Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dosjen gjyqësore me vendimin e Gjykatës Popullore të Tiranës të datës 31 janar të vitit 1977, me kryetar Aleks Varfi, për ngjarjen e shumëpërfolur të “helmimit të lopëve të Baldushkut”, të cilat “hëngrën” katër koka njerëzish dhe dërguan prapa hekurave të burgut shumë të tjerë të pafajshëm. Si u inskenua dhe u montua akuza nga Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me Hetuesinë, Prokurorinë dhe Gjykatën, duke krijuar të ashtuquajturin “Grup kriminal sabotator” prej shtatë personash, ku bënin pjesë: Refat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akcani, Bashkim Allmuça, Emine Shima dhe Nadire Shimta, të cilët u akuzuan edhe si “përkrahës të Grupit të Beqir Ballukut dhe që kishin kërcënuar udhëheqjen e lartë të PPSH-së me anë të një letre anonime….”?!
“Kështu të dy ranë dakord të dërgojnë një letër anonime udhëheqsave kryesorë të Partisë plot me shpifje dhe trillime dhe me shprehje armiqësore kryesisht kundër kuadrove të Partisë të zonës së Baldushkut. Por të pandehurit duke parë që të mos realizohej edhe kjo dëshirë e tyre, menduan që të realizonin aksione më konkrete. Kështu aty nga muaji Gusht i vitit 1975 kanë menduar për të helmuar bagëtitë e Kooperativës Bujqësore fillimisht në stallën e Mumajesit, porse për këtë gjë nuk kanë gjetur kushte të përshtatshme mbasi u nevojiteshin edhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë vendosur të tërheqin në këtë veprimtari fillimisht të pandehurën Emine Shima me detyrë mami. Mbasi edhe kjo ka pranuar planin e tyre, bashkërisht kanë vendosur të zgjerojnë grupin duke future në të persona të tjerë të pakënaqur që punojnë në stallën e bagëtive në Baldushk sepse pa ndihmën e tyre nuk mund të realizohej helmimi i lopëve në këtë stallë. Çdo njeri nga këta ka marrë detyrë për të siguruar helmimin e lopëve, por veçanërisht kjo detyrë është marrë përsipër nga Refati dhe Nuriu. Veç kësaj Emine Shima është ngarkuar për të futur edhe të motrën e saj të pandehurën Nadire Shima mbasi kjo e fundit është mjelëse në stallën e Baldushkut. Nuri dhe Bashkim Allmuça morën përsipër që të tërhiqnin Selmanin ndërsa Refati u ngarkua për të tërhequr Agim Akçanin, dhe nga fundi i 1975 duke shfrytëzuar armiqësinë kundër pushtetit pranuan pa vështirësi marrjen pjesë në grup duke pasur dijeni mbi qëllimet e tij”.
Vendimi i Gjykatës Popullore të Tiranës për “Grupin armiqësor sabotator” të Baldushkut
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
GJYKATA POPULLORE E RRETHIT TIRANE
Nr. 35 Aktit
Nr. 39 Vendimit
Dt. 31. I. 1977
Vendim: “Në emër të Popullit”
Gjykata Popullore e Rrethit të Tiranës e përbërë prej: Kryetarit të seancës: Aleks Varfi dhe Nd/gjyqtarët Bedri Merja, Petrit Baxhaku.
Asistuar prej sekretares Aishe Shima, dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit Isamedin Resmja, në seance gjyqësore pjesërisht me dyer të mbyllura të datave 24, 25, 26, 27, si dhe 31. 1. 1977, mori në shqyrtim çështjen penale Nr.35 që u përket të pandehurve:
- Refat Daja, i biri i Sadikut dhe i Gjyzes lindur në 1949 në fshatin Mustafa Koçaj të Tiranës dhe banues po atje, me profesion nd. mjek me arsim të mesëm, pa parti, i pa dënuar, pa dekorata, i pa martuar, origjina shoqërore fshatar i varfër, arrestuar me date 17.6.1976.
- Nuri Allmuça, i biri i Iliazit dhe i Qamiles lindur në 1938 në Mumajes të Tiranës dhe banues po atje, me punë infermier, me arsim fillor, i martuar me 3 fëmijë të mitur, pa parti, i pa dënuar, pa dekorata, origjina fshatar i varfër, arrestuar më 16.11.1975.
- Selman Balla, i biri i Haxhiut dhe i Hankes lindur në 1944 në Baldushk dhe banues po atje, anëtar i kooperativës Bujqësore, me arsim fillor, i martuar me 4 fëmijë, i pa dënuar, pa parti, pa dekorata, origjina fshatar i varfër, arrestuar më 10.11.1975.
