Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë , që i përkasin vitit 1979, ku ndodhen disa raport-informacione me siglën “sekret” të ministrit të Punëve të Brendshëm të asaj kohe, Kadri Hazbiu dhe Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Feçor Shehu dhe zv/ Drejtorit të Sigurimit të Shtetit, Ndue Doçi, në të cilat bëhet fjalë për problemet tepër shqetësuese që kishin dalë asokohe në sektorin e industrisë së naftës, ku sipas tyre, kishte veprimtari armiqësore dhe sabotime. Në raport-informacionin në fjalë të drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, i cili përveç Enver Hoxhës, u është dërguar edhe kryeministrit Mehmet Shehu dhe Sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH_së dhe anëtarit të Byrosë Politike, Hekuran Isai, jepen edhe emrat e drejtuesve të naftës dhe inxhinierëve që ishin “të implikuar në veprimtari armiqësore dhe agjentura të huaja”!
Letra e ministrit të Brendshme, Kadri Hazbiu, për Enverin
Shoku Enver
Siç ju premtova, po ju dërgoj këtë raport ku jepen të dhëna e mendime të Sigurimit të Shtetit, mbi punën në Sektorin e naftës dhe të gazit. U përpoqëm të ristrukturojmë ato çka kemi patur dhe kemi në këtë drejtim, pavarësisht se disa çështje janë të njohura. Për këtë më ka porositur shoku Hysni.
Këtë material i’a dërgova dhe shokut Mehmet dhe shokut Hekuran.
Me respekt
Kadri Hazbiu
Tiranë, më 30.8.1979
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr.1
DREJTORIA E PARE TIRANË, më 30.8.1979
Nr.3564
R A P O R T
MBI DISA KONKLUZIONE QE DALIN NGA VEPRIMTARIA ARMIQËSORE E KEQBËRËSE NE INDUSTRINË E NAFTËS DHE TE GAZIT
Nga analiza e të dhënave që disponojnë organet e Sigurimit të Shtetit, rezulton se në sektorin e industrisë të naftës dhe të gazit edhe pas zbulimit dhe goditjes së grupit sabotator, është zhvilluar dhe zhvillohet veprimtari armiqësore dhe keqbërëse mjaft intensive, e cila veç të tjerave duket edhe në rritjen e numrit të të dhënave për veprimtari armiqësore (7% më tepër se në vitin 1978, në krahasim me 1977), në shtimin e objekteve të përpunimit (3% më tepër) në rritjen e rasteve të avarive (50% më shumë) etj.
Gjithashtu nga disa kuadro drejtues janë kryer dhe lejuar veprimtari të papërgjegjshme, që bien në kundërshtim me direktivat dhe orientimet e Komitetit Qendror të PPSH-së e të Qeverisë, me rregullat dhe dispozitat që normojnë proçeset e punës dhe të prodhimit, të cilat kanë penguar realizimin e detyrave dhe janë shfrytëzuar nga elementë armiq e keqbërës për kamuflimin e veprimtarisë së tyre.
- Mbi veprimtarinë armiqësore
Kjo shprehet si në konceptet dhe praktikat e huaja e antishkencore që elementët armiq mundohen t’i përhapin e kultivojnë në masën e naftëtarëve, duke i ’a kundërvënë orientimeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi ekzistencën e naftës në vendin tonë dhe punën që duhet bërë për kërkimin dhe zbulimin e saj, ashtu dhe në veprime konkrete armiqësore-sabotuese, me anë të zvarritjeve, shkeljeve të rregullave, të projekteve dhe moskryerjes së detyrave, me qëllim që të krijohen vështirësi dhe pengesa të ndryshme.
