Nga Xhevahir Gradica
– Si homazh për një nga emrat më të shquar të mjekësisë durrsake, që u nda nga jeta në vitin 2023, po ribotojmë të plotë shkrimin bazuar në intervistën që ajo dha për “Bulevard”! –
Memorie.al / Viti kalon shpejt në ritmin e njerëzve të gjallë, që vazhdojnë të aplikojnë postulatin e ekzistencës së njerëzimit, se jeta vazhdon. Dhe si për koincidencë, ajo kishte marrë emrin e ciklit të kësaj bote, po kishte marrë edhe profesionin për t’i shërbyer njerëzve. Ashtu thjeshtë me katër shkronja të fjalës që e duam të gjithë, që i përulemi të gjithë me dobësitë dhe forcën tonë, ndërsa ajo edhe me profesionin: Jeta! Në mesin e muajit prill, vetëm një vit më parë, atëherë kur stina po vinte me ngjyrat dhe aromën e saj, kish vendosur ta mbyllte ciklin e saj, mjekja që i kishte dhuruar aq shumë pranvera dhe aromë jete njerëzve. Ajo nuk njohu vite, as stina, as muaj as javë dhe ditë. Madje ajo nuk njohu kurrë as grafik dhe orar.
Që prej vitit 1970, pasi kreu studimet studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës me rezultate te shkëlqyera, doktoreshë Jeta, do t’i jepte kuptim edhe jetës së njerëzve. Ashtu e dashur, e qeshur, e përkushtuar me dashurinë për njerëzit ajo niste të kuronte ende pa vendosur stetoskopin. 14 muaj pa mjeken pediatre, mjeken reanimatore, ajo padyshim ka dhënë jetë nga profesioni saj, përkushtimi dhe më shumë për vlerat aq njerëzore, që e bënin më shumë se mjeke. Ndërsa jepte kontributin e saj si mjeke, ajo që e dalloi gjithnjë ishte ana njerëzore e saj.
“Gjykatësi më i mirë për punën e mjekut është familjari, nëna, babai, të afërmit”.
Interesante dhe e veçantë jeta e bluzave të bardha. E mbushur plot me të papritura. Në shërbim të pacientëve ditën e natën, me dhe pa orar. Herë të qeshur dhe të shkujdesur në gëzime kolektive dhe herë të ngrysur, të heshtur e të përlotur. Sa në zonat periferike, sa në qytet. Profesion i vështirë, fisnik dhe human. Jeta Zalla, të cilën në jo pak raste e thërrasin edhe me mbiemrin e saj të vajzërisë, Deliallisi, në rrëfimet e saj nxiton t’ia dedikojë prindërve, profesorëve, kolegeve formimin si mjeke, pediatre, reanimatore. Ndodh kështu jo vetëm me Dr. Jeta Zallën. Këtë praktikë dhe model të të arsyetuari e ndesh sa herë që takon intelektual të cilëve më shumë se fjala u flet shërbimi, profesioni dhe gjurmët e lëna pas.
Rinia
Jeta (Deliallisi) Zalla, arsimin e mesëm e kreu në vendlindje, në Shijak, tek shkolla “16 shtatori”. Duke qenë vajzë e shkathët, prindërit e futën në shkollë në moshën 6 vjeçe, ndërsa studimet e larta, do i nisë në moshën 17-vjeçare në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës. Brenda klasës, kishte shumë konkurrencë. Shkolla kishte marrë emër shumë të mirë. Kërkesa e llogarisë dhe garat mes nxënësve për të kapur kreun e tabelës së nderit, ishin sfiduese. Jetës i duhej të maste zotësinë me bashkëmoshatarët e saj, Petrit Berhami, që pas universitetit u bë fizikant, Fatmir Doçin, i diplomuar në inxhinieri apo Rusdhi Dollakun, mësues shumë pasionant.
