Nga Avni Alcani
Memorie.al / Pas pushtimit të Shqipërisë, më 7 prill 1939, Italia fashiste filloi përgatitjet e saja për shpalljen e luftës dhe pushtimin e dy vendeve të tjera ballkanike dhe fqinje me Shqipërinë: Greqisë dhe Jugosllavisë. Pushtimi i tyre do të kryhej nëpërmjet tokave të okupuara shqiptare, pasi Italia, pas pushtimit, e konsideronte Shqipërinë si tokën e saj. Për të justifikuar pushtimin e dy vendeve ballkanike, fashistët italianë u thanë shqiptarëve se po e bënin këtë luftë për t’iu kthyer krahinat e Çamërisë dhe Kosovës, që ishin ndarë padrejtësisht nga trungu amë në vitin 1913.
Në tetor të vitit 1940, Italia sulmoi ushtarakisht Greqinë dhe pas gjashtë muajsh, në prill të vitit 1941, Italia sulmoi Jugosllavinë jugore, e cila u pushtua brenda një jave pa ndonjë rezistencë të veçantë, për shkak se pjesa më e madhe e saj ishte pushtuar nga forcat naziste gjermane.
Krejt e kundërta po ndodhte në frontin greko-italian. Shteti grek dhe ushtria e tij iu kundërvunë ushtrisë italiane me një rezistencë të fortë dhe Italia fashiste nuk arriti të realizonte qëllimin e saj, pushtimin e shpejtë të Greqisë dhe për ta mposhtur atë brenda një periudhe të shkurtër kohe. Ushtria italiane jo vetëm që nuk po përparonte, por ajo njohu humbje të shumta dhe disfata të njëpasnjëshme në tokën helene.
Për të ndjekur dhe për të parë nga afër luftimet në frontin italo-grek gjatë muajve shkurt-mars të vitit 1941 këto treva i vizitoi edhe Kryeministri i qeverisë fashiste, Benito Musoloni, i njohur si Duçe. Musolini, që përpara luftës, kishte qenë gjithmonë i angazhuar në fushatën kundër Greqisë.
Qëllimi i vizitës së tij në frontin italo-grek, ishte bërë për t’u dhënë kurajo ushtarëve italianë, pasi ai shpresonte se trupat italiane kishin për të bërë një përparim përfundimtar mbi trupat greke, për të çuar në një fitore të sigurt dhe përfundimtare në pushtimin e Greqisë nga Italia fashiste. Por fronti i luftës kishte qenë katastrofë e vërtetë për italianët dhe Duçja e pa me sytë e veta këtë katastrofë.
Pasi la frontin e luftës italo-greke, Musolini vizitoi Shqipërinë nga datat 2, deri më 21 mars 1941. Vizita e tij i ishte dedikuar paraqitjes së trupave pushtuese italiane në këtë vend. Gjatë gjithë periudhës kur Musolini ishte në Shqipëri ai e kishte përkushtuar veten për vizita të shumta në njësitë ushtarake të pranishme në tokën shqiptare. Ai shpresonte se, duke u dhënë kurajo ushtarëve të tij të përfshirë në luftë, kishte për t’i nxitur këta, për të luftuar fuqishëm kundër Greqisë.
Por ngjarjet në frontin italo-grek kishin dëshmuar se përparim i ushtrisë italiane jo vetëm që nuk kishte avancuar, por, përkundrazi, ushtarët italianë u ndoqën këmba-këmbës nga ushtria greke deri në tokën shqiptare. Musolini, me t’u kthye në Itali, pasi kishte parë mungesën e avancuar të ushtrisë italiane në Greqi, kishte kërkuar ndihmë te gjermanët për të riparuar dëmin e madh të ushtrisë së tij, e cila nuk ishte në gjendje që me sukses t’i jepte fund luftës në tokën helene.
Nga fundi i qëndrimit të tij në Shqipëri, Duçja bëri një ndalesë të shkurtër në qytetin e Elbasanit, për të vizituar ushtarët e plagosur të luftës italo-greke që ndodheshin në Qendrën Ushtarake Spitalore të Krastës. Kjo vizitë e kreut fashist italian, na dëshmohet edhe nga një grup fotografish që kishte koleksionuar Dr. Pierluigi Zamperin, i cili ishte mjek pranë kësaj Qendre Ushtarake Spitalore në Elbasan. Këto foto po i botojmë për herë të parë, duke i bërë të njohura për publikun dhe lexuesin shqiptar.
Janë gjithsej 7 fotografi, të cilat të gjitha kanë në qendër të tyre Duçen. Në këto fotografi ai është i shoqëruar nga ushtarakët më të lartë të ushtrisë italiane që ndodheshin në Shqipëri, si dhe nga truproja e tij e hekurt (Foto PLZ 121). Duçja në vështrim të parë duket i qetë dhe i buzëqeshur në takimet me ushtarakët (Foto PLZ 117) dhe personelin mjekësor të Qendrës Spitalore të Krastës (Foto PLZ 118).
I tillë duke ai edhe në fotot PLZ 115 dhe PLZ 120, si dhe në një takim me ushtarët e oficerët e këtij objekti mjekësor (Foto PLZ 120). Por situata aspak optimiste në frontin grek, si dhe disfatat e njëpasnjëshme që pësoi ushtria e tij në këtë front, nuk mund të fshiheshin nën këto buzëqeshje enigmatike.
Zymtësia dhe buzëqeshja e sforcuar e Duçes për t’u dukur i qetë, nuk mund të mos vihen re gati në të gjitha fotografitë e koleksionit të Dr. Pierluigi Zamperin, si te fotot PLZ 115, PLZ 116, PLZ 117, PLZ 118, PLZ 119, PLZ 120 dhe PLZ 121.
Në koleksionin e Dr. P. Zamperini ndodhet edhe një foto e veçantë (në dukje), e cila ka pamje të varrezave të luftës me varre të ushtarëve italianë, që, sipas shënimeve të Dr. Zamperini, ndodhen në Krastë të Elbasanit (Foto PLZ-024). Nuk dimë a i kishte vizituar këto varre Duçja, për të parë se ku kishin mbërritur marrëzitë e tij, për të nisur një luftë të kotë dhe absurde në dëm të popujve ballkanikë, të vetë Italisë dhe të bijve të saj.
Më 21 mars 1941, në orën 07.45, Musolini u largua nga Shqipëria me një aeroplan, i shoqëruar nga 12 avionë luftarakë. Ai do të bëjë një ndalesë të shkurtër në qytetin e Barit dhe në orën 10.30 u ul në Centocelle në Romë./ Memorie.al











