Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / CIA ka dhënë detaje të reja mbi disa operacione për të lëshuar agjentë sekretë me parashuta në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës. Mirëpo në një rast, operacioni dështoi totalisht, pasi agjentët nuk ranë sipas planit të përgatitur më parë. Nga ana tjetër, tregohet se si Sigurimi i Shtetit kishte futur spiunë deri në OKB.
23 nëntor 1951
Raport i detajuar operacioni infiltrimi
Për arsye të nervozizmit të lartë të shfaqur nga agjenti T5 para lëshimit, ka mundësi që të mos ketë marrë rrahjen në shpatull (sinjalin e hedhjes), para daljes nga avioni, edhe pse T5 insiston se është goditur nga shpërndarësi. Ndryshimi i planeve të grumbullimit gjatë udhëtimit për në vendin e lëshimit, është diçka e vështirë për të kuptuar dhe kjo bëri që T5 të mendonte se po braktisej qëllimisht nga grupi. Pas lëshimit agjentët ishin aq të shpërndarë, sa nuk u shërbeu as trajnimi i tyre për grumbullimin me anë të sinjaleve të zërit.
Taktikat e rigrupimit kanë funksionuar me grupe të tjera kur ato kanë rënë në distancë të mbulueshme nga dëgjimi. T1 dhe pjesa tjetër e grupit kishin urdhër të vendosnin sa më shpejt komunikimet radio dhe nuk është e mundur që ato të kenë menduar të braktisin T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetje. T1, 2 e 3, e njihnin mirë zonën dhe besonin se do të gjenin së shpejti T5, por ky gabim gjykimi ndodh shpesh dhe një plan i parapërgatitur është shumë më mirë sesa përpjekja për të gjetur njëri-tjetrin me shans.
Përplasja me jugosllavët
Tre të shtëna pushke të dëgjuara nga T5, mund të kenë qenë pistoleta e përdorur nga grupi për grumbullim, në rast urgjence. T5 pati disa përplasje me patrullat jugosllave dhe ka vrarë disa ushtarë jugosllavë, e në një rast një informator civil. Autoritetet jugosllave nuk kanë dyshime se T5 është një agjent i besueshëm shqiptar me mision të CIA. Por veprimet e T5 në Jugosllavi, tregojnë një urrejtje të madhe të tij për Titon dhe kjo mund të ndikojë te informacionet e kaluara te ne mbi Jugosllavinë.
Më 16 gusht 1951, T5 u nis me avionin drejt zonës së lëshimit, por raportonte disa detaje që mund të hedhin dritë mbi mungesën e organizimit të operacionit. T5 raporton se u ndje i trullosur sapo u hap dera e avionit dhe kjo nuk u shkaktua vetëm ngaqë shikonte jashtë, por ngaqë dalloi disa shenja të dukshme zjarri që lëshoheshin drejt avionit. Agjenti T1 bëri dy ndryshime të instruksioneve gjatë rrugës, në lidhje me vendin dhe kohën e lëshimit. T5 raporton se ndryshimi i vendit të takimit iu tregua vetë agjentëve T1, 2 e 3. T1 instruktoi T2 e T3, që nëse nuk takoheshin në lëshim, ta gjenin njëri-tjetrin me anë të miqve që njihnin në zonë, kurse T5 nuk u përfshi në këtë plan, në një kohë që ai nuk e njihte zonën.
Kur iu dha sinjali i përgatitjes, T5 u pozicionua pranë derës së avionit, dhe do të lëshohej kur të merrte sinjalin e rrahjes në shpatull. Sapo e ndjeu atë, T5 doli nga avioni dhe hapi parashutën. Ai thotë se u habit kur gjeti tokën e pjerrët me rreth 20-30 gradë, teksa parashuta e përfshiu dhe e bëri të rrokullisej poshtë dishezës. T5 nuk e njihte zonën por u mundua të qëndronte disa kilometra pranë zonës së lëshimit, me shpresën për të ri gjetur grupin e agjentëve të tjerë.
