Hysen Likdisha
Memorie.al publikon historinë e panjohur të arrestimit dhe dënimit të 14 personave, të akuzuar si të përfshirë në “grupin fashist” të Zerqanit, në verën e largët të vitit 1946, e cila asokohe bëri bujë të madhe por ka mbetur mister deri në ditët e sotme. Edhe pse u tha si akuzë për ta “sabotatorë të pushtetit”, ku 3 prej tyre u dënuan me vdekje dhe 11 të tjerët 142 vite burg, asnjë akt i tillë sabotazhi, nuk u bë i ditur publikisht, por në opinionin publik, arrestimi dhe dënimi i tyre, përcillej me etiketën “armiq të pushtetit popullor”. Kaq mjaftonte në atë kohë, për të justifikuar, çdo lloj arrestimi e dënimi, për ata që ishin apo konsideroheshin, kundërshtarë të regjimit komunist, gjë e cila ishte praktikë e njohur që komunistët përdorën në fillimet e pushtetit të tyre, për eliminimin e kundërshtarëve të tyre politikë.
Që në ditët e para të ardhjes në pushtet në nëntorin e vitit 1944, regjimi komunist i Enver Hoxhës e vazhdoi revanshin ndaj kundërshtarëve të tij politik, gjë të cilën e kishte nisur që nga periudha e pushtimit, e cila nga një Luftë Antifashiste, degradoi në një luftë për pushtet, me nuanca të Luftës Civile. Si rezultat i kësaj, në vitet 1945-1949, në kuadrin e “aksionit të çarmatimit”, u kryen reprezalje të mëdha me arrestime, internime, tortura, vrasje dhe ekzekutime, me dhe pa gjyq, kryesisht në rrethet e veriut të vendit, atje ku rezistenca ndaj forcave komuniste partizanë kishte qenë më e fortë. Si p.sh. ekzekutimet që u bënë asokohe në Gurëz të Kurbinit, (viti 1946, ngjarja e vrasjes së Rexhë Deliut), në Shën-Kollë të Lezhës, në Mirditë (viti 1949, ngjarja e Bardhok Bibës), etj., në Qarkun e Shkodrës. Ndërsa këto ngjarje tashmë janë të njohura, Memorie.al ka mundur të sigurojë dokumentin arkivor për një ngjarje tjetër të ndodhur në rrethin e Peshkopisë në vitin 1946, ku u arrestuan 14 persona dhe tre prej tyre u dënuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, kurse të tjerët u dënuan me vite të gjata burgu. Lidhur me këtë, në Akt-Gjykimin e të ashtuquajturit “Grupi fashist” i Zerqanit, me Nr.572 dhe Nr.192 vendimit, mbajtur më 5 gusht 1946, nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit, gjyq i cili u zhvillua në sallën e hotel “Defrimi”-t në qytetin e Peshkopisë. Një histori kjo e shumëpërfolur në atë kohë në Zerqan të Dibrës, ku më 22.06.1946, u arrestuan 14 persona, të akuzuar si “sabotatorë” të pushtetit. Në zbardhjen e këtij vendimi nga ana e gjykatës, thuhet qartë, se: anëtarët e këtij të ashtuquajturi “grup fashist” i Zerqanit, propagandonin ndër katunde, kundër pushtetit popullor, duke provuar kështu, jashtë çdo dyshimi, se arrestimi dhe dënimi i 14 personave, ishte thjesht politik, si kundërshtarë të regjimit komunist.
Nga 14 persona të arrestuar, shumica ishin banorë dhe të ardhur me punë në Zerqan, por edhe nga zona përreth si Okshtuni, Gryka e Vogël dhe Maqellara.
