Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të vitit 1961 të nxjerrë nga një dosje voluminoze nga ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku gjenden informacione të ndryshme nga ambasadat shqiptare në disa vende të Europës Lindore të cilat informojnë Ministrinë e Jashtme në Tiranë dhe Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ato që thuheshin dhe komentoheshin në vendet ku ato ishin akredituar, për gjyqin ndaj “Komplotistëve” me në krye Teme Sejkon, që po zhvillohej në Tiranë. Çfarë thuhet në raportin e Këshilltarit të ambasadës shqiptare në Moskë, Gac Mazi, lidhur me bisedën që ai kishte bërë me dy diplomatë të huaj në pritjen e dhënë nga ambasada daneze dhe çfarë i kishin thënë ata atij, lidhur me gjyqin ndaj Teme Sejkos dhe akuzat e bëra nga ana e tyre për Enver Hoxhën dhe udhëheqjen e lartë të PPSH-së…?!
Në tre pjesët e kaluara të këtij shkrimi të botuar nga Memorie.al u njohëm me historinë se si dhe pse u inskenua “Grupi komplotist çam”, zhvillimin e procesit hetimor ndaj Taho Sejkos dhe gjithashtu zhvillimin e gjyqit ndaj “Komplotit çam” të kryesuar prej, Kundër admiralit të Flotës Luftarake-Detare, gjeneral-major, Teme Sejkos. Gjatë zhvillimit të procesit hetimor ndaj grupit çam, i cili akuzohej për “lidhje me agjenturat e disa vendeve perëndimore, me qëllim përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri”, u përdorën lloj-lloj torturash ndaj të arrestuarve që nuk pranoi akuzat. Një ndër ata të arrestuar që nuk u thye nga presionet dhe torturat që iu bënë në Hetuesi, ishte dhe Taho Sejko, i cili së bashku me vëllanë e tij, Temen, konsideroheshin si koka e grupit armiqësor. Si hetues i Tahos, në fillim u caktua nënkolonel Stavri Madhi, i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit të Tiranës, i cili pasi nuk mundi që ta detyronte dot atë të firmoste akt-akuzën që i bëhej, ai u hoq dhe në vend të tij u caktua Ferhat Matohiti. Por edhe Matohiti nuk e zbërtheu dot Tahon, i cili nuk mund t’i duronte dot torturat, i ra murit të qelisë me kokë, duke humbur kujtesën përgjithmonë. Si rezultat i kësaj, Taho ishte i vetmi që nuk doli në gjyqin e “Komplotistëve çamë” dhe në relacionin që Kadri Hazbiu i dërgonte Enver Hoxhës, ai i shkruante, se: “mos paraqitja e Tahos në gjyq, e rrezikonte dorëzimin e procesit hetimor në afatin e caktuar e gjithashtu do të dobësonte në një farë mënyrë edhe procesin gjyqësor”. Pak kohë para përfundimit të procesit hetimor, pa asnjë lloj motivacioni, u shkarkua nga detyra e nënkryetarit të Gjykatës së Lartë, nënkolonel Mustafa Qilimi, të cilit, Rita Marko, i bëri presion për ta arrestuar duke i thënë se ishte shok i Tahir Demit. Gjyqi ndaj “Komplotistëve çamë” filloi më 18 maj të vitit 1961 në sallën e Kinemasë së Brigadave dhe ai drejtohej nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti dhe anëtarë të tij ishin: gjeneral-major Muharrem Kokomani, kolonel Bejto Isufi, kolonel Sotir Spiro dhe Hilmi Telegrafi.