Takimi me banorët
Rreth shtatë ditë pasi u lëshua në Shqipëri, T5 i foli në gruaje të vjetër në një fshat për t’i kërkuar ushqim. Ajo e paralajmëroi se kishte patrulla pranë fshatit dhe se ishte e rrezikshme të shkonte në shtëpi me të. Ajo i dha më vonë ca bukë me djathë. Një ditë më vonë T5 mori drejtimin për në Jugosllavi. Rrugës hasi në disa fshatarë që e pyetën nëse ishte Liman Peposhi. T5 u përgjigj fillimisht se ishte Peposhi, por kur po dukej se nuk ishte Peposhi, u tha se ishte njeriu i Peposhit. Burri i vjetër i tha nuk kishin dëgjuar prej kohësh për të dhe vrisnin mendjen ç’ishte bërë me të.
Përplasja me grekët
Dy ditë para se T5 të arrinte në kufirin me Jugosllavinë, hasi tre patrulla në drejtim të tij, të cilat pasi morën pozicionet, hapën zjarr kundër tij. Uniformat e tyre ngjanin me ato të ushtarëve grekë. Pas rreth një orë përpjekje ai arriti të çante rrethimin. Më 30 gusht T5 kaloi në Jugosllavi dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar të kufirit. Burri i vjetër i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg nga juglindja. T5 eci për disa ditë, por në vend të vazhdonte në drejtim të Greqisë, shkoi në fshatin e tij, Gjilan të Kosovës, ku ishte i sigurt se do të merrte ushqim dhe strehim. Më tej ai vizitoi fshatin e Kabashit ku vizitoi shtëpinë e Xhemal Hazizit. Ata fillimisht kishin frikë ta strehonin T5, por e pranuan me kusht që fëmijët e tyre të mos dinin për prezencën e tij.
Pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash, T5 i tha Selmanit të sillte kunatin e tij Rexhep Tërpeza, i cili është kryetari i komunës së Tërpezës. Pasi erdhi ai tha se shqiptarët e Kosovës ishin anti-titoistë dhe dëshironin fuqimisht bashkimin me Shqipërinë, qoftë edhe nën regjimin e Hoxhës. Sipas tij kosovarët mendonin se nëse bashkoheshin me Shqipërinë, ata do të kishin mundësi të vepronin më shumë kundër regjimit të Hoxhës. Terpeza informoi gjithashtu T5, se kosovarët janë konfuzë me afrimin aktual në marrëdhëniet Jugosllavi-SHBA.
Ata nuk e kuptojnë përse SHBA-ës ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikanë, edhe pse ato shiten me anë të kooperativave. Terpeza the se vetëm një pjesë e vogël shiten në tregun e lirë dhe kjo ndodh në qytetet e mëdha ku ka amerikanë. Terpeza tha se shqiptarët që largoheshin në Jugosllavi, viheshin në punë në ndërtimin e rrugëve dhe në disa raste ato dërgoheshin si klandestinë ne Shqipëri, për llogari të shërbimeve sekrete UDB-së. Ai tha se edhe një grup britanik kishte ardhur në Jugosllavi nga Shqipëria. Atyre u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi në rast nevoje, pasi jugosllavët do të siguronin lirimin e tyre.
Por pasi u vunë në punë në riparimin e rrugëve, disa prej tyre u larguan përsëri për në Shqipëri, me shpresë të arrinin në Greqi. T5 mësoi prej tij se jugosllavët kishin një kamp për refugjatët shqiptarë në Vuçiterna. Aty shqiptarët ndaheshin në dy kategori: ata që viheshin në punë dhe ato që merrnin ushqim dhe strehim pa punuar. Ai nuk dinte arsyet e kësaj ndarjeje. Terpeza tha se kishte aktivitete rezistence në zonat e Gjakovës e Rugovës, por nuk dinte më shumë. Ai tha se Hasan Alia nga Remniku kërkohet nga forcat qeveritare që prej vitit 1944. Ai mund të ketë dalë në mal dhe mund të jetë aktiv me grupet e sipërpërmendura të rezistencës. Kur arriti në Greqi T5 u mor në pyetje nga një oficer grek për rreth tre-katër orë, ku T5 tregoi detaje të aktivitetit të tij në Shqipëri dhe Jugosllavi.
