Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Aleksandër Kondos, legjendës së peshëngritjes shqiptare që humbi jetën në moshën 27 vjeçare, në rrethana tragjike dhe ende të pa zbardhura plotësisht, gjatë një aksidenti automobilistik në Quens New York të SHBA-ve, ku ishte vendosur si emigrant politik pas arratisjes nga Shqipëria në majin e vitit 1985, duke qëndruar në Jugosllavinë e asaj kohe, pas kthimit të ekipit kombëtar nga Kampionati Europian i Peshëngritjes, që ishte zhvilluar ato ditë në Poloni. Dosja e plotë voluminoze e ish-Sigurimit të Shtetit, në ngarkim të Aleksandër Kondos, e de-klasifikuar prej Autoritetit për Informim të Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra faqe që i përkasin periudhës nga viti 1981 kur filloi ndjekja operative dhe survejimi i rregullt ndaj tij nga ana e shërbimeve sekrete të regjimit komunist, e deri në vitin 1987, kur ajo dosje ua arshivua përfundimisht, pas vdekjes së tij tragjike.
Në Tiranën e fillim viteve ’80-të, jo vetëm për sportdashësit e shumtë por edhe më gjerë tek të rinjtë e kryeqytetit shqiptar, ra në sy dhe spikati një djalosh i ri asokohe në moshën 20 vjeçare, si për portretin e fizikun e tij, ashtu dhe për pamjen e jashtme, me veshjet e modës dhe në krah qafë hedhur çantën e sportit, e në supin tjetër një radio-magnetofon të madh, që ai i sillte nga jashtë shtetit, kur dilte me ekipin kombëtar të peshëngritjes në aktivitet ndërkombëtare. Ai ishte Aleksandër Kondo, pjesëtar i ekipit të peshëngritjes “Dinamo” të Ministrisë së Punëve të Brendshme (ku asokohe shërbente si ushtaraku i lartë në Gardën e Republikës, edhe i ati i tij), dhe gjithashtu i ekipit kombëtar, i cili në ato kohë, falë edhe vlerësimit dhe trajtimit të diferencuar, që i bënte regjimi komunist në fuqi disa sporteve të rënda, kishte arritur rezultate të larta edhe në arenën ndërkombëtare.
Emri i Aleksandër Kondos si sportist filloi të bëhej gjithnjë dhe më i njohur, sidomos pas rezultateve të tij të larta të arritura në vitin 1984, në Pallatin e Sportit “Partizani” të kryeqytetit, kur ai fiksoi shifrat 200 kg. (në stilin e shtytjes) duke elektrizuar mijra sportdashës, (atë ditë më shumë spektatorë ishin jashtë pallatit të sportit se sa brenda tij), të cilët nën duartrokitjet e shumta, nuk largoheshin nga sheshi para pallatit, pa e parë nga afër atë djalosh, që i kishte mahnitur me rezultatet dhe performancën e tij. Që nga ajo kohë, Sandër Kondo, pothuaj u kthye në një mit në Tiranë dhe Shqipërinë e asaj kohe, pasi rezultatet e tij erdhën gjithnjë e në ngritje, jo vetëm në kampionatet kombëtare, por edhe në arenën ndërkombëtare ku ai vazhdimisht kishte rezultate të larta.
Por shumë e shumë më tepër nga kjo periudhë kohe kur Sandër Kondo, ishte në kulmin e karrierës, emri i tij u bë edhe më i njohur dhe filloi të diskutohej në mbarë vendin, në fundin e majit të vitit 1985, kur gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në kuadrin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes që zhvillohej në Varshavë të Polonisë, (ku ai ngriti 210 kg.), Kondo nuk u kthye më në Shqipëri, por së bashku me shokun e tij të ekipit, shkodranin Xhelal Sukniqin, nga Mali Zi shkuan në Beograd, në pritje për të fituar azilin politik për në SHBA-ve.
