Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al /publikon historinë e panjohur të shqiptarëve, të cilët gjatë periudhës së pushtimit gjerman të vendit, u arrestuan dhe u internuan në kampet e përqendrimit, që ata kishin ngritur në Jugosllavinë e asaj kohe, si në Prishtinë, Zemun dhe Banicë afër Beogradit, ku në atë kohë vuajtën dënimin rreth 500 shqiptarë. Dëshmitë e rralla të Beqir Ramazan Xhepës, njërit prej të paktëve shqiptarë që mbijetuan nga kampet naziste të shfarosjes, i cili tregon për udhëtimin sfilitës të burgosurve shqiptarë me kamionët ushtarakë në itinerarin: Tiranë, Elbasan, Strugë, Manastir dhe nga aty me tren për në kampin e Zemunit që ndodhej në periferi të Beogradit. Si trajtoheshin të burgosurit shqiptarë, jugosllavë dhe grekë në atë kamp, nga kushtet çnjerëzore të jetesës, ushqimit dhe epidemive me sëmundjet ngjitëse ku vdiqën 130 shqiptarë, te torturat që i’u bëheshin aty dhe emrat e atyre shqiptarëve që bashkëpunuan me gjermanët në dëm të bashkatdhetarëve të tyre?!
Kështu dëshmonte në mes të tjerash, Beqir Ramazan Xhepa, i cili ka qenë një prej atyre të mbijetuarve të pakët që arritën të shpëtonin gjallë nga ato kampe të tmerrshme. Edhe pse ai kishte qenë korrier i Qemal Stafës dhe shtëpia e tyre në qendër të Tiranës ishte një nga bazat më të fuqishme ku strehoheshin disa prej krerëve kryesorë të Partisë Komuniste Shqiptare, Beqir Xhepa u burgos katër herë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe bashkë me të edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, si babai, xhaxhai, vëllai i tij etj, ku disa vdiqën nën tortura apo mbetën të gjymtuar përjetë nga trajtimi çnjerëzor që i’u bë në hetuesi. Ai dëshmon një nga historitë më të dhimbshme dhe tragjike të shqiptarëve, që vuajtën në kampet naziste të përqendrimit, si: Zemuni, Banica, Mathauzen, Gusen, Ebensee, Melk, etj., ku ai ka vuajtur personalisht, pasi ishte arrestuar nga forcat gjermane, kur ai ishte duke dërguar një letër në Çetën e Pezës në vitin 1943.
Si u sistemuan shqiptarët në atë kamp?
Brenda oborrit të burgut kishte disa baranga të braktisura, ku shqiptarët u vendosën në tre nga këto dhe në tre të tjerat u vendosën grekët, ndërsa jugosllavët i dërguan brenda në ndërtesën kryesore.
Ju lejonin gjermanët, ndihmat që ju jepnin jugosllavët?
Jo jo, nuk lejohej dhe gjithçka kryhej në fshehtësi të plotë. Kur gjermanët e morën vesh këtë, morën masa dhe na rrethuan duke izoluar barakat me tela me gjemba. Kështu ata kryen izolimin e lokalit ku ndodhej ushqimi, në një oborr të vogël, brenda oborrit të madh të burgut.
Çfarë veprimtarie pati komitet në burg?
Duke parë grekët dhe jugosllavët dhe ne shqiptarëve na u desh që të krijonim Komitetin Revolucionar, me në krye Kozma Nushin, Enver Veljen dhe Sul Cenojmerin. Komiteti organizonte tërheqjen dhe shpërndarjen e ndihmave ushqimore tek shqiptarët, ndihma që këto jepeshin nga Komiteti Revolucionar jugosllav dhe ai grek. Pavarësisht nga masat që morën gjermanët, u organizua ajo që quhet aksioni i bukës. Në këtë aksion merrnin pjesë disa njerëz, sigurisht ata që ishin më të guximshëm dhe më të shkathët. Për këtë pati dhe disa divergjenca mes shokëve tanë si: Kozma Nushi dhe Telat Noga, nga njëra anë, dhe Enver Veljës dhe Sul Cenamerit nga ana tjetër. Divergjencat vinin sepse, Sul Cenameri donte që grupi i Shqipërisë së Mesme, të shkëputej nga grupi i Shqipërisë së Jugut, që kryesohej nga Kozma Nushi dhe Telat Noga. Pra me pak fjalë, grupet e Tiranës, Durrësit, dhe Elbasanit, të krijonin grupin e tyre më vete dhe sigurisht që ai do kryesohej nga Sul Cenameri.
