Nga Idriz Lamaj
Pjesa e njëmbëdhjetë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Memorie.al/Të shohim përmbledhtas, se cili ishte Xhafer Deva në rrafshin e organizimit politik, dhe më vonë të atij luftarak. Duke biseduar me Kapidan Nue Gjomarkajn, rreth hyrjes së grupeve parashutiste të Xhafer Devës në Kosovë, realizuar me përpjekje të përbashkëta midis ‘Bllokut Kombëtar Indipenden’t dhe ‘Grupit Kosovar’, ai tha: “Me ardhjen e Xhafer Devës në Romë në fillim të vitit 1948, filloi një bashkëpunim i sinqertë dhe serioz. ‘Grupi Kosovar’ i cili bënte pjesë në ‘Bllok’ si koalicion i përbashkët në luftën antikomuniste kundër regjimit te Enver Hoxhës dhe në përpjekje për realizimin e Shqipnisë etnike, udhëheqësit e ‘Bllokut’ jo vetëm që i kishin vu atij çdo gjë në dispozicion, por e shikonin atë si nji prej figurave kyçe në bashkëpunim të hartimit të strategjisë politike dhe luftarake.
Xhafer Deva, tue pasë mbështetjen e plotë të ‘Bllokut’, ia filloi punës sa arriti me u konsiderue nji ndër personalitet politike ma të fuqishme të mërgatës. Në bashkëpunim me ne, ai rekrutoi luftërat e lirisë për dërgimin e misioneve parashutiste në Kosovë. ‘Blloku Kombëtar Indipendent’, që e kishte për zemër çështjen e Kosovës dhe realizimin e Shqipnisë etnike, e theksonte në nenin e parë të Statutit të vet, se nuk mund të hiqte dorë prej saj si hoqën shumë të tjerë ose mbetën vetëm deklarativ. Në përgatitjen e strategjisë për hedhjen e parashutistëve kosovarë, na bashkërisht vendosëm që zbarkimi i grupit të Devës me në krye kapiten Riza Ali Osmanin, njoftun me pseudonimin “Oskar”, të bëhej në Mirditë, e vetmja krahinë që i epte sigurinë me pritje dhe përcjellje deri në Malsi të Gjakovës – Tropojë, për të hy në Kosovë”.
Qëndrimi politik i Xhafer Devës ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe asaj të Kosovës në veçanti, shprehet qartë në këtë letër që i dërgon Tahir Zajmit, për t’ua shpërndarë edhe shokëve të tjerë kosovarë.
I dashtuni Tahir! Nga udhëtimet e shpeshta që kam pas kohët e fundit, nuk kam pas mundësi të të shkruej, por as prej teje nuk kam marrë letra. Tashi prap në udhëtim për në Egjipt e ndoshta dhe në Turqi – po me duhet me të shkrue si Ty ashtu dhe shokëve të tjerë, për të sqarue gjendjen lidhun me rekrutimet që Komiteti “Shqipëria e Lirë” ka fillue të bëjë në Greqi dhe në Turqi. E quej për detyrë për të spjegue me anën tuaj, edhe pse z. Mentor Çoku, asht ngarkuem me bë udhëtime dhe me i njoftue kosovarët lidhun me gjendjen e krijueme dhe pikëpamjet e mija, për me mund pastaj me dhanë mundësinë që secili prej kosovarëve të veproj si mbas asaj që e gjen ma të arsyeshme.
Me gjithë ato që do t’iu shpjegoj dhe hollësitë që ka me i’u dhanë lidhun me ngjarjet dhe rekrutimet në fjalë, asht nevoja që të keni edhe prej meje me shkrim porositë e mia. Siç e dini, mundimet tona të deritashme për me mund me hy në familjen tonë Shqiptare si grup në vete, koshient dhe faktik që nuk pretendojmë me përfaqsue drejtpërsëdrejti interesat e Shqipnisë, por vetëm kërkojmë realizimin e dëshirave tona mbështetun në nji program tonin që përmblidhet me shumë pak fjalë dhe asht me u bë pjesë integrale e Shqipnisë, jo që nuk kanë gjetë kuptimin ma të vogël në grupet politike që janë të përfaqsueme sot në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, por kanë gjetë edhe kundërshtimin e tyre, ose ma mirë edhe të atyre që kanë pranue pa kundërshtimin ma to vogël urdhrat e të huajve, që ‘Grupi Kosovar’ asht nji grup irredent dhe juridikisht duhet të konsiderohet si nji grup i Jugosllavisë.
Si vërtetim të përpjekjeve tona, shërben ma së miri ‘Protokolli i Aleksandrisë’ dhe si vërtetim i qëndresës së anëtarëve të Komitetit “Shqipëria e Lire” ndaj problemit te Kosovës, deklarata e të ndjerit Mit’hat Frashëri, për sa i përket çështjes së Kosovës dhe pranimi i z. Sait Kryeziu në këtë Komitet, jo si Kosovar, por si përfaqësues i rezistencës shqiptare, pa u konsultue me grupin tonë. Po ky Komitet, “Shqipëria e Lirë”, ka marrë vendimin me rekrutue tashti edhe kosovar “irredent” dhe secila parti që përfaqësohet në këtë Komitet, drejton delegatët e vet në Greqi dhe në Turqi – ku shumica e kosovarëve, mezi hanë nji kafshatë bukë – për t’i rekrutue.
