Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e katër
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i ‘Lidhjes Shqiptare në Botë’, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al.
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Eduart Bala, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Gama”, nga baza e survejitmit “Obuzi”, lidhur me ndjekjen dhe survejimin ndaj Myrteza Bajraktarit
Marrë P.Op. Eduart Bala
Dhënë: “Gama”
Baza “Obuzi”
Raport, datë 22.7.1984
Me datën 29 qershor, burimi i bëri një vizitë Myrteza Bajraktarit. Në bisedë e sipër ai e pyeti për emrat e personave të arrestuar. Myrtezai i tha se: ishin Namik Luci nga Laçi, Selim Kelmendi nga Fushë-Kruja, Estref Kelmendi (baxhanaku i Myrtezait në Shkodër) dhe Shefqet Kelmendi.
Myrtezai përsëriti keqardhjen e tij, për arrestimin e tyre, tha se kunata, gruaja e Estrefit, kishte ardhur në Tiranë, për t’i prurë ushqime Estrefit.
Për Namikun, ai kishte marrë vesh nga një sekretar në gjyq, që banonte aty pranë, se ishte akuzuar për agjitacion e propagandë, kundër pushtetit popullor. Nga biseda, burimi mësoi se Myrtezai, kishte lidhje krushqie me Muntaz Dhramin.
Duke parë emisionin e Radio-Televizionit të Prishtinës, në ora 17 e 30, burimi mësoi se Presidenti i Jugosllavisë, është zgjedhur Ali Shukriu. Myrtezai ndërhyri dhe vërejti se, Ali Shukriu është njeri shumë i keq për shqiptarët e Kosovës. Po ashtu, tha Myrtezai, është dhe Azem Vllasi, është ngritur në post, pas demonstratave.
Në përgjithësi, Myrtezai shprehej i rezervuar ndaj problemeve politike dhe i ekuilibruar, por i ngrohtë me burimin. Më vonë i erdhi e shoqja me një person tjetër dhe burimi u largua.
“Gama”
Sqarimi i raportit: Agim Gjakova dhe Myrteza Bajraktari, janë në përpunim 2/A, si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav.
Detyra dhënë bashkëpunëtorit: Të afrohesh dhe të krijosh besimin e Agimit dhe Myrtezait dhe pastaj, të hapësh biseda me karakter politik, pasi po nuk fitove besimin, ata mund të reagojnë pozitivisht, ose të djegin. Të na japësh rrethin e tij shoqëror.
Punëtori Operativ
Eduart Bala
Dokumenti sekret me planin e masave agjenturiale-operative i hartuar nga Punëtori Operativ, Oltjon Frashëri, shefi i Seksionit, Nuro Sako, kryetari i Degës së Kundërzbulimit, Nasho Gjinopulli dhe miratuar nga zv/Drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Dashamir Bimi, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
MIRATOHET SEKRET
ZV/DREJTORI I PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar i vetëm
DASHAMIR BIMI Tiranë më…9.9.1985
PLAN MASASH
AGJENTUROR-OPERATIV PËR NDJEKJEN E PËRPUNIMIN 2/A, TË MYRTEZA BAJRAKTARIT
Nga ana jonë, ndiqet në përpunim aktiv 2/A, për veprimtari armiqësore në formën e spiunazhit në favor të Zbulimit Jugosllav, Myrteza Bajraktari.
Me qëllim që të dokumentojmë këtë veprimtari armiqësore do të merren këto masa agjenturore-operative:
- Do të koordinohet me Durrësin, për të na dërguar B.p. “Patrioti”, me qëllim që ta drejtojmë te objekti Myrteza Bajraktari dhe në këtë kuadër, të përpilojmë një vijë sjellje të studiuar dhe të organizojmë një kombinacion me T.O., për të përgjuar bisedat midis tyre.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri më 30.2.1986
Kontrollon, Nuro Sako.
