Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Trupi Lemit ishte katandisë në një thes një me kocka prej 37 kg. Njeriu që peshonte 80 kg. ma përpara, i cili kur qeshte me tё madhe tundeshin muret e thyheshin xhamat e dritareve, ishte aq i dobësuam sa që, nuk mund të qëndronte gjatë mbi këmbët e veta. Profesor i letërsisë dhe i gjuhës shqipe e latine, Guljelm Deda, ishte reduktue në një qenie skeletike, buzët e shtrëngueme, sytë e mbyllur nga qepallat e randueme: me iu dhimb gurit e drunit.
– Kokalle… kokalle… kock a… ja si na kanë katandisur!
Thërriste Spiro Himarjoti, duke lëvizur krahët si dy purteka të thata, si ato të të gjithë të burgosurve të shkretë.
Të reduktuam në qenie skeletike apo figure shkjeshë, të rraskapitur nga gërmimi prej agimit deri në muzg, me vegla rudimentare, zhytun në baltën e kanalin faraonik të Vloçishtit.
Sa viktima të pafajshme që kishte gëlltitur kjo humnerë monstruoze? Në cilin rreth të ferrit i kishin, do t’i kishte pllakosë Dante Aligieri? Rojet kuqaloshe, zemër zi e të pashpirt, vinin përreth si qen të tërbuar, gati me kafshue e me mbjell vdekje. Djajtë me brina tё pajisur me sfurqe, ishin zëvendësue nga demonë në uniformë dhe me armё vrasёse, shumë ma të tmerrshëm dhe të kobshëm. Ferri fantastik i Dantes, ishte transformue në një ferr real tokësor. Lemi u ul kruspull duke u mbajtë pas lopatës.
Rrezet e diellit të korrikut, ia përvëlonin trupin. Ushqim diellor! Fatmirësisht mendjen e kishte esull. Liri, liri, sa krime janë krye në emrin tënd! I vinin nё mendje kёto fjalё. Njerëzimi kishte ra shumë poshtë. Poeti i madh Dante, duhet të kishte lindur në këtë shekull për me shkrue një Ferr tjetër të vërtetë, ku vuanin e torturoheshin qenie njerёzore krejt të pafajshëm, pa qenë fajtor për asgjë.
Mendimet e tij u ndërprenë nga një hije që i zuri diellin. Një formë njeriu i doli përpara. Ai mezi ngriti qepallat dhe njohu figurën e Tonit. Ky po, mbahesh mirë. I frymë si një thes me pambuk. Toni kishte ndjek një kurs për infermier dhe ma vonë u gjet bashkë me të në burg. Ai ishte infermieri i kampit të Vloçishtit. Kjo e kishte shpëtue nga puna e detyrueme. Pa infermieri, pa mjek e pa ilaçe, konditat shëndetësore nuk ekzistonin fare, hiç.
Ai ishte caktua me u sigurua për vdekjen e të burgosurve ose të atyre që ishin në prag të vdekjes. Toni e kishte kuptue gjendjen pa shpresë të mikut të tij, Guljelm Dedës, që të gjithë e thirrnin Lem. I kishte thanë se do mundohej të gjente një zgjidhje për ta shpëtua.
– Lem…Lem! E kam gjetur!
– Kë?… Danten?…foli Lemi duke qeshur, sepse një herë i kishte thanё, ti Ton, shih e mos e ndesh dhe Danten këtu, dhe pyete në cilin rreth të ferrit do të na kishte vendosë.
– Ç’Dante more Lem! Kam gjet mënyrën me të shpëtue!
– Me më shpëtue…?! Po unë i shpëtur jam. Një thes me eshtra 37 kilesh! Ejani, ejani se kemi mjaft kocka, kokalle, plot një thes! Merrini mos u hynё nё punё ashtu kot.
Lemi u mundua të qeshte si dikur, por nuk kishte ma forcë. Mbeti gojë hapur, sytë të ngulur mbi Tonin, shpëtimtarin e tij t’ardhshëm. Leni shakatё, i kishte tё tijat. Por aty s’i hynin nё punё, veç sa me rrejtё veten se ishte hala nё rregull me mend.
