Nga Sokrat Shyti
Pjesa e dyzetegjashtë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Edhe po të mos ishte ky sebep, ikja jote ushtar, fejesa duhet bërë sa me shpejt, duke patur parasysh kundërshtitë dhe fërkimet. Të dy palëve na intereson të kurorëzohet me sukses lidhja e krushqive, sipas traditës e zakoneve, dhe brenda mundësive tona. Lidhur me këtë, për ty kam një kërkesë, që dua ta plotësosh pa asnjë pendesë: duke e ditur që daja yt, të cilin ti e do me shpirt, mezi e priti çastin e lumtur, fejesën e nipit, peshqeshet e darovitjes, janë dhuratë nga ana ime! Prandaj hiqe nga mendja fjalën borxh apo huadhënie.
Ne në familjen time, shyqyr Zotit, jemi kokë e rrogë, përveç gruas, të cilën e kemi ngarkuar me detyrën e ambasadores shëtitëse, meqë zotëron disa gjuhë të huaja…”, – tha ai, duke u gajasur së qeshuri. – “Vangjia me ngacmon herë pas here: Babi! Pse të shkrepi syri tek mami?!
Dhe unë ia kthej: Përveç bukurisë së madhe, më bëri për vete me zgjuarsinë e veçantë! Ku gjeje në atë kohë vajzë me shkollë të lartë e, mendje kaq të ndritur, si mamaja jote”!
– “Po mamaja me çfarë merret”? – e pyeta unë.
– “Ajo, punon si kuzhiniere në kursin e partisë. E di si ndodhi? Një ditë e mora me vete kur shkova në kursin e partisë, për të ditur si ecën furnizimi me ushqime. Bashkëbisedimi me drejtuesin e kursit, u bë në kuzhinë, dhe interesimi kureshtar i saj si i përgatitin gjellët, ra në sy të shefit të kuzhinës. Në muhabet e sipër, doli që ndjehej nevoja për një ndihmës kuzhinier, dhe ata gjeti rastin të pyeste: më pranoni mua? Ata më vështruan mua drejt në sy, si të zënë në faj, sikur po më qortonin, pse nuk ua kam shprehur këtë kërkesë.
Dhe pa e zgjatur, përgjegjësi i tha: nga dita e nesërme, je e punësuar si ndihmës kuzhiniere këtu. Ata mbeti e ngazëllyer nga kjo ftesë: fluturonte nga kënaqësia! Unë rrugës e qortova që u tregua e nxituar, pasi mjaft kishte punuar një jetë të tërë. Por ajo ma ktheu: nuk thua shyqyr që m’u dha mundësia të më rrinë veshët rehat?…
Unë qesha dhe e putha në ballë. Kështu u gjend krejt papritur e punësuar…! Dhe për ta vazhduar muhabetin aty ku e ndërpremë: hiqe nga mendja fjalën borxh, apo huadhënie”! – përsëriti ai. – – “Të gjitha çfarë duhen për ceremoninë e fejesës do t’i kesh gati, duke përfshirë dhe harxhet e drekës. Nuk dua të dëgjoj asnjë fjalë më tepër rreth këtij muhabeti”! – nuk më la ta kundërshtoja.
Motra ime më shpalos me zgjuarsi pjekurinë e saj sị grua fisnike, në letrën që më dërgoi. Por sidomos më bëri përshtypje parashtrimi i mendimeve të thelluar, që i shfaqi për herë të parë pas tre viteve. Vetëm një motër me sedër dhe dinjitet, si nëna juaj, i rrëfen vëllait të saj shqetësimet dhe përjetimet e kaluara pa u ankuar. Asnjëherë gjatë këtyre tre viteve të vështirë, nuk më dërgoi kërkesë për ndihmë…”!
– “Sepse ajo e di që njerëzit shpirtmëdhenj, s’kanë nevojë për ngacmime – shtova unë duke e përqafuar – Prandaj ju të dy, motër e vëlla, jeni lidhur shpirtërisht me bekimin e Perëndisë! Nëna ka shumë të drejtë kur shprehet kështu për dashurinë tuaj”.
