Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Abedin Nepravishëts me origjinë nga Libohova e Gjirokastrës i cili pasi u shkollua në Stamboll, “Shkolla e Lartë e Administratës Perandorake” (MYLKIE) në vitet 1907-1911, u kthye në atdhe dhe nga ajo periudhë kohe e deri në 7 prillin e viti 1939, shërbeu në disa detyra dhe funksione të larta në administratën e shtetit shqiptar. Si nënprefekt dhe prefekt i Durrësit, Elbasanit, Korçës etj., por që kontributin më të madh e dha në vitet ’30-të kur ai shërbeu si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, duke bashkëpunuar ngushtë me arkitektin italian, Brazini, i cili konturoi fizionominë moderne të kryeqytetit shqiptar. Arrestimi i tij nga komunistët pas ardhjes së tyre në pushtet në ‘44-ën dhe dënimi me burg politik, të cilin e vuajti deri në vitin 1961 në burgun e Burrelit, ku ishte një ndër më të moshuarit që vuanin dënimin aty.
Në datën 11 shkurt 2020 u mbushën 100 vjet nga dita kur qeveria e sapozgjedhur nga Kongresi historik i Lushnjës, hyri në Tiranë, duke e njohur atë si kryeqendra zyrtare e shtetit shqiptar që kishte më pak se një dekadë që kishte shpallur pavarësinë. Që nga ajo ditë tashmë e shënuar në historinë e Shqipërisë si dita e shpalljes së Tiranës si kryeqytet, kanë kaluar dhjetë dekada dhe gjatë kësaj periudhe njëshekullore në krye të saj kanë qenë një numër i madh personalitetesh, ku padyshim gjithsecili prej tyre ka lënë gjurmët e tij në konturimin e fizionomisë së këtij kryeqyteti nga më të rinjtë në Europë.
Të gjithë Kryetarët e Bashkisë së kryeqytetit kanë secili pjesën e tyre, po në këtë shkrim po përqendrohemi tek njëri prej tyre, Abedin Nepravishtës, të cilit i takoi fati të ishte në krye të saj në atë periudhë kohe kur Tirana do të konturohej dhe do të merrte një fizionomi të një qyteti modern europian.
Abedin Nepravishta drejtoi Bashkinë e Tiranës në vitet 1933-1939, kohë në të cilën u ndërtuan disa nga rrugët, godinat dhe komplekset arkitekturore nga më të mëdha, ku një pjesë e tyre për fat të mirë i kanë rezistuar kohërave.
Abedin Nepravishta dhe Libohovitët në Perandorinë Osmane
Abedin Nepravishta lindi në 19 shtator 1889 në fshatin Kuç të rrethit të Vlorës, në të cilin i ati tij, kryente funksionin e nënprefektit të nënprefekturës së Kurveleshit. Prindërit e tij u transferuan aty nga vendlindja e tyre, Libohova e Gjirokastrës, historia e së cilës është një rast i veçantë në historinë shumëshekullore të Shqipërisë. Falë vlerave të rralla kontributeve të disa banorëve të saj në historinë e Perandorisë Osmane, Libohova prej shekullit XVII-të fitoi disa privilegje të veçanta në kuadrin e kësaj perandorie, siç ishin ato për arsimimin e përhershëm masiv të bijve të saj në institucionet universitare osmane. Si pasojë e këtij financimi falas, me mijëra libohovitë u bënë juristë, mjekë, oficerë etj., që punuan si nëpunës të lartë e të mesëm në çdo skaj të perandorisë më të madhe të kohës. Nga Libani, Bosnja e deri në Stamboll, këta libohovitë u bënë pjesë elitare e administratës osmane, duke dhënë kontributin e tyre në funksionet ky shërbyen dhe gjithashtu një emër të mirë vendit të tyre të origjinës, Shqipërisë dhe vendlindjes së tyre, Libohovës. Në literaturën historike osmane, Libohova është quajtur si “Qyteti shqiptar i Kadilerëve”, pasi në një farë mënyre ajo u bë “fidanishtja” shqiptare, që e furnizoi me më shumë intelektualë Perandorinë Osmane, duke mbetur deri sot një qytet i vogël, bijtë e të cilit ikin në shekuj drejt metropoleve, por duke lënë pas një emër të mirë.