- Do të studiohet dosja personale e B.p. “Gama”, për të përcaktuar personalitetin e tij, vend-lindjen në Kosovë dhe për të nxjerrë detyra, me qëllim që ta fusim në përpunimin me thellësi të objektit Myrteza Bajraktari.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri dhe Eduart Bala, deri më 15.1.1986
Kontrollon, Nuro Sako.
- Do të studiohet dosja personale e B.p.“Pashtriku”, për të përcaktuar personalitetin e tij, vendlindjen në Kosovë, për të nxjerrë detyrat, me qëllim që ta fusim në përpunimin me thellësi të objektit Myrteza Bajraktari.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri dhe Th. Pani, deri më 15.2.1986
Kontrollon, Nuro Sako.
- Do të studiohet dosja 2/A e objektet Aishe Shima dhe të nxirren momentet më interesante që kanë të bëjnë me veprimtarinë e saj si agjente në shërbim të Zbulimit Jugosllav (ndërlidhëse).
Në vartësi me situatën operative, të kontrollohet për t’a thërritur dhe pyetur në gjendje të lirë dhe në drejtim të objektit tonë, me që janë në veprimtari të përbashkët armiqësore.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri dhe F. Zyka, në vazhdim
Kontrollon, Nuro Sako.
- Do të studiohet Myzafer Ademi, me të cilin shoqërohet shumë kohët e fundit objekti dhe të shikohet mundësia për ta thërritur dhe për ta pyetur në drejtim të tij, ose tërhequr në B.p. sekret.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri më 30.4.1986.
Kontrollon, Nuro Sako.
- Të merret për një kohë të gjatë në survejim, ose me ndërprerje të shpejta, për të fiksuar lidhjet me interes dhe kontaktet të dyshimta me persona në ndjekje nga ana jonë.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri, në vazhdim.
Kontrollon, Nuro Sako.
- Të shikohet mundësia e instalimit të T.O. në shtëpinë e objektit, për ta patur në përgjim të vazhdueshëm.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri, deri më 30.6.1986.
Kontrollon, Nuro Sako.
- Të mbahet në kontroll të vazhdueshëm postar të brendshëm dhe të jashtëm, për të zbuluar lidhjet e tij dhe veprimtarinë armiqësore që mund të zhvillojë, nëpërmjet këtij kanali.
Kryen: P.Op. Oltion Frashri, në vazhdim.
Kontrollon, Nuro Sako.
- Analiza e këtij plani, të bëhet deri më 30.7.1986, në varësi me situatën do të përpilohen detyra të tjera.
Punëtori Operativ Shefi i Seksionit
Oltion Frashri Nuro Sako
Kryetari i Degës së Kundërzbulimit
Nasho Gjinopulli
Dokumenti sekret me raportin e vëzhgimit të hartuar nga shefi i Bazës Nr. 10, Andrea Karapanço, me të dhënat e agjentit “Gama”, i cili ishte ngarkuar për ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit dhe familjes së tij, në qytetin e Tiranës
SEKRET
Ekzemplar Nr.
Tiranë, më ….1985
RAPORT-VËZHGIMI PËR DATËN 3.9.1985 MBI VËZHGIMIN E OBJEKTIT ME PSEUDONIMIN “KUTIA”.
Në ora 15.00, objektja del nga puna e saj së bashku me një burrë dhe një grua, shokë të punës, e kalojnë rrugën “P. Leka”, përmes pallateve, e në ora 15.10, futen në pallatin Nr… Shk…, rruga “Ll Miho”, ku banon…………………..për 05. minuta dalin e kalojnë rrugën e në ora 15.25, i hipin autobusit të linjës Kombinat-Bankë, brenda u kontrolluan, niset autobusi e në ora 15.45, ndalon tek Banka, nga ku zbret objektja e kalon Sheshin “Skënderbe”, “28 Nëntori”, Sheshin “Partizani”, “P. e Rilindjes”, “Labinoti”, “Mihal Grameno”, e në ora 16.00, futet në shtëpinë e saj.
Në ora 20.15 minuta, objektja del nga shtëpia e saj, së bashku me fëmijën e vogël e kalon “M Grameno”, “Labinoti”, “M. Kashen”, përmes Parkut “Rinia”, “4 Shkurti” e në ora 20.30, futet në PTT Qendrore, e pas një minute, del që këtej, e ulet tek bordura e PTT-së.
Në ora 21.10, objektja ngrihet e takohet me burrin e saj, që mban pseudonimin “Furnitori”, e që të dy së bashku, pasi rrinë për pesë minuta, futen në PTT.
Në ora 21.20, brenda në PTT-së, takohen me objekten me pseudonimin “Bretkosa”. Në PTT, u kontrolluan dhe u dëgjuan që kërkuan të bisedonin me Shkupin, por nuk mundën të bisedonin. Në ora 21.50, “Furnitori”, objektja dhe “Bretkosa”, dalin nga PTT-ja, e kalojnë “Dëshmorët e 4 Shkurtit”, përmes Lulishtes “Rinia”, “M. Grameno”, e në ora 22.10, kalojnë në drejtim të shtëpisë, në këtë orë vëzhgimi u ndërpre.
Dt. 4.9.1985
Në ora 06, filloi vëzhgimi në pritje të daljes së objektit nga shtëpia e saj. Në ora 8.50, objektja, del nga shtëpia e saj e kalon Rr. “M. Grameno”, “M. Kashen”, e në ora 8.57, i hipën autobusit të linjës së Unazës, i cili në kohë niset e në ora 9, autobusi qëndron tek kryqëzimi i rrugës “M. Gjollesha”, nga ku zbret objekti e kalon “M. GjolleshA”, e në ora 9.10, u fut në banesën Nr. 17., ku banon familja me mbiemrin Berisha.
Në ora 9.35, objektja u pa të dalë nga drejtimi i shtëpisë së lartpërmendur e kalon në këmbë “G. Heta”, “M. Gjollesha”, “K. Pezës”, e në ora 9.45, i hipën autobusit të linjës për në Kombinat, e në ora 9.53, autobusi qëndron në Kombinat, nga i cili zbret objektja, e kalon te Rr. “Ll. Miho”.
Në ora 10.00, u fut në shkollën 8-vjeçare, “8-Nëntori”. Në ora 18.35, objektja u pa të niset nga drejtimi i shkollës, e shoqëruar nga dy shoqet e saj, dhe i hipën autobusit të linjës për tek Banka, ku në ora 13.50, autobusi ndalon, zbret objektja me shoqet e saj, këtu, ju dorëzua turnit tjetër.
Në ora 14.30, futet në pallatin Nr.238, Shk. Nr. 1, Ap. Nr. 3, ku banon Dhimitër Rizi.
Në ora 15.15, objektja së bashku me shoqet del nga ky frekuentim, e kalon “M. Peza”, e tek “Flora”, shoqet e saj ndahen, e kalojnë në rrugë të ndryshme, objektja, vazhdon ecjen, në ora 16.05, futet në shtëpinë e saj.
Në ora 19.15. objektja del nga shtëpia e saj, së bashku me objektin “Furnitori”, të dy fëmijët, kalojnë Rr. “M. Grameno”, “Labinoti”, e këtu në këtë rrugë, objektja së bashku me të dy fëmijët, ndahet nga “Furnitori”, i cili kalon në drejtim të ndryshëm, ndërsa objektja, futet në Piteri, brenda u kontrollua, dhe u pa që bleu pite. Më pas objektja, kthehet për në shtëpi, në ora 20.15.
Deri në ora 21.00 që vazhdoi vëzhgimi, objektja nuk ka dalë, në këtë orë, vëzhgimi u ndërpre. Memorie.al
Data. 5.9.1985
Shefi i Bazës Nr. 10
Andrea Karapanço
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016