Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të kolonelit Josif Zegali me origjinë nga Myzeqeja, i cili fitoi një bursë nga qeveria e Mbretit Zog dhe shkoi në Itali, ku ndoqi studimet e larta në Institutin e Agrikulturës, pranë Universitetit “Antonio Zanneli” të Rexhio-Emilias. Kthimi i tij në atdhe, për të marrë pjesë në Lëvizjen Antifashiste, ku bashkë me dy vëllezërit e tij dhe xhaxhanë, klerikun e njohur ortodoks, Papa Josif Zegali, dolën partizanë në radhët e Brigadës së Parë të Mehmet Shehut dhe në Brigadën 16 Sulmuese, që u formua në Therepel të Skraparit. Diplomimi i Josifit në Akademinë Ushtarake të Xhenjos “Kujbishev” në Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960, dhe kthimi në atdhe, ku i’u dha grada e kolonelit, në moshën 33 vjeçare, duke u emëruar me detyrën e Shefit të Shtabit të Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Dëshmitë e Zegalit se si u ngarkua ai, për ndërtimin e disa prej objekteve ushtarake më të rëndësishme të Shqipërisë komuniste, siç ishin Aeroporti i Gjadrit, Baza Ushtarake Detare e Shëngjinit e Porto-Palermos, Uzinat e Armëve në Poliçan dhe Gramsh, etj., si dhe tre vend strehimet anti-atomike, poshtë vilave të Mehmetit dhe Enverit në “Bllokun” e udhëheqjes në Tiranë, ku pas mbarimit të tyre, ai u arrestua dhe u dënua si “bashkëpunëtor” me “Grupin puçist të Beqir Ballukut”, duke vuajtur në Burgun e Burrelit etj.
Burgoset me “Puçistët e Beqir Ballukut”
Aty nga viti 1973 – ‘74, Enver Hoxha filloi goditjen e ushtarakëve të lartë, duke i akuzuar ata si puçistë. Goditja që ju bë ushtarakëve të lartë e cila filloi me ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku e dy zëvendësuat e tij, Petrit Dumen e Hito Çakon, u shtri shumë më gjerë, duke çuar në bankën e të akuzuarave si “armiq të popullit” me dhjetëra ushtarakë të lartë, ish kuadro të Luftës partizane, që kishin mbaruar shkollat e akademitë ushtarake, më të njohura të Bashkimit Sovjetik. Në këtë kuadër, u godit dhe familja e Josif Zegalit, ku i vëllai tij Kozma Zegali, ish kuadër partizan në Brigadën e Parë Sulmuese të Mehmet Shehut, oficer i karrierës punonte në kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku. Lidhur me këtë, koloneli në pension, Josif Zegali, kujton: “Pas arrestimit të vëllait tim Kozmait, akuzat kundër meje dhe familjes time, filluan të vërshonin nga të gjitha anët, duke pasur si bazë nisje, Sigurimin e Shtetit. Ato na tronditën aq shumë, saqë kur unë jua tregova gruas sime, Elenit dhe vajzave, me qëllim që ato të ishin të përgatitura për çdo gjë, ato u tmerruan dhe filluan të ulërinin me kuje. Eleni më tha me lot në sy: Josif, ty do të arrestojnë, kurse neve do të na internojnë, tamam siç vepruan me Kozmain e fëmijët e tij. Kështu, pas arrestimit të Kozmait, mua si vëlla i tij, në