Nga Vepror Hasani
Pjesa e parë
-Saga e familjes së njohur atdhetare dhe më të pasur të Korçës, ku pinjollët e saj, u diplomuan në universitetet prestigjioze të Europës-
Memorie.al / Atë mbrëmje, Selim Mborja (Venxha) me bashkëshorten e tij, Fitreten, u kthyen vonë në shtëpi. Në Korçë kishin 65 dyqane, kafene dhe banesa, mijëra hektarë tokë dhe pyje. Fillimisht, kishin banuar te shtëpia në fshatin Mborje, në krah të kishës së Ristozit, te një ndërtesë e madhe dykatëshe, me pamje madhështore, ndërtuar me gurë të skalitur, me shumë dhoma të dekoruara me elemente druri të gdhendur dhe tavane të zbukuruara, me oborr të madh në pamjen ballore e, të thurura me avlli. Përreth kësaj shtëpie, ngriheshin shtëpitë e tjera të fisit Mborja (Venxha), Më pas ndërtuan një shtëpi tjetër të madhe dhe të bukur mbi fabrikën e Birra Korçës. Tashmë jetonin aty.
Me të hyrë në shtëpi vunë re se dikush poshtë derës u kishte hedhur një letër. Selim Mborja e mori dhe nisi ta lexonte. Vështrimi i tij lëvizi i shqetësuar nëpër rreshta: “Unë që po ju shkruaj, jam një miku juaj, – thuhej në letër, – nuk pata guximin t’ju sqaroj nga afër, sepse kam frikë për veten dhe familjen time, dhe për këtë ju kërkoj ndjesë, por para dy-tri ditësh, mora vesh se njësiti gueril i Korçës, ka marrë vendimin t’ju ekzekutojë, ndaj duhet të largoheni…”!
Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, bijë e Neki Starovës, ndër më të pasurit e asaj zone, mbeti e shqetësuar. Trupi i saj dridhej si gjethe në erë. Priste çdo t’i thoshte Selim Mborja. Sido që të ishte vendimi i të shoqit, do të qëndronte me të edhe sikur të shkonin në fund të botës.
E adhuronte bashkëshortin. Selimi ishte njeri i zoti dhe me kulturë, kishte studiuar në Perëndim. “Do ta pleqërojmë me njerëzit tanë”, – i tha Selim Mborja, – dhe do të vendosim çfarë duhet të bëjmë. Duhet të ketë qenë shtator-tetor i vitit 1944.
Selim Mborja (Venxha) nuk e besonte dot që do të largohej nga Korça dhe nga Mborja, ku kishte lindur. Gjithë jeta e njerëzve të tij, brez pas brezi, i ishte përkushtuar Korçës dhe sa herë e kishte sjellë rasti, kishin dalë në mbrojtje të saj, me jetën e tyre.
I pari i Venxhave, quhej Banush; ishte një legjendë e gjallë bamirësie, të tillë e mbanin mend edhe më të vjetrit. Emri i tij i mirësisë, mbërriti edhe te brezat e rinj. Deri në fund të shekullit XVIII-të, kishin jetuar në Greqi, kishin prona të shumta dhe ishin shumë të pasur.
Me pasuri të madhe, u vendosën edhe në në Mborje. Ndihmonin familjet e varfra. Banushi kujdesej për ta, si për familjen e vet: “Bëj mirë dhe mos e përmend kurrë të mirën që bën”, – ishte porosia e tij, – Zoti i shikon të gjitha”! Për shkak të pasurisë së madhe që kishte, në Mborje njihej me emrin Banush Aga ose Banush Efendiu, por shpesh e thërrisnin edhe Banush Venxha, sepse kështu quhej vendi ku kishte jetuar në Greqi, në zonën e Grevenasë.
Bamirësia e familjes së madhe Mborja (Venxha) nuk shteri kurrë. Banushi la pas 7 fëmijë: Mustafajin, Osmanin, Hysenin, Mehmetin, Saliun, Rexhepin dhe Islamin. Fal kësaj familjeje të madhe, që shkëlqente me mirësitë e saj, fshati Mborje mori pamjen e një qyteti, me dyqane dhe kafene të famshme si në asnjë vend tjetër. Vinin aty edhe nga Korça; myslimanë e të krishterë, festonin bashkë.
Në një nga kronikat e kohës, shkruhet: “Nuri Efendiu, avokati, javën që shkoi bëri synet djemtë. Në dasmë kishte ftuar gjithë nëpunësit e qeverisë dhe shumë myslimanë e të krishterë. Darkën e bëri në kafenetë që janë nga Mborja. Një shumicë e madhe të ftuarish, me këngë dhe me muzikat e vendit, u zbavitën gjer në mëngjes. Atë natë shumë fishekë u hodhën sipër në qiell dhe shumë pushkë u zbrazën”! (Gazet’ e “Korçës”, 11 qershor 1909).