Falsitetin e atij gjyqi të montuar dhe inskenuar nga Kadri Hazbiu dhe sovjetikët, e ka pranuar dhe vetë Enver Hoxha në Plenumin e Komitetit Qendror të PPSH-së të mbajtur më 13 tetor 1982 kur ai ishte duke goditur Kadri Hazbiun, ku mes të tjerash ai u shpreh: “Vetë çështja e Teme Sejkos, është e mbushur me një mister. Në tablonë sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu, unë thashë se nuk e kam të qartë Komplotin e Teme Sejkos dhe ç’ rol ka luajtur Mehmet Shehu në të. Na ishte thënë se ky ishte një komplot i organizuar nga agjentura greko-amerikane e jugosllave e lidhur me Flotën e 6 Amerikane në Mesdhe. Kur folëm ne në Kongresin e katërt për këtë komplot, sovjetikët bënë sikur u alarmuan, madje Gomulka na propozoi që të na dërgonin një komision nga Traktati i Varshavës, gjë që ia hodhëm poshtë. Në letrën që më dërgoje ti, Kadri, u shpejtove të më shpjegoje problemin e Teme Sejkos, duke u përpjekur të bësh dhe provokacione. Kjo letër me të vërtetë ma sqaroi problemin, por jo në atë drejtim që doje ti. Tani unë e kam të qartë atë që fsheh ti. Ky komplot i Teme Sejkos ishte i organizuar nga sovjetikët, nga Mehmet Shehu, etj, që ti Kadri nuk i zë fare në gojë në këtë letër. Mbasi ne po përgatisnim sulmin për në Mbledhjen e Partive Komuniste Punëtore në Moskë, ata na kërcënuan, por duke parë vendosmërinë tonë ata organizuan me agjenturën e tyre, Mehmet Shehun e kompani, të ashtuquajturin komplot të Teme Sejkos se gjoja vendi ynë do të sulmohej nga Flota e 6 amerikane me mbështetjen e grekëve dhe jugosllavëve. Me fjalë të tjera sovjetikët na thoshin: Mos bëni shaka të na largoni bazën ushtarake nga Pashalimani, se sulmi është gati për të shkatërruar Shqipërinë dhe na e keni nevojën”.
Sa më sipër, duket se ka qenë vetëm një shfajësim i Enver Hoxhës, apo më saktë një “larje duarsh”, pasi që në atë kohë ai ka pasur në dispozicion të gjitha raportet që i vinin nga Bashkimi Sovjetik dhe vende të tjera të Lindjes Komuniste, të cilat protestuan lidhur me atë gjyq farsë që po zhvillohej në Tiranë. Një prej tyre është dhe ky dokument që Memorie.al po publikon prej disa numrash në vijim të historisë së “Komplotit çam” me në krye Teme Sejkon.
Vijon nga numri i kaluar
Letra e diplomatit shqiptare nga Moskë për Komitetin Qendror
INFORMACION MBI TAKIMIN ME KËSHILLTARËT E PARË TË AMBASADËS RUMUNE DHE BULLGARE STAN DHE MOMÇEV ME RASTIN E NJË PRITJE NË AMBASADËN DANEZE ME datën 4.VI.1961
Në këtë takim ato kërkuan të informohen se ku kisha qenë për një kohë, sipas tyre të gjatë, që nuk më kishin parë. Për këtë interesim të tyre e dija që më parë, dhe i thashë se kam qenë këtu dhe me shërbim.
Fill menjëherë rumuni filloj nga puna dhe tha: Si po ju shkon ai gjyqi juaj në Tiranë? Unë fillova dhe i shpjegova. Ai tha; Jam në dijeni, por ky gjyq është i trilluar nga Partia e juaj. Keni nxjerrë një Kundëradmiral aty, dhe kërkoni të bëni zhurmë me këtë. I gjithë Kampi është çudit kur ka thënë Enver Hoxha në Kongres, që kanë dash me na ra jugosllavët, grekët dhe Flota e VI-të. Shtetet që bëjnë pjesë në marrëveshjen e Varshavës, e morën vesh vetëm nga Kongresi, dhe u vunë në pozitë të keqe. Kjo është krejtësisht e pabesueshme. Deri tani nuk del asnjë fakt për këto çka deklaruar Enver Hoxha.
Mbasi ia shpjegova edhe njëherë me fakte, çështjen e gjyqit, fakte të cilat nga ana e dokumenteve që disponojmë vërtetohen nga ana juridike, i bëra një pyetje. Nëse keni lexuar materialet e gjyqit, a ju ka rënë një sy njëfarë Panajot Plaku?
Ai tha, po, por edhe për këtë është shpifje, dhe fill vazhdoi: Partia juaj ka bërë një fushatë të madhe kundër elementëve që kanë dash me gjithë shpirt Bashkimin Sovjetik. Kështu keni nxjerrë jashtë dhe keni internuar atë vajzën, Belishovën, me burrin e saj, e sa të tjera.
Mbasi ju thashë se masat e Partisë kanë qenë, janë dhe do të jenë të rrepta, karshi armiqve të marksizëm-leninizmit, i bana edhe këtë pyetje. Përse udhëheqësit e disa shteteve socialiste i fusnin nën sqetull, dhe i mbrojnë kaq shumë armiqtë e marksizëm-leninizmit, revizionistët, tradhtarët e vendit tonë.
