Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të “Vajzave me kordele të kuqe” e cila vjen nëpërmjet dëshmive të rralla, të Tomorr Dosti, i biri i Hasan Dostit, ish-Ministër i Drejtësisë në qeverinë e Mustafa Krujës, nën pushtimin Italian dhe kreu i Komitetit për Shpëtimin Kombëtar, i dalë nga Konferenca e Mukjes, i cili në ’44-ën u largua nga Shqipëria bashkë me Mithat Frashërin dhe u vendosën në SHBA, pas vdekjes së Mit’hatit në 1949-ën, ai drejtoi për shumë vite Komitetin “Shqipëria e Lirë” që mbështetej nga qeveria e SHBA-ve, duke përfaqësuar Shqipërinë në të gjitha Kongreset e “Popujve të robëruar” që mbaheshin në Europë dhe SHBA.
Historia tragjike e familjes së Hasan Dostit, njeriu që morri me vete Enver Hoxhën në vitin 1936, në Shkodër për të marrë eshtrat e Çerçiz Topullit e Muço Qullit, duke i dhënë të lexonte edhe fjalimin e tij, nga ballkoni i Bashkisë së Shkodrës dhe për afro shtatë vjet, nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe ajo e pushtimit të vendit, mbajti në shtëpinë e tij në Tiranë, Nexhmije Hoxhën, Nefo Puto Myftiun e Naxhije Dumen, shoqe klase të bijës së tij, Shanisha Dostit, për të cilat vite më vonë u realizua filmi “Vajzat me kordele të kuqe”!
Si vuajtën në burgje dhe internime të gjithë fëmijët e Hasan Dostit (pesë vëllezër e tre motra), që nga viti 1944 e deri në 1991-in, duke filluar nga Shanishaja, e cila pasi kishte studiuar dy vite universitet në Itali në degën Farmaci, u internua në vitin 1945, duke punuar në kanalet e ndërmarrjes Komunale të Durrësit, për të përfunduar më pas në burgun e Kosovës së Lushnjes, për pesë vjet për “agjitacion e propagandë”!
Ku është shkolluar babai juaj, Hasani?
Ai fillimisht është shkolluar në Greqi, në Filipiadhë dhe më pas është kthyer në fshatin e lindjes, Kardhiq, ku në vitin 1907 mbaroi shkollën fillore. Këto që po ju them, babai i ka lënë të shkruara me dorën e tij dhe fatmirësisht janë ruajtur, pasi babait i është djegur tri herë biblioteka me qindra volume libra dhe dokumente gjithashtu.
Çfarë shkruan babai në ato kujtime lidhur me shkollimin e tij?
Ja po ua lexoj kujtimet e tij: “Kur ndiqja shkollën greke, gjatë muajve të verës, vija në Kardhiq. Atë vit dhe më pas, sipas zakonit, këndoja me shokët e fshatit këngët heroike të Gjolekës, të Luftës së Lëkursit, të Abdyl Frashërit, të Ismail Qemalit etj. Këngët heroike të Labërisë, janë histori. Në 1907-ën ndiqja mësimet, herë në gjimnazin turk të Gjirokastrës dhe herë në atë të Janinës, sipas gjendjes financiare të tim eti. Aty në vitet 1907-1908, mësova prej Mihal Gramenos, (kur ky vinte në Kardhiq me Çerçiz Topullin), shkrimin shqip, sipas alfabetit të kohës. Në vitin 1912, fitova një bursë shteti me konkurs dhe ndoqa mësimet në gjuhën frënge në kolegjin “Alliance Universlle Izraelit” të Janinës. Më 1914, pikërisht kur po përgatitesha për provimet e vitit të fundit, detyrohem të largohem prej Janinës, pasi mësova prej disa gjirokastritëve se Kardhiqi ishte djegur. Këtë fat kishin pësuar fshatrat myslimane të Gjirokastrës dhe Korçës, prej bandave të qeverisë së Epirit, të shpallur më 2 mars. Në Vlorë arrita në maj 1914”.
Si vijoi më tej shkollimi i tij?
