Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetenjë
-NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET –
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
FILMI
Censura, si në të gjitha artet, është e pajetë, i mbyll sytë vetëm kur kinematografët punojnë për ngritjen e kultit të Leninit apo të Stalinit e më tej, për trajtimi e tyre si shenjtorët në ikonat kishtare të shekujve të kaluar. Për të qenë më konkretë, le të citojmë në vazhdim, si fillim, një letër që kineastët sovjetikë i dërgojnë Stalinit në vitin 1934: “Më e mira tek ne – forca e bindjes, forca ideologjike e filmave tanë, është rezultat i drejtpërdrejtë i udhëheqjes së Partisë, që ka hapur për ne artin e shikimit të botës, na ka dhënë forcën dhe të drejtën për ta rindërtuar atë nëpërmjet burimeve të artit tonë.
Ne punojmë në mënyra të ndryshme, me ndihmën e metodave të ndryshme dhe në gjini të ndryshme, por ne jemi të gjithë të frymëzuar nga dëshira e përgjithshme për të shprehur sa më qartë idetë që frymëzojnë pjesën më të mirë të njerëzimit, idetë e Marksit dhe Leninit, idetë e Kryetarit të shkëlqyer të Partisë, më të vendosurit dhe më revolucionarit: Josif Visarionoviç Stalin”.
Disa filma i janë kushtuar fillimisht Vladimir Iliç Leninit. Në vitin 1934, Dziga Vertovi realizon filmin dokumentar ‘Три песни о Ленине’ (‘Tre këngë për Leninin’) bazuar në të dhëna arshivore dhe dëshmi gojore. Skena përfundimtare tregon një familje duke dëgjuar njoftimin për vdekjen e Leninit dhe duke qarë humbjen e atij që u solli dritën. Ndër filmat e tjerë kushtuar udhëheqësit të Revolucionit Bolshevik, janë ‘Ленин в октяабре’ (‘Lenini në Tetor’), film autobiografik i vitit 1937, si dhe ‘Ленин в 1918’ (‘Lenini në 1918’) i vitit 1939, që ekranizon Luftën Civile në mënyrë të tillë, që nxjerr në plan të parë figurën e Stalinit.
Filmat janë realizuar nga Mihail Romi, që mund të thuhet, nis kështu kultin e personalitetit të Stalinit në ekran. Në vitin 1937, Dziga Vertovi realizon filmin ‘Колыбельная’ (‘Ninulla’) që lajkaton Stalinin. Në vitin 1938 Shiaureli realizon ‘Великое зарево’ (‘Shkëlqimi i Madh’) me figura qendrore Leninin dhe Stalinin.
Më tej, në vitin 1940, Lev Kuleshovi do të vazhdojë të ekranizojë Stalinin në filmin ‘Сибиряки’ (‘Siberianët’). Në vitin 1941 Mihhail Kalotozovi do të realizojë filmin ‘Валерий Чкалов’ (Valeri Shkallov) një “homo sovieticus”, një aviator, që punon për atdheun dhe socializmin dhe që, në apoteozë, takon Stalinin, udhëheqësin e madh. Në vitet 1947 dhe 1949, Mihail Shiaureli, që njihet edhe si këngëtar i stalinizmit kinematografik fitimtar, do të realizojë, po në të njëjtën linjë, filmat ‘Клятва’ (‘Betimi’) dhe ‘Падение Берлина’ (‘Rënia e Berlinit’). Në filmat e Shiaurelit diktatori paraqitet si gjysmëperëndi apo perëndi, i aftë të ndreqë një traktor, që ka pësuar defekt në “Sheshin e Kuq”, por edhe të vendosë pa gabuar, të udhëheqë Ushtrinë e Kuqe drejt fitores që nga selia e tij në Kremlin.
Клятва (Betimi) i vitit 1946, është një tjetër film i Shiaurelit. Sipas skenarit të tij, gjatë dimrit të vitit 1924, bolsheviku i vjetër Stefan Petrovi dhe vajza e tij Ollga, nisen për t’i dërguar Leninit një letër nga fshati i tyre. Rugës ato sulmohen nga një bandë kulakësh që vrasin Stefanin. Varvara, gruaja e tij, vendos ta dërgojë letrën në Moskë. Gjatë rrugës ajo mëson mbi vdekjen e Leninit. Në “Sheshin e Kuq”, përballë turmës, Stalini betohet se do të zbatojë mësimet e Leninit. Varvara i dorëzon atij letrën. Vendi ndryshon dhe familja Petrov luan një rol aktiv për këtë. Gjermania naziste sulmon Bashkimin Sovjetik. Varvara nis fëmijët e saj për të mbrojtur atdheun. Nazistët u ndaluan në Stalingrad. Pas fitores Stalini dhe Varvara takohen sërish.
Filmat, që i thurin himne Stalinit, kultit të tij, vazhdojnë ndër vite. Një i tillë është ‘Танки’ (‘Tanket’) realizuar në vitin 2018 nga regjisori Kim Druzhinini. Në kinematografinë sovjetike vihet re, gjithashtu, xhirimi i një sërë filmash në të cilat nuk ndeshet Stalini as fizikisht dhe as emri i tij nuk përmendet, por që i drejtohen apo i kushtohen pa asnjë dyshim atij, janë qartë një model i tij. Këta janë filma me karakter historik, që trajtojnë figura historike, qofshin të kohës, si ‘Çapajevi’, apo edhe të një të kaluare më të largët si Akleksandër Nevski, Ivani i Tmershëm (pjesa I-rë) admiralët Nahimov, Kutuzov, Ushakov, etj.
Filmi ‘Чапаев’ (‘Çapajev’) i Sergei dhe G. Vasilievit, është xhiruar në vitin 1934. Çapajevi është një hero i Revolucionit të Tetorit. I dalë nga gjiri i popullit, ai është luftëtar i vendosur dhe brutal, por dhe udhëheqës i madh trim, të cilit mund t’i shkosh pas. Një personazh i tillë, edhe fizikisht, i ngjason Stalinit. Dhe, sipas filmit, nëse Çapajevi vret pa gjykuar ushtarë të tij, këtë e bën sepse ata janë tradhtarë. Analogjia midis Çapajevit dhe Stalinit dhe spastrimeve të tij, është e qartë. Përsa i takon filmit ‘Александр Невский’ (‘Aleksandër Nevski’) të Aizenshtainit, xhiruar në vitin 1938, autori mbështet diktatorin e Kremlinit nëpërmjet një modeli rus pararendës të tij, atë të princit më popullor në historinë e Rusisë, që luftoi kundër evropianëve, të cilët donin të pushtonin tokat ruse.
Në film armiku përfaqësohet nga kavalierët teutonë katolikë, që simbolizojnë Gjermaninë, e cila sulmoi Bashkimin Sovjetik në vitin 1941. Kavalierët teutonë janë, në film, qenie jonjerëzore, robotë, ndërsa rusët paraqiten si njerëz të gjallë, që reagojnë emocionalisht përballë sulmit armik. Përsa i takon udhëheqësit të tyre, Aleksandër Nevskit, ai vendoset në lartësinë e një kodrine, i mbështetur nga kisha ortodokse, një aleate e re për bolshevikët e Kremlinit në këto kohë të rrezikut gjerman, dhe, sidomos, simbol i identitetit rus.
Nevski paraqitet si udhëheqës i madh që mobilizon dhe shpëton popullin, shkatërron armikun dhe mbron pavarësinë e vendit. Ai mishëron një mit. Ai është shenjtor i kishës ortodokse. Teorikisht është e vështirë të gjesh të përbashkëtën midis një shenjtori të kishës dhe kreut të “shtetit proletar”, marksizmit apo bolshevizmit. Në praktikë, shikuar edhe në këtë rast, paralelja midis Aleksandër Nevskit dhe Stalinit ish-seminarist për t’u bërë prift ortodoks, i konvertuar më pas në revolucionar bolshevik, nuk le vend për diskutim.
Kujtojmë se pas nënshkrimit të Paktit të Mossulmimit Gjermano-Sovjetik të vitit 1939, filmi u tërhoq nga sallat e kinemave si i panevojshëm. Me nisjen, e operacionit nazist “Barbarosa” kundër Bashkimit Sovjetik, në qershor të vitit 1941, filmi zuri sërish vend në sallat e kinemave për të ngritur lart shpirtin patriotik rus kundër agresorëve gjermanë.
‘Пётр Первый’ (‘Pjetri i Parë’) i Vladimir Petrovit, është një tjetër film historik dhe biografik në dy pjesë, realizuar nga Vladimir Petrov. Ai trajton jetën dhe veprimtarinë shtetërore të transformatorit te Rusisë së shekullit XVIII, carit rus Pjetri I-rë, duke filluar nga beteja e Narvës e vitit 1700, deri në pranimin prej tij të titullit të perandorit në vitin 1721. Pjesa e filmit u xhirua në vitin 1937 dhe e dyta në vitin 1938. Mesazhi i këtij filmi është i njëjtë në ide me atë që përcjellin edhe filma të tjerë sovjetikë me temë nga e kaluara historike dhe me figurë qendrore personalitete të ndryshme shtetërore; carë, princër, admiralë.
‘Минин и Пожарский’ (‘Minin dhe Pozharski’) është film kushtuar figurave historike të Mesjetës ruse. Ai u realizua në vitin 1939 nga Vsevolod Pudovkini dhe Mikhail Dolleri, bazuar në romanin e Viktor Shklovskit – “Rusët në fillim të shekullit të 17-të”. Filmi tregon se si në vitin 1611 polakët pushtuan Rusinë dhe u bënë zotër të Moskës. Në rrugën “Stretenka” turma njerëzish u vërsulën drejt Princit Pozharski për t’i kërkuar armë, për të luftuar kundër pushtuesit. Pozharski hedh poshtë me përbuzje ofertën e tradhtarit Grigori Orlov për t’u nënshtruar. Ai merr drejtimin e revoltës popullore.
Por trupat polake të armatosura mirë e shtypën kryengritjen ruse. I plagosur rëndë, Pozharski largohet nga Moska. Në Nizhni-Novgorod, tregtari Kozma Minin organizon një milici popullore, për të luftuar kundër pushtuesit. Trupat e Mininit dhe Pozharskit shtypin armikun. Njësitë polake, të vendosura në Kremlin, u dorëzuan. Populli i ngazëllyer pushton Sheshin e Kuq për të festuar çlirimin e tokës ruse nga pushtuesit. Në vitin 1941, Pudovkini, Dolleri, etj., u nderuan me “Çmimin Stalin”.
Filmi epik u përdor në mënyrë mjaft efektive nga regjisorët sovjetikë në fund të viteve 1930 dhe në fillim të viteve 1940, për të propaganduar nacionalizmin rus të përqafuar nga krerët e shtetit sovjetik. Thënë më qartë, filmat epikë të viteve 1930 dhe 1940, paraqesin kryesisht figura historike të Rusisë së Madhe. Në përgjithësi regjisorët e këtyre filmave janë të gatshëm të interpretojnë dhe falsifikojnë ngjarje historike, duke bërë paralelizma me konfliktet ndërkombëtare të kohës, duke fshirë kufijtë midis internacionalizmit proletar të propaganduar nga doktrina marksiste-leniniste dhe nacionalizmit borgjez, duke e përdorur nacionalizmin si armë propagandistike të kulturës socialiste.
Filmi ‘Иван Грозный’ (‘Ivani i Tmerrshëm’) është filmi i fundit i realizuar nga kineasti sovjetik Sergei Aizenshtain. Ai përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e I u realizua në vitin 1945, ndërsa pjesa II-të, e bllokuar nga censura, në vitin 1958. Filmi trajton përpjekjet e Carit Ivanit IV të Rusisë (1530-1548), i njohur si Ivani i Tmerrshëm, për bashkimin e principatave ruse në një shtet të vetëm modern dhe të fuqishëm. Për arritjen e këtij qëllimi, Carit rus ju desh të ndeshet me armiq të jashtëm, në Lindje dhe në Perëndim, por edhe me një komplot të brendshëm në rrethin e tij, me bojarët vendas kryengritës. I papërmbajtur dhe mizor, Ivani IV-ët themelon një Rusi të fortë dhe krijon një model pushteti për carët e ardhshëm.
Analogjia me aktualitetin e kohës nuk është vështirë të kuptohet. Katër shekuj më pas, Stalinit, për të forcuar dhe ruajtur pushtetin e tij, për një Rusi të fortë dhe të bashkuar, i duhej të vigjilonte mbi perandorinë sovjetike të përbërë nga 15 republika, që shtriheshin nga Deti Baltik në Oqeanin Paqësor, të asgjësonte bashkëluftëtarët e tij, apo përgjithësisht “armikun e brendshëm”, të thyente “armikun e jashtëm”, Gjermaninë naziste, ushtritë e Wermahtit nazist, pasardhëse të hordhive teutone. Pjesa I-rë e filmit u nderua me “Çmimin Stalin”.
Filmi ‘Кутузов’ (‘Kutuzov’) u realizua me qëllimin e vetëm për të bindur sovjetikët se fitorja mbi Gjermaninë naziste ishte e mundur, për të mobilizuar popullin në Luftën e Madhe Patriotike kundër agresionit nazist. Filmi pasqyron shikimin rus të ngjarjeve kryesore të Luftës Patriotike të vitit 1812. Ai trajton arritjen e Napoleonit në Smolensk të Rusisë në vitin 1812 dhe emërimin e Kutuzovit nga Cari rus si kryekomandant i ushtrisë ruse.
Kutozovi ndjek një strategji që e detyron ushtrinë franceze, të komanduar nga Napoleoni, të tërhiqet. Kutuzov i Vladimir Petrovit, kushtuar gjeneralit që shpëtoi Rusinë nga invazioni i Napoleon Bonopartit, mbyllet me tërheqjen e plotë të trupave franceze të rraskapitura, të uritura, të ndjekura këmba-këmbës nga rusët. Napoleoni mbyll filmin duke njohur si gabim të tij ndërmarrjen e një fushate ushtarake kundër Rusisë.
