Nga Afrim Imaj
-Historia e panjohur e dy 11-vjeçarëve nga fshati Sukë i Shkodrës, që u dënuam me burg në vitin 1987, të akuzuar për grisjen e fotografisë së dy udhëheqësve të Partisë-
Memorie.al /“U nisëm të luanim me shokët dhe përfunduam në polici me pranga në dorë. Aty na akuzuan për agjitacion e propagandë dhe veprimtari armiqësore. Nuk e kuptonim përse bëhej fjalë. Ishim të vegjël, fare të vegjël e nuk e dinim çdo të thoshte pushtet popullor, komunizëm, kod penal, e nen 55″. Në rrëfimin për ngjarjen e pazakontë, Gjergj Mazia nga Suka e Dajçit, mundohet të ndalojë në momentet më kryesore, pa i vënë rëndësi detajeve të saj. E gjithë historia, sipas tij, ka qenë “një marrëzi e Sigurimit të Shtetit”, që këmbëngulte për t’i gjetur kundërshtarët e regjimit edhe në radhët e të miturve. Kështu ka ndodhur dhe në rastin e tij.
Ka qenë pasditja e 3 marsit ’87, kur “syri vigjilent” i policisë sekrete zbuloi autorët, që grisën fotografitë me portretet e Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë në korridorin e shkollës Suka Dajç. Goditja ishte e menjëhershme. Gjergji Mazia dhe Fredi Ograja, në atë kohë nxënës të klasës së pestë duhej të jepnin llogari për krimin e agjitacionit e të propagandës! Për 30 ditë me radhë vazhduan hetimet intensive për t’i lënë radhën procesit gjyqësor. Hakmarrja ndaj dy të miturve ishte e pamëshirshme.
Në intervistën e tij, 32-vjeçari Mazia, sjell për herë të parë kronikën e plotë të kësaj ngjarjeje të paprecedentë.
Zoti Gjergj! Në një nga dosjet e ish-policisë sekrete është arkivuar procesi gjyqësor, në të cilin jeni akuzuar për krimin e agjitacionit e të propagandës kundër pushtetit popullor. Cila është historia e vërtetë për të cilën bën fjalë ky dokument?
Një ngjarje vulgare që nuk kam dashur ta kujtoj kurrë. Madje, edhe kur ma përmend dikush, ndjehem keq. E vërteta është se veç marrisë së hienave të Sigurimit, në të nuk ka asgjë interesante. E gjitha fillon e mbaron, me një alibi të pështirë. Ju tek dikujt dhe një ditë të bukur, kur nuk e priste kush, gjeti dy kriminelë që propagandonin rrëzimin e pushtetit të Partisë së Punës(!). Gjepura! Gjëra të rëndomta…!
Sidoqoftë, një akuzë e tillë për kohën nuk ka qenë diçka e rëndomtë apo jo…?
Për kohën ka qenë me të vërtetë një akuzë goxha e rëndë, por ishim të vegjël, fare të vegjël ne të pandehurit e saj…!
Në ç’moshë ishit ju atëherë?
Ishim vetëm 11 vjeç. Dy nxënës të klasës së pestë që mendjen e kishim te lodrat. Thjesht, dy të mitur, bile në një gjendje të mjeruar. Ku e dinim çdo të thoshte pushtet popullor, komunizëm, kod penal e nen 55. U skenua ku e di se ku një “lojë” dhe ne të vegjlit u bëmë kriminelë të mëdhenj, që kishim guxuar të sfidonim Enver Hoxhën e Ramiz Alinë!. Po lëne më. Të shkuara të harruara. Nuk ia vlen me bë heroin me gjëra të tilla bajate…!
Në dosjen e procesit gjyqësor akuzoheni se keni grisur fotografinë e Enver Hoxhës e të Ramiz Alisë. Ju kujtohet si ka ndodhur?
