Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / Këto ditë nga mjetet e informacionit, u informova se shkolla 9-vjeçare “Avni Rustemi”, ishte strukturuar. Ndjeva kënaqësi, si ish – 8 – vjeçarja ime, e brezit tim. M’u rikthye 1 shtatori, dita e parë e shkollës, që pas ‘90-tës, në kohët e sotme, të tjera janë ato që konsiderohen si dita e pare, më të cilën nis viti shkollor. Përjashtim bënte vetëm në ajo ditë qëllonte e dielë, dita e parë ishte 2 shtatori. 1 shtatori shqiptar i traditës, i ka mbetur historisë, nostalgjisë.
Shkolla 8-vjeçare “Avni Rustemi”
E ndërtuar në fillim të viteve ‘60-të, shkolla 8-vjeçare, me tre kate, shtrirje lindje-perëndim. Me dy hyrje për në sheshet e saj, nga veriu dhe tjetra anësore nga perëndimi. Me dy fusha basketbolli, volejbolli, një palestër në katin e pare, në fund të korridorit majtas, dhe nga ana tjetër, dhomat e punës me metal, e me dru, përballë njëra-tjetrës. Hyrja kryesore në shkollë ishte nga ana ballore saj, disa shkallë, një strehë e gjatë majtas-djathtas, një shesh i vogël, sapo futeshe, dhe muret ku vendosej orari, stenda e të dalluarve, njoftimet. Pastaj korridoret, majtas e djathtas, me klasat.
Disa shkallë për t’u ngjitur, në dy katet e tjera, me të njëjtën strukturë. Në të dytin ishte drejtoria, salla e mësuesve. Njëra nga pastrueset, një mësues dezhurni, o një nxënës, në çdo fillim, fund ‘45-minutëshi, të pushimit të madh, përdorte zilen, një manuale dore. Mësimi në shkollë ishte, nga e hëna, në të shtunë. Në start të çdo dite shkollore ishte gjimnastika e mëngjesit, që zhvillohej në oborr. Mbyllej dera, e nëse dikush vinte me vonesë, qëndronte jashtë dhe pas një vërejtje, që të mos e përsëriste, e lejonin të futej në mësim. Pastaj klasat futeshin në shkollë, diku nisur nga e majta, me të 5-tën A.
Në orën 8, binte zilja, të gjithë në banka, të ulur në pritje të mësuesit, zyshës, që kur futej përshëndeste, dhe nxënësit të ngritur në këmbë, e falnderonin. Orët ishin 45 minuta, pushimi i vogël 5 dhe i madhi, 30 minuta. Në mesditë në orën 13.30, apo 14.00, fillonte mësimi i ciklit të ulët, me klasat fillore.
1 shtatori, dita e parë e shkollës
Shkolla fillonte me 1 shtator, dhe kishte tre simestre, siç quheshin. I pari deri me 24 dhjetor. Pushim deri me 11 janar, dita e Shpalljes së Republikës, pas të cilit niste simestri i dytë, deri në mars, dhe i treti, deri në mbyllje të vitit shkollor, fundi i majit. Një javë para se të niste shkolla, pasi ishin kthyer nga pushimet, plazhi, kampet ditore, ato verore, me prindërit shkonim te “Dyqani i librit shkollor”, në fillim të Rrugës së “Elbasanit”, për të marrë e blerë librat, dhe kinkalerinë e duhur, që nuk kushtonin. Librat që nuk ishin aty, na i jepnin kur niste mësimi (Ata që i kishin mbajtur mirë librin në fund të vitit, e dorëzonin, dhe drejtoria e shkollës ia shpërndante nxënësve të vitit tjetër).
