Nga Thanas L. Gjika
Pjesa e tretë
Memorie.al / Historia e popullit tonë, që në kohët e vjetra, është e mbushur me akte trimërie të njerëzve idealistë, të cilët nuk e kursyen jetën, për të mirën e shoqërisë e të atdheut. Për hir të tyre, populli ynë ka fituar lirinë nga zgjedhat e huaja dhe ka ecur drejt përparimit. Të tillë njerëz, ka pasur edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste. Ata guxuan të shfaqnin mendimet e tyre ndryshe, madje të kundërshtonin vijën e partisë-shtet, por ai regjim, i arrestonte, i dënonte me gjyqet e tij, pa avokat mbrojtës dhe i shpallte; “armiq të popullit” dhe i degdiste nëpër burgje e kampe pune. Kur ata arrinin të dilnin nga burgjet, ose të ktheheshin gjallë në shtëpitë e tyre, propaganda shtetërore, i mbulonte me epitete të tilla, që populli t’i braktiste e t’i urrente, derisa të shuheshin e të harroheshin si qenie pa vlerë. Koha e sotme kërkon që të tillë njerëz, të mos lihen në harresë, po të studiohen e të vlerësohen, sepse jeta dhe bëmat e tyre, kanë vlera rigjeneruese për kombin. Edhe ne, si çdo popull, kemi nevojë për pishtarët të tillë, të lirisë e të demokracisë. Një i tillë, ka qenë edhe Thanas Ilo Qeleshi i cili, në rininë e hershme, u pushtua prej ideve komuniste dhe u lidh me Partinë Komuniste, por kur pa e jetoi disa veprime të padrejta të politikës së saj, guxoi të shfaqte mospajtimin e tij dhe të krijonte një celulë partie, kundërshtare me PPSh-në. Jetës dhe bëmave të këtij idealisti, ia kushtojmë këtë ese të shkurtër, mbështetur në disa dokumente dhe kujtime, që i ruan i biri i tij, Mihallaq Th. Qeleshi, të cilin e njoha këtu në SHBA-ës.
Më tej Mihallaqi tregon:
“Brenda në dhomë, nuk kishte karrige, dy policët rrinin si të ngrirë anash, ne ishim në mes. Shikova babanë dhe ai po më shikonte mua. Ndonëse ishte thinjur dhe dobësuar, unë e njoha, kurse ai, nuk dha asnjë shenjë se më njohu.
I thashë: Baba, jam unë Mihallaqi, djali yt, përqëndrou. Ai ma preu:
Nuk të njoh. Iu afrova edhe më dhe i thashë: Baba jam unë Malakja (kështu më përkëdhelte kur isha i vogël), përqëndrou, ja shikomë në sy. Mu afrua e më tha: Këtu në burg vijnë edhe provokatorë që hiqen si bij e bija. Po, tani të njoha…!
U përqafuam, u shtrënguam fort dhe qamë për disa sekonda a minuta. Babai u shkëput i pari, duke më thënë avash pranë veshit: Nuk duhet të qajmë, lotët tanë, i gëzojnë këta zgjebot.
-Ky është Agroni, burri i Katerinës, ia prezantova kunatin. Herën tjetër, do të vij me nusen time, herën tjetër, me Katerinën, duan dhe ato të të njohin. Unë kam dy vajza, Katerina ka vajzë e djalë. Do të të vijmë rregullisht, mos u mërzit.
Ma mori dorën e djathtë dhe ma fërkoi. Kur i ngecën gishtat te kallot, i thashë:
– Atëhere më përjashtuan nga shkolla e, nuk u bëra dot as infermier, kam punuar gjithnjë me kazëm, po shyqyr, që jam i fortë.
Pastaj dola te thelbi i bisedës:
-Më kanë thënë se ju të dënuarit, që keni kryer mbi gjysmën e dënimit, mund të liroheni dhe ne kemi dëshirë, të vish në shtëpi. Mamaja ka kriza, herë pas here, bie në depresion, por kur të të ketë përpara syve, besoj se do të forcohet e, do të shërohet.
-Dëgjo mor bir, – m’u përgjigj im atë – duke m’u afruar dhe duke ulur zërin, – këta të lirojnë, por duhet t’u dorëzosh një letër ku të shkruash, se i kërkon të falur e mëshirë partisë e shtetit, për fajet e krimet që ke bërë, etj. Po unë, nuk kam bërë asnjë faj e asnjë krim, nuk kam pse kërkoj falje. Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk dua ta humbas trimërinë time, tani pas kaq vite vuajtjesh. Në ke ardhur që të më mbushësh mendjen, për të kërkuar të falur e mëshirë, ik dhe mos u duk më.
