Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet edhe arkivi personal i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, i cili në ditarin e tij politik, që i përket një periudhe të gjatë kohe, duke filluar nga maji i vitit 1967, e deri në dhjetorin e 1983-it, ai ka mbajtur shënime për ngjarjet e Lindjes së Mesme, si; konflikti i gjatë Izrael-Palestinë, luftërat e vazhdueshme ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, luftën gjashtë ditore në vitin 1967, ku Izraeli mposhti Egjiptin dhe koalicionin e vendeve arabe, e pushtoi lartësitë Golan, luftën e Yom Kippurit në vitin 1973, ku sërish Izraeli, pasi mposhti koalicionin e vendeve arabe, (Egjipti, Algjeria, Siria, Iraku, Jordania, Jemeni, Libani, Maroku, etj.) pushtoi gadishullin e Sinait, të cilin e dorëzoi në vitin 1979, bllokimin e mbylljen e Kanalit të Suezit, (ku Shqipëria kishte interesa jetike, për shkak të ndihmave që i vinin nga Kina në rrugë detare), e deri luftën civile në Liban, në fillimin e viteve ’80-të, etj. Çfarë shkruante diktatori i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik ku ka bërë analiza, dhe cili ishte qëndrimi i Tiranës zyrtare, për konfliktin ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe, si dhe shteteve të ndryshme që i mbështesin ata, si; Bashkimi Sovjetik, SHBA-ës, Britania e Madhe, Republika Popullore e Kinës, Republika Federative e Jugosllavisë, etj.?! A ishte i vërtetë informacioni që kishte Enver Hoxha në qershorin e vitit 1967, sipas të cilit, Moska zyrtare, do i ofronte ndihmë Egjiptit, duke sjellë Flotën e saj Ushtarake Detare në Mesdhe, në rast se Tirana zyrtare, do pranonte që anijet sovjetike, të ankoroheshin në portet e Durrësit, Vlorës, Shëngjinit etj., apo ajo ishte një paranojë e Hoxhës, gjë e cila bëri që Ushtria Shqiptare, të kalonte në gatishmëri luftarake nr. 1, madje duke mobilizuar edhe forcat rezerviste e ato të çetave vullnetare?! Lidhur me këtë, etj., na njeh ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, i cili do publikohet në disa numra nga Memorie.al
E SHTUNË 10 DHJETOR 1977
TRAGJEDIA E POPUJVE ARABE
Me të vërtetë është një fatkeqësi e madhe për një sërë popujsh arabë të Lindjes së Mesme, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë preja e imperializmit amerikan dhe e social-imperializmit sovjetik. Ata kanë qenë dhe janë nën saçin e përhershëm të intrigave, si të Traktatit të Varshavës, në personin e Bashkimit Sovjetik, ashtu edhe të NATO-s, në personin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që synojnë të kenë në këto vende, zonat e influencës, të kenë tregje dhe baza ushtarake. Qëllimi i të dyja superfuqive, është t’i mbajnë këta popuj të përçarë dhe, në fakt, sot për sot, ia kanë arritur këtij qëllimi. Siç e kam thënë edhe herët e tjera, këta popuj, nuk janë thjesht arabë, por, pavarësisht nga kjo, ata mund të quhen të tillë.
Veç një gjë është e vërtetë, ata i lidh një fe dhe ajo luan rol të madh në këto vende. Popujt arabë, pavarësisht nga emërtimi i shteteve të tyre, në shumicën e rasteve, ndodhen akoma nën sundimin e mbretërve, të shahëve, emirëve, që, me përjashtim të veshjeve, në shumë pikëpamje qeverisin me metodat karakteristike mesjetare të feudalizmit dhe janë të lidhur me fuqitë e mëdha imperialiste. Prandaj, nuk mund të thuhet se kanë fituar lirinë e demokracinë e plotë, e të vërtetë. Të gjitha këto shtete dhe popuj, që nga; Mauritania, Maroku, Algjeria, Tunizia, Libia, Egjipti e nga Libani, Siria, Iraku, Jordania, Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Gjirit Persik, formojnë, siç e quajnë vetë veten e tyre, “familjen e madhe të kombit arab”.
