Nga Visar Zhiti
Memorie.al/ Ka patur një kohë paradoksale, të pabesueshme dhe të rëndë, aspak të largët, madje ngjitur me tonën si pas një muri tashmë të shembur, kur në Shqipëri dënoheshin shkrimtarë e artistë, libra, lexues, drama, festivale këngësh, ngrehin bibliotekash, madje dhe vetë metafora, edhe pse duket e pamundur të arrestohet një figurë letrare, duke shkuar deri në dënime varre shkrimtarësh. Goditeshin vandalisht realiteti përballë dhe kolonat e traditës, gjithçka që dilte kundër sundimit të fitimtarëve të pas Luftës II-të Botërore, utopisë së tyre me doktrinë gjysmake, socializmit real, asaj diktature që gjakonte me gjak të krijonte rendin e ri të njeriut të ri. Dhe më përpara se të hapeshin universitete, u hapën burgje. Shqipëria ishte vendi më i vogël në perandorinë komuniste me diktaturën më të madhe në Europë, ku u provuan të gjitha: komplotet e heshtjes vrastare, zhbërjet, larje kolektive trush, internime, burgosje, pushkatime, madje dhe krijuesi suprem, vetë Zoti, u ndalua, pasi u shembën tempujt e besimeve dhe kulteve. Ndërkohë diktatura kultivonte shkrimtarët e saj, artistët e vet dhe i mirëmbante ata ashtu si policinë, fabrikat apo fermat, ndërkaq duke bërë zëvendësimin e Zotit me vetveten dhe kishat e xhamitë me komitetet e partisë dhe ekzekutive.
Në fund të fundit, dhuna permanente ushtrohej po me intelektualë, jo vetëm me policë, me propagandistë, me shkrimtarë dhe veprat të tyre në shërbim të ideokracisë dhe sistemit totalitar. Njohja e së keqes, studimi i saj tani, institucioni i kujtesës janë të domosdoshëm, për t’u njohur e kaluara, historia jonë dhe e vërteta jonë, pra vetja si individ dhe kolektiv, që shumëçka të shndërrohet në përvojë dhe vizion, me qëllim që të mos përsëriten diktaturat dhe e ardhmja të bëhet sa më shpejt e tashme. Kundërshtimet e mëdha, ndarjet, disidenca, martirizimet, revoltat, diksioneri i qëndrestarëve, deri dhe te viktimat, jo vetëm që meritojnë nderim, por shërbejnë dhe si mësim i mekanizmit të madhërishëm të kundërveprimit ndaj makinerisë së përbindshme të dhunës dhe tjetërsimit çnjerëzor. Të kujtojmë. Kemi 20 vjet që kujtojmë me mençuri, duke (ri)edukuar kohën tonë.
Fitimtarët e tmerrshëm…!
Menjëherë sa erdhën në pushtet fitimtarët, pas 1944, teatrot dhe kinematë ekzistuese i shndërruan në salla gjyqesh. Në skenën e Teatrit Kombëtar u vendos trupi gjykues, jo me aktorë, por me komisarë dhe komandantë të luftës, përballë intelektualë, deputetë, gazetarë e shkrimtarë mes tyre, patriotë, etj., ata që ishin kundërshtarë, por që sistemi i shihte dhe i trajtonte si armiq që duheshin vrarë. Në lozha të teatrit rrinte Enver Hoxha, ndiqte gjyqin dhe ndoshta, teksa dora zgjatej për monoklin, kapte revolverin. Në altoparlantët jashtë në rrugë dëgjohej gjyqi si gjëmim, formë e re kërcënimi. Dënohen me pushkatim: Kol Tromara, Fejzi Alizoti, Javer Hurshiti, Konstandin Kote, Hilmi Leka, Sejfulla Merlika, Ismail Golemi, Terenc Toçi, Zef Kadarja, Shyqri Borshi, Beqir Valteri, Bahri Omari, Dik Cami, Aqif Përmeti, Daut Çarçani, Gustav Mirdashi…!