Përse kishte lindur konflikti mes tyre?
Si pretekst dhe me të drejtë Sula dhe Enver Velja, ngrinin problemin e aksionit të ushqimit duke thënë se përse vetëm shokët e Shqipërisë së Mesme, të merrnin pjesë në atë aksion dhe të vinin kokën në rrezik, ndërsa grupi i Telat Nogës, kishte mundësi më shumë për t’u furnizuar me ushqim, duke shitur apo këmbyer ndonjë cigare me 1 kg bukë etj. Këto cigare ai i mbante fshehur dhe i ndante me grupin e tij. Pra sipas Cenamerit dhe Veljes, grupi i Shqipërisë së Jugut e kishte një burim nga ku mund të furnizohej, ndërsa ata që bënin aksionin, nuk kishin asnjë burim. Kështu uria i detyronte ata që të vinin jetën në rrezik dhe të bënin aksionin e bukës, në dallim me grupin tjetër. Kjo ngrihej me të drejtë nga Sul Cenameri dhe Enver Velja.
Si u zgjidh ky problem?
Mbas 4-5 debatesh, në Komitetin Revolucionar u arrit një marrëveshje dhe mbeti ashtu siç ishte, d.m.th. një grup i përbashkët revolucionar, ku aksionin e bukës do ta kryenin ata që e kishin kryer në atë kohë.
Si kryhej aksioni i bukës?
Shokët që ishin caktuar për këtë aksion, merrnin vesh nëpërmjet dritareve me shokët burgosur jugosllavë, duke bërë shenja të ndryshme që ne i quanim esperanca. Ata duke u tërhequr barkas, arrinin deri tek penxheret e kapanoneve ku ndodheshin ata. Ishin katër shokë, të cilët çdo mbrëmje niseshin me kokë në torbë dhe kryenin aksionin, me një heroizëm të lartë, në dobi të të gjithë kolektivit. Aty jugosllavët mbasi kishin mbushur dy thasë kryesisht me bukë dhe nëpërmjet një litari nga katit i dytë, nisnin thasët të cilët merreshin nga këta katër shokë. Çdo ditë sigurohej gati 500 racione bukë. Kjo ishte një punë shumë e rrezikshme për shokët tanë pasi, po të pikaseshin nga roja gjermane e kullës, rrezikoje jetën. .
Çfarë kujtoni ndonjë ngjarje tjetër me të burgosurit në atë kamp?
Aty kishte pothuajse çdo ditë nga një ngjarje, por unë do t’ju tregoj atë me një shokun tonë, që pati një fund tragjik. Një natë korriku të vitit 1944, një nga shqiptarët filloi të thërriste me të madhe “Para partizanë, vritini gjermanët”. Pas këtyre thirrjeve, ai nisi që të këndonte këngë patriotike, dhe kjo gjendje vazhdoi deri në mëngjes. U munduan shokët tanë që ta qetësonin, por nuk qe e mundur. U thirrën tre doktorët që ta qetësonin, por dy prej tyre as që u afruan fare, ndërsa Dr. Mihali, u mundua ta sillte në vete, por nuk mundi. Ky ishte Gani Kokli nga Tirana, ish partizan që nga tmerri dhe nga torturat kishte humbur mendjen. Në mëngjes Gestapoja, erdhi dhe e mori, gjoja për ta dërguar në spitalin psikiatrik të Beogradit, por në fakt ky u dërgua në një drejtim të paditur dhe u ekzekutua.
Kishit përçarje apo probleme me njëri tjetrin ju të burgosurit shqiptarë në atë kamp?
Kishim problem sepse edhe aty në mes nesh, kishte njerëz me karakter shumë të ulët siç ishte p.sh Mustafai nga Kavaja, i cili ishte hajdut ordiner. Ai nuk kishte asnjë lidhje me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kishte ardhur aksidentalisht në atë kamp. Për të shpëtuar lëkurën e vet, ai u rrëmbente shokëve më të dobët fizikisht racionin e bukës prej 200 gr.
Pati shqiptarë që humbën jetën në kamp?
Aty në burgun e Banicës vdiqën 80 shqiptarë, kështu nga 512 shqiptarë që ishim në fillim në kampin e Zemunit, numri i tyre u ul brenda një periudhe të shkurtër 9 mujore, në afro 300 vetë. Menjë fjalë në Zemun dhe Banicë vdiqën gjithsej 212 shqiptarë.
Po nga Mauthauseni çfarë kujtoni?
Në gushtin e vitit 1944 Ushtria e Kuqe e Stalinit, filloi të përparonte me shpejtësi drejt Gjermanisë. Për këtë arsye, nazistët i ngritën të gjithë të burgosurit nga Banica, duke na dërguar në kampin e përqendrimit të Mauthausenit. Ky kamp ndodhej në Austri dhe ishte një nga kampet më të tmerrshme të përqendrimit. Pasi na morën nga Banica, na dërguan në stacionin e trenit të Beogradit, duke na futur në vagonë të mbyllur mallrash, në të cilat nuk mund të shikoje asgjë jashtë. Brenda në to ishte shumë ngushtë dhe nuk mund të qëndroje veç në këmbë. Po kështu dhe prej vapës të merrej fryma.
Sa zgjati ai udhëtim?
Udhëtimi zgjati pothuajse një javë dhe rrugës për në Mauthausen vdiqën dy shqiptarë, Sadik Boshnjaku nga Elbasani, dhe Jani Godo. Ngjarja më e rëndësishme e këtij udhëtimi, pra Beograd-Mauthausen, ishte vrasja e kriminelit serb, Bane, në duart e të cilit kishin dhënë jetën shumë shqiptarë.
Si ndodhi vrasja e tij?
Vrasja e Banes u krye nga shokët e Komiteti Revolucionar jugosllav, të cilët e kapën atë në vagon, ndërsa udhëtonte natën, bashkë me të burgosurit e tjerë jugosllavë. Atij pasi i mbyllën gojën me shami dhe i lidhën duart, e mbytën duke e goditur me ç’të mundnin. Kur treni ishte duke ecur, atë e hodhën tek kufomat e tjera e të vdekurve. Ky ishte fati i kriminelit serb Bane, që u shërbeu nazistëve, por në fund ata as që pyetën për të. Sepse secili prej tyre donte që të shpëtonte lëkurën e vet.
Kur mbërritët në Mauthausen?
Grupi ynë arriti në Mauthausen në datën 20 gusht të vitit 1944. Në orën 15 në stacionin e trenit, na vunë në rresht tre e nga tre. Duhej një orë udhëtim në këmbë, për të arritur në një kodër ku ndodhej gurorja, që kishte ngrënë me qindra jetë njerëzish dhe në fund ishte “kështjella e ferrit”, Mauthauseni. Në këtë kamp në një periudhë 6 vjeçare, thuhej se vdiqën me mijëra të internuar të kombësive të ndryshme, të cilët u bashkuan dhe u vëllazëruan në mes të tmerreve dhe vuajtjeve, ndër ta edhe shqiptarë. Kur arritëm atje, pamë oxhakun e krematorit që nxirrte tymin e përzier me flakët e kuqërremtë nga trupat që po digjeshin.
Çfarë rregullash kishte kampi i Mauthausenit?