Ai nxori nga xhepi i brendshëm i xhaketës letrën e nënës.
– “Pavarësisht që kjo letër më përket mua, të takon dhe ty ta lexosh, pasi je gazetar dhe djalë i halleve. Të dy nënë e bir, keni përjetuar tronditje nga më të ankthshmet, pa iu ankuar njëri tjetrit. Qëndresa juaj tregon fisnikëri!
Unë ndjehem krenar që kam motër Anën, dhe një nip, si ty! Tani po të lë vetëm disa minuta, pasi më duhet të merrem me punët e mia. Ti gjatë kësaj kohe, mund të lexosh qetësisht letrën e nënës tënde, i bindur se do të bëjë shumë përshtypje dhe do të mbetet në kujtes…”, – tha ai duke u ngritur në këmbë. Dhe pasi më puthi në ballë, doli fytyrëqeshur nga dera.
Pas leximit të letrës, më pështjelloi një ndjesi e veçantë, sepse qenë përshkruar në mënyrë të jashtëzakonshme forca e brendshme, maturia dhe pjekuria e dyfishtë, si nënë dhe motër me përvojë të pasur e dhimbsuri hyjnore! Më befasuan stili i hartimit të letrës, kapërcimet dhe rrjedhshmëria e mendimeve, që i bashkëngjiteshin natyrshëm arsyetimit qendror!
Pas rileximit, vlerësimi im shkoi më tej: letra mori trajtën e një pamfleti të fuqishëm, që goditi me guxim e zgjuarsi dobësitë brejtëse të kësaj shoqërie, kur këto shfaqen si padrejtësi hakmarrëse kundër njerëzve të ndershëm, pa kryer asnjë faj e krim. Si strumbullar i kësaj letre, shërbente mendimi: e drejta zhytet, por nuk mbytet.
Por krejt natyrshëm, ky mendim gjithëpërfshirës qe shtjelluar sipas këndvështrimit të besimtares: Mbretëria Qiellore, drejton mbarë Gjithësinë, përfshirë dhe planetin tonë. Se kërleshjet e herëpashershme midis të keqes e të mirës, nuk janë gjë tjetër, veçse lufta e pandërprerë mes forcave të errëta djallëzore dhe thirrjeve hyjnore të Perëndisë, e cila pareshtur përdor forma e mënyra të larmishme, të ndriçojë mendjet e trazuara me ligësi, me synim të na shpëtojë nga ngasjet.
Sepse vetëm kështu shpjegohet, sipas nënës, pse erdhi kjo mbarësi kaq e madhe në familjen tonë, pse u arrit pa asnjë ndërhyrje e vendim nga Qeveria lart, që sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, të jap urdhër të prerë, të na hiqen prangat e skëterrshme të skllavërisë, me gjithë që muret e hakmarrjes ende na rrethojnë në të katër anët!
Ky fakt shërbeu si provë e pa kundërshtuar, për të dëshmuar e vërtetuar, se forcat e të drejtës, janë të pranishme e nuk zhduken tërësisht edhe atëhere, kur sundon terrori më i egër. Pavarësisht shpjegimit dhe arsyetimit të besimtares, se mrekullitë kryhen vetëm nga Krijuesi i Gjithësishme, nuk mund të mohohet që këto realisht, janë të rrokshme e të kapshme nga njerëzit, se diçka të tillë po e përjetonim ne.
Mrekullia, që u shfaq krejt befasisht në familjen tonë pas katrahurës së llahtarshme, provoi dhe vërtetoi se edhe në shtetin tonë, me egërsi satanike, ku njerëzve u ka hyrë frika në palcë, pluskojnë dukuri shumë të rralla, mjaft të habitshme nga individë të veçante, me kurajë e guxim, që ngrenë zërin kundër cinizmit vrastar të pushtetit vampir!