Një mëngjes, Selim Mborja shkoi te pazari i Korçës, te klubi i “Pellallit” dhe i la porosi pronarit të lokalit. “Nëse vjen Qemali (djali i xhaxhait të Selim Mborjes), Mehmeti apo Syrjai, (kushërinj të tij), sepse lokali ishte i preferuar i tyre, t’u thoshte që i kërkonte Selim Mborja dhe donte t’i takonte patjetër”.
Mehmet Mborja (Venxha) kishte mbaruar shkollën e Policisë “Skuola Alleievi Carabinieri”, në Firence të Italisë, dhe kishte njohuri mbi grupet e fshehta kriminale, siç ishte njësiti gueril i Korçës.
Në kryengritjen e ashtuquajtur të “Vorio-epirit” më 2 prill 1914, sipas gazetës “Koha”, 15 maj 1914, Mehmet Mborja; komandanti i Xhandarmërisë Shqiptare, hollandezi Snellen Van Vallenhoven; Themistokli Gërmenji, konsulli i përgjithshëm amerikan Spenser, kapedan Kajo, Dervish File, Turhan Hysen bej Pirgu, Jashar bej Starova, Agush Çaushi e, qindra të tjerë, luftuan trimërisht dhe ia dolën të çlironin Korçën.
Por Selimi donte me patjetër edhe mendimin e Qemalit dhe Syrjait, nëse duhej të qëndronte apo, të largohej përfundimisht nga Korça. U takuan te shtëpia sipër Fabrikës së Birrës. Bashkëshortja e Selimit, Fitretja, ndoqi me shqetësim gjatë gjithë kohës, bisedën e burrave. Rreziku u vlerësua real. Njësitet guerile kishin filluar të eliminonin njerëz, që nuk i pëlqenin regjimit që po vinte në pushtet. Miku që u kishte shkruar letrën, kishte të drejtë.
Ekzekutimi i tij, mund të ndodhte nga dita në ditë. U pa e arsyeshme që Selimi të largohej nga Korça, sa më parë. Kur kushërinjtë e tij u larguan, Selim Mborja vështroi një çast nga e shoqja dhe i tha: “Do të largohemi”! Nga syri i Fitretes, u shkëput një pikë loti: “Do të vij me ty, kudo që të shkosh”, i tha ajo. Dhimbja e fshehur e burrit, përshkoi gjithë qenien e Selim Mborjes.
Selim Mborja (Venxha) dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, ende nuk e kishin vendosur ç’ditë do të largoheshin nga Korça. Për ta, gjithçka ishte e padrejtë; vendimi i marrë nga njësiti gueril i Korçës, ishte kriminal; po luhej me jetën e një familjeje të madhe patriotike. Babai i Selim Mborjes, Mustafaji, ishte kujdesur gjithnjë që edhe miqësitë, t’i bënte me njerëz që e donin vendin.
Në një rast të tillë, shtypi shkruante: “Myftar Aga nga Sevrani, i cili më përpara ka qenë komandant i Xhandarmërisë së Korçës, për të martuar të birë që pat zënë të bijën e Mustafa efendi Mborjes, urdhëroi këtu bashkë me dhëndrin, zotin Kadri, i cili ka qenë kajmekan në Leskovik, në Tepelenë në Vlorë e, gjetkë. Myftar Aga, si mori të renë, pardje u kthye për në Përmet. I urojmë me gaz dhe martonjësit u trashëgofshin”. (“Gazet e Korçës”, e enjte, 22 vjesht’ e II-të).
Vetë Mustafa Mborja (Venxha) doli në mbrojtje të vendit që nga dita e parë e hyrjes së grekëve në Korçë, më 7 dhjetor 1912. Ndihmoi kthimin e njerëzve që ishin larguar për shkak të luftës. Emri i tij gjendet i shënuar te “Komisioni i të ikurve”, renditur me emrat më të nderuar të qytetit të Korçës: “Komisioni përbëhej nga: kryetari Abdyl Ypi. Anëtarë: Riza bej Zavalani, Tefik Rushiti, Qani bej Dishnica, Stavre Karoli, Petraq Kondi, Kristo Dako, Sadik Voskopi dhe Mustafa Mborja”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 24 maj 1914).
Kurse Abedin Mborja (Venxha), nipi i Mustafait, ishte zgjedhur te “Komisioni i Marrëdhënieve”, i cili raportonte gjendjen te autoritetet vendase dhe të huaja. Anëtarë të këtij komisioni, ishin: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi kryetari i Bashkisë; Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin efendi Mborja, Miçe Çikozi, (ka dhe një emër tjetër, por nuk lexohet), Abidin efendi Tregtari, Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli dhe Andrea Turtulli”. (Gazeta “Koha”, e shtunë, 24 maj 1914).
