Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Natan Schachner, mjekut me origjinë hebre i cili gjatë periudhës së pushtimit ishte në radhët partizane të Brigadës së Mehmet Shehut dhe pas Luftës shërbeu si mjek në disa rrethe të vendit si: Kukës, Burrel, Shkodër, Krujë Durrës, etj. Rrëfimi i bashkëshortes së tij Mila Çorati Schachner rreth misterit të zhdukjes së tij në qelitë e Degës së Brendshme të Durrësit në vitin 1973 pas dy letrave që sapo i kishin ardhur nga Londra, ku i njoftohej gjetja e pasurisë tij në Bankën e Tel-Avivit dhe alibia e Sigurimit të Shtetit….
Rrëfimi i Mila Çoratit
Mila Schancher (Çorati), bashkëshortja e mjekut të njohur me origjinë hebre, deri para pak vitesh ka jetuar krejt e vetme me të motrën e saj Vandën (dy-tre vite më e vogël se ajo) në një shtëpi të vjetër tiranase. Ndonëse tashmë në moshë të thyer dhe me një shëndet të drobitur nga peripecitë e një jete plot vuajtje ajo na ka rrëfyer gjithë historinë tragjike të jetës së saj. Erugina, apo siç njihet ndryshe me emrin Mila, u lind në qytetin e Tiranës në vitin 1925, kur babai i saj Ferit Çorati që punonte në PTT e Vlorës, u transferua që andej për në Kryeqytet. Gjatë viteve të Luftës, nëna e saj Feruzja, dy vëllezërit, Muharremi me Agronin, si dhe motra Vanda, u lidhën të gjithë me lëvizjen antifashiste dhe shtëpia e tyre në Tiranë, u bë një nga bazat më të rëndësishme të komunistëve, ku strehoheshin krerët e PKSH-së. Pasi qëndroi disa kohë si ilegale, Mila Çorati, doli në mal si partizane duke arritur deri përgjegjëse e Rinisë në Brigadën e Dytë të komanduar nga Beqir Balluku. Pas mbarimit të Luftës ajo punoi disa kohë në Drejtorinë e Propagandës në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në atë kohë ajo u njoh me mjekun Natan Schachner, i cili do të bëhej dhe bashkëshorti i ardhshëm i saj.
Martesa e Milës me Natanin
Lidhur me njohjen dhe martesën me mjekun Natan Schachner, Mila Çorati tregon: “Në vitet 1953-‘54, gjatë periudhës që unë punoja në Drejtorinë e Propagandës së Ministrisë Shëndetësisë, u njoha për herë të parë me Natanin, i cili në atë kohë punonte si mjek në qytezën e Fushë-Krujës. Natani ishte një njeri shumë i mirë, tepër inteligjent dhe mjaftë human, gjë të cilat e dallonin atë nga të gjithë mjekët e tjerë që vinin në Ministri për probleme të ndryshme. Pas njohjes ne vendosëm të martoheshim, por Natanit i vunë kusht se në rast se nuk ndërronte shtetësinë e tij, atë nuk do ta lejonin që të lidhte kurorë me mua. Ai u mërzit jashtë mase nga kjo gjë, jo vetëm pse kishte një krenari për Moldavinë, ku kishte lindur dhe origjinën e tij hebre, por dhe për faktin tjetër që nuk kishte asnjë lloj simpatie për komunistët e regjimin që ishte vendosur në Shqipëri. Po kështu ndonëse atë e lidhin mjaft gjëra me Gjermaninë dhe Austrinë, ku familja e tij kishte banuar për disa kohë, ai kishte alergji për nazizmin që i kishte pushkatuar babanë. Duke mos pasur rrugëdalje tjetër, Natani e ndërroi shtetësinë e tij dhe pas kësaj ne na lejuan që të vendosnim kurorë e të martoheshim. Në atë kohë unë e lashë Tiranën e Ministrinë e Shëndetësisë ku punoja prej disa vitesh dhe shkova të jetoja së bashku me Natanin në Fushë-Krujë, tek banesa e tij pranë Teqes së Bektashianëve, ku atë e kishin strehuar në një hapësirë të madhe. Pasi u martuam bashkë, shteti na dha një banesë private në fshatin Arrameras të Fush-Krujës, dhe aty filluam të ndërtonim jetën tonë. Në atë kohë, ndonëse Natani shihej me sy të keq dhe nuk trajtohej mirë nga regjimi komunist, ai kurrë nuk e kishte zakon që të fliste me njeri, qoftë për padrejtësitë që i bëheshin atij personalisht, ashtu dhe për regjimin komunist që nuk e donte fare. Natani e nuhaste qëndrimin që mbahej ndaj tij dhe vetëm në raste shumë të rralla më hapej dhe fliste me mua kundër regjimit komunist. Ndonëse ai kishte alergji për regjimin ku jetonim, kurrë nuk e konfondonte atë gjë me njerëzit e thjeshtë dhe banorët e atyre zonave ku punonte si mjek, të cilëve u shërbente me korrektesën më të madhe, duke u shkuar nëpër shtëpi për t’i vizituar dhe mjekuar”, shprehej mes të tjerash Mila Çorati, për njohjen e saj me bashkëshortin e ardhshëm, mjekun me origjinë hebraike, Natan Schachner.
Nëna e Natanit vdes në Fushë-Krujë
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri, pasi Natani kishte mësuar për fatin tragjik të babait të tij që ishte pushkatuar nga nazistët gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdonte të interesohej dhe të kërkonte të dhëna apo ndonjë lajm për fatin e nënës së tij, Bertës, për të cilën kishte mësuar se ishte internuar nga gjermanët në një kamp përqendrimi në Siberi. Lidhur me këtë, Mila Çorati kujton: “Në vitin 1956, pasi kishin kaluar 20-vite kur Natani ishte larguar nga familja për të studiuar në Bolonja të Italisë, ku dhe u diplomua si mjek, atij i erdhi një lajm i mirë që e bëri të qante nga gëzimi. Në atë kohë, Kryqi i Kuq Shqiptar, me anë të një telegrami e njoftoi Natanin që të dilte në Durrës, për të pritur nënën e tij Bertën, e cila ishte nisur me një vapor nga Bashkimi Sovjetik. Ajo gjë ishte bërë e mundur pasi Berta i ishte drejtuar me anë të një letre, vetë udhëheqësit numër një të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit, dhe ai i kishte dhënë lejen që ajo të vinte përgjithmonë në Shqipëri. Nuk mund ta përshkruaj dot atë takim në Portin e Durrësit, kur Natani pas 20-vitesh u përqafua me nënën e tij, Bertën. Nga ai takim prekës e mallëngjyes, të gjithë ne që kishim dalë për ta pritur, u shkrehëm të ngashëryer në vaj. Nëna e Natanit erdhi dhe qëndroi me ne për katër-pesë muaj në fshatin Arramerras të Fush-Krujës, dhe pastaj u nis për në Rumani ku kishin banuar familjarisht vite më parë me të shoqin, Leonin, dhe djalin e tyre, Natanin. Para se Berta të nisej për në atë vend ku kishte kujtimet e të shoqit, unë i thoja shpesh Natanit, që të shkonte dhe ai bashkë me nënën e të rrinin përgjithmonë atje. Natani më përgjigjej se atje në Rumani nuk njihte njeri, kurse këtu në Shqipëri, të paktën shteti i kishte dhënë një punë dhe e njihnin si mjek. Pasi nëna e Natanit qëndroi pak kohë në Rumani, ajo vendosi dhe u kthye përsëri në Shqipëri, pasi atje nuk e priti asnjeri. Aty në qytezën e vogël të Fushë-Krujës, ku Berta banonte bashkë me ne, për të mos u mërzitur, Natani paguante rregullisht me 3000 lekë në muaj një person që dinte gjuhën ruse, i cili vinte në shtëpi dhe bënte muhabet me nënën e tij. Pas afro dy vitesh qëndrimi me ne, në fundin e vitit 1957, nëna e Natanit ndërroi jetë në Fush-Krujë dhe varrimin e saj e bëmë në Tiranë. Në ceremoninë mortore të varrimit të saj erdhën pothuaj të gjithë hebrenjtë që jetonin asokohe në Shqipëri. Kjo ceremoni u bë në varrezat e Sharrës në një parcelë që shteti shqiptar e kishte lënë enkas për hebrenjtë që kishin vdekur në Tiranë”, kujtonte Mila Çorati lidhur me ardhjen nga Moska dhe vdekjen në Shqipëri të vjehrrës së saj, Berta Schachner.
Natani, në mbrojtje të Izraelit
Deri aty nga viti 1960, mjeku me origjinë hebre, Natan Schachner së bashku me bashkëshorten e tij, Mila Çoratin, jetuan e punuan në fshatin Arramerras të Fushë-Krujës. Në atë vit, atyre iu dha e drejta e transferimit. Lidhur me këtë, Mila Çorati kujtonte: “Pasi kishim qëndruar për afro shtatë vite në qytezën e vogël të Fushë-Krujës dhe pas shumë kërkesash, ne na u dha e drejta e transferimit për t’u larguar që andej. Pas kësaj ne na dërguan në qytetin e Durrësit, ku na dhanë edhe strehim duke na sistemuar me shtëpi në një pallat. Për ca kohë Natanin e dërguan të punonte në spitalin e qytetit dhe më pas e hoqën që andej dhe e çuan në Poliklinikë. Ndonëse ai vazhdonte të ishte mjaft i rregullt dhe tepër korrekt në punën e tij, duke bërë emër të mirë si mjek në atë qytet,(i ndiqte pacientët e tij deri në Tiranë), ai përsëri shihej me sy të keq nga regjimi i asaj kohe. Pozita dhe figura e Natanit në sytë e regjimit komunist, u ndërlikua së tepërmi dhe u vështirësua pas vitit 1966 kur ndodhi konflikti i armatosur Arabo-Izrealit dhe filloi lufta ndërmjet tyre. Në atë kohë unë me Natanin ishim thirrur në një dasëm tek një fqinji ynë dhe gjatë bisedës ra fjala edhe për luftën ndërmjet Izraelit dhe Egjiptit, që në atë kohë ishte pikë kryesore për gjithë propagandën shtetërore. Gjatë asaj bisede, Natani, mbrojti vendin e tij Izraelin, duke kundërshtuar bashkëbiseduesit, të cilëve iu tha se Izraeli, nuk kishte sulmuar Egjiptin, por ai kishte bërë luftë vetëmbrojtëse. Duke parë situatën që u krijua, unë ndërhyra menjëherë për ta zbutur bisedën dhe iu drejtova Natanit duke i thënë se ai nuk kishte folur asnjëherë ashtu. Atë gjë e bërë që t’i jepja të kuptonte se nuk duhej të fliste më në atë mënyrë, pasi ishte krejt në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të shtetit lidhur me konfliktin Arabo-Izraelit. Pas asaj bisede, Natanin e raportuan në Degën e Brendshme dhe që nga ajo ditë ndaj tij filloi një survejim i përhershëm nga Sigurimi i Shtetit. Në një rast kur ai ishte shtruar i sëmurë në Tiranë, ndërhyri Sigurimi duke e nxjerrë nga spitali me pretekstin se ai nuk kishte gjë dhe simulonte vetë”, kujtonte Mila Çorati duke shtuar se në atë kohë Natanin dhe atë i ndiqnin kudo.
Arrestimie Natanit në janar të vitit 1973
Gjatë kohës që nëna e Natanit ishte në Shqipëri, ajo i kishte treguar atij se pasurinë e familjes së saj, e cila përmblidhej në një sasi të madhe bizhuterish të florinjta, i kishte lënë në ruajtje tek një i afërmi i saj, para se të nisej nga Moska. Natani mundi të lidhej me kushëririn e tij që në atë kohë punonte në Konsullatën e Izraelit në Londër dhe ai i solli dy letra ku i shpjegonte se pasurinë e nënës së tij, ai e kishte depozituar në Bankën e Tel-Avivit dhe si fillim do dërgonte një televizor. Pak ditë pas ardhjes së atyre letrave, më 11 janar të vitit 1973, Natani u arrestua nga Sigurimi i Shtetit. Lidhur me këtë Mila Çorati tregonte: “Atë ditë që ishte dhe festa e Republikës, në shtëpinë tonë aty në qytetin e Durrësit, erdhën 12 oficerë të Sigurimit së bashku me Kryetarin e Degës K. E. Në atë moment që ata hynë brenda në mënyrë demonstrative, Natani, që po luante tavëll me dy shokë të tij, ngriu në vend dhe nuk foli asnjë fjalë, kur ata i komunikuan se në emër të popullit ishte i arrestuar. Unë u tremba dhe zura të bërtisja duke thënë se ai nuk kishte bërë gjë. Por njëri nga ata, një djalë i ri i quajtur Vladimir Çuçi, që dallonte nga harbutllëku i kolegëve të tij, gjeti momentin dhe me shumë dashamirësi më tha në italisht që të mos flisja më. Pasi u vunë hekurat Natani, ata i bënë një kontroll të imët gjithë shtëpisë dhe gjëja e parë që morën, ishin dy letrat që sapo kishin ardhur ato ditë nga Londra, nga kushëriri i Natanit. Më bëri përshtypje se gjatë proçes-verbalit që ata bënë për sekuestrimin e dokumenteve, (ku shënuan dhe librat në dorëshkrim të vëllait tim Agronit që i kishte shkruar në internim në Zvërnec) ato dy letra nuk i shënuan. Gjatë atyre gjashtë muajve që Natan, qëndroi në hetuesi, mua më thirrën disa herë dhe më pyesnin për gjithçka rreth tij. Njëherë më thanë të firmosja për ato që kishin shkruar pasi mi dhanë për t’i lexuar. Unë firmosa në mirëbesim njërën nga fletët, pasi shkrimi nuk lexohej fare dhe unë nuk shihja mirë nga sytë. Kur vajta në shtëpi i tregova vëllait Agronit, i cili më tha se kisha bërë gabim që kisha firmosur, pasi ata enkas e kishin bërë shkrimin në atë mënyrë që unë të mos e lexoja dot. Të nesërmen e asaj dite ata më erdhën në shtëpi dhe më thanë se ishin nxituar një ditë më parë dhe unë duhej të firmosja dhe fletët e tjera. Unë iu thashë që të lexonin çfarë kishin shkruar dhe kur e pashë se ata kishin shkruar ndryshe nga sa kisha folur, fillova të bërtisja dhe ata më çuan tek Kryetari i Degës K.E. Unë i thashë atij se nuk doja të firmosja, sepse ato makinacione nuk m’i kishin bërë as fashistët kur më kishin arrestuar në 1943-in. Ai më goditi me duar dhe unë u rrëzova përdhe”, kujtonte Mila Çorati atë kohë kur u arrestua bashkëshorti i saj Natani, duke shtuar se nga që nuk kishte asnjë lloj fakti dhe argumenti për ta dënuar atë, Sigurimi i bënte presion asaj që të dëshmonte kundër tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016