Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) ku ndodhet edhe ditari i Enver Hoxhës, ku mes të tjerash ai ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza duke komentuar gjatë të gjitha ngjarjet e ndodhura në mes Greqisë dhe Turqisë për shkak edhe të konflikteve të ndodhura në ishullin e Qipros të populluar nga dy etnitë përkatëse, (turko-qipriopte dhe greko-qipriote) që nga viti 1963 – ‘64. Si janë përshkruar nga udhëheqësi komunist Enver Hoxha ngjarjet e ndodhura nga konflikti në ishullin e Mesdheut, qëndrimi i tij dhe i Tiranës zyrtare lidhur me ato ngjarje, për të cilat ai akuzonte dhe bënte fajtor Moskën zyrtare dhe Ëshingtonin. Si dhe frika e tij për një ndërhyrje eventuale ushtarake në Shqipëri, gjë e cila duket se e detyroi Enver Hoxhën që të mbante në gatishmëri luftarake ushtrinë dhe t’u jepte porositë përkatëse shefave më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore.
“Diktatura monarko-fashiste u rivendos në Greqi. Pushteti i gjeneralëve fashistë, që ka në krye mbretin Glyksburgi dhe në krah imperializmin amerikan, po rivendos në Greqi terrorin, po mbush me njerëz kampet e tmerrshme të ishujve, ku u torturuan dhe u vranë vite me radhë komunistët dhe ushtarët e ELAS-it dhe të Ushtrisë Demokratike Greke. Fashistët grekë, morën me forcë fuqinë, pse lodra e zgjedhjeve “demokratike” rrezikonte monarkinë dhe interesat imediatë të imperializmit amerikan.
Ky i fundit bën ligjin në Greqi dhe e ka kthyer këtë në bazën e tij kryesore në Mesdhe, nga ku mbikëqyr e mbështet veprimet e veta diversioniste dhe kërcënon të gjithë popujt e pellgut të Mesdheut që nuk i binden. Greqia për Shtetet e Bashkuara të Amerikës është barku i Evropës dhe ato e kanë mbërthyer Greqinë prej b… dhe e vërtitin nga të duan. Edhe vetë aleatët amerikanë në NATO, si Turqia, Italia etj., nuk tregohen aspak të kënaqur nga ajo që ngjet në Greqi, për arsye se shovinistët monarko-fashistë grekë, do të hedhin vickla megaloideane edhe kundër Turqisë (Qipro), edhe kundër influencës italiane në Mesdhe”. Kështu shkruante në mes të tjerash udhëheqësi komunist Enver Hoxha në ditarin e tij të datës 10 mars të vitit 1964, lidhur me trazirat që nisën në ishullin e Qipros në Mesdhe, ndërmjet dy etnive, greke dhe turke që popullonin atë vënd që kishte shpallur pavarësinë nga Commonëealthi britanik, duke krijuar Republikën e tij me President, arqipeshkvin grek Makarios i III-të, gjë e cila kishte ardhur pas një marrëveshje midis Londrës, Athinës, Ankarasë, dhe Nikosias, u nënshkrua në po atë vit në Zyrih dhe Londër.
Si nisi konflikti në ishill ndërmjet dy etnive?