Gjatë kësaj kohe, një i afërm tjetër i familjes Mborja, Ismail Sali Mborja, më 1914-1915, sponsorizoi botimin e abetares shqipe, të hartuar nga Jashar Agjahu. Botimi i saj, u bë nga shtypshkronja “Korça”.
Kurse Haki Mborja (Venxha), djali i xhaxhait të Selim Mborjes, shkëlqeu me patriotizmin e vet. Lindi në Mborje më 1876, mësimet e para i mori në Korçë e, më pas në Manastir. Studimet e larta për Mjekësi, i kreu në Stamboll, ku mori gradën më të lartë shkencore, atë të doktorit të shkencave.
Në vitin 1908, u emërua mjek në Bashkinë e Manastirit, ku u njoh me shumë patriotë, që synonin krijimin e lëvizjeje për çlirim kombëtar. Në shtator të vitit 1908, u bë pjesë e shoqërisë “Dituria” dhe “Përparimi”. Pas dy vitesh, erdhi mjek në Bashkinë e Korçës.
Më 16 qershor 1911, bashkë me botuesin e gazetës “Korça”, Sami Pojani, u bënë niciatorë të krijimit të Komitetit të Kryengritësve. Po atë muaj, Haki Mborja krijoi çetën e parë shqiptare dhe doli maleve. Bashkëpunoi me Bajo Topullin, Qamil Panaritin, Shahin Kolonjën, etj.
Çeta e tij u bë e njohur me luftimet e saj, në Korçë, Devoll, Kolonjë, Opar, Gorë, Mokër, Gjirokastër dhe Elbasan. Përveç gazetave shqiptare, për Haki Mborjen shkroi edhe gazeta londineze “Time”, kurse konsulli serb në Manastir, i raportonte qeverisë së vet: “Në Korçë, ka maleve mbi 500 vetë, të prirë nga Haki Beu”. Në gusht të vitit 1911, ai mori pjesë në Kuvendin e Kryengritësve të Elbasanit, organizuar në fshatin Shelcan, për realizimin e veprimeve të përbashkëta.
Më 1912-ën, mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë. Pas thyerjes së kryengritjes “Vorio-epirote”, çeta e tij u bë mburoja e Korçës: territoret nga Guri i Cjapit, deri te Grykat e Mborjes, u bënë të pakapërcyeshme nga grekët. Që nga dita e krijimit të çetës së tij, Haki Mborja u quajt; “Doktori kryengritës”.
Me ardhjen e francezëve, ndihmoi për shpalljen e Krahinës Autonome të Korçës dhe mori pjesë në qeverinë e saj. Gjatë kësaj kohe, ndihmoi në hapjen e 60 shkollave në krahinën e Korçës, përfshi edhe shkollën e Mborjes. Gjatë vitet 1918-1920, qëndroi në mbrojtje të kufijve jugorë të Shqipërisë, mbështeti fort Kongresin e Lushnjës dhe qeverinë e saj.
Më 1926-ën, u zgjodh deputet, mori vota më shumë se Fan S. Noli, por më 1928-ën, u largua nga politika, sepse Mbretërinë e shihte si të parakohshme në një vend si Shqipëria. Vdiq në shtëpinë e tij, në vitin 1931.
Selim Mborja dhe bashkëshortja e tij, Fitreti, vendosën të shkonin në Selanik, atje kishin prona dhe një hotel, mjetet financiare nuk u mungonin. Ndërsa bënin gati plaçkat, Fitretit nuk i mbaheshin lotët. Një ditë më parë ishte përcjellë me njerëzit e saj në Starovë të Pogradecit. Tashmë nuk do t’i shihte më të afërmit e vet, edhe kur të vdiste nuk do t’i vinte askush ta qante te varri.
Edhe përtej vdekjes, do të mbetej e vetmuar. Bashkë me ta, kërkoi të udhëtonte edhe Koço Kota. Nuk i thanë jo dhe të dyja familjet, udhëtuan bashkë. Me të mbërritur në Selanik, Selim Mborja u vendos në hotelin e tij privat. Nata e parë larg Korçës, ishte e dhimbshme. Njerëz që vrisnin prapa shpine dhe pa asnjë arsye, e kishin detyruar ta linin Korçën.
Ajo natë për Selim Mborjen, mbeti nata më e vetmuar e jetës së tij. Në Korçë, gjendej gjithnjë mes miqsh e shokësh. I pëlqente shoqëria edhe me profesorët e Liceut; takohej shpesh më ta: me Elmaz Ahmetin, Abaz Ermenjin, Fejzi Dobin, Selman Rizën, Aqif Selfon, Abedin Shkëmbin, Aldo Çobën, Malo Kodrën, etj. Profesor në Lice, kishte qenë edhe Enver Hoxha, por me të nuk kishin patur ndonjë shoqëri të madhe.
