Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të Xhaferr Vokshit, vëllait të ‘Heroit të Popullit’, Asim Vokshit, lidhur me mikun e ngushtë të tij, Sejfulla Malëshovën, të cilin ai e ka njohur që nga periudha e Luftës dhe më pas gjatë viteve kur Xhaferri ishte i internuar në Ishullin e Zvërnecit, qytezën e Ballshit dhe Fier, ku ai shkonte dhe takohej shpesh me Malëshovën. Si e kujton Vokshi, mikun e ngushtë të tij dhe bisedat që bënin me të për letërsinë dhe politikën, çfarë thoshte Sejfullai lidhur me dënimin e tij, përse ai nuk pranonte të bënte biseda të karakterit politik, si dhe momentet e fundit të jetës së tij në Spitalin e Fierit, ku drejtori e thirri, për t’i treguar “të vërtetën” e vdekjes së Malëshovës?!
28 shkurt të vitit 1903, në fshatin Malëshovë të Përmetit, lindi Sejfulla Malëshova, i cili më pas u bë një nga personalitetet më të njohura të Luftës Antifashiste dhe letrave shqipe. Pasi u godit nga Enver Hoxha, për mendimet dhe pikëpamjet e tij liberal – demokrate, në vitin 1947, kur ishte Ministër i Shtypit dhe i Propagandës, Sejfulla Malëshova, punoi disa kohë si përkthyes në Institutin e Shkencave në Tiranë dhe më pas u internua në rrethin e Fierit, ku deri sa ndërroi jetë, punoi si punëtor dhe magazinier në ndërmarjet bujqësore të fushave të Myzeqesë.
Një nga miqtë e pakët të Malëshovës, ka qenë Xhaferr Vokshi, (vëllai i “Heroit të Popullit”, Asim Vokshi) i cili e ka njohur nga afër Sejfullanë, që nga koha e Luftës dhe pas viteve 1956, kur ai u dënua në Konferencën e Tiranës e u internua fushave të Myzeqesë, ku Xhaferri shkonte shpesh për ta takuar. Një nga dëshmitë më interesante në kujtimet e Vokshit, është misteri vdekjes së Sejfullait në spitalin e Fierit dhe se çfarë tha mjeku që ishte dërguar nga Tirana?!
Në kujtimet e tij për Sejfulla Malëshovën, Xhafer Vokshi, tregon: “Që kur isha 14 vjeç dhe ndodhesha pranë familjes sime në Tiranë, prej vëllezërve të mi, Asimit e Myftarit, dëgjova për herë të parë për Sejfulla Malëshovën, sepse njihej si poet, nëpërmjet pseudonimit letrar “Lame Kodra”, apo “Poeti rebel”, e mësova kur i lexova ato vjersha aq të bukura, që aq shumë na frymëzonin dhe na tregonin që ta donim Shqipërinë që “nga Shkupi në Janinë”, e luftonin për çlirimin e saj shoqëror dhe Kombëtar. Në vjeshtën e vitit 1942, nëpërmjet gazetës “Zëri i Popullit”, që na vinte fshehurazi me fashikujt aty në burgun e Tiranës, ku ndodhesha i dënuar me 12 vite burg politik, mësova se Sejfulla Malëshova, ishte kthyer në atdhe, mbas 18 vitesh mërgim politik dhe ishte vënë në shërbim të Luftës Nacionalçlirimtare. Ai lajm u prit jashtëzakonisht mirë nga të gjithë ne të burgosurit politik, që ishim në atë burg”.
