Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e tre
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
SEKRET
Ekzemplar nr.
Tiranë, më 10.11.1984
R E L A C I O N
MBI FIGURËN E OBJEKTIT NË PËRPUNIM 2/A MYRTEZA BAJRAKTARI
TË DHËNAT BIOGRAFIKE: Myrteza Fahri Bajraktari, është i datëlindjes 1933, lindur në Gostivar të Jugosllavisë, banues në Tiranë, Lagjia Nr.1, Rruga “Mihal Grameno’, me origjinë shtresë e varfër fshatare, me arsim të lartë, i martuar, i dënuar një here me tre vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë armiqësore, me kombësi dhe shtetësi shqiptare.
I përmenduri, më datën 17.6.1952, ka kaluar kufirin së bashku me Bektash Ismailin. Ai thotë se kam ardhur në Shqipëri, për të kërkuar nga qeveria shqiptare, armë dhe materiale të tjera për t’i çuar në Jugosllavi dhe për të organizuar në Gostivar një kryengritje të madhe.
Në vitin 1951, pretendon se ka ngritur një organizatë në Kosovë, me emrin “Shkëndia”, për të luftuar kundër hapjes së shkollave turke dhe kundër shpërndarjes së shqiptarëve në Turqi. Në vitin 1953, arrestohet për këtë gjë dhe dënohet me 5 vjet burg nga UDB-ja. Në vitin 1958, lirohet dhe vihet në kontakt me pjesëmarrësit e grupeve të tjera dhe formojnë organizatën “Shkëndia”.
Në vitin 1960, tenton të arratiset për në Shqipëri, por kapet në kufi dhe dënohet me katër vjet heqje lirie, lirohet para kohe, rekrutohet nga UDB-ja dhe i jepet pseudonimi “Garip”, në drejtim të arsimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë në Jugosllavi. Ka bërë shtatë takime me P.op. (kolonel i UDB-së, Ciro), por nuk i ka dhënë asnjë raport). Në organizatë ka pasur 11 vetë të cilët, vendosën që të organizojnë kryengritjen, por për këtë, të merrnin mendimin dhe ndihmën e qeverisë shqiptare.
VLERËSIMI I DREJTORISË SË TRETË: Kjo është legjendë e krijuar nga UDB-ja, pasi këto kërkesa për armë, janë të njohura nga agjentët e tjerë, të dërguar nga UDB-ja dhe të zbërthyer si të tillë.
Shoku i tij, Bektashi, deklaron se ai dhe Myrtezai, janë dërguar këtu nga UDB-ja. Këtë ai e argumenton se mua më kanë thirur UDB-ja, për gjoja shkelje të punës dhe kur më liroi, jam takuar me Myrtezain, i cili, më propozoi që të arratiseshim, sepse në kufi, nuk kishte asnjë vështirësi.
Proces-verbalet “thëniet e Myrtezait”, kanë kontradikta të mëdha për rekrutimin nga UDB-ja. Vëllai i tij, është major, dhëndri i njohur me autoritetet e vendit dhe ky i dënuar? Nga ana e analizës laboratorike, që i është bërë dokumenteve të tij, rezulton se përmbajnë elementë kimikë të dyshimtë. Janë gjetur tre copë pluhura dhe një rrip i zi llastiku.
Në Shqipëri, çohet me banim në Seman të Fierit dhe me datë 10.2.1966, merret në përpunim aktiv 2/A si agjent i UDB-së. Më datën 11.10.1966, vjen në Tiranë për të vazhduar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi. Më 15.4.1968, ulet në përpunim 2/B, më 30.6.1977, ngrihet përsëri në 2/A. më 1980-ën, ulet në 2/B dhe në vitin 1982, ngrihet në 2/A, si agjent i Zbulimit Jugosllav.
Nga shumë burime, ka dalë që Myrteza Bajraktari, zhvillon agjitacion e propagandë armiqësore dhe meqë u implikua nga Kapllan Resuli, arrestohet më datë 12.11.1970, dhe dënohet me tre vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë armiqësore, mbasi për spiunazh, nuk u zbërthye.
