Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1977, ku ndodhen relacione, raport-informacione, urdhëresa, shënime, etj., ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në shtete të ndryshme të botës dhe Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, në të cilat janë evidentuar problemet e mëdha dhe konflikte e vazhdueshme, që ekzistonin pothuaj të gjitha në ambasadat shqiptare, në mes titullarëve dhe punonjësve të Zbulimit Politik Shqiptar. Në dosjen në fjalë ndodhet edhe një raport-informacion, që mban datën 31.4.1977, me titull: “Mbi disa çështje që kanë dalë në Konsullatën e Stambollit dhe masat që mendojmë të merren”, i përgatitur nga Sektori i Jashtëm i Komitetit Qendror të PPSH-së, mbi bazën e raportit që kishte dërguar ambasadori ynë në Ankara, Ylvi Lulo, lidhur me problemet që ekzistonin në Konsullatën Shqiptare të Stambollit, Përveç këtij dokumenti, në dosjen në fjalë ndodhet edhe një dokument tjetër me raport-informacionin sekret, të përgatitur nga dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Zija Koçiu dhe Haki Keta, (që mbulonin organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ato të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore), dërguar eprorëve të tyre, në Komitetin Qendror të PPSh-së, ku bëhet fjalë për problemet e konfliktet e vazhdueshme, që ekzistonin ndërmjet titullarëve dhe personelit të Konsullatës Shqiptare në Stamboll.
Dokumenti sekret i përgatitur nga dy instruktorët e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Zija Koçiu dhe Haki Keta, lidhur me problemet e konfliktet që ekzistonin ndërmjet titullarëve dhe personelit të Konsullatës Shqiptare në Stamboll
I N F O R M A C I O N
Mbi gjendjen dhe problemet që u panë në Konsullatën tonë në Stamboll.
2 – Ka pasur prirje për të grumbulluar gjëra ndaj njëri tjetrit si dhe për ti regjistruar ato nëpër defterët personale. Kështu ka vepruar Sekretari i Organizatës Bazë, kështu ka vepruar edhe Jazo Manaj e Jorgo Proko.
Këto defterë i kanë hapur sa herë që kanë dashur, dhe janë grindur duke mos lënë gjë pa thënë për njëri tjetrin, deri te edhe ato që janë shqyrtuar e zgjidhur prej kohësh.
Të njëjtën mënyrë veprimi, ndoqën gjithashtu gjatë debateve e ballafaqimeve që u bënë në praninë tonë deri në mbledhjen e organizatës bazë. Pra metodën e thashethemeve këta, e kanë shtrirë deri në kolektiv e në organizatën bazë të partisë.
Na ra në sy, tendenca krejt e huaj dhe e dënueshme nga Partia që ekzistonte te Idajet Xhanaj dhe Jazo Manaj, për ta lënë shokun qëllimisht që të bjerë në gabime, dhe më pas këto t’ja regjistronin dhe t’ja përdornin për qëllim goditjeje.
Kanë vepruar kështu në disa raste me Jorgo Prokon, Zhaneta Prokon, dhe Ali Ymerin. Edhe neve, na ngritën për shokët e tjerë, gjëra që nuk qëndrojnë dhe ne, me argumenta bindëse jua hodhëm poshtë ato. Për rrjedhim kokëfortësia, këmbëngulja tendencioze, dhe shpirti i hakmarrjes, kanë bërë që asnjëri të mos i bëj rrugë tjetrit dhe tensioni në marrëdhëniet mes tyre të jetë gjithmonë i ngritur.
3 – Janë shkelur normat e Partisë, dhe rregullat e jetës së brendshme të përfaqësisë. Në mjaft raste mbledhjet e organizatës bazë, janë karakterizuar nga tensioni nervor.