Përse ka kaq ndërhyrje për të tillë elementë, që njihen botërisht si armiq. Për çfarë iu duhen këto element? Ai duke mos mundur me iu përgjigj kësaj, tha: Shikojeni udhëheqjen tuaj se nuk asht në rregull. Tani se ajo ka çka nga marksizëm-leninizmi. Në Byronë Politike tuajën ka vetëm dy punëtorë, forcën e ka marrë inteligjenca.
Mbasi i shpjegova se si kjo udhëheqje dhe personalisht shoku Enver, që në kohërat e vështira kur hordhitë nazistë ishin tek portat e Moskës, krijuam Partinë Komuniste Shqiptare e udhëhoqën popullin në luftë dhe sot në ndërtim, vazhdova:
D.m.th. që ju kërkoni të eliminoni udhëheqjen tonë e të vijnë në fuqi ata që udhëheqësit tuaj i kanë nën sqetull? D.m.th. armiqtë e Partisë? Kjo s’do të bëhet kurrë tek ne. Ju ndërroni ato tuajat siç e keni metodë, por neve shumë mirë i kemi ato tonat, dhe është kot që ndonjë nga udhëheqësit e demokracive të mendojnë për ndërrim tek ne, sepse kjo nuk do të bëhet kurrë.
Në vazhdim të kësaj, ky tha: Udhëheqja juaj e ka prish miqësinë me Bashkimin Sovjetik. Enver Hoxha ka fol shumë keq për Bashkimin Sovjetik në Konferencën e Moskës, gjithashtu edhe Beqir Balluku në mbledhjen e Varshavës. Ju jeni sjellë shumë keq me specialistët dhe ushtarakët në Shqipëri, udhëheqja juaj nuk i çmon ndihmat e Bashkimit Sovjetik. Po ta dijë populli juaj këtë, ai brenda ditës e ndërron udhëheqjen.
Për këtë i shpjegova gjatë se si është kalit dhe forcue miqësia e popullit tonë me popujt e Bashkimit Sovjetik, dhe kush asht faktori i kësaj miqësie dhe se me gjithë këto presione që po na bahen në të gjitha drejtimet, populli i ynë din ta ndajë të mirën nga e keqja.
Pas kësaj vazhdova. Kur i gjithë populli ynë nën udhëheqjen e Partisë u ngrit në këmbë që në fillim, dhe luftoi pa ndërprerje deri në çlirim, kur komunistët dhe pa parti binin në fushën e nderit me emrin e Partisë Bolshevike dhe të Stalinit, divizionet rumune dhe bullgare luftonin në jug të Bashkimit Sovjetik bashkë me gjermanët kundra Ushtrisë së Kuqe.
Divizionet rumune në Krime kanë bërë krime të mëdha. Këtë historia nuk e harron. Nga ana tjetër, asnjë fishek i asnjë shqiptari nuk është drejtuar nga populli dhe Ushtria Sovjetike, por përkrah sovjetikëve në fronte të ndryshme në Shqipëri dhe në Jugosllavi, dhe ato në fronte të tjera kemi luftuar të njëjtit armik, pra ju nuk mund ta doni më fort se Partia dhe populli ynë Bashkimin Sovjetik dhe popullin sovjetik, me të cilin kemi derdh gjak të përbashkët për të njëjtin qëllim.
Ju e doni me fjalë Bashkimin Sovjetik, ne e duam me punë dhe konkretisht se historia do ta tregojë më vonë, etj.
Në këtë kohë rumuni tha: Ti po na ofendon, dhe kjo është e rëndë, neve të tjera kondita kemi pasur gjatë Luftës.
Kur juve ju thuhen fakte, ofendoheni, por kur gënjeni, shpifni, dhe ndërhyni në punët e brendshme të tjerëve, nuk është ofendim?!
…Për sa i përket asaj që thatë, se po i diti populli këto çështje, rrëzon udhëheqjen, mos u bëni merak. Partia dhe populli i ynë dinë çdo gjë. Partia e ka informuar, por gjithmonë drejt ashtu siç janë faktet. Ndryshe i keni informuar ju dhe tjetër komunistët dhe populli tuaj.
Ja keni treguar të vërtetën komunistëve, i keni mshef faktet. Shumë ju preokupon udhëheqja jonë dhe shumë po përpiqeni për ndërrimin e saj, pse i tërë ky interesim?!
Ju thoni se i din populli, po atë të bazës dhe të teknikëve që janë sjell keq me to, dhe që nuk keni pranue propozimet e Bashkimit Sovjetik për bazën, a e din populli?
Mbasi i fola për këtë, i bana pyetjet: Simbas jush, sigurisht se ju ka informuar Partia, si e cilësoni heqjen e teknikëve dhe të bazës?