Prandaj në këtë mot tmerrësisht të acartë politik, tingëlloi tepër mosbesuese përkrahja nga ana e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rrethit dhe marrja në mbrojtje e një familje të deklasuar, (kur realisht familja jonë, kurrsesi nuk duhej ndëshkuar për meritat e saj të njohura gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, për ndihmesën e jashtëzakonshme që dha për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj).
Dritëshkurtrit e shpirtzinjtë, u mavijosën dhe u nxirosin që kthesa mrekulli në familjen tonë, erdhi si ndërthurje e magjishme mes vizionit evropian të një drejtuesi liberal, dhe thirrjes të zërit të brendshëm të vetëdijes nga Mbretëria Qiellore, si shpërblim për durimin tonë të gjatë në këto tre vjet sfilitje”.
Nëna, nëpërmjet shpjegimit mjaft të qartë, ia doli t’ia mbushë mendjen vëllait komunist, se në batakun ku kaq hapur, pa patur pikë druajtje nga përgjimet e spiunëve shëtitës! Ndaj pyeta dajon me kureshtje: ku e ka burimin siguria e moskallëzimit? Ai menjëherë u përgjigj duke buzëqeshur: Beratasit vendas asnjëherë ndër breza, nuk e kanë ndryshuar besimin e tyre, as në kohën e Turqisë. Prandaj familjet e këtushme krishtere, kanë taban të qëndrueshëm, nuk e shesin njëra tjetrën.
Ndryshojnë nga myzeqarët ortodoksë. Këtë duhet ta kesh vënë re edhe ti vet, gjatë këtyre tre viteve, që jeton aty”, – shtoi ai. Vërejtja e tij ishte plotësisht e saktë. Pikërisht këtë ndjesi kam patur parasysh, kur i vura detyrë vetes, të mos shkëmbeja mendime me banorët vendas të Ardenicës e Kolonjës, duke përjashtuar fqinjën tonë zemërbardhë, Shajen e palodhur, dhe djalin e saj të papërtuar, Nelin).
Pikërisht në këtë çast që po merresha me hamendësimet dhe kujtimet e të shkuarës, u hap dera e kthinës: në kornizë u shfaq daja im i mrekullueshëm me disa pjata në duar, të cilat me shkathtësi profesionisti, i vendosi mbi tryeze, dhe shkoi tek bufeja të merrte shishen e verës. Pas pak u duk përgjegjësi, i ngarkuar me pjata të tjera.
– “Keni ndonjë sebep? – e pyeta unë dajën, kur përgjegjësi doli. – Prisni të vijnë autoritete të larta, që keni përgatitur ushqim kaq të zgjedhur”?
– “Ka njeri më të rëndësishëm për mua, se nipi im. – tha daja. – Sot më duket se gjithë Berati më uron: “Naun! u bëftë dita një mijë nipit tënd”!
– “Por unë nuk kam ditëlindjen…”!- shtova i ngazëllyer.
– “Për mua dita e sotme ia kalon disa herë festimit të ditëlindjes! – theksoi ai me shikim të dhembshur. – Sepse sot ke ardhur pa pranga, dhe kur të kthehesh, nuk do futesh në kasollen e lopës! Ka gëzim më të madh….?! Prandaj do ta festojmë”.
I përmbajta me zor lotët dhe ngashërimet, që m’u mblodhën në grykë. M’u rikthyen para syve përkujdesjet e jashtëzakonshme në vitet e fëmijërisë, kur me sillte këtu enkas për të më ushqyer me gjërat më të shijshme. Pastaj më ngjiste lart në kthinën e tij, të pushoja në freskinë e flladit të lumit.
Tryeza qe’ mbushur me aq pjata, sa mund të ushqeheshin me bollëk katër vetë: Supë me barishte. Sallatë me fruta deti. Gjoks qengji i mbushur me thelpinj arre, bajame e stika. Levrek zgare me garniturë, patate e sallatë jeshile. Në fund pendespanjë e disa lloj frutash! (isha i sigurt që të gjitha këto i kishte përgatitur daja im, me përvojën e fituar në rininë e hershme, kur punoi disa vite në restorantin luksoz “Internacional”, si kamerier e kuzhinier).
