Memorie.al publikon një foto të rrallë që i përket muajit prill të vitit 1968 e cila është fiksuar gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor të mbajtur për katër ditë me rradhë në Kishën e Motrave Sigmatine në qytetin e Shkodrës që asokohe ishte kthyer në Klub Rinie dhe bëhej në ngarkim të pesë klerikëve katolikë; At Gegë Luma, Dom Frano Ilia, Dom Mark Dushi, Dom Zef Bici, Dom Mark Hasi dhe dy besimtarëve Alfons Radovani dhe Kol Marlacaj, të cilët ishin marrë si të pandehur “për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
Gjyqi ndaj tyre që u zhvillua me bujë të madhe (gjyq publik demaskues dhe me dyer të hapura e altoparlantë) “në kuadrin e luftës kundër besimeve fetare dhe zakoneve prapanike”, që kishte ndërmarrë regjimi komunist i Enver Hoxhës që në vitin 1966, (kohë kur filloi edhe prishja e objekteve të kultit, si kisha, xhamia, manastire, teqe, manastire etj.), kryesohej nga Nuri Resmja, kryetar i Gjykatës së Qarkut të Shkodrës, i cili dha vendimin me datën 25 prill, duke dënuar me vdekje, me pushkatim, Dom Zef Bicin dhe Dom Mark Dushin, me akuzën: “Tradhti të lartë ndaj atdheut” dhe “agjentë të Vatikanit”, ndërsa me nga 25 vjet burg, Dom Frano Ilian, Dom Mark Hasin, At Gegë Lumën, etj.
Vetëm Dom Frano Ilia mundi të dalë i gjallë nga burgjet komuniste dhe të shërbente përsëri si meshtar edhe pas viteve ’90-të fillimisht në Kishën e Delbnishit të rrethit e Kurbinit (ku dhe ishte arrestuar në vitin 1967), dhe në 25 prill të vitit 1993, të shugurohej si Ipeshkvi nga vetë Papa Gjon Pali i Dytë, (gjatë vizitës që kreu i Selisë së Shenjtë bëri në Shqipëri), kurse At Gegë Luma dhe Dom Zef Bici, nuk arritën ta shikonin rrëzimin e regjimit komunist, pasi ndërruan jetë para viteve ’90-të. Foto në fjalë që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, fillimisht është publikuar në revistën “Në shërbim të popullit” (organ i Ministrisë së Punëve të Brendshme) në vitin 1968 dhe deri në vitin 1990, ka qenë e ekspozuar në një nga eksponatet e Muzeut Ateist të qytetit të Shkodrës.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016