Nga Prof. Dr. Flamur Tartari
Memorie.al / Bajram Emiri është mjeku që themeloi në baza shkencore Bakteriologjinë Shqiptare. Ai i dha shumë mjekësisë shqiptare dhe është ndër të parët që bëri eksperimentet në kafshë: (lepuj, minj, etj.). në dobi të shkencës mes kërkesave të kohës të përcaktuara nga Instituti “Paster” i Parisit, duke aplikuar të gjitha mësimet dhe përvojën e fituar atje, pranë Institutit Pastër, ku ai bëri specializimin. Gjithashtu në Durrës, Dr. Bajrami i punoi shumë në luftën kundër malaries, e cila ishte shumë problem në këtë zonë të vendit.
Kush ishte Dr. Bajram Emiri?
Bajram Iljaz Emiri ka lindur në qytetin e Shkupit më 16.02. 1891, nga një familje shqiptarësh. Shkollën fillore dhe të mesme e mbaroi në qytetin e Shkupit, që banohej nga shumë shqiptarë. Studimet e larta për Mjekësi, i filloi dhe i mbaroi në Universitetin e Stambollit dhe më pas vazhdoi specializimin për Bakteriologji në Paris, në Institutin “Pastër”, një nga shkollat më të vjetra dhe më të mira të botës.
Aty ai u njoh me një bakteriolog të njohur francez, të quajtur Bernard Daude, i cili kishte fituar një përvojë në ekspeditat afrikane të francezëve dhe i propozoi atij që të vinte për një kohë në Shqipëri, për të hapur Institutin e Bakteriologjisë (që shumë shkencëtarë shqiptarë, si Prof. Rifat Frashëri dhe Bilal Golemi, kishin bërë shumë në këtë drejtim, por jo shumë të përkrahur nga organizmat qeveritare).
Fillimisht u hap në Tiranë disa vjet më vonë, për të ndihmuar dhe për luftën kundër Malaries, por u spostua në Durrës dhe më 1934, përsëri u transferua në Tiranë, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë, Dr. Osman Jonuzit, në godinën ku ndodhet sot Fakulteti i Mjekësisë. Bajram Emiri ishte një mjek me shumë kërkesa ndaj vetes së tij dhe ai zotëronte disa gjuhë të huaja, shumë të domosdoshme për të vazhduar profesionin e tij si mjek, me të dhënat e literaturës së huaj.
Njohës i shumë gjuhëve të huaja, si: turqisht, arabisht, frëngjisht, italisht, ai kishte ide shumë përparimtare për kohën, sidomos si atdhetar që ishte, ai kërkonte një zhvillim të madh të vendit të tij për mjekësinë, si e gjithë Evropa, por edhe si shumë shqiptarë që studionin në Stamboll në ato vite, të cilët luftonin për pavarësinë e Shqipërisë. Ai me këto ide përparimtare u bë anëtar i Klubit të Nacionalisteve të Stambollit dhe ishte një ndër themeluesit e tij dhe aktivistët më të zjarrtë për çështjen e Shqipërisë dhe pavarësinë e saj.
Bajrami Emiri është marrë me çështjen e alfabetit shqip dhe në këtë drejtim, bëri disa shkrime në atë kohë të cilat, ishin shumë të domosdoshme për fitimin e të të drejtave të shqiptarëve dhe që u fituan më 28 nëntor 1912. Për këtë veprimtari të tij, ai u përjashtua nga universiteti në dhjetor të vitit 1912, pa e mbaruar të plotë atë, si dhe u dëbua nga Turqia, për veprimtarinë e tij atdhetare.
Kthehet në Shqipëri pranë Qeverisë së Vlorës në fillim të vitit 1913 dhe me vendim të saj, emërohet ndihmës mjek në Fier, së bashku me Dr. Musa Ohrin. Më vonë, në shtator të vitit 1914, emërohet ndihmës mjek i spitalit të Vlorës, ku shërben me pasion e devotshmëri, deri në vitin 1919.