Kritika megjithëse e pakët është zhvilluar më shumë në frymë tarafi, madje kjo është manifestuar gjerësisht paçka se shokët ishin ngarkuar me hartimin e tyre. Prandaj ka ndodhur në disa raste që tjetër ka qenë titulli dhe tjetër ka qenë përmbajtja e raportit.
Autokritika ka qenë fare e cekët dhe më shumë formale. Në disa raste mbledhjet i ka karakterizuar shkelja e disiplinës dhe demokracisë, me ndërhyrje e replika me vend e pa vend, me leje e pa leje, deri në shprehje të ashpra e ofeza.
Kështu ndodhi dhe në mbledhjen e fundit ku ishim të pranishëm. Me gjithë punën përgatitore që bëmë ne komunistët, mbledhja vazhdoi 18 orë.
U duk qartë mungesa e pre dispozicionit tek disa nga shokët për t’i shtruar gjërat me partishmëri e me frymë autokritike. Shokun Idajet Xhanaj ky qëndrim, e karakterizoi dhe në mbledhjen e rezidenturës ku ai, ofendoi rëndë me pa të drejtë titullarin. Cënimi i rëndë i unitetit, ka dobësuar e zbehur respektin dhe dashurinë reciproke ndaj njëri tjetrit.
Kjo klimë, ka çuar në mendime dhe fiksacione për ta parë shokun me mosbesim deri në karakterin politik. Me këtë sy i kanë shikuar çështjet Idajet Xhanaj e Jazo Manaj, ndaj të tjerëve duke krijuar iluzione se dhe ata i shikojnë po kështu çështjet.
Mungesa e besimit, dhe të parit e raportit të marrëdhënieve me dyshim, i ka çuar këta shokë që të mos i konsultojnë çështjet me titullarin ose me komunistët e tjerë por, t’i gjykojnë e t’ju vënë vulën vetë, ashtu siç ishte rasti i Jazo Manajt që thotë:
“Më ktheni në Atdhe që të mos ndodhi ndonjë e papritur, më shpëtoni teserën e Partisë”, ose siç ishte rasti i Idajet Xhanajt që tha: “Kam pasur frikë që t’i them haptazi mendimet e mia për titullarin, ose për t’ja thënë atij apo ndonjë tjetri ato pasi, këta të vënë përpara”.
Ndonëse siç doli është po ky vetë që krijonte probleme e situata. Këtu e kanë burimin dhe kjo që Idajet Xhanaj e Jazo Manaj, i ngritën çështjet për Ali Ymerin, jo kur ky ishte atje por kur ishte kthyer në atdhe. Duke mos i kuptuar e zbatuar drejt normat e Partisë, Sekretari dhe Zëvendëssekretarja e organizatës bazë, kanë ushqyer mendimin se organizata bazë janë ata vetë dhe jo të tjerët.
Kjo arriti deri aty sa Sekretari, kërkoi të futej në ortakëri me Titullarin, i cili sipas tij, duhet ta pyesë e ta vejë në dijeni atë se kur duhet dhënë pritja në përfaqësi, kush duhet të marri pjesë në to, etj.
Titullari përgjithësisht në këto raste, ka mbajtur qëndrim të drejtë. Fryma e liberalizmit, ka çuar në dekonspirim me gratë, për punët e organizatës bazë deri tek ato shtetërore, siç ka ndodhur me shokët Idajet Xhanaj e Jorgo Proko.
Është shkelur disiplina në punë e për rrjedhim ka pasur moszbatim urdhrash. Madje ka pasur marrje kontaktesh me vendas pa vënë në dijeni titullarin, si dhe pirje birre me ta, siç kanë vepruar Idajeti dhe Jazo.
Kjo flet për mungesë përgjegjësie në zbatimin e ashpër të vijës së Partisë, çka ngarkon me përgjegjësi shokët Rakip Hoxha, e për një kohë kur ka qenë titullar dhe shokun Ali Ymeri.
