Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ publikon dëshmitë e kolonel Idriz Seit Sadikaj, ish-ushtarak i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i Mehmet Shehut, që nga periudha e fëmijërisë, kur ishin shokë të ngushtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, i cili në vitin 1982 u dënua me 10 vjet burg politik, si dhe dëshmitë e ish-oficerëve madhorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë shërbyer shumë vjet pranë ish-sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hysni Kapo, që mbulonte organet e ‘Diktaturës së Proletariatit’, si: Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sigurimin e Shtetit, Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Gjykatat, Hetuesinë, Prokurorinë, etj. Dëshmitë e rralla të tyre mbi misteret e vdekjes së Hysni Kapos në Paris, akuzën e Vitos drejtuar Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, si dhe skenarin e mundshëm të Enver Hoxhës për eliminimin e Kapos dhe Shehut që në vitin 1973, kur Hoxha kaloi një infarkt të rëndë dhe jeta e tij u vu në pikëpyetje, e për atë gjë, ai fillimisht bëri fajtor mjekët e tij që i’a kishte sugjeruar dhe afruar Hysni Kapo!
“Në shtatorin e vitit 1979, pasi u mësua lajmi i vdekjes së Hysni Kapos, në një nga klinikat mjekësore të Parisit, ku ai ishte i shtruar prej pak ditësh dhe kurohej nga një sëmundje e rëndë, menjëherë bashkëshortja e tij Vito Kapo, takoi ministrin e Punëve të Brendshëm, Kadri Hazbiun dhe mes lotëve e ngashërimeve i`u drejtua atij duke i bërtitur: ‘Pse ma helmuat Hysniun?!’ Pas kësaj akuze shumë të fortë e tepër tronditëse që ajo hodhi ndaj tij, ministri Hazbiu krejt i përmbajtur dhe i qetë i` u përgjigj: ‘Çfarë ke që më drejtohesh mua, pse nuk i thua atij…’?! Me fjalën ‘atij’, Hazbiu e kishte fjalën për Enver Hoxhën. Nënteksti i përgjigjes së Kadri Hazbiut, njeriut të rafinuar dhe inteligjent, i cili kishte drejtuar organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimin e Shtetit që nga viti 1949, ishte më se i qartë për bashkëshorten e Hysni Kapos, që deri në atë kohë ishte numri ‘dy’ i Shqipërisë komuniste dhe konsiderohej si një nga njerëzit kryesorë dhe më të mundshëm që do të zëvendësonte Enver Hoxhën pas vdekjes së tij.
Ajo përgjigje fare e shkurtër që Kadri Hazbiu i dha Vito Kapos kundrejt akuzës së saj, fliste shumë! Hazbiu nuk e pohoi që bashkëshortin e saj, Hysni Kapon e kishin helmuar, por as e mohoi atë gjë! Por ai duke shfajësuar veten se nuk kishte gisht, apo se nuk ishte i implikuar në atë për të cilën e akuzonte Vitua, dashur pa dashur, i linte asaj të kuptonte se: ai nuk kishte ndonjë vërejtje për akuzën e saj, por adresa ishte e gabuar dhe ajo akuzë duhej drejtuar jo ndaj tij, por mbi Enver Hoxhën”.
Kështu shprehej mes të tjerash koloneli në pension dhe ish-i burgosuri politik, Idriz Seit Sadikaj, në dëshmitë e tij me rrëfimin e bujshëm mbi misterin e vdekjes së Hysni Kapos, njeriut më të fuqishëm të shtetit komunist shqiptar që prej vitesh, mbante postin e Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njeriu më i besuar i Enver Hoxhës, (si sekretar i Komitetit Qendror, ai kishte detyrë funksionale kontrollin mbi organet e Diktaturës së Proletariatit, Ministrinë e Brendshme, të Mbrojtjes, Prokurorinë, Hetuesinë, etj.), e cila bëhet publike nga Memorie.al.
Kush ishte Idriz Seit Sadikaj?