Pas shumë kërkesave dhe me ndihmën e shumë miqve, kryesisht shqiptarë, që punonin në Stamboll, më 1919-ën, ripranohet në Universitetin e Mjekësisë së kryeqendrës së Perandorisë Otomane, ku Bajram Emiri mbaron studimet dhe diplomohet si mjek.
Kthimi i Dr. Emirit në Shqipëri
Më 1921-in, edhe pse gjithë familja e tij tashmë ishte në Turqi, ai rikthehet në Shqipëri, për të kontribuar si patriot i flaktë për vendin e tij, i cili kishte shumë nevoja për mjekë. Dr. Bajrami tashmë, (më 04.01.1921), punon i emëruar si mjek në spitalin e Vlorës dhe më 1922-in, emërohet mjek i Portit të Sarandës.
Më 1929-ën, Dr. Bajrami zgjidhet delegat, si përfaqësues i Kosovës dhe Kukësit në Kongresin Mysliman që u zhvillua në Tiranë, ku ai personalisht, mbështeti hapjen e shkollave shqipe në këto zona. Gjatë periudhës së viteve; nga 23.07. 1924, deri më 14.09.1926, emërohet mjek i dytë në Spitalin e Tiranes, me ndihmën dhe përkrahjen e madhe të Drejtorit të Spitalit, mjekut të shquar, Osman Jonuzit, kirurg dhe Themelues i Spitalit, më 1920-ën, në Tiranë.
Dr. Bajrami menjëherë, edhe me ndihmën e madhe të prof. Rifat Frashërit, (atëherë dhe si Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë Shqiptare), dërgohet urgjentisht në Paris, pranë Instituti “Pastër”, për të vazhduar studime më të thelluara doktorature në fushën e bakteriologjisë, me bursë shteti, të cilat i ndoqi nga data 16.09.1926, deri më 31.03.1928.
Ai i mbaroi shkëlqyeshëm studimet në Paris, ku si qëllim të parë, kishte aplikimin e punëve eksperimentale në kafshë, studime, këto shumë të vlefshme për ecurinë shkencore të tij, gjatë gjithë kohës së ushtrimit të punës në vite. Pas kthimit nga Parisi, më datën 1.04.1928, Bajram Emiri emërohet si ndihmës Drejtor i Laboratorit Bakteriologjik, që u hap për herë të parë në vendin tonë (me dekret Nr. 406, datë 21.05. 1928), ku ai shërbeu me pasion deri më 31. 05.1930. Siç e cilësova më sipër. Në atë kohë si drejtor u caktua miku i shqiptarëve dhe i tij, profesori francez, Bernard Daudy.
Në Institutin “Pasteur”, Dr. Bernard Daudy u njoh (kur bënin të dy specializimin), edhe me mjekun shqiptar, Bajram Emirin, i cili pa te ky mjek i ri, një njeri me të ardhme të madhe. Prandaj me ndihmën e Dr. Rifat Frashërit dhe të Dr. Osman Jonuzit, pa dyshim dhe miratimin e Mbretit Zog i I-rë, i propozoi që të linte punën e asistentit në Institutin “Pasteur”, dhe të vinte në Shqipëri, për të hapur Laboratorin Qendror Bakteriologjik, që nuk ekzistonte fare në vendin tonë.
Si njeri kurajoz dhe dashamirës, për të ndihmuar një vend të varfër siç ishte Shqipëria në atë kohë, ai e pranoi këtë ofertë dhe më 1924-ën, erdhi në Tiranë, ku u hap për herë të parë Instituti Bakteriologjik Shqiptar, me drejtor Bernard Daudy, i cili ishte vetëm 26 vjeç, por shumë i aftë, sepse siç e cilësova pak më lart, ai nuk pranoi të punonte më tej në institute të ndryshme të Francës, por nga dëshira për të punuar me kolegun e tij shqiptar, Bajram Emiri, erdhi në vendin e tij, në Shqipëri.
