Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gjeneral, Prenk Pervizi, me origjinë nga fshati Skuraj i Kurbinit, i cili pasi ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Torinos në Itali dhe shërbente si ushtarak pranë Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare të Monarkisë së Zogut, në vitin 1935, u dërgua me një mision vëzhgimi në Luftën e Abisinisë. Kujtimet e panjohura të gjeneral Pervizit për periudhën disa mujore që shërbeu si anëtar i një komisioni ndërkombëtar vëzhguesish, ku bënin pjesë edhe amerikani T. Palmer, rumuni, L. Dinerau, hungarezi F. Borzovsky, portugezi B. Herrera, austriaku K. Von Kirsche, japonezi K. Sakamuri, të gjithë me gradën e kolonelit, ku para nisjes, ata i kishte pritur në audiencë, vetë Benito Musolini, në Napoli.
Dërgimi i disa trupave komando të Ushtrisë Shqiptare në disa vende të ndryshme të botës si në: Bosnje, Afganistan, Irak, ashtu dhe ato të misioneve të tjera paqeruajtëse, që ushtarakët tanë kanë kryer në disa pika të nxehta konfliktesh, pas viteve ’90-të, nuk kanë qenë rastet e vetme kur ata kanë shkuar në ndihmë të vendeve të tjera. Edhe gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndonëse në pozita dhe rrethana krejt të tjera nga këto të këtyre tre dekadave të fundit, ushtarakët shqiptarë kanë marrë pjesë me misione sekrete në disa vende të botës, si në Kore, Vietnam, Laos etj.
Por ajo që nuk ka qenë shumë e njohur deri më sot, ka qenë pjesëmarrja e disa ushtarakëve shqiptarë të Monarkisë së Zogut, në konfliktet ushtarake, që i paraprinë Luftës së Dytë Botërore në vitet ’30-të. Një nga ata ka qenë dhe gjenerali Prenk Pervizi, ish-Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare në vitet 1943-44, (apo siç njihej ndryshe, Ministër i Mbrojtjes), i cili pasi ishte diplomuar në Akademinë Ushtarake të Torinos, në vitin 1935, kur mbante gradën e kolonelit pranë Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare, që kryesohej nga gjeneral Xhemal Arianiti, u dërgua me mision si vëzhgues në Etiopia.
Lidhur me atë mision, Prenk Pervizi, pinjoll i një prej familjeve me të kaluar patriotike, të zonës së Kurbinit (xhaxhai i tij, Gjin Pjetër Pervizi, ka ngritur flamurin në 28 nëntor 1912, në Milot. Ai ka lënë kujtimet e tij, të cilat i biri, Lek Pervizi, (me banim në Bruksel) i’a ka dërguar ekskluzivisht për botim redaksisë së Memorie.al, dhe një pjesë prej tyre, bashkë me një histori të shkurtër të familjes Pervizi, ne po i publikojmë më poshtë në këtë shkrim.
Kujtimet e gjeneral Pervizit: Njohuritë e mija mbi Etiopinë
“Para se me u nisë në misionin që më kishte caktue Ministria e Mbrojtjes e vetë Mbreti Zog, me të cilin pata një audiencë speciale, më duhej të merrja disa të dhana mbi Abisininë, ose ma mirë me thanë mbi Ethiopinë, e udhëhequn nga Perandori Halie Salasie, i quejtun Negus Negusti, (mbreti i mbretërve), shtet afër Afrikës Lindore në fund të Detit të Kuq, me të cilin Italia, kishte hy në konflikt që në tetor 1935. Ethiopia gjendej midis dy kolonive që Italia kishte pushtue që më 1885-1887, Eritrea në veri, dhe Somalia në jug.
Deri i kaq kisha të qarta njohuritë nga Atllasi gjeografik, që mbaja në shtëpi. Por për historinë e atij vendi dhe atij populli, nuk kisha pas rast të njihesha ma tepër. Kështu për t’i ra shkurt, hapa Larusin, ku mora disa njoftime që më nevojiteshin. Me emnin Abisni, quhej rrafshnalta qendrore e Ethiopisë, që shkonte nga 2000 deri në 4500 metra, mbi nivelin e detit. Vetë kryeqyteti i Ethipoisë, Addis Ababa, gjendej në lartësinë mbi 2500 metra.
