Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Abdyl Këllezit, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, ish-zv. kryeministër i Shqipërisë, nga viti 1956 deri në 1965-ën, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës dhe Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, i cili në vitin 1975, u arrestua së bashku me katër bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, zv/kryeministrin Koço Theodhosi, ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Tregtisë së Jashtme, Vasil Kati, duke u akuzuar si “sabotatorë dhe armiq të popullit”. Dëshmia e rrallë vjen nga Leon Këllezi, djali i dytë i ish-zv/kryeministrit Këllezi, (i diplomuar për Fizikë), i cili rrëfen për Memorie.al disa ngjarje të panjohura, si: raportet e marrëdhëniet zyrtare e miqësore të familjes së tij me familjen e Enver Hoxhës, ngjarjet që ndodhën që kur filloi goditja ndaj “Grupit sabotator në Ekonomi”, si ajo me Kadri Hazbiun, që ndërroi rrugë që mos ta takonte Abdylin, internimi në fshatin Kotë dhe bisedat politike me babanë, misterin e personit që erdhi dhe i tha atij se pas 10 ditësh do arrestohej, mbledhjen e kolektivit ku u komunikua se “Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, kishin marrë dënimin e merituar”, bisedat me Thoma Delianën pas viteve ’90-të lidhur me akuzën, që i ishte bërë Abdylit se kishte dashur të ndërtohej hekurudha me Malin e Zi, si dhe peripecitë e shumta për kërkimin e eshtrave të babait, të cilët ende dhe sot nuk janë gjetur… ?!
Zoti Leon, nga është origjina e familjes së babait tuaj, Abdyl Këllezit dhe nga ç’familje rridhte ai?
Ne jemi me origjinë nga Tirana dhe gjyshi im quhej Mehmet Muharrem Këllezi ose Hoçi, siç e thërrisnin tiranasit e vjetër, ai ka qenë tregtar. Kryesisht ka pasur ekskluzivitetin e lëkurëve dhe ka pasur dyqane të tjera, toka dhe shtëpi.
Babai, ku u shkollua?
Im at ka lindur në vitin 1919 dhe ka mbaruar gjimnazin e Tiranës, ka shkuar për studime me ndërmjetësinë e familjes Turdiu për xhenio, që më vonë të shkonte si inxhinier ndërtimi. Shkoi në Itali dhe ka bërë tre vite. Kur u bë pushtimi i Shqipërisë, ata u detyruan të bënin betimin para flamurit italian, ku im atë me gjithë studentët e tjerët nuk pranoi dhe atë e internuan. Në vitin 1942, u falën këta të internuarit dhe ai erdhi në Shqipëri. Sa erdhi u angazhua menjëherë me lëvizjen dhe u arrestua dy herë. Ka arritur deri sekretar qarkori dhe kryesisht është marrë me Frontin. Ka ardhur në Tiranë më 17 nëntor 1944, i dërguar nga Partia Komuniste dhe personalisht Enveri, bashkë me Pandi Kriston dhe Liri Belishovën.
Pas mbarimit të luftës, në çfarë funksionesh ishte?
Im at fillimisht u mor me Frontin Demokratik dhe më pas u emërua komisar i Bankës Kombëtare. U bë guvernator i bankës dhe më pas në ministri të Financave dhe zv.ministër. Ai punoi 11 muaj në Ministrinë e Ndërtimit dhe më pas rikthehet në Ministrinë e Financave. Pas vdekjes së Stalinit, në vitin 1953 u emërua ministër i Financave. Në vitin 1956 u emërua zv.kryetar i Këshillit të Ministrave deri në 1966. Më pas shkoi kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Në vitet 1969-’70 rikthehet në Kryeministri, ku caktohet kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, deri në vitin 1975 kur u arrestua.
Çfarë dini ju rreth zanafillës së goditjes që iu bë babait tuaj, Abdyl Këllezit?
