Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen edhe dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.
Dokumenti ‘Tepër Sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, lidhur me kërkesat e bëra nga ana e Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit, Feçor Shehut e Llambi Peçinit, për faljen e jetës…!
Tepër Sekret
Proces-verbal
I mbajtur në mbledhjen e Presidiumit të Kuvendit Popullor, ditën e Premte, në orën 9.00
Në mbledhje merrnin pjesë shokët: Ramiz Alia (Kryetar), Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, (Nënkryetarë), Sihat Tozaj (Sekretar), Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, (Antarë). Mungon për arsye shëndetësore shoqja Lumturi Rexha (Antare). Janë ftuar të marrin pjesë shokët Aranit Cela (Kryetar i Gjykatës së Lartë), dhe Rrapi Mino (Prokuror i Përgjithshëm).
SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj në këto rrethana Mehmet Shehu, duhet të likuidohej. Pra Kadri Hazbiu, duket që ka vajtur posaçërisht për këtë çështje. Qoftë në versionin që thotë Fiqretja të cilin, ja ka thënë Mehmeti pas takimit me Kadriun, qoftë në versionin tjetër që Kadriu, e ka kërcënuar. Fakti është që Mehmet Shehu, duhet të ikte nga skena. Dhe kështu u bë, Mehmet Shehu iku nga skena.
Agjentura jugosllave i erdhi menjëherë në ndihmë Kadri Hazbiut. Ajo, në programin e vet, dërgoi bandën e Xhevdet Mustafës, gjë që u vërtetua plotësisht në gjyq. Një nga pjesëtarët e kësaj bande, deponoi në gjyq: “Unë kam ardhur me qëllim që të takoj Kadri Hazbiun, dhe t’i them atij që Xhevdet Mustafa ka për detyrë që të vrasë Enver Hoxhën”.
Kadri Hazbiu, do t’i tregonte atij se ku dhe kur do të bëhej atentati, me qëllim që Kadriu të kombinonte atentatin me zhvillimin e puçit ushtarak, për marrjen e pushtetit. Madje po ky dëshmitar thotë: “Ne, u nisëm me urgjencë”. Po pse ata u nisën me urgjencë?! Kini parasysh se në shtator, u punua Tabloja Sinoptike e shokut Enver, dhe në këtë tablo sinoptike, hidheshin ca pikëpyetje.
Midis të tjerash hidhej dhe çështja e Teme Sejkos, se në vitin 1960, amerikanët po të sulmonin Shqipërinë, do të thoshte që ata do të hynin në luftë me sovjetikët, që ishin të përqendruar në Bazën Ushtarako-Detare të Vlorës. Por logjikisht nëse amerikanët, do të donin të hynin në luftë me sovjetikët, ata hynin në Berlin, pse duhet që të hynin në Vlorë?! Nga ana strategjike, ka më shumë rëndësi Berlini.
Por është më se e qartë se kjo gjë ishte një manipulim i sovjetikëve. Domethënë sovjetikët, duke e pasur Teme Sejkon, njeriun e tyre, dhe ky duke qenë njëkohësisht agjent i vjetër i grekëve dhe amerikanëve, e përdorën këtë që të depononte se gjoja amerikanët në atë kohë po përgatiteshin që të zbarkonin në Shqipëri. Indirekt ose më mirë direkt, neve na thonin: “Shikoni, juve doni që të hiqni bazën e Vlorës, juve doni të përkeqësoheni me sovjetikët, por flota e VI-të amerikane, po ju vjen, kush do t’ju mbrojë juve”?!
Domethënë ata, donin ta detyronin Partinë tonë që ajo, të ndryshonte qëndrimin e vet politik, që të mos dilte kundër sovjetikëve, që të mos e hiqte Bazën e Vlorës, me qëllim që sovjetikët të ishin të pranishëm këtu. Pra kjo, është bërë plotësisht në marrëveshje midis Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Beqir Ballukut, etj., ashtu siç doli dhe nga vetë procesi gjyqësor. Këto dyshime, hodhi shoku Enver në Tablonë Sinoptike. Kjo, i dogji Kadri Hazbiut që atëherë pasi të nesërmen që foli shoku Enver Hoxha në Komitetin Qendror, Kadriu, i bëri një letër shokut Enver, ku mundohej që t’i shpjegonte sesi ka qenë kjo çështje, por në fakt ai nuk shpjegonte dot gjë. Pra Kadriu kjo i dogji, dhe ai e kuptoi që këtu diçka po ngatërrohet për të.