fillim më hoqën nga puna dhe më nxorën në lirim. Më pas filluan ndjekjet e survejimet nga Sigurimi i Shtetit, të cilat më detyruan që të mos dilja nga shtëpia. Ndonëse mundohesha të punoja, prapë ankthi më mundonte shumë. Nga gjithë kjo gjë, unë mundohesha që t`ju jepja kurajo fëmijëve, por ishte e pamundur, sepse nga një tronditje fizike dhe shpirtërore, unë pësova vetë një takikardi në zemër dhe më shtruan me urgjencë në Spitalin Ushtarak, në gjendje shumë të rëndë. Ndonëse mjekët që i njihja, mundoheshin të më kuronin, urdhri kishte ardhur nga lart për tjetër gjë. Kështu një ditë, duke dalë në ballkon për t’u çlodhur, pashë rreth e rreth spitalit, roje të armatosura, që nuk kishin qenë më parë. Në hyrje të Spitalit, pashë zv/Shefin e Sigurimit të Ushtrisë, V. Idrulin, me dy tre oficerë të Sigurimit. Pas pak në dhomën time erdhi zv/komisari i Spitalit dhe më njoftuan, se duhet të dilja që atë moment prej andej. Unë dyshova, por nuk kisha se çfarë të bëja! Kur dola, hipa në makinën “BÇ” dhe e pashë veten në mes të dy oficerëve të Sigurimit. Aty e kuptova se isha i arrestuar, kur makina akoma nuk kishte marrë rrugën për t’u futur brenda ‘Burgut të Vjetër’. Aty më dhanë dhe urdhër arrestin, ku thuhej : ‘Josif Zegali arrestohet për krimin e sabotimit, për dobësimin e mbrojtjes së vendit’. Pas meje, operacioni që nuk e di se si u kodua, vazhdoi dhe në Ndërmarrjen e Ndërtimeve Ushtarake, duke arrestuar dhe Thoma Bejon, Bashkim Lleshin, Saba Majën e Luan Veshin. Ky grup u quajt: ‘Grupi i sabotimit të fortifikimit të mbrojtjes, me përgjegjës, ish-shefin e Shtabit të Xhenjos dhe Drejtorin e Fortifikimit të Ushtrisë, Josif Zegalin”. Më pas, Ministri i Mbrojtjes Popullore dhe kryeministri Mehmet Shehu, lëshoi një urdhër me shkrim, ku njoftoheshin të gjitha repartet e Ushtrisë, se ishte arrestuar një ‘grup sabotatorësh, me në krye drejtorin e fortifikimit Josif Zegalin’. Kështu pas një hetuesie të gjatë, erdhi dhe gjyqi i Josifit, i cili zgjati 29 ditë me radhë. Ai u mbrojt nga të gjitha akuzat, duke i hedhur poshtë ato, por që nuk mundi t’i shpëtonte dot dënimit! Kështu ai u përplas burgjeve të Burrelit e galerive të Bulqizës, për tetë vjet, nga 13 janari i vitit 1975, deri më 15 majin e vitit 1982, me akuzën si ‘sabotator dhe armik i popullit’, që ‘kishte lënë dhjet vjet mbrapa, fortifikimet në Shqipëri’! Pas daljes nga burgu, Josifi dhe familja e tij, ishin nën survejimin e përhershëm të Sigurimit të Shtetit, prandaj për të shpëtuar nga ajo e keqe, që e ndiqte në çdo hap, ai u mbyll brenda në shtëpi, duke mos dalë. Ai studionte dhe shkruante për të përgatitur një libër, që bënte fjalë mbi fortifikimet mijra vjeçare në botë dhe në Shqipëri, libër i cili do të shërbente më shumë si tekst shkollor.
Zegali: Enver, ndërprit bunkerizimin…!