Kështu edhe me ato të gjuhës angleze, që pas rusishtes, ishte viti i parë që aplikohej në disa shkolla. Ne të “Avni Rustemit”, ishim me fat në këtë drejtim. Kujtoj fletoret 4-lekëshe, me katrore dhe vija, për matematikë dhe gjuhë-letërsi. Ndërsa, deri në klasën e tretë, konsideroheshim “Fatosa”, në të katërtën, pas betimit, marrjes së shallit, ishim “Pionierë”. Kështu, shkonim te “Dyqani i Pionierit”, që ndodhej në fillim të bulevardit, pas reklamave, te ish-Komitetit Ekzekutiv, për të blerë veshjen. Me përparësen e zezë, jakën e bardhë, shallin, pantallona të shkurtra, me një tufë lule, kjo ishte paraqitja me 1 shtator, ditën e parë të shkollës. Ndërkohë ishte bërë regjistrimi, ishte caktuar zysha apo mësuesi kujdestar, nxënësit, jo më shumë se 35 për çdo klasë.
Në të pestën, takoheshin ata që vinin nga cikli i ulët i asaj shkolle, por edhe nga shkollat e tjera përreth. Ndërsa deri në të katërtën, një mësuese jepte të gjitha lëndët, në të pestën e në vijim ato ndryshonin, sipas lëndëve. Te ajo shkollë kam kryer tetëvjeçaren nga viti 1966, deri më 1970. Nga dita e parë e saj, deri në të fundit, nga e pesta C, që shkruhej sipër derës, në katin e parë, djathtas, me dritare nga fusha e volejbollit, deri në të fundit, e teta C, edhe kjo në atë vendosje. Më pas në bankat e asaj shkolle, kanë shërbyer, aty janë ulur fëmijë nga e njëjta familje, vëllezër, motra të afërm. Deri edhe fëmijët tanë.
Zyshat, mësuesit dhe regjistri
Nostalgji, respekt, vlerësim i madh kur i kujtoj, ndonëse pjesa më e madhe e tyre, nuk jetojnë. Banues në afërsi të shkollës, nga Petraq Kosova, mësuesin e paharruar të Gjeografisë, tejet korrekt, në orën e tij ishte qetësi absolute, me një zë karakteristik, tipik mësues. Përdorte një çantë lëkure dhe në shpjegim, mbante në dorë një shkop të gjatë. “Nuk mbahet shtëpia me miell hua”,- thoshte kur dikush, tentonte t’i tregonte atij që ishte ngritur në tabelë. Vizhdan Demirin, zysha e paharruar Gjeografisë. Ora e mësimit me të, kalonte pa u kuptuar, e prisnim me kënaqësi. Ramazan Shkodra, i Muzikës, kur i kërkonim të na tregonte ndonjë histori me partizane, e linte muzikën, rrëfente me lot në sy. Njeri shumë i mirë. Lilika Naçon e Matematikës, që kur një nxënës në dërrasë, nuk e zgjidhte mirë ose gabim, ekuacionin, e godiste me shkumës për ta trembur, tërhequr vëmendjen, të bënte kujdes.
I donte t’ja zgjidhnin shkurt, dhe jo gjatë. Tejet energjike. Evri Andoni, e Botanikës. Zyshat e Fizikës: Donika Muka, volejbolliste e njohur e “Dinamos” dhe e Kombëtares. Në klasë të shtatë, erdhi Sadete Çuçi drejtoreshë, (deputete e Kuvendit Popullor), e cila ishte shumë serioze. E ndërronte veshjen çdo ditë. Kasjani Bumçi, zysha e Gjuhës, pastaj Nevart Thoma, (Piranian) e Fizikës, me origjinë hebreje, me të vëllain Nubar, nxënës, paralele me ne. Ato të Anglishtes: Lirika Dino, Diana Turkeshi, Hatixhe Agalliu. Për herë të parë një lëndë e re, Gjuha e huaj, anglisht. “What i’ts your name”! Ndaheshim në dy grupe. Pak kohë qëndroi Lirika, pasi u largua në një ambasadë. Erdhi Tatjana Klosi, e gjatë, me një bishtalec të veçantë.
