Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të rralla arkivore që botohen për herë të parë dhe që janë nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, të cilat i përkasin majit të vitit 1944, ku Shefi i Shtabit Madhor të trupave gjermane në Shqipëri, majori, Schulz, me anë të një letre që i ka dërguar në atë kohë zv/ministrit të Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, i bën me dije për një listë emrash me 21 komunistë që ia ka dërguar Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët kërkon që t’i shkëmbejë me robërit gjermanë…
Marrëveshja që bëri Enver Hoxha me komandën gjermane në Shqipëri në tetorin e vitit 1944 për të shkëmbyer tre femrat gjermane, Elsa Koch, Irmgrand Tennius dhe Erna Schubert, të cilat ishin kapur rob nga një pritë partizane më 5 shtator të atij viti teksa po tentonin të largoheshin nga Shqipëria me një autokolonë gjermane në rrugën Kukës-Prizren, marrëveshje të cilën Enveri nuk e zbatoi kurrë dhe si rezultat, solli ekzekutimin e 104 komunistëve dhe partizanëve shqiptarë që mbaheshin të izoluar në Kampin e Prishtinës më datën 23 tetor të atij viti, duket se nuk ka qenë e vetmja marrëveshje që Enver Hoxha me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kishte bërë me komandën e trupave gjermane në Shqipëri.
Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore që gjenden në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe që botohen për herë të pare, ekskluzivisht për Memorie.al, ku hidhet dritë mbi një tjetër marrëveshje që Enver Hoxha ka bërë me gjermanët, vetëm katër muaj më parë asaj për shkëmbimin e tre femrave gjermane, e cila daton më 14 maj të atij viti.
Siç do të shikojmë dhe nga dokumentet në fjalë (shiko faksimilet përkatëse) më 15 maj 1944, Shefi i Shtabit të Forcave gjermane në Shqipëri, majori, Schoulz, në emër të gjeneralit komandues të trupave gjermane që ishin në vendin tonë, i ka dërguar një letër zv/ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë shqiptare, Vehbi Frashërit (i biri, i ish-kryeministrit, Mehdi Frashëri), letër në të cilën janë të shënuar emrat e 21 komunistëve shqiptarë, që asaj komande ia ka dërguar Enver Hoxha me Spiro Moisiun, duke u kërkuar që ata t’i shkëmbejnë me robërit gjermane që mbaheshin nga forcat partizane.
Letrën në fjalë, (bashkangjitur me letër ku është lista prej 21 emrash të komunistëve shqiptarë), që mban datën 14.V.1944, nënministri i Punëve të Jashtme, Vehbi Frashëri, ia ka dërguar një ditë më vonë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku i kërkon informacion më të plotë lidhur me emrat e këtyre komunistëve, nëse ndodhen në burgje dhe nëse dëshirojnë që vullnetarisht të deklarohen se janë komunistë e të pranojnë që të shkëmbehen, apo ata që nuk pranojnë që të identifikohen si të tillë dhe që nuk pranojnë dorëzimin e shkëmbimin me robërit gjermanë.
Si fillim duhet thënë se kjo marrëveshje është realizuar, pra këta komunistë janë shkëmbyer me robërit gjermanë që mbaheshin si pengje nga forcat partizane të Enver Hoxhës, pasi pothuaj të gjitha ata jetuan edhe pas mbarimit të Luftës, madje duke mbajtur poste të larta në hierarkinë partiake dhe shtetërore pas vitit 1944 e më tej. Nga sa shihet në letrën me emrat e 21 komunistëve, e cila sipas shefit të shtabit madhor të trupave gjermane, majorit Schulz, është e përpiluar nga Enver Hoxha, pothuaj shumica e tyre ishin persona me shumë rëndësi në Lëvizjen Komuniste dhe Ushtrinë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, gjë e cila e ka detyruar Enverin që të kërkonte shkëmbimin e tyre me robërit gjermanë që ata i mbanin të izoluar dhe për t’i shkëmbyer.
Pa hyrë në hollësira lidhur me detyrat dhe funksionet që mbanin këta pjesëtarë të kësaj liste prej 21 personash gjatë periudhës së Luftës, disa prej tyre ishin, shokë e miq të afërt me Enverin, apo kishin lidhje të ndryshme me të, si, p.sh.: Aqif Selfo, shok i ngushtë fëmijërie i Enver Hoxhës që në qytetin e Gjirokastrës ku i kishin shtëpitë shumë afër dhe më pas në Liceun e Korçës, por Enveri i pushkatoi disa nga kushërinjtë e tij, si Syrja dhe Reiz Selfon, e të tjerët ja persekutoi, Alo Dëshnica, vëllai i Esat Dëshnicës, (Deputet i Kuvendit Popullor), që mbajti Enverin me para gjatë Luftës, u vra në Kampin e Prishtinës, Justina Sata, apo Flora Dëshnica, sekretare e Enverit në Shtabin e Përgjithshëm dhe pas Luftës, bashkëshortja e Ymer Dishnicës, etj.
Nga lista në fjalë prej 21 personash, pjesa më e madhe e tyre pas mbarimit të Luftës mbajtën funksione drejtuese në hierarkinë partiake dhe shtetërore, ndërsa ndonjë prej tyre, si Skënder Kosova, Drit Çaushi, Ali Kubati, Flora Sata, etj që do të përfundonin burgjeve dhe internimeve. Krahas dokumenteve arkivore me listën prej 21 personash që Enver Hoxha ia kërkoi Komandës së lartë Gjermane në Shqipëri dhe i shkëmbeu me robërit gjermanë, të cilën po e publikojmë dhe me faksimilet përkatëse, po shënojmë edhe disa nga detyrat që këta eksponentë të lartë të Lëvizjes Komuniste mbajtën dhe ushtruan pas mbarimit të Luftës, si p.sh.:
- Aqif Selfo, Shefi i Arsimit në Tiranë, menjëherë pas Luftës
- Drit Çaushi, sekretar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
- Hatixhe Deliu, gruaja e Ramadan Çitakut, themelues i PKSH
- Qazim Vaqarri, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
- Sali Angoni, zv/ministër i Ndërtimit për shumë vite
- Ali Kubati, nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës
- Qibrie Ciu, zv/Ministre e Arsimit dhe më pas e internuar
- Qamil Poda, kolonel, Komandant i Flotës Ushtarake Detare
- Musa Agolli, (vëllai i Mahmut Agollit) me poste drejtuese
- Liri Dodbiba, (motra e ministrit, Pirro Dodbiba), në Arsim
- Alo Dëshnica, “dëshmor”, vëllai i Esat Dëshnicës, deputet
- Justina Sata,(Flora Dëshnica), sekretare e Enverit në Luftë
- Jani Thoma, kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së
K O N C E P T
SHTETI SHQIPTAR
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME Tiranë, më 15/V/1944
Nr.63/1 Rez
E ngutshme
P T
MINISTËR I P.T. MBRENDËSHME
T I R A N Ë
Për dijeni dhe veprim. Ju dërgojmë, bashkëngjitun, shkresën, datë, 14/V/1944 të Gjeneralit të Komandës Gjermane, në lidhje me shkëmbimin e robërve, me lutje që të na jepet një përgjigje, më ditën e nesërme, më 16. të këtij.
NËNMINISTRI
Vehbi Frashëri
Rezeravt
Zoti nënministër, Vehbi Frashëri
Tiranë
Në lidhje me bashkë fjalimin telefonik, që Ju, zoti nënministër, keni pasun me gjeneralin komandues, parashtrojmë këtu poshtë emrat e komunistëve të kërkuem nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, për shkëmbim me robërit e luftës gjermanë:
- Aqif Selfo
- Driti Çaushi
- Hatixhe Deliu
- Tefta Mano
- Qazim Vaqarri
- Sali Angoni
- Ali Kubati
- Zef Nikolla
- Qibrie Ciu
- Skënder Kosova
- Musa Agolli
- Astrit Leka
- Liri Dodbiba
- Alo Dëshnica
- Justina Sata
- Jani Thoma
- Qemal Emin
- Muzafer Kokobobo
- Qamil Poda
- Dragush Frashëri
- Bedri Karapici
Jeni të lutur me na njoftue, se cilët komunistë janë ndër burgje në dispozicion e që dëshirojnë vullnetarisht me u dorëzue, të cilët komunista janë ndër burgje që refuzojnë dorëzimin (shkëmbimin) dhe të cilët persona janë dhe për ç’arsye nuk mund të shtihen në dorë./Memorie.al
Për gjeneralin komandues
Shefi i Shtabit madhor
I.A I.V
Schulz d.v. Major
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016