Abedini diplomohet në “Shkolla e Lartë e Administratës Perandorake” (MYLKIE)
Abedin Nepravishta nuk kishte si t’i ikte shkëlqimit iluminist të traditës së tij qytetare. I lindur nga dy prindër, të parët e të cilëve kishin disa breza që diplomoheshin në kryeqendrën osmane, ai ndoqi studimet në Stamboll në universitetin me frymën më perëndimore të asaj perandorie, të quajtur “Shkolla e Lartë e Administratës Perandorake” (MYLKIE) në vitet 1907-1911. Ky universitet, i dyti i llojit të tij në botë, u ndërtua nga Perandoria e Francës në vitin 1858, si dhuratë e shtetit francez për Perandorinë Osmane, në zbatim të reformave të Tanzimatit. Stafi pedagogjik i këtij universiteti qe i përbërë gjysmë me francezë dhe turq, e në auditorët e tij mësoheshin 5 gjuhë të huaja europiane (3 të detyrueshme e 2 fakultative). Pranimi në të bëhej me kritere drastike e gjatë 56 viteve studiuan vetëm rreth 30 shqiptarë. (Emrat e tyre u publikuan në vitin 1940 në një botim special të revistës “Hylli i Dritës”). Me këtë formim ekselent nisi karrierën si i diplomuar në 1911-të, Abedin Nepravishta, si: Sekretar në Ministrinë e Financave të Perandorisë Osmane në vitet 1911-1912, si Atashe në Vilajetin e Janinës, e nënprefekt i nënprefekturës së Përmetit në vitet 1912-1913. Ai u bë nismëtar i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Përmet më 28 Nëntor 1912, për t’u transferuar shpejt nga qeveria shqiptare e kryesuar nga Ismail Qemali, si nënprefekt në Lushnjë në vitet 1912-1913, e në Mallakastër në vitet 1913-1914. Në vitet 1914-1921, Abedin Nepravishta u muar me biznes, duke u njohur kështu në historinë e vendit tonë, si një nga pionierët e kapitalizmit shqiptar, gjë e cila bëri që ai të krijonte një pasuri të konsiderueshme.
Anëtar i Komisionit Organizator të Kongresit të Lushnjës dhe prefekt në Durrës, Shkodër dhe Elbasan
Abedin Nepravishta ishte anëtar i Komisionit Organizator të Kongresit të Lushnjës, i cili përgatiti në detaje çdo hap të duhur të këtij kongresi vendimtar për shtetin shqiptar. Dhe nisur nga kjo, Abedini vuri në shërbim të Kongresit shuma të madha financiare për mbarëvajtjen e tij. Nisur edhe nga ky fakt, ai u delegua dhe e zëvendësoi një delegat të Prefekturës së Gjirokastrës, (i cili nuk mund të vinte për arsye personale), duke asistuar si delegat i kësaj prefekture, gjatë gjithë punimeve të Kongresit.
Në vitet 1921-1924, ai do emërohej sërish në radhët e para të politikës dhe administratës shqiptare, si: nënprefekt i nënprefekturës së Tiranës (gjatë grushtit të shtetit të muajit dhjetor 1921), si prefekt i prefekturave të Elbasanit dhe të Shkodrës në vitin e trazuar 1922, si prefekt i prefekturës së Durrësit në vitin 1923, dhe si prefekt i prefekturës së Shkodrës në vitet më të trazuara politike, 1923-1924. Kudo ku ai drejtoi në këtë periudhë kohe, u prezantua me imazhin një zyrtari të pajisur me një mentalitet e kulturë perëndimore, duke u bërë anëtari i asaj plejade shtetarësh që hodhën themelet e Shqipërisë moderne. Kështu Abedin Nepravishta ishte ai që u kujdes në Shkodër për ngritjen e gjimnazit të parë laik, gjë e cila ngriti siparin e arsimit europian të çliruar nga tutela obskurantistë. Në këtë qytet ai nxiti gjithashtu edhe harmoninë e tolerancën midis dy feve.