Eleni Buda, (gruaja e profesorit Aleks Buda, kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë), në Gjuhë. Në Letërsi, zysh Marta, trupgjatë. Vangjeli Çomora, (gruaja e shkrimtarit Spiro Çomora), në Vizatim, lëndë që praktikohej vetëm në klasën e pestë. Në drekë, ndodhte që pas mësimit, merrte në telefon babain tim: “Profesor, djali Uvili, nuk e pëlqen vizatimin, më del nga ora e mësimit”- i thoshte. Një grua, një mësuese e traditës, e mrekullueshmet. Violeta Avdiu, ajo e Historisë, shumë serioze, me dy vajzat e saj, te “Avni Rustemi”. Një mësues, emri i të cilit nuk më kujtohet, që e kritikuan se shkonte fshehurazi në kishë. Gjinovefa, zysha e “Punë shtëpiake”, Merushe Cami, një bionde, Agim Gjakova, (shkrimtari i njohur me origjinë nga Kosova), pastaj Meti, Aliu, Riza Lofca, të punës me dru e metal. Violeta Gjergji, (gruaja e këngëtarit të njohur, Nikolin Gjergji), ishte ajo që organizonte çdo eveniment artistik.
Drejtonte korin e shkollës, përgatitjet, përzgjedhjen e nxënësve. Pastaj ato të fizkulturës: Pal Mirashi, Uran Alite, Donika Parapani (Konomi). Pa harruar drejtorët legjendarë: Shefqet Tirana, (i pari), Stefan Poga, Sadete Çuçi, shumë njerëzor, të respektuar, të dashur, komunikues, kështu i kujtoj edhe sot, kur dilnin para shkollës, për të komunikuar diçka, apo përshëndetjen e 1 shtatorit, etj. Me to edhe nëndrejtoreshat. Në vitet që vijuan, të tjerë mësues iu shtuan shkollës, emra, të njohur, Violeta Cami, Drita Mula, Liri Shala, Flutura Thaçi, Dhurata Hakani, Dhurata Laze, Adelina Mullisi, Bukuroshe Shtiza, Liza Mema, Arben Alimehmeti me gruan e tij, etj.
Regjistri: e “8-ta – C”
Sa emocion, kishte kur mësuesi, zyshat futeshin në klasë me regjistrin në dorë. Ishte ai dokument zyrtar, që lidhte mësues-nxënës. E vendosnin mbi tryezë, e hapnin në lëndën e tyre, apeli dhe në thirrja e nxënësit në dërrasë të zezë. Kishte raste kur dërgonin një nga nxënësit, për ta marrë apo, për ta lënë në sallën e mësuesit. E paharruar gjithashtu gërma “m”, që vihej nga mësuesi gjatë apelit, në një katror të faqes së lëndës së tij. Kjo në raste kur nxënësi, mungonte. Me tre “m”, bëhej problem, ku ato ishin të pajustifikuara.
Klasa, nga e pesta, tek e teta, C
Në një bankë dërrase, që i hapej kapaku për të futur çantën, me dy nxënës, djem o vajza, pa përcaktim, detyrim, por një zgjedhje e lirë. Fëmijë të sjellshëm, nga familje të mira, modeste, të dashur, të shoqërueshëm dhe pa xhelozi me njëri tjetrin. Nga rreshti i dritares: Ardian Gazi, Ajdin Shoshi, Albert Carka, Shyqyri Cullhai, Vasil Gaqi (që me brisk, bënte një kuadrat të vogël, për të parë, duke gërvishtur, hequr bojën me të cilën lyheshin xhamat, që nxënësi të mos shihte nga jashtë), Fatos Sopoti, Mimoza Dibra, Vasilika Panteqi, Ilia Coka, Dritan Korça, Ilir Zajmi, Arjan Bakiri.
