Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i aleatëve anglo-amerikanë) të cilat i përkasin vitit 1944, ku ndodhen dy raport-informacione të Prefekturës së Elbasanit, dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, kur prefekti, Lutfi Shehu, informon eprorët e tij mbi bombardimet e forcave anglo-amerikane, në prefekturën e tij, të cilat me anë të aviacionit luftarak, po shkaktonin viktima dhe të plagosur nga popullsia civile. Raport-informacionet e plota të prefekturës së Elbasanit, që mbajnë datën 27 mars 1944, ku jepen njoftime të hollësishme mbi bombardimet e aviacionit anglo-amerikan në qytetin e Elbasanit dhe emrat e të vrarëve e të plagosurve nga popullsia civile, kryesisht të komunitetit rom, të cilët forcat gjermane i merrnin dhe i shtronin e i mjekonin në spitalin e tyre ushtarak të Krastës, në periferi të qytetit të Elbasanit!
Viti 1944, Shqipëria e okupuar nga forcat naziste hitleriane dhe aviacioni aleat anglo-amerikan, që i bombardon dhe shkakton viktima nga popullsia civile në periferi të qytetit të Elbasanit, kryesisht nga komuniteti rom, që endej atypari, duke lypur lëmoshë fshatrave më të afërt. Ndërsa forcat gjermane që i shkojnë në ndihmë, duke mbledhur kufomat, duke u dhënë fillimisht ndihmën e shpejtë të plagosurve dhe duke i transportuar ata me mjetet e tyre për në Spitalin Ushtarak Gjerman të Krastës, ku mjekët gjermanë i shtronin të plagosurit duke u mjekuar plagët apo dhe duke i operuar. Duket se historia është kthyer “kokëposhtë” dhe se në këtë pasazh të këtij shkrimi, kemi ngatërruar “rolet që kanë luajtur” anglo-amerikanët dhe gjermanët gjatë periudhës së Luftës në Shqipëri?! Por kështu ka ndodhur vërtetë, kjo është një nga tabllotë e kronikave të luftës në marsin e vitit 1944 në rrethinat e qytetit të Elbasanit, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga dokumente arkivore që gjenden e Arkivin Qëndror të Shtetit (Fondi: Aleatët anglo-amerikanë), ku mes të tjerash pasqyrohet edhe një korrespodencë në mes Prefekturës së Elbasanit dhe Ministrisë së Brendshme në Tiranë, lidhur me viktimat dhe të plagosurit e shkaktuar nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan në atë prefekturë. Ajo që vihet re dhe paraqet njëfarë interesi lidhur me periudhën e Luftës në Shqipëri, (apo më saktë atë; nga shtatori i vitit 1943 e në përfundim të luftës në nëntorin e vitit 1944), është fakti se të plagosurit nga bombardimi i aviacionit ushtarak aleat anglo-amerikan në qytete dhe zona të ndryshme të Shqipërisë, kudo nga jugu në veri, u ofrohej ndihma e forcave gjermane, të cilët i transportonin ata me mjetet e tyre dhe i mjekonin, i shtronin e operonin në spitalet ushtarake, siç ishte Spitali Ushtarak gjerman në Krastë të Elbasanit. Kjo gjë ka ndodhur edhe në prefektura të tjera të Shqipërisë, kudo ku anglo-amerikanët luftonin kundër forcave gjermane. Thamë pak më sipër se kjo gjë paraqet interes, pasi, në asnjë rast, si para vitit 1990 e deri më sot, nuk është thënë dhe bërë e ditur asnjëherë, jo vetëm nga historiografia dhe propaganda zyrtare, por as nga shtypi. Tjetër gjë që vihet re në këto dokumenta arkivore që publikohen për herë të parë, është kujdesi që tregonte qeveria dhe administrata shqiptare e asaj periudhe për shtetasit e saj, gjë e cila duket edhe nga të dhënat e imtësishme dhe tepët të detajuara që ajo ka dhe jep për të plagosurit apo të vrarët nga bombardimi i anglo-amerikanëve, siç janë në rastin konkret ata nga komuniteti rom që banonte në Kërçovë dhe endeshin fshatrave të Elbasanit, duke mbledhur lëmshë, gjë e cila duhet thënë se e kishte të trashëguar nga periudha e Monarkisë së Zogut. Një fakt tjetër që flet shumë dhe zbardhet në një farë mënyre edhe nga këto dokumente, është dhe roli i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” gjatë periudhës së pushtimit të vendit, të cilën historiografia komuniste e ka akuzuar si “bashkëpunëtore me forcat pushtuese gjermane në Shqipëri”. Ndërsa në këtë dokument, jepet një detaj që flet për të kundërtën, ndërsa një pjesë e të plagosurve janë dërguar në spitalin Ushtarak Gjerman në Krastë të Elbasanit, të plagosurve të tjerë u kanë ardhur në ndihmë “Rinija e Ballit” dhe i ka dërguar ata në Spitalin e Shtetit në Elbasan. Bashkë me dy dokumentet që publikohen të plota dhe me faksimilet përkatëse, Memorie.al po publikon dhe disa foto të rralla të anglo-amerikanëve dhe gjermanëve në Shqipëri.