Idriz Seiti u lind në prill të vitit 1918 në fshatin Çorush të Mallakastrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij, e cila që prej tre brezash, kishin emigruar në Turqi. Shkollën fillore ai e ndoqi në fshatin e tij dhe teksa kulloste bagëtitë në kodrat përreth, ai lexonte librat e Naim Frashërit, që i merrte në bibliotekën e pasur të familjes së madhe të Shehut të Çorushit, pasi me të birin e tij, Mehmetin, ishin shokë të ngushtë. Në vitin 1932, pas një sherri në fshatin e tij, Çorush, i cili përfundoi me vrasje, Idrizi e mori përsipër fajin dhe gjyqi e dënoi me 21 vite burg, nga të cilat ai vuajti shtatë vite, në burgun e Beratit, nga ku doli vetëm në prillin e vitit 1939 kur u hapën dyert e burgjeve, pas agresionit fashist Italian ndaj Shqipërisë së Mbretit Zog.
Gjatë shtatë viteve të vuajtjes së dënimit, Idrizi qëndroi pranë Kadri bej Cakranit dhe Enver bej Risilisë, të cilët e mbanin afër dhe i jepnin atij vazhdimisht libra, nga biblioteka personale që ata kishin në burg. Lidhur me këtë periudhë kohe, që Idrizi qëndroi pranë dy bejlerëve të pasur, ai shprehet se: ‘ajo ka qenë një shkollë shumë e madhe për mua’.
Në pranverën e vitit 1939, Idrizi së bashku me dy shokët që i kishte pasur në burg, kosovarin Mustafa Bajgora dhe boshnjakun Idriz Zenuni, tentuan të krijonin një çetë për të luftuar kundra italianëve, por nuk i’a arritën dot qëllimit që i kishin vënë vetes. Në vitin 1939, një bashkëfshatar i tij, e morri me vete dhe e futi në punë në ndërtimin e Rrugës së Kërrabës dhe në ndërtim banesash, në Tiranë.
Më pas ai punoi disa kohë edhe në ndërtimin e Fushës së Aviacionit, në qytetin e Kuçovës dhe në Portin e Durrësit, si përkthyes me italianët. Pas një rrahje me italianët që nuk e paguan, ai u dënua dhe bëri pesë muaj burg. Pas daljes nga burgu, miku i tij, Ministri pa Portofol, Beqir Valteri, e njoftoi se e kërkonin përsëri italianët, për t’a dënuar dhe ai u detyrua e doli në mal, duke u bashkuar me Çetën e Pezës që e komandonte, Babë Myslymi.
Më pas ai shkoi në fshatin e tij në Çorush të Mallakastrës, ku ngriti një çetë të vogël komite, me të cilën bëri disa aksione. Në vitin 1941, ai u akuzua se kishte gisht në vrasjen e Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, dhe për këtë gjë, vazhdoi që të ndiqej nga qeveria që e kishte shpallur person në kërkim.
Në gushtin e vitit 1942, pas kthimit të shokut të tij të ngushtë, Mehmet Shehut nga Franca, Idrizi u bashkua me të, duke u bërë krahu i djathtë i tij, si zv/komandant batalioni në Brigadën e Parë Sulmuese, (ku kishte dhe gruan e tij, si zv/komisare kompanie), që u formua në Vithkuq të Korçës, në gushtin e vitit 1943.
Gjatë periudhës së Luftës, idrizi kreu disa “detyra speciale” që i’a ngarkoi Mehmet Shehu dhe për ato, ai u falenderua edhe nga Enver Hoxha. Pas mbarimit të Luftës, deri në vitin 1949, Idrizi shërbeu në Ushtri dhe më pas kaloi në organet e Ministrisë së punëve të Brendshme si oficer madhor i Sigurimit të Shtetit, duke u caktuar edhe si “Kryetar i Grupit Special, i oficerëve të kësaj ministrie, të cilët dolën nëpër male, të maskuar si “Grupet e rezistencës Antikomuniste”. Gjatë asaj kohe, ai drejtoi lojën e njohur, “Fronti i Rezistencës” dhe morri pjesë personalisht në kapjen dhe arrestimin e Zenel Shehut, Hamit Matjanit, Sul Selimes dhe shumë eksponentëve të tjerë të njohur të rezistencës antikomuniste.