Sipas rregullave të kampit, në apel duhet që të hidhje përtokë të gjitha rrobat dhe sendet vetjake dhe më pas të hyje në banjë. Para se të laheshe, duhet që të kaloje tek berberi. Aty pasi rruheshe dhe qetheshe zero, në mes të kokës të bënin me brisk një vijë 3-4 cm. të gjerë ku identifikoheshe, që ishe i burgosur i Mauthausenit. Pasi bëje banjë, të nxirrnin lakuriq në oborrin e kampit. Mbasi na mbajtën disa orë ç’veshur, në fund na shpërndanë uniformën e kampit, e cila ishte me vija të trasha të bardha dhe blu, që u ngjante zebrave. Gjithashtu të vendosej një trekëndësh dhe një numër matrikulli në gjoks, në shpinë dhe poshtë xhepit të pantallonave. Në të djathtë të saj ishte një trekëndësh blu, që tregonte se ishe i burgosur politik. Shqiptarët u përkisnin numrave rendorë nga 99.770, deri në 100.071. Mbasi na u bë e njohur rregullorja brendshme e kampit, të nesërmen na caktuan që të punonim në gurore.
Si ishte puna atje?
Puna atje ishte më e vështira dhe më vdekjeprurësja. Të gjithë ata që punuan këtu vdiqën brenda një kohe shumë të shkurtër. Këtu punonin ata që paraqisnin rrezikshmëri të lartë. Nga shqiptarët me rrezikshmëri të lartë sipas nazistëve ishin, Kozma Nushi, Telat Noga, Shefqet Leka, Sul Cenomeri, Enver Velja, etj. Mbas dy ditësh në 23 gusht 1944, një pjesë e shqiptarëve u dërguan nëpër kampet filial të Mauthausenit siç ishin Ebensee, Mels, Gusen, etj.
Ju ishit të burgosurit e parë shqiptarë, që u dërguat në kampin e Mauthausenit?
Jo, përpara nesh aty kishte qenë një grup tjetër shqiptarësh dhe ne e mësuam aty në Mauthausen, nga të burgosurit spanjollë, të cilët na thanë, se para një viti, aty nga shtatori i vitit 1943, kishte vajtuar dhe një grup tjetër shqiptarësh prej 25 vetash, që më parë kishin qenë të internuar në Itali dhe me kapitullimin e Italisë, ata u dërguan në Mauthausen. Kur vajti grupi ynë i shqiptarëve në gusht të vitit 1944, në Mauthausen, nuk gjeti as një nga këta shqiptarë, që kishin ardhur nga Italia në shtator të 1943, pasi të gjithë kishin vdekur ose ishin zhdukur nga ushtarakët SS-së.
Sa shqiptarë kanë vuajtur në kampin e tmerrshëm të Mauthausenit dhe sa prej tyre mundën të dilnin gjallë nga ai kamp?
Po të llogarisim edhe 25 shqiptarët që kanë kaluar portën e Mauthausenit në vitin 1943 dhe 301 të tjerët në gushtin e vitit 1944, del se në atë kamp kanë kaluar gjithsej 326 shqiptarë dhe nga këta vetëm 23 kanë shpëtuar të gjallë dhe janë kthyer në atdhe mbas kapitullimit të Gjermanisë naziste. Në bazë të këtyre të dhënave, del se 303 shqiptarë humbën jetën, në kampin famëkeq të Mauthausenit apo filialeve të tij, si në Gusen, Melk, Ebenze, etj., nga torturat çnjerëzore, uria, sëmundjet, keqtrajtimet etj.
U organizuat përsëri ashtu si në Banicë të Jugosllavisë?
Shqiptarët e burgosur në Mauthausen nuk mundën që të krijonin një “bllok” më vete, siç kishin kombësitë e tjera të huaja. Kjo ishte mjaft negative për shqiptarët, por duhet thënë se nga ana tjetër pati edhe anët e veta pozitive, pasi duke u shpërndarë në “blloqet” e kombësive të tjera të huaja, ne mësuam shumë gjëra, që më parë nuk i dinim.
Konkretisht, çfarë…?
Duke u njohur nga afër me ta, ne arritëm të hynim në organizatën ilegale ndërkombëtare, që ishte ngritur dhe vepronte brenda në kamp, kundër nazizmit. Madje shqiptarët hynë në njësite ushtarake ilegale, që u krijua në janarin e vitit 1945, e cila përbëhej nga 76 persona (të gjithë burra) nga 25 kombësi të ndryshme që ndodheshin në atë kamp. Të gjithë kishin përfaqësuesit e tyre në këto njësi ushtarake ilegale.