Jeta ka treguar se përcaktues në zgjedhjen e fushës së mjekësisë, ka qenë xhaxhai i saj, Bedri Deliallisi. Ai qe burrë autoritar, shumë i kulturuar dhe i ngritur. Bedri Deliallisi kishte përfunduar studimet në shkollën e “Harry Fultz” në Tiranë dhe në gjimnazin e Shijakut, jepte mësim lëndën e gjuhës së huaj angleze. Duke ndenjur pranë xhaxhait prej të cilit mori shumë parime dhe njohuri, u ndikua shumë dhe mjekësia iu bë pasioni i saj i pazëvendësueshëm. Shumë djem e vajza nga Durrësi, i kanë kryer studimet e larta vajtje-ardhje, duke shfrytëzuar trenin e linjës Durrës-Tiranë-Durrës. Por kjo qe e pamundur për studenten Jeta Deliallisi. Prindërit, Shefki e Makbule Deliallisi, mësues me zë në gjithë Durrësin, i kishin vënë “detyrim” së bijës, që të dilte me rezultate të larta.
Kështu që studentes i duhej ta shfrytëzonte në maksimum kohën, ndaj u sistemua në konvikt. Një arsye më shumë për të qëndruar në Tiranë, ishte edhe fakti se vajza banonte në Shijak dhe kjo e vështirësonte më shumë vijimin e shkollës ditë për ditë, nga shtëpia. Megjithatë, javë për javë kthehej në Shijak. Të shtunën, me të përfunduar leksionet, kapte trenin e linjës, ndërsa të hënën zgjohej herët dhe pasi merrte autobusin Shijak-Sukth, zinte trenin e parë Durrës-Tiranë. Vajza e familjes Delallisi, do të kishte edhe një fat në mesin e këtyre vështirësive. Durrësi pati filluar në vitet ‘65-’66, të shtonte numrin e studentëve të cilët arsimoheshin në mjekësi. Kështu bashkë-studente me vajzën nga Shijaku, ishin edhe Emijet Veizi, Mira Kauri, Liri Dhima, Liri Domi, Liri Dibra, Bukurushe Hoxha, me të cilat Jeta ndante të gjitha bisedat dhe preokupacionet si studente.
I vetmi merak i vajzave ishte dëshira për rezultate të larta dhe dalja sa më parë në jetë për të veshur bluzën e bardhë të mjekes, një ëndërr e kahershme e tyre. Prindërit e Jetës ishin të dy të punësuar në arsim, megjithatë të ardhurat nuk mjaftonin për të bërë jetë pa preokupacione. Thuajse paralelisht me Jetën, vazhduan studimet në arsimin e lartë edhe vëllai e motra e saj, kështu që për familjen vështirësitë ishin jo të pakta. Studentja e Mjekësisë ishte me pagesë, po ashtu edhe vëllai me të motrën, ndaj gjithçka llogaritej deri në qindarkën e fundit.
Përballë kësaj sakrifice të prindërve, Jeta, motra e saj Razie dhe vëllai Fatmiri, nuk kishin as më të voglën kërkesë për veshje, argëtime, dhurata. Sapo u binte në dorë një lekë, secili rendte të blinte një libër, që i duhej në specialitetin e vet. Fare pak kohë, por edhe fare pak mundësi financiare pati Jeta, për të shëtitur me shoqërinë në kryeqytet, për të ndjekur filma në kinematë e Tiranës, apo edhe teatër.
Jeta (Deliallisi) Zalla ka thënë se vajzat durrsake ishin të thjeshta dhe se asnjëra nuk kishte pretendime jashtë fushës së studimeve ndaj shoqëria e tyre erdhi e u forcua. Edhe sot, 45 vite larg nga rinia e tyre, admirimi dhe respekti për njëra-tjetrën vijon t’i ushqejë si atëherë. Një tjetër sukses për to që fakti se pedagogët e Mjekësisë ishin shumë kërkues. Shumë prej tyre kishin kryer studimet jashtë shteti dhe ishin lektorë shumë të zotë. Në formimin profesional të mjekes së mëvonshme korrektesa e pedagogëve la gjurmë të forta. Madje aq sa vet dr. Jeta Zalla do të pranojë se parimet që mësoi nga profesorët e saj i ka pasur principe të punës gjatë gjithë jetës si mjeke.