- Agim Akçani, i biri i Mehmetit dhe i Lkes lindur në 1953 në Baldushk të Tiranës dhe banues po atje, me punë brigadier në stallën e lopëve, me arsim fillor, beqar, pa parti, i pa dënuar, pa dekorata, origjina shoqërore fshatar i mesëm, arrestuar me 10.11.1975.
- Bashkim Allmuça, i biri i Limanit dhe i Dilës lindur në 1950 në Mumajes dhe banues po atje, antar i Kooperativës Bujqësore, me arsim të mesëm, pa parti. i pa dënuar, beqar, origjina shoqërore fshatar i pasur, arrestuar me datën 17.6.1976.
- Emine Shima, e bija e Muharremit dhe e Bedrijes lindur në 1952, me arsim të mesëm dhe me profesion mami, e pa martuar, e pa dënuar, pa parti, pa dekorata, origjina shoqërore fshatare e mesme dhe e arrestuar në datën 9.12.1975.
- Nadire Shima, e bija e Muharremit dhe e Bedrijes e lindur në 1955 banuese po në Baldushk, anëtare e Koopperativës Bujqësore, me arsim 8 vjeçar, pa parti, e pa dënuar, e pa martuar, pa dekorata, origjina shoqërore fshatare e mesme, e arrestuar në datën 9.12.1975.
Të Akuzuar: sipas nenit 70, 73/1, dhe 76 të K.P. Gjykata mbasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, dhe provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, së bashku me Prokurorin i cili kërkoi deklarimin fajtor të të gjithë të pandehurve dhe dënimin e tyre sipas neneve 70, 73/1, dhe 76 të K.P. si vijon:
Rifat Daja në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë.
Nuri Allmuça në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me vdekje dhe në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 10 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me vdekje dhe me konfiskim të pasurisë.
Selman Balla në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 25 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 8 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 25 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Agim Akçani në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 20 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 20 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Bashkim Allmuça në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 18 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 18 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Nadire Shima në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 15 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 5 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 15 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Emine Shima në bazë të nenit 70 e 76 të K.P. me 13 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. me 6 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Përfundimisht me 14 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë.
Të pandehurit Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Emine Shima, dhe Nadire Shima, pranuan fajin e tyre dhe treguan se janë të penduar prandaj kërkuan mëshirë. I pandehuri Selman Balla kërkoi pafajësi. Gjykata, pasi shqyrtoi aktet dhe analizoi çështjen në tërësi:
Vëren: Rezulton e provuar se të pandehurit Rifat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Emine Shima, dhe Nadire Shima, bashkarisht me grup të organizuar kanë vepruar kundër pushtetit popullor me qëllim armiqësor duke kryer akte diversioni në drejtim të helmimit të lopëve të kooperative bujqësore Baldushk, konkretisht në këtë mënyrë:
Gjykata: Të pandehurit janë me prejardhje armiqësore
Të gjithë të pandehurit kanë qenë me prejardhje armiqësore mbasi në rrethin e tyre kanë patur të afërm të goditur nga pushteti popullor për shkak të pjesëmarrjes së tyre me armë në dorë në organizatën tradhtare të Ballit Kombëtar, ose kanë mbajtur qëndrim të keq gjatë pushtetit popullor duke u dënuar si armiq apo të shpronësuar. Me gjithë këtë, të pandehurit janë trajtuar mirë aq sa janë dërguar në shkollë nga ana e pushtetit dhe mandej në përgjithësi këta janë vendosur në punë të mira, deri ditën e arrestimit të tyre. Por si rezultat i ashpërsimit të luftës së klasave si brenda ashtu dhe jashtë vendit, elementi armik edhe në kooperativën e Baldushkut ka filluar të aktivizohet duke ju kundërvënë masave të drejta të Partisë dhe pushtetit si element të papërshtatshëm për shkak të së kaluarës së tyre jo të mirë. Në këtë kategori janë edhe të pandehurit, të cilët janë cënuar me të drejtë nga këto masa. Pra këto duke patur pre dispozicionin armiqësor për shkak të të afërmve të tyre dhe nga masat e drejta të marra sidomos karshi familjes, Daja dhe personalisht Allmuça. Ata janë bashkuar me njëri tjetrin për të goditur ekonominë socialiste qysh nga Maji i vitit 1975 ku Rifati ka filluar të dali hapët kundër vijës së Partisë, pra qysh në këtë kohë ka filluar të punojë për të krijuar një gjendje të sëmurë në fshat duke shkruar letra anonime të cilat ua drejtonte drejtuesve te organeve të Partisë dhe pushtetit në zonën e Baldushkut. Duke mos ia arritur qëllimit që dëshironte, shkarkimin nga detyra të këtyre kuadrove, është bashkuar me të pandehurit Nuri dhe Bashkim Allmuça dhe këto elementë me prirje armiqësore.
Nuria dhe Refati, letër anonime udhëheqjes!