Pas ardhjes në pushtet ë qeverisë së Fan Nolit e largimit të saj në dhjetorin e 1924-ës, sipas librit me kujtime të Tafil Boletinit, (njëri nga djemtë i Isa Boletinit), Abedin Nepravishta, u la dhe i pëlqeu të rrinte gati një vit jashtë administratës shtetërore, sepse iu desh që të reflektonte për drejtimin që do i jepte karrierës së tij në të ardhmen.
Drejtori i parë shqiptar i Bankës së Shqipërisë
Pas ardhjes së Zogut në pushtet, në fund të 1925-ës, Abedin Nepravishta u emërua në funksionin e Drejtorit të parë shqiptar të Bankës së Shqipërisë, duke qenë kështu një nga ato që vunë gurët e themelit të sistemit financiar të Shqipërisë. Ndërsa më pas ai u emërua si prefekt i Prefekturës së Durrësit (në vitet 1926-1928), i dërguar aty posaçërisht pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1926, që rrëzoi pothuajse gjysmën e shtëpive të atij qyteti, e që nën drejtimin e tij me disiplinë të hekurt, u rindërtua brenda një afati njëvjeçar. Pas një pezullimi dyvjeçar për shkak të arrestimit të vëllait të tij për veprimtari antizogiste, Abedin Nepravishta, u emërua sërish Prefekt i Prefekturës së Korçës, në vitet 1930-1931, duke qenë prefekti i parë i besimit mysliman i emëruar nga qeveria në Korçë, i cili fitoi admirimin e popullsisë e të elitave të dy feve përbërëse të asaj prefekture. Gjatë qëndrimit të tij relativisht të shkurtër në detyrë në atë qytet të kulturës shqiptare, për të u shkrua edhe në gazetat e kohës, si “një drejtues me prirje bashkëkohore”.
Në vitet 1931-1933, Prefekt i Prefekturës së Vlorës
Në vitet 1931-1933 Abedin Nepravishta u emërua Prefekt i Prefekturës së Vlorës, ndoshta qarku me temperaturën politike më të lartë në historinë e asaj periudhe në të gjithë Shqipërinë. Me ndihmën e disa patriotëve vlonjatë, si: Jaho Gjoliku, shef rendi i Prefekturës së Vlorës dhe një sërë intelektualësh të njohur si Shahin Abdullahu etj., kjo prefekturë u bë model i disiplinës shembullore si një shenjë e shtetit të ri modern. Gjatë asaj kohe që shërbeu aty, Abedin Nepravishta do të zbulonte edhe një “komplot antiqeveritar” i cili në historinë e Shqipërisë njihet si “Lëvizja e Vlorës”.
Abedin Nepravishtës i përkasin merita e fati që për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të ishte përgjegjës i drejtpërdrejtë i festimeve të para të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me nismën e tij u sollën nga Kanina në Vlorë, eshtrat e Ismail Qemalit dhe nën drejtimin e tij për herë të parë në historinë shumëshekullore të Vlorës, u ndërtua në qendër të qytetit, lulishtja e saj historike me varrin e Ismail Qemalit brenda.
Që këtu nën drejtimin e tij u bë ceremoni madhështore, (ku morën pjesë mbi 10.000 vetë), e varrimit të Ismail Qemalit, ku ishin të pranishëm disa ministra të qeverisë së atëhershme. Abedin Nepravishta mbajti aty fjalimin kryesor dhe po atë ditë ai u bë nismëtari i zbulimit të flamurit origjinal të shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912. Gjatë qëndrimit në Vlorë, meqë Kryetari i Bashkisë u ndalua si “Kryetar i Lëvizjes së Vlorës”, Abedin Nepravishta, u emërua dhe si Kryetari i Bashkisë së Vlorës, në vitet 1932-1933. Gjatë asaj kohe, në drejtimin e tij për herë të parë në historinë urbanistike të Vlorës, përveç Lulishtes historike në qendër të saj në varrin e Ismail Qemalit, u ndërtua edhe Sheshi historik i Flamurit, e bulevardi po aq historik, Vlorë-Skelë. Për këto vepra ku ai dha një kontribut të madh, sot një nga rrugët e qytetit të Vlorës mban emrin e tij.
Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Abedin Nepravishta ka qenë Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 1933-1939, pikërisht në vitet kur kryeqyteti ynë kreu me ritme të standardit perëndimor metamorfozën nga një qytet mesjetar, në një qytet modern si kryeqytetet e Ballkanit. Në ditët e para të emërimit të tij në atë detyrë, ai u bë hartuesi i planit të parë urbanistik modern të Tiranës, të projektuar nga Armando Brazini, një nga arkitektët më gjenialë të Italisë dhe më gjerë të Europës. Për këtë ai vajti disa herë në Romë, ku u prit përzemërsisht në studion e arkitektit të njohur. Nën drejtimin e tij gjatë viteve 1933-1939, në Tiranë përfundoi i plotësuar tërësisht një sistem unik urbanistik dhe arkitekturor i përbërë nga ato sheshe, bulevarde e godina, që edhe sot pas 80 vitesh përfaqësojnë “rrjetin nervor” të kryeqytetit shqiptar në një masë të përgjithshëm të pandryshuar nga asnjë regjim, të qendrës së shtetit shqiptar.
Nën drejtimin e kujdesin e Abedin Nepravishtës, në vitet 1933-1939 në Tiranë u ndërtua:
- Sheshi “Skënderbej”
- Banka e Shqipërisë
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
- Hotel “Dajti”
- Ura kryesore mbi Lanë
- Pallati i Brigadave
- Rruga e Durrësit
- Rruga e Kavajës
- Rruga e Dibrës
- Rruga e Elbasanit
- Ujësjellësi i Tiranës
- Qindra vila të nëpunësve të shtetit
Si dhe një mori ndërtesash sociale si kinema, biblioteka, jetimore, azile, fabrika, dyqane. Madje nën drejtimin e tij u projektua e nisi ndërtimin edhe një kompleks tjetër si Kryeministria, ish-Komiteti Qendror, Korpusi Qendror i Universiteti Politeknik, Universiteti i Arteve, Rektorati i Universitetit, që përfundoi pas pushtimit të vendit, etj.
Abedin Nepravishta në Enciklopedinë Britanike
Abedin Nepravishta, do ishte ndër dy funksionarët e parë shqiptarë që në vitin 1937, u përfshi si zë më vete në Enciklopedinë Britanike, enciklopedia më e madhe e asaj kohe. Atëherë atë e intervistuan gazetat më të mëdha të Vjenës, Parisit, Romës, Stambollit etj. Ai solli në Shqipëri e mbajti fjalim në varrin e poetit tonë kombëtar, Naim Frashëri. Në Shqipëri për të do shkruanin publicistë dhe personazhe të njohur të jetës politike, si: Tajar Zavalani, Gjergj Bubani, Nebil Çika etj. Ai e konsideronte si krenarinë më të madhe në ato vite se u bë zëdhënësi politik i qindra intelektualëve shqiptarë të shkolluar në Perëndim, që po emëroheshin në Tiranë.