Por kohët e ngjarjet, këtë familje të madhe e kanë shpartalluar, prandaj ky emërtim, nuk i shërben shumë. Çdo shtet nga këta mund të jetë dhe mund të quhet, anëtar i kombit arab, por të tërë këta, nuk mund të formojnë dhe nuk e formojnë të njëjtin komb arab. Afërsi me njëri-tjetrin kanë, secili vend ka shtet më vete, të pavarur dhe sovran, kanë interesa të përbashkët, por këta interesa të përbashkët, nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë në akord me interesat e çdo shteti, të marrë në veçanti. Përse? Sepse ekonomia, pasuritë e tyre janë të pabarabarta. Jo vetëm për këtë arsye, por disa nga këto shtete udhëhiqen nga individë ose nga grupe njerëzish ose partish që s’kanë asgjë demokratike.
Pasuritë kryesore, diku të mëdha, diku mesatare, sidomos nafta, janë vënë në ankand dhe, në grabitjen e shfrytëzimin e saj, epërsi të madhe kanë fituar monopolet amerikane, pra, imperialistët amerikanë. Për sa u përket sovjetikëve, sot për sot ata po përpiqen të mbajnë në këtë zonë një gjendje të turbullt, përpiqen të influencojnë politikisht dhe ideologjikisht mbi qeveritë dhe partitë e vendeve arabe, të kenë në këtë pellg baza ushtarake dhe strategjike. Rivaliteti midis këtyre dy superfuqive, për epërsi politike, ekonomike e ushtarake në këtë rajon, shkakton e thellon edhe përçarjen aktuale, në mes popujve arabë, midis shteteve arabe. Në këtë rajon, përveç këtyre popujve, ekzistojnë edhe populli arab palestinez si dhe ai izraelit.
Këtu popullsia izraelite nuk ka qenë në numër të konsiderueshëm, por me kohë, sidomos pas krijimit të shtetit të Izraelit, numri i saj u rrit relativisht shumë. Në qoftë se nuk gabohem, Izraeli sot ka mbi 3 milionë e gjysmë banorë, por psikologjia dhe frymëzimi izraelit, sidomos në fushën e organizimit, kanë bërë që ky shtet të forcohet nga të gjitha pikëpamjet, nga pikëpamja ekonomike e financiare po e po, por edhe nga pikëpamja ushtarake. Mbështetja kryesore e tij ka qenë e është imperializmi amerikan pa lënë mënjanë vendet e tjera imperialiste. Përveç Izraelit, imperializmi amerikan, nëpërmjet monopoleve të mëdha të naftës, ka nën influencën e vet Arabinë Saudite, vendin më të pasur të kësaj zone në naftë, Emiratet e Gjirit Persik dhe Iranin.
Praktikisht ai ka në dorë fushat e naftës në të gjitha këto vende. Për ta ruajtur gjithë këtë pasuri të madhe, imperializmi amerikan është gati të hyjë vetë në luftë, por përpara se të futet vetë, në luftë për interesat e tij fut të tjerët. Kështu, kur pa se mund të rrezikohej zona e tij e influencës në Lindjen e Mesme, ndërseu Izraelin, i cili sulmoi ushtarakisht disa herë me radhë Egjiptin dhe Sirinë. Këta, gjoja për të mposhtur Izraelin, pse kishte pushtuar disa toka të tyre dhe kishte dëbuar nga tokat e veta palestinezët e, i kishte detyruar të jetonin, dhe jetojnë, si muhaxhirë në vendet e tjera arabe, u mbështetën te social-imperializmi sovjetik. Kjo i përgjigjej politikës së social-imperialistëve sovjetikë, sepse qëllimi i vërtetë i tyre, ishte që nëpërmjet Egjiptit dhe Sirisë, të hidhnin në dorë pasuritë e mëdha të naftës në Lindjen e Mesme.