Nga ana tjetër, ishin arrestuar Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, etj. Kadri Hazbiu, mesa duket e ndjeu që po i lëkundeshin këmbët dhe jo vetëm kaq, por Kadriut në këtë kohë ne, i kishim kërkuar që të na thoshte se për gjithë këto gjëra që kishin ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, a kishte apo nuk kishte dhe ai përgjegjësi?! Pra sikur vetëm kaq në planin e përgjithshëm, a kishte apo nuk kishte përgjegjësi Kadri Hazbiu, e ndjeu rrezikun. Ai, e kuptoi gjithashtu se ne nuk do të kufizoheshim vetëm me kaq.
Në të njëjtën kohë ai e pa se dolën gjithë këta njerëz, që kishin punuar me të në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, etj. Pra Kadriut, i hyri frika dhe ai, e pa veten ngushtë. Kjo vërtetohet dhe me thëniet e banditit të ardhur. Dhe çfarë tha ky bandit, që kishte ardhur me Xhevdet Mustafën?! “Ne, u nxituam që erdhëm në Shqipëri, pasi e kishim në plan që të vinim më vonë. Por na erdhi ai jugosllavi dhe na tha që ne, duhet të niseshim sa më shpejt, me shumë urgjencë, pasi kishim nevojë”.
Pra del qartë se pikërisht tani Kadri Hazbiu, e pa që po i lëkundeshin pozitat e tij. Dhe në fakt në atë periudhë, Kadriu filloi që të shqetësohej pasi, në Tiranë dolën ca parulla sikur ai, “ishte arratisur së bashku me familjen e tij”. Kadriu, e tha dhe në mbledhje, një gjë të tillë. Më erdhi dhe zyrtarisht në Komitetin Qendror, e më tha: “Ç’është kjo punë, kanë dalë parulla”. “Po mirë” i thashë unë, “çdo të bëjmë tani?! Armiku hedh parulla dhe ne, nuk mund të dalim në radio dhe të themi se një gjë e tillë nuk është e vërtetë”!
I thashë gjithashtu se: “pasnesër unë do të flas në mbledhjen e Frontit Demokratik, me rastin e 40 vjetorit të Konferencës së Pezës, ku do të ishte e gjithë Byroja Politike, pra do të ishte dhe ai. Dhe populli, do ta shikonte në televizor”. Gjithashtu i thashë që: “të shkonte dhe në festën e Pezës, që ta merrnin në televizor, se ndonjë gjë tjetër më shumë nuk kishim se çfarë të bënim”. Pra ai, kishte filluar që ta ndjente këtë. Dhe jugosllavët, nxituan që ti vinin në ndihmë shumë shpejt. Dhe siç dihet, banda erdhi. Dihet tashmë dhe fati i saj. Por Xhevdet Mustafa, donte të bënte atentat kundër shokut Enver, pasi do të merrte kontakt me Kadri Hazbiun.
Pra, siç e shikoni, Kadri Hazbiu, vazhdoi veprimtarinë e tij armiqësore deri në minutat e fundit. Por veprimtaria e Kadri Hazbiut, nuk është e sotme. Nga gjykimi doli se ai, ka marrë kontakte direkt me agjentët e Rankoviçit që në vitet 1952-1953. Një nga dëshmitarët që u dëgjua për këtë çështje, dëshmoi me fakte tradhtinë e tij. Ky dëshmitar, ishte një nga njerëzit tanë që kishte kaluar me një detyrë në Jugosllavi, dhe ishte plagosur pasi, kishte rënë në përpjekje si pasojë e denoncimit nga ana e Kadri Hazbiut. Dhe ai, këtë gjë e kishte të faktuar me emra, me kohë, e me gjithçka, dhe këto ja tha përpara Kadriut.
Planet kriminale të këtyre banditëve, janë të përbindshme. Kujtoni, dhe krimet e këtyre të tjerëve veçanërisht të Llambi Ziçishtit, që ka menduar me një gjakftohtësi të tillë, dhe për mënyrat se si do ti bënte atentat shokut Enver, deri dhe në çfarë formash dhe veprimesh, duheshin bërë pas vdekjes, etj, etj. Këto me të vërtetë të revoltojnë, dhe sheh se me çfarë armiqsh të egër ke të bësh. Ky, ishte një komplot tepër i rrezikshëm, madje mund të thuash se ishte në mos më i rrezikshmi në historinë e Partisë dhe të Popullit tonë, sepse jetoi për një kohë shumë të gjatë në krye të Partisë.
Nuk veproi dot hapur, pasi kishte frikën e madhe të unitetit të Partisë e të Popullit, të personalitetit e të autoritetit të shokut Enver, në veçanti që ata i trembeshin më shumë. Veçse kjo, nuk e ul rrezikshmërinë e tyre. Përkundrazi kur dëgjon për gjithë këto krime, në kuptimin e plotë të fjalës, pavarësisht se nuk i realizuan dot ashtu siç i kishin menduar është me të vërtetë rrëqethëse. Për ne kjo, është një mësim i madh që ne duhet të rrisim vigjilencën, të jemi gjithmonë besnikë të vijës së Partisë, besnikë të parimeve të Partisë. Përpara vijës dhe parimeve, nuk vlen asnjë person dhe ne, nuk duhet të udhëhiqemi nga kjo që e tha ky apo e tha ai.
Kjo nuk do të thotë që të kemi dyshime tek njerëzit, ne nuk kemi dyshime tek njerëzit, por ne i duam ata kur zbatojnë vijën e Partisë, ne njerëzit i duam kur ata u përmbahen parimeve të Partisë. Dhe kjo pasi ne e dimë se parimet e Partisë, vija e Partisë, dhe mësimet e saj e të shokut Enver, janë udhërrëfyesit për jetën tonë, për qëndrimet sot dhe nesër. Çdo komunist e kuadër duhet të mendojë se duke dalë nga vija e Partisë, nuk i bëhet mirë Partisë. Duke dalë nga parimet e Partisë, nuk i bëhet mirë dhe popullit. Duke lëvizur nga vija e Partisë, nuk i bëhet mirë socializmit.
Këtë duhet ta ngulë mirë në kokë gjithë secili. Pra kur nuk i bëhet mirë Partisë, kur nuk i bëhet mirë Popullit, kur nuk i bëhet mirë Socializmit, nuk i bëhet mirë askujt. Prandaj secili në frontin e vet, në punën e vet, duhet ti përmbahet me besnikëri vijës dhe parimeve të Partisë. Kjo nuk do të thotë që të mos diskutojmë, kjo nuk do të thotë që të mos shkëmbejmë mendime, kjo nuk do të thotë që të mos shfaqim opinionet tona. Përkundrazi, ti shprehim me guxim mendimet tona, të diskutojmë për çdo gjë, por gjithmonë duke pasur si udhërrëfyes, vijën, politikën, dhe parimet, e Partisë.
Dhe në këtë drejtim të gjithë ne, duhet që të ndihmojmë njëri tjetrin, të gjithë ne duhet të korrigjojmë njëri tjetrin, nëse konstatojmë që në këtë apo në atë drejtim ka një devijim sado të vogël. Pra çështja është se po të zbatohet siç duhet vija e Partisë, po tu qëndrojmë besnikë parimeve të Partisë, evitohet mundësia që elementë keqbërës dhe armiq, të veprojnë lirshëm dhe pa u zbuluar. Kjo ka rëndësi shumë të madhe, ky është një konkluzion dhe një mësim, që duhet të nxjerrim të tërë nga kjo eksperiencë e hidhur, por që në fund përfundoi mirë, në të mirën e Partisë, në të mirën e Popullit, në të mirën e Atdheut e të Socializmit.
Tani gjyqi, e tha fjalën e tij dhe neve, na mbetet që të themi fjalën tonë. Nëse keni për t’i bërë ndonjë pyetje shokut Aranit ose shokut Rrapi, bëjeni. Këta shokë për dy javë me radhë, ju kanë bërë pyetje të tjerëve, kriminelëve, armiqve. Ata u lodhën, por mendimi im është se ata bënë një punë të mirë ashtu siç duhet të jetë drejtësia jonë. Ju qëndruan, i demaskuan, dhe i nxorën në shesh mirë fytyrën e këtyre armiqve. Të dyja gjyqet nuk ishin të lehta. Ato, ishin gjyqe të vështira sepse ishin gjyqe politike. Këtu nuk ishte çështja vetëm për të vërtetuar krimin, por edhe për të demaskuar pikëpamjet, konceptet, dhe vijën e tyre tradhtare si agjentë e si spiunë.