Akuza kjo ka qenë. Për herë të parë jemi njohur me të kur na çuan në Degën e Punëve të Brendshme. Një hetues i gjatë e i egër në fytyrë, që u gjend i pari në qelinë ku na futën, ia priti egërsisht: Si guxoni ju spurdhjak, të vini dorë te fotografitë e udhëheqësve të lavdishëm! Kjo na ra si bombë mbi krye. Sado të mitur, e ndjenim rrezikun e diçkaje të tillë. Fillimisht, hezituam të përgjigjeshim, po ku linte ai të mos të flisje. Pastaj i thamë se nuk ishte e vërtetë. Hetuesi na dha nga një shuplakë dhe aty për aty, hodhi mbi tavolinë provat që konfirmonin akuzën e tij…!
Pra, ju ishit thirrur aty se policia kishte siguruar prova që vërtetonin krimin e agjitacionit...?!
Ishte diçka e tmerrshme, kur na njohu hetuesi me to. Si ndenji disa çaste në pritje të përgjigjeve tona, hapi një dosje të madhe dhe nxori prej andej dy fotografi me ngjyra, që ishin zhubrosur e vende-vende ishin grisur. I hodhi mbi tavolinën aty pranë dhe duke u kthyer nga ne, vazhdoi me egërsi: “Ja, kjo është vepra juaj! Kujtoni se flemë ne! Kush ua dha këtë detyrë? UDB-ja u pagoi”?
Sakaq, zgjata kokën dhe hodha vështrimin mbi to. Ishin dy portrete të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, të cilat i shikonim çdo ditë në korridoret e shkollës. U befasuam për mënyrën si kishin ardhur deri aty. Cili kishte qenë ai që kishte vënë dorën mbi to?! Sidoqoftë, për grisjen e tyre, duhej të përgjigjeshim pikërisht ne, dy nxënësit e klasës së pestë. Hetuesi dukej shumë i vendosur në armiqësinë me ne. Vështrimi i tërbuar i syve të tij nënkuptonte dënimin që na priste…!
T’i kthehemi pak momentit të arrestimit. Ku ndodheshit kur u hodhën prangat?
Ishte pasditja e tre marsit 1987, diku rreth orës tre, tre e gjysmë. Po loznim me shokët te fusha e shkollës kur mbërriti aty me shpejtësi gazi i kryetarit të kooperativës. Frenoi te këmbët tona, doli që aty i plotfuqishmi i zonës, i cili me pranga në dorë thirri emrin tim dhe të Fredit. Në pak sekonda na mori për krahësh e na futi në makinë. Prej aty na çoi në zyrën e tij në Dajç.
Prej Dajçit na nisën në Degën e Punëve të Brendshme. Pastaj nisi ballafaqimi me akuzën…! Na akuzuan për agjitacion e propaganda, kundër pushtetit popullor. Mbaj mend që, në gjithë ligjëratën e hetuesit dhe prokurorit, përmendej neni 55. Sipas tyre, unë dhe Fredi, ishim futur fshehtas në shkollë dhe kishim grisur fotografitë me portretet e udhëheqësve të lartë të Partisë…!
A ishte e vërtetë akuza që ju bëri hetuesia?
E gjitha ishte një trillim i mbështetur mbi shpifje e dëshmi të rreme. E vetmja provë, sipas tyre, ishin fotografitë e grisura. Mjaftonin ato për të na shpallur fajtorë e për të na dënuar sipas nenit 55…!
Sidoqoftë, më vonë e keni mësuar të vërtetën e këtij skenari. Si i siguroi policia fotografitë e grisura?
Procesi, siç thashë, filloi më tre mars dhe u mbyll diku nga fundi i muajit. Një tabor me hetues e policë na merrnin në pyetje ditë për ditë. Na vinin përballë dëshmitarë të shumtë, të njohur e të panjohur. Duhej patjetër të pranonim alibinë e ngritur prej tyre. Sipas saj, ne ishim futur fshehtas në shkollë dhe pasi kishim marrë aty një top futbolli, kishim grisur në shenjë urrejtje dy portretet e udhëheqësve të Partisë!
Pas gjithë asaj sfilitje torturuese, duhej të “dorëzoheshim” patjetër. Se duhej që Sigurimi, Dega e Brendshme, të raportonte suksesin e goditjes së një grupi të rrezikshëm. Si përfundim ndodhi ajo që ndodhi. Pavarësisht që nuk doli njeriu i UDB-së, i cili sipas tyre, na kishte paguar për këtë marrëzi…!