Por para se të shohim ato që Enver Hoxha ka shënuar në ditarin e tij, që veç të tjerash vinin edhe për faktin se Shqipëria komuniste kishte vendosur marrdhëniet diplomatike me Republikën Turke në vitin 1957, ndërsa 14 vjet më vonë, në 1971-in, Tirana zyrtare vendosi marrdhëniet diplomatike edhe me shtetin grek, po bëjmë një retrospektivë të zhvillimit të ngjarjeve në ishullin e Qipros. Kështu, ndërsa dhuna ndëretnike ndërmjet dy komuniteteve kryesore përbërëse të ishullit, turko-qipriote, dhe asaj greko-qipriote, kishte filluar që në vitet 1963-’64, forcat ushtarake britanike që kishin pasur ishullin në administrim deri në ditën e shpalljes së pavarësisë, ishin në tërheqje e sipër dhe ato u detyruan që të thërrisnin në ndihmë “Kaskat blu” të OKB-së. Ndërkohë luftimet ndëretnike në ishull do të vazhdonin gjatë dhe ato do të bëheshin gjithnjë e më të ashpra në vitet 1965-‘70, derisa popullsia turke do të detyrohej që të izolohej në një enklavë gjigande në pjesën veriore të ishullit, përkundrejt pjesës jugore të saj e cila dominohej nga trupat greke të Presidentit Makarios. Ndërkohë në këtë periudhë të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, në vitet 60-të, Greqia dhe Turqia, do të përfshiheshin në dy grushte shteti, të cilat do të sillnin në pushtet juntat e kolonelëve, përkatësisht në Turqi në 1960-ën me udhëheqës Cemal Gursel, dhe në Greqi në 1967-ën, me Georgios Papadopoulos. Tirana zyrtare kundërshton grushtet e shteti si “të nxitura nga amerikanët”, por nuk i ndërpreu marrdhëniet diplomatike. Në vitet 70-të, sërisht ndodhin dy grushte shteti në këto vënde. Kështu në 1971-in, në Turqi, Gursel, rrëzohet nga qeveria civile e Bulent Eçevit, ndërsa në Greqi, në 1973-in, Papadopoulos zëvëndësohet nga Dimitrios Ioannides. Gjatë kësaj kohe, tensioni në Qipro arrin kulmin me përplasje të forta të armatosura midis dy etnive, të cilat donin të mbanin ishullin të bashkuar me shtetet përkatëse. Në vitin 1974, ndodh grushti i shtetit në Qipro, ku arqipeshkvi liberal Makarios, do të zëvëndësohej me forcë nga nacionalisti Nikos Sampson. Nikosia, shpalli “Enosis” (Bashkimin zyrtar me Greqinë). Ndërkohë alarmohet Ankaraja zyrtare, ku Eçevit urdhëron ushtrinë që të qëndrojë në gadishmëri për çdo të papritur në situatën e ishullit. Pas kësaj, në 20 korrik të vitit 1974, forcat ushtarake turke ndërmarrin Operacionin “Atila”, e njohur ndryshe dhe si pushtimi turk i pjesës veriore të ishullit. (Pjesa veriore e ishullin ndahet me një mur të ngjashëm me atë të Berlinit). Ndërkohë që zhvilloheshin këto ngjarje, (gjë të cilën do ta shohim edhe nga shënimet e Enver Hoxhës në ditarët e tij) Tirana zyrtare alarmohet, duke pasur frikën e një ndërhyrjeje amerikane në konfliktin e armatosur në mesdheun lindor.
Po kështu në këtë kohë, forcat ushtarake turke dhe ato greke, arrijnë deri në një prag përplasjeje të armatosur për zonën e diskutuar të Egjeut Lindor, të ishujve dhe zonave naftëmbajtëse ndërmjet Athinës, dhe Ankarasë. Hoxha përpiqet që të luajë një politikë zyrtare luajale ndërmjet dy vëndeme për aq kohë sa mjafton që në pellgun e Ballkanit dhe Mesdheut lindor të mos kishte “ndërhyrje amerikane”. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme nga qeveri dhe organizata të ndryshme të botës (duke përfshirë pas 1990-ës dhe Shqipërinë), problemi i ndarjes së Qipros dhe ishujve e territoreve të diskutueshme naftëmbajtëse në Egje ndërmjet Turqisë dhe Greqisë, duket se ende nuk është zgjidhur, gjë të cilën e tregojnë mësëmiri ngjarjet e ditëve të fundit.
Ditari i Enver Hoxhës me shënime për konfliktin greko-turk
E MARTE
23 KORRIK 1974
QIPROJA DHE PLANET HEGJEMONISTE TE DY SUPERFUQIVE NË MESDHEUN LINDOR
Artikulli që i dërguam sot gazetës “Zëri i popullit” e që do të botohet në numrin e saj të nesërm, synon demaskimin e planeve të dy superfuqive imperialiste Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik në Mesdhe. Artikulli mban titullin: “Qiproja dhe planet hegjemoniste të dy superfuqive në Mesdheun Lindor”.