Kështu të dy ranë dakord të dërgojnë një letër anonime udhëheqësve kryesorë të Partisë plot me shpifje dhe trillime dhe me shprehje armiqësore kryesisht kundër kuadrove të Partisë të zonës së Baldushkut. Por të pandehurit duke parë që të mos realizohej edhe kjo dëshirë e tyre, menduan që të realizonin aksione më konkrete. Kështu aty nga muaji gusht i vitit 1975, kanë menduar për të helmuar bagëtitë e Kooperativës Bujqësore fillimisht në stallën e Mumajesit, porse për këtë gjë nuk kanë gjetur kushte të përshtatshme mbasi u nevojiteshin edhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë vendosur të tërheqin në këtë veprimtari fillimisht të pandehurën Emine Shima me detyrë mami. Mbasi edhe kjo ka pranuar planin e tyre, bashkërisht kanë vendosur të zgjerojnë grupin duke future në të persona të tjerë të pakënaqur që punojnë në stallën e bagëtive në Baldushk sepse pa ndihmën e tyre nuk mund të realizohej helmimi i lopëve në këtë stallë. Çdo njeri nga këta ka marrë detyrë për të siguruar helmimin e lopëve, por veçanërisht kjo detyrë është marrë përsipër nga Refati dhe Nuriu. Veç kësaj Emine Shima është ngarkuar për të futur edhe të motrën e saj të pandehurën Nadire Shima mbasi kjo e fundit është mjelëse në stallën e Baldushkut. Nuri dhe Bashkim Allmuça morën përsipër që të tërhiqnin Selmanin ndërsa Refati u ngarkua për të tërhequr Agim Akçanin, dhe nga fundi i 1975 duke shfrytëzuar armiqësinë kundër pushtetit pranuan pa vështirësi marrjen pjesë në grup duke pasur dijeni mbi qëllimet e tij.
Mbledhja e fshehtë e grupit për sabotazhin
Te gjithë të pandehurit pasi kanë marrë dijeni për njëri tjetrin se bëjnë pjesë në këtë grup dhe mbi qëllimet e tij, në një rast janë mbledhur bashkërisht në mënyrë të fshehtë për të saktësuar mënyrën e veprimit. Kështu në fund të tetorit të vitit 1975 të gjithë këta janë mbledhur në një vend të fshehtë në Grykën e Shimës ku atje kanë folur Rifat Daja, Nuri Allmuça e të tjerë. Këtu është bërë e qartë për të gjithë, helmimi i lopëve do të bëhet për të goditur ekonominë e kooperativës, dhe në këtë mënyrë do të arrihej marrja e masave kundër kuadrove të Partisë dhe pushtetit. Njëkohësisht, ky aksion bëhej edhe në kundërvënie të masave që Partia mori kundër tradhtarit Beqir Balluku. Ky aksion do të bëhej duke u gdhirë 8 Nëntori 1975, dita e themelimit të partisë dhe që do të kishte jehonë politike. U vu detyrë që në orët e vona të datës 7 nëntor 1975 çdo njëri nga pjesëtarët e grupit në mënyrë të fshehtë do të ndodhej në stallën e lopëve të Baldushkut bashkë me helmet. Mbasi u përcaktua më qartë qëllimi dhe detyra e çdo njërit, të gjithë pjesëmarrësit u larguan.
Si u realizua helmimi i lopëve
Mbas disa ditëve një pjesë e tyre janë mbledhur rishtazi në Baldushk duke i përsëritur detyrat dhe në mbrëmjen e datës 6 Nëntor 1975 të gjithë këta (me përjashtim të Emine Shimës) e cila nuk vajti pasi nuk ishte e nevojshme pjesëmarrja e saj në ekzekutimin e krimit, shkuan në stallën e lopëve. Kështu nga ana e Agim Akçanit u çel zyra e tij me çelësin që ky mbante me vete dhe nëpërmjet kësaj të gjithë hynë në dhomën e pregatitjes së ushqimit të lopëve. Meqenëse ushqimi i fermentuar ishte përgatitur si zakonisht nga Selman Balla paradite, të gjithë të pandehurit filluan të tretnin helmet, të cilat i hodhën në ushqimin e fermentuar dhe mandej ky ushqim u trazua bashkë me helmin nga të pandehurit Selman Balla dhe Agim Akçani. Duke e përfunduar aksionin të gjithë të pandehurit u larguan për në shtëpitë e tyre, dhe u betuan solemnisht për ta mbajtur këtë gjë të fshehtë. Në rast zbulimi të çështjes, të gjithë duhet ta mohonin këtë aksion me çdo kusht. Të nesërmen filloi dhënia e ushqimit dhe ujit të pijshëm të helmuar lopëve, të cilat filluan të infektohen. Aty nga data 10.11.1975 filluan të duken dhe shenjat e para të helmimit të lopëve, të cilat në ditët në vijim erdhën duke u shtuar. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016