Nga Jozef Radi
-Si mbeta mik me Mit’hat Aranitin?! –
Jozef Radi pyet Mit’hat Aranitin (1992)
Memorie.al / Mit’hat Araniti dhe Lazër Radi, kanë ndarë bashkë kohë, jetë dhe fate të përbashkëta…! Para Lufte, edhe gjatë Luftës; mbas Luftës edhe gjatë kohës së diktaturës, (luftës pambarim të klasave). Bashkë nëpër burgje, nëpër kampe internimi, nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit, gjithnji në luftë për të mbijetuar, po edhe për t’i mbrojtur ato vlera intelektuale dhe humane, që ai brez idealistësh, jo vetëm i kishte ëndërruar, por edhe kishte luftuar me shpirt për: Nji Shqipëri Ndryshe…!! Të dy patën burgje të përbashkëta, kampe të përbashkëta, të dy i patën gratë në burg të përbashkët, të dy i lindën fëmijët me vonesë, pse ishin në burgje e, kampeve të përbashkëta antinjerëzore.
Punuan bashkë, e s’u dëshpëruan kurrë, iu bën krah njëri-tjetrit në sakrifica të shumta, edhe kur regjimi i ndante, mjaftonte qoftë edhe një fjalë, një buzëqeshje, apo edhe ndonji batutë, e thanë ashtu kalimthi, për ta kuptuar thellë njëri-tjetrin…! Vetëm mbas ’90-ës, ma së fundi ata; (Mit’hati dhe Lazri) patëm mundësi të takoheshin, si dikur në rini të hershme: ashtu të lirë… e të flisnin haptas me njëri-tjetrin… e të vazhdonin ndër biseda, mendime e kujtime, që kishin nisur prej kur s’mbahej mend…! Tash kishin mbrenda vedit edhe at dhimbjen e madhe, se mosha s’u premtonte shumë, as njenit as tjetrit…!!
Mit’hati, ishte nji njeri i rrallë…!
Me nji buzëqeshje thuej të skalitun, nën mustaqet legjendare, me nji humor elegant, me batutë të gatshme e të rafinuar, dhe nji kulturë të pakufi…! Mjaftonte nji argument krejt i thjeshtë dhe me të mund të flisje, pafund… duke t’i ba orët minuta…! Edhe pse në kufijtë e 80 viteve, shpirti i tij mbetej djaloshar, plot dritë, plot dëshirë edhe pse sëmundja, vuajtjet, hallet dhe mosha e kishin tej lodhë…!
Kët intervistë të shkurtë, që mbetet ndër të rrallat, arrita t’ia marr, me shumë mundim. Jo, se s’donte, po pse shëndeti tij, shumë shpejt mori teposhtën. Mbas shumë bisedash e vizitash, ajo u krye, dhe i premtova ta fusja në botimet e “Arbërisë”, por s’munda…! Mbas tre numrash, ajo s’mundi të vazhdonte më tej…! Por i botova pesë poezitë e tij, duke ia shtue paksa at buzëqeshjen e tij eterne, fisnike…!
Në vitin 1996, kjo intervistë u gjet e mundun dhe u trupzue, në përbledhjen me shkrime të tij, të botuara në shtypin e paraçlirimit, me titullin; “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle…”! – Phoenix. Kjo intervistë ekskluzive, botohet për së pari! Cilido që e lexon, e kupton se është thjesht dëshmi e nji fisniku nacionalist, prej atyre që i vijnë rrallë këtij vendi mosmirënjohës… dhe ikin në heshtje, të pashpërblyer:
Nderime pafund për Mit’hat Aranitin…!
Jozef Radi, 13 korrik, 2013
“…Kam qenë thjesht nji ushtar i Nacionalizmit, për lirinë e Shqipërisë…!”
Kush është Mit’hat Araniti, nga kjo lartësi e moshës ku ndodheni?
Mit’hat Araniti: Siç e theksova edhe më sipër, kam qenë nji pjesëtar i thjeshtë i lëvizjes Nacionaliste, për lirinë e Shqipërisë. Mosha 80-të vjeçare, më bën të konstatoj me kënaqësi, se pas kaq vitesh, kjo lëvizje po vjen duke marrë gjithnjë e më shumë ngjyrë…!