E SHTUNE
10 GUSHT 1974
S H E N I M
U thashë shokëve që, nëpërmjet punonjësve të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme, t’u bëhet e ditur qeveritarëve grekë se në rastin e gjendjes së krijuar në Greqi këto kohët e fundit, lidhur me krizën e Qipros ajo, Greqia, të jetë e qetë dhe e sigurt nga kufijtë që ka me vendin tonë. Ky qëndrim yni politikisht është i drejtë dhe do të bëjë efekt në vendin fqinj.
E MARTË
25 SHKURT 1975
IMPERIALIZMI AMERIKAN DHE AI SOVJETIK PERGATITIN LUFTEN E TRETË BOTERORE, POR EDHE I TREMBEN ASAJ
Ç’po ngjet në Mesdhe? E njëjta gjë. Kolonelët e Athinës bënë puç në Qipro të shtyrë nga CIA. Dështuan edhe ata, edhe amerikanët. Bashkimi Sovjetik “mbrojti” Qipron dhe “inkurajoi” Turqinë. Kjo sulmoi Qipron dhe u vendos atje, Greqia u zemërua keq për këtë, po s’kishte ç’të bënte. Ajo kërcënoi NATO-n dhe doli “përgjysmë prej saj”. Shtetet e Bashkuara të Amerikës u zemëruan me Greqinë, rusi e la Turqinë dhe e ktheu fytyrën me buzëqeshje cinike nga Greqia. Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i frikësuar se rusi po futej në Greqi, mori një vendim që t’ia priste Turqisë furnizimet me armë. “Të jap unë armë”, i tha kësaj rusi. Mirëpo meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikoheshin në të dyja tablotë, atëherë organizuan, tash së fundi, me CIA-n një puç të ri “të vogël” sa për paralajmërim kundër Karamanlisit dhe pro Papadhopullosit.
Ky puç dështoi, por duhen pritur të tjerë që do të vijnë pas, pse as në Turqi, as në Greqi, as në Bullgari, as në Rumani, as në Jugosllavi nuk ka qetësi, nuk ka asnjë stabilitet. Mbi të gjitha këto vende sundojnë dy egërsira të armatosura deri në dhëmbë, që në gjak nuk kanë veç luftën grabitqare, intrigën, shtypjen, agresionin. Bota zien mbi një vullkan dhe vetëm rezistenca e vendosur e popujve e shpëton njerëzimin nga këto dy kuçedra e nga këto intriga.
E MERKURE
2 KORRIK 1975
BALLKANI, SUPERFUQITE, KINA DHE NE
Të marrim Greqinë. Tërë kohën ajo ka rrojtur nën sundimin anglez, francez dhe amerikan. Tash duket sikur është e pavarur. Kjo nuk është e vërtetë. Greqia jep përshtypjen e «një demokracie borgjeze» me shumë parti, të një republike konstitucionale. Ajo është në pozita antiturke, pse Turqia sulmoi Qipron, që grekët më parë donin ta futnin nën gunën e tyre. Turqve i’u hap oreksi, kërcënojnë me invadim edhe Dodekanezin.
Greqia e Karamanlisit, për të qëndruar në fuqi, duke u mbështetur në shovinizmin pseudodemokrat grek, e hoqi një këmbë nga NATO-ja për bërë presion Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë vendosur njëfarë embargoje mbi armët që i japin Turqisë. Situata, pra, zhvillohet kështu: Sovjeti u buzëqesh edhe Greqisë, edhe Turqisë. Kësaj tash së fundi i jep 700 milionë dollarë kredi, kurse Karamanlisit i dërgon deklarata e buzëqeshje me anë të Zhivkos, i cili e priti me triumf kryeministrin grek në Sofje. Zhivkoja i “premtoi miqësi shekullore”.