I mësuat ndonjëherë emrat e denoncuesve dhe njerëzve që ngritën skenarin e kësaj goditje?
Një pjesë na dolën haptas, gjatë ditëve të hetimit e të gjyqit. Të tjerët që punonin pas shpine, kuptohet nuk kishte si të identifikoheshin legalisht. Megjithatë, mjaft nga emrat që u bënë pjesë e kësaj historie, tashmë janë të ditur. Ndër ta mund të përmend emrin e Preng Gjergjit, ish-Punëtorit Operativ të zonës, atë të Hasan Jerës, ish të plotfuqishmin e Dajçit etj. Ndërkaq nuk kam si të harroj ish-gjyqtaren, hetuesin, prokurorin e, deri polici roje, që na shikonte me urrejtje sikur të ishim terrorist. Gjithsesi, prirem nga ndjenja për ta harruar të djeshmen e hidhur. Kemi boll punë përpara e na duhet mirëkuptimi…!
Dy ngjarjet që tronditën Sukën në fundin e viteve ‘80-të
Suka, një fshat i vogël i komunës së Dajçit, ka përjetuar në fundin e viteve ’80-të dy ngjarje tronditëse. Çuditërisht, të dyja në mars, në prag pranvere. Ngjarja e parë ka qenë një demonstrim barbar i forcave të policisë, që tërhiqnin zvarrë në qendër të fshatit, kufomën e një djaloshi të vrarë, duke kaluar kufirin shtetëror. Ngjarja tjetër, kishte një sfond ndryshe, por gjithsesi po aq rrëqethëse. Përsëri, një parakalim triumfal i forcave të policisë, me dy fëmijë të prangosur, që shkonin të jepnin llogari për krimin e tradhtisë e të agjitacionit!
Mirash Mazia, 60-vjeçari që i ka fiksuar mirë në kujtesë këto dy ngjarje tronditëse, thotë se, ka një lidhje të veçantë me to. Më saktë, me viktimat e tyre. I vrari për tentativë arratisje, ka qenë shoku i tij i afërt, ndërkohë që njëri nga dy të miturit e arrestuar, në mars të ’87-ës, për agjitacion, është i biri i tij, Gjergji. “Gjithsesi, – na thoshte këto ditë në shtëpinë e tij ai, – duhet depërtue në domethënien e veprimeve të tilla. Diktatura përjetonte grahmat e fundit dhe veprime të tilla i duheshin me mbajt njerëzit në panik”, shpjegon njeriu që ka mbetur i lënduar, në të dyja goditjet demonstrive. Sakaq i vëllai i tij, Gjoni, e lidh arrestimin e dy të miturve, me represionin në rritje të policisë sekrete, në pragun e vizitës së Ramiz Alisë ato ditë në Shkodër.
Të akuzuarit:
- FREDI ORGAJA: I biri i Luigjit dhe i Marisë, me datëlindje 21.09.1975
- GJERGJI MAZIA: I biri i Mirashit dhe i Lukes, me datëlindje 22.08.1976
Akuza: Grisën fotografinë e Ramiz Alisë
“Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Kjo është akuza mbi të cilën Gjykata e Shkodrës, ka shprehur verdiktin e saj në adresë të pandehurve, Gjergji Mazia e Fredi Ograja, në procesin e 30 marsit 1987. Dy fotografi të grisura me portretet e Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë, ishin e vetmja provë që konfirmoi krimin e parashikuar nga neni famëkeq 55. Në vështrimin e parë të proces-verbalit gjyqësor dhe nga mënyra si është artikuluar akuza, të krijohet përshtypja se, bëhet fjalë për një vepër të konsumuar nga njerëz të rritur.
Por, kur lexon me vëmendje dosjen në të cilën është dokumentuar dinamika e seancës gjyqësore, të duket paradoksale dhe e pabesueshme që, ajo akuzë e rëndë, u përket dy fëmijëve, të cilët ende nuk kanë mbushur 11 vjeç. Dy të mitur, përballë “njerëzve të drejtësisë”, duhej të përgjigjeshin për krimin e agjitacionit e propagandës. Ja çfarë shkruhet në procesverbalin e mbajtur gjatë procesit…!