– Lem leni shakatë. Asht çështje jete a vdekje. Ti duhet të ngjitësh rrëpirës së kanalit deri sipër dhe atje shtriu për tokë. A more vesh? Kur të mbarojë puna e ditës, të burgosurit do të vijnë të hedhin ndonjë lopatë mbi ty, duke të kujtuar të vdekur. Ti do të hapësh një vrimë sa me marrë frymë. A more vesh? Mos lëviz fare as qepallat dhe prit aty, deri sa tё vij unё pёr kontroll me rojёt.
Lemi desh tӫ qeshte si dikur por i doli njӫ zgӫrdhimje e thatӫ. S’kishte më forcӫ. Kij kujdes, rri i qetë e ruaj gjakftohtësinë. Mbasi ia shpjegoi mirë planin e tij, Toni u largua.
Ishte punë serioze. Lemi i tha vetёs, nё daç me shpёtue zbato porosinë e Tonit. Ai ndejti do kohë pa asnjë mendim tjetër në kokë, veç se si do të ngjitësh asaj rrëpire. Po i dukej si mundimi i Sizifit, jo për me rrotullue një alamet guri, por se si me u ngjit këmbadoras deri atje nalt si një majmun. I dha forcё vetёs dhe nisi tё ngjitet. Manёfund, arriti sipёr buzёs kanalit. Bëri do hapa dhe u u hodh për tokë, dhe kur e ndjeu zhurmën e rramjës së trupit, i erdh në mendje vargu i famshëm i Dantes: “E caddi, come corpo morto cade” (“E u rrëzova, si trup i vdekur rrëzohet”).
Tashti ti ke vdekur! Nuk mund të luash as dorë, as këmbë, as gojë. Kështu kishte thane Toni, ai e dinte. Si i kishte ra ndërmend ky stratagjem? Lemi ndejti ashtu i shtrimë në pritje, pa mendue për asgjë. Pa ndjenja, si një grumbull gurësh. Qepallat e lodhura ia kishin mbyll sytё.
E zuri një dëshirë e madh për gjumë. Mos vallë po i vinte vërtet vdekja? Vetvetiu i erdhi në mendje një lutje latinisht që ai shushuriti ndër buzët e tij të përthame: “Pater Noster qui es in coelis…! Ai ishte besimtar. Iu duk se dora mbrojtëse e Zotit po shtrihej mbi të. Humbi ndjenjat.
Dielli po ulej tej horizontit të përflakun. Drita e kuqërremtë e rrezeve të lodhura, mbulonin natyrën me një ngjyrë tё kuqёrremtё. Të burgosurit e kishin mbaruar punën ditore. Ato po i ngjiteshin faqeve të kanalit, të lodhur, duke mbajt veglat e punës. Një hordhi e çuditshme.
Të leckosur, krejt baltë e djersë, ma të zez se të zitë. Athua njerëz të egër t’ardhun nga një botë tjetër. Rojet vinin vërdallë kërcënues, duke bërtite e çjerrë si të çmendu, me armët drejtuar mbi të burgosurit. Sa të pafajshëm kishin ra nën plumbat e tyre!
Befasisht Lemi ndjeu një peshën mbi trupin e tij. Ishin lopatat e dheut që hidhnin të burgosurit. Pushoftë në paqe! Requiescat in pace! I shkreti Lem! E mëshironin shokët e vuajtjeve në kalim e sipër duke kaluar pranë tij. Ai e mbajti frymëmarrjen deri sa të burgosurit u larguan. Hapi dheun për me marrë frymë. Duhma e fortë e dheut i erdhi në hundë.
Ishte lufta për ekzistencë. Me jetue, duhej një forcë karakteri dhe një forcë inercie që të shtyn përpara. Lojë e fatit apo vullnet i Perëndisë? Pse mos me i dhanë fund qyshë tashti gjithkasё? Pse me jetue? Filli i këtyne mendimeve u ndërpre sepse ai dëgjoj disa hapa të shoqnuem me zana. Ishin rojet që vinin për me kontrollue se, a ka vdekun kush.
Nuk kalonte një ditë që të mos vdiste ndonjë i burgosur nga stërmundimet. Kur ai e ndiente veten se i erdhi fundi, ngjitej nalt ku shtrihej i vdekur. Në mbarim të punës, shokët ia mbulonin trupin me dhe. Kjo skene makabre ishte bë e zakonshme. Pastaj vinte radha e Tonit, për me vërtetua vdekjen.
Lemi dëgjoi disa zana. Toni që ishte kërrus mbi të, foli:
-Po ky qenka akoma i gjallë!