Përse thuhet se Mauthauseni ka qenë një nga kampet më të tmerrshëm të nazistëve gjermanë, si e kujtoni ju atë?
Është e vërtetë, se kampi i Mauthauseniy ka qenë një ndër kampet më të tmerrshëm të Europës, ndër 636 kampet e përqendrimit që numëroheshin në territorin e Gjermanisë dhe të Austrisë, në fillimin e vitit 1945, pa përmendur këtu kampet e tjera, që ndodheshin në territoret e Polonisë, Çekosllavakisë, Jugosllavisë etj. Atje puna ishte shumë e rëndë dhe ushqimi ishte shumë i pakët në krahasim me punën që bëhej. Pra, puna e rëndë dhe ushqimi i pakët, ishin dy faktorët kryesorë që me siguri i dërgonin drejt vdekjes graduale, ndërsa torturat e tjera fizike, varjet në litar, vrasjet me çdo mjet që u vinte për dore, siç ishin ekzekutimet e veçanta dhe kolektive (pushkatimet), djegiet nëpër krematoriume dhe shumë të tjera që SS-të nga ana e tyre i konsideronin si zbavitje.
Si ishte puna atje?
Puna atje nuk pushonte kurrë, as ditën dhe as natën, në shi, në erë, në furtunë, në ngrica e acar, apo dhe vapë kur dielli përvëlonte e digjte, sidomos te shkëmbinjtë ku punonin të burgosurit në thyerje gurësh, që nxeheshin më shumë nga dielli dhe e shtonin të nxehtin. Të burgosurit aty kanë punuar në disa fronte pune, si në: gurore, hapjen e tuneleve dhe galerive, hapjen e kanaleve vaditëse për tharjen e kënetave, duke u futur në ujë deri në brez dhe kur kishte akull. Orari i punës ndryshonte sipas kampeve dhe në varësi të fronteve të punës, por gjithmonë ishte i gjatë, mbi 12 orë në ditë.
Kujdesi mjekësor për të burgosurit si ishte?
Jo vetëm që për të burgosurit nuk kishte asnjë lloj kujdesi mjekësor, por ata shpesh torturoheshin dhe keqtrajtoheshin pa asnjë shkak. Kështu kur kishte raste që ata ndyheshin nga që ishin të sëmurë, i detyronin të zhvisheshin lakuriq dhe i fusnin në dushe me ujë të ftohtë edhe në mesin e dimrit. Kur dikush nga të burgosurit ankohej duke thënë se ishte i sëmurë, përgjigjja që u jepej ishte kjo: “Këtu nuk ka të sëmurë, këtu ka vetëm të gjallë ose të vdekur”, dhe mes atyre duheshe të zgjidhje.
Çfarë ndëshkimesh kishte për ata që thyenin rregullat?
Një nga ndëshkimet më të shpeshta ishte dënimi me varje, të cilat shpesh bëheshin nën tingujt e muzikës, në sheshin e madh ku rreshtoheshim për të bërë apelin. Të dënuarit ishin të detyruar që të shkonin dhe të shikonin shokët e tyre, kur vareshin në litar. Ekzekutimi me varje bëhej me anë të një mekanizmi (Makara) që ngrinte 9 deri 11 vetë menjëherë. Ndërsa kur ishte ftohët dhe temperaturat ishin disa gradë nën zero, ata përtonin të dilnin e të vinin në punë, atë mekanizëm për të varur të burgosurit dhe i linin ata 24 orë në të ftohtë, deri sa të ngrinin dhe të vdisnin vetë, pa qenë nevoja që t’i varnin. Kishte dhe shumë forma të tjera që i mundonin të burgosurit deri sa t’ju dilte shpirti.
Si silleshin gjermanët me ju të burgosurit shqiptarë në atë kamp?