Italianët kishin dash ta pushtonin që më 1885-87. Ata kishin pushtue fillimisht Eritraen, e kur sulmuen Ethiopinë u gjetën përpara qëndresës së fortë, të fiseve primitive vendase të udhëhequn nga mbreti Menelik i II-të, që më 1887 e shpartalloi ushtrinë e gjeneralit Baratieri, në Adua. Synimet e Italisë asokohe dështuen. Por ja që Italisë së Musolinit, i’u mbush mëndja ta sulmonte përsëri, për ta çue në fund pushtimin e atij shteti afrikan. Italia kërkonte “spazio vitale” (hapësira jetike), siç kërkonte dhe Gjermania, pra donte të kishte edhe ajo kolonitë e saja, si Anglia, Franca, Spanja, Portugalia, deri Belgjika e Hollanda.
Në Napoli më priti Duçja
Si kisha marrë disa informata të domosdoshme për misionin tim afrikan si anëtar i një komisioni ndërkombëtar vëzhguesish, u bashkova me anëtarë të tjerë në Napoli, të gjithë kolonel: amerikani T. Palmer, rumuni, L. Dinerau, hungarezi F. Borzovsky, portugezi B. Herrera, austriaku K. von Kirsche, japonezi K. Sakamuri. Në Napoli u pajisa me rroba koloniale, të përshtatshme me përballue atë klimë e ato kondita. Kisha marrë me vete një aparat fotografik Agfa, që do të më shërbente shumë për të fiksue çaste, personazhe, personalitete ushtarake e civile, jetën primitive të vendaseve, pamjet karakteristike, jetën tonë si grup vëzhguesish të huaj etj. Në Napoli patëm vizitën e vetë Duçes, Benito Musolinit, i cili shprehu falenderimin për vendet tona që kishin pranue me dërgue si vëzhgues në këtë luftë, e na uroi udhëtim e mision të mbarë.
Shoqënia e Kombeve e kishte dënue ndërhymjen e Italisë në Ethiopi dhe kishte vendosë bllokadën (sanksione), kështu që shumë shtete, deri edhe Gjermania nuk dërguen vëzhgues. Më 10 nëntor 1935 u nisëm e pas një udhëtimi prej 4000 km, mbi një kryqëzor, e duke kalue mbi Kanalin e Suezit dhe gjithë Detin e Kuq, arritëm në Asmara, prej nga ku na përcollën, për në frontin e Eritreas, i cili ishte fronti verior pranë shtabit të gjeneralit De Bono. Ma vonë ky u zëvendësue nga gjenerali Badoglio. Mbas do kohe kaluam në frontin jugor, pranë shtabit të gjeneralit Graziani. Por kishim mundësi të transferoheshim e të lëviznim nëpër pika të ndryshme të fronteve të luftimit.
Në frontin e Luftës
Gjatë gjithë kohës së luftës, me anë të avionëve ushtarakë e mjeteve të tjera të motorizueme ne kishim mundësi me lëvizë lirisht. Ajo luftë ashtu siç dihet tashmë, përfundoi me fitoren e ushtrisë italiane, e kështu Viktor Emanueli III-të, mori kurorën dhe titullin e Perandorit të Ethiopisë. Gjenerali Graziani u emërue Zv / Mbret i Ethiopisë e Badoglio u ngrit në gradën, Marshall i Italisë.
Pushtimi i Italisë ishte hapi i parë që mund të pasohej, nga hapa të tjerë drejt realizimit të ëndrrës utopike të Duçes, Benito Musolinit, për të krijue Perandorinë Romake. Një kërcënim i padiskutueshëm i vendeve ballkanike, ku viktima e parë mund të ishte Shqipëria, siç ndodhi në kohën e Ilirisë së Teutës, kur Ballkani u sulmue e u pushtue prej romakëve. Pesëmbëdhjet ditori i parë përbani gati për të gjitha njësitë italiane një periudhë pushimi, sistemimi e ndryshimi të pozicioneve të arritura.
Shërbimet e raditjes, (furnizimit) patën zhvillue funksionet e zakonshme të tyne për plotësimin e nevojave të trupës e njëkohësisht, me krye e plotësue bazën logjike. Gjatë kësaj periudhe sikurse patën njoftue edhe komunikatat zyrtare, në krahun e majtë të randimit italian, u vazhdue veprimi i rreptë i spastrimit ndër krahinat e gjana, Gheralta e Tembien. Po në atë periudhë kohe, aviacioni italian lajmëronte se fuqi të mëdha armike ishin t’ue afrue ballit italian, në jugë të Makalles. Prandaj, mbikëqyrja ajrore u dendësue dhe ndërkohë u përgatitën veprime të tjera bombardimi.