- Elementët armiq përhapin mjaft koncepte anti-shkencore dhe pikëpamje armiqësore si: “zhvillimi i industrisë së naftës në vendin tonë nuk ka perspektivë”, “vendi ynë nuk ka naftë dhe ajo që mund të ketë qenë, një pjesë është nxjerrë dhe pjesa tjetër ka emigruar”, “ashtu siç kërkojnë këta ta gjejnë naftën me metoda gjeologo-gjeofizike, s’kanë për ta gjetur kurrë, pasi nafta gjendet vetëm me puse shpimi”, “nafta kërkon makineri dhe teknologji moderne, por ne s’ka kush na furnizon pasi kemi mbetur vetëm”, “po të rregulloheshin marrëdhëniet me rusët, do të përdornim teknologjinë e tyre të përparuar dhe do të dilnim nga prapambetja”, etj.
Mbi këto të dhëna është qëndruar dhe janë përcaktuar e janë marrë masa për vërtetimin e tyre. Për rrjedhim, është arritur në goditjen e 4 elementëve armiq dhe aktualisht ndiqen edhe 9 të tjerë. Megjithatë, duhet theksuar, se si pasojë e këtyre pikëpamjeve armiqësore, në disa brigada shpimi nuk është e plotë bindja për ekzistencën e strukturave naftë e gaz mbajtëse në zonën ku është shkuar dhe kanë punuar pa vendosmëri dhe pa vëmendjen dhe rigorozitetin e duhur në zbatimin e rregullave e normave teknike.
Si rrjedhim, ato janë gjetur para të papriturave, kanë shkaktuar avari të rënda, deri dhe në fontana të pa komanduara dhe zjarre, siç ndodhi në brigadën që shponte në pusin “Divjakë 55”, e cila shkeli rregulloren gjatë proçesit të përvetësimit dhe e braktisi pusin me bindjen se aty nuk ka gaz, por pas pak kohe, pusi u aktivizua dhe shpërtheu fontana.
Fill mbas kësaj, po kjo brigadë filloi shpimin e pusit “Fr-35”, zonë kjo e njohur tashmë si gazmbajtëse, por megjithëkëtë, duke shkelur përsëri në mënyrë flagrante rregullat për ruajtjen e e parametrave të solucionit të argjilës, la bosh trungun e pusit, gjë që solli fontanën me zjarr, e cila i shkaktoi ekonomisë një dëm të rëndësishëm.
Nisur nga vetë rrezikshmëria që paraqet veprimtaria armiqësore në formën e propagandës në sektorin e naftës, pavarësisht nga rezultatet e arritura, ne do të kualifikojmë më tej luftën kundër saj, si për zbulimin e rrënjëve dhe goditjen e elementëve armiq, ashtu dhe për diferencimin e shpëtimin e personave viktimë të kësaj veprimtarie.
- Nga ndjekja e 18 objekteve në përpunim, si dhe nga mjaft të dhëna e sinjale, del se në sektorin e naftës është zhvilluar dhe zhvillohet veprimtari armiqësore-sabotuese. Kjo shprehet në përhapjen ndër specialistët e naftës e ndjenjës së frikës dhe pasigurisë në përpjekjet për t’i shmangur ata nga puna kërkimore-shkencore, përgjithësuese e projektuese për zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës dhe gazit në keq shfrytëzimin e vend-burimeve, nëpërmjet shkeljeve të rënda të projekteve teknike etj.
Kështu, inxhinieri gjeolog Dhimitër Gjenerali (në përpunim si element armik), shprehet se: “Në naftë po përgatitet dhe do të bëhet një goditje e re, më e fortë se e para, prandaj duhet të mos projektojmë puse. Në Këshillin Shkencor, nuk duhet të ngrihemi vetë të diskutojmë, por atëhere kur kërkohet nga të tjerët me këmbëngulje, dhe në fund të fundit të shikohet se kush dhe çfarë ka diskutuar”.
Inxhinieri gjeolog, Thanas Nasto (në përpunim si agjent rus), midis të tjerave thotë: “formacionet e flishit, nuk shërbejnë si mbulesë për gëlqerorët e vendit tonë”.
Ndërsa inxhinieri Ilia Dhimulla, në relacionin ku bën interpretimin e materialit faktik të pusit “Hekal-5”, megjithëse ky pus na jep naftë, rekomandon se “prezenca e azotit në gazin shoqërues të naftës, në formularin e gëlqerorëve nuk është karakteristikë, gjë që do të thotë se në struktura nuk është naftë-gazmbajtëse”.