Pas vitit 1955, kur u eliminuan të ashtuquajturat “Bandat e reaksionit”, Idrizi u emërua si Kryetar i Degës së Brendshme, fillimisht në Kukës, në Lezhë dhe në Peshkopi, ku arriti deri në gradën e kolonelit. Deri në vitin 1981, Idriz Seiti shërbeu në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si ‘Kryetar i Degës së XII-të’, e cila ishte një nga detyrat më delikate që kishte ajo ministri, (për ekzekutimin dhe groposjen e personave dhe grupeve antiparti), detyra që cilësoheshin si “Tepër sekrete të një rëndësie të veçantë”.
Në vitin 1981, pak kohë pas ngjarjes me Mehmet Shehun, Idrizi Seiti u lirua nga detyra dhe në janarin e vitit 1982, ai u arrestua, duke u akuzuar si “bashkëpunëtori më i ngushtë i ish-kryeministrit Mehmet Shehu”. Nisur nga legjendat që qarkullonin asokohe për rrezikshmërinë e tij, arrestimi i Idrizit u krye me tank dhe forca speciale të Gardës së Republikës. Pasi doli në gjyq, Idrisi u dënua me dhjetë vite burg, të cilat i vuajti kryesisht në burgun e Burrelit, (ku herë pas here i shkruante letra Enver Hoxhës), prej nga ku u lirua vetëm në marsin e vitit 1991, me të fundit të burgosur politik që lanë burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.
“Implikimi armiqësor” i Mehmetit dhe Hysniut!
Zanafilla e ‘sebepit’ që Enver Hoxha ‘u kap’ për goditjen e Hysni Kapos, zë fill që nga koha e Luftës, ose më saktë që në qershorin e vitit 1942, kur në mbledhjen e Partisë Komuniste Shqiptare që u mbajt në fshatin Labinot të Elbasanit, dy emisarët jugosllavë që ishin atashuar pranë PKSH-së dhe kreut të saj, Enver Hoxhës, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, urdhëruan Mehmet Shehun që të likuidonte fizikisht, dy krerët e Grupit Komunist të të Rinjve, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, të cilët ishin pretendentët kryesorë për vendin e kreut të Partisë, (atë të Sekretarit të Përgjithshëm të PKSH-së), i cili ishte lënë vakant që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit 1941, për t`u zgjedhur më pas, në bazë të meritave që do të kishin krerët kryesorë të Komitetit Qendror të përkohshëm, që doli nga ajo mbledhje.
Ky vendim i Konferencës së PKSH-së për eliminimin fizik të “Qorrit” (Anastas Lula) e “Xhepit” (Sadik Premtja), në bazë të statutit të partisë, do t`u dërgohej për njoftim të gjitha celulave të Partisë Komuniste Shqiptare, që ta punonin atë, por ky vendim nuk u punua asnjëherë në celulat e partisë, gjë e cila hedh hije dyshimi se ai vendim nuk ka qenë i Konferencës së PKSH-së, por personalisht i Enver Hoxhës, për të eliminuar kundërshtarët e tij brenda partisë, Lulën dhe Premten, të cilët ai i shikonte si rivalë për t`i zinin vendin e kreut të partisë.
Këtë vendim për eliminimin fizik të Sadik Premtes, (Anastas Lula u ekzekutua në marsin e 1943-it), të cilin Enver Hoxha e quante fraksionistë, ai i`ua ngarkoi Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos, në majin e 1943-it.
Por Mehmeti me Hysniun, sipas letrës që u dërgoi Enver Hoxha, nuk do të eliminonin fizikisht, (duke i ekzekutuar pa gjyq) vetëm Sadik Premten, por në atë kohë, ata do të likuidonin dhe disa mbështetës e përkrahës të tij të Qarkorit Komunist të Vlorës, si Pali Terovën, të deleguarin e Komitetit Qendror në Vlorë, si dhe Neki Ymerin (me pseudonimin “Vangjo”) e Xhemil Çakërrin, që ishin në funksionet e komandantit dhe komisarit të “Çetës Plakë” të Vlorës. Po përse Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo nuk e zbatuan urdhrin e Enver Hoxhës për eliminimin fizik të Sadik Premtes?/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016