Takimi me Sejfullanë në Labinot
Në vjeshtën e vitit 1943, në Labinot të Elbasanit, Xhafer Vokshi u takua për herë të parë me Sejfulla Malëshovën dhe lidhur me këtë takim ai kujtonte:”Mbas Konferencës së Mukjes, bashkë me dy shokë morëm urdhër për t’u nisur në Labinot, ku do të takoheshim me Sefulla Malëshovën, i cili në atë kohë ishte strehuar në shtëpinë dykatëshe të Bahollëve. Sejfullai na priti me ngrohtësi, si të ishim shokë të tij, që na njihte prej vitesh! Ishte hera e parë që takohesha personalisht me atë udhëheqës të Luftës. Figurë të cilën deri në atë kohë e njihja vetëm nëpërmjet poezive të tija. E kujtoj shumë mirë bisedën që bëmë me të ku gjatë gjithë kohës, ai na foli për karakterin kombëtar të Luftës sonë, për afrimin e shtresave e rrymave të ndryshme politike dhe konkretisht për bashkëpunimin me vëllezërit Kryeziu nga Gjakova. Këto porosi për vëllezërit Kryeziu, Sejfullai na i dha për arsye se ne ishim caktuar me detyrë për të shkuar në Kosovë. Sejfullai, ishte i mendimit që: lidhur me rastin e vëllezërve Kryeziu, duhej të hiqej dorë nga çdo paragjykim klasor, duke vënë në plan të parë vetëm luftën kundër okupatorit. Ai na porositi, që Gani begut dhe vëllezërve të tij, t’i bënim të fala nga ai personalisht dhe shokët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke i thënë që e kemi për detyrë që të luftojmë përkrah aleatëve anglo- sovjeto – amerikanë, me qëllim që të fitonim të drejtën e vetëvendosjes dhe të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kujtoj që Sejfullai na dha edhe një letër për vëllezërit Kryeziu, detyrë të cilën ne e kryem sipas porosive të tij, por dua të them se më vonë, me ndihmën e jugosllavëve, Enver Hoxha i “hëngri” me të pabesë vëllezërit Kryeziu dhe një nga një i asgjësoi ata me prapaskena”.
Me Sejfullanë në Fier
Pas atij takimi që Xhaferri bëri me Sejfullanë, rasti e solli që ta takonte atë përsëri pas gjashtë vitesh, në 1949-ën, kur ai u kthye nga Jugosllavia në Shqipëri, pas prishjes së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Lidhur me këtë, Xhaferri kujtonte: “Në janarin e vitit 1949, kur u ktheva nga Jugosllavia për në Shqipëri, pas prishjes së marrëdhënieve sovjeto-jugosllave e për rrjedhim edhe shqiptaro-jugosllave, u takova me Sejfullanë i cili në atë kohë punonte në Institutin e Shkencave, ku merrej me përpilimin e fjalorit Rusisht-Shqip. Ai ishte një dashamirës i familjes sonë, gjë të cilën e kishte treguar edhe me vlerësimin që i kishte bërë vëllait tonë, Asim Vokshit (“Hero i Popullit”) me anë të vjershës “Klithma e Dragobisë”, si dhe dedikimin me autografin e tij të kopjes së botimit të parë të librit “Vjersha”, ku kishte shkruar: “Si kujtim familjes Vokshi”. Mua më takonte që ta takoja dhe ta felenderoja për atë gjest. Në vitin 1956, unë ndodhesha i internuar në ishullin e Zvërnecit,(bashkë me Agetinën dhe me vajzën nëntë muajshe, Ebron) kur kishte nisur vala e goditjeve të Konferencës së Tiranës. Përpara nesh në atë ishull kishte qenë i internuar Sejfulla Malëshova. Nga personat që gjeta në internim, dëgjova fjalët më të mira për Sejfullanë dhe po ato fjalë, dëgjova përsëri për të edhe nga ballshiotët, kur isha i internuar në atë qytezë, të cilët më flisnin me shumë respekt për të, duke thënë se: ai ishte një njeri që punonte me ndërgjegje të lartë në punë si magazinier i punishtes së frutave. Sipas tyre Sejfullai, nuk lejonte që njerëz të ndryshëm, qoftë edhe me përgjegjësi të lartë, të hynin e të dilnin lirshëm nga ajo magazinë. Në prillin e vitit 1962, pasi kisha kaluar dy vite internim, në qytetin e Ballshit dhe katër vite të tjera në Zvërnec, më lejuan që të shkoja në qytetin e Fierit pranë familjes sime, për të vazhduar më tej, një internim