Duke ndjekur filmin, nuk mund të mos vihet re se si Kutuzovi në kohën e tij, ashtu edhe Stalini gjatë agresionit nazist, ndoqën politikën e “tokës së djegur”, për të penguar dhe bërë të pamundur furnizimin e armikut me armë dhe ushqime. Në filmin “Kutuzov”, marshalli me emër përshkruhet si një strateg mjeshtër, i aftë për të kuptuar strategjinë e armikut dhe që gëzon plotësisht besimin e njerëzve të tij. Për qytetarët sovjetikë mesazhi ishte i qartë: ata duhet të kishin besim të plotë në aftësitë e udhëheqësve të tyre, në radhë të parë tek cari i ri, Stalini, për t’i dhënë fund luftës përgjithmonë, duke e gjunjëzuar dhe turpëruar armikun.
Xhirimi i filmit “Kutuzov” u bë në vitin 1943, vit kur “Ushtria e Kuqe” do të nisë marshimin që, dy vjet më pas, do të përfundojë në Berlin. Filmi u paraqit në publik më 13 mars 1944. Regjisori i saj Vladimir Petrovi, krye-operatori Mihail Guindin dhe aktori Aleksandër Diki, që luan Kutozovin, u nderuan me “Çmimin Stalin”.
Në vitet 1917-1919 pushteti sovjetik mbështet realizimin e filmave propagandistikë (azhitki). Gjatë këtyre viteve dhe më pas vihet re një rritje e shpejtë e filmave bazuar në krijimtarinë letrare të klasikëve rusë sipas logjikës bolshevike dhe në shërbim të propagandës zyrtare. Kështu, filmi ‘Отец Сергий’ (‘Atë Sergej’) i vitit 1918, realizuar nga I. Protazanovi, e vendos theksin në tematikën antiklerikale të novelës me të njëjtin titull të Leon Tolstoit dhe përçon një mesazh ideologjik të fuqishëm.
Romani ‘Война и мир’ (‘Lufta dhe Paqja’) i Lev Tolstoit është ekranizuar në vitin 1967 nga Sergei Bondarçuku. Filmi, me të njëjtin titull, është një nga projektet më ambicioze të kinematografisë sovjetike. Xhirimi i tij ka zgjatur mbi gjashtë vjet. Për realizimin e tij u angazhuan 58 muze dhe 40 ndërmarrje industriale, u ngritën 50 dekore të përmasave të mëdha dhe 8 ura. Për filmimin e betejave të mëdha të Austerlicit dhe të Borodinos u mobilizuan 15.000 ushtarë sovjetikë, u përdorën 23 tonë eksplozivë, 40.000 litra parafinë, 15.000 granata dore tymuese, 2.000 shpata dhe 1.500 gryka artilerie. Një regjiment i veçantë kavalerie me 950 shpata u krijua vetëm për këtë rast. E gjitha kjo është mjaft e kuptueshme nëse i drejtohemi logjikës bolshevike.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, bolshevikët e përdorën romanin “Lufta dhe Paqja” si mjet të fuqishëm propagandistik për të forcuar ndjenjat patriotike dhe unitetin kombëtar. Fitorja e Rusisë cariste mbi Napoleon Bonopartin në vitin 1812, zë vend të rëndësishëm në roman. Udhëheqësit sovjetikë e përdorën këtë për të bërë një paralele midis saj dhe qëndresës kundër Gjermanisë naziste. Qeveria sovjetike e kohës i bëri një publicitet të madh romanit, duke e paraqitur Tolstoin si pararendës të Realizmit Socialist. Tolstoi u bë autori më i botuar në vend gjatë luftës, madje duke ia kaluar edhe Leninit. Ndikimi i romanit u shtri edhe në komandën ushtarake. Gjeneralët sovjetikë gjetën në “Lufta dhe Paqja” një burim guximi.
Ata cituan në frontet e luftës veprën e Tolstoit, për të lidhur ngjarjet bashkëkohore me historinë epike kombëtare të Rusisë, për të shikuar betejat aktuale përmes prizmit të sakrificës historike patriotike, për të frymëzuar kështu qëndresën dhe fitoren mbi nazistët. Lev Tolstoi mbështet në romanin e tij një teori fataliste të historisë. Ai përshkruan me shumë kujdes dhe saktësi qarqet aristokratike të Perandorisë Ruse.
Personazhet e “Lufta dhe Paqja” janë të shumtë dhe të detajuar, por nuk është e mundur të gjesh aty një “hero” të tipit të Realizmit Socialist. Në fund të fundit, të gjitha këto nuk kanë asnjë rëndësi për teoricienët e Realizmit Socialist dhe në radhë të parë për shefat e tyre në Kremlin. Për ta, kur u duhet atyre, nëse u shërben atyre, gjithçka është e bukur në jetë! Parimet e “shenjta”, kodet e fanatizuara harrohen shumë shpejt nëse pengojnë! / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