Komentet
Meqenëse T5 nuk i gjeti dot shokët e tij të lëshimit, ai mendon se është braktisur nga tre anëtarë të grupit, të cilët ndryshuan vendin e takimit dhe nuk e përfshinë në planin e ri. Sipas një memorandumi të 17 prillit 1951, Liman Peposhi dhe Tahir Vata janë rekrutuar nga CIA në prill 1951. Rekomanduesi i tyre ka qenë Muharrem Bajraktari. Ministria e Brendshme ka raportuar se agjenti T6 është vrarë prej tyre. Sipas edicionit të qershorit 1951 të gazetës “Atdheu”, Hasan Kabashi është vrarë gjatë përpjekjeve me komunistët jugosllavë më 15 tetor 1951. “Atdheu” është organ i partisë së Legalitetit. Duket se personi me të cilin janë takuar T2 e T3 në Kastoria, është Tahir Ademi.
Departamenti i Drejtësisë
29 dhjetor 1969
Më 13 gusht 1967 një burim që ka dhënë informacione të besueshme në të kaluarën, sinjalizoi se Kozma Moja, sekretari i dytë i delegacionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, kishte pranuar fshehurazi se ishte anëtar i Sigurimit. Më 14 dhjetor 1969, i njëjti burim raportonte se kohët e fundit Kozma Moja kishte shprehur interes dhe kishte komentuar si më poshtë: “Djali 7-vjeçar i Kozma Mojës u kthye në Shqipëri më 5 dhjetor 1969 për të vazhduar shkollën në Tiranë, ku do të qëndrojë me të afërmit.
Ai e kishte dërguar të birin në Shqipëri, pasi nuk aprovonte që ai të shkollohej në Shtetet e Bashkuara apo në shkollat e OKB-së në Nju Jork. Moja është shumë i afërt me djalin e tij dhe ndjehet i vetmuar tani që ai është larguar. I biri i Mojës u kthye në Shqipëri bashkë me delegacionin që mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Grupi fluturoi me avion nga Nju Jorku në Romë, ku pritën për dy ditë avionin e Alitalia për të shkuar në Shqipëri. Kjo linjë ka vetëm një fluturim në javë për në Shqipëri.
Përplasjet për “Vatrën”
Vincent Marko nga Connecticut, SHBA-së, duhet të kishte qenë në aeroportin e Tiranës ditën kur djali i Mojës mbërrinte atje. Marko është kthyer tashmë nga Shqipëria por Moja nuk e ka takuar. Moja komentonte se e dinte se çfarë kishte ndodhur gjatë dy darkave të dhëna nga organizata “Vatra” në 28-29 nëntor 1969, në hotelin e Nju Jorkut, por ishte më i interesuar në atë që ishte zhvilluar gjatë seminareve të “Vatrës” në atë fundjavë. Moja tha se kishte dëgjuar gjatë seminareve se kishte opozicion, kritika dhe protesta ndaj faktit se elementë politikë u jepej e drejta të flisnin.
Ai vazhdoi duke thënë se disa njerëz po akuzonin të tjerë se po e kthenin “Vatrën” në një organizatë politike, dhe se të dy … Unicos dhe Antony Athanas, presidentët e “Vatra” në vitet 196…e 1963, e kundërshtonin një lëvizje të tillë dhe ishin kritikuar për lejimin e elementëve si … Koliqi, kreun e Bllokut Indipendent, dhe Hasan Dostin, kreun e Ballit Kombëtar, të flisnin në seminaret e saj. Moja tha se kishte lexuar gazetën “Dielli”, por asgjë nuk thuhej në të për seminaret.