Pas daljes nga burgu në majin e 1982-it, Josifi Zegali habitet me ato ndryshime që kishin ndodhur gjatë atyre tetë vjetëve, që ai kishte qenë i izoluar dhe trishtohet kur shikon me sytë e tij, bunkerët e shumtë që kishin mbirë si kërpudha?! Lidhur me këtë gjë ai kujtonte: “Kur pashë gjithë atë bunkerizim marramendës, të mbjellë gjithë andej, në male e kodra, në fusha e në bregdet, në plazhe e nëpër qendra të banuara, në fshatra e në qytete, si produkt i një strategjie euforike e të çmendur dhe i zbatuar nëpërmjet një punë intensive tërë popullore dhe me investime kolosale, materiale e financiare, u befasova deri në tronditje! Dhe më e keqja e gjithë kësaj ishte, se ajo gjë po vazhdonte me ritme marramendëse, duke angazhuar shumë ndërmarrje prodhimi e gjithë Ushtrinë! Në këtë vepër çmendurie që quhej: “Fortifikimi origjinal Shqiptar”, unë si specialist, e ish-kuadër drejtues i Mbrojtjes, i përgatitur në shkolla e akademi, ushtarake në Bashkimin Sovjetik, studiues i historisë e i artit ushtarak e veçanërisht i atij Xhenier-fortifikues dhe që kisha njohuri të sakta, pasi kisha parë ndër më të fortat vija të fortifikuara në Evropë e Azi (Kinë, Kore e Vietnam), siç mund të përmenden ato më të njohurat e Luftës së Dytë Botërore: “Maxhino” në Francë, “Zigfrid” në Gjermani, “Manerhejm” në Finlandë në kufi me Bashkimin Sovjetik, etj., shtroja pyetjen: Ç`bëhet kështu?!”
Pas daljes nga burgu, për afro gjashtë muaj, Josif Zegali luftonte me veten, që të ngrinte zërin për atë çmenduri që kishte ndodhur e vazhdonte me ritme marramendëse, apo të heshte! Të gjitha ato e mundonin së tepërmi shpirtin e tij dhe ai bënte fajtor, së pari Këshillin e Mbrojtjes për inkompetencë e Shtatmadhorinë si të pa aftë dhe jashtë të gjitha koncepteve të Luftës. Po kështu me veten e tij, ai fajësonte dhe Kryeministrin Mehmet Shehu, e ish kolegët e tij, që drejtonin Xhenjon e Fortifikimin. Pas gjithë atij dyzimi që ja brente shpirtin pak nga pak, mbas kishin kaluar gjashtë muaj nga dalja prej burgut, në nëntorin e 1982-it, Josif Zegali, vendos e ulet për të shkruar atë çka e mundonte prej kohësh. Kështu ai, në 12 faqe letër drejtuar Komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës e Këshillit të Mbrojtjes, analizonte me kompetencë profesionale, të gjitha gabimet që ishin bërë në strategjinë fortifikuese dhe j’u bënte thirrje, që ta ndalonin sa më parë atë. Për gjithçka sa shkroi në atë letër, Zegali nuk bisedoi me asnjë nga ish-kolegët e tij, por vetëm u konsultua me njerëzit e rrethit shumë të ngushtë familjar. Lidhur me këtë, Josifi kujtonte: “Pasi e nënshkrova letrën me emrin dhe firmën time, e futa në një zarf ku citoja se ishte ‘tepër sekrete dhe e një rëndësie të veçantë’ për Enver Hoxhën e Këshillin e Mbrojtjes, më 27 nëntor 1982, e dërgova dorazi në Komitetin Qendror.
Enveri: Të arrestohet ky birçe…!
Pas dërgimit të asaj letre, Zegali priste gjithë shqetësim, se çfarë do të ndodhte me të. Lidhur me këtë, sipas dëshmive të ish Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino, letra në fillim ra në dorë të Enver Hoxhës, i cili ja dërgoi me shënime Ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra. Pasi ajo u pa nga specialistë dhe ushtarakë të lartë të Shtatmadhorisë, Prokop Murra, firmosi mendimin zyrtar, ku thuhej: “Letra është thellësisht armiqësore. Fortifikimi shqiptar është një vepër efektive madhore dhe origjinale shqiptare e mbrojtjes sonë, nga i cili duhet të mësojë bota. Çfarë thuhet aty nuk qëndron dhe Josif Zegali vërteton edhe njëherë se ai është armik i Partisë dhe i popullit…”! Më pas, kjo letër kaloi dhe në Ministrinë e Brendshme, ku nën firmën e Hekuran Isait, thuhej :”…Josif Zegali është armik i Partisë dhe i popullit dhe duhej pushkatuar që në burgimin e parë, por organet tona të Drejtësisë, u treguan liberale…” Po çfarë kishte shkruar Enveri në shënimet që kishte bërë për letrën e Zegalit, të cilën ja dërgoi Prokop Murrës?! Midis të tjerash, aty shkruhej:
Shoku Prokop
Po të dërgoj një material që ma ka shkruar një farë Josif Zegali, ish oficer i Xhenjos për Fortifikimin, por që ka qenë nja katër a gjashtë vjet në burg, në kohën e Beqir Ballukut, që është vëllai i atij Zegalit tjetër, po dhe ky komplotist e me puçistët dhe tani ndodhet në burg.