-Kush asht. Mos e njeh ti?
-Jo, aspak. Po shikoni, qenka krejt kockë e lëkurë.
-Mbylle gojën! Atë e dimë ne. Ti shko e thirr dikë e na thuaj kush asht!
Toni, thirri dy të rij shkodranë, të cilëve u tregoi për Lemin. Ata shkuan menjëherë dhe e morën profesorin dhe e çuan te çadra e infermierisë. Të burgosurin e quanin, “çadra e vdekjes“.
Sa prej tyre kishin dhanë shpirt aty. Por për Lemin ishte shpëtimi. Toni me dy të rinjtë i sollën plaçkat e disa sende ushqimore dhe ujë të pijshëm. Aty me të ishin shtri dy të burgosun të tjerë. Lemi nuk pati kohë të merrte vesh asgjë, pse ra në një gjumë të thellë që e mbajti 24 orë. Kishte shpëtue.
Toni kalonte here pas here, i shoqëruem nga oficeri i rojёs. Gjatë qëndrimit në atë tendë, Lemi kishte përjetue vdekjen e një të burgosuni. Infermieri e kishte porositë Lemin që të mos lëvizte nga shtresa e tij dhe të rrinte sikur ishte duke dhanë shpirt. Aty sollën dhe dy të burgosun të tjerë në gjëndje shumë të randë. Çdo ditë Toni i çonte Lemit racionin e bukës, supën dhe diçka nga shokët e tij shkodranë që, e çmonin e respektonin shumë.
Një ditë, pas shqyrtimit të sëmurëve bashkë me infermierin, erdhi njëri nga rreshterët i cili, e kishte fiksue shikimin mbi Lemin, të shtrirë në shtratin e tij, sytë dhe gojën të mbyllur, i palëvizshëm.
– Po ky qen, nuk ka ngordhur akoma? Ka do kohë që është këtu. Mos vallë ka vdekur? Ndërkaq, ai i dha një shqelm Lemit. Ai i kishte dëgjue fjalët e rreshterit dhe duke i parapri së keqes, e ngriu trupin e tij për të mbrojtë veten. Kur ai mori goditje, ai nuk lëvizi fare, aq e kishte mbledh veten që trupin ta mbante si të ishte një copë dru.
– Bëj kontrollin, urdhëroi rreshteri, dhe ne qoftë se vërtetohet se ka ngordhur, gropose menjëherë këtë kërmë! Zbatoj mirë urdhrat tona, në qoftë se nuk do të përfundosh në kanal, si ky këtu!
– Si urdhro, u përgjigj Toni, që e kishte mbulue djersa, nga frika mos ai kapteri, jepte urdhën me e varrosë aty për aty Lemin, siç kishte ndodhë me dy të burgosur të tjerë, disa kohë ma përpara, të groposur për së gjalli. Egërsia e këtyre njerëzve, nuk kishte kufi.
Po afrohej një vjeshtë me kohë të keqe. Të burgosurit u rikthyen në burgjet respektive para afatit, prej shinave që kishin bllokuar vazhdimin e punimeve. Erdhën kamionёt ku të burgosurit u stivosshim duar e këmbë, të lidhura nën grykën e armëve të policëve. Ata linin mbrapa mjaft shokë fatzi, që kishin humbë jetën në baltë e kënetës së Maliqit, dhe të tjerë që u a kishin pushkatuar para syve.
Pёr ta ishte sikur tё ishte kthye nё shtёpitё e tyre. Së paku i kalonin muajt e dimrit tё strehuem e pa punё tё detyrueme. Familjet vinin e i takonin njëherё nё muaj e u sillnin ndonjё ushqim e ndёrresa.
Larg punës së stërmundimshme në kanalin faraonik të Vloçishtit dhe të krimeve të xhelatëve, dhe veçanërisht në sajë të vëllait Pashko, që e ndihmonte me ushqime, Lemi e mori veten dhe e transformoi historinë e tij në satirë, si shkrimtar e poet e, njeri i humorit siç ishte. Në burgun e Shkodrës, bashkë me shpëtimtarin e tij, Tonin e të tjerët, ishte një kënaqësi e madhe me e dëgjuar se si e tregonte ngjarjen me një zhvillim tragjiko- komik. Dhe ai ia niste:
– Kisha vendosë me vdek aty në kanal, siç isha katandisë në një thes me kocka, kur ja vjen një engjëll shpëtimtar…Toni, dhe mrekullia ndodhi. Kështu Lemi ringjallet, sipas urdhrit të infermierit Toni, që duke zëvendësue Krishtin e ringjalljes së Lazarit, urdhëroi: Lem çohu! dhe Lemi u çua.