Bombardimet e rrepta
Një nga këto veprime të bombardimit u bë mbi një kolonë kundërshtare, ndoshta e fuqisë së Ras Immiru të Goggiamit, që marshonte në Uoghera në drejtim të Debarek. Pas kësaj më 6 dhjetor, kryhej një veprim i fuqishëm bombardimi përreth Dessie, mbi ndërtesat që përdoreshin për qëllime ushtarake dhe mbi çadërzimet e mëdha, që gjendeshin përreth banesave. Ndër ditët e ardhme mbas këtij bombardimi, disa lajme tendencioze të përhapura nga Addis Ababa, donin të na bënin me besue se qyteti kishte qenë i pambrojtur dhe se ndërmjet objektivave të goditura, ishin spitalet dhe Kryqi i Kuq. Por, sikurse rezultoi edhe prej informatave të sigurta, të ardhuna prej vetë kryeqytetit abisin, u provue se: përkundrazi, ndër afërsitë e qytetit, ishin përqendruar me mijra e mijra ushtarë.
Armët e shumta kundërajrore që hynin në veprim kundër avionëve italianë, provuan se sulmi ajror ishte parapa plotësisht dhe prandaj, përbënte një veprim luftarak të natyrshme. Vetë fotografitë e marruna në vend prej avionëve që u kthyen, provuan haptas se bombardimi ishte krye ekskluzivisht, mbi ato pika që kishin rëndësi ushtarake: barutorja, ghebi, fusha e aviacionit, centrali telefonik, çadërzimet ushtarake etj.
Spitali i Kryqit të Kuq, megjithëse rezultoi se ishte pushtue prej elementësh jo të shërbimit shëndetësor, nuk u bombardue. U pa gjithashtu se shumë çadra dhe fusha e aviacionit, ishin mbulue me pa të drejtë me shenjat e Kryqit të Kuq.
Gjeneral Pervizi vdiq në vitin 1977 në Bruksel, ndërsa familja e tij, jetoi 45 vjet e internuar në kampet e Myzeqesë
Gjenerali,Preng Pervizi i cili në vitin 1935, në kuadrin e një komisioni ndërkombëtar vëzhguesish u dërgua për të ndjekur nga afër, luftimet e ushtrisë italiane në Abisinisë, nga shtatori i vitit 1943 e deri në gushtin e 1944, mbajti funksionin e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, apo siç njihej ndryshe, Ministër i Luftës. Pas dorëheqjes nga ai funksion, gjë e cila ndodhi për disa konflikte, që ai pati me komandën e lartë të ushtrisë gjermane në Shqipëri, gjeneral Pervizi doli në mal, duke u bashkuar me forcat nacionaliste të Legalitetit, që ishin nën komandën e major Abaz Kupit. Pak kohë më vonë, aty nga mesi i shtatorit 1944, rreth tij u atashua një mision ushtarak anglo-amerikan, i kryesuar prej kolonelit Xhuljan Emeri, me të cilin Pervizi u nda vetëm në ditët e fundit të nëntorit 1944. Pervizi nuk pranoi të largohej nga Shqipëria si shumë nacionalistë të tjerë, por i’u bëri thirrje mbështetësve të tij, që të qëndronin nëpër male, në pritje të zbarkimit anglo-amerikan, për të bërë të mundur rrëzimin e qeverisë komuniste të gjeneral-kolonel Enver Hoxhës. Në vitin 1945, teksa qëndronte i fshehur në malet e Kurbinit në afërsi të fshatit Skuraj, që ishte dhe vendlindja e tij, ai u dërgoi dy letra përfaqësive anglo-amerikane dhe franceze në Tiranë, ku u kërkonte atyre të ndërhynin me forcë në Shqipëri, për të parandaluar terrorin e paparë, që po ushtronte qeveria komuniste e Enver Hoxhës, kundër ish-kundërshtarëve të tyre politikë. Duke e parë situatën të pashpresë, me ndihmën e ish-shoferit të tij, Llazi Sterjo nga Korça, në vitin 1946 ai u largua nga Shqipëria, duke u arratisur për në Greqi, diku nga fshatrat e Korçës. Nga viti 1948 deri në 1977-ën, Prenka jetoi në Bruksel, ku dhe vdiq i vetmuar larg familjes së tij, (nënës, bashkëshortes dhe tre djemve, Valentini, Genci dhe Leka, me familjet e tyre), të cilën regjimi komunist i Enver Hoxhës e mbajti të internuar për gati gjysëm shekulli, në fshatrat e Lushnjes, deri në vitin 1991. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016