Të dy palët ranë dakord se nuk ekziston as Maqedoni, as popull maqedonas. Zhivkoja u përpoq të merrte koncesione portuale në Aleksandropolis në Thrakë, por nuk i’a arriti dot qëllimit. Karamanlisi nuk kishte vajtur në Bullgari për të shitur “atdheun”, por për të krijuar përshtypjen ndaj Turgisë se Greqia ka miqësi të ngushtë me Jugosllavinë, me Bullgarinë, me Rumaninë, por edhe me Shqipërinë. Greqia, qoftë ajo e Jorgos, e Konstandinit, e Venizellosit, e Metaksait, e Pavllos, e kolonelëve dhe e Papadhopullosit, ashtu edhe e të tjerëve si këta që janë e mund të vijnë në fuqi, ka qenë dhe është për aneksimin e Shqipërisë së Jugut që ata e quajnë “Vorio-Epir”.
Ëndrrat janë ëndrra, por shovinizmi grekomadh kërkon t’i bëjë realitet, përpiqet, lufton dhe kurrë nuk heq dorë nga veprimi eventual agresiv. Por edhe ne nuk heqim dorë nga mbrojtja dhe vigjilenca. Kolonelët grekë pranuan të lidhnin marrëdhënie diplomatike me ne. Karamanlisi i vazhdoi dhe ne i vazhdojmë ato, pse interesi ynë na i do. Por ne nuk na zë gjumi. Ne bëjmë tregti me grekët, bëjmë nga ndonjë hap në shkëmbime kulturore, gjë që është edhe në interesin tonë.
Por të marrë nuk jemi që të bëjmë siç thotë Çu En Lai. Ai na mëson ne si të bëjmë, por nga ana e Kinës, që është një shtet i madh, nuk shohim. të bëhet asnjë hap drejt Indisë. Po pse nuk e bën? Pse India është prosovjetike. Po Jugosllavia, Rumania, Greqia, Bullgaria me kë janë, në ç’grazhd hanë dhe në ç’krevat flenë? Jo, këshillat dhe mendimet e Çu En Lait mbi politikën që ky predikon për Ballkanin janë të gabuara, antimarksiste, antisocialiste. Ne as e pranojmë një politikë të tillë dhe do të vazhdojmë në politikën tonë të drejtë, do të bëjmë që të duket se politika jonë s’ka të bëjë me këtë politikë revizioniste-reaksionare.
E SHTUNE
8 NENTOR 1975
ASNJEHERE TE MOS HARROJME RREZIKUN E ARMIQVE FQINJ
Greqia hiqet sikur do dhe praktikon me ne një fqinjësi të mirë, por ky është një blof. Si në kohën e kolonelëve, edhe tani po parakalojnë të ashtuquajturit vorioepirotë dhe përpara presidentit Cacos, ministrave Averof, Ralis e të tjerë gërthasin në rrugë, në sheshe, në radio e në televizion për “Vorio-Epirin e tyre”, “për Korçën dhe për Gjirokastrën e tyre”. Ne, natyrisht, protestuam, u dhamë një përgjigje çakejve grekë. Grekët dështuan në Qipro dhe, për të mbuluar këtë disfatë, kanë lëshuar qentë kundër nesh, por ne ua thyejmë dhëmbët. Prandaj kurrë populli dhe Partia nuk duhet të kenë as fijen e iluzionit se ujku bëhet dele. Duhet barutin ta mbajmë të thatë dhe pushkën ta bëjmë top.