Por ndodhitë e Lemit nuk kishin mbaruar. Mbasi i kishte shpëtuar mrekullisht një vdekje të sigurt, siç u tregua ma sipër, dhe mbasi kishte plotësua 5 vjetët e dënimit, ai lirohet. Jeton bashkë me të vëllanë Pashko ose Paçi. Shtëpinë ua kishte konfiskuar regjimi komunist, dhe ata jetonin së bashku në një dhomë me qera.
Duhej punuar me fituar bukën e përditshme. Parulla e partisë ishte, kush s’punon s’han. Diploma e profesorit s’pinte ma ujë. Zyra e punës e caktoi me punue në një gurore, në malin e Taraboshit. Me thye blloqe gurësh të mëdhenj me varré. Nuk kishte tjetër punë për të, i thoshin. Ai qeshte me vëllanë dhe shokët.
– Ja pra, unë jam duke u përgatitë me u diplomua në fakultetin e gurë-thyesve. Kjo punë ishte shumë e rëndë dhe shpërblimi mizerabel. Ai nuk mund të përfytyronte tjetër zgjidhje. Edhe dёshira me shkrue e lexue, i ishte hequr. Sa qё njё poemё prej pesё tingёllimёsh, kishte mbet pa mbaruar vetёm pёr tre vargje.
Stёrmundimet e Vloçishtit, e kishin reduktua nё njё robot. A do ta merrte veten njё ditё? Edhe kolegë të tjerë të tij ishin të nënshtruar të njëjtës punë, me thye gurë me disa varré shumë të rënda. I kujtohej Zhan Valzhani i Viktor Hygos, i burgosur në gurore. Ngushëllim i thatë.
Një ditë prej ditësh e thërrasin në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ai u gjet ball për ball me shefin e Degës, i gjithëpushtetshmi, kolonel Hilmi Seitin që, bënte ligjin në atë qytet. E kishte prit Lemin në zyrën e tij. Ishte çua në këmbë, i buzëqeshur e xhentil, duke e ftuar të zinte vend nё karrigёn para tryezёs e, duke i ofruar e ndezë një cigare “Partizani”. Pas tij, në mur, varej fotografia e Stalinit. Sikur buzëqeshte ironikisht nën mustaqet.
Koloneli e kishte pyet, si e ndiente veten dhe ç’bënte. Lemi ishte përgjigj, se ndihesh shumë mire dhe se ndiqte fakultetin e gurë-thyesve. Shefi kishte qeshë me të madhe, duke u treguar shumë i përzemërt. Mbasi shkëmbyen disa fjalë të rastit, koloneli kishte marrë një shprehje serioze.
– Dëgjo Lem, ne të njohim mirë. Në i çmojmë aftësitë e cilësitë intelektuale të tua, si profesor i letërsisë e gjuhësisë. Gjithashtu ne e dimë që ti, ke nderuar vendin tonë e qytetin tënd të Shkodrës. Duke pasë fituar diplomën me vlerësimin ma të lartë “Summa cum Laude”, në Universitetin e Padovës në Itali. Ne e vlerësojmë tepër këtë përgatitje të nivelit të lartë.
Lemi ndiqte me vëmendje fjalët e shefit, plot lëvdata ndaj tij. Ku donte me dalë? I shkonte mendja por tregohej fare i qetё.
– Partia e qeveria na kanë porositë që të kemi parasyshë aftësitë e tua intelektuale dhe profesionale, dhe me të ndihmue në këtë drejtim.
Mund të ushtrosh profesionin tënd si profesor i letërsisë në gjimnazet e Shkodrës. Gjithashtu do të kesh mundësi të ushtrosh talentin tënd krijues, si shkrimtar dhe të publikosh veprat e tua. Pra, ti e shikon vetë se partia e qeveria të shtrijnë dorën. Ti duhet të përfitosh nga ky fat e kjo bujari.