Në mes: Nazmi Bardhi, Arben Sazani, Ismail Bogdani, Enrik Laku, Ingrid Lamlika, Violeta Sina, Pranvera Misha, Elsa Karanxha, Uvil Zajmi, Sulejman Starova, Vexhie Rushiti, Vera Maloku. Nga muri: Irakli Dhales, Fatmir Leli, Maks Çeku, Ilir Karanxha, Zana Lofca, Yllka Papajorgji, Violeta Elmazi, Vjollca Iftica, Tatjana Anastasi, Shkëlqim Fortuzi, Stefan Semi. Disa prej tyre, fatkeqësisht janë ndarë nga jeta. Në klasë, ishim dy Zajmi, me baballarë, me të njëjtin emër, Nexhmedin dhe që banonin afër. Po kështu edhe Karanxha, Ilir dhe Elsa. Të gjithë nxënësit na bashkonte “Rruga e Durrësit”, ajo e “Kavajës”, dhe rrugicat, rrugët që i lidhnin ato.
Orët e mësimit
Pas apelit, të gjithë me sytë si lëvizte stilolapsi i zyshës, mësuesit, në fletën e regjistrit, nga sipër poshtë. Kur dora e tij ishte në mes, ata në krye, duket se i kishin shpëtuar ngritjes në mësim, rrezikonin ata në fund. Kishte raste kur dora kthehej sërish në fillim, të tjera emocione. Pastaj me dy nxënës, njëri pas tjetrit, që ngriheshin në dërrasë të zezë, ndërsa pjesa e dytë e orës, i takonte mësuesve të shpjegonte mësimin e ri. Befasi ishin provimet e papritura, që zhvillonte mësuesi i lëndës. Mjafton të thoshte: “Sot kemi provim”, duke na ndarë në dy grupe, A dhe B. Me pyetje nga lënda e ditës dhe ato para saj. Në fund të çdo simestri në mësim, më shumë ngriheshin ata që kishin dy nota, pasi për notën mestarë, duhet të kishe të paktën tre nota. 5-sa, ishte nota e mjaftë për kalim.
Pas shumë vitesh me notat nga 1 deri në 5, sistemi i ri i vlerësimit të nxënësit kishte ndryshuar nga 4 te 10-ta. Me shumë kënaqësi pritej ora e Muzikës, Vizatimit, Punës me dru, e me metal, sepse ishin pa ngarkesë dhe argëtuese. Të Punës me dru dhe metal, alternoheshin, një herë në javë dhe të pandara dyorëshe, ndryshe nga lëndët e tjera. Por mbi të gjitha ajo e Fizkulturës, dy herë në javë, për të cilën merrnim kanotiere dhe atlete nga shtëpia. Ta kishe të premten, të shtunën orët e fundit, ishte mirë, pasi në orët e tjera, sidomos në të parat vishu-zhvishu, pastaj në mësim, nuk preferohej. Po kështu edhe me Matematikë, Fizikë, Gjuhë, t’i kishe në orët e fundit e në fundjavë, ishte lodhëse.
Detyrat e shtëpisë ishin një tjetër detaj i paharruar, i asaj 8-vjeçareje. Kur ato ishin të vështira, në mesditë, shkonim sa tek një shok, shoqe, tek tjetri, për t’i zgjidhur. Kujtoj nxënëset e nxënësit e mirë, si; Pranvera Misha, Moza Dibra, Vasilika Panteqi, Bert Carka, Ilia Coka, Sul Starova, etj. Në mjaft raste, shkonim herët në mëngjes, në orën 7 në shkollë, për të bërë detyrat, kur nuk i kishim zgjidhur për t’u përgatitur, kur kishim provim të lajmëruar, apo ndonjë temë të vështirë. Por edhe në shtëpi, kur duhet të përsërisnim mësimet, ishin prindërit që na zgjonin shumë herët.