Bullgari tha: Ju keni marinarë të mirë dhe me shkollë, ato tuajat i kanë prishur mjetet, pra duhesh që t’i jepeshin të gjitha mjetet ekuipazheve sovjetike.
D.m.th. edhe komandën, sovjetikëvet?
Po, doemos, me prue edhe marinarë të tjerë sovjetik? Po domosdo, shqiptarët mos me pasë asnjë të drejtë për Flotën?
Po domosdo.
Me ja lëshue krejt territorin?
Po.
Kjo çfarë do të thotë simbas teje. Në vendin tonë e mos me pas asnjë të drejtë ne?! Kjo bazë amerikane nuk është. Kjo është bazë e kampit nën komandën tonë. Të ishte në Bullgari, do të ishte nën komandën bullgare, në Rumani nën atë rumune e kështu me radhë. Po si e cilësoni tani që e kanë heq bazën sovjetikët?
Shumë të drejtë.
D.m.th. jeni dakord.
Partitë tona kanë qenë dakord që në Moskë, në mbledhjen e Traktatit të Varshavës.
Për këtë i fola se çfarë ishte Bukureshti dhe çfarë mbledhja e Komitetit të Varshavës në Moskë. Këtu ata u munduan të argumentonin, por s’dinin çfarë të thonin dhe rumuni kur u zu keq, tha: “A ai Gomulka, çfarë kritike të fortë, të mirë dhe parimore i bani Enverit në mbledhjen e Moskës. Ai e njihte mirë Enverin. Enveri s’bani za!
Partia e jonë na ka mësue se kur revizionistët, armiqtë e marksizëm-leninizmit na kritikojnë, ose shajnë, atëhere ne jemi në rregull. Të na kishte lavdëruar Gomulka do të ishte më keq.
Ti d.m.th. që Gomulka është revisionist?
Ai është i tëri krye revizionist.
Ju keni shpif edhe për ambasadorin tuaj në Poloni që kanë dash me e vra, tamam atje keni fillua hapat.
Edhe për këtë i fola dhe ja shpjegova. Këtu i thashë, që ka vende socialiste që japin strehim politik qytetarëve të një vendi tjetër socialist.
Ato menjëherë përmenden atasheun tregtar të ambasadës sonë në Çekosllovaki dhe thanë: Partia dhe qeveria çeke, shumë mirë ka vepruar.
Po partitë tuaja do vepronin kështu?
Patjetër. Ne i japim strehim politik çdo komunisti të vërtetë që është në kundërshtim me vijën e Enver Hoxhës, ashtu siç i japim të gjithë komunistëve të çdo vendi tjetër. Çdo komunist mund të vijnë tek ne. Po ju në Shqipëri a jepni strehim politik?
Ne as kemi dhënë dhe as që mendojmë të japim qytetarëve të çdo veni socialist, dhe ne s’do të jepnim, dhe nëse do të jepnim, s’do vepronim siç veprojnë amerikanët dhe revizionistët.
Duke vazhduar bisedën ata thanë që juve jeni kundra deklaratës, tani jeni vetëm, dhe i jeni mbështet Kinës. Kështu ka fillue dhe Jugosllavia në fillim.
Në përgjigje që i thashë për këto probleme i përmenda fakte, duke filluar t’i kujtojë edhe njëherë Bukureshtin, Moskën, etj. Dhe në fund i thashë që udhëheqja jonë as është puth dhe as do të puthet me revizionistët e Beogradit, siç bëjnë disa udhëheqsa të vendeve socialiste. Për revizionizmin i fola përsëri.
Në fund ato m’u drejtuan se: ne për ty kemi një simpati të veçantë. Ti qysh se ke ardhë, jemi njoft, dhe të kemi dashur shumë. Ti je djalë I mirë dhe njëqind përkëdhelje, dhe në fund, gjys direkt, ata më ftuan nëse dëshirohesha strehim politik që të vete tek rumunët, ose bullgarët.
Edhe për këtë i dhashë përgjigje dhe i thashë, ju nuk gjeni të çara për ta fut thikën tek asnjë shqiptar. Ne jemi me vijën e Partisë tonë, jemi me marksizëm-leninizmin, dhe ju këshilloj të këqyrni veten me që nuk jeni aspak në rregull. Historia dhe faktet do e tregojnë. Në këtë kohë erdhi një sovjetik, ne ndërpremë bisedën dhe u ndamë./Memorie.al
K E SH I LL T A R I
Gac Mazi
Moskë, 11 .VI.1961
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016