Naseri ra në kurthin e sovjetikëve, predikoi likuidimin e plotë të Izraelit, bile me një pretekst të paqenë u fut edhe në Jemenin e Veriut. Politika e tij e vartësisë nga sovjetikët, u solli dëmet që dihen Egjiptit dhe popullit egjiptian. Anvar el Sadati, ndoqi politikën e Naserit, u lidh më ngushtë me Bashkimin Sovjetik dhe vazhdoi me kërcënime kundër Izraelit. Kjo bëri që Bashkimi Sovjetik, të ngulte këmbët mirë në Egjipt dhe arrinte deri aty, sa të mendonte se s’kishte kush ta shkulte andej. Sadati, duke u bazuar në ato armë që i merrte nga Bashkimi Sovjetik, luajti një manovër politike, sidomos për të ardhmen, vlerësoi forcat izraelite në Sinai dhe i sulmoi ato, por pa ndonjë sukses të madh. Sidoqoftë ushtritë egjiptiane, e kapërcyen bregun lindor të Kanalit të Suezit dhe u futën në një pjesë të Sinait, që ishte pushtuar nga Izraeli në kohën e Naserit.
Në këtë gjendje ndërhynë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, u vendos armëpushimi. Daljen në bregun lindor të Kanalit të Suezit, Sadati e quajti një fitore të madhe të luftës së Kipurit, siç u quajt kjo luftë. Por edhe Izraeli luajti pjesën e vet të lojës politike, pasi kaloi bregun perëndimor të Kanalit të Suezit, pranoi armëpushimin, bisedimet për të cilin, u zhvilluan pikërisht në këtë pjesë të tokës egjiptiane ,të pushtuar gjatë kësaj lufte. Pas armëpushimit, Izraeli vazhdon t’i mbajë tokat e pushtuara egjiptiane të Sinait dhe tokat e tjera arabe, forcat palestineze i ka kurdoherë jashtë territorit të tij dhe bazat e tyre që ndodhen afërsi të tokave të pushtuara, i godet vazhdimisht. Izraeli mban po ashtu të pushtuar Golanin e Sirisë dhe, në të njëjtën kohë, tok me imperialistët amerikanë, punon që “të ulë gjakrat”, në këtë rajon.
Kjo taktikë e tij synon të thellojë më tej përçarjen në mes vendeve arabe dhe me më kryesorin prej tyre, Egjiptin, të arrijë një paqe në mos të përhershme, të përkohshme, në mos të përgjithshme, të paktën të pjesshme. Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë manovruar dhe po manovrojnë me të gjitha mjetet e rrugët, në ndihmë të strategjisë izraelite. Egjipti është vendi më i populluar arab. Në krye të shtetit egjiptian, sot ndodhet Anvar el Sadati, një pasanik arab dhe, siç ka shkruar vetë në librin mbi kujtimet e tij nga koha e Luftës së Dytë Botërore, ka qenë në shërbim të feldmareshalit hitlerian Romel. Kohët e fundit Sadati shkoi në Jerusalem, ku bisedoi me Beginin, kryeministrin e Izraelit. Të dy ranë dakord që tash e tutje të jetojnë në “paqe”, natyrisht me disa kushte. Këto kushte i leverdisin Izraelit, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat janë prapa kësaj manovre të madhe anti-arabe.
Gjesti i Sadatit, vajtja e tij në Jerusalem, bëri vendet e tjera arabe “të revoltohen”, ta quajnë tradhtar të kombit arab dhe të mblidhen në Tripoli të Libisë, për të gjykuar qëndrimin e tij dhe për ta dënuar. Në këtë mbledhje, përveç Kadafit, ishte Bumedieni i Algjerisë, Asadi i Sirisë, si dhe një përfaqësues i Libanit. Iraku ishte dakord, por më duket nuk dërgoi njeri. Në rri mbledhjen e Libisë, pra, ku kërcënuan dhe dënuan Sadatin, nuk vajtën të tëra vendet arabe. Arabia Saudite, pavarësisht se nuk deklarohet hapur, në të vërtetë qëndron pas Sadatit dhe e mbështet atë. Edhe Emiratet e Gjirit Persik, e mbështetin veprimin e Sadatit, i cili hapin që bëri me siguri, nuk e ka bërë pa pasur pëlqimin e disa të tjerëve, sidomos të vendeve që përmenda më lart.
Kështu gjendja e marrëdhënieve midis vendeve arabe, u ngatërrua akoma më thellë. Aktualisht shohim që nga një anë qëndrojnë Algjeria, Libia, Iraku, Siria dhe Libani, nga ana tjetër, Egjipti, prapa të cilit qëndron Mbreti hashemit i Jordanisë, Hyseini. Qëndrojnë, po ashtu, siç thashë, mbreti i Arabisë Saudite, sheikët e gjirit Persik, pra, njerëzit më të pasur të botës arabe. Tunizia qëndron në mes, nuk prononcohet as andej, as këndej, lëshon herë ndonjë fjalë pro, herë ndonjë kundër. Sadati, për të kundërshtuar mbledhjen Tripolit, preu përnjëherë marrëdhëniet diplomatike, me të gjitha vendet që morën pjesë në këtë mbledhje. Në të njëjtën kohë, thirri në Kajro mbledhjen e vendeve të interesuara të kësaj zone, si edhe amerikanët, izraelitët dhe sovjetikët.
Këta të fundit, duke u përpjekur të mos dalin fare jashtë fushe, refuzuan të marrin pjesë në këtë mbledhje, kurse amerikanët pranuan, por edhe izraelitët janë gati të venë aty. Sadati tregohet i vendosur ta bëjë këtë mbledhje, me ose pa vendet e tjera arabe. Me fjalë të tjera, imperializmi amerikan, dëshiron dhe do t’ia arrijë qëllimit, që në mes satelitit të tij, Izraelit, dhe Egjiptit, të arrihet në një ‘modus vivendi’, qoftë edhe një “paqe” e përkohshme, e pjesshme. Por Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të dëshironin dhe për këtë po punojnë, që në këtë marrëveshje për “paqe”, midis Izraelit e Egjiptit të marrin pjesë edhe vendet e tjera arabe, sidomos Siria. Kjo atyre u intereson shumë. Ka gisht Bashkimi Sovjetik, në këtë çështje? Unë mendoj se ka. Pavarësisht nga qëndrimi i jashtëm, atij i intereson ta thellojë përçarjen në mes vendeve e popujve arabë, që të mund të përfitojë më shumë.
Sadati, i zemëruar nga qëndrimi i përgjithshëm mashtrues i Bashkimit Sovjetik, dëboi nga Egjipti të gjithë këshilltarët e teknikët ushtarakë e civilë sovjetikë e, të aleatëve të tij, të vendeve të “demokracisë popullore”, dhe uli pothuajse në minimum personelin e përfaqësive të tyre diplomatike. Pas kësaj edhe Bashkimi Sovjetik, e ktheu pllakën dhe hapur po mbështet vendet që u mblodhën në Tripoli. Me këtë qëndrim, ai mbron politikën e vet në Lindjen e Mesme, sidomos bazat ushtarake që ka në Libi, në Siri, etj. Përfitimet që Bashkimi Sovjetik ka në këto vende të brigjeve të Mesdheut, kanë karakter ushtarako-strategjik, por me kohë ai mendon, t’i zgjerojë ato edhe në fushën ekonomike, jo vetëm në vendet buzë Mesdheut, por edhe në brendësinë e Afrikës dhe të Lindjes së Mesme.
Prandaj tani ai tregohet gjoja mik i sinqertë dhe i ngushtë i gjithë popujve arabë, me përjashtim të Sadatit dhe të atyre që e mbështetin atë. Aktualisht, pra, ne shohim që imperializmi amerikan, ka arritur deri diku objektivat e vet, domethënë ka konsoliduar pozitat e tij strategjiko-ekonomike në këtë zonë dhe i ka përçarë popujt arabë. Vendet më të populluara dhe më të fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht, janë në anën e tij, duke pasur, gjithashtu, në të njëjtën kohë, në anën e vet edhe Izraelin, koburen e tij të vërtetë për kohë lufte dhe turbullirash. Kurse Bashkimi Sovjetik, përpiqet të ruajë ato pozita që i mbetën, pse Egjiptin e humbi. Megjithatë, sovjetikët nuk i kanë humbur të gjitha shpresat. Është e drejtë të mendohet dhe të konkludohet, se kjo është me të vërtetë një tragjedi, për të gjithë popujt arabë, vendet e të cilëve lagen nga Mesdheu, Deti i Kuq dhe Gjiri Persik.
Kina mendon se këto vende e këta popuj të “botës së tretë”, “forca kryesore lëvizëse që çon botën dhe njerëzimin në revolucionin proletar”, do të jenë në anë të saj. Ç’teori skandaloze, kur dihet se në shumicën e këtyre vendeve, sundojnë mbretër feudalë dhe borgjezë kapitalistë të mëdhenj, që luajnë me fatin e popujve të tyre e që janë të lidhur ngushtë me njërën ose me tjetrën fuqi imperialiste! Politika kineze nuk ka asgjë marksiste-leniniste dhe jeta po tregon se teoria e «tri botëve» s’ka asnjë bazë, asnjë influencë edhe në këto vende, për të mos folur për të gjitha vendet e ashtuquajtura të “botës së tretë”. Jo vetëm kaq, por këto situata dhe këto qëndrime, e kanë vënë Kinën në një pozitë jashtëzakonisht të dobët dhe qesharake. Ajo nuk mund dhe nuk di ç’qëndrim të mbajë, të jetë pro Sadatit, apo kundër tij, të jetë kundër Izraelit, apo pro, të jetë për paqen, apo për vazhdimin e luftës së popujve arabë dhe në mënyrë të veçantë të popullit arab palestinez, kundër Izraelit që u ka rrëmbyer tokat.
Kina s’mund të prononcohet për këto probleme dhe kjo është e natyrshme, për arsye të politikës së saj inkonsistente, pa baza, reaksionare dhe qesharake. Gjithë popujt arabë e shikojnë që Kina është një fuqi “e madhe”, por që s’ka forcë sa të ndërhyjë të paktën me qëndrimet e saj, në këto probleme kaq të mëdha, që janë lodra e dy superfuqive, por që shqetësojnë botën. Kështu Kina, edhe pse s’e thotë hapur, është pro marrëveshjes së Sadatit me Izraelin, pro sakrifikimit të lirisë dhe të pavarësisë së popullit palestinez, që kërkon atdheun e tij.
E SHTUNE, 4 MARS 1978
ÇDO VEND KA TE DREJTË TE MBROJË SOVRANITETIN E VET
Konflikti midis Egjiptit dhe Qipros, për dërgimin e një komandoje ajrore egjiptiane në këtë vend, vazhdon. Egjipti ka prerë marrëdhëniet me Qipron. Cili nga këto dy shtete e ka fajin në këtë mes? Natyrisht, fajin e ka Egjipti. Unë konstatoj një moderim në qëndrimet e Qipros e të Qiprianosit dhe një mirëkuptim, nga ana e këtyre. Këta dëshirojnë që midis ishullit të Qipros dhe Egjiptit, të lidhen marrëdhënie diplomatike dhe të ekzistojë një gjendje paqësore. Por mendimi im është se, me gjithë moderacionin në qëndrimet e qipriotëve, të cilët kanë ndërmarrë shumë hapa për pajtim pranë qeverisë egjiptiane, kjo, nga ana e saj, nuk bën asnjë çap në këtë drejtim.
Për këtë s’ka asnjë dyshim, që kjo qeveri shtyhet nga fuqi imperialiste, për ta mbajtur të ndezur konfliktin, të cilin nuk e ka shkaktuar Qiproja. Qipriotët bënë detyrën e tyre, luftuan për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Pse avioni i dërguar nga Sadati, i mbushur me një komando ushtarësh, të zbriste pa leje në Qipro dhe të sulmonte me forcë një avion, i cili kishte brenda dy “terroristë” palestinezë, që vranë redaktorin e gazetës “Al Ahram”?
Një çështje e tillë, nuk mund të zgjidhej dhe ishte e palejueshme të zgjidhej në atë mënyrë, siç kërkoi ta zgjidhte Sadati. Bile, tash së fundi, ai ka deklaruar se do të mbrojë me armë, jetën e cilitdo egjiptiani, në të katër anët e botës”! Si shumë të mëdha janë pretendimet e këtij farë burri! Do të ishte më mirë që ky të mendonte e të përgatitej, për të çliruar territoret e pushtuara nga Izraeli, të mendonte se si të ndihmonte vëllezërit e tij palestinezë, që të rimarrin atdheun e tyre të heshtur, sesa të bëjë deklarata të tilla, se do të mbrojë edhe personin më të fundit egjiptian, të gjendur në një skaj të humbur të botës! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016