Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës. Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu? Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985
Panajot Plaku kundër privilegjeve të “Bllokut” në Tiranë!
Vdekja e Kalo Plakut ishte një goditje shumë e rëndë për Panajotin, për vetë faktin se ai e dinte shumë mirë që vëllanë e tij e helmoi Sigurimi i Shtetit, gjë e cila do të thoshte se edhe vetë Panajoti që nga ajo ditë e prapa nuk do t’i kishte punët mirë me Partinë. Në fakt goditja ndaj Panajotit kishte filluar shumë kohë më parë se të vdiste i vëllai i tij Kalua dhe që nga ajo kohë ai ishte vënë në shënjestër të Sigurimit të Shtetit.
Lidhur me këtë, familjarët e tij në dëshmitë e tyre ekskluzive për autorin e këtyre radhëve, midis të tjerash dëshmojnë: “Në fakt goditja ndaj Panajotit kishte filluar që me lirimin e tij nga ushtria, gjë e cila ishte një paralajmërim më se i qartë, për të ardhmen e tij krejt të pasigurt, si për vetë atë ashtu dhe për familjen e tij.
Panajoti nuk e duroi dot çmobilizimin nga ushtria dhe heqjen e gradave, sepse ai e kishte lidhur jetën e tij me uniformën ushtarake. Panajoti ishte një komunist idealist dhe shumë i ndershëm. Ai nuk i duronte kurrë padrejtësitë dhe shpesh herë na fliste në shtëpi për privilegjet e “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së në Tiranë dhe pezmatohej nga varfëria e madhe që kishte pllakosur vendin.
Ai nuk kishte asnjë dëshirë që të mbante lidhje miqësore me familjet e udhëheqjes së lartë të PPSH-së që jetonin në “Bllok” dhe nisur nga ai fakt, edhe martesën e tij ai nuk e bëri brenda “Bllokut”, ashtu siç bënë shumë të tjerë në atë kohë, duke u lidhur miqësira me njëri-tjetrin, por u martua me Vjollca Tajën, me origjinë nga Elbasani, e cila kishte mbaruar Liceun Artistik dhe ishte këngëtare në Teatrin e Operës në Tiranë.
Pas fejesës me Vjollcën në vitin 1951, Panajoti nuk pranoi të bënte dasmë, por bëri një ceremoni shumë të thjeshtë, vetëm me njerëzit e shtëpisë. Po kështu edhe miqtë më të ngushtë të Panajotit, nuk ishin ata të Byrosë Politike, por: Omer Nishani, Dali Ndreu, Teme Sejko, Tahir Kadare, Rrahman Përllaku, Maqo Çomo e ndonjë tjetër, të cilët siç dihet tashmë, më pas u goditën të gjithë nga Enver Hoxha, duke u burgosur apo pushkatuar me akuzën si “agjentë të UDB-së”, apo “armiq të popullit”!
Më shumë, Panajoti shoqërohej më vëllanë, Kalo Plakun dhe pjesën më të madhe të kohës ai e kalonte duke studiuar në shtëpi. Vdekja e Kalos e goditi shumë rëndë Panajotin dhe ai gati sa nuk kaloi në depresion të thellë. Pakënaqësitë që ai kishte të akumuluara prej kohësh ndaj udhëheqjes së lartë dhe privilegjeve të tyre, pas vdekjes së Kalos, ai filloi që t’i shprehte hapur në shtëpinë tone, duke na thënë: “Ne hamë bukë të bardhë, ndërsa populli i varfër nuk ka fare bukë për të mbushur barkun”.
Panajoti ishte deputet i zonës së Devollit dhe ai gjente mundësinë për të shkuar shpesh atje për të pyetur për hallet e tyre. Gjatë një takimi me fshatarët e zonës së tij, ata i’a shprehën hapur hallet që kishin duke i thënë: “Si na latë kështu në këtë gjendje, ne ju kemi mbajtur me bukë gjatë kohës së Luftës”!
Panajoti ishte prekur shumë nga fjalët e tyre dhe u premtoi atyre se sa të shkonte në Tiranë do t’ju dërgonte një kamion të vjetër që ta kishin për hallet e kooperativës.
Letra e ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plakut, drejtuar udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovit
“Grigorjevi shprehu pakënaqësi për shkak të sjelljeve të vëllait tim Koço Plakut, i cili ishte gjeolog kryesor në drejtorinë e “Naft-gaz-bitum”-it. Ai më tha se vëllai im u bërtet ekspertëve sovjetikë për shkak të cikërrimave, se ekspertët sovjetikë e kanë udhëheqësin e tyre teknik, të cilit i përgjigjen.