Me burgime të rënda: Koço Kota, Vrioni… Cara, Leskoviku… Jakov Mile, Mihal Zallari, Lazer Radi… Gjergj Bubani, Libohova… etj., etj. Duartrokitje si batareja e plotonit të pushkatimit. Vazhdojnë vrasjet: Dom Ndre Zadeja… Intelektuali i lartë Xhevat Korça vendos të vdesë në burgun e Burrelit me grevë urie, e para grevë në komunizmin e këtushëm. Ndërkaq poetit Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i fundit”, madje i propozuar dhe për Çmimin “Nobel”, do t’i prishin varrin dhe do i’a hidhnin eshtrat në lumin Drin. Ngaqë kishte qenë prift anti bolshevik dhe nacionalist, s’duhej të ishte as i vdekur. Edhe autori i romanit të parë shqiptar Dom Ndoc Nikaj, u fut në burg në moshën 82-vjeçare si kundërshtar i regjimit dhe vdiq po në burg pas 5 vjetësh. Dhe tragjediani Et’hem Haxhiademin e helmojnë një javë para lirimit.
Madhështia e qëndresës
Megjithatë “Shqipëria që shtypej” ruajti dinjitetin, guxoi dhe u ngrit. Kryengritja e Postribës më 1946. Këtu u kap dhe poeti Martin Camaj, që do të arratisej për në Gjermani, sipas dëshmisë së poetit të burgosur politik Pano Taçi. Vetëm 19 ditë ishte ajo që bota e quan Revolucioni Hungarez i 1956-ës, ndërsa maleve të Shqipërisë do të vazhdonin të qëndronin me armë në dorë Gjomarkajt, Mirakajt, Bajraktarët, Melyshët, Kolët, Sulkurtët, Merlikajt, Kazazët, Lleshanakët dhe betejat e tyre do të zgjasnin 10 vjet. Përrenjtë sillnin dhe gjakun e tyre. Në burg çuan dhe autorin e librit të parë me kritika, shkrimtarin Mitrush Kuteli, themelues i tregimit modern shqiptar së bashku me Ernest Koliqin, por ky i dyti i shpëtoi dënimit, u arratis në Itali, ku themeloi në Romë katedrën universitare të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Por në atdhe u dënua vepra e tij, u ndalua dhe dënohej lexuesi i tyre. Po edhe ai i dënoi diktaturën komuniste duke shkruar dramën e mrekullueshme “Rrajët lëvizin”, ku si një antioruellian, me të cilin ishte moshatar, parashikoi, si asnjë shkrimtar tjetër, rënien e komunizmit, që e filloi tatëpjetën pothuaj kur ai e profetizoi.
Edhe gruan e parë shkrimtare, Musine Kokalari, e lauruar në Romë, disidenten e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste, themeluese e një partie demokratike, e burgosën, më pas e internuan, punoi si punëtore në ndërtim dhe vdiq e vetmuar, ndërsa kamioni i llaçit, pa funeral, e hodhi në gropën e hapur për të. Poeti dhe studiuesi, profesor Arshi Pipa, kundërshtar i hapur, pasi doli nga burgu, u arratis bashkë me poezitë e tij, i kishte shkruar fshehurazi në letra të holla cigaresh, i gjithë libri ishte më i vogël se një kuti shkrepëseje. E botoi në Romë më 1959. Në burg futën dhe drejtorin e parë të radios shqiptare, gazetarin dhe përkthyesin, Gjergj Bubani. Edhe autori i operës së parë që u vu në skenë pas luftës, Preng Jakova, pasi i vranë vëllanë si kundërshtar, kurse atë e liruan si moshë e vogël, do të mbetej gjithë jetën me maninë e persekutimit derisa vrau veten.