Pas 7 prillit 1939, nuk u largua nga Shqipëria
Abedin Nepravishta ishte një ndër politikanët shqiptar që në datën 7 prill të vitit 1939, jo vetëm nuk u largua nga Shqipëria, siç bënë një pjesë e ministrave dhe deputetëve, por vendosi të qëndronte në Tiranë. Nën drejtimin e tij dhe dhjetëra nëpunësve të Bashkisë së kryeqytetit shqiptar, në pamundësi për t’i pritur me armë, morën pjesë në disa demonstrata proteste kundër pushtuesve të saj. Për këtë fakt, Abedin Nepravishta ishte ndër të parët shqiptar që u internua nga Italia për bindjet dhe veprimtarinë e tyre antifashiste, (çka e dëshmoi në gjyqin e tij më 1945, Jaho Gjoliku, i konsideruar nga regjimi komunist si një nga simbolet e antifashizmit). Pasi kthimit nga internimi, ai u mor me tregti, duke mbetur deri në fund një antifashist konsekuent. Ndonëse për arsye moshe s’vajti në Konferencën e Pezës, ai e përshëndeti atë, duke vepruar si në Kongresin e Lushnjës, duke e mbështetur financiarisht. Të gjitha shtëpitë e tij në Tiranë etj., u bënë seli të Frontit Nacionalçlirimtar e baza ilegale antifashiste.
Shumica e burrave të afërm të tij më të rinj se ai, u përfshinë në radhët e Luftës Antifashiste, ndërsa ai personalisht, u takua me Enver Hoxhën në vitin 1942, në shtëpinë e mikut të përbashkët, Syrja Selfo, dhe ranë dakord në parim për nevojën e një Fronti Antifashist në çdo qytet të Shqipërisë, si në rastin e Francës ku socialistët qeverisës me komunistët në luftë kundër nazizmit.
Arrestohet nga komunistët dhe vuan në burgun e Burrel deri në vitin 1961
Abedin Nepravishta do të arrestohej menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe ndonëse Koçi Xoxe tentoi egërsisht që të gjente prova për ta fajësuar atë si kolaboracionist, ajo nuk u bë e mundur dhe kështu ai nuk u përfshi në Gjyqin Special të atyre që u konsideruan si kolaboracionistëve dhe u dënuan në marsin e vitit 1945. Si një rast unikal, gjyqi i Abedin Nepravishtës u bë i vetëm dhe me një dëshmitar të vetëm, që e akuzonte se pse qe liçensuar gjatë pushtimit gjerman që të bënte rregullisht tregti në Itali. Kur ai tregoi se gjermanët kishin rregull që të liçensonin vetëm ata që dinin gjermanisht, trupi gjykues e mbylli gjyqin pas një ore nga fillimi i tij e u tërhoq për të marrë vendimin. Më pas kryetari, teksa lexonte masën në 20 vjet, në fund tha, se vendimi i arsyetuar do vinte më vonë. Abedin Nepravishta është ndoshta politikani i vetëm që vendimi i arsyetuar nuk iu zbardh kurrë. Për 75 vjet familjarët e tij kërkuan në çdo arkiv për ta gjetur, por ai s’u gjet kurrë. Në vitet ’50 ai qe më i moshuari në burg e quhej me humor “Rektori i Universitetit të Burrelit”. Abedini u lirua në prill të vitit 1961 e jetoi për 7 vjet pranë fëmijëve të tij që banonin në kryeqytet. Në vitet 1968-1975, ai jetoi në Fier, ku edhe ndërroj jetë më 1975-ën, i rrethuar nga 4 djem e një vajzë, kurse vajza tjetër qe martuar me Fejzi Hoxhën, mjekun personal të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë.
Abedin Nepravishta jetoi 90 vjet, nga të cilat 30 në burg e internim nga fashizmi e komunizmi, duke qenë Mandela më i moshuar (nga 60 deri 90 vjeç) i komunizmit shqiptar e ndoshta i Europës. Nisur nga ky fakt, Presidenca e Republikës, para disa vitesh e nderoi me titullin e lartë “Nderi i Kombit” dhe ai është ndër politikanët pakët, emrin e të cilit e mbajnë dy rrugë të qyteteve Tiranë e Vlorë. Kjo ishte pak a shumë historia e Abedin Nepravishtës, të cilën Memorie.al po e publikon me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, duke u mbështetur në kujtimet e lëna nga ai në dorëshkrim dhe nga dëshmitë e disa prej pasardhësve të tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016