rrëshenit. Jetonte fare vetëm. Nuk i afrohej njeri, por edhe ajo nuk u afrohej të tjerëve, që të mos i dëmtonte. Ishte grua me kulturë. Ishte frekuentuese e rregullt e librarisë dhe e bibliotekës. Vishej thjeshtë, por pastër e bukur. Mbante një peliçe të zezë lëkure dhe një çantë në sup.
Çdo ditë mbas punës, dilte nga shtëpia e shkonte deri te Ura e Fanit dhe në klubin e atjeshëm, pinte një kafe. Asnjëherë nuk e shikuam të dëshpëruar. Ecte ngadalë, e qetë dhe kurrë nuk e uli kokën. Që në paraqitje dukej fisnike. Populli fliste mirë për atë”. Ndërsa zonja mirditore Prena Gjeci, shoqe e saj, më ka folur shumë për atë.
PRENA GJEÇI
Unë jam shoqja e saj më e vjetër. U njoha me atë që ditën e parë që filloi punën në Rrëshen dhe u ndava nga ajo dy ditë para se ajo të vdiste. Punuam tok në llaç, në transportimin e tullave e të gurëve, në ngritjen e mureve. Ishte e pa mësuar në punë. Ditët e para duart dhe këmbët e saj u përgjakën. Me gjithë atë ajo kurrë nuk u ankua. Në punë ishte shumë korrekte. Ishte guximtare dhe kurrë nuk përulej. Kishte shumë vullnet. Punonte si një punëtore e mësuar. Padrejtësitë që i bëheshin në punë, nuk i duronte. Kundër atyre ankohej me guxim. Kishte një dashuri të madhe për njerëzit. Edhe ata që qëllonte ta ngacmonin, duke i hedhur ndonjë fjalë, ajo nuk i urrente. “Nuk janë fajtorë këta, fajtorë janë ata që i kanë mësuar”,thoshte dhe qeshte.
Ndiente një dashuri të madhe për të varfrit. Me aq sa kishte mundësi, i ndihmonte. Veçanërisht fëmijët i donte shumë. U fliste, i ledhatonte, i përqafonte dhe shpesh u jepte edhe këshilla. Vajzën time e donte shumë. Çdo të djelë e ftonte për drekë. Në dhomën e saj pranë krevatit, mbante një kukull të madhe. Rrobat ia ndërronte herë pas here, E donte si fëmijë. E kisha shoqe, shkuar shoqes. U bëmë motra nga puna plot vuajtje, nga jeta plot tmerre, nga fatkeqësitë që na ranë mbi kokë. Flisnim me njëra tjetrën, për çdo gjë, qanim hallet. Ajo na jepte zemër për çdo gjë. Dhe më është gjendur pranë gjithmonë, si fisnike që ishte. Më erdhi shumë keq, që nuk mora pjesë në varrimin e saj”!
Këto dy biseda për Musinenë, na tregojnë shumë mirë qëndrimin e saj gjatë kohës së internimit në Rrëshen. Kaloi shumë vite Musineja në në Rrëshen, shumë vite me shumë halle dhe plot derte, halle dhe derte, mes vuajtjeve të vazhdueshme. Këto halle dhe derte i krijojnë diktaturat ndaj kundërshtarëve të tyre, që të gëzojnë diktatorët dhe të zgjasin jetën e tyre të përgjakur.
Por popujt nuk falin. Ata janë gjykatës të paanshëm dhe të pa kundërshtueshëm. Ata me guxim u vërsulen pastaj diktatorëve, i tërheqin zvarrë, i gjykojnë e i zhysin thellë në llumin e ndyrë të krimeve të tyre të përgjakur, ndërsa heronjtë i ngrenë lart madhërishëm në qiellin e pastër të pavdekësisë. Kështu ndodhi me Musinenë. Ajo me qëndrimin e saj mposhti egërsinë e diktaturës dhe nderoi veten, si antikomuniste e vendosur shqiptare.