Studentët e asaj kohe morën leksione nga prof. Luigj Benusi (themelues i mikrobiologjisë), Fejzi Hoxha (pionier i diabetologjisë e endokrinologjisë), Bajram Preza (gurë-vënës i neurologjisë), Nikolla Dushniku (shef katedre), Petro Cani (babai kirurgjisë), Llambi Ziçishti (Dekan i Fakultetit të Mjekësisë), Mënyer Karagjozi (themelues i hematologjisë pediatrike), Ferdinand Paparisto (themelues i katedrave të kirurgjisë speciale dhe të urologjisë), Kadri Kërçiku (mjeku dhe pedagogu që i shpalli luftë leprozës dhe sifilizit në Shqipëri), Selaudin Bekteshi (pediatër, pedagog shumë i pasionuar)…! Këta janë jo vetëm themelues të fakultetit, por edhe pedagogët më të zotë, kirurgët e akademikët që e vendosën mjekësinë shqiptare në rrugën shkencore.
Jeta lexonte gjatë në sallën e studimit e cila kishte një sobë druri të madhe në mes, rreth së cilës vendosnin stola dhe ashtu të kredhura edhe nën batanije, lexonin deri në ora 2 pas mesnate. Në vitin 1973, pasi kishte shërbyer si mjeke për dy vite, specializohet në Tiranë për pediatre. Nuk e pati të vështirë të fitonte këtë të drejtë, pasi nota e saj mesatare në fakultet, ishte mbi nëntë. Dhënia tërësisht pas shërbimit ndaj fëmijëve, e nxit të kërkojë e të fitojë një specializim të dytë, këtë herë për reanimacion në pediatri, studime që i kryen në vitin 1984.
Deliallisët atdhetar e arsimdashës
Të gjithë ata që kanë miqësi, krushqi e shoqëri me Deliallisët e Shijakut, dinë fare mirë kushtin e Deliallisëve për të futur nuse në shtëpinë e tyre, apo edhe për të dërguar në derë tjetër vajzën. Edhe sot nuk kanë hequr dorë nga pyetja: “Çfarë notë mesatare ka djali, që kërkon gocën tonë”? “Çfarë mesatare ka vajza, që kërkon dorën e djalit tonë”? Sa më në thellësi të kohërave shkohet, aq më shumë dalin në dritë të dhëna, fakte, detaje, episode e ndodhi të fisit Deliallisi. Nuk kanë të mbaruar historitë për jetën dhe aktivitetin e familjes së madhe nacionaliste Deliallisi, shumë prej të cilëve u arsimuan në Perëndim.
Çdokush ndihet mirë për të shkuarën dhe të sotmen, por pinjollë të Deliallisëve, janë edhe më me fat. Ata shquhen për patriotizëm, atdhetari dhe arsimim në breza. Janë të shpërndarë gjithandej në Shqipëri dhe në Botë, si mjek, juristë, kirurgë, mësues, ekonomist, urbanist, historianë, arkitekt, inxhinierë, artistë, poetë, sportistë, zanatlinj…! Pjesëmarrës në kryengritje dhe revolta të fuqishme me karakter të thekur politik e atdhetar në shekullin e 19 dhe 20-të. Ymer e Xhemal Deliallisi, janë firmëtar të shpalljes së Pavarësisë, ndërsa të rreshtuar në rezistencën kundër pushtuesve, janë një listë e pambarim, ashtu si dhe të arsimuarit.
Jeta ishte vajzë e prindërve Shefik Deliallisi dhe Makbule (Kariqi) Deliallisi. Gjyshi saj, Ramazani, kishte kryer studimet në Stamboll, kurse i ati, Shefkiu ka studiuar në liceun italian në Tiranë. Pasi fitoi bursë për jashtë shtetit në kohën e qeverisë së Zogut, shkollohet në Napoli dhe shërben si mësues Matematike, pas çlirimit të vendit. Shefkiu pati miqësi me aktorin e madh shqiptar, Sandër Prosi, ndërsa ka studiuar në të njëjtën klasë, me ish kryeministrin shqiptar të regjimit komunist, Adil Çarçani. Edhe e ëma mjekes, Makbule Deliallisi, vajzë nga Kavaja, ka qenë e arsimuar. Ajo përfundoi Institutin Femëror italian në Shkodër. Gjatë bombardimeve nga forcat ushtarake të huaja në vitet e Luftës së Dytë Botërore, strehohet në familjen e babait të Rikard Ljarjës, Karlos.