Një pjesë e madhe e personazheve që kanë qenë në vorbullat e ngjarjeve historike, kanë vdekur dhe i kanë marrë me vete të vërtetat e tyre; nji pjesë tjetër, edhe pse janë gjallë e kanë shkruar historinë sipas kutit të tyre, pra atyre s’u takon që ta rishkruajnë historinë…! A mendoni ju se në jetën tuaj ka diçka për të cilën ka nevojë jo vetëm historia, por edhe ne, ai brez që e njohim aq pak historinë e vërtetë të Shqipërisë…?
Mit’hat Araniti: Historia është tërësia e ngjarjeve dhe bëmave të së kaluarës së nji vendi, pak a shumë të gjerë. Të gjithë pjesëtarët e një bashkësie, bëjnë pjesë në formimin e historisë, ku me veprime, ku me fjalë e, ku me shprehje, por asnjëri prej tyre veç e veç, nuk e determinon vetë historinë, si tërësi…! Nuk shtrohet pyetja, nëse dikush e ka shkruar apo jo, nji të vërtetë historike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë me shkrime, në formimin e historisë, kanë shkruar duke qenë edhe vetë në vorbullën e zhvillimit të ngjarjeve, kështu që i kanë shikuar dhe vlerësuar ato ngjarje, me frymën e nji subjektivizmi të pashmangshëm…! Pyetjes që ju më bëni, unë mund t’i përgjigje se: Kam qenë veçse nji ushtar i thjeshtë i këtij zhvillimi! Vetëm pas kalimit të një kohe relativisht të gjatë, pasi të jenë zhdukur dhe fashitur pikëpamjet dhe ndjenjat subjektiviste, mund të arrihet një cilësim objektiv, dhe zhvillimi i ngjarjeve, të vlerësohet si histori…!
Gjatë viteve ’30-të, ju keni qenë nismëtar i letërsisë dialektale, kryesisht nën pseudonimin Rrem Vogli, po edhe të tjerë…! Ç’mund të na thoni për këtë frymë dhe cilët ishin ndjekësit e saj?
Mit’hat Araniti: Nëse kam qenë a jo nismëtar i letërsisë dialektale, është një vlerësim, që s’më takon mua ta bëj. I shtytur nga nevoja e evitimit të një censure, nga autoritetet, aty në fillimi i vitit 1932, nisa të shkruaja disa skeçe satirike, në dialektin tiranas, duke goditur me sa mundja, anë të ndryshme negative të shoqërisë së asaj kohe. Për kët qëllim, përdora në revistat “Illyria” dhe “Bota e Re”, pseudonimin “Rrem Vogli”, dhe më vonë në rubrikën; “Shkel e shko”, pseudonimet, “Jago Blini”, “Hë De”, “Ja që hë”, “Sufi Asmon Sufes”, etj. Në dialektin tiranas, shkruanin edhe Ibrahim Hasnaj (“Cen Qytyku”), Mustafa Greblleshi (“Liu Cakut”), Xhemal Farka (“Sula i Fajes”), si dhe dialektin gjirokastrit, Musine Kokalari (“Muza”).
Efekti i këtyre shkrimeve, ka qenë i ndjeshëm në at kohë. Në pjesën më të madhe, ato u vlerësuan në mënyrë pozitive, sidomos prej elementin përparimtar dhe demokrat, si fshikulluese të injorancës së shoqërisë së asaj kohe, ndërsa qarqet e mehmurëve, u vlerësuan thjesht, si shfaqje humoristike. Për të theksuar anën pozitive të këtyre shkrimeve, dua të përmend nji episod të vogël, të ndodhur me intelektualin Rauf Fico: Në revistën “Illyria” ishte botuar shkrimi im; “M’bonjat m’Nurrës”, në të cilin fshatarja Merjeme, e veshur me kostum banje, dhe me emrin e ri “Meri”, mundohet t’ia hedhë fshatarit Rrem Vogli, duke iu shitë si zonjë e rëndë. Rrema, nuk bën tjetër veçse: “ush i thashë gomarit ne hika…”! “Ush”, ishte fjala që i kish bërë më shumë përshtypje zotit Rauf, dhe që ishte shprehja më e përshtatshme, për t’i dhën cilësinë gjithë shkrimi tim…!
Ç’përfaqësonte për Ju, lëvizja nacionaliste e intelektualëve në kohën e pushtimit dhe çfarë përfaqëson sot…? A mund të gjej nacionalizmi një shtrat të natyrshëm, në luftën për demokraci?