Skuadër futbolli, basketbolli
Shkolla kishte edhe skuadrën e futbollit, me Arjan Bakirin në portë, Adrian Gazin, Tikën si mbrojtës i majtë, Genc Shahun, një mik tonin, Fred Noshi, futbollistin këngëtar, Shkëlqim Fortuzin, Ber Carkën, e fortë, Sulejman Stroavën, kapitenin, ndonëse në rrethana të ndryshme, ishte Carka që merret atë rol. Këto ishin lojtarë bazë të skuadrës së shkollës. Krijuam skuadrën e basketbollit të shkollës, dhe në pushimin e madh, zhvillonim ndeshje midis klasave, ku të pranishëm ishin të gjithë nxënësit dhe mësuesit. Çfarë rivaliteti, atmosfere, entuziazmi. E prisnim me padurim zilen e orës së tretë dhe të gjithë me vrap, në fushën e basketbollit. Për të siguruar një vend në pesëshe, nuk ishte e lehtë, pasi kishte rivalitet. Luanim mirë, nga Starova, Mir Leli, Ilia Coka, Bert Carka dhe unë, që nuk luaja keq. Që të siguroje pesëshen, duhet të dilje në stërvitje individuale, në mesditë ose, pas së mësimit, te oborri i shkollës. Trajnerë ishin mësuesit.
C.D.V.
Tre gërma të paharruara, të cilat nxënësi i ngritur në dërrasën e zezë, në orën e Matematikës, në përfundim të ushtrimin, shkruante CDV. “Çfarë deshëm vërtetuam”, ishte nënkuptimi i tyre. C.D.V., konfirmonte përgatitjen e nxënësit, saktësinë në përgjigje të ekuacionit, problemit matematikor. Ishte detyrim që të vendosje C.D.V.-në, me gërma të mëdha shtypi.
Patrulla e pionierit
Dy fëmijë të çdo klase, dilnin mbas dite si patrullë në orarin e studimit në zonën e banimit dhe pak më larg, për të kontrolluar se kush nga nxënësit ishte duke luajtur, kur ora e studimit ishte 15.00-17.00. Ky orar ishte për ata që zhvillonin mësimin paradite dhe 8-12, për ata që kishin mësimin në mesditë. Të nesërmen, “Patrulla e pionierit”, raportonte te mësuesi kujdestar, i cili njoftonte prindërit e nxënësit, i kapur nga patrulla. Kjo më shumë për ata që ishin dobët me mësime, kishte kujdestari, kur një nxënës i mirë, i caktuar nga zysha kujdestare, shkonte në shtëpinë e tij, ose e kundërta. Kishte raste që kjo praktikë, organizohej në mesditë, në një klasë të shkollës.
Takim me prindër
Asgjë nuk ishte më e vështirë se ajo ditë, ora 5-6, të enjteve, një herë në dy javë, kur prindërit ishin të detyruar të shkonin në shkollë, të informoheshin për ecurinë e fëmijës në mësime, sjellje, dhe mungesa gjithashtu. Takimi zhvillohej në klasë, në raste të veçanta, i kërkuar nga mësuesi kujdestar, nxënësi shoqërohej edhe nga prindi. Kujtoj Ajdin Shoshin, të cilit i vinte daja në një orë mësimit, si të qëllonte, ai në këmbë, në dërrasën e zezë, me dajën që e kritikonte, një farë “gjyqi” për të. Pritja, kthimi i prindërve në shtëpi, shpesh nuk kalonte lehtë, varej nga paraqitja, informacioni, që kishte marrë nga mësuesit. Kritika, dhe premtimi për një angazhim maksimal në vijim. “Thyerja me notë në sjellje” nuk praktikohej në ato nivele. Nxënës me principe të qarta për moshën, të edukuar. Po kështu edhe raportet shkollë-familje, të cilët që njiheshin, kishin afërsi banimi.
Provimet e Lirimit
Kështu janë njohur. Zhvilloheshin në përfundim të klasës së tetë. Në tri lëndë: Letërsi me hartim, Matematike me shkrim dhe me gojë dhe Gjuhë shqipe. Pyetjet jepeshin kohë më parë dhe vetëm një javë përgatitje, nga dita kur përfundonte shkolla. Një notë e mirë në provim, të rregullonte mesataren e asaj lënde. Çdo provim bëhej, një herë në tre ditë. Ditën e provimit, të gjithë nxënësit e klasave të teta, rreshtoheshin para shkolle, dhe futeshin sipas listave emërore.