– “E kisha ruajtur ketë shishe me verë te vjetër, dhe e mbaja mbyllur me çelës në bufe, duke pritur të vinte ky çast i kthesës së mbarë…”, – tha daja duke mbushur gotat.
– “Dollia e parë i takon mbarësisë: vazhdoftë më tej kjo kthesë e bardhë, deri ne kthimin tuaj në Tiranë”!
– “Si shprehet motra juaj dhe nëna jonë: shkoftë ky urim në vesh të Perëndisë”! – ia ktheva unë duke trokitur gotën.
– “Je pesimist, nuk e beson”? – pyeti ai me vështrim të shqetësuar.
– “Optimizmi dhe pesimizmi nuk vijnë rastësisht, pa patur një bazë reale. Ndaj të moçmit tanë thonë: çdo gjë ecën në shtratin e vet, sepse sado të përpiqesh, nuk e mposht dot rrjedhën”.
– “E ke nga vetja këtë pandehmë, apo të ka paralajmëruar dikush”? – shtoi i tronditur daja.
– “Hamendja këtu të çon. Por unë nuk di ndonjë rast, që të kem shkëmbyer fjalë të ashpra me dikë. Në Radio kam punuar dhe jam sjellë mirë, pa shkaktuar asnjë fërkim. Megjithatë, dyshimi qëndron. Sipas arsyetimit tim të situr disa herë, ndërhyrja me synim keqdashës, me siguri duhet të jetë bërë nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Fakti që një djalë 21 vjeçar, shkruan roman në këtë moshë, dhe ende pa u botuar shprehet publikisht entuziazmi i sekretarit të Përgjithshëm i Lidhjes, dy faktorë që do ta bënin emrin tim të njohur, pa tjetër i kanë gërricur dikujt ambicien e karrierës, dhe ky ka nisur thurjen e intrigave kundër meje. Rasti më i përshtatshëm për të stisur kurthin, shërbeu arratisja e tim vëllai. U gjet forma më e kamufluar e dënimit, koha, si varg numerik i pafundme, bashkë me kasollen e lopës. Kështu që sado të zbutet në të ardhmen dënimi, prape nuk do bëhet fjalë për rikthim në Tiranë”!…
– “Megjithatë shpresat nuk duhen humbur, sepse nuk i dihet si rrokullisen ngjarjet…’, – tha daja duke trokitur gotën. – Por edhe sikur ta zëmë se kështu ka për të ndodhur, s’duhet të biesh në dëshpërim, pasi me kalimin e kohës, ke të drejtë të kërkosh transferim si kuadër i lartë. Nuk i dihet si vijnë e ikin rastet”, – përsëriti ai.
– “Sigurisht ndjen keqardhje që t’u mbyllën shtigjet dhe rrugët për letërsi. Por kjo keqardhje përballohet kur ke parasysh interesat jetike të familjes, që do krijosh së shpejti. Ke për të parë se hallet e shumta të familjes, do të përthithin, e s’do kesh kohë të kujtohesh për dëshirën tënde të tanishme”.
– “Ke të drejtë”, – thash unë duke psherëtirë. – “Mjafton të kujtoj mbingarkesën e punës në arsim…”! – “Të duket mbingarkesë puna në arsim”?!… ~ pyeti
– “Mbingarkesa s’ka të bëjë me arsimin, por me mua. Çuditërisht deri tani më kanë ndjekur raste të mbrapshtë, duke filluar nga e drejta e studimit për një degë, që s’ekziston, pas mbarimit të shtatëvjeçares. Apo kur pas përfundimit të maturës, më dhanë me detyrim degën, që s’e dëshiroja! Edhe kur fillova punë në Radio, nuk mbushesha me frymë! Ndërsa këto tre vjet këtu, me ra bretku nëpër mezhdat e kanaleve, me bidonin e naftës në krah! Sikur kam qimen e derrit! Parandiej edhe në ushtri që do përdoren forma nga më të ndryshmet, për të më brejtur sedrën, përveç sforcimeve për të bërë qilizmë dy dynym në ditë! Pastaj kur të kthehem nga ushtria, do filloje periudha më e stërzgjatur e sfilitjes: përballimi i tre norma javore”!