Mit’hat Araniti: Lëvizja Nacionaliste e intelektualëve, ka qenë për mua, gjatë gjithë kohës së pushtimit, baza, trualli, mbi të cilin duhej të punohej, për çlirimin e Atdheut…! Ajo përfaqëson edhe sot, nji shtrat të natyrshëm të luftës për demokraci, në kushtet e Europës së sotme…!
Duke pasur parasysh se në “Ballin Kombëtar” aderonte ajka e intelektualëve, a mendoni se mund të vij një brez i ri, që ta përfaqësojnë denjësisht, at idealin tuaj kombëtar?
Mit’hat Araniti: Tashmë dihet që në të kaluarën në “Ballin Kombëtar”, ka aderuar ajka e intelektualëve, por ky aderim, ka qenë i kushtuar nga rrethanat e faktit të një pushtimi tërësor, ndërsa sot brezi i ri, me ndjenja nacionaliste, gjendet i përfshirë në një sistem pluralist të demokarcisë, me synime të diferencuara…!
Pjesëmarrja Juaj në Mukje, mbetet gjithnjë një kapitull i hapur për të vërtetën…! A nuk mendoni se përçarja e nisur në Mukje, vazhdon edhe sot e kësaj dite?
Mit’hat Araniti: Pjesëmarrja ime në Mukje, ka qenë e motivuar nga synimi i një bashkimi mbarëkombëtar. Përçarja e nisur në Mukje, sot nuk ekziston, por vazhdojnë vetëm disa fijëza trashëgimie, të vetëdijshme ose të heshtura…!
Cili qe pozicioni Juaj, kur lufta kundër okupatorit devijoi në luftë civile?
Mit’hat Araniti: Duke qenë në radhët nacionaliste gjatë luftës çlirimtare, jemi munduar të formojmë një urë kalimi, midis nacionalistëve dhe komunistëve…! Kur lufta çlirimtare u kthye ne luftë civile, konsekuent me mendimet e mia, unë mbeta dhe jam kundër vëllavrasjes…!
A mendoni se komunistët, ditën të përfitojnë jo vetëm nga “akademizmi” i ‘Ballit Kombëtar’, po edhe nga ajo frymë mospajtimi, që ju kishit me Legalitetin zogist?
Mit’hat Araniti: Komunistët ditën, por edhe patën fatin, të përfitojnë pikërisht nga ndjenjat atdhedashëse të nacionalistëve, lidhur edhe me evitimin e çdo dëmtimi të mundshëm, të popullit shqiptar…!
Pas lufte, a e mendonit dënimin… dhe a e ndjenit veten fajtor, kur ju dënuan?
Mit’hat Araniti: Nuk e kam menduar kurrë veten, se mund të dënohesha pas lufte, sepse nuk mendoja, se njeriu mund të dënohet dhe të quhet fajtor, pikërisht, se vepron në të mirë të atdheut të vet…!!
Në ç’raporte u vendos diktatura me intelektualët? Në ç’raporte u gjendët ju me diktaturën, duke pasur parasysh se ju, jo vetëm ishit intelektual dhe shkrimtar, po edhe nji njohës mjaft i mirë, i shumë gjuhëve të huaja?
Mit’hat Araniti: Fillimisht komunistët i përdorën intelektualët, sipas nevojës dhe interesave të tyre utilitare…! Më vonë, tehu i diktaturës (lufta e klasave), u drejtua kryesisht kundra dhjetëra e qindra intelektualëve, të mirëfilltë. Për të qenë të mbyllura të gjitha dyert, e çdo manifestimi të ndjenjave dhe aftësive të tyre. Edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, për ata nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë, as diploma ime e juristit, as aftësia ime, për të kontribuar në fushën e letrave. Diktatura kishte si qëllim kryesor: shfrytëzimin dhe shkatërrimin e personalitetit të njeriut…!
Nga njerëzit me të cilët keni jetuar dhe keni njohur, cili do të qe sipas Jush, personifikimi i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë?
Mit’hat Araniti: Nga njerëzit me të cilët kam jetuar dhe kam pasur nji respekt shumë të lartë, dhe që unë i konsideroja si personifikim i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë, janë të shumtë…! Ka ndër ta edhe ata që s’mundët të realizoheshin në diktaturë, por edhe që u shkatërruan prej saj…! S’mundem të harroj në veçanti; Mirash Ivanajn, Kol Tromarën, Selman Rizën, Suat Asllanin, po edhe plot të tjerë…
Për cilën gjë të jetës suaj, keni vuajtur më shumë?