Ndarja e emigrantëve
Burimi raportonte se federata mbarëshqiptare e Amerikës e njeh “Vatrën” si një organizatë të shqiptarëve të vjetër amerikanë dhe grup anti-komunist, me gazetën e përjavshme “Dielli”. Burimi identifikonte Bllokun Indipendent si një organizatë të shqiptarëve në emigracion, kryesisht të atyre katolikë. Burimi raportonte se Balli Kombëtar është gjithashtu organizatë e shqiptarëve në emigracion. Moja ishte i interesuar të dinte mbi grupet që marrin pjesë në Komitetin e “Shqipërisë së Lirë”, dhe gjithashtu donte të dinte nëse Departamenti i Shtetit i dërgonte urimet e përvitshme Komitetit.
Moja komentoi se kishte dëgjuar se folësi kryesor i eventit kishte kritikuar qeverinë shqiptare dhe komunizmin, prandaj Moja po hetonte përse ishte zgjedhur një folës i tillë. Ai tha se Buzi nuk e dinte për çfarë po fliste, dhe se Shqipëria kishte anuluar të gjitha taksat dhe ishte vendi i parë në botë që e bënte këtë. Më tej ai tha se Shqipëria kishte ulur çmimet e ushqimeve dhe veshjeve. Moja kishte thënë se donte të dinte më shumë për grupin e arbëreshëve që erdhën në Nju Jork për të marrë pjesë në celebrimet e organizuar nga “Vatra” më 28-29 nëntor 1969, duke përfshirë numrin e njerëzve në delegacion dhe kush paguante kostot e udhëtimit, ushqimin etj. Ai tha se vetë “Vatra” nuk kishte shumë para, prandaj donte të dinte kush i kishte sponsorizuar festimet.
Prandaj ai donte të dinte çfarë kishte ndodhur gjatë udhëtimit në Uashington të presidentit të “Vatrës”, Vasil Gërmenji, pasi udhëtimi ishte kryer vetëm disa ditë para ardhjes së arbëreshëve në SHBA-ës. Moja shprehu habinë e tij dhe kënaqësinë që mësoi se në festimet e “Vatrës” nuk kishte dorë qeveria e SHBA-së, në nivel shtetëror apo lokal. Ai mendonte se “Vatra” është një organizatë politike, pasi anëtarët e saj ndjekin linjën politike të administratës Nixon. Burimi ynë raporton se arbëreshët janë pasardhës të shqiptarëve të larguar drejt Italisë që prej vdekjes së Skënderbeut në shekullin e 15-të dhe që kanë ruajtur prej atëherë traditat dhe koloninë e tyre.
Roli i Ernest Koliqit
Moja tha se Ernest Koliqi, kreu i Bllokut Indipendent, erdhi nga Italia për të marrë pjesë në festimet e “Vatrës”, dhe ishte ende në Shtetet e Bashkuara për t’u takuar me përfaqësues të Bllokut Indipendent në SHBA-ës. Ai besonte se vizita e Maliqit kishte domethënie politike. Moja tha se dyshonte se qeveria e SHBA-së i kishte dhënë dorë të lirë Vatikanit për të drejtuar aktivitetet e grupeve shqiptare në Itali dhe se darka e “Vatrës” ishte vetëm fillimi i tyre. Ai tha më tej se Shqipëria do t’i japë vizë të gjithë atyre që duan ta vizitojnë.
Ai këshilloi se janë dhënë tashmë disa viza për amerikanët dhe shpejt do të jepen të tjera. Moja ishte i interesuar të dinte vendndodhjen e Fehime Pipa dhe vëllait të saj, si dhe mënyrën e largimit të saj nga Shqipëria drejt Jugosllavisë dhe ata që e kishin ndihmuar për t’u arratisur. Burimi informon se Arshi Pipa është një prej intelektualëve të njohur në Shqipëri dhe që është mbajtur në një kamp përqendrimi për shumë vjet, për arsye të kundërshtimit ndaj komunizmit. Ai erdhi në SHBA-ës rreth 10-12 vjet më parë dhe punon si profesor në një shkollë apo universitet
1 prill 1953
Më poshtë kemi tekstin e pamfleteve të propagandës të aprovuar nga selia kryesore. Vonesat në kompletimin e tyre mund të shpjegohet me heshtjen e disa elementëve brenda degës, që nuk i shihnin ato në mënyrë favorizuese. Sektorë të ndryshëm të misionit kanë pasur mendime të ndryshme në stilin e veprimit apo në bashkimin në një, të të gjithë operacioneve.