– “Ta kanë vënë si kusht, për të futur në arsim”? – pyeti i shqetësuar daja.
– “Së pari, si kusht për të provuar aftësitë e mia. Së dyti, e përdorin si kurth, për të më zënë në grackë, që të dorëzohem e t’iu them: Faleminderit për besimin tuaj! Por unë nuk e përballoj dot këtë mbingarkesë! Këtyre u mjafton kjo përgjigje, për t’i dalë ballëhapur sekretarit të parë, me shpjegimin: ne ia parashtruam haptazi kërkesën dhe nevojën për mësues, që të zotërojë shkencat e natyrës, dhe të përballojë ngarkesën dyfishe me të njëjtën pagë, por ky s’e mori dot përsipër. Atëhere ne do kërkojmë një mësues tjetër”.
– “Ndërsa ti i befasove me gatishmërinë tënde, i le të shtangur me gisht në gojë, duke i detyruar të heshtin. Ashtu si kali i mirë shton tagjinë e tij, edhe ti me këtë përgjigje, përforcove besimin e aftësive të tua tek shefi i madh i Partisë, rrite vetvetiu përkrahjen dhe mbështetjen e tij të vazhduar, domosdoshmëri jetike për ty, pas njoftimit se do jetosh e punosh për një kohë të gjatë në rrethin e Lushnjes, sipas shpjegimit të oficerit të Degës së Brendshme…”, – theksoi daja për të më dhënë kuraje. – “Më tha përgjegjësi i hotelit, se këtu të shoqëroje doktor Vangjeli”, – shtoi për të larguar vëmendjen time nga tema ngacmuese e bashkëbisedimit.
– “E bëmë bashkë rrugëtimin nga Lushnja deri këtu”, – iu përgjigja unë.
– “Ju paska ecur mbarë të dyve! – tha daja. – Besoj jeni kënaqur duke biseduar me njëri tjetrin. Vangjeli është djalë xhevahir, i sjellshëm, me kulturë dhe i gjendur si mjek. I paska vajtur mirë mëndja që, kur zbritët nga autobusi, të pruri këtu, tek adresa më e përshtatshme për të marrë informacion ku ndodhem, sepse këta më njoftojnë kush më kërkon”.
Në këtë çast u hap dera dhe zgjati kokën përgjegjësi i hotelit.
– “Më falni që po ndërpres muhabetin e ëmbël mes dajës dhe nipit, por jam i detyruar”!…
– “Çfarë ka ndodhur”? – pyeti daja i shqetësuar.
– “Të kërkojnë në Shtëpinë e Pritjes, sekretari i parë me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv…”!
– “Presin të vijnë nga Tirana mysafirë me pendë palloi”?… – shtoi daja duke u ngritur.
– “Ka ardhur Kryetari i Gjykatës së Lartë. Me sa kuptohet, ky do drekojë aty. Prandaj dhe ka dërguar makinën e tij sekretari i parë…”- theksoi përgjegjësi
– “Me që qenka kështu, po e marr me vete dhe nipin”, – tha daja duke më bërë shenjë të çohem. – “Atje ku do shkojmë, është vend i bukur, nuk do mërzitesh. Për aq kohë sa do shkëmbejmë mendime me përgjegjësin e Shtëpisë së Pritjes dhe kuzhinierin, që të caktojmë çfarë u pëlqen mysafirëve të nderuar, ti sodit pamjet e këndshme, – m’u drejtua mua. – Me kaq mbaron detyra ime. Shtrimi dhe shërbimi, u takon personelit të Shtëpisë së Pritjes. Mua më thërresin për të kunguar mendimet e tyre, në vend të Papa Kristos…, – qeshi daja bashkë me përgjegjësin. – Ma do mendja që nuk do vonohemi. Prandaj pjatat e paprekura, futi në furrën e ngrohtë të sobës, pasi mund të rikthehemi për të vazhduar drekën e ndërprerë”! – porositi përgjegjësin, duke dalë nga hapësira e restorantit.