SËMUNDJA
Mosndërhyrja e aleatëve për të shpëtuar Shqipërinë nga zgjedha sllavo-komuniste, arrestimi i saj nga diktatura, torturat në hetuesi, streset gjatë kohës së procesit gjyqësor, mohimi i lirisë për një kohë të gjatë, nëpër burgjet e diktaturës, internimi i gjatë në Rrëshen, jeta e vetmuar dhe puna e rëndë gjatë burgimit dhe internimit, ndikuan në gjendjen shëndetësore të saj. Filloi të dobësohet, të ndjejë dhimbje, të shqetësohet dhe një ditë mbas analizave, iu komunikua se ishte prekur nga sëmundja e pashërueshme e kancerit.
E shtruar në spitalin Onkologjik të Tiranës, priti të operohej që të luftonte sëmundjen e saj. Por nuk po interesohej njeri. Mbas kësaj heshtje të qëllimshme që duhej të ndërhynin, ajo e kuptoi qëllimin antinjerëzor të mjekut komunist, me banim në Bllokun e Udhëheqjes Qeveritare dhe shkruan: “Unë kuptova një gjë. Për mua, jo vetëm që nuk interesohen, por kanë qejf të më zvarritin. Dhe vetë kontrollet e këtyre muajve s’janë gjë tjetër, veçse fjalë të kota. Sipas rregullave, unë duhet të isha operuar këtu e gjashtë muaj më parë. Çfarë do të ngjasë…”?!
Fjalët e kësaj gruaje demokrate, tregojnë më së mirë luftën e klasës që përdori mjeku komunist i “Bllokut”, për të varrosur këtë “armike të popullit”. Pse kjo ishte detyra humane e një mjeku? Të shëronte një të sëmurë, apo ta vdiste atë, sa më shpejt?! U kthye në Rrëshen e sëmurë dhe e pa mjekuar, e dëshpëruar dhe shkroi në ditarin e saj: “Ç’fat tragjik! Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pasur pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”! Në ato çaste të vështira të jetës së saj, ajo pastaj bëri analizën e jetës së saj:
“Nga një herë them me vete, se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Ndoshta, do të ishte më mirë të kisha mbyllur sytë një herë e përgjithmonë. Kështu merrnin fund edhe vuajtjet, me gjithë gjendjen tragjike. Kjo do të ishte një zgjidhje shumë e mirë”! Këto mendoi Musineja në ato çaste të jetës së saj, tërë vuajtje, me hidhërime, me tmerre, me tortura, me persekutime nga një diktaturë e tmerrshme, e llahtarshme, vetëm sepse deshi liri pa gjak, paqe për të gjithë dhe dashuri midis të gjithëve. Dhe e lodhur, e mërzitur, e sëmurë, ajo pa ndonjë shpresë shpëtimi, na la të shkruar, sintezën e jetës së saj:
“Njoha kulturën demokratike. Njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një ‘Gjyq Special’, njoha 16 vjet burg e përplasje, sa andej këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive, si bujqësinë e ndërtimin. Njoha vetminë e vetë-kërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë, për të konsoliduar diktaturën e proletariatit”. A ka analizë më plotë të jetës, se analiza që i bën kjo grua e madhe, jetës së saj!?
Pastaj Musineja, filloi të jetojë me vdekjen. La punën, doli në pension, me gjysëm page, jetoi në varfëri me 200 lekë të vjetra në muaj, e vetmuar, pa i shkuar njeri që ta shikonte për të fundit herë, me një qetësi që të vret, pa njeri pranë që t’i japë një gotë me ujë, duke parafytyruar jetën e saj heroike dhe vuajtjet e saj të tmerrshme, që kishte kaluar nga diktatura.Dhe së fundi një ditë në pragun e vdekjes, shkroi në ditarin e saj: “ … në valixhen e vogël, kam disa sende me vlerë etnografike, për Muzeun e Gjirokastrës. Ato pak kursime dhe gjithçka tjetër, le të hyjnë në fondin e shtypit, që duhet të krijohet për punëtorin e krahut, i cili është i domosdoshëm që të demokratizohet puna e krahut dhe të kulturohet punëtori i thjeshtë”.