Në vjeshtën e vitit 1944 kur ne të burgosurit shqiptarë, sa kishim mbërritur në atë kamp, morëm pjesë në sabotimin e kampit të ri, që do ndërtohej në afërsi të Mauthausenit me emrin “Osvjeçini i Ri”, i cili flitej se në krematoriumin e tij, do të kishte një kapacitet për të djegur rreth 30 mijë kufoma në ditë. Mirëpo për fat të mirë, ky plan i gjermanëve nuk u realizua, se ai u sabotua nga të burgosurit që ishin aty, ku midis tyre kishte dhe shqiptarë dhe e dyta e më kryesorja, ishte fakti se gjermanët në atë kohë, ishin të çoroditur nga humbjet e mëdha që kishin pësuar, kudo në dy frontet e luftës, atë të Lindjes dhe Perëndimit. Kështu më 30 nëntor të vitit 1944, sjellja e gjermanëve ndaj nesh, ndryshoi krejtësisht për keq, pasi ata u bënë si të tërbuar dhe na qëllonin me çdo gjë që kishin nëpër duar, kudo që të na shikonin.
Ç’ndodhi më pas me ju shqiptarët në kampin e Mauthausenit dhe filialet e tjera të tij?
Na dërguan në kampin Ebenze, që ishte filial i Mauthausenit dhe kampi i fundit ndër 636 kampet e përqendrimit që kishin ngritur nazistët gjermanë, më 18 nëntor të vitit 1943 dhe që njëkohësisht ishte dhe kampi më i tmerrshëm, nga të gjithë kampet e tjerë, i cili qëndroi i hapur dhe funksional deri në fund të kapitullimit të Gjermanisë hitleriane, për arsye se aty u evokuan dhe u transportuan të gjithë të burgosurit, që ndodheshin në kampet e tjera, kryesisht ata të Mauthausenit.
Përse thoni se Ebenze ishte kampi më i tmerrshëm?!
Nisur nga fakti që aty u grumbulluan të gjithë të burgosurit e kampeve të tjera, jetesa u bë shumë më e vështirë, pasi ushqimi që ishte llogaritur vetëm për të burgosurit e atij kampi, do pjesëtohej dhe shpërndahej edhe për të gjithë të tjerët, që erdhën aty. Kështu që në muajin prill të vitit 1944, të burgosurve u jepej vetëm 75-80 gram bukë në ditë, madje një javë apo rreth dhjetë ditë, të burgosurit mbetën pa asnjë gram bukë, gjë e cila e shtoi shumë numrin e të vdekurve. Fjetja u bë shumë e vështirë pasi të burgosurit ishin të detyruar, që të flinin nga katër pesë vetë në një krevat apo dhe në dysheme.
Grupi i shqiptarëve që ishte në kampin e Mauthausenit, komunistë ishin të gjithë ata?
Grupi i dytë i shqiptarëve që kishte vajtuar në kampin e Mauthausenit në gushtin e vitit 1944, ishin një konglomerat ku kishte atdhetarë, patriot, nacionalistë, komunistë, republikanë, zogistë, anarshistë, etj., të cilët vinin nga vende të ndryshme dhe midis tyre kishte edhe të rinj e fëmijë. Menjëherë pas ardhjes së tyre në atë kamp, autoritetet e kampit i’u folën gjerë e gjatë, për jetën që bëhej aty dhe i pajisën me kasketa të ngrohta dhe doreza. Mirëpo kjo ishte një gjë shumë e mirë sidomos për ne shqiptarët, që na shpërndanë nëpër “blloqe” të kombësive dhe filiale të ndryshme, ku ne shqiptarët nuk krijuam dot një “bllok” më vete. Aty në atë kamp më kujtohen shumë të rinj që punonin në copa guri, zemra dhe gjëra të tjera të bukura, që më pas i mbanin të varura në qafë si hajmali apo medaljone. Edhe në kampin e Liobl-it, i cili ishte një kamp i vogël, por shumë i rrezikshëm për jetën e të burgosurve. Aty kufomat e të burgosurve i digjnin në një zjarr të madh, që bëhej me dru në kufi të kampit, pra sa më larg kapanoneve e barakave, ku ishin të burgosurit dhe autoritetet e burgut. Ishte e tmerrshme kur shikoje se si të burgosurit, ishin të detyruar që të sillnin dru zjarri në kurriz, me të cilat do digjeshin kufomat e shokëve të tyre. Po kështu dhe infermierët me tezga sillnin të burgosurit, në qendrën e SS-ve, ku mjeku nazist u jepte një injeksion vdekjeprurës dhe ata ndërronin jetë pas pak çastesh.