TË DHËNAT PËR TË:
- I riatdhesuari Mendu Hamza Nurçe, ardhur në Shqipëri më 1963, thotë: “Para se të vija këtu, më takoi në Jugosllavi një arsimtar me emrin Xhemal, e më thotë se po të them se, në Shqipëri, t’i thuash ndonjërit që duhet, se atje ka shkuar Myrteza Bajraktari, i cili është agjent i UDB-së. Kur kemi qenë bashkë në burg, ma kanë sjellë atje dhe e kanë përdorur si hafije për të parë qëndrimin tim. Kur dola nga burgu e pashë të lirë dhe shoqërohej me oficerë të UDB-së. Kur iku në Shqipëri, fëmijët e tij, i mbajnë mirë dhe u japin rrogë”. (Menduhi, ka qenë në 2/A, si agjent i UDB-së, aktualisht i vdekur).
- I riatdhesuari në Jugosllavi, Blloko Mojsiu, i cili dyshohej si agjent i Zbulimit Jugosllav, më 1963-in i dërgon një letër Rexhep Gostivarit, (në 2/B, si agjent i UDB-së), me këtë përmbajtje: Ka arritur aty i biri i Fahriut, Myrteza Bajraktari, njerëzit e tu ishin shumë mirë, të fala. (Ka dyshim që kjo të jetë parullë për marrje në lidhje).
Nga viti 1964, e deri më sot, në drejtim të tij, kanë dhënë shumë B.p., ku për secilin po përshkruajmë shkurtimisht të dhënat:
- B. p., “Paketa”, ka dhënë shtatë raporte në të cilat, objekti është shprehur: Në 1964-ën, kur erdha në Shqipëri, më lidhën dhe më rrahën në hetuesi. Një shoku im, u çmend në Seman, ai tani flet natën dhe thotë se mora vetën në qafë që erdha në Shqipëri, në Jugosllavi jetohet shumë mirë. 65 policë, sillen keq me ne emigrantët e në rast se qeveria nuk merr masa, ndaj tyre, do të thotë se ajo i lejon vetë. Këtë punë e ka në vesh edhe Legata Jugosllave. E shoh se nuk po më lirojnë nga internimi. Kisha shpresë të qëndroja këtu dhe të vazhdoja shkollën, por po e shoh se nuk po më lirojnë, e kam vendosur të shkoj pranë familjes në Jugosllavi, këtu nuk jetohet, më mirë të më fusin në burg në Jugosllavi dhe të jetoj si njeri, atje jetohet mirë, populli ka liri…”!
- B. p. “Shqiponja”, ka një raport në 1964-ën, ku objekti thotë: “…vendin e parë në Ballkan e zë Jugosllavia, për prodhimin e stofrave të cilësisë së mirë, i prodhojnë shumë dobët këtu tek ne”.
- B. p. “Adriatiku”, ka dy raporte në 1964-ën ku objekti thotë: “Këta këtu të qeverisë, kanë disa gjëra të tepruara, kur erdha këtu, më kërcënuan dhe më thanë se je spiun i dërguar”.
- B. p. “Korabi”, në vitin 1975, ka dhënë shtatë raporte, ku del se objekti shprehet: “Plagosja e emigrantëve vetëm në Shqipëri ndodh! Kur të shkosh në Jugosllavi, do të të jap porosi të shkosh në Shkup dhe të takosh, Hasan Bllacën dhe me parullën: “Ju jeni nipi i Bajram Currit”, ai do të thotë: po, atëherë ti do t’i thuash, që: më ka dërguar stërnipi i Bajram Currit, Myrtezai. Kjo është parulla e tij e lidhjes. I thuaj, se më tha Myrtezai, se nga Shqipëria, mos prisni ndihmë, për çfarë kemi biseduar kur isha unë atje dhe mua më kanë futur në kamp. Ju lidhuni me Gjermaninë Perëndimore, ajo do t’ju ndihmojë për të bashkuar Shqipërinë me Kosovën, duke përmbysur regjimin komunist dhe të krijohet këtu një qeveri nacionaliste. Ti atje, më 28 nëntor, do të ngresh një flamur të kuq në një minare xhamie, kjo do të japë kurajën organizatave tona, që kemi krijuar atje, flet për gjendjen e mirë në shtetet e Perëndimit dhe Jugosllavisë, dhe flet keq për vendin tonë, do të shkosh tek motra ime dhe do t’i thuash se të ka dërguar “Shpata”, u thuaj se nga Myrtezai, hiq çdo shpresë, ai është i izoluar. Të ndërhyjë me njerëzit e tyre në Turqi, që