Pas vitit 1944, me mbarimin e Luftës, shërben si mësuese. Edhe xhaxhallarët: Bedri e Fiqiri Deliallisi, janë shumë të njohur, i pari si mësues dhe tjetri në mjekësi. Jeta është vajza e madhe e familjes. Razia, vajza e dytë e familjes, është diplomuar në Fizikë, ndërsa i vëllai, Fatmiri në Inxhinieri ndërtimi. Në familjen e tyre gjithherë është diskutuar për shkollën, universitetin, profesionet, librat e rinj, artin, sportin…! Dhurata më e papritur, por edhe shumë e kushtueshme që prindërit i bënë Jetës, ishin 35 volumet enciklopedi mjekësore, të shoqëruar me pllaka gramafoni për ilustrime. Këtë pasuri të cilën Dr. Jeta Zalla e ka ruajtur me shumë fanatizëm, i ati e ka blerë tek një mjek, që pati studiuar jashtë shtetit, por që kishte dalë në pension.
Vitet kanë ecur dhe tani vet Jeta është një mjeke në pension, ndërkohë që i duket sikur tani po dëgjon të ëmën, që i thotë: “Shkolla bëhet një herë dhe vlen gjithë jetën”, shprehje e cila e ka motivuar asokohe studenten Deliallisi, t’i përkushtohej me të gjitha forcat studimeve universitare, të cilat i kryen në vitin 1970. Jeta Deliallisi lidhi kurorë me djalin nga Durrësi, Hysen Zalla, një tjetër pinjoll i një fisi të madh dhe të dëgjuar. Çifti ka dy vajza.
Ema ka studiuar për gjuhën frënge në Tiranë. Në vitin 1997, fiton bursë në Universitetin e Lozanës dhe për 6 vite, do t’i përkushtohet Linguistikës. Njohuritë e saj nuk ndalen me kaq pasi thellohet në fushën e Sociolinguistikës për 4 vite të tjera, ndërsa ka nisur jetën familjare në Gjenevë. Edhe vajza tjetër, Tiku, ka kryer studimet e larta fillimisht në Shqipëri. Ajo ka ndjekur rrugëtimin e së ëmës, Jetës, duke u diplomuar në Mjekësi. Rezultatet e rendisin studenten e dytë në nivel kombëtar, ndërkohë që aktualisht kryen specializimin 6-vjeçar për kirurgji në Firence.
Karriera
Jeta Deliallisi përfundon studimet e larta në vitin 1970. Ishte koha kur mjekësia përballej me vdekshmërinë e lartë foshnjore, ndaj mjekët më të zotë, u dërguan në zonat më problematike. Si me të qeshur një pedagog, i cili e admironte Jetën për vullnetin dhe seriozitetin që kishte, i pati thënë gjysmë me shaka dhe gjysmë me të vërtetë: “Mos këmbëngul për të dalë me rezultate të larta, se do të përfundosh ose në Veri, ose në zona të thella, ndërsa studentët që nuk kanë rezultate të larta, emërohen në qytet”. Realiteti ishte i tillë dhe lektori ndiqte me jo pak shqetësim, politikën e emërimit dhe specializimit të studentëve të shkëlqyeshëm.
Vajza nga Shijaku, nuk do e dëgjonte porosinë e pedagogut, ndërkohë që edhe vet profesori e inkurajonte atë për të dalë me rezultate sa më të larta. Durrësi atë vit ishte bërë me spital të ri dhe shefe e shërbimit të pediatrisë, ishte Dr. Hëna Këlliçi, e cila vendosi në kritere bashkëkohore shërbimin e pediatrisë. Jeta (Deliallisi) Zalla, do të përfitojë njohuri të reja dhe qëndrimin pranë Dr. Këlliçit, do e vlerësojë si laborator universiteti. Në janarin e vitit 1971, vesh uniformën e mjekes dhe prej 40 e ca vitesh, nuk e ka hequr kurrë stetoskopin nga qafa. Dy vite pasi mori emërimin e parë, rikthehet në auditorët e fakultetit, për t’u specializuar në pediatri.
Edhe studionte, edhe shërbente si mjeke. Me t’i dhënë fund specializimit për një vit, do të gjendet mes banorëve të kooperativës së bashkuar të fshatrave të Shijakut, duke mundur të arrinte rezultate të dukshme në zbritjen e vdekshmërisë foshnjore, të cilën e zbriti nën mesataren e Republikës. Për Dr. Jeta Deliallisin, fshati qe një tjetër përvojë që do i shërbejë fort në vitet e ardhshme si pediatre. Për shkak të rezultateve në studime dhe specializimin e saj, si dhe përkushtimit të plotë pas shërbimit në fshatra, seksioni i shëndetësisë në Komitetin Ekzekutiv të Durrësit, e tërheq për ta emëruar në spitalin e pediatrisë, në qytet. Profesionin e mori me shumë zell dhe tërësisht iu përvesh misionit human.