Historia ka filluar me problemin e naftës, që lidhej më shumë edhe me Koço Theodhosin. Për mua është një çudi, sepse për festat e nëntorit të gjithë këta të naftës, si Lipe Nashi etj., u propozuan dhe u dekoruan. Menjëherë pas Vitit të Ri, në janar kanë filluar sulmet në Ministrinë e Industrisë. Im atë nuk është ngacmuar deri në 3 maj të vitit 1975.
Pas muajt maj, çfarë ndodhi?
Në maj të vitit 1975, ishin duke u kthyer nga një vizitë, ku kalojnë te lulishtja para shtëpisë së vjetër të Kadri Hazbiut dhe kur Kadriu i pa, ndërroi rrugën. Atëherë mamaja i tha: “Abdyl, do fillojnë nesër me ty”. Në të vërtetë me babain tim janë marrë nga data 3 maj deri në 28 maj, në mbledhje të përditshme në Komitetin Qendror në Byro dhe në qeveri. Kryesisht Adil Çarçani e ka mbrojtur duke thënë se nuk është përgjegjësi e Abdyl Këllezit gjithë kjo. Po kështu, edhe Mehmet Shehu e ka mbrojtur, këtë e di mirë. Në 17 nëntor të 1974-ës u bë një mbledhje në Fier, me të gjithë ekspertët e naftës që kishin kontradikta. Ka qenë edhe Koço Theodhosi në atë mbledhje. Më pas, babanë e merr Mehmet Shehu në telefon dhe i thotë: “Lëre mbledhjen dhe hajde në Tiranë, sepse pasdite është përkujtimorja e 30-vjetorit të çlirimit të Tiranës. Ky e kundërshton pak, duke i thënë se sa kanë filluar këtu të zbërthehen këto mbledhjet teknike. “S’ka gjë – i thotë Mehmeti – po hajde”. Kur janë kthyer, i ka thënë Koçoja se këtu nuk u zgjidh gjë. Atëherë babai i bën dy raporte, një Adil Çarçanit dhe një Haki Toskës. Pas dy muajsh i thotë Mehmet Shehu: “I ke çuar në Komitet Qendror relacionet? – Po i thotë ai – ia kam çuar Adilit. – Atë e di se e kam lexuar – i thotë – po këto thonë se nuk ka ardhur gjë”. Me këtë filloi historia që pse s’e ke çuar relacionet. Ajo letër ishte e njëjtë me atë të punëtorit, që i çoi Enverit për problemet e naftës, këtu filloi gjithë historia. Kjo punë zgjati jo më shumë se tri javë.
Çfarë thuhej në ato mbledhje?
E akuzonin për gjëra të veçanta, si psh.: ke bërë ndonjë propozim që në Industrinë e Naftës dhe Qymyrgurit, iu dha një lloj pavarësie, për të blerë këto pajisjet dhe kjo u quajt një lloj liberalizimi ekonomie, si në Jugosllavi, apo siç thuhej atëherë “Vet-administrim”.
Pas atyre mbledhjeve, ç’ndodhi me babanë?
Pasi mbaroi Plenumi, u nisën për në fshatin Kotë. Pas nja dy ditësh i thanë që je emëruar drejtor i fermës së fshatit Kotë. Ndenji dy muaj. Shkonte në çdo brigadë dhe bënte prezantimin si drejtor. Të nesërmen e thërrasin në Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, ku kryetari Ndue Marashi i thotë që do shkoni familjarisht në fshatin Kotë. Kur shkuam atje, na dhanë dy dhoma e një kuzhinë në pallatin e vjetër. Gjatë asaj kohe babai nuk ka folur me njeri. Pas dy muajsh i thonë që je hequr nga drejtor dhe e caktojnë që të shpërndante karburantin për traktorët, punë të cilën e bënte me mjaft korrektesë.
Si e kujtoni arrestimin e babait?