Qëndrime, shprehje “rekomandime” të tilla kanë frenuar disa specialistë, sidomos ata të rinj, për t’u marrë me punë kërkimore-shkencore dhe të ngurojnë të shfaqin mendime e të zhvillojnë debate për probleme të ndryshme të kërkimit e zbulimit të naftës.
Për pasojë dhe tematika shkencore dy vitet e fundit nuk janë realizuar në kohë dhe studimet e orientuara drejt thellësive të mëdha që nuk përputhen me kapacitetin e makinerisë ekzistuese, duke çuar kështu kufizimin e perspektivës dhe mos zbulimin e strukturave të reja naftë-gazmbajtëse për realizimin e rezervave të naftës.
Ka të dhëna që flasin se veprime direkt sabotuese kryhen edhe në drejtimin e shfrytëzimit të vend-burimeve, si nëpërmjet shkeljeve të rënda të projekteve të shfrytëzimit, vendosjes së regjimeve të sforcuara në shfrytëzimin e disa puseve dhe avancimeve të larta të kontaktit ujë-naftë në pjesët kulmore e pranëkulmore të shtresave , ashtu dhe nëpërmjet ndalesave të puseve, duke shkaktuar defekte të ndryshme në pompat e thellësive, në nyjet kryesore të vulfeve, në elektromotorët e stacionit të pompimit e të dekantimit, në tubacionet e transportit të naftës etj.
Kjo gjë nuk përputhem me orientimet e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe kërkesat e rregullores për një shfrytëzim racional të këtij vend-burimi. Dhe nga këto veprime janë kritikuar nga specialistët e punëtorët, bile nuk janë miratuara as në këshillin teknik të ndërmarrjes. Megjithatë, drejtori i ndërmarrjes së nxjerrjes, Robert Kokonozi, jo vetëm që nuk ka dëgjuar zërin e tyre, por në disa raste ka vepruar me “iniciativë” dhe ka urdhëruar përgjegjësat e sektorëve që të bëjnë ndryshime të regjimeve të puseve dhe, kur ndonjë e ka kundërshtuar, ai i është kundërvënë me shprehjet “gjendjen e vend-burimit e di unë….ju nuk e kuptoni situatën…jemi të rrethuar, atdheu ka nevojë për naftë”, etj., shprehje këto identike me ato që përdoren në raste të tilla nga pjesëtarët e grupit armiqësor të sabotatorëve ne naftë.
Veç kësaj, në këto vend-burime (Gorisht-Kocul) janë gjetur edhe puse të ndaluar për shkak të defekteve të shumta mekanike. Kështu gjatë muajit Mars të këtij viti, në disa puse janë gjetur një sërë defektesh, të cilat kanë sjellë si pasojë jo vetëm ndërprerjen e prodhimit, por edhe dëmtimin e makinerisë.
Në grykën e puseve janë gjetur të hedhura kunja e pjesë të tjera metalike, të cilat kanë shkatërruar dhe dëmtuar pompat e thithjes së naftës etj., ndërsa në tubacionet e transportit të naftës dhe gazit, ka pasur shfaqje zjarri dhe shumë defekte të tjera që kanë shkaktuar ndalesa në puse. Aktualisht ndiqen tre persona si autorë të mundshëm të këtyre veprimeve.
- Zbulimet e huaja kapitalisto-revizioniste interesohen të marrin të dhëna mbi sasinë e rezervave të nxjerrshme të naftës e të gazit, mbi formacionet dhe strukturat naftë-gazmbajtëse, rajonet dhe thellësitë ku shpohet e kërkohet, si dhe mbi nevojat për paisje, mjete makineri etj.
Kështu mbas zbulimit të vend-burimit të ri në Cakran, në një ambasadë të huaj është firmosur një radiogram, me anë të cilit ajo njoftonte shtetin e vet se “Në Shqipëri është zbuluar një vend-burim nafte, me një prodhim vjetor minimal prej një milion ton naftë”.