Ngjarja e arratisjes së dy sportistëve shqiptarë bëri bujë të madhe jo vetëm për shkak të emrit dhe famës së madhe që kishte Aleksandër Kondo asokohe, por edhe për shkak se ajo ngjarje u bë objekt “sherri” në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, pasi Tirana zyrtare asokohe akuzoi hapur publikisht (në gazetën “Zëri i Popullit”), autoritetet jugosllave, duke thënë se dy sportistët shqiptarë ishin rrëmbyer prej shërbimeve sekrete jugosllave (UDB-së) dhe kërkoi kthimin e tyre në atdhe.
Por ai pretendim i Tiranës zyrtare, nuk kishte asgjë të vërtetë, pasi Kondo dhe Sukniqi e përgënjeshtruan atë në takimin që u bë në Beograd, në mes përfaqësuesve të ambasadës shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të saj, e palës jugosllave, ku Sandër Kondo, pasi shau mbarë e prapë regjimin komunist të Enver Hoxhës, tentoi të godiste me tavëll duhani edhe diplomatin shqiptar, që ngulte këmbë se ai duhej të kthehej në Shqipëri, ku e priste familja dhe gjithë shoqëria.
Pas kësaj, Sandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi fituan azilin politik për në SHBA-ve, ku Sukniqi ndodhet akoma, ndërsa Kondo, humbi jetën në një aksident automobilistik, më 1 maj të vitit 1987, (gjithnjë sipas versionit zyrtar të regjimit komunist të asaj kohe), dhe eshtrat e tij u kthyen në Shqipëri në vitin 2003.
Në këtë dosje hidhet dritë dhe bëhet e ditur, vlerësimi, trajtimi dhe i gjithë survejimi e përndjekja, që i është bërë asokohe nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një prej sportistëve më në zë të Shqipërisë, siç ishte Aleksandër Kondo, i cili ishte mjaft i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Nisur edhe nga ky fakt, Memorie.al do e publikoj të plotë dosjen në fjalë (me faksimilet përkatëse), në disa numra.
Dokumenti sekret në kartotekën e Sigurimit të Shtetit me listën e bashkëpunëtorëve që ndiqnin dhe survejonin Aleksandër Kondon dhe lista e familjarëve, që mund të ndiqeshin për kontrollin e tij
Sekret
Fleta e kontrollit në kartotekë
Lutemi të kontrolloni dhe na njoftoni nëse figuron i regjistruar në evidencën operative personi i poshtë shënuar
Mbiemri – Kondo
Emri – Aleksandër
Atësia – Vangjel
Datëlindja – 1960
Vendlindja – Fier
Vendbanimi – L. 1, Rr. Haxhi Sufa, P. 2,
Uzina – elektromekanike,
Profesioni – Punëtor,
Kombësia – Shqiptare, Shtetësia – Shqiptare
Puntori Operativ
O. F.
Tiranë më 10.5.1984
Ju njoftojmë se personi i kërkuar nga ju ka të dhëna P. op.
O.F.
Datë 11.5.1984
Lista e B.p. që e kanë pasur dhe e kanë në lidhje
“Studenti”
“I penduari”
“Dinamo”
“Shqiponja”
Lista e p.op. që drejtojnë B.P. ose njihen me materialet e dosjes.
F. Z.
Lista e lidhjeve familjare miqësore dhe shoqërore me interes operativ
Vangjel Nisi Kondo, babai, është përjashtuar nga Partia dhe ka dalë në lirim si oficer.
Antigoni Gjergj Kondo, nëna.
Dhimitraq Vangjel Kondo, vëllai, njeri i çrregullt.
Roland Vangjel Kondo, vëllai, njeri korrekt.
Florika Vangjel Kondo, motra, i mire.
Lindita Vangjel Kondo, motra, i mire.
Valentina Vangjel Kondo, motra.