Akt-Gjykimi i të ashtuquajturit “Grupi Fashist” i Zerqanit
Gjykata Ushtarake e Elbasanit, e formueme prej kapiten Qirjako Deçka kryetar, toger Elmas Ruçi, anëtar dhe n/toger Ali Rexha anëtar, tue qenë gati Prokurori Kapiten i II-të Naim Kuçi, dhe në asistencën e sekretarit Kabuli Sulo, sot me datën 5 Gusht 1946, u mblodh në sallën e Hotel “Defrimi”-t, në Peshkopi, për të gjykuar të pandehunit e arrestuem në datën 22/6/1946
- Abedin Cani vjeç 34, lindur e banues në katundin Tërnovë.
- Zejnel Cani vjeç 40, punëtor, lindur e banues në Zerqan
- Mehmet Aliu vjeç 31, lindur e banues në katundin Sopot
- Shuaip Bektashivjeç 21, lindur e banues në Zerqan, tregtar
- Shefqet Ballavjeç 29, mësues feje, lindur e banues në katundin Okshtun
- Ram Xhetani vjeç 55, bujk, lindur e banues në Bocevë
- Bilal Halili vjeç 41, lindur e banues në katundin Homesh
- Iljaz Markaj vjeç 40, lindur e banues në katundin Zogaj
- Xhevat Xhidri vjeç 27, lindur e banues në katundin Kërçisht
- 10. Mexhit Asllani vjeç 34, lindur e banues në katundin Allaj-Begi, kapiten i zyrës së rekrutimit Zerqan.
- Bukurie Muça vjeç 21, lindur në Elbasan dhe mami në Zerqan.
- Islam Alliu vjeç 53, lindur e banues në katundin Strikçan
- Shaqir Haxhiu vjeç 49, bujk lindur e banues në katundin Sopot.
- Tufik Balla vjeç 32, mësues në Zerqan, lindur e banues në katundin Okshtun.
T’ A K U Z U E M: Sabotatorë të Pushtetit
G J Y K A T A: Pasi dëgjoj; a) komunikatën e Prokurorit, b) apologjinë e të pandehunvet, c) dëshmitarët e akuzës, d) pretencën e Prokurorit, mbrojtjen e avokatvet dhe fjalët e fundit të të pandehunvet: Pasi shqyrtoj të gjitha aktet që ndodhen në dosjen relatuar, pasi bisedoj çështjen në fakt dhe me drejtësi:
O B S E R V O N: Se që të 14 të pandehunit të organizuar në nji grup Fashist në bashkëpunim të ngushtë janë bërë vegël qorre e kriminelëve të luftës, t’arratisun Mahmut Previzit e Shemsi Hatipit dhe të tjerë.
Ky grup i udhëhequn nga nji Komitet inisjator i përbërë nga Kryetar Shefqet Balla , Sekretar Tefik Balla, Arkëtare Bukurije Muça, dhe anëtar efektiv Mexhit Xhemal Asllani dhe Shuaip Bektashi, kanë organizue nji punë sistematike për të rrezuar Pushtetin Popullor dhe për të shtypun popullin me regjimet satrape dhe antipopullore të Zogut.
Gjithmonë në lidhje me kriminelët e arratisun të pandehurit janë munduar të fusin në masat katundare dhe të paditun, demagogjinë e tyre tradhtare dhe kanë tërhequn mbas vetes nji seri viktimash të pafajshme. Me dhjetëra janë katundarët e asaj krahine që të gënjyer nga ky komitet inisiator janë hedhun kundra pushtetit popullor.
Ky grup fashist nëpërmjet të kryetarit të tij Shefqet Balla, ka organizuar nji seri këshillash Fashiste që të propagandonin dhe të hedhshin parulla kundra Pushtetit Popullor ndër katunde dhe të shtojshin influencën e kriminelavet të arratisun.