Është histori e gjatë, por po i bie shkurt: Në vitin 1915, babai vazhdoi një shkollë xhandarmërie që u hap në Vlorë, ku fitoi disa grada deri në kapiten i parë dhe falë disa gjuhëve të huaja që ai zotëronte, si: turqisht, greqisht, frëngjisht, italisht dhe anglisht, punoi përkthyes deri në vitin 1917 dhe si arkëtar i Prefekturës së Vlorës deri në 1919-ën. Nga viti 1918, babai ishte në rolin e arkëtarit të shoqërisë “Lidhja Djelmoshe” që kryesohej nga Petro Korçari si kryetar dhe Avni Rustemi, si sekretar. Në 1919-ën kthehet në Gjirokastër si arkëtar i Prefekturës dhe në 1920-ën, Qeveria e Sulejman Delvinës, e emëron kryesekretar të Prefekturës, me prefekt, Kol Tromarën.
Sa kohë punoi aty?
Në atë detyrë babai punoi deri në vitin 1922 kur dha dorëheqjen, pasi ishte i martuar e me fëmijë (kishte lindur motra e madhe, Shanishaja), dhe në atë kohë iku në Francë për të plotësuar studimet që i kishte ndërprerë në vitin 1914.
Dhe ku u diplomua…?
Me një bursë të fituar, pasi mori provimet e maturës franceze, (Bachelier) babai, për pesë vite ndoqi studimet e larta në Drejtësi dhe për Shkenca Politike në degën, Ekonomi dhe Financë, ku dhe u diplomua në vitin 1928. Gjatë asaj kohe që ndiqte studimet në Francë, ai kishte kontakte me emigrantët shqiptarë që ikën nga Shqipëria pas ngjarjeve të fundit të vitit 1924, pra pas rikthimit të Zogut në pushtet, dhe kur vinte në Shqipëri për pushime, i dyshuar për këto kontakte, nga ana e autoriteteve shtetërore ai mbahej disa kohë nën vëzhgim. Në përfundim të studimeve, babai përgatiti një tezë mbi Marksizmin, të cilën ai e kritikonte në përgjithësi, por nuk arriti ta mbronte tezën, pasi iu ndërpre bursa dhe nuk u lejua më që të vazhdonte. Por gjatë qëndrimit në Paris, ai pati rastin të njihej me shumë emigrantë rusë, ku prej tyre dëgjonte dëshmi për tmerret e Revolucionit Bolshevik dhe të luftës civile, gjë të cilën atëhere as nuk do e mendonte kurën e kurës, se e ardhmja do t’i rezervonte të njëjtin fat.
Kur u kthye babai në Shqipëri dhe ku punoi?
Pasi mbaroi studimet, babai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe fillimisht punoi si avokat në Gjirokastër dhe po atë vit, në atë qytet u krijua Shoqëria “Dele”, me kryetar Bajo Topullin dhe sekretar, babain, Hasan Dostin. Qëllimi krijimit të asaj shoqate ishte të ndihmonin për zhvillimin e blegtorisë, aktivitet i cili në atë kohë ishte me shumë rëndësi për ekonominë kombëtare. Një vit më vonë, më 1929-ën, babai u emërua gjykatës në Berat dhe më 1931-in, emërohet ndihmës-anëtar i Gjykatës së Diktimit (Gjykata e Lartë) në Tiranë. Aty shërbeu deri në vitin 1932, kur kjo gjykatë nën drejtimin e Thoma Orollogait, u përfshi në një konflikt me autoritetet e larta shtetërore, për shkak se kjo gjykatë, rrëzoi si të bazë një vendim të gjykatës së Shkodrës, në dëm të pretenduesve të pasurive të Vezirit të Shkodrës (Bushatllinjve). Kjo gjë morri karakter politik dhe me propozim të Këshillit të Ministrave, Mbreti Zog, dekretoi pushimin nga puna të gjithë trupit gjykues të Diktimit, nga ku siç thashë u largua dhe babai
Ku punoi babai pasi u largua nga Gjykata e Lartë?
Babai u kthye në Berat për të ushtruar profesionin e avokatit, por pas pak muajve punë, po në vitin 1932, u arrestua duke u akuzuar si i implikuar në një organizatë të fshehtë kundër regjimit. Bëhet fjalë për “Lëvizjen e Vlorës”, ku u arrestuan dhe u dënuan me gjyq një numër i madh personalitetesh, si: Qazim Kokoshi, Skënder Muço, Myqerem Hamzarai, Hysni Lepenica, Dr. Seit Bilali, Dr. Tare Libohova, Murat Terbaçi etj., e deri biri i Ismail Qemalit, Seit Qemali.