Në burg ishin përkthyesit e mëdhenj të Homerit, Dantes. I Shekspirit nuk u kthye kurrë nga Amerika.Shkrimtari Kasëm Trebeshina, “më i njohuri i të panjohurve” siç e ka cilësuar përkthyesi i tij në gjermanisht, Hans Joackim Lancksh, ende nuk e ka botuar dot të plotë veprën e tij të shkruar burgjeve dhe internimeve. Ai luftoi si partizan, por u nda nga diktatura e fitimtarëve, madje la studimet përgjysmë në Bashkim Sovjetik se u neverit nga realizmi socialist dhe e kthyen në atdhe si të çmendur. Kundërshton që të votojë dhe kërkon t’i jepet leje të ikë nga Shqipëria. Meqenëse çmendina ishte më e mirë se burgu, Trebeshinën e fusnin herë pas here në burg, por ai nuk nënshtrohej dhe as sot nuk i ka ikur zemërimi me të gjithë. U lodh së qeni shqiptar dhe befas shpallet se është turk. Siç thashë, këtu dënoheshin dhe libra, edhe kur ishin letërsi e përkthyer po nga vetë sistemi, ndaloheshin sipas konjukturave për shembull, Remarku, Hemingueji, Shollohovi, Mopasani, madje dhe Go Mo Zho, etj., nxirreshin nga qarkullimi për arsye ideologjike dhe bashkë me libra të tjera nga letërsia shqipe, të traditës ose të porsa botuar gabim dhe çoheshin në fabrika për t’u ricikluar në letër.
Ndodhte që punëtorët vidhnin ndonjë, unë ende ruaj libra të tillë në bibliotekën time, nuk m’i gjetën kur më arrestuan dhe mua për metaforat, se nuk lejohej hermetizmi i tyre, shumëkuptimësia e dëmshme, se përçonte ide të fshehta kundërshtuese. Më dënuan me 10 vjet burg. Aktekspertizuesit e poezisë time ishin dy anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve, që zbuluan se nxinin realitetin dhe shpesh aludonin hapur kundër udhëheqjes së partisë dhe sistemit socialist.
Perspektivë dhe retrospektivë:
I ndihmuar nga distanca kohore dhe nga vizionet e reja që të jep liria, unë them tani se shkrimtarët dhe artistët shqiptarë kanë qenë të dënuar në mënyrë gjenerale: një pjesë e ndjeshme, si kundërshtarë, duke i futur burgjeve, duke u ndaluar veprën dhe duke mos i lejuar të shkruajnë a vrarë dhe pjesa tjetër u mbyllën në metodën e realizmit socialist, duke krijuar letërsi propagandistike, mashtruese dhe lajka për sistemin, derisa u tjetërsuan, në viktima fatlume, po i quaj. Mediokriteti kështu ishte dënim po aq i rëndë, por për letërsinë dhe kulturën, jo për autorët e tij të privilegjuar. Prandaj dhe poeti qiellor shqiptar, liriku i mrekullueshëm Lasgush Poradeci vendosi të mos shkruante më. Ai thuri poemën e mallkuar të heshtjes së vet dhe për të mbijetuar, përkthente Gëten, Hajnen, Pushkinin, por edhe Brehtin. Nga klasikët e vdekur lejohej ndonjë gjë. Madje një hebre shqiptar, Robert Shvarc, guxoi dhe përktheu nga Brehti “Marshi i viçave” si i shkruar posaçërisht për këtu: Dhe viçat pas daulles/ hedhin çapin/ lëkurën për daulle/ vetë e japin.
Është paradoksale dhe shtirje naive të besosh që në diktaturë, me mungesë të tmerrshme lirie, mund të bëhen vepra të mëdha. Regjimet totalitare e racionojnë lirinë ashtu si ushqimet e përditshme. Cave ua heqin lirinë fare dhe ndocave, të përzgjedhur dhe këta, u japin më tepër se racioni. Pse? Që të shkruajnë për të bërë alibinë e diktaturës ndaj botës jashtë dhe ndaj së ardhmes. Pati shkrimtarë në komunizëm që ditën ta shfrytëzojnë këtë kusht dhe kjo është arsyeja kryesore që dhe në diktaturë arrihen të bëhen vepra jetëgjata, të cilat ndodhte t’u jepeshin që t’i përkthenin të burgosur pa emër dhe shteti ua ofronte që të botoheshin në vende të tjera si maskë politike e diktaturës, që ajo të mos dukej aq e keqe. Dhe shpenzimet merreshin nga puna e papaguar e të burgosurve nëpër minierat infernale, ku ishin dhe kolegë të tyre, por me shenjën minus.