Lemi nuk hapi gojë. I përqendruar në vetvete iu kujtua vargu i Vigjilit në Eneidën, “Timeo Danaos et dona ferentes” (I kam frikë grekӫt dhe dhuratat qӫ mӫ bëjnё). Duke mos pas shprehur asnjë mendim, koloneli vazhdoi të flasë.
– E kuptoj që e ndien veten në një pozitë jo të pëlqyeshme, duke pasë qenë i dënuar dhe vuajtur burgun e dhe kampet e punës. Revolucioni mund të bëjë gabim në fillim, dhe ti e ke provuar mbi kurrizin tënd, pa qenë i fajshëm për asgjë. Populli thotë, “Bari i njomë shkon me të thatin”. Kёshtu ka ndodhё edhe me ty.
Por tashmë pushteti i Partisë Komuniste, është vendosur dhe afirmuar. Ne jemi të fortë më shumë se kurrë. Intelektualë si ti, duhet të vlerësohen dhe të lejohen të kontribuojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rij. Tani që ti je një njeri i lirë, duhet të gëzosh të drejtat e të përfitosh nga mundësia që të jepet.
Lemi u detyrua me u përgjigj:
– Ju falënderoj. Sigurisht se unë do t’isha shumë i kënaqur për të ushtruar profesionin tim si profesor, si dhe me shkrue dhe me botue veprat e mia. E vlerësoj propozimin tuaj dhe do t’isha dakord me u përfshi në jetën intelektuale e kulturore dhe me kontribue me aftësitë e mia.
– Shumë mirë Lem. Isha i bindur se një njeri erudit si ti, do ta kishte kuptuar e pranuar këtë propozim. Nuk mbetet veçse me firmos një dokument për angazhimin tënd për të kontribuar në ndërtimin e socializmit në vendin tonë, nën udhëheqjen e ndritur tё shokut Enver Hoxha, sekretari i parë i Partisë sonë.
Lemi e kuptoi se ku donte me dalë shefi. Bëni sikur po i ndiqte fjalët e tij, duke tundur kokën në mënyrë aprovuese. Por dardha e kishte bishtin mbrapa. Koloneli vazhdoi:
– Pra, unë mendoj se të do të jesh dakord me këtë mundësi që të jepet. Do të përfitosh shumë. Do të kesh privilegje dhe ne do të sigurojmë një apartament në qendër të qytetit. Por, sikur të thashë, duhet të firmosur një dokument angazhimi nga ana jote, që të jesh besnik ndaj partisë dhe regjimit tonë, dhe t’u shërbesh me devocion dhe sinqeritet.
Nga ana tjetër të bashkëpunosh me ne të Sigurimit të Shtetit, që unë përfaqësoj këtu në Shkodër. Ndërkaq shefi i kishte vu përpara një fletë letre tё daktilografuar, qё Lemi duhet tё firmoste.
– Ja Lem, mjafton vetëm një firmë e jote që të biem dakord dhe të përmbyllim angazhimin tënd përfundimtar.
Lemi qё i kishte hedh njё sy letrёs u pёrgjigj preras:
– Ç’far dokumenti? Unë jam dakord me gjithë ato që ju thatë, por unë, nuk jam dakord aspak me firmos këtë lloj dokumenti angazhues, për me u bë një bashkëpunëtor e spiun. Po qe se më keni thirr për këtë punë, ju nuk do te keni asnjë lloj angazhimi nga ana ime, as me fjale as me firmën time. Fytyra e shefit u transformua në vend, nga shprehja e ëmbël e njeriu t’urtë, në atë të një tigri t’egërsuem.
– Kështu e kundërshton bujarinë tone? Ti dashke të vazhdosh të jesh një armik i popullit e i partisë? Mirë, do të presi toga e pushkatimit ose do të ngordhësh në fund të një biruce t’errtë burgu. Firmos Lem, po deshe te jetosh edhe disa ditë i qetë, bërtiste koloneli me zë të çjerrë krejt i xhindosur me fytyrën e skuqur nga mëria.
– Kurrë! Bani ç’të doni me mua. S’e kam frikë vdekjen. Më vrisni ose me hidhni në burg, qysh tashti. Ja ku më keni!
– I mjeri ti! Nuk hedh firmë? Ti nuk pranon të bashkëpunosh me ne? Ti i hedh poshtë propozimet tona? Mirë, mund të dalësh gjallë nga kjo zyrë, por ke për ta paguar shtrenjtë këtë demonstrim armiqësor dhe përbuzёs ndaj partisё e regjimi tonë!