Mit’hat Araniti: Gjëja për të cilën më ka ardhur më keq, në krejt jetën time, është prishja e Marrëveshjes së Mukjes. Në qoftë se ajo Marrëveshje, do të që realizuar, Shqipëria sot, do të kishte një pamje krejt tjetër.
Duke patur gruan prej familjeve më të njohura intelektuale, a mendon se keni ndarë një fat të përbashkët, në një fatkeqësi të përbashkët?
Mit’hat Araniti: Fakti që kam patur si shoqe jete: Agime Pipën, grua e pajisur me cilësi të spikatura, s’ka dyshim, që ka qenë për mua një mbështetje e madhe… në përballimin gjithë vështirësive të asaj jete plot vuajtje dhe në mposhtjen me dinjitet të tyre…!
Si avokat, a do gjenit ndonjë motiv ta mbronit komunizmin, nëse të kërkohesh një gjë e tillë??
Mit’hat Araniti: Sa i përket komunizmit, atij s’i ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, sepse ai është i dënuar nga historia me zhdukje, deri edhe prej ithtarëve të vet, të dikurshëm…!
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos përfundimisht dhe arbitrarisht, dialekti i Jugut…! Bashkë me dhunimet njerëzore, u bë edhe dhunimi i gjuhës shqipe…! Si mendoni Ju, a mund të gjendej nji e mesme e artë?
Mit’hat Araniti: Kam qenë gjithnjë i mendimit, se nji gjuhë nuk formohet me vendime, por me anën e nji evoluimi natyral, d.m.th., është përdorimi i saj, nga shkrimtarë të ndryshëm, që e përligjin në mënyrë të natyrshme atë, duke imponuar një trajtë ose një tjetër gramatikore, pranimin e një fjale, ose një tjetre, pavarësisht prej dialektit, që ato i përkasin…!
Sot lufta për pushtet, është shumë më e madhe se lufta për Shqipëri, dhe koha po e provon, se intelektualët janë sërish viktimat e para, edhe të demokracisë…! A mendoni se nji shfaqje e tillë, tregon se jemi në post-komunizëm?
Mit’hat Araniti: Është e vetvetishme! Kur luftohet për pushtet, edhe mbas përmbysjes së një diktature, viktimat e para, do të jenë përsëri intelektualët, sepse janë pikërisht ata që shfaqin në mënyrë më të qartë, mendimet për mbrojtjen e demokracisë, por kjo s’do të thotë aspak, se po futemi në post-komunizëm…!
A mendoni se një kuvend mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të ishte nji shans historik, për shpëtimin e saj?
Mit’hat Araniti: Jam plotësisht i bindur se një kuvend mbarëkombëtar, ku të marrin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, mund të jetë një shans për shpëtimin e shpejtë të saj: por praktikisht një gjë e tillë, do të ishte shumë e vështirë…!
Vazhdimisht e keni përmendur aktin e Bedri Spahiut, ndjesën dhe transformimin e tij. A mendoni me të vërtetë se tek ai ka ndodhur diçka e tillë? A mendoni se një ndjesë e formale e njerëzve të krimit, përbën nji akt fisnik?
Mit’hat Araniti: Të them të vërtetën, akti i Bedri Spahiut, me të cilin ai kërkon falje publike, për të gjitha ato që ka bërë, më ka lënë një përshtypje të madhe. Me gjithë peshën e rëndë të krimeve të pranuara prej tij dhe me gjithë dyshimin, se akti në fjalë, mund të ketë qenë veçse formal, unë personalisht jam i mendimit, se atij i ka mbetur një grimë burrërie dhe mbetet gjithmonë vend, për të formuluar hipotezën, se një gjest të tillë, sikur ta kishin bërë ose, ta bënin të gjitha ata “pezzi grossi”, me gjokset e mbushura me medalje dhe me pozita të larta, do t’i sillnin një shërbim mjaft pozitiv, Atdheut.
Nëse do ta fillonit jetën edhe një herë nga e para, kujt do t’i përkushtoheshit me gjithë shpirt?
Mit’hat Araniti: Sikur ta filloja jetën dhe një herë nga e para, padyshim që do t’i kushtohesha me gjithë shpirt, Shqipërisë… dhe rruga e ndjekur prej meje, do të ishte shumë më e qartë dhe më e sigurt, sepse do të kisha mësuar mjaft, prej disfatave të pësuara…! Memorie.al