Me shpërbërjen e perandorisë komuniste dhe me rënien e diktaturave të saj, Shqipëria zbuloi një letërsi tjetër, e rroposur, që vinte nga nëntoka, por që dukej se kishte dalë të priste në të ardhmen. Letërsia tjetër po sillte dëshminë e saj dhe vlera artistike të tjera dhe nuk kërkoi të përzërë ç’ka qenë vlerë, por për të sjellë vetveten. Dolën vepra nga burgjet, erdhën nga balta e internimeve, i nxorën nga sirtarët e brejtur nga koha. Shqipëria e mrekulluar pa se paskësh patur, edhe pse ilegale, disidencë, kundërshtarë, martirë, jo vetëm viktima, të cilat edhe ato ndërgjegjësoheshin në burg.
Persekutimi frymëzoi dhe tragjeditë e antikitetit grek e shkrimet e shenjta. Na trondit së thelli aq sa revoltat ajo që kanë shkruar poetët e pushkatuar, aq të rinj në moshë, Trifon Xhagjika, që pasi recitoi në gjyqin e tij “Atdheu është lakuriq”, në fjalën e tij të fundit kërkoi, si altelier që ishte, një top, që t’i binte Komitetit Qendror. Poeti Bedri Blloshmi edhe para pushkatimit refuzoi kërkesën për t’u bërë bashkëpunëtor, më mirë baltë, u tha, se sa me ju. I varuri i fundit në perandorinë komuniste është bashkëvuajtësi ynë Havzi Nela, ai kishte shkruar në burg poezi për Helsinkin dhe të drejta e njeriut, kur këtu jashtë burgut nuk i dinin ç’ishin këto. I burgosuri politik Astrit Delvina ka ende romane në dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe polemikat e tij kundër socrealizmit në hetuesi. Por ai ka vdekur që t’i kërkojë dhe në vendin tonë të vdekurit harrohen shpejt. Letërsisë shqipe i’u shtuan veprat monumentale të kujtesës të At Zef Pllumit dhe Amik Kasoruhos, nga Fatos Lubonja e Marsen Bungo, nga Pjetër Arbnori e Agim Musta, Engjëll Çoba e Spartak Ngjela, Jorgo Bllaci e Pano Taçi, Uran Kalakulla e Zyhdi Morava, Ahmet Kolgjini, Ylber Merdani e Leka Tasi, Frederik Rreshpja, Henrik Gjoka e Eugjen Mërlika, Gëzimët, Çela e Medolli, vëllezërit Çoku, (Esat, Bedri dhe Çaush), që ishin bashkë në burg me një prangë dorë më dorë.
Dolën nga varret e heshtjes poezitë moderne të ish-të burgosurit Zef Zorba dhe komeditë e ish-të burgosurit tjetër Hekuran Zhiti. Edhe vepra madhore shkencore e Profesor Kolec Topallit, por edhe lutjet e shenjtores tonë Nënë Tereza…! Emra, emra, emra, emra një apel i hatashëm. Unë kam nxjerrë 201 emra shkrimtarësh dhe artistësh të dënuar, 43 në Kosovën e pushtuar, pra sa 1/5, kurse në Shqipëri më shumë se aq u pushkatuan, edhe gra si shkencëtarja që kishte studiuar në Torino, zonja Sabiha Kasimati. Në Kosovë u vranë vetëm 15, shumica në luftën e 1999, është fjala për shkrimtarë e artistë, kur dhe një njeri është shumë.