Përfundimi asht që shqiptari i Kosovës, asht shqiptar vetëm kur kanë nevojë për te (për të shtue numrin e anëtarëve të nji partie dhe me bë reklamë me të se përfaqëson shumicën), por asht jugosllav nga pikëpamja juridike dhe nuk meriton të jetë i përfaqësuem bashkë me vëllaznit shqiptar. Edhe disa prej nesh, ma mirë me thanë prej kosovarëve, që pretendojnë me pas mbarë popullin e Kosovës në xhepin e tyre, si për shembull: Rexhep Mitrovica, Adem Selimi, Ibrahim Kelmendi, për hesap të ‘Ballit’, dhe Hysen Tërpeza me shokë, për hesap të ‘Legalitetit’ kanë pranue – arsyet e tyre, nuk kam mund t’i kuptoj deri tash – që të bëjnë propagandë midis kosovarëve, për t’u regjistrue në radhët e nji partie ose tjetre, tue argumentue se vetëm në këtë mënyrë mund te kryejnë detyrën ndaj atdheut, tue harrue krejtësisht, se derisa mos të jemi të përfaqësuem aty ku duhet, si grup në vete, në qarqet ndërkombëtare, zëni i Kosovës nuk ndigjohet dhe mbetet i mbytun vetëm midis ne shqiptarëve.
Tue parapa po këto vepra të disave dhe pozitën tonë shumë të vështirë në pikëpamje politike të shqiptarëve të Kosovës – me gjithë akuzat që më janë bë dhe vazhdojnë të më bâhen, po nga këta persona, tue me cilësue edhe si njeri që nuk pranoj këshilla dhe jam diktator – kam këshillue të gjithë, aty ku kam mund, dhe jam përpjekë me çdo kusht me ruajt bashkimin tonë dhe vazhdimisht kam thanë se kurrsesi, nuk duhet të shkrihemi brenda partive politike të Shqipnisë së 1913-së. Tashi ma tepër se kurrë insistoj po në këtë pikë, për të vetmen arsye që na kosovarët vetëm të bashkuem dhe krejtësisht të pavarur prej partive politike të Shqipnisë, mund t’i shërbejmë ma me dobi e dinjitet dhe ti mbetemi besnik ndjenjave të mbarë popullsisë shqiptare të Kosovës.
Për me qenë të dobishëm dhe për të mos humbun të drejtat tona, tue pranue faktin e zhvillimit të ngjarjeve për të cilat ne nuk mund të jemi përgjegjës, kam pas bë nji farë marrëveshje me të vetmin kosovar në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, z. Sait Kryeziu, i cili na kishte premtue se brenda Komitetit, do të kryente detyrën e tij ndaj Kosovës. Ne mbajtëm zotimin tonë për të mos i luftue. Tani shihet qartë se edhe z. Kryeziu, ose asht bë viktimë e intrigave të shokëve të tij ne Komitet, ose nuk çan kush kryet për te. Ne të gjithë e dimë se z. Sait Beu, asht bë anëtar i Komitetit me imponimin e anglezëve dhe jo me mbështetjen normale të ndonjë grupi partiak ose i zgjedhun nga shokët e tij të Komitetit. Sa i përket rekrutimit të kosovarëve ne partitë politike të Shqipnisë, qoftë përkrahësit e Sait beut, Hysen Terpezës apo Adem Gllavicës, ju, shokët e mi, duhet vet të gjykoni se në çfarë shkalle kemi arritë. Ju do të më pyetni si këshillon ti?
Po ju përgjigjem me sinqeritetin ma të madh. Deri sa nuk i përulen zotit e Komitetit nji marrëveshjeje ku interesat tona gjejnë nji respekt të merituem, në daçin me anën e përfaqësimit të z. Seid Kryeziu, në daçin me anën intransigjent në këtë pikë që asht ana e jonë, e them se asnjë kosovar nuk duhet të regjistrohet për rekrutim. Me gjithë këtë – si përherë – kam për detyrë me thanë mendimin tim dhe secili kosovar, mbasi ta ketë ndigjue këtë mendim, le të veprojnë si ia merr mendja; por e them troç, qëndrimi i sotshëm i Rexhep Mitrovicës, Adem Gllavicës dhe Hysen Terpezës, nuk i shërben çështjes tonë në emigracion dhe interesave tona kolektive në mbrojtje të Kosovës. Ju uroj mirëvajtje dhe ju lutëm të gjithëve të pranoni z. Mentor Çoku, ashtu siç e meriton, si nji anëtar besnik i parimeve tona si në të kaluemen ashtu edhe sot – të fala të përzemërta, Xhafer Deva Romë, 31 gusht, 1950.