Çfarë ishte ajo organizatë dhe a ishte i implikuar vërtetë babai juaj, Hasan Dosti?
“Lëvizja e Vlorës”, është një histori e gjatë që nuk është vendi të ndalemi këtu, por unë po u tregoj atë çka ka shkruar Dr. Tare Libohova, miku i ngushtë i babait, në një letër që ai i bënte Mbretit Zog nga Stambolli ku shkoi në emigrim pas daljes nga burgu, (fillimisht ishte i dënuar me vdekje), ku ndërmjet të tjerash, në analizën që ai i bënte asaj ngjarje që nga fillimi dhe deri te proçesi gjyqësor, i thoshte se: “Ajo “Lëvizje”, ishte më shumë si një pjellë e një fryt e fantazisë së Ministrit të Brendshëm, Musa Juka, një zell i tepruar i tij, për të fituar simpatinë dhe për të forcuar pozitën e tij personale tek Mbreti Zog”.
Sa vite u dënua babai dhe kur u lirua nga burgu?
Hasani u dënua me 15 vite burg, por vuajti vetëm rreth pesë vite, pasi ai u lirua në fundin e vitit 1935, me rastin e amnistisë që dha Mbreti Zog për nder të festës së 28 nëntorit, shpalljes së Pavarësisë, ku u liruan dhe ata që ishin dënuar me vdekje.
Pas daljes nga burgu, ku punoi Hasani?
Babai u rikthye përsëri në Berat duke ushtruar profesionin e avokatit dhe në vitin 1937, me ndërhyrjen e Thoma Orollogait, (në atë kohë ministër i Drejtësisë), u emërua kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë në Korçë dhe pa mbushur një vit punë në atë detyrë, emërohet si anëtar i Gjykatës së Diktimit, në Tiranë (Gjykata e Lartë), dega penale, ku si kryetar ishte emëruar, Agjah Libohova.
Në ç’rrethana jeni njohur ju si familje për herë të parë me Nexhmije Hoxhën?
Nexhmije Xhuglinin, ne si familje e kemi njohur për herë të parë diku nga viti 1937-të kur ishim vendosur me banim në Tiranë, pasi ajo ishte shoqe e ngushte dhe në një klasë me motrën tonë të madhe, Shanon (Shanisha Dosti), dhe të dyja ishin nxënëse në Institutin Femëror, “Nëna Mbretëreshë” këtu në Tiranë. Kurse Shano me Nexhmijen njihej më herët, që nga viti 1935-’36, kur ne ishim ende me shtëpi në Berat, pasi ato të dyja ishin konviktore në Tiranë te Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”. Dhe nisur nga kjo, Nexhmija bashkë me Nefo Puton, (motrën e Arben Putos, gruan e Manush Myftiut), e disa vajza të tjera shoqe klase dhe shkolle me to, vinin rregullisht pothuaj çdo fund javë në shtëpinë tonë, pasi ato të ishin konviktore.
Po me Nefo Puton, prej Nexhmijes jeni njohur?
Jo, Nexhmija është njohur me motrën tonë prej Nefos, pasi me familjen e babait të saj, Qazim Puto, nga Gjirokastra, babai kishte miqësi të vjetër. Nisur nga ky fakt, gjatë periudhës që kemi qenë në Korçë, ne kemi mbajtur në shtëpi, Arben Puton, i cili ishte student siç i thonin atëhere, në Liceun Francez të Korçës, dhe ligji i kohës së Monarkisë së Zogut, kushtëzonte që një nxënës apo student konviktor, duhet të kishte një familje në atë qytet ku mësonte që të dilte garant dhe ta kishte nën kujdestari. Dhe këto gjëra bëheshin me dokumenta të rregullta, ku familja që e merrte në kujdestari një nxënës, firmoste dhe mbante përgjegjësi për të, kryesisht për fundjavat që e merrte në shtëpi. Jua thashë këtë, pasi kur do vinim më pas me banim në Tiranë, familja jonë, pra babai, Hasani, mori nën kujdestari, motrën e Arben Putos, Nefo Puton, (më pas gruaja e Manush Myftiut), e cila siç ju thashë ishte edhe në një klasë dhe shoqe të ngushta me motrën tonë të madhe, Shanon.
Po për Nexhmijen, kishte firmosur babai juaj, Hasani, ashtu si dhe për Nefo Puton?
Këtë nuk di ta them të saktë, por mendoj se pa një garanci, qoftë dhe me gojë dhe jo të shkruar siç e kishim me Nefo Puton, nuk lejohej në mënyrë kategorike që një nxënëse konviktore, të dilte pa leje nga konvikti dhe të shkonte te një familje. Kjo gjë, nuk lejohej as në ciklin e lartë dhe jo më në ciklin e ulët të Institutit “Nana Mbretneshë”, ku kishin qenë që nga fillimi, motra jonë, Shano me Nefo Puton e Nexhmijen. Kishte rregullta shumë strikte arsimi në atë kohë, që ishin implementuar nga Perëndimi.
Ku ishte shtëpia juaj që vinte Nexhmija me Nefo Puton?
Në atë kohë ne kemi banuar te një shtëpi që ndodhet dhe sot diku në mes Rrugës Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, fare pranë Ministrisë së Arsimit, nga ana e prapme e saj, te Rruga “Kont Urani” siç quhej atëhere, përballë shtëpisë së Dr. Harxhit. Apo të jem më i saktë, shtëpia ku banonim ndodhet diku prapa ish-Gjykatës së Tiranës, ku sot ka disa studio ligjore, zyra avokatie, noterë etj. Ajo ishte një shtëpi qerpiçi dykatëshe dhe ne ishim qiraxhinj aty.
Kush vinte tjetër në shtëpinë tuaj nga shoqet e motrës suaj, përveç Nefo Putos dhe Nexhmije Hoxhës?
Vinin edhe disa vajza të tjerë, si: Naxhije Dume (gruaja e Nesti Kerenxhit, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1945-‘49), Xhorxhina Hodges, një vajzë nga Saranda, Polikseni quhej, mbiemri s’më kujtohet tani, etj.
Prej sa personash përbëhej familja juaj?
Në ishim shumë: Babai, nëna (që ne i thërrisnim Ane), pesë vëllezër dhe tre motra. (Shanishaja, motra e madhe, dt. lindja, 1922, Tefta, 1923, Viktori, 1925, Luani, 1927, Veronika 1929, unë, Tomorri, 1930, Leka 1931 dhe Ernesti 1936. Bashkë me ne në një shtëpi jetonte dhe xhaxhai, Kutbiu, që ishte mësues.
Sa shpesh vinte Nexhmija te shtëpia juaj dhe për sa kohë?
Nexhmija me shoqet e tjera që përmenda më sipër, vinin pothuaj çdo fund jave, por ndonjë herë edhe ditë të tjera të javës, pasi ne e kishim shtëpinë jo shumë larg me shkollën e tyre, Institutin “Nana Mbretneshë” dhe ato përfitonin nga rasti e vinin kollaj aty. Pra, nga shkolla te shtëpia jonë, as 10 minuta rrugë nuk ishte, pasi atyre u duhej të kalonin vetëm sheshin “Skënderbej” dhe vinin ose nga rruga e Kavajës, ose nga Rruga e Durrësit.
Ju e mbani mënd Nexhmijen dhe shoqet e tjera që vinin në shtëpinë tuaj?
Posi nuk i mbaj mënd, si tani. Madje unë shkoja dhe i merrja në fund-javë të shkolla, ose vëllai, Viktori, i cili ishte pesë vite më i madh se unë dhe ai ishte caktuar nga babai që të shkonte dhe t’i merrte shoqet e motrës te konvikti. Por kur ai ishte duke mësuar, apo duke luajtur me shokët, shpesh më dërgonte dhe mua.
Pse nuk vinin vetë ato?!
Jo, sepse ishte rregull që po mos të shkonte një person nga familja që ishte garant për to, për t’i marrë në fund-javë, nuk lejohej që të dilnin nga konvikti. Madje, jo vetëm duhej të shkonim që t’i merrnim të shtunën pasi mbaronte mësimi, por edhe t’i përcillnim prap të dielën në darkë apo të hënën në mëngjes, deri tek dera e konviktit. Kjo bëhej që vajzat konviktore që të ishin nën kontroll dhe të sigurta për çdo gjë.