Raport-informacionet e Prefektit të Elbasanit dërguar Ministrisë së Brendshme në Tiranë, për bombardimet e anglo-amerikanëve
SHTETI SHQIPTAR
PREFEKTURA E ELBASANIT Elbasan, më 27/3/1944
SHKURTIMI: P. T.
Mbi plagosjen e MINISTRISE SE P. TE BRENDESHME
Rreshter Haxhi Xhaferraj (Drejtorisë së Korrespodencës)
T I R A N E
Ju parashtrojmë se Komanda e Rrethit të Gjindarmërisë së këtushme, na njofton se më datë 22 të k.m. ora 13 në rrugën e Përgjithshme tuej ardh nga Tirana n’Elbasan afër këtij qyteti, në vendin e quejtur “Mullini i Shabanajt” prej Aeroplanëve Englez me mitroloz, asht plagosë randë në autoveturën Rreshteri Haxhi Jonuz Xhaferraj, efektiv i Komandës së Rrethit Gjindarmërisë Korçë, po në atë veturë asht plagosë edhe e shoqja e tij e quejtuna Rryzhdije Xhaferraj, e bija e Ismailit dhe e Selvisë, vjeç 24 lindun dhe banuese n’katundin Kalivaç i Tepelenës.
Rreshteri ka marrë tre plagë në kofshën e djathtë dhe me datën 23 të k.m. n’Operacionin që i banë operatorët e Spitalit Ushtarak Gjerman të Krastës së këtueshme, i kanë prem kambën e plagosun.
E përmenduna Rryzhdije ka marrë këto plagë të lehta, nji në dorën e majtë, nji në krahun e majtë dhe nji në kofshën e djathtë, e cila në çastin e palgosjes bashkë me të shoqin e saj Rreshterin, u shtruen në Spitalin e naltë përmendun, mbasi u mjekuen plagët, Rruzhdija shkoi në shtëpinë e Petrit Kokës që banon në këtë qytet, të cilin e ka fisin e saj.
Proces-verbalet e rastit bashkë më raportin Mjeksuer iu dërguen Komandës së Qarkut të Gjindarmërisë Korçë, nga Komanda e naltë përmendun.
Prefekti
(Lutfi Shehu)
SHTETI SHQIPTAR
PREFEKTURA E ELBASANIT Elbasan, më 27/3/1944
SHKURTIMI: P. T.
Mbi mitralimin e disa MINISTRISE SE P. TE BRENDESHME
Personave nga Aeroplan (Drejtorisë së Korrespodencës)
Englez T I R A N E
Komanda e Qarkut të Gjindarmërisë së këtueshme, na njofton se me datën 19 të këtij mueji, gjatë rrugës Elbasan – Belsh, katër Aeroplanë Anglez kanë mitralu dy makina civile dhe janë plagosë personat e poshtëshenjum:
- Azem Dalipi i biri i Abdullahut dhe i Selimes, vjeç 15, lindun dhe banues në Kërçovë, i martue, ka marrë dy plagë, nji në krah të djathtë dhe tjetrën në kofshën e djathtë.
- Ramiz Selimi i biri i Selimit, nga Kërçova i cili ka mbetun i vdekun në vend.
- Mehmet Ahmeti i biri i Seferit dhe i Hakijes, vjeç 20 lindun dhe banues në Kërçovë, i martue, ka marrë dy plagë, një në kambën e djathtë dhe nji në kokë nga ana e djathtë.
- Hajrulla Imeti i biri i Bariut dhe i Sanijes, vjeç 13 lindun dhe banues në Kërçovë, i cili ka marrë dy plagë, nji në dorën e majtë dhe nji në kofshën e majtë.
- Abib Abdullahi i biri i Abdullahut dhe i Selimes, vjeç 11, i lindun dhe banues në Kërçovë, i cili ka marrë dy plagë, nji në krahun e majtë dhe nji në kofshën e majtë.
- Delip Avdullahi i biri i Abdullahut dhe i Selimes, vjeç 21, i lindun dhe banues në Kërçovë i martuarë.
- Selvije Hatipi, bashkëshorte e Dalip Abdullahut, vjeç 20 e lindun dhe banuese në Kërçovë.
Për Dalip Abdullahun e bashkëshorten Selvije Hatipin, kanë marrë nga një plagë në dorë, por se plagët ekzakt nuk ju dihen, mbasi janë transportue prej ushtarve Gjermanë për në Spitalin e Krastës, katër të parët janë transportue nga Rinija e Ballit për në Spitalin e Shtetit të këtueshëm dhe janë shtrue për mjekim. Të gjithë të naltë përmendunit janë arrixhinjë e ndodheshin tue shetit ndër katunde për me lyp, të cilët rastësisht janë ndodh afër maqinave të mitralueme. Memorie.al
Prefekti
(Lutfi Shehu)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016