Për Jetën, jo vetëm në vitet e para të punës, por kurdoherë, nuk do të kishte më orar, nuk do të kishte më grafik. Vajza e çiltër, e sinqertë dhe e pajisur me dije të thella, është ndjerë e sigurt sa herë që është ulur për të plotësuar recetën, për të mbushur kartelën, apo për të lëshuar rekomandime. Specializimi i dytë për reanimatore, e bën edhe më të ngarkuar kohën për pediatren. Aq sa nuk do të ketë kohë, të kujdeset për vajzat e saj.
Motrat Ema e Tiku, më shumë janë rritur në krahët dhe përkujdesjen e të atit, mësuesit dhe studiuesit të gjuhëve të huaja, Hysen Zalla, se të mamasë, Jeta Deliallisi. Megjithatë pediatrja nuk është penduar kurrë për rrugën e zgjedhur dhe as për sakrificat e saj e të bashkëshortit. Për periudhën 1985-1991, vështirësitë e reanimacionit në pediatrik, do i ndajë me kolegen e saj, Mira Kauri, ndërsa më pas gjithçka do e përballojë vetë, deri ditën që do të dorëzojë bluzën e bardhë, për të dalë në pension. Lidhur me këtë e, të tjera ngjarje nga jeta e karriera saj, Dr. Deliallisi, na njeh me këtë intervistë.
Znj. Jeta, një jetë e tërë në shërbim të fëmijëve si mjeke pediatre dhe pediatre reanimatore…!
Vizitën e parë si mjeke e kam kryer në moshën 22-vjeçare. Ditën e parë të punës, më solli babai. Nuk e dija ku ishte spitali. Rruga m’u duk e gjatë dhe qyteti i Durrësit shumë i madh. Mbaj mend që i kisha kapur babait dorën, e nuk ia lëshoja. Im atë kishte me vete diplomën dhe notat e fakultetit. I njihte të gjithë. Saktësisht e njihnin të gjithë. Kur i panë notat, mjekët i thane: “Paska rezultate të shkëlqyera”, ndërsa unë vetëm ndiqja bisedat. Fati e deshi që të kisha shefe të shërbimit të pediatrisë, Dr. Hëna Këlliçi, një grua shumë e zonja dhe mjeke autoritare. Mësova shumë, shumë pranë saj. Atë vit që dola mjeke, përfunduam studimet e larta 6 vajza nga Durrësi.
Secila prej nesh iu përkushtua seriozisht studimeve të larta dhe i përfunduam me rezultate mjaft të mira. Kjo na dha mundësi të përfitonim specializime pasuniversitare. Unë fillimisht, dy vite u specializova për pediatre dhe më pas në një specializim të dytë, për reanimacion në pediatri. Gjithë jetën në pediatri, deri në vitin 2011, pra 40 vite. Edhe sot më vinë pacientë për vizitë dhe e kam të pamundur t’i kthej, pasi më njohin jo vetëm ata, por edhe prindërit e tyre. Është e vështirë pediatria. Janë të vegjël, vetëm rënkojnë. Ka raste të pafund të vështirësisë në përcaktimin e diagnozës. Sidomos në atë periudhë, kur nuk kishte aparatura si sot. Vizito dhe konsultohu me dispensat e fakultetit, me kolege, me mjek të cilët kishin përvojë, me infermiere.
Ku mendoni se qëndron suksesi i rezultateve të profesionit të mjekut?
Brezi im mori kulturën profesionale nga pedagogë që kanë studiuar jashtë shtetit,= dhe u bënë themelues të shërbimeve mjekësore në Shqipëri. Prej tyre u edukuam si mjeke, por edhe mësuam se puna në grup, është çelësi i sukseseve. Dua të them se sado i zoti të jetë një mjek, në rastin tim një pediatre, nëse nuk do të funksionojë si duhet grupi i punës, gjërat mbesin pa zgjidhje. Mjeku ka nevojë për analiza dhe laborantja e rregullt dhe e zonja, e monitoron mjeken. Edhe infermierja po ashtu. Ne lëshojmë recetën, plotësojmë kartelën. Pacienti është pacient. Janë fare pak nëna që lexojnë kartelën dhe ndjekin me kujdes se sa me korrektesë i zbatojnë rekomandimet infermieret. Kështu që jo pak ndikim në këtë drejtim, kanë edhe infermieret.