Për të mos e acaruar më tej, i kërkova të falur që i thashë ato fjalë. I thashë se; dëshira, për ta pasur në gji të familjes; më shtyu të flas ashtu, po mos ma merr për keq.
-Për sot, tha im atë, minutat e takimit mbaruan dhe nëse pajtohesh me mua, si i dënuar i ndërgjegjes, eja të takohemi, po për të më mbushur mendjen, që të lirohem sa më parë, si ata që e bënë veten leckë, mos hajde më.
-Mirë, mirë, i thashë, duke e përqafuar përsëri. Pastaj u ndamë, duke i premtuar se do të vija përsëri.
Herën tjetër, shkova bashkë me Efin, nusen time. Pastaj dhe me time motër, Katerinën. Efi ka aftësinë, që e shpreh respektin shpejt dhe me gjithë shpirt. Të dyve, u ngjiti muhabeti, që në fillim. Vijuam takimet në burgun e Gjirokastrës, deri në nëntor 1990, kur babai u sëmur e u operua dhe u transferua në spitalin burg të Tiranës…!
Lirimi nga burgu, pakënaqësitë e Thanas Qeleshit për pas diktaturën!
Në vitet 1989-1990, Ramiz Alia me një grup të ngushtë bashkëpunëtorësh, përgatiti planin se si duhej zbatuar rruga e “Katovicës Shqiptare”, për kalimin nga sistemi diktatorial, në sistemin e Ekonomisë së Tregut të Lirë, nga sistemi politik njëpartiak në sistemin pluralist. Sipas këtij plani, pikësynimi kryesor ishte, që pushtetin dhe pasuritë e vendit, t’i trashëgonin besnikët e PPSh-së, me bashkëpunëtorët e tyre sigurimsa.
Për këtë arsye, që në vitin 1990, u seleksionuan listat e familjeve të dënuara. Atyre që kishin dikë të arratisur jashtë shtetit, iu bë propozimi, që të shkonin tek këta të afërm. Kështu, organet e policisë, i pajisën me viza shumë ish-të dënuar dhe i hoqën qafe nga Shqipëria. Atyre që nuk kishin njerëz të arratisur, iu kërkua të firmosnin atë kërkesën, për mëshirë e falje, ku shënohej dhe premtimi, se do të ishin gjithnjë besnikë të partisë.
Sigurimi punoi në fshehtësi dhe arriti që pas një a dy vjetësh, të vinte në kryesitë e partive opozitare dhe të Shoqatave të të Përndjekurve, ish-të dënuarit, që kishin firmosur, para se të liroheshin nga burgu, atë kërkesën për mëshirë e falje, pra atë shkresën që i detyronte, të vijonin shërbimin ndaj kupolës komuniste, që tashmë rrinte në hije.
Thanas Qeleshin, Sigurimi e futi në një grup të të dënuarve të ndërgjegjes të cilin, e mbajti më gjatë në burg. Në këtë grup, prej 88 vetash, ishin dhe Spartak K. Ngjela, Fatos T. Lubonja, Thanas I. Qeleshi, shkodranët që u dënuan për përmbysjen e bustit të Stalinit, ing. Petraq Xhaçka me shokë të dënuar si grupi sabotator i naftës etj.
Me qëllim që këta persona, të mos bënin pjesë nëpër partitë opozitare e, të mos futeshin në listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet që u planifikuan për t’u bërë në 31 mars 1991, ky grup, u lirua më 13 mars 1991. Ky grup prej 88 vetash, u lirua vetëm pasi kryeministri Italian, kërcënoi se Shqipërisë, nuk do t’i dërgoheshin ndihmat ushqimore, pa lirimin edhe të pjesëtarëve të këtij grupi, ndonëse Ramiz Alia, me paturpësi ia kishte paraqitur, si; “të dënuar për krime kundër shtetit”.
Për fat të keq, aty nga nëntor-dhjetori 1990, Thanas Qeleshi, nga ushqimi i keq, ose ndonjë helmim i vijueshëm, pati një gangrenizim të zorrëve dhe pas operacionit që u krye në spitalin e Gjirokastrës, e dërguan për kujdesie, në spitalin e burgut në Tiranë. Thanasi, nuk e duronte dot modifikimin e jashtëqitjes në qese plastike, tek zona anësore e barkut. Ai nguli këmbë që mjekët e Tiranës, ta ri operonin dhe t’ia korrigjonin jashtëqitjen, me rrugën normale nga poshtë.