Presionet politike të Devës për të futë çështjen e Kosovës si subjekt të veçantë brenda Komitetit “Shqipëria e Lirë” e detyrojnë z. Hasan Dosti, kryetarin e Komitetit, që personalisht të kërkonte takim me Devën dhe të përpiqej, brenda të gjitha mundësive politike të Komitetit, që çështja të zgjidhej pa u bë tepër e bujshme. Në një letër të Devës dërguar Sait Kryeziut lexojmë:
I ndershmi Sait Bej. Kam nderin t’ju parashtroj sa vijon: Zotni Hasan Dosti, Kryetari i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, më nderoi me vizitën e tij që më bani dje në orën 18 në banesën time ‘Albergo Londra’, mbasi që kishte shfaqë dëshirën me anën e zotni Mentor Çokut, për nji bisedë me mue. Në bisedën politike që zhvilloi z. Dosti ne prezencën e z. Çoku, shfaqi nevojën e nji bashkëpunimit të ngushtë në mes shqiptarëve të Kosovës në emigracion, që kishte me qenë në dobi të çështjes së Kosovës.
Zotni Hasan Dosti, me këtë rast dhe konfidencialisht shprehu keqardhjen e tij se me gjithë të gjitha përpjekjet e tij, Lidhja e Prizrenit, për arsye të gjendjes politike Ballkanike që ndjekin vendet Perëndimore, nuk ka asnjë mundësi të përfaqësohet si organizatë e veçantë brenda strukturave të Komitetit. Tue paraqitë të gjitha falënderimet e mia si dhe të të gjithë kosovarëve në emigracion, për interesimin dhe përpjekjet e tij rreth çështjes së Kosovës shqiptare, i’u luta që çdo gjë ta shqyrtonte drejtë për së drejti me zotnin tënde si anëtar i Komitetit dhe kryetar i Partisë së Bujqve dhe Katundarëve, por nji herit edhe si kosovar. Tue vu në dukje edhe nji herë rëndësinë e çastit, Ju lutem që të keni mirësinë me u interesue pranë Kryetarit t’uej që të shqyrtoni në mënyrën ma serioze të gjitha sugjerimet e zotni Hasan Dostit. Mbasi që personalisht brenda kohës 24 nandor dhe 5 dhjetor, nuk do të gjendem në Romë, ngarkoj z. Mentor Çoku, që të vazhdojë bisedimet me Ju. Kur unë të kthehem në Romë do të bisedojmë së bashku.” Me nderime, Xhafer Deva, Romë, 15 nandor, 1950.
Letrës së Xhafer Devës, Kryeziu i përgjigjet me mirënjohje të thellë për “përpjekjet që banë për forcimin e pozitës t’ime brenda Komitetit”, duke e siguruar se: “interesat e Kosovës do ti mbrojë në secilin rast dhe do ti vejë para çdo prioriteti tjetër:.” (Nga letra e z. S. Kryeziut dërguar Devës me 18 nëntor 1950). Në korrespondencën e Devës shihet se ai vepron në tri drejtime paralele:
- Rekruton kosovar për misione parashutiste në Kosovë, duke bërë plane për zbarkim të mëvonshëm masiv në Tropojë.
- Përgatit terrenin për bindjen e amerikanëve që operacionet ushtarake të mos izoloheshin vetëm në Shqipëri por të bëheshin plane edhe për shpërthimin e luftës në Jugosllavi, duke thyer kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës.
- Në mungesë të një force të mjaftueshme kosovare për thyerjen e kufirit, ai siguron mbështetjen e Kapidanit të Mirditës, Gjon Marka Gjoni, i cili i premton se forcat e tij do t’i vinte nën komandën e Xhafer Devës dhe siguron mbështetjen e plotë të kolonel Muharrem Bajraktarit. Xhafer Deva i realizon të tri planet në saje të qëndrimit të tij këmbëngulës. Kontaktet e Devës me Muharrem Bajraktarin duket se janë të shpeshta, megjithëse në dosjet e korrespondencës së tij, ndodhen vetëm tri letra të z. Bajraktari.
Në njërën prej tyre ai shkruan:
“I dashuni z. Deva. Kapidan Gjon Marka Gjoni, në letrën që më dërgon, shënon se z. Juej jeni kthye në Romë dhe njofton se i keni shpjegue mirëfilli për sa biseduam rreth miqësisë që ekziston ndërmjet meje e Zotnis së Tij, për këtë kujdesje ju faleminderit shumë. Për çështjen që biseduam u interesova por tash për tash asht negative, më kanë dhanë shpresa se ma vonë do t’a studiojnë planin tënd. Siç e konstatoni, situata e përgjithshme asht mjaft nervoze, por duket se rreth interesave tona shpresat janë ma të gjalla, kthimi jonë në atdhe parashihet. Këtë herë me kaq, Ju bëj të fala të përzemërta, miku i juaj Muharrem Bajrkatari”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016