Ato japin ilaçet, ndjekin orarin e bërjes së serumit, fusin në serum ilaçet, masin temperaturën e pacientit, bëjnë qetësues, njoftojnë mjekun e rojës e, shumë të tjera, pa kaluar në ndikimin që kanë infermieret në sallën e reanimacionit. Meqë jemi në këtë pike, më duhet të them se gjatë gjitha viteve, kam punuar me infermiere shumë serioze dhe të pasionuara. Mukadesi, Xhemile Keçi, që sot është kryeinfermiere, Sofie Arapi dhe të tjera, janë aq të zonjat, saqë pa merakun më të vogël, zëvendësojnë mjeken. Kanë qenë shumë korrekte, të sakta, të gatshme dhe me etikë komunikimi. Të palodhura dhe gjithnjë të qeshura. Më kanë lehtësuar ngarkesën dhe vështirësitë. I kam ndarë me to gëzimet dhe hidhërimet.
Duke qenë pediatre reanimatore jeni ndeshur edhe me raste të humbjes së jetës së fëmijëve?
Për shumë vite vdekshmërisë foshnjore, iu vu kujdes i veçantë. Për të qenë të sinqertë, edhe pse kishte shumë burokracira dhe një pjesë e kërkesave ishin absurde, duhet thënë se masat shtrënguese dhanë efekte shumë të mirë. Gjithandej u ulën rastet e vdekjeve të fëmijëve 0-1 vjeç. Kjo moshë rriskohet nga një sërë të papriturash, ndaj pediatri lypset të jetë gjithnjë i kujdesshëm dhe i saktë. Çdo vdekje në atë periudhë, para viteve 1990, shoqërohej me oponencë të fortë dhe me autopsi. Mjekësia është profesion shumë i vështirë, ndërsa peridatria edhe më shumë se aq. Vet e zgjodha pediatrinë për specializim dhe po vet vendosa të vijojë specializimin tjetër, për pediatre reanimatore.
Këtë e bëra ngase ndieja një kënaqësi të jashtëzakonshme, kur arrinim të mbanim në jetë fëmijë, që kishin bërë më shumë se gjysmën e rrugës drejt vdekjes. Nuk jemi dorëzuar kurrë dhe kemi luftuar deri në pikën e fundit. Edhe atëherë kur kemi qenë të pafuqishëm, për ta mbajtur gjallë. Sa herë që kapërcenim situata të tilla, përqafoheshim mes bluzave të bardha, nxirrnim lot gëzimi, kërcenim pa kontroll fare, lëshonim tinguj të fortë që shprehnin kënaqësi të madhe. Herë vetëm mes nesh, mjeke e infermiere, herë edhe në prani të prindërve. Ka ndodhur që kemi luftuar fyt për fyt me vdekjen, dhe nënat, baballarët na kanë parë. Kanë qëndruar aty pranë nesh.
Kanë qarë ata, kemi qarë edhe ne. Edhe pse fatkeq, kanë gjetur kurajon dhe janë rikthyer tek ne, duke na shtrënguar duart dhe duke na falenderuar për gjithçka kemi bërë, edhe pse fëmija, nuk ka mundur të jetojë. I kemi përcjellë deri jashtë spitali dhe jemi kthyer të përlotur. Gjykatësi më i mirë për punën e mjekut, është familjari, nëna, babai, të afërmit. Asnjëherë, kurrë, nuk ka ndodhur që fëmija i sëmurë, të shikohej si burim fitimi për ne mjekët. Asokohe kjo frymë ekzistonte. Dhe jo nga frika. Ishte pjesë e formimit. Pedagogët tanë ishin të rreptë. Ishin maja e majës së mjekësisë shqiptare. Ata nuk bliheshin dhe as nuk shiteshin. Pra nota tyre ishte e padiskutueshme. Me këtë formim u edukuam të gjithë ne mjekët dhe infermierët e brezit tim. Memorie.al