E SHTUNE
4 MARS 1978
ÇDO VEND KA TE DREJTË TE MBROJË SOVRANITETIN E VET
Konflikti midis Egjiptit dhe Qipros, për dërgimin e një komandoje ajrore egjiptiane në këtë vend, vazhdon. Egjipti ka prerë marrëdhëniet me Qipron. Cili nga këto dy shtete e ka fajin në këtë mes? Natyrisht, fajin e ka Egjipti. Unë konstatoj një moderim në qëndrimet e Qipros e të Qiprianosit dhe një mirëkuptim nga ana e këtyre. Këta dëshirojnë që midis ishullit të Qipros dhe Egjiptit të lidhen marrëdhënie diplomatike dhe të ekzistojë një gjendje paqësore. Por mendimi im është se me gjithë moderacionin në qëndrimet e qipriotëve, të cilët kanë ndërmarrë shumë hapa për pajtim pranë qeverisë egjiptiane, kjo, nga ana e saj, nuk bën asnjë çap në këtë drejtim. Për këtë s’ka asnjë dyshim që kjo qeveri shtyhet nga fuqi imperialiste për ta mbajtur të ndezur konfliktin, të cilin nuk e ka shkaktuar Qiproja.
Qipriotët bënë detyrën e tyre, luftuan për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Pse avioni i dërguar nga Sadati, i mbushur me një komando ushtarësh, të zbriste pa leje në Qipro dhe të sulmonte me forcë një avion, i cili kishte brenda dy “terroristë” palestinezë që vranë redaktorin e gazetës “Al Ahram”? Një çështje e tillë nuk mund të zgjidhej dhe ishte e palejueshme të zgjidhej në atë mënyrë, siç kërkoi ta zgjidhte Sadati.
Bile, tash së fundi, ai ka deklaruar se do të mbrojë me armë jetën e cilitdo egjiptiani, në të katër anët e botës!». Si shumë të mëdha janë pretendimet e këtij farë burri! Do të ishte më mirë që ky të mendonte e të përgatitej për të çliruar territoret e pushtuara nga Izraeli, të mendonte se si të ndihmonte vëllezërit e tij palestinezë, që të rimarrin atdheun e tyre të htunbur, sesa të bëjë deklarata të tilla se do të mbrojë edhe personin më të fundit egjiptian, të gjendur në një skaj të humbur të botës.
POGRADEC, E ENJTE
19 KORRIK 1979
KRONIKA E NGJARJEVE TË KETYRE DITEVE DHE ÇFARE KONKLUZIONESH MUND TE NXJERRIM PREJ TYRE
Kriza e naftës dhe ndikimi i saj në botë
Turqia kërkon të ndajë shellfin kontinental të Egjeut, kurse Greqia nuk pranon një shellf tjetër përveç atij që është vendosur deri tani. Në kufirin greko-turk ngjasin incidente. Po ashtu Turqia kërkon të ketë sundimin e vet edhe në ajër, në zonën mbi detin Egje, në mos plotësisht, por të paktën kjo të ndahet ose të bihet në marrëveshje që të mund të qarkullojnë lirisht avionët e të dyja palëve. Kundërshtimi këtu është i vazhdueshëm, përveç kundërshtimit për problemin e Qipros.
Aktualisht, meqë Greqia futet në krahun jugperëndimor të NATO-s, amerikanët përpiqen që komandanti i këtij krahu të mos jetë as turk, as grek, por të jetë amerikan dhe zëvendëskomandantët të jenë njëri turk e njëri grek, me fjalë të tjera, këta t’ia varin në qafë mëlçitë e tyre ujkut amerikan. Si Turqia edhe Greqia janë në krizë dhe kanë nevojë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Veçanërisht në Turqi situata është shumë e nderë; në mes partisë së Eçevitit dhe të Demirelit ka grindje të mëdha dhe këtu është dora amerikane që bën lojën e saj, po ashtu edhe dora sovjetike, e cila bën përpjekje të mëdha për ta mbështetur Demirelin, por ky është shumë i kujdesshëm si ndaj amerikanëve, ashtu edhe ndaj sovjetikëve.
Sidoqoftë politika e Turqisë si edhe ajo e Greqisë është një politikë e varur dhe shumë delikate. Prandaj ka mundësi që të acarohen më tej kontradiktat në mes tyr2 dhe ne duhet të bëjmë kujdes sepse acarimi i situatave në mes këtyre dy shteteve mund të sjellë një dobësim të kufirit greko-bullgar dhe jugosllavo-bullgar./Memorie.al