Ndërkaq në Shqipëri po ndodh një dukuri e çuditshme, nëse trashëgohej dënimi si një pasuri e patundshme si për shembull, at e bir, Lazër dhe Jozef Radi, bij të dënuarish po tregojnë tani për burgun, kur shkonin të takonin prindërit si shkrimtari Agron Tufa, poetja Luljeta Lleshanaku, studiuesi Leka Ndoja, Ron Kubati dhe Ornela Vorpsi përtej detit në Itali. Edhe unë arrita të nxjerr poezi nga burgu, botova dhe të tim eti duke besuar se po vëmë gurët tanë në këtë mozaik marramendës, që nuk është më i nëndheshëm. “Ringjallje” e quan në një nga veprat e tij historiani-shkrimtar, Uran Butka, që bashkë me Pjetër Pepën kanë zhvarrosur histori kombëtare. Por mjerisht kurrë nuk do të vijë dot ajo që nuk u la të bëhej nga jetët e ndërprera, kultura jonë do të ketë brenda një si varrezë të madhe kolektive. Koha do ta kujtojë gjithmonë që është vrarë kohë njerëzore: Në Shqipërinë e diktaturës socialiste shqiptarët bënë: 914.000 vjet burg dhe 256.146 vjet internim, pra më shumë se 10 mijëvjeçarë dënim. Kurse koha pas pushkatimeve është e pamatshme, llahtar me shenjën infinit. I vetmi ngushëllim është mospërsëritja e tyre.
LISTA IME ME TË DËNUAR, SHKRIMTARË E ARTISTË:
- Arbnori Pjetër – shkrimtar
- Ahmeti Sadri – piktor, poet
- Ajazi Beqir – historian
- Ajazi Namik – kineast (i biri)
- Aliaj Kujtim – poet
- Aliko Tomorr – studiues
- Andoni Sotir – shkrimtar
- Araniti Mit’hat – shkrimtar, shqipërues
- Agolli Telat – artist cirku
- Bego Medin – gazetar, kineast
- Belishova Bardhyl – studiues
- Berberi Abdulla – prozator
- Biba Eqerem – shqipërues
- Bishqemi Osman – shkrimtar
- Bllaci Jorgo – poet, shqipërues
- Blloshmi Bedri – hulumtues
- Boriçi Nuredin – shkrimtar
- Bubani Gjergj – gazetar, shqipërues
- Bungo Makensen – shkrimtar
- Burimi Luan – poet
- Bushati Ahmet – prozator
- Cangonji Abdullah – piktor
- Çela Gëzim – tregimtar
- Çobani Ron – kritik
- Çoku Bedri – prozator
- Çoku Zeus – poet (vëllai)
- Çomo Drita – poete
- Culaj Caf Jonuz – prozator
- Dashi Veniamin – përkthyes
- Deda Guljelm – shqipërues, kritik
- Delvina Astrit – shkrimtar
- Dema Mark – shqipërues, studiues
- Dine Dine – kritik letrar
- Dizdari Tahir – shqipërues, orientalist
- Donat Kurti – at, etnograf, kompozitor
- Dushi Kin – shkrimtar
- Dushi Mark – folklorist, gjuhëtar
- Dyrzi Inga Tarasova – studiuese, stiliste
- Dyrzi Valer Tarasov – piktor (i biri)
- Farka Ismail – inxhinier-shkencëtar
- Filaj Luigj – muzikolog
- Filipeu Fotaq – muzikant, kompozitor
- Fishta Bashkim – prozator
- Fishta Filip – studiues, kritik
- Floqi Kristo – dramaturg, shqipërues
- Frashëri Anton S. – shkrimtar
- Furxhi Dhimitër – aktor estrade
- Gardini Giacomo – at, italian, studiues
- Gazulli Nikollë – gjuhëtar
- Gjeçi Pashko – shqipërues
- Gjergo Edison – piktor
- Gjergji Kolec – shkrimtar
- Gjini Miho – kritik teatri
- Gjini Pjetër – poet, kompozitor