Inxhinieri Italian, Calvarezi, i cili kërkoi me insistim të vinte si “dashamirës” i Shqipërisë për “ndihmë” në aplikimin e disa metodave efektive për kërkim nafte dhe gazi në vendin tonë, me gjithë premtimet e shumta, ai parashtroi disa kërkesa që hedhin dyshime për veprimtari spiunazhi në naftë, gjë që përforcohet edhe nga analiza e ndjekjes së mëtejshme që i bëhet këtij problemi.
I tillë ka qenë edhe qëndrimi i një pjesëtari të delegacionit tregtar të ardhur nga Greqia në fillim të vitit 1978, i cili është interesuar të grumbullojë të dhëna mbi shtrirjen e thellësinë e puseve të naftës, mbi metodat e nxjerrjes së saj, mbi rrogat e punonjësve të naftës etj.
Të dyshimta paraqiten gjithashtu edhe takimet e disa specialistëve tanë të naftës me persona të huaj. Kështu inxhinier Spiro Veizi, ka realizuar takime shumë të dyshimta me zbuluesin grek, Dino Gjika, në rastin kur ishte ansambli grek në qytetin e Fierit, inxhinieri Skënder Myftari, mban korrespodencë të dyshimtë me një specialist rus, i cili ka qenë në vendin tonë me punë para vitit 1960-të etj.
Mbi përpjekjet që bëhet nga zbulimet e huaja për të penetruar në sektorin e naftës, tregojnë, veç sa më sipër, edhe disa tentativa për të fotografuar objekte të naftës, takime të dyshimta të të huajve që vinë në vendin tonë me disa persona që punojnë në këtë sektor, krijimi i disa lidhjeve nëpërmjet korrespondencës dhe të servirurit nga disa specialistë të huaj të “ndihmave” në literaturë tekniko-shkencore etj.
Të dhënat e sinjalet që kanë dalë në këtë drejtim janë vlerësuar dhe trajtuar dhe aktualisht për këtë tendencë ndiqen 9 persona në përpunim aktiv. Me gjithë këtë, në punën e Sigurimit ka akoma të meta e dobësi, gjë që kërkon kualifikimin më të madh të saj për zbulimin në kohë e thellësi të agjenturave të huaja dhe të veprimtarisë së tyre në këtë sektor.
Vlen të theksohet se me gjithë ndjekjen e përpunimeve të disa çështjeve hetimore, organet e Sigurimit në sistemin e naftës nuk po nxjerrin saktë organizimin dhe veprimin e elementëve armiq. Kjo sa për dobësitë tona, aq dhe për gjendjen shumë të turbullt që është krijuar në organizimin e drejtimin në këtë sektor, çka pengon nxjerrjen e konkluzioneve të sakta të veprimtarisë armiqësore.
Në të njëjtën kohë organet drejtuese të naftës më tepër kujdes duhet të tregojnë sidomos në ruajtjen e sekretit si gjatë punës ashtu dhe në marrëdhëniet me të huajt, ashtu dhe në trajtimin e materialeve që përdoren në mbledhje të ndryshme etj.
- Mbi shfaqjen liberale dhe metodës rutinë të disa kuadrove të sektorit në naftës dhe gazit në qendër dhe bazë, gjatë plotësimit të detyrave në dinamikë, të cilat i japin mundësi armiqve të kamuflohen në veprimtarinë e tyre sabotuese.
- Në punën kërkimore-shkencore që kryhet në naftë, vitet e fundit janë konstatuar të meta serioze që kanë influencuar negativisht në realizimin e detyrave për zbulimin e vend burimeve të reja, në realizimin e shpimit të puseve në kohë, me cilësi e pa avari në vënien në gatishmëri dhe shfrytëzimin racional të vend burimeve etj. Të tilla mund të përmendim zvarritjet e mospërgatitjet në kohë të punimeve në rajonin e Sarandës (Kalacat, Vanë), strukturat e Hekalit, Rexhepaj, në rajonin e Cakranit, të Vlorës, në Lushnje etj./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016