Lemi u ngrit nga karrigia dhe doli pa përshëndet. Nga fotografia, Stalini, vazhdonte të hidhte vështrimin e tij sarkastik.
Pas disa muajsh, Lemi arrestohet dhe izolohet në një qeli të burgut të Shkodrës. Aty ndeji shumë kohë pa pa njeri, veç rojeve që i binin bukë e ujë, dhe, e zorshme me u besue, edhe cigare me gjithë shkrepëse. Ai e kuptonte se ishte një lojë e kolonelit. Sigurisht se ai kërkonte t’i bënte presion paraprisë pёr orvajtje tё tjera ndaj tij. Një lloj paralajmërimi që të mendonte për atë, që i kishte propozuar.
Dhe ja një ditë dera e qelisë hapët dhe një kapter i policisë e urdhëron që ta ndiqte, pa i vu prangat. U gjet në një dhomë, ku pas një tavoline të zakonshme, ishte ulur vetë shefi, Hilmi Seiti. Ai i bani me shenj të ulej në karrigen përball tij. Profesori nuk kishte lëviz buzët për ta përshëndetur, dhe u ul nё karrigёn i heshtur. Kësaj radhe nga muri e vështronte Lenini. Koloneli iu drejtua :
– Kështu Lem, arrestimi yt asht i lidhur me programin e partisë për me bë “piazza pulita” me kundërshtarët tonë ma të rrezikshëm.
Lemi s’u pёrgjigj. Ai e kishte parandie këtë takim tӫ dytӫ me përfundim të parashikueshme. Ç’far do të banin me të? Ai e priste me stoicizmë, fundin e kësaj çështje.
– Lem, veni gishtin kokës e mendohu, për pasojat e rënda që do kesh. Ne të japim mundësinë e tё kemi shtri dorёn qё të bëhёsh pjesëtar i shoqёrisё sonё e, tё gёzosh privilegjet qё ne tё ofrojmëё. Mos e refuzo kёtё rast unik e bujar, qё të jetosh i qetë e i lumtur.
Tӫ krijosh dhe familje. Vetëm një firmë e jote na vë dakord të gjithëve. Unë kam folur me shokët e partisë, që të njohin e të vlerësojnë shumë. Ata tregohen shumë të kënaqur të të shohin të përfshirë në shoqërinë dhe jetën socialiste. Shefi i dha fund bisedës, duke u tregua i mirësjellur dhe i prirur për mirë ndaj tij. Lemi e kishte mbledh veten dhe foli
-Ju a kam dhanӫ përgjigjen time. Nuk mund ta pranoj kurrë atё ofertё. Ju mund të bani ç’të doni me mue mbi jetën dhe trupin, por jo mbi mendjen e shpirtin tim. Nuk do të pranoj kurrë të njollos veten me turp e përbuzje. Dhe ndёrkaq, i dha njё tё shtyme e letrёs drejt kolonelit. Ky u tërbue nga inati dhe u kthye në një egërsinë, duke u çue nё kambё e duke bertitë me sa za kishte, ndӫrsa pӫrplaste duert mbi tavolinӫ.
– Mirë të te bëhet. Do t’i marrёsh ato që po kërkon. Nuk do të dalësh kurrë prej burgjeve e kampeve të internimit, në qoftë se i shpëton pushkatimit. Vetë e ke kërkuar! Kapter Sulo, merre kёtё armik e, mbylle atje ne birucë dhe mësoje që të sillet më mirë!
Sa e çuan ne birucë, kapteri dhe dy policë të tjerë, u hodhën mbi të me grushta e shqelma, deri sa ai humbi ndjenjat i shtrimë mbi dyshemenë prej betoni. Kur ra nata dhe erdhi nё vete e lanӫ tӫ shkonte, sa mezi ecte. Pas disa ditëve, ia behӫn disa policӫ nӫ shtӫpinӫ ku banonte me vӫllanӫ. I vunë prangat dhe e hipën mbi një kamion me ato pak plaçka që kishte.
Makina ishte plot me të arrestuem të tjerë të prangosur si ai, të ngjeshur bri njeni tjetrit. Nӫn rojӫn e policëve t’armatosur deri në dhëmbë.