Për shkak të këtij operacioni, ai nuk doli nga burgu, sipas vendimit të lirimit më 13 mars 1991, por më 17 mars. U transferua nga Spitali i Burgut, te reparti i Kirurgjisë i Spitalit Nr. 2, ku ai qëndroi deri më 15 prill 1991. Krahas mjekëve në këtë spital, i shërbeu edhe djali i tij, Mihallaqi, i cili jetoi me të, në spital.
Kur shkoi në Korçë, i shkoi për vizitë kunati, Petraq Shallua. Ky, në vend që t’i kërkonte të falur, për braktisjen që i bëri dhe qëndrimin e vet burracak, i tha:
–“Thanas, kur të ka falur partia e të lëshoi nga burgu, të kam falur edhe unë”.
As me fillimin e pluralizmit, e as më vonë, shumë komunistë nuk bënë përpjekje për evoluim, mbetën të pamoral, duke mbrojtur bëmat e turpshme të tyre, e të partisë së tyre.
Thanasi filloi të aktivizohej dhe formoi në shtëpi të tij me disa ish-të përndjekur të tjerë, Shoqatën e të Përndjekurve Politikë për Rrethin e Korçës. Duke qenë nismëtar i kësaj shoqate dhe më i përndjekuri e më antikomunisti, anëtarët e saj e zgjodhën Thanasin kryetar.
Torturat e kohës së hetuesisë, jeta plot mungesa më se 21 vjet nëpër burgje dhe dy operacionet e fundit, e kishin dobësuar jashtëzakonisht këtë kolos të dikurshëm. Tashmë, në moshën 62 vjeçare, ai vuante nga një bllok arterioventrikular, me puls të ulët, deri në 30 rrahje në minutë. Si gjithë të përvuajturit, edhe Thanasi, u mbush me shpresa e romantizëm, pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991.
Duke dashur që të ishte në gjendje t’i shërbente proceseve demokratike, i shkroi një letër Ministrit të Shëndetësisë, me anën e së cilës, i kërkonte që ta ndihmonte për t’i bërë operacion në zemër, për ta pajisur me një aparat, për ndërhyrje elektrike (basemaker), të cilën ia kishin rekomanduar mjekët e Korçës, si mjet shpëtimtar. Por përgjigje nuk mori!
Bindjet e tij politike dhe përvoja, e ndihmuan Thanasin edhe pse i sëmurë, të nuhaste se proceset demokratike, nuk e kishin vizionin e duhur, se u mungonte drita. Këtë ide, ai e shprehu në mënyrë figurative, te skica letrare “Rrugët Kërkojnë Dritë”, të cilën e fillonte me sqarimin:
“Jo se dua të shkruaj për dritat e rrugëve…”, e më tej lëshonte thirrjen:
“O Zot i Madh! Pse duhet të jemi si në burg? Me gjarpërinj, me minj, me merimanga…?! Drita e rrugës, i duhet jetës, u duhet njerëzve halleshumë…” dhe e mbyllte me nëntekst kritik:
“Sot në demokraci, më shumë se kurrë kemi nevojë për dritën. Se drita është jeta”
Thanasi e pranoi lënien e tij mënjanë dhe të ish- të dënuarve të tjerë të ndërgjegjes, duke menduar se qeveria demokratike, ishte e zënë me shumë punë e shqetësime. Por ai, nuk mundi të duronte riemërimin e Reshat Leskajt, e ish- hetuesve të tjerë të kohës së diktaturës, po në detyra hetuesie, në kohën kur, po qeveriste Partia Demokratike.
Shoqata e të Përndjekurve të Korçës u ngrit, me nxitjen e tij, në protestë dhe këta elementë të Sigurimit të vjetër, u mënjanuan nga detyrat e hetuesve. I.K., filloi të merrej me studime historike, kurse Reshati, pa vrarje të ndërgjegjes, doli jurist/avokat privat, punë që e ktheu në milioner.
E atëhere Thanasi rrëmbeu penën…
Pa e njohur fjalimin që Mikhail Gorbachev (Mihal Gorbaçovi) mbajti në Katovicë të Polonisë dhe pa e ditur se edhe PPSh-ja, kishte planifikuar rrugën shqiptare, për të ecur në rrugën e vendimeve të Katovicës, Thanasi, me intuitën e vet, ndjeu se demokracia shqiptare, po deformohej.
Ai filloi të shkruante kujtimet e vuajtjeve të tij, në hetuesi e burgje dhe disa artikuj të ngjeshur, me idera dhe materiale nga jeta aktuale, për të treguar se; dosjet e të përvuajturve ishin të gjalla dhe akuzonin veprimet jo demokratike, të qeverisë “Demokratike”.