S’kishte gjë tjetër kjo Musine e Shqipërisë. Vetëm këto kishte në atë valixhen e vogël. Dhe këto i la për vendin e saj, për shtypin, për bujkun e, për punëtorin, për të cilët kishte punuar gjithë jetën dhe ishte persekutuar nga diktatura e proletariatit. Ajo edhe në çastet e fundit të jetës, mendoi për vendin e saj, për bujkun dhe punëtorin, për ato, që kishte menduar dhe punuar gjatë gjithë jetën e saj dhe për të cilët kishte pësuar gjithë ato vuajtje të llahtarshme, nga diktatura e proletariatit.
VDEKJA
Jetoi sa jetoi dhe një ditë vdiq. Ishte data 13 gusht 1983. S’pati njeri pranë, që t’i mbyllte sytë. S’u gjind njeri që të lutej për shpirtin e saj. Pranë saj, në ato çaste, pati pranë vetëm libra, “shokët” e saj. Libri që po lexonte ato çaste të fundit të jetës së saj, i ra në gjoks i hapur dhe ajo mbaroi. Vdiq duke lexuar. U rrit me libra ndër duar, jetoi duke shkruar libra dhe vdiq në shoqëri me librat. E varrosën të nesërmen në mbrëmje, se nuk pranonte ndonjë shofer, që të transportonte arkivolin me kufomën e saj. Diktatura lufton edhe të vdekurit.
Zoti Agim Haruni, një ish i burgosur politik, më ka treguar: “Vdiq në vetmi. Ne jetonim në një shtëpi me atë. I vajta në dhomë dhe e gjeta të vdekur. Ishte shtrirë në krevatin e saj. Mbi gjoks i gjeta një libër të hapur. Kishte vdekur duke lexuar. Për varrimin e saj, nuk u interesua njeri. E varrosëm të nesërmen”.
Zonja Ildishane Kalo, një shoqe e saj, ka treguar: “Musineja ishte e pafat edhe ditën e vdekjes. Ne që i ndejtëm pranë gjithë jetën, nuk iu ndodhëm aty. Musineja vdiq në 13 gusht 1983. Më mbeti peng që nuk e arrita të gjallë, unë e Muzua. Një fqinjë hyri në dhomë pasi e lajmëroi i biri dhe i mbylli sytë. Ata shkuan nënë e birë dhe lajmëruan kryetarin e Këshillit, pastaj na telefonuan ne. Edhe ne i bëmë një telegram kushëririt të saj në Kavajë, por ai nuk erdhi. Erdhi vetëm pas dy, tre ditësh.
Kurrë nuk do ta harroj që ajo u gdhi vetëm, krejt vetëm, natën e saj të fundit mbi tokë, e mbyllur në kyç. Për Musinenë nuk u gjend as makinë, për ta shpënë në varreza. Vetëm një shofer me një makinë reportabël, që kishte ngarkuar zhavorr gjithë ditën, pranoi të vijë me njëqind të lutura. Vumë arkivolin mbi zhavorr. E shoqëruam unë, Muzua, im shoq dhe djali i fqinjës, që e gjeti të vdekur. Kjo qe ceremonia e varrimit, që u bë në Rrëshen, në muzgun e 14 gushtit, të vitit 1983”. Marrë nga libri “SONATA E HËNËS”, e shkrimtares Eglantina Mandija.
RIVARRIMI
Gatë diktaturës, emrin e saj nuk e përmendi njeri. Mbas 13 vjetëve, në 17 janar 1990, eshtrat e saj u zhvarrosën dhe u vendosën në Tiranë.Ajo sot prehet në kryeqytet pranë prindërve dhe vëllezërve të saj. Unë rivarrimin e saj, e kam përshkruar në tregimin “Martirja”.