Një ditë kur u ktheva unë nga puna, më thotë një zetorist, që unë dua të furnizohem. Kur shkoi babai, ai u vonua shumë dhe nuk po vinte ndërsa po errësohej. Në momentin kur unë do dilja për ta gjetur, më përplaset dera në kurriz dhe hyn zv.drejtori i Degës së Brendshme të Vlorës, që nuk më kujtohet emri për momentin dhe tha: “Abdyl Këllezi u arrestua si armik i popullit dhe u largua”. Më pas erdhën 4-5 hetues, që kanë ndenjur nga ora 7 deri të nesërmen në mëngjes dhe bënë kontroll të hollësishëm. Mamaja u trondit shumë dhe vëllai Maksi, ishte i sëmurë dhe unë firmosa që s’ka armë, por u pendova sepse kujtova se mos e fusnin ata. Kryesisht ata shikonin librat. Kishte shumë libra italisht, frëngjisht dhe rusisht.
Para se të ndodhte arrestimi, e parandiente babai këtë gjë?
Po, më kujtohet që një javë para se të arrestohej, i shkon një fshatar atje ku punonte dhe i thotë që; maksimumi pas 7 ose 10 ditësh do të arrestohesh.
Si shpjegohet kjo, mos ishte ndonjë provokator i futur nga Sigurimi?
Fillimisht babai edhe ne dyshuam shumë tek ai person dhe ajo që ai tha. Por më vonë e morëm vesh se atë e kishte dërguar enkas, një miku i tij, (pra miku u babait), në mënyrë që të ishte i parapërgatitur psikologjikisht dhe emocionalisht, kur të ndodhte vërtet arrestimi.
Kush erdhi për arrestimin e Abdylit?
Për ta arrestuar e ka arrestuar Pirro Dauti, i cili ka qenë edhe hetuesi i tij. Për gjyqin nuk di ndonjë gjë të madhe, pasi di vetëm ato që më ka thënë Kiço Ngjela.
Çfarë ju ka thanë Kiço Ngjela?
Kiço më ka thënë që gjatë dy vjetëve nuk na kanë ballafaquar në hetuesi. Më ka thënë që sikur Petro Takut i kanë paraqitur një dokument të firmosur nga Abdyli, që ka qenë një problem në atë kohë, diskutohej se cila hekurudhë do të ndërtohej e para, ajo nga Greqia apo Jugosllavia! Po kështu më ka thënë, që qeveria e asaj kohe ishte e ndarë në dy grupe, ku njëra pjesë donte që të bëhej hekurudha me Jugosllavinë, ndërsa tjetra me Greqinë. Dhe im atë paska qenë për të këtë pjesën e Malit të Zi, sepse ishte më e lehtë, pasi me Greqinë ishte më e vështira, pasi duhet të kalohej Qafë-Plloça etj. Këto janë fjalët e tij. Dhe akuza që i bëhej babait ishte se Abdyli e kishte pranuar dhe e kishte firmosur këtë dokument, pra hekurudhën me Malin e Zi, sepse ai donte që Jugosllavia të sulmonte me tren Shqipërinë. Kuptohet këto janë gjëra të montuara, por shumë trashë.
Përgjoheshit ju kur ishit në internimi në Kotë?
Një fqinja jonë në Kotë na tha që të mos flisnim në shtëpi, pasi kishte përgjues, sepse ata kishin ardhur më përpara dhe kishin punuar në shtëpi. Përgjuesit ishin artizanalë dhe jo modernë, siç ishin ato me tela që kalonin nëpër çati dhe kalonin në një pallat tjetër, ku vinte operativi dhe merrte kasetat. Duke i ditur këto, ne nuk flisnim për gjëra që dihej se do të na dëmtonin.
Po babai, Abdyli, para arrestimit, kishte ndonjë shpresë që edhe mund të falej dhe të rehabilitohej?
Jo, absolutisht nuk kishte asnjë shpresë. Ai e kuptonte që kjo punë kishte marrë fund dhe nuk kishte shpresë që të falej, por megjithatë punonte shumë në fermë. Si duket, për të kaluar kohën dhe për të humbur mendjen nga ato që e prisnin. Lexonte gazetën “Zëri i Popullit” dhe asgjë tjetër. Me mua fliste babai ndonjëherë, ndërsa me të tjerët, që ishin më të vegjël se unë, nuk hapte biseda të tilla. Unë e pyesja rreth atyre që kishte gazeta “Zëri i Popullit”, kryesisht lajmeve, dhe ai më thoshte që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga Kina. Po ku e kupton ti, e pyesja unë, po ja unë lexoj midis rreshtave më thoshte ai. Njëherë e pyeta: “Me këto mundësi ekonomike, sa vjet e shtyn Shqipëria”? Më tha jo më shumë se dhjetë vjet, nëse këta nuk e ndryshojnë.
Si e kujton dhe si e mësuat dënimin e babait ju?
Ata janë dënuar në muajin maj 1976, ndërsa është bërë një mbledhje e popullit në muajin gusht. Në atë kohë kryetar i Degës së Brendshme në Vlorë, ka qenë Llambi Peçini, ndërsa e shoqja ka qenë sekretarja e dytë e Komitetit të Partisë dhe ishin caktuar, që të na lajmëronin ne për dënimin e babait. Ata si duket lajmëruan dhe vjen brigadieri e më thotë që do të punosh bashkë me gruan. Ajo ishte punë koti dhe ishte një roje në lëmë gruri, i cili më tha që; po t’ju thërrasë njeri do vini, nëse jo, atëherë do rrini. Në momentin që ne do iknim, roja i thotë bashkëshortes sime, hajde se ke harruar diçka dhe kur ajo u afrua, ai i thotë lajmin e pushkatimit. Gjatë rrugës ajo nuk më tha gjë për këtë lajm të trishtë por ma tha në shtëpi.
Nuk ua komunikuan zyrtarisht, siç bëhej atëherë nëpër kolektivat punonjëse?
Po, ashtu na e komunikuan. Na lajmëruan që hajdeni se do bëhet një mbledhje, ne shkuan pak më vonë dhe ndenjëm në këmbë, në ndërtesë një si punë kinemaje. U lexua vendimi ku thuhej se me vendim kaq e aq, u ekzekutuan… dhe duartrokitën, por jo të tërë.
Foli dikush nga populli, pasi u bë komunikimi i ekzekutimit të tyre?
Po folën disa, thanë “rroftë drejtësia popullore” dhe aq. Kur ne dolëm jashtë për të pirë një cigare, na rrethojnë nja 20 djem të rinj që na thanë: “Tani mos lëvizni, se ne do ju çojmë deri te hyrja e pallatit dhe do futeni në shtëpi dhe sot s’do dilni fare në fshat, se mos ju provokon njeri”. Për habi për tri ditë nuk ndezi njeri as radio dhe as televizor. Dhe përfitoj nga rasti për një falënderim, për të gjithë ata njerëz të atij fshati dhe të tjerë, që na u gjendën pranë në atë periudhë mjaft të vështirë, që ndodheshim ne.
Kujtoni ndonjë bisedë tjetër që keni bërë me babain, flas për biseda të karakterit politik?
Kujtoj një bisede, kur i kam thënë babait, (Abdylit) që ku do shkojë Shqipëria, sepse po prishet ekonomia. Dhe ai më ka thënë që Shqipëria për politikë nuk do të bjerë kurrë, vetëm nga ekonomia do fundoset. Dhe unë e di se përse do dënohem, e di edhe pse ju kanë internuar (e kishte fjalën për ne, fëmijët e tij). Se kur të fillojë starti, ju do keni një kazmë, por nuk do keni as shtëpi dhe as punë!
Që do të thoshte?!
As unë nuk e kuptova mirë ku donte të dilte me ato fjalë që më tha, por nuk e nxita më tej.
Ku ju sistemuan me punë kur shkuat në internim në Kotë?
Kur vajtëm në Kotë, vëllain e madh e caktuan përgjegjës plani në sektorin e tregtisë, mua më emëruan përgjegjës të ofiçinës, por i thashë që nuk di ta bëj atë punë dhe më futën në bujqësi. Gruaja filloi mësuese, ndërsa vëllai i vogël, Ylli ishte në zbor dhe punoi në ndërtim. Ne deri në fund kemi punuar në bujqësi.
Të kthehemi tek periudha kur ju ishit ende me banim në Bllokun e udhëheqjes në Tiranë, a keni pasur rast ta takonit ndonjëherë Enver Hoxhën?
Unë nuk e mbaj mend Enver Hoxhën, por atë e kam takuar vetëm një herë në plazhin e Durrësit. Kam qenë i vogël dhe loznim me top. Nexhmija vinte shpesh te ne. Enveri ka ardhur në shtëpinë tonë vetëm pasi babai u bë anëtar Byroje dhe i tha, që ti nuk duhet të rrish më në këtë shtëpi, pasi është zhurmë. Pas kësaj, Adil Çarçani i tha hajde këtu te shtëpia ngjitur, pasi e kemi bosh dhe kështu kaluam atje. Mbaj mend që babai më ka thënë njëherë për Enver Hoxhën, që ai gjithmonë kur kishte për të dhënë ndonjë porosi apo problem pune, i thërriste vetëm për vetëm vartësit e tij dhe asnjëherë dy apo më shumë bashkë.
Pas ekzekutimit të babait tuaj, Abdyl Këllezit dhe Koço Theodhosit, dy vjet më pas vdiq Hysni Kapo, rreth vdekjes së të cilit pas viteve ’90-të, ka pasur shumë dyshime. Ju si do e komentonit këtë gjë?
Mendimi im është që edhe Hysni Kapon e kanë eliminuar, sepse shikoj që në periudha çdo 2-3 vjet, ndodhte ndonjë ekzekutim nga bashkëpunëtorët më të afërt të Enverit. Kështu në këtë logjikë të ngjarjeve, dy vjet pas Hysniut, vrau veten Mehmet Shehu. Sepse Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu, ishin dy kuadro që kishin influencë shumë të madhe në Shqipëri, sepse kishin edhe shumë njerëz të tyre, në të gjithë strukturën shtetërore. Siç duket e zgjidhën kështu këtë rrugë, deri sa vdiq në ’85-ën. Pas ’85-ës filluan të merren me disa gjëra të vogla, jo arëza, jo tufëzime.
Për kë e keni fjalën kur thoni se “e zgjidhën kështu këtë rrugë”?
Po për Enverin, Nexhmijen, Ramizin, për kë tjetër?! Ata vendosnin për çdo gjë.
Pas viteve ’90-të, keni pasur rast të bisedonit me ndonjë nga shokët e babait, përse ndodhi goditja ndaj tyre?
Kam pyetur shumë Thoma Delianën, i cili më pati thënë që me Koçon, me Abdylin, me Pirro Dodbibën diskutonim shumë se kishim këto fushat kryesore të Kryeministrisë. Na kanë përgjuar tha. Jo se kemi sharë Partinë, por kemi diskutuar se si mund të zgjidhet problemi i ekonomisë.
Mund të na tregoni lidhur me përpjekjet tuaja pas viteve ’90-të, për gjetjen e eshtrave të babait?
Sa kemi ardhur në Tiranë nga internimi, gjëja e parë që bëmë ishte interesimi për gjetjen e eshtrave. U ngrit një grup, përballë Ministrisë së Brendshme me tre veta. Shkova, dhe ai oficeri më nxjerr një regjistër, dukej që ishte i vjetër, se fletët ishin të verdha dhe tha që këtu thotë se Abdyli Këllezi dhe Koço Theodhosi janë varrosur në Shishtufinë. Pas kësaj, menjëherë unë shkova në varreza, gjej përgjegjësin e varrezave, një djalë të ri dhe i them që këtu-këtu është puna. Më tha që unë s’di gjë, por do vish nesër, se do të thërres njërin që ka qenë 30-40 vjet këtu, e ka shtëpinë këtu në fshatin mbi varreza. Hajde nesër nga ora 9. Shkoj të nesërmen në orën 9 dhe ai më thotë, se nuk ka gjë këtu, mos u merr fare me atë pune. Këtu janë nja 120 varre pa emër. Gjatë gjithë jetës sime unë kam arritur të verifikoj nja 4-5 emra, por që janë fshatarë, që i kanë vrarë gabimisht, apo kanë vdekur në hetuesi. Këto emra i kam mbajtur dhe ia kam lënë këtij djalit të ri. I thashë si ka qenë procedura? Varrimet bëheshin pas orës 12 të natës…
Deri në këtë periudhë kohe që shkuat aty, nuk kishit asnjë të dhënë se ku mund të ishin varrosur babai dhe Koço Theodhosi?
Diçka më kishin thënë kur isha në fshatin Kotë. Ma tha një djalë i ri që punonim bashkë, ai kishte dajën e vetë në Ministrinë e Brendshme. Ditën që do ikja dhe takova ata të punës e do vija të takohesha me të, ai më thotë: “Nuk të kam thënë gjë, është një çikë e dhimbshme, por i kanë varrosur në një tunel dhe i kanë hedhur në erë”. Unë këtë nuk e besova.
Pas përgjigjes negative të rojtarit të varrezave, vazhduat më tej të kërkonit?
Patjetër, nga fundi vitit ’96, d.m.th. mund të ketë qenë nja tre muaj para fundit, nëpërmjet veteranëve, afrohet vetë Idriz Seiti, që ka qenë komandanti i rojeve me këto grupet e pushkatimit dhe më thotë që do vini me makinë, do më gjeni tek Kryegjyshata, po të mos ketë njerëz të tjerë. Gjithashtu Idrizi tha që para se të pushkatohej, ishin caktuar katër vende si mundësi varrimi, dy kanë qenë afër Tiranës dhe dy kanë qenë larg. Tani do i shohim të gjitha. I kishte me shënime ai të gjitha A, B, C, D.
Idrizi kishte marrë pjesë në varrimin e tyre?
Në varrim unë s’kam qenë tha, por kam marrë vesh nga ata që e kanë varrosur, që është varrosur afër Tiranës dhe ditën e parë na çon tek Hoteli i Arabëve, ku ishte një fidanishte me mimoza atje.
Kishte shenja se mund të ishin varrosur aty?
Idrizi na thoshte se mesa di unë, këtu është varrosur në një tunel të pa betonuar me dy xhepa. Në xhepin e parë nga mesi janë varrosur. Ne ecnim pas tij dhe ai në shumë vende nuk ndalonte. Në një vend ndaloi. Aty ishte një si grumbull i madh dhe i ra vërdalle atij grumbullit dhe unë aty dyshova, që është e vërtetë e kanë hedhur në erë.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Kontrolluam prej aty deri te Uzina e Traktorit, e kontrolluam të gjithë ne. Kontrolloni vetë na tha. Dhe unë bashkë me vëllain, Yllin, kontrolluam deri tek divizioni, ku është Instituti i Fizikës Bërthamore. Unë meqë punoja në Institutin e Fizikës, bashkë me një ish-oficer që punonte aty, i cili më tha hajt se i di unë këto vende, kontrolluam por nuk gjetëm gjë. Dhe as sot e kësaj dite nuk kemi gjetur gjë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016