Këtu ai gjeti mikpritjen shqiptare dhe Mbreti Zog, me propozimin e Dr. Rifat Frashërit dhe të Dr. Osman Jonuzit dhe tashmë Dr. Bajram Emirit, i cili u caktua nëndrejtor i përgjithshëm fillimisht, pasi e hapi Institutin në Tiranë, që më pas përkohësisht u transferua në Durrës, deri sa u ndërtua sipas kërkesave të kohës, (me laboratorë e dhoma të kafshëve), për kryerjen e eksperimenteve të shumtë, sipas asaj që kishin mësuar në Institutin “Pastër” të Parisit, në Francë.
Kjo godinë e re moderne për kohën, filloi punën më 1934-ën (godina ku është sot Fakulteti i Mjekësisë) dhe aty filloi punën ky shkencëtar i ri francez, së bashku edhe me shkencëtarin shqiptar, Dr. Bajram Emiri, që sot është harruar fare, si themelues i Bakteriologjisë shqiptare.
Në këtë laborator të hapur, që kur ishte në Durrës, filluan të dy këta mjekë të punojnë shumë, ku baza ishte përgatitja e disa vaksinave më të nevojshme për kohën, në vendin tonë. Mjeku francez qëndroi në vendin tonë për gjashtë vite dhe së bashku me dr. Bajramin, i dha një hop kërkimeve të kësaj dege, ku një ndihmë ka dhënë dhe Dr. Bilal Golemi. që ishte specializuar në Institutin “Pasteur”.
Kur Dr. Bernard Daundy mbaroi misionin e tij dhe u largua nga Shqipëria, mori shumë falenderime, jo vetëm nga mjekët e shquar vendas, por edhe nga Mbreti Zogu i Parë, për kontributin e madh që i dha vendit tonë në ato vite.
Me propozimin e tij dhe të shumë mjekëve, të tjerë, si: Dr. Rifat Frashëri, Dr. Osman Jonuzi, Dr. Jani Basho, Dr. S. Pojani, Dr. Ismail Tartari, Dr. Sabri Tefiku, Dr. Jorgji Theodhosi, etj., si drejtor i Laboratorit Bakteriologjik, u caktua Dr. Bajram Emiri, i cili qëndroi në atë detyrë, deri në pushtimin e vendit, nga Italia Fashiste e Benito Musolinit.
Dr. Bernard Daundy, pasi u kthye në Francë, u caktua mjek në Etiopi, në ndërtimin e hekurudhës franko–etiopiane. Atje gjatë kohës së lire, me miratimin e qeverisë franceze, ai ndërtoi një laborator të vogël, ku bëri shumë eksperimente për përgatitjen e vaksinës (anti-vipera), kundër pickimit të gjarpërinjve.
Por siç ka treguar historia e Mjekësisë Botërore, mjekët dhe personeli mjekësor, janë viktimat e para që pësojnë gjatë punës eksperimentale, në dobi të njerëzimit…! Edhe Dr. Daundy, u pickua nga një gjarpër i rrezikshëm dhe vdiq më 16 prill 1934, kur ishte vetëm 36 vjeç dhe konsiderohej si një shkencëtar me të ardhme të madhe, jo vetëm për Francën, por për tërë njerëzimin.
Dhe Qeveria e Francës më 30 prill të 1934, i dha titullin më të lartë, atë të “Kalorësit dhe Legjionit të Nderit”, të Francës. Edhe shtypi shqiptar, përveç atij botëror, shkruan shumë për këtë “hero” të mjekësisë, i cili veç të tjerash, dha një kontribut të madh edhe në dobi të shkencës dhe mjekësisë shqiptare.
Bernard Daudy i cili ishte dhe mësuesi dr. Bajramit në ato vite të studimit të tij në Paris. Ky profesor francez ishte njëkohësisht dhe shumë i aftë në profesion dhe qëndroi gati 2 vjet me kontratë duke dhënë një ndihmesë të madhe në ecurinë dhe zhvillimin e bakteriologjisë shqiptare në ato vite në punën e tij në Durrës, që më vonë u transferua në Tiranë.
Drejtor Laboratorit Bakteriologjik Qendror në Tiranë
Nga data 1.06.1930, deri më 1939-ën, Dr. Bajram Iljaz Emiri emërohet dhe shërben si drejtor i Laboratorit Bakteriologji Qendror në Tiranë. Në vitin 1939, Laboratori u nda në dy pjesë; në Laboratorin Antibiotik dhe atë Klinik. Ai u emërua Drejtor i Laboratorit Antirabik, deri më 1944-ën.
Pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e ’44-ës, ai vazhdoi të punojë, deri në vitin 1954, në moshën 64 vjeçare, ku më pas doli në pension me kërkesën e tij, sepse ishte shumë i lodhur në punën kolosale të bërë ndër vite, në kushte shumë të vështira.
Por në saj të përvojës dhe dijeve të mëdha, ndërgjegjes së lartë, ai gjithmonë dilte me shumë sukses, në kërkimet eksperimentale në kafshë, etj. Vetë fotot që disponojmë, flasin për këtë punë shumë të madhe shkencore, 80 vite më parë në Shqipëri, që ai me studimet e tij, arriti të realizojë të bëjë vaksinën e tërbimit në Tiranë, në laboratorin e tij! Kjo gjë ishte një arritje shumë e madhe për vendin tonë në ato vite…!
Bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ishin fillimisht Dr. Bilal Golemi, që ndihmoi me materiale dhe vegla mjekësore, ndërsa më vonë, Dr. Luigj Benusi, i cili sapo kishte mbaruar specializimin për Mikrobiologji në Itali, më 1938-ën. Luigj Benusi u bë më vonë një nga themeluesit e e Mikrobiologjisë moderne shqiptare.
Nga ditari dhe shënimet e Dr. Benusit, lexojmë disa të dhëna të shkurtra të aktivitetit të Bajram Emirit: “Në vitin 1913, ai shkoi nëpër fshatrat e Fierit dhe bëri vaksinim dhe diagnostikim të sëmundjes së Lisë. Ka punuar për zbulimin e shumë rasteve me Difteri, sidomos në vitin 1915, së bashku me Dr. Ali Mihalin, në rrethin e Vlorës.
Në vitin 1928, për sëmundjen e Lisë e cila ishte shumë e përhapur në ato vite, kanë vaksinuar Dr. Bajram Emiri dhe Dr. Luigj Benusi, gjithë popullsinë e Tepelenës (së qytetit dhe fshatrave.)
Ka punuar shumë për sëmundjen e Tërbimit. Ka evidentuar çdo rast dhe për vite të tëra ka diagnostikuar si dhe ka prodhuar vetë vaksinën kundër Tërbimit, duke bërë edhe eksperimente, ku në disa raste ka rrezikuar edhe veten e tij (ishte një mjek i paarritshëm, në eksperimente të ndryshme në kafshë)”.
Të gjithë këtë përvojë të madhe personale ai, së bashku me Dr. Zef Kakarriqin, ka shkruar një material prej 50 faqesh, për sëmundjen e Tërbimit, me titull: “Sëmundja e Tërbimit dhe gjendja e saj në Shqipëri”. Që nga viti 1924, ai ishte Anëtar i Këshillit Shkencor të Shëndetësisë.
Mjeku ynë i shquar. Dr. Bajram Emiri, që rezulton i lënë në harresë, si shumë mjekë të tjerë (që unë i kam përmendur në shkrime dhe libra të ndryshëm), dhe kjo gjë përbën një gabim shumë të madh, për evidentimin e vlerave dhe historinë së Mjekësisë Shqiptare, nga ana e organeve drejtuese të vendit, që për mendimin tim, jo vetëm që nuk i njohin, por janë edhe indiferentë e neglizhentë, nuk interesohen, dhe nuk pyesin për të shkuarën e Mjekësisë Shqiptare, etj.!
Dr. Emiri i dha shumë shkencës shqiptare në vite, sidomos fushës së studimeve të Bakteriologjisë, që për mua me të drejtë mund të quhet; “Themeluesi i Bakteriologjisë Shqiptare”. Puna dhe vepra e tij, tregojnë që nuk duhet të harrohet, sepse edhe Mjekësia Shqiptare, zënë një vend të rëndësishëm në historinë e kombit tonë, të Shqipërisë ku bën pjesë ky mjek i shquar, siç ishte në të vërtetë, Dr. Bajram Iljaz Emiri. Memorie.al