Ja varrimi i saj, sipas atij tregimi:
“Duke ecur me arkivolin ndër duar, iu afrua vendit ku ishte varri i babës dhe i nënës së saj dhe e vendosi arkivolin pranë atyre, në krye të varrit të porsahapur. Midis njerëzve, që kishin ardhur për të marrë pjesë në atë rivarrim, u ndie një mërmëritje e lehtë. Shumë nga ata, psherëtinë të brengosur. Ndonjë nuk e mbajti veten dhe i rrëshqiti nëpër mollëzat e faqeve ndonjë lot pikëllimi ngadalë.
Njerëz të ndryshëm që qëlluan aty pranë atë natë Kadri, kur panë atë arkivol të vogël, pyetën se i kujt ishte. Kur mësuan emrin e saj, disa u habitën që ajo kishte vdekur, të tjerë që e dinin të vdekur, u erdhi mirë që ia kishin sjellë eshtrat në qytetin e saj. Një burrë, kur dëgjoi emrin e saj, u tha njerëzve aty pranë: “Kjo grua ka shkruar libra të bukur”.
Një plak me sy nga arkivoli, u tha shokëve me krenari: Kjo grua luftoi kundër diktaturës, si burrë e shkuar burrave. Shumë vetë vajtën e vunë dorën mbi arkivolin e vogël, me një dhimbje të thellë. Një grua iu afrua arkivolit, u ul, vuri duart mbi atë dhe e puthi. “Kemi qenë fqinj”, tha dhe tundi kokën.Pastaj shikoi njerëzit për rreth dhe shtoi: “E shkreta vajzë! Vuajti të zitë e ullirit. Toka do të dridhet dhe do të helmohet kur të fusë në gjirin e saj eshtrat e kësaj martireje”.
U ngrit ngadalë, si plakë që ishte dhe u largua me lot ndër sy. Në të gjithë varret, kandilat dhe qirinjtë vazhdonin të ndriçonin vendin anë e kënd. Sikur kishin zbritur yjet poshtë atë mbas dite të vonë. Ai hodhi sytë nga njerëzit dhe ndjeu një gëzim të thellë. Pastaj mori arkivolin e vogël dhe ngadalë e vendosi brenda në varr. Sapo kishin mbuluar varrin me dhe, një grua çau me vështirësi përmes njerëzve dhe iu afrua varrit. ishte shumë plakë dhe eci duke marrë frymë me vështirësi. Në dorë mbante një zambak të bardhë. Si iu afrua varrit, qëndroi pak dhe tha:
“Unë jam njeri pa njeri. Burri më vdiq në burgun e Burrelit, djalin e vetëm ma vranë në kufi. As varret nuk ua gjeta. Erdha këtu për të vënë këtë zambak të bardhë, mbi varrin e kësaj martireje. Është vajza e jonë”. U ul ngadalë dhe e vendosi zambakun e bardhë mbi varr. Pastaj filloi të përkëdheli varrin me duart që i dridheshin. Dhe duke përkëdhelur varrin e asaj martireje, tha: “Më duket se përkëdhel varrin e tim biri”. Dhe me lot ndër sy e puthi varrin e asaj martireje disa herë.
RINGJALLJA
Që nga viti 1990, emri i kësaj vajze përmendet me nderim dhe respekt.Veprimtaria artistike dhe sidomos ajo politike, vlerësohet në Shqipëri dhe në vende te tjera. Emri i saj përmendet në një enciklopedi italiane. Për nderin e saj, janë bërë simpoziume e përkujtimore. Me emrin e saj janë emërtuar rrugë, qendra kulturore, biblioteka e shkolla. Janë botuar edhe vepra mbi veprimtarinë e saj. Figurën e Musine Kokalarit e kanë vlerësuar maksimalisht, personalitete të shtetit dhe të kulturës shqiptare. Memorie.al