“O Zot! Ç’nuk të dëgjojnë veshët”! Fillonte shkrimin, – “Dosjet e gjalla akuzojnë”, – e më tej vijonte të shprehte pakënaqësinë, ndaj realitetit zhgënjyes:
“Persekutorët hiqen të persekutuar. Xhandarët e hetimeve janë bërë avokatë. Ne, ish – të dënuarit politikë, vuajmë shpirtërisht, kur shohim se edhe sot në demokraci, shumë nga ata që na dënuan, janë nëpër poste drejtuese…”?!
Më poshtë përmendte emrat e disa milionerëve të rinj, që shëtisnin me vetura, si prokurori; Arqile Kamburi që e dënoi “Grupin e pushtimit të Radio Korçës” me 72 vjet burg, gjykatësi Kiço Treska, që kishte firmosur sa e sa krime, Thanas Caca e Janaq Kapurani, që i dolën dëshmitarë fallco, “Grupit Qeleshi-Zguro-Fidani”. Në fund ky i përvuajtur, e mbyll shkrimin me zemërgjerësi:
“Ata janë shumë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, nuk i fusim të gjithë në një thes, por për figurat kryesore të krimeve, kërkojmë ndëshkimin e merituar. Se ata, përbëjnë rrezik për demokracinë”.
Ky ishte një paralajmërim serioz, që formuloi me intuitën e tij më 1993, ky ish-i dënuar i ndërgjegjes. Ky paralajmërim, ka vlera akruale edhe sot, sepse “Plani Katovica”, nuk lejonte dhe nuk lejon, dënimin e krimeve të sistemit komunist. Mirëpo mos dënimi i atyre krimeve, nuk është gjë tjetër, veçse një krim i ri, që po kryhet në Shqipërinë paskomuniste, sepse klasa politike e sotme, është pjellë e inkubatorit komunist…!
Personalitete të rezistencës antikomuniste, si Thanas Ilo Qeleshi, nuk u vunë në pushtet, nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, nuk iu dhanë e as u janë dhënë ende, titujt e merituar “QYTETAR NDERI I KORÇËS”, dhe urdhri “NDERI I KOMBIT”, por u lanë të shuhen, larg vëmendjes së shoqërisë dhe qeverive të kohës.
Thanas Qeleshi u përpoq të hidhte në një fletore të madhe (libër llogarie), disa nga kujtimet e tij. Prej këtyre kujtimeve, shkrimtari Sotir Andoni, zgjodhi një fragment me titullin; Kur më hodhën prangat”, të cilin e botoi në gazetën “Korça Demokratike” në rubrikën “Këto nuk duhen harruar”.
Dobësia e shëndetit, nuk e lejoi Thanas Qeleshin, t’i shkruante të plota kujtimet e tij, të cilat do të ishin një material me vlera të mëdha, për peripecitë që kaloi ai dhe shokët e tij, gjatë diktaturës…!
Thanas Ilo Qeleshi, u nda nga jeta më 7 dhjetor 1994, në moshën 65 vjeçare. Ai la dy fëmijë: Mihallaqin, të martuar me Efin (Eftiminë) me dy vajza dhe Katerinën, të martuar me Agron Malollarin, me një djalë e një vajzë. Kjo gjendje familjare, i krijoi kënaqësitë e fundit, këtij babai të përvuajtur.
Mirëpo familjet e dy fëmijëve të tij, u gjendën në kushte të papërshtatshme në Shqipëri, gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1997, prandaj ato kërkuan strehim politik në SHBA-ës, si familje të përndjekura. Këtë status, ato e fituan dhe u strehuan në vitin 1999, në shtetin Massachusetts, ku vijojnë jetën normale.
Fëmijët e tyre tani janë martuar e shtuar dhe kanë arritur suksese të shënueshme, për të cilat mund të shkruhet tjetër herë.
Gazetat e Amerikës kanë shkruar disa herë për familjen e Mihallaq Qeleshit, për të kaluarën e saj dhe për sukseset e këtushëm. Kurse shtypi në Shqipëri, nuk i ka kushtuar asnjë faqe, vlerave të të pavdekshmit, Thanas Ilo Qeleshi dhe as pasardhësve të tij…?! Memorie.al
Referenca:
- Këtë mendim, të veteranit Viktor Stratobërdha, e ka riprodhuar dhe shkrimtari Dionis Bubani, në librin e tij me kujtime “Shakatë tragjike të jetës sime”, si mendim të dëgjuar prej Viktorit kur ky ishte liruar nga burgu.
- Dorëshkrimin e kësaj kërkese e ruan familja e Mihallaq Qeleshit.
- Gazeta Korça Demokratike viti I, 19 prill 1993, f. 2.
- Gazeta Korça Demokratike, viti i II Nr. 15 (31), 29 gusht 1993, f. 1.