Teksti
Pakti Turko-Greko-Jugosllav, lajm i mirë për Shqipërinë
Që të qëndrojë në fuqi, Enver Hoxha me këlyshët e tij, e dinë se populli duhet të mbahet në gjendje frike e në gjendje pasigurie. Prandaj mundohen t’i mbushin mendjen popullit se rënia e tyre do të sillte edhe copëtimin e atdheut tonë të dashtun. Ata bajnë çmos për të bindur gjithë botën se fqinjët e Shqipërisë kërkojnë dhunojnë kufijtë tanë, të aneksojnë tokat tona dhe të shuajnë kulturën tonë. Duan të bëjnë që populli të besojë se rënia e tyre do të ishte vdekja e Shqipërisë. Por kjo është një gënjeshtër me bisht. Ndodhja e tyre në pushtet nuk i ka sjellë veçse mjerim popullit tonë dhe është pengesa e vërtetë që populli ynë të përfitojë nga paqja.
Kohët e fundit o bashkë-atdhetarë, gënjeshtrat e tyne janë shtue edhe më tepër. Ata përpiqen të ç’vlerësojnë rëndësinë e paktit turko-greko-jugosllav, duke e kritikue ashpërsisht. Ata duan që të besoni se ky pakt është humbja e Shqipnisë dhe se qëndrimi i tyne është i vetmi shpëtim për Atdheun tonë. Motra e vllazën shqiptarë! S’ka gënjeshtër më të madhe se kjo. Pakti ballkanik i nënshkruar nga Turqia, Greqia e Jugosllavia në Ankara më 28 shkurt 1953, është në realitet një garanci më shumë nga ana e fqinjëve të Shqipërisë, për të respektuar pavarësinë e Shqipërisë dhe integritetin e kufijve tona kombëtare. Le ta shqyrtojmë me urtësi e vërejtje këtë çështje.
Fqinjët
Tre fqinjët tanë me gjithë mosmarrëveshjet e tyre, e kuptuan ma së fundmi se ata duhet të jenë të bashkuem që të mund të mbrohen nga një agresion rus. Solidarësia e këtyre tre shteteve u shton shpresën atyre kombeve fqinj që ndodhen nën zgjedhën e kuqe. Duke mbajtur e duke mbrojtur identitetin e tyre vetjak, ata u hapin shteg miqve të tyre të shtypur për të thye prangat e skllavërisë që i mbajnë të lidhur, dhe të krijojnë një mburoje kombesh të fortë që mund t’i tërheqin me vete. Marrëveshjet tregtare mes vendeve sjellim përfitime materiale për të gjithë, kondita më të mira jetese, më tepër ushqim dhe më tepër punë. Bashkë-atdhetarë, pakti midis Greqisë, Turqisë dhe Jugosllavisë, ka pasur efekte shumë të mira për udhëheqësit e Perëndimit të Lirë.
Ata pranojnë se ky pakt është një provë pozitive se vendet ballkanike janë bashkue dhe do të bashkohen miqësisht, për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar e për të mbajtur larg skllavëruesit ambiciozë. Motra e vëllezër shqiptarë! Mos u mashtroni nga shërbëtorët që kanë për qëllim vetëm t’i shërbejnë padronëve të Moskës, dhe t’i zgjasin jetën pushtetit të tyre. Pakti i miqësisë i nënshkruar nga Greqia, Jugosllavia e Turqia, është i mirë për shqiptarët liridashës. Ai është hapi i parë i krijimit të një atmosfere në të cilën mund të vendoset liria e Shqipërisë. Vdekje komunizmit! Liri Shqipërisë! Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”. Për liri! Për Shqipëri! Për flamurin kuq e zi!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