Këtu, nuk ke të bësh me njerëz që ishin kundërshtarë politikë dhe ideologjikë të Partisë, por ke të bësh me spiunë, me njerëz që vepronin sipas sugjerimeve që ju vinin, që merrnin urdhra nga të tjerët për të bërë këta apo atë veprim, duke ju thënë edhe mënyrën se si do ta bënin. Domethënë këta, ishin vegla të thjeshta në duart e armiqve. Këta katër të dënuarit me vdekje, kanë bërë lutje për faljen e jetës. Tani si thoni, ti shikojmë një e nga një apo të gjithë bashkë?!
SHOKU RITA MARKO: Të gjithë bashkë. Ne, jemi dakord me vendimin.
SHOKU FAIK ÇINAJ: Opinioni është që përveç këtyre të katërve, dënimet e tjera kanë qenë pak më të buta, duke filluar nga Fiqrete Shehu, Mihallaq Ziçishti, Nesti Nase, Ali Çeno, etj. Tani të dënohet me 10 vjet burg një spiun ordiner, mbase e kam gabim por mua më duket si pak. Edhe unë me opinionin jam, atë mendim kam. Kjo nuk është për t’u diskutuar se nuk është në kompetencën tonë por………!
SHOKU RAMIZ ALIA: Përveç këtyre të katërve që janë dënuar me vdekje, për të tjerët ne nuk e kemi në kompetencë të diskutojmë dhe nuk diskutojmë dot, por vetëm një gjë duhet që të kemi parasysh. Unë, mendoj që duke dhënë këto vendime, gjykata në përgjithësi ka vepruar drejt, sepse duhen parë gjërat në tërë kompleksitetin e tyre. Kur ke për të gjykuar përpara një kriminel të tillë si Kadri Hazbiu dhe pranë këtij krimineli gjykon dhe një berber si Xhavit Ismailaga ose Ali Çenon, do të bësh një diferencim. Mendoj se këto janë arsyet që kanë ndikuar tek gjykata e cila ka dhënë, dënime të tilla, se ma merr mëndja se po të gjykohej vetëm Ali Çeno, ka rrezik që gjykata, t’i jepte dënimin më maksimal që parashikon ligji.
SHOKU ARANIT ÇELA: Secilit prej tyre, po t’i gjykoje veç e veç mundet që gjykata t’i jepte dënim me vdekje. Kur gjykohen në grupe, kështu është pasi dikush përfiton diçka.
SHOKU RAMIZ ALIA: Përsa i përket Fiqretes, ka pasur mendime dhe të tërë ishin dakord se dhe ajo mund të dënohej me vdekje, por shokët e gjykatës siç duket, kanë marrë parasysh qëndrimin e saj në gjyq. Në qoftë se dhe ajo do të ishte dënuar me vdekje, mendoj se edhe ne këtu në Presidium, do të ishim duke ngritur ndonjë argument tjetër, por jo se ajo është grua, etj., megjithëse edhe gjyqit mund t’i lejohet ky arsyetim. Megjithatë Fiqreti, është shtriga më e urryer në të gjithë historinë kombëtare, pasi në historinë tonë kombëtare nuk kemi pasur ndonjë grua të tillë. Ne mendojmë se shokët e gjykatës, drejt e kanë gjykuar. Fiqreti, mund të dënohej me vdekje por, për këto arsye që thamë, shokët e gjykatës e kanë gjykuar drejt.
Mihallaq Ziçishti gjithashtu është pjesëtar në këto krime, por një vëlla e pushkatojmë pra bëhen dy vëllezër. Përveç kësaj duhet mbajtur parasysh që në gjyq edhe Fiqreti edhe Mihallaqi, e kanë ndihmuar gjyqin dhe kanë treguar një shkallë pendueshmërie, por se sa janë penduar ne këtë nuk e dimë. Madje jo vetëm kaq por, a i kanë thënë të tëra?! Edhe këtë nuk e dimë me saktësi. Mund të ketë prapë gjëra që nuk i kanë thënë. Por sidoqoftë në gjyq ata, treguan një shkallë të caktuar pendimi dhe gjyqi ma merr mëndja, e ka pasur parasysh dhe duhet ta kishte parasysh. Edhe të tjerët mund ti dënoje më ashpër. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016