Mësuesja e kujdestare shoqëronte nxënësit, ndërsa komisioni përbëhej nga tre mësues, njëri detyrimisht i lëndës. Pasi merrje tezën, uleshe në bankë dhe sipas radhës, nxënësi përgjigjej para komisionit. Një javë më vonë, merreshin dëftesat, një fletëshe, ku përveç lëndëve me nota, aty jepej edhe një karakteristikë e shkurtër për nxënësin, sjella e tij gjatë vitit, vlerësuar me notë. Me një shkrim të vogël në dëftesë shkruhej: “Nota e mjaftë për kalim, është 5”.
Lënda e Ekonomisë Shtëpiake dhe Puna me dru e me metal
Kujtoj që zhvillohej edhe një lëndë e quajtur; Ekonomi Shtëpiake, ku trajtoheshin tema interesante që nxënësit i ndiqnin më vëmendje e dëshirë, si gatime, qepje kopsash, arnime, etj. Një kapitull interesant ishte Higjena, Edukata Qytetare, Punë me dru, me metal, lëndë vetëm një herë në javë, ato konsideroheshin orare pa impenjim. Klasa ndahej në dy grupe, njëri në Punë me dru, tjetër me metal. Alternohshim. Kujtoj gjithashtu dezhurnin e klasës: Duhet të shkoje herët, kur në ditët e ftohta, merrnim dru nga shtëpia për të ndezur zjarrin e sobës, që kur të vinin nxënësit, ajo të ishte e ngrohtë.
Të pastroje, sistemoje bankat, pastroje dërrasën e zezë, të vendosje shkumësat, fshirësen, etj. Bashkë me dezhurnin e shkollës, kur atë ditë nuk merrje pjesë në mësim dhe paradite qëndroje te dera kryesore e shkollës, në pritje për t’i rënë ziles të fillimit dhe mbarimit të orëve të mësimit. Rivaliteti me klasat e tjera. Në mësime, në shfaqje, në orët e Muzikës, ato të Fizkulturës, tabelën e të dalluarve, kujtoj Pranvera Mishën, Moza Dibrën, Vjollca Bibën, Ermira Gjatën, Vasilika Panteqin, e shumë të tjerë. Në një konkurs të organizuar midis shkollave 8-vjeçare, për Letërsinë, që u zhvillua në Pallatin e Pionierëve, u shpallëm fitues të Tiranës.
Ne ishim tre, por mbetëm dy…!
Ka qenë 1 shtator 1966. Unë vija nga shkolla “Naim Frashëri”, dhe në ditën e parë te “Avni Rustemi” më drejtuan në klasë, e 5-ta C, e fundit në katin e pare, nga e djathta, me dritaret nga perëndimi. Banka e parafundit, rreshti mesit, ulem, në pritje kush do të ulej aty. Pas pak në klasë futet një djalë, dhe me drejtohet: “E lirë është”? “Po”- i them. Ulet dhe pyetja e parë: “Si e ke emrin”? – “Uvil Zajmi”, i them. – “po ti”? – “Sulejman Starova”, më thotë. – “Nga cila shkollë vjen”? – “Nga “Naim Frashëri”, “po ti”? – “Nga “Hasan Vogli”, më përgjigjet, duke vijuar: “Me cilën skuadër je tifoz”? – “Me ‘Partizanin’”, “po ti”? – “Me Tiranën”.
Ky ishte prezantimi, komunikimi, njohja me Sulejman Starovën. Nga ajo kohë edhe sot, na mban, na lidh dhe nuk na ndan 1 shtatori “avnirustemist” i vitit 1966. Në klasën e shtatë, u bashkuam me të 7-n “A”. Aty u njohëm edhe me Arjan Bakirin. U afruam, unë, Starova dhe ai. Starova me Arjanin, banon afër njëri-tjetrit, Arjani te pallati përballë ambasadës jugosllave dhe Starova, në rrugicën “Sotir Peci”, Unë përballë Kishës Katolike, te “Rruga e Kavajës”. Një miqësi që vazhdoi edhe pas klasës së tetë, kur u ndamë. Ata në “Mjeshtërinë Sportive”, unë në Politeknikum. Arjani, (i cili punoi për shumë vite, para dhe pas ’90-ës, në Radio-Televizionin Shqiptar), fatkeqësisht ndërroi jetë, disa vite më parë, pas një ataku në zemër. Një djalë i mrekullueshëm.