Lemin e shokët e tij, të gjithë intelektualë shkodranë, i mbyllën në kampin e Shtyllazit, ngjit me atë të burgosurve, dhe i nxorën në punë të detyrueshme në hapjen e një kanali të madh, bashkë me të burgosurit. Kampi i Shtyllazit në fushёn e Fierit, ishte vendosur pranë rrënimeve të qytetit tӫ lashtӫ të Apollonisë. Bashkë me Lemin, ishin internuar nja 100 vetë nga qytete tё tjerё, shumica intelektualë.
Gjysma e tyre ishin mbi 60 vjeç, dhe i kishin bë nga 5 deri 10 vjet burg. Ish-funksionarë të naltë, ministra, oficerë, shkrimtarë e profesorë, qӫ i kishin shpӫtue pushkatimit. Shtyllazi, u transferua ne Kuç të Kurveleshit, kamp izolimi, ku i mbajtën katër vjet, 1954-1958. Kёtu Lemi nisi punёn e madhe tё pёrkthimit tё poemit tё Lodoviko Ariostos ‘Orlando Furioso”.
Ndёrkaq ata e çuen në Lushnje, qё ishte caktue si qendёr internimi. Ku pёrveç disa pleqve, tё tjerёt i detyruen tё punonin nё bujqёsi. Mё 1962, Lemi martohёt me zonjushёn Marie Muzhani, bij e Prof. Luigj Muzhanit, e cila kishte pranue tё martohёt me Lemin, duke nda internimin me tё. Mё 1964-ën u ba njё lirim, ku Lemi pёrfitoi e u vendos nё Tiranё, pranё familjёs sё grues.
U duk se morёn fund telashet e tij. Por jo, pati një pësim tjetër S’kaluen dy muaj dhe e arrestuan e ngarkuan mbi njё kamion me gjithё gruan dhe e degdisёn nё fshatin e humbun Ndёrnenas tё Fierit. U lirua me një falje më 1964, ku qëndroi 25 vjet deri 1989. Kёtu ai e vazhdoi punёn e pёrkthimit, nё kondita tё tilla tё pamundshme. Arriti ta pёrfundojё pas 17 vjetëve, njё kryevepёr nё kryevepёr. Testament tij i pёrjetshёm. Kështu heroi ynë, i përmbushi 45 vjet dënime të ndryshme, burgje e kampe pune e internimi.
Pasojat i shkaktuan një sëmundje të rëndë, që i dridheshin duart e nuk mund të shkruante. Kaloi ne Itali, ku pas disa muajve u vendos nӫ qytetin Perugia, i ndihmuar nga njё shoqate humanitare. Aty, me gjithё ndёrhymjet e mjekёsisё, kaloi nё gjendje pa shpresё dhe vdiq në mars 1994. Por ai kishte lanё një vepër poetike monumentale, kryevepra e tij, “Orlandi i çmendun”, prej prej 40 mije vargjesh…!
Diçka qё njё mendje e shёndoshё s’mund ta konceptojё, as pёrfytyrojё, pёr kushtet nё tё cilat u krye. Kurajo nuk i mungoi kurrë. Me atё vepёr ai iu kundёrvue me vendosmeni e vullnnet tё pathyeshёm diktaturёs qё deshti ta shuante fizikisht e mendërisht. Njё hero i vёrtetё i mendimit.
E bukur, kur rrinte nё shoqnin tonё, qeshte duke na tregue katёr vёllimet dorёshkrim prej 400 faqёsh secili:
-Tani e kuptoi se paskam qenё ma i çmendur se Orlandi, se me mend nё kokё, s’do ia kisha nis kurrë kёsaj pune. Rri tuj mendue, a jam a s’jam unё qё i kam shkrua me dorёn time kёto libra? Aq sa çuditem me vetveten. Jo or Lem, asht njё Lem tjetёr qё i ka shkrue!
Ai u shkëput nga jeta tokësore, i ndjekur nga e shoqja, pa lanё trashëgim, pёrveç kujtimin e kalvarit të tij të mundimeve. Por njӫkohӫsisht duke lanӫ njӫ vepӫr me tӫ cilӫn do tӫ jetӫ i pranishӫm nӫ faqet e letёrsisё e shoqnisӫ shqiptare. Përmbyllja, sa e trishtë aq edhe heroike është qёndresa e tij, pӫr si ai e pӫrballoi me vendosmӫri dhe krenari, terrorin e diktaturӫs komuniste. Memorie.al