– “Këtë e kam vetë parasysh”, – tha përgjegjësi.
Unë menjëherë pranova ta shoqëroja, kur u përmend titullari nga Tirana, me shprese mos më krijohet mundësia të gjendem një çast përballë Kryetarit të Gjykatës së Larte, rasti më i mirë për të provuar sjelljen dhe qëndrimin ndaj meje, nëse do tregohet mirënjohës apo shpërfillës ndaj shërbimit të para disa viteve, kur me gjithë ngarkesën e madhe të punës në Radio, pranova t’i redaktoja librin “Batalioni Tomori”, me kujtime nga ngjarjet e luftës në njësinë që drejtonte.
Rrugës daja më pyeti me pëshpëritje dhe interesim, nëse më kish rastisur si gazetar, ta takoje Kryetarin. I ndriti fytyra kur i thash se kemi biseduar disa herë në kabinetin e tij, duke pirë kafe bashkë, pasi ky e përgatiste vetë kafen me ekspresin personal, dhe nuk i pëlqente ta harxhonte kohën për të shkuar në klubet e funksionarëve të lartë.
– “Në qoftë se ke dëshirë ta takosh, i them shoqëruesit të tij, t’i përmendi emrin tënd. Apo ke druajtje”? – më pëshpëriti daja pranë veshit. – “Druajtje nuk kam. Por nuk dua që takimi të bëhet në prani të dy drejtuesve të rrethit, pasi e vë kryetarin në pozita të vështira, dhe vete ndjehem i ndrydhur…” – ia ktheva po me pëshpëritje.
– “Këtë e rregulloj unë fare thjeshtë”, – tha daja me një siguri absolute, që me habiti. Makina ndaloi në oborrin e shtëpisë së pritjes, një vile luksoze me tre kate, rrethuar me mur. Shoqëruesi i kryetarit, një djalë i ri shtatlartë, pyeti dajon për identitetin tim, emrin e mbiemrin, dhe përse më kish marrë me vete, pasi, sipas rregullit, në këto raste nuk lejohet prania e personave të pa autorizuar. Daja përfitoi nga kjo vërejtje, dhe i tha shoqëruesit shtatlartë, se nipi im gazetar, ka njohje të afërt me kryetarin.
– “E mora me vete me që po hanim drekë bashkë në restorant, dhe njihen personalisht – shtoi daja me buzëqeshje. – Nëse ka mundësi, e njoftoni veçmas kryetarin, që takimi i shkurtër të bëhet këtu në oborr. Mendoj se kryetarit do t’i bëhet qejfi, të takohet e shkëmbejë dy fjalë me gazetarin e Radios, Sokrat Shyti…”!
– “Fytyrë e parë, – tha shoqëruesi shtatlartë, duke hedhur një vështrim mbi mua. – Më kujtohet se dikur vinte shpesh në Gjykatën e Lartë, dhe Kryetari e priste me ngrohtësi në kabinetin e tij…! Mirë, e njoftoj unë”, -shtoi ai, dhe shkoi drejt derës hyrëse.
– “Të qëndroj me ty”? – më pyeti daja.
– “Më mirë të jem vetëm, – i thash unë. – Pasi kështu bisedoj me lirshëm”.
– “Puna si gazetar, ta ka hequr ndrydhjen, që u shkaktohet njerëzve kur bie rasti të takojnë pushtetarët e fuqishëm”! – shtoi i lehtësuar daja, që s’vërejti në portretin tim, shenja shqetësimi. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016