Lista e personave që implikohen në veprimtarinë e objektit
Xhelal Sukniqi, i arratisur
Dëshmitë e agjentit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Shqiponja”, për bisedat e Aleksandër Kondos kundër regjimit komunist
Dhënë agjenti “Shqiponja”
Marrë nga P. OP. N.GJ. e G.B.
Tiranë më 1.6.1985
R a p o r t
B.p. informon se ditët e fundit është takuar përsëri me……………………. Me të është biseduar rreth largimit të dy peshëngritësve shqiptarë nga ekipi kombëtar në Titograd të Jugosllavisë. Sipas mendimit të…………………..të dy peshëngritësit janë arratisur, domethënë janë larguar vetë. B.p. nga………………….ka mësuar se peshëngritësi shkodran…………………..ka pasur shoqëri të ngushtë me …………………………..banues në Tiranë që ka qenë çiklist me “Partizanin” dhe që ka lënë sportin.
Ai është një djalë me flokë të kuqe. Sipas……………….para nisjes së ekipit për në Poloni L. i ka dhënë………………………..një kartëmonedhë 1000 dollarëshe, që të blinte ndonjë rrobë me qëllim që të thyente kartëmonedhën. Pasi kështu, nuk kishte mundësi që ti kthente diferencën L. Tani……………………….ka shumë frikë se mos i kthejnë dy peshëngritësit, ose mos del puna e dollarëve dhe atë e thërrasin e marrin ndonjë masë ndaj tij.
Edhe………………………merret me shitblerje valute. B.p. i ka parë floririn si dhe di që A. shet veshje të jashtme vetëm me dollarë. Shpeshherë A. shprehet: “Hë mo, a do bëjë gjë ai Sekretari i I-rë i Partisë apo jo, a do t’i rrisë rrogat apo jo”?!
“Shqiponja”
Vlerësim: E dhëna ka interes pasi del se dy peshëngritësit kanë marrë dollarë jashtë më mënyrë të jashtëligjshme.
Detyrë: Në këtë drejtim nuk i’u dha.
Masa operative: Të shtypet e dhëna në 4 kopje, për Aleksandër Kondon, për Xhelal Sukniqin, për A.B. dhe për L.K. dhe ti kalojë Degës së MES
Korrespondenca e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me Hetuesinë e Përgjithshme, për Aleksandër Kondon e Xhelal Sukniqin
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
Fondi: DREJTORIA I SIG. SHTETIT
Sektori: DEGA I
Model 7
Viti 1985
Dosja Nr. 85
Titulli i dosjes: KORRESPONDENCË MIDIS MPB DHE HETUESISË SË PËRGJITHSHME PËR ALEKSANDËR KONDON DHE XHELAL SUKNIQIN QË REFUZUAN TË KTHEHEN NË ATDHE.
Ka filluar më 6.6.1985
Ka mbaruar më 4.6.1985
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E PARË Sekret
Nr. 4227 Ekzemplar Nr. 2
Tiranë më 6.6.1985
Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin
HETUESISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Më poshtë po japim disa të dhëna biografike, për të përmendurit në lëndë:
- Aleksandër Kondo, i biri i Vangjelit, i lindur në Fier në vitin 1960 dhe me banim në Tiranë, i padënuar, i paorganizuar në parti, i fejuar me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me punë polic në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë. I sipërpërmenduri rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Babai i tij është oficer në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe AP. Të tillë janë xhaxhai dhe burri i motrës. Të dënuar, të arratisur jashtë shtetit dhe internuar, nga rrethi i tij familjar dhe miqësor, nuk ka. Mbështetur më sipër për Aleksandër Kondon, është dhënë disa herë mendim pozitiv, dhe është lejuar të dalë 8 herë jashtë shtetit, me ekipin kombëtar të peshëngritjes.