- Gjoka Henrik – shkrimtar
- Gjolaj Konrad – at, shkrimtar
- Golemi Ahmet – shkrimtar
- Greblleshi Mustafa – shkrimtar
- Gruda Zef – kompozitor
- Gumeni Daut – poet
- Haçi Beqir – poet
- Hakiu Nexhat – poet
- Hamiti Agim – shkrimtar
- Hamzaraj Ventigjar – shkrimtar
- Harapi Mark – at, shkrimtar, shqipërues
- Hasanaj Ibrahim – poet bektashian
- Hasanaj Xhevdet – folklorist
- Hisku Halida – këngëtare
- Hyseni Bajram – poet
- Ilia Frano (Dom) – folklorist
- Jakova Prenk – muzikant,
- Jakova Tuk – gazetar
- Jubani Simon, dom – studiues i letërsisë
- Jero Minush – kritik teatri
- Kabashi Leon – at, piktor ikonograf
- Kaçaj Lluk – këngëtar opere
- Kalakulla Uran – shkrimtar
- Karma Gjon – at, folklorist
- Kaso Tanush – shkrimtar
- Kasoruho Amik – përkthyes, shkrimtar
- Kati Vasil – shkruan kujtime
- Koçi Mandi – kineast
- Kodra Lame – poet, përkthyes
- Kokoshi Kudret – poet, përkthyes
- Kolgjini Ahmet – poet
- Koliqi Mikel – at, kompozitor, kardinal
- Komnino Gjergj – poet
- Kostreci Uran – poet
- Kotani Niko – studiues
- Kote Nikolla – përkthyes
- Kuteli Mitrush – shkrimtar, shqipërues
- Kripa Reshat – shkrimtar
- Kuqi Pirro – poet
- Lala Dhimitër – kineast
- Lamaj Fatmir – publicist
- Lamaj Klito – publicist
- Laze Halil – shkrimtar, gazetar
- Leka Dhora – kompozitore
- Leka Zef – kompozitor
- Luarasi Mihallaq – regjisor
- Lubonja Fatos – shkrimtar
- Lubonja Liri – autore kujtimesh (e ëma)
- Lubonja Todi – autor kujtimesh (i ati)
- Luci Namik – studiues shkencor nga Kosova
- Maluka Luan – regjisor
- Marko Petro – shkrimtar
- Marko Jamarbër – poet (i biri)
- Martini Viktor – prozator
- Mazreku Filip – at, muzikolog
- Mazreku Nikollë (Dom) -studiues
- Medicina Maria (Dvorani) – shkrimtare
- Medolli Gëzim – poet
- Mëhilli Xhavit – pedagogjist
- Merdani Sherif – këngëtar
- Merdani Ylber – poet
- Merlika Elena Gjika – studiuese
- Merlika Eugjen – shkrimtar (i biri)
- Mëshkalla Pjetër, at- poet, teolog
- Miçaço Dionis – publicist
- Mirakaj Lek – gazetar
- Mishtari Loni – shkrimtar
- Morava Zydi – shkrimtar
- Moreka Llazar – kompozitor
- Mulleti Tanush – gazetar
- Murati Kujtim – poet
- Musta Agim – historian
- Myftari Bedri – shkrimtar
- Myftiu Luan – tregimtar, eseist
- Myftiu Mehmet – shkrimtar
- Namik Ajazi – kineast
- Ndoja Mark – poet, shqipërues
- Ngjela Spartak – prozator
- Nika Ndoc – shkrimtar
- Dakaj Nikollë – shqipërues, poet
- Ogranaja Zhaneta – poete
- Oseku Ali – piktor
- Paçrami Fadil – dramaturg
- Palaj Bernardin – at, shkrimtar
- Peci Gaqo – prozator
- Peçi Gjergj – poet
- Pengili Natalia Arkadij Rozengolc – përkthyese
- Pervizi Lek – piktor
- Peshkëpia Gëzim – prozator
- Perdoda Ernest -poet
- Pipa Arshi – shkrimtar
- Pllumi Zef – at, studiues, shkrimtar
- Prifti Leonard – studiues, psikolog
- Prodani Medi -kitarist
- Radi Lazer – shkrimtar, përkthyes
- Radi Jozef – poet (i biri)
- Rafaeli Stavri – këngëtar opere
- Rakipaj Maksim – përkthyes
- Ratkoceri Gani Demir – prozator
- Repishti Sami – eseist, historian
- Reshpja Frederik – poet
- Resuli Kapllan – shkrimtar
- Riza Selman – gjuhëtar, albanolog
- Rrapaj Mero Fatos – folklorist
- Sadiku Hito – poet (sekretar i Faik Konicës)
- Selfo Halit – shqipërues
- Shehu Bashkim – shkrimtar
- Shehu Mehmet (Tepelena) – studiues
- Sheldija Gjush – folklorist
- Shllaku Gjon – shqipërues
- Simoni Zef – at, studiues
- Sirdani Marin – at, historian, studiues
- Skanjeti Marin – shkrimtar
- Skura Gani -poet
- Sokoli Ramadan – muzikolog, folklorist
- Spahiu Islam – shqipërues
- Starova Dylber – muzikant
- Stratobërdha Viktor – regjisor, kineast
- Taçi Anastasia – librare, studiuese
- Taçi Pano – poet
- Tase Leka – instrumentist, shkrimtar
- Tasi Akile – gazetar
- Tasi Koço – gjuhëtar
- Tasi Napolon – shqipërues
- Titani Gjergj – poet
- Toto Leka – dramaturg
- Trebeshina Kasem – shkrimtar
- Vako Milto – dirigjent kori
- Vaqari Selman – shkrimtar
- Varfi Andrea – poet
- Vasija Ndoc – shkrimtar
- Velaj Petrit – shkrimtar
- Velo Maks – arkitekt, shkrimtar
- Volaj Viktor – at, studiues
- Vrioni Hazis – shqipërues
- Vrioni Jusuf – përkthyes
- Vullkani Robert – përkthyes, kritik
- Xhaferri Astrit – tregimtar.
- Xhuvani Visaroin – teolog, gjuhëtar
- Zallari Mihal – publicist, shqipërues
- Zeka Aleksandër – poet
- Zezaj Gjovalin – studiues
- Zhiti Hekuran – dramaturg, aktor
- Zhiti Visar – shkrimtar (i biri)
- Zorba Terezina Pali – aktore
- Zorba Zef – poet, regjisor (i shoqi)
Nga Lega në Prishtinë:
- Abazi Hajdin (Lum Haxhiu) – poet, publicist
- Avdyli Merxhan – poet
- Beqiri Azem – poet
- Brovina Flora – poete
- Buja Ramë – publicist
- Bytyçi Sali – poet, studiues i letërsisë
- Ceraja Jakup – poet
- Çuni Martin – poet, publicist
- Demaçi Adem- shkrimtar
- Demolli Arif – shkrimtar
- Dervishi Teki – shkrimtar
- Fetiu Sefedin – kritik letrar, prozator
- Gashi Adem – poet
- Gërvalla Zeqir – poet
- Hajrizi Mehmet – publicist
- Halimi Bedri – poet
- Hasani Nait – poet
- Haxhaj Ardian – poet, prozator
- Haziri Ramadan – shkrimtar
- Hyseni Hydajet – poet, publicist
- Kelmendi Ramiz – shkrimtar
- Kosumi Bajram – poet dhe publicist
- Krasniqi Jakup – publicist (historian)
- Kryeziu Ekrem – dramaturg
- Kurti Albin – gazetar
- Matoshi Halil – poet
- Musliu Beqir – poet, shkrimtar
- Novosella Selatin – publicist
- Nura Xajë – poet
- Radagoshi Kadrush – shkrimtar
- Ramadani Sali – poet, publicist
- Rogova Muhamet – pedagog, publicist
- Riza Selman – gjuhëtar, albanalog*
- Rrustemi Sabit – poet
- Sadiku Rrahim – poet, gazetar
- Selmanaj Rasim – poet
- Shatri Xhafer – publicist (më pas i arratisur)
- Sinani Ramadan – poet
- Smajli Rexhep – akademik
- Syla Ismail – poet
- Ukaj Vezir – poet
- Vinca Agim – poet, studiues.