A kujton ndonjë rast me ndonjë të njohur që pati këtë fat tragjik?
Më kujtohet një fëmijë polak rreth 12 vjeç, i cili u dobësua aq shumë, saqë mezi arriti nga gurorja në kamp. Ashtu i lodhur siç ishte, ai nuk i’u vuri shumë rëndësi shkopinjve që duhet të çonte në kamp dhe përgjegjësi i “bllokut” e rrahu, e ashtu me gërvishtje në fytyrë, të nesërmen ai u nxor para të gjithë kampit, duke u bërë shembull për të gjithë të burgosurit si dhe përgjegjësit e gurores që e kishin lejuar të vinte në kamp, pa shkopinjtë e drurit. Në darkë kur po ktheheshim nga puna në kamp, ai se mbajti dot veten në këmbë dhe u rrëzua përtokë. Një spanjoll e ngriti dhe e morri në krah e ashtu gjysëm të vdekur e dërgoi deri në kamp, ku me siguri përfundoi te tezgat e infermierëve, që i çonin tek mjeku që i’u bënte injeksionet vdekjeprurëse.
Si dhe kur u liruat nga kampet naziste?
Nga muaji shkurt-mars i vitit 1944 të burgosurit e të gjithë kampeve të Mauthausenit, pra filialeve të tij, u evakuuan dhe u grumbulluan të gjithë në Mauthausen dhe së fundi në Ebenze. Më datën 5 maj aty në Ebezne ku ndodheshim edhe ne shqiptarët, erdhën dhe hynë trupat amerikane. Menjëherë të katër a pesë shqiptarët, që ishin aty u liruan, ndërsa të tjerët që ndodhshin në Mauthausen, u morën në dorëzim nga shokët e organizatës ilegale të revolucionarëve italianë dhe jugosllavë. Trupat amerikane filluan të bënin fjalë me shqiptarët duke ua mbushur mendjen që të shkonin me ta në SHBA-ës dhe po kështu u thanë edhe italianëve e jugosllavëve që ishin aty.
Po juve personalisht i’u thanë të shkonit në SHBA-ës?
Patjetër, erdhi dy tre herë një major amerikan duke na u lutur mua dhe shokut tim, Abdulla Krutanit, por ne të dy e refuzuam, se donim të ktheheshim në Shqipëri pranë familjeve tona, që na dinin të vdekur. Pas kësaj na u dha urdhri që italianët, jugosllavët dhe ne shqiptarët, do të ktheheshim në vendet tona, ose nëpërmjet Jugosllavisë, ose nëpërmjet Italisë. Dhe kështu u bë, ne u kthyem nëpërmjet Jugosllavisë me “shokët” jugosllavë.(Ja ku kam dhe dokumentin që ma dhanë në Jugosllavi që të mos pengohesha për t’u kthyer në Shqipëri).
Kur u kthyet në Tiranë, si ju pritën në shtëpi, a kishin dijeni se do ktheheshe?
Kjo është një histori më vetë shumë e dhimbshme që duhen orë të tëra t’ua tregoj. Në shtëpi jo vetëm që nuk e dinin se do kthehesha, por ata prej kohësh më dinin të vdekur dhe kishin hapur mortin sipas zakoneve dhe kur më panë në derë të shtëpisë, nënës sime i ra të fikët, se kujtoj se mos isha ndonjë fantazmë. Mezi e kemi sjellë në vete dhe u bë një festë e madhe, ku mblodhëm gjithë njerëzit tanë të cilat qanin me lot gëzimi.
Po nga ana e shtetit të asaj kohe a ju priti njeri dhe çfarë ju thanë?
Edhe kjo është një histori shumë e gjatë jo vetëm me mua, por dhe me pjesën tjetër, nga ne të mbijetuarit që kishim mundur të ktheheshim të gjallë, pasi pjesa më e madhe përfunduan përsëri burgjeve të atij regjimi, të akuzuar si “spiunë, armiq të popullit dhe kriminelë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016