ata të ndërhyjnë në ambasadën shqiptare, që të më tërheqin dhe mua atje. Në rast se motra dyshon, do t’i thuash parullën: “Bashkim, a vdekje” dhe t’u thuash se Myrtezai do t’i dërgoj tre letra me datë dispozicion të tyre, por unë nuk pranova. Për parullën e parë, unë i kam thënë hetuesit, por për parullën tjetër, me motrën nuk i kam thënë, por unë di t’i mohoj ato, do të më detyrojnë që të flas për shtypjen që i bëjnë popullit, për tradhtinë që i bënë Kosovës, duke e lënë në robëri, për vrasjet që janë bërë gjatë Luftës, etj. Kur të shkosh në Kosovë, bëj dokumentet dhe të shkosh në Turqi dhe të takosh kushëririn tim, Nazirin, e do t’i japësh të gjitha porositë e mija, për këtë, do t’i shkruaj atij një letër “Bëj të fala, Luanit”, dhe kur ai do të më kthej përgjigje, unë do të marr vesh vajtjen tënde atje……unë në rast se këtu nuk më çojnë me studime, do të takoj ndonjë të madh dhe do t’i tregoj të gjitha mendimet e mija dhe do të vete në Turqi të organizoj kryengritje”. Pastaj Myrtezai flet ashpër kundër Shqipërisë dhe komunistët i quan kriminelë. “Po të vete në Jugosllavi dhe të më kërkojnë të flasë për qeverinë shqiptare, do të them se Shqipëria ja ka shitur Kosovën vetë Jugosllavisë. Kam shpresë se do të plasi luftë e do të zhduket komunizmi…shan komunizmin…! Në Tiranë ekziston një krematorium për zhdukjen e njerëzve pa gjurmë”.
- B. p. “Molla”, ka një raport në vitin 1965, ku është dëgjuar dhe me T.O., nga raporti del se objekti shprehet: “Kur ishim në burg në Jugosllavi, kemi lënë takim bashkë kur të dilnim, por ti nuk më erdhe në takim, unë erdha këtu me një shok, jo pjesëtar i organizatës, por ai u çmend dhe u riatdhesua. Deri në kufi na përcollën dy vëllezër, pjesëtarë të organizatës. Atyre nuk u kam shkruar letër, se i marrë në qafë”.
- Agjenti “Ylli”, ka dhënë 23 raporte, nga viti 1978-’81, ku objekti thotë: “Jam futur në burg, për arsye se më foli një i madh në Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të flisja për aktivitetin armiqësor të Kapllan Resulit, por unë nuk fola. Jam mërzitur, dua të riatdhesohem, Jugosllavët nuk do të më fusin në burg, se atje jo vetëm që kam vëllain të madh, por ata do të thonë se: ‘ky është njeriu që luftoi për Kosovën dhe iku në Shqipëri, ata e futën në burg dhe përsëri erdhi këtu’. Në Jugosllavi, njerëzit i kanë të gjitha të mirat dhe jo si këtu, këta më futën në burg, por edhe më veçuan, më ardhtë dita, se dua t’ua shpërblej, në rast se nuk më lejojnë të iki, do të arratisem, ty do të të lë si përfaqësuesin tim, do të dërgoj letra dhe plaçka, ti do të lidhesh këtu, me dy shokët e mi. Ti do të veprosh me ta. Zbulimi Turk ka një aktivitet të madh në Shqipëri, por vepron në mënyrë shumë të fshehtë, ai punon dhe për llogari edhe të Zbulimit Amerikan, në rast se ti, apo unë takohemi me ndonjë përfaqësues të ambasadës turke, dhe na kërkon për ta ndihmuar, me ta të punosh thjesht për të rritur mirëqenien tënde, me shpërblimet që do të japin ata. Turqit, garantojnë po të jesh në rrezik, familjen, ta mbajnë, por ne nuk na ndodh gjë, se jemi të zgjuar”.
Gjithashtu për këtë objekt, ka dhënë B.p. e dhomave të izolimit: “Shkëlzeni”, “Rrufeja”, dhe “Bredhi”, të cilët përpunojnë të arrestuarit, si agjentë të Zbulimit Jugosllav, Estref Kelmendi, Selim Kelmendi, Namik Luci, Shefqet Kelmendi, etj., të cilët e implikojnë objektin në veprimtari armiqësore si spiunazh, organizim e terror.