- Zyberaj Bedri – poet, publicist
VARREZA MONUMENTALE
Në letërsinë shqipe: të pushkatuar, varur, vdekur në tortura,
pa varre:
- Blloshmi Vilson – poet, përkthyes, pushkatuar
- Bonati Jul – imzot, përkthyes, pushkatuar
- Çela Beqir – poet, pushkatuar
- Çika Nebil – gazetar, pushkatuar
- Çurçia Gasper – muzikant, pushkatuar (akuza: falsifikim parash)
- Çuni Mark – stilist, pushkatuar
- Deda Simon – shqipërues, vdekur në burg
- Draçini Qemal – kritik, vdekur në burg
- Dushi Mark – folklorist, arkeolog
- Fallo Dhimitër – përkthyes, pushkatuar
- Haxhiademi Et’hem – dramaturg, vdekur në burg
- Gazulli Nikollë – at, gjuhëtar, vdekur në hetuesi
- Gruda Pjetër – aktor, vdekur në kamp
- Ivanaj Mirash – poet, studiues, ministër i Arsimit, vdekur në burg
- Idrizi Sulejman – gjuhëtar, vdekur në burg
- Janina Myqerem – përkthyes, vdekur në burg
- Fundo Zai – poet, filozof, masakruar
- Kasimati Sabiha – shkencëtare zoologe, pushkatuar
- Kokalari Musine – shkrimtare, vdekur në internim, pas burgut.
- Kokalari Muntazi – botues, pushkatuar (vëllai Musinesë)
- Kokalari Vesim – botues, pushkatuar (vëllai Musinesë)
- Kokalari Syrja – pedagog, pushkatuar (kushëriri)
- Kokalari Salim – studiues, pushkatuar
- Kokomani Fadil – gazetar, pushkatuar
- Koprencka Xhelal – poet, pushkatuar
- Leka Genc – poet, pushkatuar
- Korça Xhevat – studiues, historian, vdes me grevë urie në burg
- Lezho Vangjel – gazetar, pushkatuar
- Mala Zef – drejtor biblioteke, vdekur në burg
- Nela Havzi – poet, varur
- Omari Gramoz – oficer, fizarmonicist, pushkatuar
- Panariti Qani – përkthyes, pushkatuar
- Pantalia Gjon – regjisor, vdekur në hetuesi
- Peshkëpia Manush – poet, pushkatuar
- Pipa Myzafer – gazetar, kritik, vdekur në hetuesi
- Prennushi Vinçenc – poet, vdekur në tortura
- Shantoja Lazër – (Dom) shkrimtar, pushkatuar
- Toçi Terenc – gazetar, historian, pushkatuar
- Tushi Vangjush – piktor, vdekur në burg
- Xhagjika Trifon – poet, pushkatuar
- Shllaku Gjon – at, kritik, gazetar, pushkatuar
- Sirdani Aleksandër – folklorist, vrarë
- Stefa Kristaq – studiues, pushkatuar
- Tomorri Ali – poet, pushkatuar
- Toto Selaudin – shkencëtar, deputet, pushkatuar
- Venetiku Kiço – dirigjent, vdekur në burg
- Venetiku Krisanthi – fotografe, vdekur në burg
- Zadeja Ndre – (Dom) dramaturg, poet, pushkatuar
- Zdrava Dane – akademik (hap kinemanë e parë. në Berat), vdekur në burg
- Zhiti Maksut – studiues, poet, vdekur me tortura në hetuesi
Nga Prishtina:
- Agani Fehmi – sociolog, filozof
- Berisha Latif – poet, studiues, vrarë, 1999
- Bicurri Esat – artist, këngëtar, vrarë, 1999
- Elmazi Rexhep – poet, vrarë pas burgut
- Graiçevci Fazli – poet, mbytur me tortura nga UDB-1964
- Çaushi Bardhyl – jurist, prof. i së drejtës romake, vrarë
- Gërvalla Jusuf – shkrimtar, vrarë
- Hadri Enver – poet, publicist, vrarë,1990
- Hoti Ukshin Hoti – politolog, filozof (i zhdukur)
- Konjusha Selman – poet, vrarë, 1999
- Mustafa Xhemail – publicist, kritik letrar
- Ramadani Agim – poet, piktor
- Sulejmani Gursel – piktor, rënë në luftë
- Topalli Enver – poet, publicist, vrarë në burgun e Dubravës, 1999
- Zeka Kadri – publicist, vrarë. (Kortezi- R.D.). Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016