- Xhelal Sukniqi, i biri i Nuhit, i datëlindjes 1961, lindur në Shkodër dhe me banim po aty, me arsim të mesëm të pambaruar, punëtor, i padënuar, i paorganizuar në parti, me kombësi e shtetësi shqiptare, me punë në Uzinën e Telit në Shkodër. Xhelal Sukniqi, rrjedh nga një familje me të kaluar të mirë moralo-politike. Dy vëllezërit, motra, dy kunetërit, dhe disa kushërinj të parë, janë anëtar të PPSH-së. Nga rrethi i tij familjar e miqësor, nuk ka, të arratisur jashtë shtetit, të pushkatuar, të dënuar, apo internuar, me përjashtim të dajës së tij Nuh Lika, i cili ka qenë dënuar për agjitacion e propagandë, dhe që ka vdekur në vitin 1983. Mbështetur sa sipër, për Xhelal Sukniqin, është dhënë 5 herë mendim pozitiv për të dalë jashtë shtetit, nga DPB Shkodër, dhe Dega e Sigurimit të Ushtrisë.
ZV. MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME
Zylyftar Ramizi
Raporti i Sigurimit të Shtetit drejtuar Hetuesisë së Përgjithshme për udhëtimet që kanë bërë jashtë shtetit, Aleksandër Kondo dhe Xhelal Sukniqi, për aktivitetet sportive ndërkombëtare
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E PARË Sekret
Nr. 4227 Ekzemplar Nr. 2
Tiranë më 6.6.1985
Lënda: Për Aleksandër Kondon dhe Xhelal Sukniqin
HETUESISË SË PËRGJITHSHME
TIRANË
Të përmendurit në lëndë, kanë dalë jashtë shtetit si më poshtë:
Aleksandër Kondo
Rumani, prej datës 18.11.1981 deri më 25.11.1981
Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982
Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982
Turqi, prej datës 21.4.1983 deri më 29.4.1983
Algjeri, prej datës 11.5.1983 deri më 18.5.1983
Greqi, prej datës 16.11.1983 deri më 21.11.1983
Spanjë, prej datës 25.4.1984 deri më 2.5.1984
Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985
Xhelal Sukniqi
Jugosllavi, prej datës 13.9.1982 deri më 29.9.1982
Turqi, prej datës 20.10.1982 deri më 27.10.1982
Poloni, prej datës 17.5.1985 deri më 28.5.1985
Relacion i Sigurimit të Shtetit mbi shkaqet e arratisjes së Aleksandër Kondos
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë më 20.7.1985
RELACION MBI SHKAQET E ARRATISJES SE ALEKSANDER KONDOS
Aleksandër Kondo, ka qenë disa herë jashtë me ekipin e peshëngritjes. Para arratisjes, ka qenë në Spanjë dhe atje, nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Dhe kjo del, edhe nga relacioni që ka bërë për këtë gjë P.op. D.L. që ka shoqëruar ekipin në Spanjë.
Nga ana jonë duke njohur jo vetëm qëndrimin moralo-politik të familjes së tij, por edhe qëndrimin e tij si person, është dhënë mendim negativ për shkuarjen e tij në Kampionatin Europian të Peshëngritjes që u zhvillua në maj të 1985. Ky mendim është bazuar në disa materiale e të dhëna, që kemi pasur në ngarkim të tij.
Sepse ai, ka përdorur stimulues të ndryshme gjatë garave, dhe kur ka qenë në Spanjë, ka sjellë me vete një revistë pornografike, është shoqëruar me elementë të paformuar dhe, ka qenë njeri i çrregullt e pa princip. Pas përfundimit të kampionatit në Poloni ekipi ynë, mbërriti në Titograd, ku do të priste autobuzin tonë për ti marrë.
Në atë kohë të gjithë shokët, shpërndahen. Po kështu edhe Aleksandri largohet së bashku me shokun e tij Xhelal Sukniqi, dhe nuk u kthye më tek shokët. Sesi janë larguar, nuk dihet gjë por dihet që kanë kërkuar strehim politik. Aktualisht të dy, ndodhen në Jugosllavi. /Memorie.al
PUNTORI OPERATIV SHEFI I SEKSIONIT TË PARË
F.Z N.S.
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016