Nëpërmjet të Sekretarit të grupit të pandehurit Tefik Balles, këta kanë pasun takime të shpeshta me kriminelin Mahmut Previzin, ku nëpërmjet tij marrshin direktiva dhe veprojshin. Kjo vërtetohet fare mirë dhe në mënyrë të pa kundërshtueshme nga vetë thanjet e të pandehurit Tefik Ballës: Ku thotë se nji ditë ndër sa ishte tue ardhun prej Tirane, takon në rrugë kriminelin Mahmut Previzi, ku ky i fundit i jep nji letër të ardhun nga Tirana, e cila caktonte planin e punës që këto do të bajshin. Grupi në fjalë ka filluar punën e tij qysh tetë muaj ma parë dhe gjatë kësaj kohe kanë bërë nji aktivitet të gjanë propagandistik. Kanë ndihmuar në ndihma të konsiderueshme, në të holla, veshë-mbathje, kafe dhe sheqer kriminelët e arratisun Mahmut Previzi dhe bandën e tij, dhe e kanë strehuar brenda në Zerqan me koshiencën ma të madhe duke i mbrojtun më së miri.
Vetë të pandehurit deklarojnë para gjyqit se kanë strehuar kriminelët i kanë furnizuar dhe kanë patun lidhje të ngushta me ata. Komiteti inisjator ka pasun nji plan veprimi të caktuar dhe bënte mbledhjet e tij të rregullta në krye të çdo 10 ditëve ku shtrohesh nga të pandehurit Shefqet Balla dhe Tefik Balla situata politike e brendshme dhe e jashtme, e cila si pas mendjes së tyre ishte në favor të grupit në fjalë. Të pandehurit me demagogjinë e tyre, inspirojshin anëtarët e këtij grupi, të hidheshin në aktivitet të gjanë të grumbullojshin forca të reja rreth bandës të kriminelit Mahmut Previzit, dhe kështu të hidheshin n’aktivitet dhe aksione të mëdhaja kundra pushtetit popullor, duke rrëzuar këtë me forcë.
Nëpërmjet të korjerëvet të tyre, Islam Alliut, vegël qorre e kriminelit Mahmut Previzit, Zejnel Canit, Ram Gjetës dhe të tjerë. Ky komitet ka qenë i lidhun ngushtë me kriminelët e arratisun Fiqiri Dinen e Hysni Demën, ku merrte, dhe çonte direktiva dhe vepronte në këtë drejtim. Në këtë komitet inisjator gjejmë nji grup elementësh armik të tërbuar të pushtetit popullor të cilët gjithë jetën e tyre e kanë të pëlqyer në tradhti. I pandehuni Mexhit Xhemal Asllani, anëtar efektiv i komitetit inisjator, i cili ka hyrë kontrabandë në radhët e Ushtrisë tonë. Ky bastard i racës t’one kreshnike, ky element dallaveraxhi, kjo dhelpër dinake mundi të hyje në radhët t’ona dhe të sulmoje nga brenda pushtetin t’one.
I pandehuni duke përfituar nga zemërgjerësia e Frontit Demokratik, i njihet e drejta e gradës qi ka patun në kohën e okupacionit, i jepet besim nga pushteti popullor dhe vihet në shërbim me gradën Kapiten në zyrën e Rekrutimit të Zerqanit. Kjo vegël qorre e kriminelit Fiqiri Dine, në kundërshtim flagrant me betimin solemn të Oficerit të Ushtrisë Kobtare, betim i cili simbolizon vullnetin e patundur të Ushtarit të Republikës Popullore për ta mbrojtur me gjak ç’ka fitoj me gjak. I pandehuni i kushtohet me energji aktivitetit të tij tradhtarë në gji të organizatës duke marrë pjesë si nji anëtar ma kryesor dhe ma aktiv në komitetin inisjator.
E pandehura Bukurije Muça, anëtare e grupit tradhtare ka dërguar vazhdimisht nëpërmjet korrierit të grupit, ndihmat e mbledhura nga komiteti inisjator, si dhe antarvet të tjerë të kësaj organizate tradhtare gjithë ashtu ka marrë kontakte edhe vetë personalisht me kriminelin Mahmut Previzi, nga i cili ka marrë udhëzime dhe e ka vënë në korrent të situatës jashtme dhe të brendshme. Nga deponimet e saj të qarta dhe pa asnjë rezervë, rezulton se të gjithë të pandehurit dhe me në krye komitetin drejtonjës, ku bënte pjesë edhe vetë e pandehura, kanë zhvilluar nji veprimtari agjitative në popull, duke hedhun parulla gjithë farë llojshme, njëkohësisht duke e paraqitun situatën ndërkombëtare në favor të reaksionit. Po ashtu si mbas deponimeve të të pandehurës, ky grup nëpërmjet të të pandehurit Shuaip Bektashit, anëtar aktiv i organizatës, mbante kontakte të rregullta me nji grup anti-demokratik të Dibrës së Madhe.
I pandehuni Islam Alliu, të cilin e lidhin relacione familjare me kriminelin Mahmut Previzin, ka lozun rolin e informatorit ma besnik të grupit, jo vetëm kaq, por ka strehuar dhe rregulluar baza të sigurta kushurinit të tij Mahmut Previzit dhe Shemsi Hatipit, duke i njoftuar ata vazhdimisht mbi ç’do lëvizje të reparteve ndjekëse. Gjithashtu të pandehurit Zejnel Cani dhe Mehmet Ali Topi, me koshiencë tradhtare të vendosun kanë zbatuar me përpikni të gjitha urdhrat e organizatës Zerqanit, duke transportuar ushqime, dhe veshe-mbathje dhe të tjera kriminelavet të arratisun.
I pandehuni Xhevat Xhidra, anëtar efektiv i organizatës tradhtare të Zerqanit, gjatë zhvillimit të gjyqit u mundua të lozi rolin e nji naive, duke paraqitun veten të pa përlyer në këtë organizatë. Kjo gjykatë ka bindjen e plotë duke u mbështetun edhe në deponimet e të pandehurës Bukurie Muçës e të tjerëve, se i pandehuni jo vetëm qi asht anëtar i kësaj organizate, por asht nji nga anëtarët ma aktiv dhe nxitës për organizimin sa ma të plotë të këtij grupi terrorist.
I pandehuni Ram Xhetani dhelpër plakë dhe i rafinuar e reaksionit, ka patun detyrën e anëtarit të këshillit ilegal të katundit të tij dhe si i tillë ju ka sjellun shërbime të dukshme kriminelavet Hysni Dema dhe Fiqiri Dines, duke pasun pseudonimin “Flutureci”.
I pandehuni Shaqir Haxhiu gjatë okupacionit në bashkëpunim me trupat okuponjëse Italo-Gjermane, ka marrë pjesë në luftime kundra partizanëve, ka penguar në çdo mënyrë zgjerimin e rezistencës, ka marrë pjesë në grabitjet e Llokmës Maqedoni, së bashku me Uk Camin, të gjitha këto i pandehuni si mas deponimeve të të vetë të pandehurit. Mbas çlirimit të Shqipnise i pandehuni asht takuar me kriminelin e luftës, Shemsi Hatipin dhe Mahmut Previzin në malin Kider të Tërbaçit, të cilëve u premtoj strehim dhe furnizim.
I pandehuni Bilal Halili gjatë okupacionit ka udhëhequr Italianët në operacionet, ka bashkëpunuar me gjermanët në sulmime kundra Divizionit I-re S. Edhe mbas çlirimit i pandehuni mban lidhje të ngushta me Hysni Demën e Fiqiri Dinen dhe din gjithë bazat e tyre. – I
I pandehuni Iljas Markaj, Toger gjatë okupacionit gjerman, ka marrë pjesë në luftime kundra Ushtris N.ÇL. në Dibër të Madhe dhe ka qëndruar në prehën të okupatorit deri në çlirimin e plotë të Shqipnise. Mbas çlirimit ka mbajtur qëndrim anti-popullor duke përkrahun kriminelet e luftës të arratisun ku ka axhituar në popull kundra pushtetit.
I pandehuni Abedin Cani, si mbas deponimeve të tij të bëra para gjyqit ka strehuar dhe furnizuar me koshjencën ma të madhe kriminelët e arratisun Mahmut Previzin, Bajazit Previzin dhe Shemsi Hatipin.
Përfundimisht konkludohet;-se të gjithë të pandehurit në mënyra të ndryshme kanë sabotuar punën ndërtimtare dhe krijonjëse të pushtetit tonë popullor, duke derdhun helm dhe vrerë si edhe duke zhvilluar nji veprimtari të gjallë kundërshtare për ta përmbysun me armë Pushtetin tonë popullor. Veprimtaria e të pandehurve provohet në mënyrë bindëse dhe të pakundërshtueshme nga proçes-verbali i mbajtur nga Seksioni i Sigurimit Shtetit, nga deponimet e tërthorta të vetë të pandehurve, të bëra para gjyqit, si dhe nga deponimet e drejta dhe pa asnjë rezervë të të pandehurës Bukurije Muça.
Fajsija e të gjithë të pandehurve e provon fare qartë aktivitetin dhe puna që kanë kallëzuar këta tradhtarë të regjun të pushtetit popullor. E dëshmojnë këshillat tradhtare që kanë krijuar nëpërmjet të Kryetarit të tyre Shefqet Ballës nga katundi Okshtun, në katundet Zabzun, Borovë, Selishtë dhe Okshtun, e kallëzojnë ndihmat e nji pas njishme, si financiare ashtu dhe materiale që ju kanë dërguar kriminelavet të luftës, gjithashtu dhe deponimet e bëra para gjyqit të të pandehurit Tefik Ballës, Islam Alliut, etj.
Me qenë se fajsija e të pandehurve parashikohet dhe ndëshkohet prej nenit 1 të ligjësi Nr. 21, datë 15/XII/1944 mbi sabotatorët e pushtetit botue në fletoren zyrtare Nr.2 datë 23/XII/1944 Prandaj
Trupi gjykues bashkërisht dhe pjesërisht në kundërshtim me kërkesën e Prokurorit
V E N D O S I: Dënimin e të pandehurve Shefqet Ballës, Tefik Ballës nga katundi Okshtun dhe Mexhit Xhemal Asllanit, nga katundi Allaj-Begi me Vdekje, humbjen e përhershme të të drejtave qytetare dhe politike dhe konfiskimin e pasunis të tyre të tundshme dhe të patundshme, për të pandehurin Mexhit Xhemali degradim i tij nga grada kapiten me ceremoni Ushtarake.
Shuaip Bektashi e Islam Alliu me nga 30 vjet Burg. Xhevat Xhidra, Zejnel Cani dhe Ram Xhetani me nga 15 vjet burg. Mehmet Ali Topi dhe Shaqir Haxhiu me nga 10 vjet burg, humbjet e të drejtave qytetare dhe politike të tyre baras me kohen e ndëshkimit të tyre si dhe konfiskimin e pasunis së tyre të tundshme dhe të pa tundshme. Abedin Cani, Bilal Halili dhe Bukurie Muթa me nga 5 vjet burg, humbjet e të drejtave qytetare dhe politike baras me kohen e ndëshkimit të tyre. Iljas Markaj me 2 vjet burg humbjen e të drejtave qytetare dhe politike baras me kohen e ndëshkimit të tij.
Ky vendim për të pandehurit Shefqet Balla, Tefik Balla dhe Mexhit Xhemali Asllanit, aktet i paraqiten për shqyrtim dhe aprovim Gjykatës Nalt Ushtarake konform nenit 31 të ligjës Nr. 41 datë 14/I/1945, mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave Ushtarake.- P e s h k o p i, më 5/VIII/1946
S e k r e t a r i Kryetar’i Gjykatës Ushtarake
Kabuli Sulo Kapiten II-të
Qirjako Deçka
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016