Dashnor Kaloçi
Pjesa e trembëdhjetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formulare dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, togër Anastas Bojaxhiu, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Filantropi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Dhënë burimi “Filantroi”
Marrë toger Anastas Bojaxhiu
Raport datë 28/8/1956
Burimi njofton se Viktor Stratobërdha, Kujtim Jorgaqi, Mihal Shkarpa (shërbyes i kinemasë) dhe ai, kishin vendosur që ditën e djalë, datë 26/8/1956, të organizonin një piknik në katundin Drobonik, por këtë e anulluan për arsye se; Kujtim Jorgaqi, shkoi në shtëpinë e tijë në Fier, gjithashtu të dielën e ardhshme, nuk do të shkojnë për arsye se ai ka në familje një festë, ka mbetur që pikniku të organizohet një të dielë tjetër.
Ditën e shtunë datë 25/6/1956, ndërsa ai po rrinte në një nga dritaret e Hotel “Mallakastrës”, vinë para hotelit Kujtim Jorgaqi, Arqile Aleksi dhe një person tjetër që ai nuk e njihte, Kujtimi i tha atij, se; do të marrim edhe Arqilenë në piknikun e Drobonikut, Arqileja u hodh e tha se; unë nuk mund të vijë me njerëz të dënuar nga Partia, ai për të mbrojtur gjoja Viktorin, i tha Arqilesë, që; atë fjalë mbaje për vete, kur ka luftuar Viktori, ti haje petulla tek mamaja, por mos fol kështu.
Arqilea i tha që mos e merr kallëp. Ai, ditën e dielë datë 26/8/1956, shkoi te Viktori në Kinemanë “22 Tetori” dhe i tha se; ti Viktor mos u shoqëro me Arqile Aleksin, mbasi ai, kur Kujtimi e ftoi për në piknik, tha se; nuk vijë me njerëzit që ka dënuar Partia, Viktori i tha atij se; Arqilea është i mirë, por e ka thënë atë sa për sy e faqe, ai i tha more, ai është i poshtër dhe ruhu prej atij, Viktori përsëri tha se; jo more burrë, se Arqilea është i mirë.
Në datën 26/8/1956, ai ishte takuar me Tuk Jakovën në fushën e sportit dhe i tha Tukut se; para ca ditësh pashë këtu Dhora Lekën dhe më erdhi keq që nuk u takova me të, Tuku i tha se; ajo erdhi dhe qëndroi vetëm dy ditë tek mua në shtëpi dhe pas kësaj u nis për në Gjirokastër.
Pasi atje e kanë caktuar përgjegjëse të muzikës me 4.500 lekë në muaj, ajo u dënua dhe vuan padrejtësisht për mua. Këtë e kam thënë dhe do ta them vazhdimisht, se Konferenca e Partisë së Tiranës, ka nxjerrë gjëra me baza dhe këta duhen të përfitonin nga këto, se vetë këta thonë që nuk jemi në 1948-ën.
Tani lufta e klasave zbutet, ndërsa në të vërtetë këta më shumë po e ashpërsojnë. Vetë Enveri në Kongresin e III-të, tha se lufta e klasave zbutet, ndërsa këta hedhin poshtë militantët e Partisë. Politika e Enver Hoxhës triumfoi, përderisa gjeti përkrahjen e Bashkimit Sovjetik, ai i tha se; ku di Bashkimi Sovjetik se çfarë bëhet këtu, Tuku i Tha se; ti ke horizont të shkurtër, Bashkimi Sovjetik nuk e kemi në Moskë por e kemi në Tiranë, si thonë këshilltarët sovjetik bën Enver Hoxha.
Prandaj përderisa ata e quajnë të drejtë raportin e Kongresit të III-të të Partisë, këta i fituan garancitë, prandaj unë tërhiqem nga mendimi i mëparshëm (këtu ish-fjala se më pare, ka thënë se Bashkimi Sovjetik dhe Titua, do ta rregullojnë gjendjen në Shqipëri).
Pas kësaj, Tuku tha se; këtu qe Franua (vëllai i Tukut) dhe qëndroj dy ditë, për atë njeri thotë Tuku, jam prekur pa masë, se këta kanë bërë punë armiqësore karshi tij, për sebepin tim vuan ai, Franua nuk ka asnjë faj. Kur shkova në Shkodër që isha deputet, e mbesa e Padër Anton Arapit me gjithë të atin e saj, kërkuan punë, pasi ajo ishte prestare (rrobaqepëse).
Si kjo u paraqitën dhe ca të tjerë për punë, unë thirra ata të Partisë dhe të Pushtetit të Qarkut dhe u thashë se disa prej këtyre të sistemohen tani në punë, e disa të tjerë më vonë, kështu që mbesa e Padër Anton Arapit, vendoset prestare në Kooperativën e Rrobaqepësisë.
Më vonë, i kishin kërkuar autobiografinë dhe e kishin pushuar nga puna, si mbesë e Patër Arapit, kjo kishte qartë katër ditë me radhë sa i ishin fryrë sytë. Më vonë është hedhur nga penxherja dhe i kishte dhënë fund jetës, në këtë kohë Franua kishte shku në Shkodër për çështje të arteve dhe mbasi u kthye në Tiranë, ma thotë mua këtë ngjarje.
Unë shkova menjëherë dhe i’a thashë Enverit, të cilit i erdhi keq, por më vonë, gjërat u trilluan, duke më thënë mua; pse t’i tha ty Franua këto gjëra?! Unë i thashë, sepse mua më ka vëlla dhe unë në rrugë të drejtë ua thashë juve, kjo është shumë e rëndë.
Për këtë, unë u godita dhe për të marrë hak, thashë me urrejtje se; nuk është Enver Hoxha themeluesi i Partisë Komuniste Shqiptare, por janë disa të tjerë si Miladini dhe Dushani. Për këtë punë, Franon, e kanë çuar në Gramsh, shitës në një dyqan dhe merr 2.600 lekë në muaj, mbasi nuk e realizon dot normën, vuan për bukë, ashtu siç vuaj unë.
Por më shpëtoi ajo që shita çiften, e shoqja e Franos është prestare, por ata të Degës u thonë popullit, të mos qepin tek ajo, ndërsa populli shkon natën, pasi ajo është profesioniste e mirë. Franko, militanti i Partisë, persekutohet kot për mua, atë ta kishin caktuar të paktën një farë shefi, që të merrte 5.000 lekë në muaj, sepse nuk ka faje, nuk është i zoti për punë, sikurse jam unë.
Mbas kësaj Tuku tha se Titua nuk e do Enver Hoxhën, por ç’ti bëj Bashkimit Sovjetik që aprovoi raportin e Kongresit të III-të, kështu që nuk diskutohet më për mua Jugosllavia, se po ta marrësh drejtësisht, duhet të bëhesh siç bëri Rakoshi, që u tregua i ndershëm dhe dha vetë dorëheqjen, por Enveri, di të shpëtojë me dinakëri.
Mbas kësaj ra fjala e Kanalit të Suezit, në lidhje me këtë, Tuku tha se; anglezët po përdorin metoda presioni, atje kanë grumbulluar flotën që e kishin në Nepal dhe në një ishull tjetër. Ai tha; po a mundet të jetë shkak për një luftë të re Suezi, Tuku tha; jo, atje nuk ka rrezik, atje ka vetëm presion, Suezi i përket Egjiptit, për këtë e ka përkrahura dhe India, e cila ka dërguar 300 mijë punëtorë, ndërsa për anglezët, ato shoqëri ishin koncesione. Rreziku i luftës ishte Gjermania Perëndimore, prej andej mund të hapet lufta.
Mbas këtij muhabeti ai tha se; pashë një gazetë që këto ditë në Korçë hapet Kongresi i Kooperativave Bujqësore. Tuku tha; interesante, ka marrë propocione të gjera kolektivizimi, pashë artikullin e Qemal Myrselit, që thosh se 1.200 Kooperativa Bujqësore, ai i tha se mua nuk më vjen mirë për zonën e Paftalit, që kanë qenë të lidhur me Luftën dhe sot i rezistojnë të ngrenë kooperativat në fshatrat e tyre.
Tuku tha se; ata kanë të drejtë që kundërshtojnë, pasi krahina e Paftalit, është zonë malore, kanalet vaditëse nuk e kapin, ata nuk e bëjnë kurrë bukën, kështu që, në qoftë se ngrenë kooperativa, ato le që nuk kanë mundësi t’i gjejë shteti, po do detyrohet shteti t’i mbajë ato me bukë, ndërsa për fushat, tha Tuku, është e drejtë të kolektivizohen.
Tuku më vonë tha se para fillimit të sportit, unë u takova me Viktorin dhe e ftova që të vinte në sport, Viktori tha se; kam 10 lekë dhe kam me vete edhe Mihalin, kështu që nuk mund të ndahem, nga ai dhe më duhet edhe 10 lekë të tjera, unë thotë Tuku, i thashë; eja se t’i paguaj unë.
Megjithatë, Viktori nuk erdhi, pasi mbaroi sporti, Tuku u nda prej tij, duke i thënë që; tani unë do të marr Mitën për shëtitje. Ai nuk ka raportuar se para disa ditëve, Tuku i ka thënë atij që u takova me Ymer Dishnicën dhe e urova që doli nga burgu.
“Filantropi”
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, toger Anastas Bojaxhiu, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Filantropi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Dhënë burimi “Filantropi”
Marrë toger Anastas Bojaxhiu
Raport datë 4/9/1956
Ai thotë së në datën 28/8/1956, para Komitetit Ekzekutiv të Beratit u takua me Tuk Jakovën, me të cilin ra në bisedë për çështjen e një artikulli që ai kishte bërë për luftën e Kelmendit në Brigadën e I-rë, Tuku i tha atij që këtë artikull jepja Komitetit Partisë, ndërsa fotografitë që ke kur ke qenë partizan, kopjoi dhe jepi një kopje, jo origjinale, ato mbaji ti kesh se do të duhen.
Ai i tha Tukut; po ti ke ndonjë material nga të Luftës, për të dorëzuar, Tuku tha se; unë kam pasë një çantë meshini, ku në të kisha gjithë ditarin e Luftës, mirëpo kur u nisa për në Divizionin e V-të, ja lashë Aleks Nanos dhe kur u ktheva në Tiranë, e kërkova dhe Aleksi më tha se nuk di ku e kam lënë, atje kisha dhe gjëra të tjera të vlefshme dhe për këtë u kapa keq me Aleksin.
Mbas kësaj ai i tha se; sot isha tek Dishnica në shtëpi, vizitova vajzën, Dishnica më tha se; paske vajzë të bukur, prandaj do të bëjmë krushqi me ty, unë i thashë se kjo kollaj është, po e lëmë më mirë në dëshirë të tyre, kur të rriten, por shyqyr që dole shëndoshë nga burgu, pastaj ai i tha Tukut se; të dielën të pashë në lulishte që pije me Dishnicën, desha të vija, por mendova të mos bijshim në sy, të gjithë bashkë. Tuku tha se; vetë Dishnica erdhi të takonte me Frankon (vëllain tim) dhe të shoqen e tij, me të cilët njihet qysh në kohën e Luftës.
Kur unë i thashë Dishincës ulu, ai tha se; jo, pasi do të na hajë dreqi, unë i thashë; more ulu se nuk na gjenë gjë, Dishnica u ul me gjithë të shoqen dhe filluam të pimë birra, mbas kësaj, u hap biseda e burgimit të Dishnicës, atë thotë Tuku, e kishin arrestuar kot, gjoja sikur dëgjonte dhe komentonte lajmet e stacioneve të huaja, për këtë thotë Dishinca, më dënuan me 15 vjet burg.
Dishnica tha se; bëra mirë që u futa 9 muaj në burg, atje bëra një vizitë të përgjithshme dhe shpëtova të gjithë kampin dhe ndava sëmundjet, ndër ta kishte njerëz që do të vdisnin shpejt dhe mbaheshin në burg. Pasi mbaruam së piri, unë fillova të nxjerrë të hollat për të paguar, Dishnica tha se; do ti paguaj unë dhe më pyeti sa rrogë merr ti?
Unë i thashë se marr 75 mijë lek në vit, duke ja llogaritur me vite. Dishnica tha se; unë kam dy muaj që kam dalë nga burgu dhe kam zënë 70 mijë lek, prandaj do ti paguaj unë. Tuku tha se; Dishnica është njeri i mirë dhe mjaft i zgjuar, por punën e tradhtisë së Mukjes, këta e kanë bërë vazhdë dhe gjithnjë flasin për të, megjithëse ajo ka 12 vjet, ndërsa Sejfulla Malëshova është hajvan i trashë.
“Filantropi”
Detyrat:
- Takohu me Tukun dhe pyete nëse do të shkojë në festën e Skraparit dhe thuaji se Populli i Skraparit, është i mirë.
- Pyete në bisedë se cilët kanë qenë pjesëtarët e Grupit të Shkodrës dhe kur të vijë fjala tek Vasil Shanto, thuaj nëse ka lënë njerëz dhe si trajtohen.
- Bisedo për luftën që ka bërë Brigada e I-rë në Peshkopi, në mënyrë që të lindi biseda rreth Dali Ndreut, se si e komenton Tuku arrestimin e tijë.
Shënim: Qëllimi i këtyre detyrave, është që neve të mësojmë se si e ka marrë vesh Tuku, arrestimin e elementëve anti-Parti, kohët e fundit dhe si i komenton këto. Memorie.al
Toger
Anastas Bojaxhiu
Vijon nga numri i kaluar
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016