Unë i thashë Grigorjevit se Koço Plaku është gjeolog kryesor i drejtorisë dhe se ai ka për detyrë të kërkojë prej ekspertëve sovjetikë që ë ndjejnë përgjegjësi në punë, meqenëse në drejtori nuk ka ekspertë të tjerë dhe, për këtë arsye, ka për detyrë t’i kontrollojë ata, ose duhet të ndërrohet.
Grigorjevi, e sidomos Kosorotovi, insistonin që gjeologu kryesor të mos i kontrollojë ekspertët sovjetikë, por të shkojë prapa udhëheqësit teknik sovjetik dhe të shikojë se si punon ky. Këto ishin konfliktet e mia kryesore me Grigorjevin, në bazë të të cilave ai më akuzoi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë për sjellje anti-sovjetike.
Në Byronë Politike ndoshta më kanë bërë fajtor për veprimtari anti-sovjetike për shkak se në biseda me shokë të ndryshëm nga Komiteti Qendror i Partisë, e madje edhe me Enverin, kam folur se ne i m’veshim Bashkimit Sovjetik më shumë se sa duhet në lidhje me çlirimin e atdheut tonë.
Unë e di rolin e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, por nuk mendoj se ky rol duhet të ngrihet deri në atë masë, sa që të zhduken plotësisht nën të Lufta Nacionalçlirimtare dhe meritat e popullit dhe të Partisë sonë.
Kjo është historikisht e pasaktë dhe nuk u shërben interesave të revolucionit botëror, e prandaj as interesave të Bashkimit Sovjetik.
Edhe Enver Hoxha pajtohej parimisht me një pikëpamje të tillë, e madje edhe shtoi se Partia jonë duhet t’i bartë përvojat e veta në partitë e tjera të popujve të vegjël, të cilat po zhvillojnë luftë kundër imperializmit, për çlirim të vet nacional.
Unë nuk kam kurrfarë ndjenjash antisovjetike. Unë kam vepruar vendosmërisht dhe kam folur kundër të gjitha shtrembërimeve për shkak se kam qenë i bindur se kurrkush as kurrë nuk do të më akuzojë për veprimtari antisovjetike, meqenëse për përkushtimin tim ndaj Bashkimit Sovjetik, ekzistojnë me qindra dëshmi në jetën time si para luftës, ashtu edhe gjatë luftës dhe pas çlirimit.
Mua si komunist më kanë arrestuar shumë herë fashistët; si mik dhe “agjent” të Bashkimit Sovjetik, fashistët më kanë persekutuar.
Gjatë luftës unë kam luftuar duke qenë i bindur se armët e mia dhe aktiviteti im revolucionar, i japin kontribut jo vetëm mbrojtjes së popullit tim, por edhe i ndihmojnë Bashkimit Sovjetik.
Unë i kam kryer detyrat e përmendura para së gjithash për shkak se i kam dashur dhe i kam mbrojtur interesat e Bashkimit Sovjetik.
Të gjitha vërejtjet dhe kritikat që i kam bërë, të gjitha kërkesat e mia që ua kam parashtruar ekspertëve sovjetikë jo vetëm që nuk i kanë sjellë dëm Bashkimit Sovjetik, por përkundrazi, i kanë dhënë kontribut forcimit të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.
Unë e kam dashur, e dua dhe do ta dua Bashkimin Sovjetik, përkundër faktit se Enveri më quan armik të BRSS-së. Por, për fat të keq, PKSH-ja është krijuar në atë periudhë, në të cilën kulti i personit të Stalinit kishte arritur kulminacion, kur ishin likuiduar në BRSS me qindra e mijëra komunistë më të mirë, kur depërtoheshin popuj të tërë, kur Stalini i kishte në dorë të gjitha punët dhe për këtë arsye edhe Enveri duhej të ishte i tillë.
Kulti i personit të Stalinit nuk i ka dhënë mundësi Partisë sonë që ta shqyrtojë çështjen e demokracisë së brendshme partiake dhe për këtë arsye sot, prej atyre shokëve që kanë marrë pjesë në mbledhjen për formimin e Partisë sonë, nga anëtarët e Komitetit Qendror të përkohshëm (i pari KQ i Partisë sonë), i cili ka qenë zgjedhur me rastin e formimit të Partisë sonë, ka mbetur në udhëheqësi vetëm Enver Hoxha, e prej anëtarëve të Byrosë Politike të parë ka mbetur në udhëheqësi prapë vetëm Enver Hoxha.
Përveç kësaj, Partia jonë ende nuk di kush ka marrë pjesë në konferencën e saj themeluese, kush kanë qenë anëtarë të Komitetit Qendror të përkohshëm dhe të Byrosë Politike të parë.
A mund ta konsiderojmë normale gjendjen e tillë në një parti, e cila është formuar para 16 vjetëve, kur dihet se pjesëmarrësi më i vjetër i asaj konference themeluese nuk ka pasur më shumë se 45 vjet?
A mund ta konsiderojmë si normal likuidimin e të gjithë punëtorëve,e të cilët me të vërtetë kanë qenë iniciatorë të formimit të Partisë sonë, e jo Enver Hoxha, sikurse po gënjejnë tash rreth e përqark? Kuptohet se kjo është pozitë jonormale.
Të gjithë e dinë se një pjesë e strukturës udhëheqëse është vrarë në luftë, një pjesë ka qenë likuiduar në kohën e marrëdhënieve të çrregulluara me Jugosllavinë, e një pjesë pas kësaj. Të gjitha këto aksione mund të arsyetohen disi, por a mund të arsyetohet përjashtimi nga Partia dhe likuidimi i udhëheqësve më të lartë të Partisë pas Kongresit XX të PK të BRSS?
Unë mendoj se kjo nuk është dashur të ndodhë kurrsesi, e çka ka rëndësi kryesore – në të ardhmen është e domosdoshme të mos lejohen aksione të ngjashme. Pas Kongresit XX të PK të BRSS-së janë likuiduar (përjashtuar nga Partia dhe pushkatuar), më se dhjetë anëtarë të vjetër të Partisë.
Nuk mund të lë pa e theksuar këtu përjashtimin nga Partia të Tuk Jakovës, punëtor, një nga iniciatorët e formimit të Partisë; përjashtimin e Bedri Spahiut, një nga komunistët më influentë të qarkut të Gjirokastrës dhe të mbarë vendit; pushkatimin e Liri Gegës, njërës nga themelueset e Partisë; pushkatimin e Dali Ndreut, njërit nga komunistët më të vjetër të rajonit të Dibrës, pushkatimin e Petro Bullatit e të tjerëve.
Gjithashtu, më duhet ta përmend patjetër arrestimin, përjashtimin nga Partia dhe masat e tjera, që janë ndërmarrë kundër disa dhjetëra komunistëve të vjetër.
Hulusi Spahiu, vullnetar i Spanjës dhe gjeneral i Ushtrisë Shqiptare, është përjashtuar nga Partia, i është hequr grada dhe është bërë zëvendës i parë i ministrit të Mbrojtjes Popullore, është emëruar krye shef i magazinave.
Shembuj të tillë ka shumë e shumë. Lufta kundër kultit të personelit në Partinë tonë është kufizuar në pakësimin e parullave për Enver Hoxhën dhe në renditjen e fotografive të udhëheqësve sipas abe ce des.
Tash në Shqipëri flitet për Partinë më shumë se për Enverin, megjithëse në kohë të fundit, me pretekst se është e domosdoshme të ruhet autoriteti dhe me qëllim që të mos përsëritet Konferenca e Tiranës, si dhe me qëllim që të mos lejohet që të ndodhë në Shqipëri ajo që ndodhi në Hungari, prapë kanë filluar t’ia m’veshin Enver Hoxhës të gjitha sukseset e Partisë sonë dhe të popullit tonë.
Ja një shembull tipik nga koha e fundit. Në një film dokumentar, që u xhirua me rastin e kthimit të delegacionit tonë të qeverisë dhe të Partisë nga Bashkimi Sovjetik, në vend që të tregohet tribuna në të cilën mbajtën fjalime Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe ku ishin anëtarët e Komitetit Qendror dhe të qeverisë, u treguan vetëm Enveri dhe Mehmeti.
Mund të përmenden me qindra shembuj të këtillë. Në qoftë se studiohet mirë jeta e Partisë së Punës të Shqipërisë nga aspekti i fjalimit tuaj në mbledhjen e mbyllur të Kongresit XX të PK të BRSS-së, atëhere do të shihet në mënyrë të qartë se në Shqipëri ka sunduar dhe ende sundon me metoda staliniste vetë Enver Hoxha. Ju e dini se Tuk Jakova u kualifikua si armik i Partisë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016