Për këto çështje e të tjera, që kanë shqetësuar organizatën bazë të Konsullatës së Stambollit, me gjithë punën që u bë nuk ka garanci që nuk do të përsëriten më. Organizata bazë, ndëshkoi me vërejtje të rëndë në kartën e regjistrimit shokët Idajet Xhanaj e Jorgo Proko, si dhe kritikoi ashpër të gjithë shokët e tjerë.
Ajo, nxori konkluzione e detyra ideopolitike e organizative. Por ne, mendojmë që përveç problemeve të sipërpërmendura, kemi të bëjmë dhe me çështjet e karakterit të njerëzve që punojnë këtu. Prandaj që të shëndoshet akoma më shumë gjendja këtu, propozojmë që të largohen për në atdhe shokët: Jazo Manaj, Idajet Xhanaj, dhe Jorgo Proko. Këta, të zëvendësohen me shokë të tjerë.
Për shokun Rakip Hoxha, mendojmë se është i aftë për të drejtuar konsullatën dhe rezidenturën e Stambollit, por duhet të përmirësojë vazhdimisht metodën e punës. Në analizën që u bë ai, e gjykoi situatën me partishmëri e objektivitet, dhe bëri autokritikë të mirë. Me diskutimin e tij, ndihmoi që të që të sqaroheshin dhe të arrihej në konkluzione mbi çështjet që na shqetësonin.
Ai, ka përgjegjësi që nuk e ka njohur gjendjen në kohë, për problemet që kanë dalë herë pas here, ndonëse i kapur nuk i ka vlerësuar me seriozitetin e duhur. Nga ana tjetër, nuk i ka ngritur në kohë këto probleme në ministri dhe në aparatin e Komitetit Qendror, duke menduar se ato mund t’i zgjidhnin vetë. Dhe për këtë, ka bërë përpjekje por pa rezultat.
Mendojmë se kanë përgjegjësi për moszgjidhjen në kohë të këtyre problemeve në përfaqësinë e Stambollit, shoku Ulvi Lulo si ambasador i cili, ka pasur dijeni për këto kur ka asistuar në analizat e përfaqësisë.
Ne ja bëmë vërejtjet dhe ai, bëri autokritikë në organizatën bazë të ambasadës. Gjithashtu mendojmë se, kur dërgohen shokë nga Ministria e Punëve të Jashtme në misionet diplomatike, të mos shikojnë vetëm ato probleme që i përkasin sektorit të tyre por, të shikojnë dhe këto çështje të rëndësishme që i shërbejnë unitetit të tyre.
E themi këtë pasi në Stamboll kohët e fundit, ka qenë një ekip i përbërë nga shokët e ministrisë dhe megjithëse qëndruan disa ditë atje, nuk ngritën ndonjë problem në këtë drejtim.
Propozojmë që me dhuratat, që i çohen përfaqësisë me raste të ndryshme nga ente zyrtare, firma tregtare, si dhe nga persona privatë, Ministria e Jashtme të freskojë e plotësojë udhëzimet përkatëse, duke përcaktuar rregulla e norma të qarta sipas udhëzimeve të Partisë.
Në rastin konkret edhe këto peshqeshe në Stamboll, kanë cënuar figurën morale të punonjësve dhe janë bërë mollë sherri. Nga gjendja e krijuar në Konsullatën e Stambollit, duke marrë parasysh shfaqjet dhe qëndrimet e huaja, për të cilat u fol më lart, tek disa nuk janë rrjedhim vetëm i dobësive dhe boshllëqeve të punës që bëhet me dinamikën e edukimit.
Si rezultat i kësaj, ka edhe defekte të karakterit të tyre pasi, duhet të tërhiqen konkluzione dhe për punën më të kujdesshme që duhet bërë për zgjedhjen, edukimin, dhe përgatitjen, e kuadrove që dërgohen në përfaqësitë tona jashtë shtetit. Memorie.al
30.5.1977
Zija Koçiu, Haki Keta
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016