DOKUMENTI / Në Emër të Popullit
Gjykata e rrethit Shkodër, e përbërë nga
Tatjana Laçaj, gjyqtare
Jakup Mataj, nd/gjyqtar
Hysen Kraja, nd/gjyqtar
Asistuar nga sekretarja Lumturi Piraniqi, me prokurore Mimoza Pajon, shqyrtoi në seancë gjyqësore me dyer të hapura, me mbrojtëse Violeta Sulku, çështjen që ju përket të pandehurve:
- FREDI ORGAJA: I biri i Luigjit dhe i Marisë, me datëlindje 21.09.1975, nxënës në klasën e pestë.
- GJERGJI MAZIA: I biri i Mirashit dhe i Lukes, me datëlindje 22.08.1976, nxënës në klasën e pestë në Suka, Dajç.
TË AKUZUAR: Për agjitacion e propagandë.
Gjykata pasi shqyrtoi materialet e çështjes, pasi dëgjoi prokuroren, pasi dëgjoi mbrojtjen që kërkoi të përjashtohen të pandehurit nga dënimi, pasi dëgjoi të pandehurit që kërkuan mëshirë,
V Ë R E N
Më datë 03.03.1987, rreth orës 15:00, të miturit Fredi Orgaja e Gjergj Mazia me banim në Suka, Dajç, kanë hyrë prej dritares së shkollës fillore Suka, Dajç, e në bashkëpunim mes tyre, kanë grisur fotografinë e udhëheqësit si dhe kanë vjedhur një top futbolli dhe disa stilolapsa fëmijësh. Autorët, pasi janë futur në shkollë, në korridorin e shkollës, kanë grisur dy fotografi të cilat ndodheshin në stendën e shkollës.
Pastaj janë futur në klasë ku kanë gjetur një portret të udhëheqësit, dhe këtë e kanë grisur. Po në këtë dollap, i mituri Fredi Orgaja, ka vjedhur edhe një top dhe disa stilolapsa. Topi dhe stilolapsat, i mituri Fredi i ka fshehur në banesën e tij. Ky i mitur, që nga momenti i pyetjes së fillimit të çështjes penale, ka shpjeguar me hollësi mënyrën e kryerjes së veprimeve të tyre, veprime të cilat sikurse u përshkruan më lart, përputhen me proces-verbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, me thëniet e dëshmitarit Franc Prozhni e, dëshmitarit të mitur Martin Livadhi.
I mituri Gjergj Mazia, ka pretenduar se atë ditë, është e vërtetë që orën 15:00, janë takuar së bashku, ku dhe Fredi i kishte thënë atij që, do të hynte në shkollë për të vjedhur një top futbolli, më pas ka thënë se, e ka takuar mbasi ishte futur në shkollë dhe Fredi, i kishte thënë që kishte vjedhur një top futbolli.
Vetë fakti që dy të pandehurit-të mitur, ditën e ngjarjes janë takuar, provohet prej të miturit Gjergji, që janë bërë bisedat e mësipërme, që dëshmitari Martin Livadhi, i ka parë të dy së bashku ditën e ngjarjes, se Gjergji hyri nga dritarja brenda, pasi dhe Fredi, si dhe ky i fundit, i ka thënë që kam grisur fotografinë e xhaxhi Ramizit, kurse Fredi, kishte marrë topin e stilolapsat, vërtetojnë se këta dy të mitur, kanë kryer veprën e agjitacionit e të propagandës, parashikuar prej nenit 55 të Kodit Penal.
Sipas certifikatave të gjendjes civile, doli se të dy të gjykuarit, në klasë të pestë të shkollës tetëvjeçare Suka, Dajç, pra të moshës 11-vjeçare, se në shkollë janë futur për të marrë një top për të luajtur, e më pas, kanë kryer veprën, tregon atë që të dy të miturit, për këtë zhvillim mendor apo dhe atë fiziologjik, nuk i kanë lejuar ato të kuptojnë rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale. Mësuesit Franc Prozhni e Mine Pjetri, të pyetur gjatë seancës gjyqësore, kanë deponuar se ata në klasë, nuk kanë qenë shqetësues dhe për vetë moshën nuk e kanë kuptuar rëndësinë e krimit…! Memorie.al
Shkodër më 30.03.1987
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016