Nga këngët kineze, te ‘Hit Parade’ e Lutazit dhe Led Zepelin
Një aventurë e nisur, kur në shkollë, në orën e Muzikës, përgatiteshim, mësonim këngë kineze, pa ja ditur përmbajtjen. “Lindja është e kuqe”, që kujtoj edhe sot. Provat gjenerale i bënim në Pallatin e Sportit “Partizani”. Pastaj ‘Hit Parade’, një ritual në katër vitet e shkollës, e lidhur me këtë emision të famshëm radiofonik në Radio 2. Interesimi fillonte ditën e parë të shkollës, kur vraponim për të parë orarin e mësimeve, sa orë kishim të hënë e të premte, vetëm për të ndjekur Hit Parade, e Lelio Lutazit, me zërin e tij karakteristik, të zgjatur: “Hiiiiitt Pareiiiiid”. Të premten orë 12.40, dhe të hënën përsëritja, në 13.20, me 10 disqet e shituar atë javë në Itali. Motra e Sulejman Starovës, Didari, inxhiniere, nga Hit Parade, merrte dhe shkruante tekstet italisht të këngëve dhe Sul Starova na i sillte në klasë.
Brenda orës së mësimit, nga një dorë, bangë, tek tjetra, fshehurazi nga mësuesja, thuajse e kishim kopjuar. Fletë pa fund me tekste këngësh, të cilat i ruaj edhe sot. Kujtoj këngët nga “Casa Bianca” të Don Bakit e Mariza Sanias, “Un’modo d’amor” e Xhani Morandit suksese të viteve 1965-‘66, te “Quanto t’amo” e Xhoni Hollideit, historia e dashurisë së me Silvi Varto. Kishte raste që ‘Hit Parade’, e dëgjonim edhe fshehurazi në klasë, me një radio dore, që e merrte Stefan Semi, ja kishin sjellë nga Amerika. “Çfarë bën Stefan, m’i prishe nxënësit”- i bërtiste ajo. Pastaj emisionet radiofonike të mëngjesit, si; “Il matiniere, “Canzoni dell mattino”, “Caffe canzioni e poche rige”, ato në mesditë: “Per voi Giovanni”,”Cara Rai”, në mbrëmje, “Supersonic”, “Alto gradimento”, “La Corrida”.
Janë vite që televizori është i rrallë në Tiranë, mbizotëronte radioja. Shkurt 1970, prisnim të niste ora e katërt, në klasë po këndonim “Chi non lavora, non fa l’amore”, te Celentanos, që sapo kishte fituar Sanremon, Starova në podiumin e tavolinës së mësuesit, këndonte: “Chi non lavora, -ne shoqëronim – non fa l’amore”. Papritur, hapet dera, futet zysh Sadete Çuçi, çfarë situate. Ndaluam, heshtëm: “Ti, – iu drejtua Starovës, – shko në sallën e mësuesit dhe merr disa shkumësa”, ndërsa me ne vazhdoi, duke na folur ashpër. “Ju nxënës, e dini për çfarë flitet në këtë këngë|, na pyeti? “Ai bën fjalë për pakënaqësinë e popullit, ndaj shfrytëzimit të egër kapitalist”- na tha dhe u largua.
Nuk e bëri problem. Një këngë që e kishte kritikuar edhe “Zëri i Popullit”. Ndiqnim Radio-Pragën, me këngë sipas kërkesave të emigrantëve italianë. Çdo ditë, ora 13.00-14.00, të shtunë e të diel, 13.00-16.00. Pa iu ndarë emisionit “Tutto il calcio minuto për minuto”, të dielën në mesditë. Natën vonë, të paharruara: Radio Montecarlo dhe Radio Luxemburg, me këngë të kohës, muzikë rock e blues, që vazhdonte deri në orën 4 të mëngjesit. Na ndihmonte edhe anglishtja. Te shtëpia e Ajdin Shoshit, djem dhe vajza, organizonim mbrëmje, me një magnetofon me shirita, me këngë shqiptare. Në shkollë jo, se nuk na lejonin. Edhe sinjali ynë, u morr nga kënga; “Black dog” e Robert Plant, e solistit të grupit të famshëm, Led Zepelin. Ishte Arjan Bakiri, që filloi ta përdorte dhe në pak kohë u bë sinjali për ne të tre. Edhe sot e vërshëllej me kënaqësi. Apo grupi Slade, bashkë me këngëtarët, komplekset italiane të muzikës së lehtë.
Nga sporti, arti, politika, biznesi, etj.
Edhe sot kujtoj me shumë nostalgji, shumë nga mësuesit e mësueset e asaj shkolle: Nga i pari, mësuesi i paharruar i Fizkulturës, Pal Mirashi, ish-futbollist i Kombëtares, kampion Ballkani 1946, që kur nuk kalonim kaluçin, zgjatnim dorën dhe si dënim, na “godiste” me rripin e bilbilit. I jashtëzakonshëm, ruaj kujtime të mrekullueshme. Uran Alite, volejbollstin e njohur të “17 Nëntorit” dhe kombëtares. Në pushimin e madh, organizonte ndeshje volejbolli: nga njëra fushë 6 nxënës, dhe në tjetër, ai me një pasues, duke më zgjedhur mua. Sa bukur e kalonim. Pastaj ata nxënës që kanë përfunduar mësimet aty. Sulejman Starova, ish-futbollist i “Partizanit” dhe Kombëtares, trajner, sekretar i FSHF-së, opnionist, njeri shumëdimensional. Igli Tare, Erion Bogdani, lojtarë të famshëm, protagonistë, të ekipit kombëtar, titullar në klubet e njohura italiane të Serisë A.
Futbollistët Millan Baçi, kapiteni i njohur i “17 Nëntorit”, dhe Kombëtares, Shpëtim Duro edhe ky lojtar i shquar i “Partizanit”, më pas trajner elite dhe i suksesshëm. Për të vijuar me legjendaren e basketbollit të “17 Nëntorit” dhe kombëtares, Edra dhe motrën e saj, Mirza Alibegaj, basketbollistin Sokol Bellova te “Dinamos” e përfaqësueses; Aktorët, artistët, Ndriçim Xhepa, imazh i dhjetëra filmave artistikë të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”. Agim Bajkon me Marjana Kondin, aktorë e shquar të humorit, personazhe karizmatik në skenat, rolet me karakter të tillë. Shoumen-in unik, Robert Aliaj, piktoren dhe restauratoren Anila N. Zajmi. Mjekët nga Ilia Coka, Silvana Celiku-Velçani, Arben Demiri, Alekandër Hoxha; Darina Siliqi, sot në Francë.
Bankierët Artan Santo, Li-Min Çaçi, biznesmenin e ndërtimit Luigj Paloka, Enrik Laku. Njerëz të shkencës, profesorë ish-“avnirustemsa”: Ardian Vehbiu, gjuhëtar i njohur, Niko Qafoku shkencëtar, sot në SHBA-ës, Vasilika Panteqin, etj. Për të ardhur tek ata të politikës shqiptare: Genc Ruli, profesor dhe politikan nga të parët; Genc Pollo, politikan karriere; Arben Imami, aktor i njohur dhe politikan gjithashtu; Ilir Dashi, edhe ky një tjetër politikan, biznesmen i suksesshëm, i ndarë nga jeta në moshë të re duke lënë lënë pas “My way” të Frank Sinatrës, këngën e preferuar të tij. Ka edhe të tjerë “avnirustemsa”, të famshëm, të njohur, me kontribute që mund t’i shtohen kësaj liste, por janë aq shumë, sa nuk mjafton një shkrim për ta. Memorie.al