E lexova me durim letrën e “teoricienit të madh të fortifikimeve”. Ky njeri rrëzon të gjitha planet e fortifikimeve tona dhe pretendon se janë bërë të gabuara, janë bërë shabllone, si në fusha dhe në malet, janë ndërtuara pranë e pranë në hapësira shumë të vogla.
Për të na hedhur hi syve, ai na hiqet si teoricien i fortifikimeve dhe në fund të letrës bën dhe përshkrimin e vijave të fortifikuara, si ajo “Maxhino”, “Zigfrid”, “Mannerhejm” etj. Por fortifikimet që kemi ndërtuar ne, janë fortifikime speciale, që i përshtaten një sulmi e norma, jo si ato norma me të cilat NATO do të sulmojë Traktatin e Varshavës, ose anasjelltas, Traktati i Varshavës do të sulmojë Evropën Perëndimore ose Kinën e ku e di unë tjetër.
Pra, ky birçe që po më shkruan këtë letër dhe më hiqet si teoricien dhe kritikues i fortifikimeve tona, gjoja nga mendja e tij “pjellore”, përsërit teorinë e Mehmet Shehut, që unë ja kam hedhur poshtë, por ky nuk e di, e nuk e do këtë! Ky element që është një disfatist, të arrestohet, të merret në pyetje nga Prokuroria dhe Hetuesia Ushtarake dhe t’i përgjigjet pyetjeve të mëposhtme:
– A ka shfaqur këto pikëpamje të tij, kur janë bërë planet e fortifikimit?
-Në qoftë se jo, d.m.th., në kohën kur ishte ministër Beqir Balluku, ai i ç’qafi ai këto kur ministër i Mbrojtjes u bë Mehmet Shehu?
-Pasi Mehmet Shehu vrau veten, ky person, “kur pa se ishin bërë gabime të mëdha” dhe gjoja me që ishte në burg, ose kishte frikë nga Mehmet Shehu, përse nuk i shkroi Komandantit të Përgjithshëm?
-A e di ai se vendi ynë ka një Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura? Sigurisht që e di.
-Kjo duhet të jetë një akuzë e rëndë për të, d.m.th., që nuk më vuri në korrent për mendimet e tij, që në fakt janë të Beqir Ballukut e të Mehmet Shehut, sikurse thashë më lart dhe të arrihen në konkluzione për faje të rënda në këtë drejtim.
Prokurori dhe hetuesi ushtarak të shikojë më parë dosjen e këtij personi, përse është dënuar me burgim, të ketë parasysh dhe vendimet e Komisionit të Revizionimit dhe të Kontrollit të Partisë, ku thuhet se është njeri i dyshimtë, mbasi nga Mehmet Shehu e Beqir Balluku, është dërguar për shumë kohë në Itali e Suedi.
Pastaj në përfundim të hetimeve, të gjykohet në se duhet hedhur në gjyq, nga i cili të dënohet në bazë të Kodit Penal”.