të tretë. Në atë kohë që vajta unë në Fier, Sejfullai, banonte në një apartament të vogël, prej një dhome e një kuzhine dhe punonte si magazinier, në një magazinë të madhe duhani. Atë punë, siç thonin të gjithë, Sejfullai e kryente me korrektesë të lartë. Duke punuar për një kohë të gjatë, ai u bë një specialist duhani, aq sa shpesh herë na thoshte: “Duhani është një kulturë me rëndësi të madhe dhe për prodhimin e tij, duhet të zgjidhen ato toka që e prodhojnë këtë kulturë, qofshin dhe më pak hektarë, e jo të lakmojnë sasira të mëdha tokash”. Sejfullai nuk pranonte biseda politike. me asnjë njeri dhe të gjithë atyre që e nxisnin në të tilla biseda, ai u thoshte: “Unë ato që kam pasur për t’i thënë, i kam thënë atje ku duhet dhe në kohën e duhur. Nuk m’i kanë pranuar dhe prandaj nuk kam ç’të flas më tej për ato gjëra”. Një ditë kur Sejfullai ishte në shtëpinë tonë, një mikesha e familjes sime, i’u lut Sejfullait, që t’i jepte si dhuratë librin e tij “Vjersha” dhe ai ju përgjigj: ‘Unë librin tim e ruaj për vete dhe për derisa ai është hequr nga qarkullimi, unë s’kam ndërmend t’ia jap askujt’! Megjithëse Sejfullai ishte i goditur politikisht, ashtu si dhe unë, kur bisedonim me njëri tjetrin në atë kohë që ndërtohej Azotiku, apo ndonjë shkollë, ai gëzohej dhe na thoshte se ato ishin pasuri e popullit. Këtë gjest Sejfullai e shprehu edhe njëherë kur u takua në Tiranë, me Dr. Ymer Dishnicën, i cili vinte nga Berati. Ishte fjala për disa vendime të Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat do ta përmirësonin jetën e popullit. Ai asnjëherë nuk u tregua tendencioz dhe dashakeq, por përkundrazi gëzohej për gjithçka të mirë që mund të bëhej për Shqipërinë”.
Karakteri i Sejfulla Malëshovës
Lidhur me karakterin e personalitetin e Sejfulla Malëshovës, Xhaferr Vokshi, kujtonte: “Në jetën personale Sejfullai shquhej për korrektësi. Ai respektonte regjimin ditor, me një higjenë shembullore dhe si ushqim të përditshëm kishte dhe gjimnastikën e mëngjesit. Deri sa ishte gjallë dhe në një moshë të thyer, ai përdorte gjithmonë biçikletën, me të cilën shkonte vazhdimisht në punë. Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm për sportin e shahut dhe për të evituar ndeshjet nëpër lokale, ku mblidheshin shumë njerëz, ai mbyllej në shtëpinë e tij dhe luante me veten. Kur ne i shkonim në shtëpi dhe e gjenim duke luajtur shah, ai e linte menjëherë lojën, për të na respektuar dhe kur ne largoheshim, ai e vazhdonte përsëri aty ku e kishte lënë lojën! Zakonisht ai e lexonte edhe shtypin e përditshëm dhe pëlqente gazetën “Rinia”, për të cilën thoshte se kjo ka më shumë informacion. Në shtëpinë e tij, ai kishte një bibliotekë shumë të madhe dhe veç leximeve, ai merrej edhe me përkthime nga letërsia botërore. Kur unë mbarova periudhën e internimit dhe u ktheva në Tiranë, Sejfullai më porositi e më dha një letër të shkruar me dorë për shkrimtarin Petro Marko, në të cilën ai i lutej që t’i kërkonte kolegut Shefqet Musaraj, dorëshkrimin e poemës “Kush rron mirë në Rusi”, të rusit Nekrasov. Sado që u interesua shumë i ndjeri Petro, dorëshkrimi nuk u gjet! Njëherë i pata treguar Sejfullait, se Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, më qortonin, kur më shihnin duke lexuar, Gjergj Fishtën. Pas kësaj, Sejfullai, nuk më la të vazhdoja dhe më tha: ‘Shiko Xhaferr! Që kur ishim në Francë, u habitëm kur morëm vesh, se me ndihmën e jugosllavëve, na qënkesh themeluar Partia Komuniste Shqiptare. Ne kishim lidhje edhe me partitë franceze, e sidomos me Kominternin. Ne nuk e donim atë ide, që na ofruan jugosllavët. Sa për vjershat e mija, unë nuk kam pranuar dhe as nuk pranoj që të ndryshoj qoftë dhe një varg e emërtim qytetesh, si Shkupin etj’.
Sejfullai i donte shumë fëmijët dhe sa herë që ai vinte në shtëpinë time, u sillte ndonjë dhuratë modeste edhe pse kishte një pension të vogël. Sa kohë që ai ishte në punë, ishte i kënaqur, por kur doli në pension, veç pensionit të vogël, atij ju shtua edhe mërzitja, pasi humbi marrëdhëniet me njerëzit.
Vdekja e Sejfullait!
Lidhur me sëmundjen e Malëshovës dhe ditët e fundit të jetës së tij, Xhaferr Vokshi, ndërmjet të tjerash kujtonte: “Edhe për sëmundjen që kishte Sejfullai, mua më njoftoi fqinja e tij, e cila ishte një grua zonjë. Pas kësaj unë menjëherë gjeta shtëpinë e një bashkëfshatari nga Malëshova, të cilit i mora adresën e së motrës dhe i’u bëra njoftimin telegrafik. Pas atij njoftimi, e motra e Sejfullait erdhi menjëherë dhe bashkë me ne i’u gjet pranë. Më kujtohet se për t’i dhënë kurajo, unë i tregova se një ditë më pare, kisha kaluar me nxënësit e Teknikumit Bujqësor nga Gryka e Këlcyrës dhe duke bredhur andej, kërkova të dija se ku binte Malëshova. Pas këtyre fjalëve ai i përmend dhe kërkoi të dinte se çfar date ishte! Gjithashtu më kujtohet se kur po shkoja në spital, drejt pavionit ku ishte shtruar Sejfullai, më doli përpara Drejtori i Spitalit, i cili më ftoi në zyrën e tij, ku gjeta dhe një mjek që kishte ardhur nga Tirana. I ardhuri nga kryeqyteti më tha: ‘Po u’a them si mik i tij, se Sejfulla Malëshova, ka vdekur nga peritoniti kronik, i shkaktuar nga një apendesit i abandonuar’. Nuk e di, ndoshta më gjetën mua për të më njoftuar për atë diagnozë, me qëllim për të mos dyshuar për shkakun e vdekjes”, tregonte Xhaferr Vokshi, lidhur me vdekjen misterioze të mikut të tij të ngushtë, Sejfulla Malëshovës, njërit prej personaliteteve më të spikatura të Luftës Antifashiste, i cili për idetë e tij liberal-demokrate u godit nga Enver Hoxha që në vitet e para të pasluftës dhe si rezultat i saj, vuajti gjithë jetën në internime, duke punuar si punëtor e magazinier prodhimesh bujqësore. Nga ai personalitet i madh i Luftës dhe gjithashtu edhe i letrave shqipe, Xhaferri ruante si kujtimin më të shtrenjtë, një telegram që Sejfullai i’a kishte dërguar për ngushëllim, kur i vdiq e ëma, Bije Vokshi, ku ai shkruante: “Shoku Xhaferr, mora vesh për vdekjen e nënës suaj buzëplasur. Marr pjesë me gjithë shpirt në këtë helm të ri për zemrën tuaj të plagosur. Të rroni vetë me gjithë njerëzit tuaj. Sejfullai”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016