Vetë Enver Hoxha, te libri i tij, “Kur lindi Partia”, shkruan: “Fundot, me Vangjo Turtullin, me Manot, me Katrot e, shumë të tjerë të këtij kalibri, si edhe me ata të kalibrit më të ulët, ishin përfaqësuesit e borgjezisë së krishterë…! Kurse Fazlli Frashëri, i vëllai Qazkës, Selim Mborja, Tefik Mborja, Rexhep Merdani e, mjaft të tjerë si këta e, më të ulët se këta, formonin opinionin e; “elitës myslimane” korçare…”!
Pra, nga sa shihet, miqësia e Hoxhës me parinë e Korçës, nuk kishte ekzistuar. Ndoshta kjo ishte arsyeja, që ai kishte kërkuar ekzekutimin pa gjyq të Selim Mborjes. Tejet e trishtuar ndihej edhe Fitreti, gruaja që ishte kujdesur gjithnjë, për jetimët dhe familjet e varfra të Korçës.
Nuk kishte ditë të shënuar, që ajo të mos pyeste Selimin: “Çfarë do të dhurojmë sot, për familjet e varfra”? Dhe bënte të pamundurën që ndihma e ofruar, të ishte e vlefshme për të kapërcyer hallet. Ajo ishte vërtet një shenjtore.
Fitreti doli në verandë, donte ta largonte mërzinë që po e lodhte aq shumë. Selaniku ishte i bukur, shkëlqente nga të gjitha anët, por edhe Korça, e bukur kishte qenë gjithnjë. Që nga viti 1850, e kishin krahasuar me Izmirin, por me qenë se Izmiri cilësohej si “Parisi i Mesdheut”, për analogji, Korçën e quajtën “Paris i Vogël”. Edhe Korça kishte patur ndriçim, vite e vite më parë.
Më 1911-ën, instaloi sistemin e ri të ndriçimit: “Qeveria tonë (e Korçës), solli për provë një llambë sistem ‘Radium’ me 350 fuqi dritë qiriri. Llamba ka dritë të bukur dhe kështu së shpejti, do të sjellin më shumë llamba të këtilla, që të ndritin qytetin dhe rrugët e gjëra. Përgëzojmë z. Ahmet Efendinë, kryesonjësin e qeverisë si dhe gjithë këshillonjësit, për përpjekjet që bëjnë për të zbukuruar qytetin…”! (Gazeta “Koha”, 17 mars 1911).
Më pas, qyteti u pajis me gjenerator, por pas largimit të francezëve, në maj të vitit 1920, makineria e prodhimit të energjisë, nuk funksionoi më. Gazetat e Korçës, shkruanin gjithë ironi: “Korça një goxha qytet, natën është pa drita.
Duket se drita u prish sytë korçarëve, të cilët janë mësuar kaq vite tani, pa drita natën. Nuk na pëlqen që ta besojmë, se Bashkia nuk përkujdeset për të ndritur Korçën natën. Dimë që makina elektrike që kishin francezët, mbeti këtu, përse nuk përdoret”?! (“Gazet’ e Korçës”, 21 korrik 1920).
Megjithatë, edhe viti 1924, Korçën e gjeti pa drita. Më 1925, Bashkia shpalli kushtet e tenderit, për elektrifikimin e Korçës. Në lojë ishin dy shoqëri: “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes dhe “Manseman”, shoqëria gjermane. Oferta më e mirë u dha nga Selim Mborja. Më 18 shtator 1925, filloi ndërtimi i centralit elektrik.
Në prill të vitit 1926, plotësoi një pjesë të nevojave për energji. Elektrifikimi i plotë i Korçës u njoftua nga shtypi: “Që pardje, me një marrëveshje të kryetarit të Bashkisë, shoqëria ‘Xheneral Elektrik’, zuri të japë dritë për tërë qytetin e, jo si më parë, që jepte gjer më një pas mesnate”?! (Gazeta “Koha”, 6 nëntor 1926).
Vetëm që qyteti i Korçës të kishte dritë, shoqëria “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes, shpenzoi tej parashikimeve. Gazetat shkruanin: “Shoqëria ‘Xheneral Elektrik’, për të kënaqur gjithë klientët e saj, nuk mori parasysh shpenzimet e rënda që i ngarkohen, sepse populli dhe klientët, dëshironin dritë”. (Gazeta “Koha”, 6 nëntor 1926).
Pranë stacionit elektrik, u ndërtua edhe një mulli i fuqishëm bluarje. Më vonë, në vitin 1936, “Xheneral Elektrik” e Selim Mborjes, ndërtoi në Vithkuq hidrocentralin e parë në Shqipëri. Selim Mborja nuk i kursente lekët, kur e shihte se ndihma e tij ishte e nevojshme. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm