• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, May 16, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
“Përbindëshi’, u publikua dhe më pas u ndalua, në periudhën e stalinizmit kishte shkrimtarë si Bulgakovi Maldestam, Ana Akmatova, që…”/ Intervista e panjohur e Kadaresë në “La Stampa”, maj 2010
“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

Nga Albert Vata

Pjesa e parë

Memorie.al / Në peizazhin kulturor të pas-viteve ’90-të në Shqipëri, roli i botuesit u shndërrua nga një funksion thjesht teknik, në një mision të mirëfilltë ndërmjetësimi kulturor. Në krye të këtij procesi, Bujar Hudhri dhe shtëpia botuese “Onufri” kanë gdhendur një emër që sot është sinonim i cilësisë, qëndrueshmërisë dhe, mbi të gjitha, dinjitetit të librit shqip. Megjithëse shpesh identifikohet si botuesi besnik i kolosit Ismail Kadare, kontributi i Hudhrit shtrihet shumë përtej një emri të vetëm, duke u kthyer në një institucion që mbron dhe lartëson vlerat letrare kombëtare.

Letrat shqipe në kapërcyellin e kohës

Gjithashtu mund të lexoni

“Thanas Dino nuk ishte nga ata që mund të ‘ngujohej’ brenda fatit të tij, të kthehej thjesht në një kronist manikin, por ai…”/ Historia e gazetarit gjirokastrit që u kritikua nga Enver Hoxha në vitin 1972

“Të shkruash saktë në gegënishte sot, nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale, pasi ata ‘100 veta’ që e mbajnë gjallë atë, janë…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur

Në kapërcyellin e viteve ’90-të, kur shembej një sistem politik dhe me të edhe një mënyrë e të menduarit, lexuesi shqiptar nisi të humbiste lidhjen me letërsinë e vet. Ishte një largim i ngadaltë, por tronditës, një shkëputje shpirtërore që rrezikonte të kthente në të huaj vetë krijuesin në gjuhën e tij. Sipas Bujar Hudhrit, “humbësi më i madh” i kësaj periudhe, ishte pikërisht shkrimtari shqiptar, i cili, duke humbur lexuesin, rrezikonte të humbiste edhe busullën e vet krijuese në atë ububushmëri të gjëmimshme prurjesh, zërash dhe tundimesh të gjithfarshme që vërshuan pas hapjes së kufijve.

Ishte koha kur lexuesi shqiptar po kalonte jo vetëm një kufi politik, por edhe një prag të thellë shpirtëror e kulturor. Letërsia e huaj, e ndaluar për dekada dhe e dëshiruar si “fruti i ndaluar”, hyri vrullshëm në hapësirën shqiptare, duke sjellë magjepsjen e botëve të panjohura, të stileve të reja dhe të lirisë së shprehjes. Përballë këtij shpërthimi, letërsia shqipe, e promovuar dhe e mbështetur nga sistemi totalitar, mbeti e pambrojtur, thuajse në një krizë identiteti. Shumëkush nisi ta shihte atë si një trashëgimi të konsumuar, të lidhur padrejtësisht me një epokë që po përmbysej.

Por pikërisht në këtë kohë mjegulle dhe pasigurie, Bujar Hudhri zgjodhi të sfidonte “regjimin” e ri të harresës dhe të shpërfilljes. Ai mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese “Onufri” në një tempull të letrave shqipe, në një strehë ku fjala artistike të mos mbetej jetime në vendin e vet. Në një kohë kur tregu kërkonte sensacionin e shpejtë dhe përkthimet e bujshme, Hudhri besoi tek vlera e autorit shqiptar, tek dinjiteti i gjuhës dhe tek nevoja që një komb të mos e humbte kujtesën e vet letrare.

Ai nuk hyri në botën e përbindshme dhe kaotike të botimeve thjesht si botues. Ai erdhi me një mision, të mbrojë vazhdimësinë shpirtërore të kulturës shqiptare. Të ruajë lidhjen mes lexuesit dhe krijuesit. Të dëshmojë se letërsia shqipe nuk ishte një relike e së kaluarës, por një organizëm i gjallë, i aftë të mbijetojë, të ripërtërihet dhe të flasë me zërin e vet në kohët moderne. Në këtë përpjekje, ai nuk mbrojti vetëm libra, ai mbrojti një vetëdije kulturore. Sepse kombet nuk rrënohen vetëm kur humbasin territorin apo historinë, por edhe kur humbasin gjuhën e shpirtit të tyre, letërsinë.

Arkitekti i një standardi të ri botues

Themelimi i “Onufri” nuk ishte thjesht ngritja e një shtëpie botuese në kuptimin administrativ apo tregtar të fjalës. Ishte një përgjigje e vetëdijshme ndaj nevojës urgjente për të krijuar një strehë elitare për letrat shqipe në një kohë kur tranzicioni kishte tronditur jo vetëm institucionet politike dhe ekonomike, por edhe vetë kriteret e kulturës. Në atë mjegullnajë vlerash të përmbysura, ku gjithçka dukej e lejueshme dhe ku libri rrezikonte të shndërrohej në mall të zakonshëm tregu, Bujar Hudhri e kuptoi se botuesi nuk mund të ishte thjesht një “shtypës librash”. Ai duhej të ishte një kurator i ndërgjegjes estetike dhe i shijes publike.

Që në fillesë, Hudhri e pa librin si një akt kulture totale. Për të, rëndësi nuk kishte vetëm teksti, por edhe mënyra se si ai i paraqitej lexuesit: gjuha, redaktimi, përkthimi, grafika, cilësia tipografike, raporti mes përmbajtjes dhe formës. Ai punoi me këmbëngulje për të vendosur standarde të reja profesionale në botimin shqiptar, duke i kushtuar një vëmendje të rrallë korrektesës gjuhësore dhe estetikës së librit si objekt kulturor. Në një treg ku improvizimi shpesh mbizotëronte mbi profesionalizmin, “Onufri” u shndërrua në sinonim serioziteti dhe cilësie.

Por ndoshta arritja më e rëndësishme e Hudhrit ishte krijimi i një marrëdhënieje besimi, diçka që tregut të ri shqiptar i mungonte thellësisht. Lexuesi nisi të besonte se një libër i botuar nga “Onufri” mbante një garanci vlerash: kujdes në përzgjedhje, respekt ndaj autorit dhe përgjegjësi ndaj lexuesit. Në një kohë kur shumë botime dilnin pa filtër estetik dhe pa kriter kulturor, “Onufri” krijoi një identitet që nuk mbështetej te zhurma e tregut, por te autoriteti moral dhe intelektual i zgjedhjes. Hudhri i rezistoi tundimit të komercializmit të skajshëm, atij mentaliteti që e sheh librin vetëm si produkt konsumi dhe lexuesin vetëm si klient.

Ai zgjodhi një rrugë më të vështirë: të investojë te letërsia e mirëfilltë, te autorët që kërkojnë kohë për t’u kuptuar dhe te librat që nuk konsumohen menjëherë, por mbeten. Në këtë mënyrë, ai nuk ndërtoi vetëm një shtëpi botuese; ai ndërtoi një shkollë kulture botuese, një model që ndikoi në ngritjen e vetë standardit të librit shqip pas viteve ’90-të. Në fund, roli i Bujar Hudhrit në kulturën shqiptare nuk mund të matet vetëm me numrin e librave të botuar. Ai duhet parë si arkitekti i një etike të re botimi, ku libri trajtohet jo si mall kalimtar, por si pjesë e kujtesës dhe dinjitetit të një kombi.

Hudhri: letërsi me paratë e mia

Bujar Hudhri hyri në marrëdhënie me letërsinë shqipe jo thjesht për t’iu kundërvënë një kohe të vështirë dhe kërcënuese për fatin e saj, por për të mbrojtur vetë dinjitetin e fjalës së shkruar. Në një periudhë kur shumëkush përpiqej të nxirrte fitim nga pasuria shpirtërore, ai pati guximin të bënte të kundërtën, të shpenzonte nga vetja për letërsinë. Jo për lavdi, jo për treg, jo për interes, por për një besim që e kishte kthyer në mision.

Sepse duhej një lloj tjetër njeriu për të bërë atë që bëri ai, të botonte me paratë e veta autorë shqiptarë, të mbështeste pena që nuk premtonin fitim të shpejtë, por që sillnin një gur themeli në kështjellën e letrave shqipe. Në një treg të pangopur nga komercialja dhe ngutja e konsumit kulturor, ai zgjodhi të investonte tek ajo që nuk matej me fitim, por me vlerë. Dhe kjo ishte një sfidë jo vetëm ekonomike, por edhe morale.

Edhe këtë risk ai e mori mbi vete për një qëllim po aq të madh sa vetë akti i botimit, mbrojtjen e letërsisë shqipe nga zbehja, nga mënjanimi, nga humbja e terrenit përballë indiferencës së lexuesit dhe zhurmës së tregut. Ai e kuptoi se rreziku nuk vinte vetëm nga mungesa e lexuesit, por edhe nga mediokriteti që kërkonte të hynte me forcën e parasë në historinë e letërsisë shqipe. Ishte koha kur shumëkush mendonte se mjaftonte të kishte para për të botuar dhe, përmes botimit, për të kërkuar një vend të pamerituar në kujtesën letrare të një kombi.

Hudhri nuk e pranoi këtë logjikë. Ai nuk lejoi që libri të shndërrohej në një treg vanity-je, ku ambicia personale të zinte vendin e meritës artistike. Për të, botimi nuk ishte një shërbim mekanik, por një akt përgjegjësie kulturore. Ai mbrojti filtrin e cilësisë, autoritetin e vlerës dhe seriozitetin e përzgjedhjes. Dhe këtë e bëri duke vënë në rrezik jo rrallë edhe vetveten, duke investuar kohë, mund, besim dhe para për të ruajtur dinjitetin e letrave shqipe.

Në këtë mënyrë, ai nuk u bë vetëm botues. U bë rojtar i një thesari shpirtëror. Sepse botoi jo atë që shitej më lehtë, por atë që mendonte se duhej të mbetej. Dhe kjo është ndoshta forma më e rrallë e përkushtimit ndaj kulturës, të japësh nga vetja për të shpëtuar atë që koha, tregu dhe mediokriteti rrezikojnë ta shuajnë.

Kadare, ekskluziviteti i “Onufrit”

Është pothuajse e pamundur të flasësh për Bujar Hudhrin pa ndalur te marrëdhënia e tij me Ismail Kadare, një marrëdhënie që kapërcen kufijtë e zakonshëm të bashkëpunimit mes autorit dhe botuesit, për t’u shndërruar në një ngjarje me rëndësi historike për letrat shqipe. Botimi i veprës së plotë të Kadaresë nga “Onufri” nuk ishte thjesht një projekt editorial, ishte një akt kulture dhe përgjegjësie kombëtare, një përpjekje për ta vendosur krijimtarinë e shkrimtarit më të madh shqiptar në një arkitekturë botuese dinjitoze, të kuruar sipas standardeve më të larta bashkëkohore.

Megjithatë, merita e jashtëzakonshme e Hudhrit qëndron në faktin se ai nuk mbeti nën hijen e kësaj madhështie. Përkundrazi, ai arriti ta shndërrojë këtë bashkëpunim në një platformë emancipimi për vetë kulturën shqiptare, duke dëshmuar se një botues mund të jetë jo vetëm administrator i librit, por edhe bashkë-krijues i kujtesës letrare të një kombi.

Pas botimit të librit “Dialog me Alain Bosquet”, rreth tridhjetë vite më parë, Kadareja mori një vendim që do të shënonte një kthesë të rëndësishme në historinë e botimeve shqipe: ai ia besoi ekskluzivisht “Onufrit” të drejtën e botimit të veprës së tij në gjuhën shqipe, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Kontrata u nënshkrua në Elbasan, aty ku “Onufri” kishte selinë e vet në atë kohë, në një atmosferë që sot mund të lexohet si një moment themelues për botimin modern shqiptar.

Vetë Kadareja, në një intervistë të dhënë gazetares Natasha Këlliçi në Radio Televizioni Shqiptar, do të shprehej: “Onufrin e kam zgjedhur për botuesin tim të tanishëm dhe të ardhshëm, midis botuesve të tjerë shqiptarë. Më është dukur një botues serioz, por më kryesorja, më është dukur se në aksionin e tij të botimit nuk udhëhiqet nga etja për fitime, që për fat të keq është shumë e shpeshtë në jetën e sotme shqiptare dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, por ka edhe njëfarë idealizmi, domethënë, në kuptimin shpirtëror të gjërave”.

Këtë dëshmi do ta sillte më pas në vëmendje edhe vetë Hudhri, duke treguar zanafillën e një bashkëpunimi që nuk mbeti vetëm marrëveshje mes një botuesi dhe një shkrimtari të madh, por u kthye në një ngjarje që i dha zëshmëri, prestigj dhe vetëbesim letërsisë shqipe. Në një kohë kur lexuesi shqiptar po joshej fuqishëm nga letërsia e huaj, prania e Kadaresë në “Onufri” krijoi një qendër graviteti kulturore, një rikthim të vëmendjes te libri shqip si vlerë dhe identitet.

Ky bashkëpunim do të kurorëzohej me botimin e veprës shtatëvëllimëshe të Kadaresë, edicioni më i plotë dhe më serioz i botuar deri më sot. Ai e paraqet krijimtarinë kadareane në përmasën e saj integrale, të sistemuar me rigorozitet tekstologjik dhe me një kujdes estetik që e ngre librin në nivelin e një objekti kulture. Ky botim mbetet jo vetëm një referencë për lexuesin shqiptar, por edhe versioni themelor mbi të cilin do të mbështeten botimet e ardhshme në shqip dhe në gjuhë të huaja.

Në këtë mënyrë, bashkëpunimi Kadare-Hudhri nuk është vetëm histori suksesi editorial. Ai është dëshmi se si idealizmi, serioziteti dhe besimi tek vlera mund të krijojnë institucione kulturore që mbijetojnë përtej kohës dhe tregut.

“Alblibris”, libri shqip në SHBA-ës

Në Shtetet e Bashkuara, pronari i “Onufri”-t, Bujar Hudhri, në bashkëpunim me shqiptaro-amerikanin Pashko Camaj, hodhën një hap me rëndësi të veçantë për kulturën shqiptare në diasporë, themelimin e “Alblibris”, librarisë online të librit shqip në Amerikë. Një platformë e konceptuar për të sjellë librin fizik shqip pranë shqiptarëve të SHBA-së, por edhe më gjerë, kudo ku jeton dhe kërkon të mbajë gjallë lidhjen me gjuhën amtare një shqiptar.

Themelimi i “Alblibris” përfaqëson një nga nismat më domethënëse kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe, në shumë kuptime, ndër të parat përpjekje serioze e të strukturuara për ta institucionalizuar librin shqip në Amerikë. Në një realitet shpesh të vështirë emigracioni, ku komuniteti shqiptaro-amerikan ka qenë historikisht i përqendruar tek mbijetesa ekonomike, integrimi social dhe ndërtimi i një jete të re, krijimi i një strukture kushtuar ekskluzivisht librit shqip plotëson një mungesë të kahershme dhe dëshmon një vizion kulturor afatgjatë.

Sepse “Alblibris” nuk është thjesht një ndërmarrje tregtare apo një platformë shitjeje librash. Në thelb, ai synon të bëhet një institucion identiteti për shqiptarët e Amerikës, një urë që lidh brezat me gjuhën, kujtesën dhe trashëgiminë shpirtërore të kombit. Në një kohë kur asimilimi kulturor është një proces i pashmangshëm për komunitetet emigrante, libri mbetet ndoshta forma më e qëndrueshme e rezistencës së identitetit. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e kësaj nisme.

Për dekada me radhë, libri shqip në SHBA-ës ka qenë i fragmentuar, i shpërndarë në mënyrë rastësore dhe shpesh i paarritshëm për lexuesin. Ka pasur botime sporadike, përpjekje individuale dhe iniciativa të izoluara, por ato kanë vuajtur mungesën e një infrastrukture profesionale për promovimin, shpërndarjen dhe qarkullimin e librit shqip. Në mungesë të një qendre organizuese, shumë libra mbeteshin të panjohur, ndërsa lexuesi shqiptar në Amerikë shpesh e kishte të vështirë të krijonte një marrëdhënie të vazhdueshme me letërsinë në gjuhën amtare.

“Alblibris” erdhi pikërisht për ta kapërcyer këtë boshllëk. Ai krijon mundësinë që libri shqip të mos mbetet më një mall nostalgjik që bartet në valixhe nga Shqipëria apo Kosova, por të bëhet pjesë organike e jetës kulturore të diasporës shqiptare në Amerikë. Përmes kësaj platforme, lexuesi shqiptar fiton akses më të drejtpërdrejtë në letërsinë shqipe bashkëkohore, në autorët klasikë, në botimet studimore, historike dhe artistike, duke krijuar një hapësirë ku gjuha shqipe vazhdon të jetojë jo vetëm në kujtesë, por edhe në lexim.

Në këtë kuptim, “Alblibris” është më shumë se një librari. Është një përpjekje për të ndërtuar një atdhe kulturor në mërgim. Një dëshmi se libri shqip, edhe larg trojeve amtare, vazhdon të kërkojë lexuesin e vet dhe të mbajë ndezur ndjenjën e përkatësisë. / Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Vsevolod Zadaratskit do të përplaset në Gulag edhe në vitin 1937, nën pretekstin se kishte luajtur vepra të muzikantëve fashistë si Vagner dhe Shtraus, të cilët...”/ Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Artikuj të ngjashëm

“Librar si Alizoti, nuk kisha parë në të gjithë vendin, kudo ku kisha shëtitur, nga Jugu në Veri, ai kishte lexuar të gjitha librat dhe….”/ Dëshmia e rrallë e ish-redaktorit të “Hosteni”-t
Art & Kulture

“Thanas Dino nuk ishte nga ata që mund të ‘ngujohej’ brenda fatit të tij, të kthehej thjesht në një kronist manikin, por ai…”/ Historia e gazetarit gjirokastrit që u kritikua nga Enver Hoxha në vitin 1972

April 25, 2026
“Po si ju shkon ndërmend o ‘të bekuem’, se me vendime politike të nji komunisti pervers si Enver Hoxha, do të ndërroni identitetin kombëtar shqiptar…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur
Art & Kulture

“Të shkruash saktë në gegënishte sot, nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale, pasi ata ‘100 veta’ që e mbajnë gjallë atë, janë…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur

April 24, 2026
“I mërzitshmi dhe i padurueshmi R.P., i jep Kadaresë një lajm gati të pabesueshëm; ‘Lasgushi, ka pasur këtë verë, një histori dashurie…”/ Ngjarja e panjohur e dy kolosëve të letrave shqipe
Art & Kulture

“Gjatë bisedës, Lasgushi përmendi vetëm Ismail Kadaren, kuptohet për mirë, si dhe emrat botërorë: Lermontov, Heine dhe Leopard, duke thënë se…”/ Dëshmia e rrallë e aktorit dhe regjisorit të njohur

April 19, 2026
“Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të, kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, në vitin 1936
Art & Kulture

“Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të, kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, në vitin 1936

April 4, 2026
“Ai ishte jo vetëm i yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve, për të cilët…”/ Historia e panjohur e Prof. Dr. Robert Baird Shuman, autor i 60 veprave të botuara
Art & Kulture

“Ai ishte jo vetëm i yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve, për të cilët…”/ Historia e panjohur e Prof. Dr. Robert Baird Shuman, autor i 60 veprave të botuara

March 30, 2026
“Laokoonti’ i heshtur: vuajtja, maskimi dhe disidenca e fshehtë e Ismail Kadaresë në regjimin komunist, është forma më e lartë e rezistencës, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit dhe botuesit të njohur
Art & Kulture

“Laokoonti’ i heshtur: vuajtja, maskimi dhe disidenca e fshehtë e Ismail Kadaresë në regjimin komunist, është forma më e lartë e rezistencës, pasi…”/ Refleksionet e studiuesit dhe botuesit të njohur

April 1, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme