Dashnor Kaloçi
Pjesa e nëntë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. Dokumentacioni i plotë, (tashmë i de-klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan atë vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Raport-informacioni i Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me qëndrimin në Shqipëri të shoqërueses së Nënë Terezës, regjisores Zhanet Petrie
Komiteti
Nr.320 Tiranë me 27.11.1989
I N F O R M A C I O N
Mbi qëndrimin e Zhanet Petrisë në vendin tonë.
Nga data 25-25 nëntor 1989, bëri një vizitë private në Shqipëri gazetaria kanadeze e nënë Terezës, Zhanet Petri.
Që në fillim të vizitës Zhanet Petri vuri në dukje se kishte ardhur me mision nga Nënë Tereza, gjë që shprehet edhe në letrën e Nënë Terezës. Detyra e saj kryesore ishte të dorëzonte letrat e Nënë Terezës për shokun Ramiz Alia, shoqen Nexhmije Hoxha, shokun Jorgo Melica, Ciril Pistoli dhe Adelina Mazreku dhe të takohej me disa nga personalitetet.
Pas vizitës që bëri në muzeun “Enver Hoxha” kërkoi me këmbëngulje të takohej me shoqen Nexhmije Hoxha, “qoftë edhe për dy minuta”. Përgatiti dhe një zarf të veçantë në të cilin futi të gjitha kopjet e letrave, si dhe një letër që shkroi posaçërisht për të ditën e fundit.
Kur ju tha se shoqja Nexhmije i kishte marrë si videokasetën dhe letrën, mbeti e kënaqur, pavarësisht se nuk mundi të merrte takim. Në pamundësi për t’u takuar me shoqen Nexhmije, pyeti nëse mund të takohej me të bijën. Ju tha se çështjet shtetërore nuk mund të përzihen me çështjet private.
Gjatë bisedave me të, Zhanet Petri tha se Nënë Tereza, që ditën që u largua nga Shqipëria dhe mbërriti në Romë, u takua me Papën, i cili, siç tha ajo, “ka një dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Nënën”. Kur u pyet nëse Papa tregoi ndonjë interes për vendin tonë, ajo e kapërceu bisedën duke thënë se “ai u kënaq kur pa albumin me fotografi të vizitës dhe u ndal veçanërisht në shtëpinë ku kanë banuar e ëma dhe motra e nënë Terezës (shtojmë se Nënë Tereza mendon që në këtë shtëpi të vendosë motrat. Edhe Zh. Petri, pyeti se si veprohet kur blihet një shtëpi). Nënë Tereza i dhuroi Papës një nga qilimat që i ishin bërë dhuratë në Shqipëri, të cilin ai e pranoi.
Qëllimi i dërgimit të letrave dhe i Zh. Petrisë këtu, është gjetja e mënyrave dhe rrugëve për të sjellë motrat. Nëna mendon të sjellë katër motra, të cilat mund të jenë me kombësi të ndryshme, përveç primares, që mendohet të jetë me origjinë shqiptare. Për këtë sugjeron të sjellë të motrën e Marie Garetit, që ndodhet në Washington D.C. dhe që mban një post të rëndësishëm në Kuvendin e Nënë Terezës.
Nëna pranon që një shtëpi e tillë mund të mos hapet domosdo në Tiranë. Kushtet e pranimit të motrave Nëna i lë në dorë të vendit pritës. Për këtë dërgon edhe kopje të dy kontratave me Bashkimin Sovjetik. Megjithatë Nënë Tereza mendon të vijë vetë në Shqipëri në fund të dhjetorit të këtij viti. Për këtë ka refuzuar çdo ftesë që i është bërë.
Edhe vetë Zh. Petri theksoi disa herë me radhë se: “ju nuk mund ta merrni me mend se sa e pa angazhuar në politikë është Nëna”. Ky është edhe çelësi i suksesit të saj që di t’ia përshtatë misionin motrave vendit ku i ka vendosur”.
Me ardhjen në Shqipëri Zhanet Petri theksoi se misioni i saj ishte vetëm çështja e Nënës e jo të bënte vizita. Megjithatë, interesi i saj për vendin tonë erdhi duke u rritur, sidomos pas vizitës në Muzeun Kombëtar dhe në Muzeun “Enver Hoxha”. Në Muzeun “Enver Hoxha” tha se “është mirë kur e sheh nga afër një vend, sepse korrigjon edhe opinionet e gabuara, që pa dashjen tënde, mund të t’i kenë ushqyer të tjerët”.
Të nesërmen na tregoi se kishte blerë disa nga veprat e zgjedhura të shokut Enver Hoxha dhe disa broshura informative. Nga ana jonë i’u dhuruan disa material të tjera, një seri me fotografi nga vizita me Nënë Terezën (sipas kërkesës së saj), fotografia e zmadhuar e motrës së Nënë Terezës tek varri dhe metodën e mësimit të gjuhës shqipe (sipas kërkesës së vetë Nënës).
Ditën e largimit, na informoi se një natë më parë, i kishin ftuar për darkë dy shqiptarë të Amerikës, njëri tepër i gjatë dhe tjetri prift ortodoks nga Bostoni”. Na tha se ata kishin dijeni për ardhjen e saj nga misioni ynë në OKB. Pyetjes së tyre “përse ke ardhur”, ajo na tha “ju shmang sepse jo të gjithë duhet të marrin vesh arsyen e vizitës sime”.
Nga vizita mbeti e kënaqur me shpresë se ka për t’u kthyer përsëri.
Kryetari
Jorgo Melica
P.S. bashkangjitur ndodhet zarfi për shoqen Nexhmije Hoxha
(letra e dytë)
Raport-informacioni i ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, për vizitën në Tiranë të shoqërueses së Nënë Terezës, regjisores Zhanet Petrie
MBI VIZITËN E SEKRETARES SE NENE TERZES NE TIRANE, ZHANET PETRI
Këto ditë bëri një vizitë në Tiranë sekretarja e Nënë Terezës, gazetarja Zhanet Petri.
Ajo u prit në Komitetin për Marrëdhëniet Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme, vizitoi institucione muzeale në Tiranë dhe në Berat, u takua me shoqen Marie Kraja e Adelina Mazreku dhe shkoi tek varret e familjes së Nënë Terezës.
Zhanet Petri tha se vinte në Shqipëri me porosi të nënës, për të sjell letrat e saj për shokun Ramiz Alia, shoqen Nexhmije Hoxha. Nënvizoi se për dërgimin e “motrave” në Shqipëri “nëna mori letrën e presidentit dhe u kënaq shumë, e lexoi disa herë, por në të nuk gjeti, as po e as jo”.
Shtoi se një ditë duhet të bëjmë diçka dhe se këtë nëna e pret, se ajo e pranon realitetin shqiptar, ka filluar të flas dhe është krenare që është shqiptare. Sipas Zhanet Petri, dëshira e Nënë Terezës është që të vijë në Shqipëri, së bashku me motrat, brenda vitit.
E sipërmja dorëzoi për shokun Ciril Pistoli një fotografi të Nënë Terezës, me shënimet e saj ku e falënderonte për telegramin që i dërgoi kur ishte e sëmurë. Gjithashtu dorëzoi një letër për Jorgo Melicën, e një për Adelina Mazrekun, ku përsëri trajton çështjen e dërgimit të motrave në Shqipëri.
Shoku Jorgo Melica i theksoi se: “në Shqipëri fëmijët janë në çerdhe e kopshte, për ata me të meta mendore ka shkolla special si dhe për të sëmurët psikik. Shërbimi shëndetësor është falas, që në Shqipëri lindshmëria stimulohet, që në fatkeqësinë që i ndodh një familjeje merr pjesë e gjithë shoqëria, vesh arsyen e vizitës sime” sikurse ndodhi me fatkeqësinë e datës 23 nëntor, (të cilën ajo e pa ceremoninë e organizuar me këtë rast dhe tha se nuk mund ta besoj që një gjë e tillë të ndodhte në Amerikë).
Në Indi, Amerikën Latine dhe Bashkimin Sovjetik, etj., gjen fushë veprimi misioni juaj, pse ka njerëz të mbetur rrugëve, të pa strehë e pa ndihma, fëmijë të braktisur, pleq pa shtëpi, të droguar, njerëz me sëmundje shfarosëse e ngjitëse. Këtu tek ne këto nuk gjenden, për arsye se ekzistojnë institucione shtetërore në të cilat punojnë me qindra djem e vajza si mjeke, infermier, si kujdestar e edukator, prandaj çdo mision tjetër do të ishte i pa nevojshëm.
Megjithëse dëgjonte me interes dhe miratonte, Zhanet Petri, përsëriste: “të fillojmë të mendojmë për të ardhmen”. Gjatë bisedave me të, Zhanet Petri tha se Nënë Tereza, që ditën që u largua nga Shqipëria dhe mbërriti në Romë, u takua me Papën, i cili, siç tha ajo, ka një dashuri e respekt të jashtëzakonshëm për Nënën. “Ai u kënaq kur pa albumin me fotografi të vizitës dhe u ndal veçanërisht në shtëpinë ku kanë banuar e ëma dhe motra e Nënë Terezës. Nënë Tereza i dhuroi Papës një nga qilimat që i ishin bërë dhuratë në Shqipëri.
Nga pritja e trajtimi Zh. Petri, mbeti e kënaqur. Bashkëlidhur është letra drejtuar shoqes Nexhmije Hoxha. Për korrektesë mendojmë t’i jepet një përgjigje nga shoku Jorgo Melica, ose Adelina Mazreku, ku do të theksohet se për arsye të realitetit të shoqërisë tonë nuk del nevoja e hapjes të një shtëpie bamirësie. Teksin do ta përgatisim.
Tiranë, me 30 nëntor 1989
Reiz Malile
Letra e ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Nënë Terezës më 20 dhjetor 1989
Tiranë, me 20 dhjetor 1989
E respektuar Nënë Tereza
Muarrëm letrat tuaja që na dërgonit me Z. Zhanet Petri. Unë dhe miqtë tuaj të tjerë u gëzuam pa masë nga Z. Petrie se tani ndjeheni më mirë dhe që gjendja juaj shëndetësore është përmirësuar.
Gjatë ditëve të qëndrimit tuaj në Tiranë unë ndjeva një kënaqësi të veçantë që pata rastin t’ju shoqëroj në disa nga institucionet tona shëndetësore e shoqërore, misioni i të cilave është të kujdesen për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve.
Vëmendje ndaj të sëmurëve apo jetimëve tek ne është problem i tërë shoqërisë dhe shtetit, që nuk kursehen për të bërë gjithçka që ato të jetojnë në mirëqenie e gëzim. Në kushtet tona nuk paraqitet nevoja e hapjes së një shtëpie bamirësie.
Unë dhe miqtë e tjerë që keni këtu, vlerësojmë me respekt humanizmin tuaj të devotshëm.
Reis Malile
Letra dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, për të miratuar letrën që do i dërgohej Nënë Terezës, në emër të Adelina Mazrekut
Shoku Reis!
Bashkëlidhur është letra që mendohet t’i dërgohet Nënë Terezës në emër të sh. Adelian Mazreku 21.12.1989
E respektuar Nënë Terezë
U gëzova pa masë për letrën tuaj, që ma dërguat me zonjën Zhanet Petri, për të cilën Ju falënderoj nga zemra.
Me kënaqësi kujtoj ditët e qëndrimit tuaj në Atdheun tone, por më erdhi keq që koha e vizitës ishte e shkurtër dhe nuk mundët të vizitoni pjesë të tjera të Shqipërisë. Ashtu si në Tiranë, ku ne së bashku pamë disa nga institucionet tona shëndetësore e shoqërore, kudo në Shqipëri ka institucione të tilla misioni të cilave është që të kujdesen për mirëqenien e njeriut, njësoj siç kujdeset familja me dashuri dhe ngrohtësi për njerëzit e saj.
E dashur, Nënë Tereza
Ne patëm rast të shkëmbejmë mendime e t’ju flas se në Shqipëri, gjithçka që është bërë e bëhet, i kushtohet lumturisë së njeriut për ta çliruar nga vuajtjet, sëmundjet dhe epidemitë, si dhe nga plagët e rënda shoqërore që e bëjnë të vështirë jetën e milionave njerëzore sot në botë.
Nisur nga kjo, besoj se është e kuptueshme për Ju se nuk lind nevoja për hapjen e një misioni të motrave Tuaja në Shqipëri, humanizmi dhe kujdesin e të cilave për lehtësimin e dhimbjeve ne e çmojmë së tepërmi.
E përfundoj letrën time, duke Ju uruar çdo të mirë për Vitin e Ri 1990, në radhë të parë shëndet të plotë dhe gjithmonë suksese në misionin Tuaj të lartë e fisnik.
Me respekt e dashuri
Adelina Mazrreku
Raport-informacioni i Ministrisë së Punëve të jashtme në Tiranë, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me kërkesën e shefit të kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë, De Mikelis Grafini, për ardhjen e një prifti në Shqipëri
I N F O R M A C I O N
Me datën 28 nëntor, zëvendës shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm Italian, De Mikelis Grafini, thirri ambasadorin tonë dhe i kërkoi që:
- Së bashku me motrat e Nënë Terezës të vijë në Shqipëri dhe një prift i cili do t’u shërbejë vetëm motrave të Nënë Terezës. Lidhur me këtë, shpjegoi, De Mikelis ka menduar që ky person mund të ishte një Italian i cili të qëndrojë pranë ambasadës italiane në Tiranë dhe shërbimi i tij do të jetë i kufizuar vetëm për motrat në fjalë. Këtë kërkesë, sipas Grafinit, De Mikelisit, ia ka bërë ministri i Jashtëm i Vatikanit.
- Në vazhdim Grafini, ngriti problemin e Popujve. Tha se meqenëse ata janë ngushtë, për ta mund të bëjmë një sistemim brenda për brenda ambasadës, duke u dhënë zyrën e atasheut të kulturës. Për këtë mund të çojmë nga Italia ndonjë arkë me material e mobilie. Jua them këtë, shtoi Grafini, për të mos krijuar ndonjë dyshim. Këtë Grafini e lidhi me kushtet e këqija të jetesës së tyre dhe se nuk do të ishte mirë që Popajt të gjendeshin në këtë gjendje në kohën e s’postimit të tyre jashtë vendit, me ndërhyrjen e ndonjë organizatë të Kryqit të Kuq, në praninë e përfaqësive perëndimore dhe italiane.
Lidhur me sa sipër, mendojmë:
- Ambasadori ynë të marrë takim me zëvendës shefin e kabinetit, Grafini, e t’i thotë se ne e mirëpresim me kënaqësi vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri, e cila erdhi për t’u çmallur me vendin e saj dhe për të bërë homazhe në varrezat e njerëzve të vet. Gjatë kësaj vizite ajo u interesua edhe nëse mund të dërgonte katër motra misionare në Shqipëri. Në takimet që ajo pati me persona zyrtarë u vlerësua misioni i saj humanitar dhe midis të tjerash, i’u tha se çmojmë lart dëshirën e sinqertë për të patur edhe në Shqipëri motrat e saj, misionaret e bamirësisë. Asaj i’u shfaq bindja se ky shqetësim për njerëzit e varfër përbën dhe detyrën humane e patriotike për mijra e mijra djem e vajza të popullit shqiptar, që si mjekë e infermierë, si kujdestar e edukator, i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë.
Nënë Tereza gjatë qëndrimit në Shqipëri, pati mundësinë të konstatonte vetë kujdesin që tregohet për njerëzit, për jetën e tyre, për fëmijët, pleqtë, invalidët etj.
Në fund Grafinit, për këtë çështje, t’i thuhet se Nënë Terezës i’u bë e qartë se shqetësimi i saj është dhe shqetësimi ynë dhe se Shteti Shqiptar i kushton përparësi kujdesit për shëndetin e mirëqenien e njerëzve. Në këto kushte nuk ka bazë dhe nuk del nevoja për ardhjen e priftit.
- Për incidentin me Popajt, t’i thuhet se pozita e Shqipërisë i është bërë e qartë me kohë, palës italiane dhe pas bisedimesh të zgjatura është gjetur bashkërisht një rruge e papranueshme për të dyja palët, e cila nuk prek as sovranitetin shqiptar, as lëndon prestigjin Italian ose ligjet e praktikën ndërkombëtare, për raste të tilla. T’i ritheksohen shkurt garancitë e dhënë për Popajt, të cilët iu bënë të njohura dhe Ruxheros gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe t’i thuhet se çdo ndërhyrje për zgjidhjen e problemit jashtë sovranitetit shqiptar, veçanërisht nëpërmjet një angazhimi paraprak me plane Italian, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet tona, e komplikon edhe më tepër problemin. T’i thuhet se kjo është pozita e qeverisë shqiptare dhe se nuk ka asnjë ndryshim.
Në fund t’i shprehet keqardhja e palës sonë për zvarritjen e zgjidhjes se incidentit dhe se çdo sugjerim apo propozim i ri, jashtë rrugës që është gjetur bashkërisht për zgjidhjen e problemit, do të krijonte përshtypjen se më tepër u jepet rëndësi gjashtë individëve që mbahen në mënyrë ilegale në ambasadë, se sa marrëdhënieve me Shtetin shqiptar. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016