Enver Hoxha
1.12.1982
Arrestimi i dytë i Zegalit, pas letrës dërguar Enverit
Pas kësaj letre të Enver Hoxhës, ndodhi ajo që pritej. Kështu më 17 dhjetor, plot 20 ditë që nga dorëzim i letrës në Komitetin Qendror, pallati ku banonte Josif Zegali, u gjend i rrethuar nga forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilët, “në emër të popullit” e arrestojnë dhe kolona prej tre katër makinash, merr rrugën për në drejtim të ‘Burgut të Vjetër’ të Tiranës! Lidhur me këtë, Zegali kujton: “Aty më dhanë urdhër-arrestin, të cilën e lexoja dhe e ri lexoja. Atë e kishte firmosur Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino, ish i njohuri im si myzeqar, në të cilën thuhej: ‘Arrestohet për krimin e agjitacionit e propagandës, për dobësim dhe përmbysje të Pushtetit Popullor’. Pas kësaj, duke mos pasur rrugë tjetër, që të paktën të shpëtonte sa të mundte familjen e tij, Josifi vendos e bën “divorcin” me gruan dhe “heqjen e atësisë” katër vajzave, gjë e cila ju pranua menjëherë. Në qelinë e tmerrshme me nr. 13, të ‘Burgut të Vjetër’, Josif Zegali qëndroi për 107 ditë me radhë, në palcën e atij dimri të akullt dhe kur priste nga çasti në çast që ta pushkatonin, ndodhi më e pabesueshmja: lirimi i tij?! Lidhur me këtë, Zegali kujtonte: “Pasi më komunikuan lirimin, ju thashë: Ju falenderoj për lajmin e mirë që më dhatë, por unë nuk dal nga burgu dhe kam arsye. Së pari: nuk kam ku shkoj dhe si armik që më kanë cilësuar, vendin e kam këtu. Së dyti: a e shihni si më keni katandisur, në një skelet gati për të vdekur, prandaj nuk dal nga biruca nr. 13, pa më zëvendësuar ai që më futi këtu. Pas këtyre fjalëve, ndërhynë të dy, prokurori dhe hetuesi, F.T., të cilët më thanë: Dëgjo Josif Zegali, ti je i mençur dhe e kupton, se këtu u fute me urdhër epror dhe po me urdhër epror po del që këtej, mos bëjë marrëzira, se ne të nxjerrim me forcë. Prandaj mos e ço veten në atë shkallë, e për gjithë sa pe dhe folëm këtu, mos i bëj objekt bisedash, se vjen prapë këtë dhe nuk i dihet në del më”.
Po përse e liruan Zegalin dhe si ndodhi ajo që ai e quajti “tragjikomike deri në shëmtirë”?! Lidhur me këtë, ai dëshmonte: “Mos vallë unë tradhtova veten dhe u futa në shërbim të tyre? Jo, ajo nuk kishte ndodhur kurrë, as në burgun e parë dhe as në të dytin, nuk do të ndodhte. Lirimi im, u kushtëzua nga disa arsye, ku më primarja ishte se në atë kohë, Enver Hoxha ndodhej i sëmurë dhe dishepujt e tij Shehu, Kapo e Hazbiu, tashmë të njohur për ashpërsinë e tyre në krahët e Enverit, nuk ishin më. Prandaj ato teprime skandaloze, le t`ju ngeleshin atyre”. Kështu, atë natë të 3 marsit 1982, Josif Zegali pasi doli nga burgu, niset për të kërkuar familjen e tij, me ankthin se dikush do ta qëllonte nga prapa për ta vrarë! Pas një endje të gjatë, mezi gjeti familjen, pasi bashkëshortes, Elenit, që kishte shpëtuar nga një vetëvrasje, ja kishin marrë shtëpinë! Po kështu, njëra nga vajzat, tashmë nuk rronte më! Ajo vdiq nga tronditja shpirtërore, pasi e divorcoi bashkëshorti, i cili “nuk mund të jetonte më me një vajzë armiku”, ndërsa tre vajzat e tjera, kishin përfunduar internimeve larg Tiranës. Po të njëjtin “fat”, kishin dhe fëmijët e vëllait, Kozmait që ishte akoma në burg. Atë e mundonte brenga, se të gjitha ato fatkeqësi, i kishin dhuratë prej tij! Pas viteve ‘90-të jeta tragjike e kolonelit Josif Zegali, tërhoqi vëmendjen e interesin e regjisorit të njohur, Kujtim Çashku, i cili e takoi dhe realizoi filmin tashmë të njohur, “Kolonel Bunker”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016