- Në proces-verbalin e të pandehurit Selim Kelmendi, datë 18.2.1984, ai denoncon: “Veprimtari armiqësore kundër Partisë dhe shtetit, kam zhvilluar me Myrteza Bajraktarin, tek ai që në takimin e parë konstatova se kishte pakënaqësi kundër pushtetit popullor, është shprehur se pagat tek ne, janë të vogla dhe nuk dalin për të bërë jetë normale. Në vitin 1974, në një bisedë që kam bërë me Myrtezain në Kafene “Flora”, duke folur për gjendjen e keqe në Shqipëri, unë i kam thënë Myrtezait, se: kjo gjendje, ka ardhur se në krye është udhëheqësi kryesor i Partisë, i cili është diktator dhe pa u likuiduar ai, nuk mund të mbahen shpresa, për ndryshimin e gjendjes politike dhe ekonomike në Shqipëri. Për vete e kam ndarë mendjen, të bëj diçka për likuidimin e udhëheqësit kryesor të Partisë dhe i thashë dhe atij për të dhënë kontributin e tij për këtë drejtim. Ai në fillim nuk foli, por më pas m’u shpreh se ishte dakord për të marrë pjesë në vrasjen e udhëheqësit kryesorë të Partisë. Unë i thashë se vrasjen do ta bënim me armë dhe për çdo veprim duhet të gjenim armët. Ai ra dakord për të bërë përpjekjet për sigurimin e armëve, që më pas të bënim vrasjen e udhëheqësit kryesor të partisë.
- Nga e dhëna e B.p. “Bredhi”, që përpunon të arrestuarin Shefqet Kelmendi, më datë 20.4.1984, Shefqet Kelmendi, i është shprehur: “Për problemin e terrorit, ato që kam thënë qëndrojnë, edhe unë, Selimi, Estrefi, Namik Luci (të gjithë këta janë arrestuar kohët e fundit, si agjentë të Zbulimit Jugosllav), Myrteza Bajraktari e ndonjë që mund të ngatërrojnë këta, s’kemi nga t’ja mbajmë, për këtë kam folur në hetuesi dhe do të jap shpjegime të tjera, po të duhen”. Po ky B.p., raporton se Shefqeti i ka thënë: “Keq e kam punën, për të folur për Myrteza Bajraktarin. Në fakt, Myrtezai është i pakënaqur, por unë rrallë jam takuar me të. Më tepër është takuar Selimi, sepse e kishte shok të ngushtë dhe Selimi më thoshte se: Myrtezai është dakord me detyrat dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me ne.
- Në proces-verbalin e pyetjes të të pandehurit, Shefqet Kelmendi, datë 13./4.1984, Shefqeti deponon: “Pas marrjes së detyrës, nga punonjësi i ambasadës jugosllave në Tiranë, Qamil Muhaxhiri, për të realizuar vrasjen e udhëheqësit kryesorë të Partisë, së bashku me kushëririn tim Selim Kelmendi, kam biseduar disa herë për kryerjen e kësaj detyre dhe personat që do të aktivizoheshin, për të qenë të gatshëm të vepronin. Selimi më tha se, mund të aktivizonim me këtë detyrë shokun tim, Myrteza Bajraktari, me banim në Tiranë. Pra, Selimi, duke pasur njohje dhe besim tek Myrtezai, më propozoi mua që të bisedonte çështjen e terrorit kundër udhëheqësit kryesor të Partisë, me Myrtezain, duke qenë i bindur, se ai do të tregohej i gatshëm. Më vonë, unë duke patur besim në fjalët e Selimit, se Myrtezai ishte i gatshëm për të bashkëpunuar me ne, për vrasjen e udhëheqësit kryesorë të Partisë, nuk e pyeta Selimin për reagimin e Myrtezait”.
–Kohët e fundit, Myrteza Bajraktari, ka kërkuar pafajësinë për dënimin që ka kryer, por interesant është fakti se: të gjithë deklaratat e grumbulluara prej tij, për të vërtetuar pafajësinë, janë marrë nga lidhjet e tij, në veprimtari të përbashkëta, spiunazhi, mbasi të gjithë këta, kanë materiale, si agjent të Zbulimit Jugosllav”./Memorie.al
Punëtori Operativ
Oltjon Frashëri
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016