Kujtoni ndonjë bisedë me Nexhmijen kur shkonit për t’i marrë dhe për t’i përcjellë përsëri për në shkollë?
Unë kam qenë më i vogël dhe pak kujtoj, por Viktori që ka qenë pesë vite para meje, ishte “familjarizuar” shumë me to dhe kujtonte shumë biseda. Viktori na tregonte se pasi i përcillte vajzat, kryesisht, Nefon me Nexhmijen, se ato të dyja vinin për të fjetur të shtunave dhe të dielave te ne, kur ndaheshin te porta e konviktit, Nexhmija i thoshte: “Tori, mos harro të vish të na marrësh të shtunën që vjen”.
Te shoqet e motrës suaj, përveç Nefos dhe Nexhmijes, përmendet edhe Xhorxhina Hodges. Nga mbiemri duket e huaj…?!
Jo, edhe Xhorxhina shqiptare ishte, por mbante atë mbiemër pasi atë e kishin adoptuar një familje angleze që ishte asokohe në Shqipëri. Edhe emrin në mos gaboj, ia kishin modifikuar. Në mos gaboj, Xhorxhina, ishte e motra e Zoica Haxhos, balerinës së famshme të Operas e Baletit, që ka qenë e “Heroinë e Punës Socialiste”. Nuk e disa sa i saktë jam për këtë dhe ma merrni me rezerva, pasi kanë kaluar gati më shumë se 75 vjet që nga ajo kohë.
Për sa vite vazhdoi Nexhmija me Nefon të vinin në shtëpinë tuaj?
Po afro shtatë vjet, që nga viti 1937 kur ne erdhëm në Tiranë e deri nga viti 1942-’43, pasi ato vazhduan të vinin edhe pas mbarimit të Institutit “Nana Mbretneshë”, pasi motra, Shano, e ruajti miqësinë me to.
Si shpjegohet, pasi në vitin 1942, babai juaj, Hasan Dosti, ishte ministër i Drejtësisë në qeverinë e asaj kohe nën pushtimin Italian, ndërsa ato, Nexhmija me Nefon e Naxhije Dumen, ndërkohë ishin angazhuar në Lëvizjen Antifashiste dhe Rininë Komuniste. Si mund të vinin ato në shtëpinë tuaj…?!
Duket e pabesueshme, por është shumë e vërtetë që ata kanë ardhur, pasi dhe motra jonë bënte pjesë me Grupet Antifashiste, ku pjesa më e madhe e tyre ishin bashkuar apo ishin me Rininë Komuniste. Dhe për këtë arsye, sapo babai, Hasani, e morri vesh për motrën tonë, Shanon, që merrej me ato gjëra, pra që bashkëpunonte, apo më saktë ishte pjesë e atij grupi vajzash me ideale komuniste, e hoqi dhe e dërgoi për studime të larta në Itali, në degën e Farmacisë. (Nuk qëndronte atje, por shkonte dhe vinte kur kishte provimet). Po ju them edhe faktin tjetër, jo vetëm kaq, por Xhorxhina Hodges, ka ardhur në shtëpinë tonë me uniformën e partizanes me armë ne brez dhe ne e kemi pritur e përcjellë njësoj sikur të kishte qenë motra, jonë, Shano. Faktin që ato vajza, pra shoqet e motrës vinin në shtëpinë tonë, e ka pranuar vetë Naxhije Dume, në kujtimet e saj të bërë publike tashmë prej vitesh, ku midis të tjerash ka shkruar: “Ne, me Nexhmije Xhunglinin, Nefo Puton etj., i bënim mbledhjet tek shtëpia e ministrit, Hasan Dosti, pasi kishim shoqe të ngushtë, Shanishanë, vajzën e tij…”. Por desha të shtoj se në atë kohë nuk shikoheshin këto gjëra, pra ndarja; komuniste-balliste, me atë sy që u panë pas mbarimit të Luftës. Vetë Enver Hoxha, rrinte tek shtëpia e kunatit të tij, Bahri Omarit, që ishte ministër i Punëve të Jashtme dhe eksponent i lartë i Organizatës nacionaliste, Balli Kombëtar./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016